Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Menjëherë pas përfundimit të luftës në qershor 1999, propaganda serbe, bashkë me miqtë e tyre kanë nisur një fushatë për të kthyer përmbys të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë. Kjo dëshirë për revizionim pas çdo hetakombe është tashmë e njohur. Kjo është strategjia serbe, simetrizimi i krimit. Dhe kanë arritur njëfarë sukses forcat antishqiptare. Kanë arritur njëfarë suksesi duke vënë në veprim herë pas herë edhe shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët për arsye të ndryshme, zakonisht të papastra, vihen në këtë rol, sepse për ta janë shumë të çmuara dëshmitë e tyre.
Në këtë kontekst, Beogradi ka ndjekur strategjinë e mohimit të krimeve të organizuara nga shteti serb dhe njëkohësisht krimet e pandriçuara, si ai në fshatin Graçkë, prapa të cilit me shumë gjasë qëndron shteti serb si në rastin “Panda” të Pejës, t’i atribuohen shqiptarëve dhe UÇK-së. Një pjesë edhe e autorëve të huaj, duke dashur të krijojnë një lloj ekuilibri, relativizojnë këto fakte, ose për çdo gjë të keqe që ka ndodhur pas lufte t’ia lënë në përgjegjësi ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Natyrisht, ngjarje të tilla si në Graçkë e kanë dëmtuar kauzën dhe imazhin e Kosovës. Asnjë ngjarje që ka dërguar në drejtim të Beogradit nuk është ndriçuar nga gjyqësia ndërkombëtare.
Në vazhdim shkrimi im “Graçka, karta e fundit e Beogradit”, që u emetua si koment në TVSH me dhe u botua në gazetën “Zëri ditor i Kosovës” më 28 korrik 1999.