Dr. Entela KOMNINO/
Autore, gazetare
Në këtë forum, këtej e andej oqeanit, arsyet për përcjelljen e ekselencës shqiptare të fund-fillimshekullit të kaluar janë vetvetiu sa objektive, aq edhe kërkuese për mendime të parrahura. Prej mëse 25 vjetësh në studimin e figurës së Fan Nolit, për autoren e kësaj fjale, ligjërimi i tij mbetet një proces shqyrtimi i vazhdueshëm. Por, të flasësh për këtë, në një mënyrë të re, 100 vjet pas fjalimit të fundit në Lidhjen e Kombeve, nuk mjafton vetëm kalimi i kohës e citimi i Nolit. Në kushtet e zhvillimeve si ato të Intelegjencës Artificiale, kuptimi i Fan Nolit në jetën shqiptare sfidohet nga risitë studimore mu në zemër të tij – Ligjërimi. Pikërisht mbi këtë fjalë, shkenca e feja që nga Homeri përpiqen ende të kuptojnë se si mund të shpjegojnë mendjen njerëzore. Pikërisht kjo fjalë gjendet ende në shqip për shprehjen e gjykimin së bashku, në rrënjë e kuptim ashtu si ‘logos’-i i dikurshëm. Pikërisht ligjërimi si i tillë e tërësisht origjinal për nga trajtimi i Nolit, është i domosdoshëm edhe pse i vështirë. Me sfond të tij në Lidhjen e Kombeve, shpjegimi i procesit bëhet edhe më specifik. Por, varësisht të gjithave,
LIGJËRIMI i SHQIPËRISË nga FAN NOLI
është e pamundur të mos trajtohet si i tillë në realitetin e tij e studimet për të.
Një shekull pas fjalimit të fundit të Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, ku Shqipëria u pranua mes procedurash e diskutimesh si shteti i 43- të i saj, vendi ka, si edhe mijëra vjet më parë, gjuhën që, kur ‘flet’, ‘ligjëron’, ashtu sikundër kur ‘ligjëron’, e bën ‘të ligjshme’. Njohur këtë dhe auditorin e kohës të Lidhjes së Kombeve, pyetja e parë do të ngrihej për domethënien e procesit në shqip mbi fjalimet e Nolit në anglisht apo gjuhë të huaj. Ndryshe nga ajo që ne e kemi mundësi – të flasim shqip në Organizatën e sotme të Kombeve të Bashkuara rreth ligjëruesit të vitit 1924 nga Shqipëria,- ardhja e Fan Nolit në atë rezultat diskutimi, në atë kohë dhe jo në shqip, jo pa çudi, nuk të çon tjetërkund veç shtegut unik të tij me gjuhën amë. Shqiptari më i njohur dhe më i lexuar i Shqipërisë postosmane si dhe mbajtësi i meshës së parë në shqip për Kishën e pavarur shqiptare në Shtetet e Bashkuara lindi në Turqi, u shkollua atje në greqisht dhe e shtroi shqipen e shtëpisë si dhe ushtroi atë në Amerikë. Dhe kjo do ta përjashtonte në vështrim të parë një ndikim të shqipes origjinare mbi fjalimet e tij në Lidhjen e Kombeve. Por, raporti i tij me jetën e jetuar dhe tregimin e fakteve jetësore prej tij më pas, na jep një mundësi të ndryshme: të kuptojmë me perspektivën e sotme se si zuri vend përvoja me shqipen në mendjen që udhëhoqi Shqipërinë me ligjërimin e tij ashtu siç ai kuptohet në shqip. Pikërisht, si i tillë, së pari, ishte
Ligjërimi që ndihmoi ‘nxënien’ e atdheut
nga Theofan Stilian Noli- fëmija në shkollën greke për prift që ‘eci përpara duke shpresuar atje ku s’kishte shpresë, duke pasur besim te zoti dhe në drejtësinë e çështjes që kishte marrë përsipër’. Ndërsa mësoi shqipen, Noli nuk la nga ana tjetër dëshmi që të ketë identifikuar se gjuha e nënës ishte dhe rezulton sot mbajtëse e atij domaini që anglishtja e ka në fjalën ‘Perorate’, pra gjendjen latine të ligjërimit. Rrjedhimisht, ne sot nuk mund ta dimë nëse Fan Noli do të kishte mbajtur po njësoj fjalimet në Lidhjen e Kombeve edhe pa ditur shqip. Por ne jemi të sigurtë se Fan Noli nuk do të kishte mundur dot të mbërrinte në atë podium pa folur shqip, prej nga, doli si përfaqësues i shqiptarëve. E në këtë rrugëtim, Fan Noli i kreu si askush ‘urdhërimet e fjalës shqip’, madje edhe kur nuk foli shqip. Ishte rruga e ndjekur për dheun e të parëve, ajo që e çoi pashmangshmërisht, në çdo gjuhë, në procesin e ligjërimit duke folur. Atdheu i sotëm, kisha pavarur shqiptare, letrat e përkthimi, auditori politik e shpirtëror, mësimi i shqipes jashtë Shqipërisë e shqipërimi nga gjuhët e tjera të autorëve monumentalë të botës janë dëshmia e gjallë e këtij procesi të mbështjellë rreth ligjërimit të Nolit. Pjesë e tij, fjala në Lidhjen e Kombeve duket se kalon mespërmes sfidës ku personalja e Nolit e kombëtarja e gjetur e shtruar për zgjidhje ndërkombëtarisht, ‘takohen’ tek Atdheu i gjuhës së mësuar në familje e kërkuar që në rininë e parë. Pikërisht për këtë arsye, zgjidhja e staturës personale përmes gjuhës amtare dhe referencës së atdheut është e pashkëputur nga ligjërimi i Shqipërisë prej Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve. Atdheu i rrallë për nga një përvojë si e tij, u arrit dhe u krye si detyrë ligjërimi – proces fjale e rezultati juridik. Diskutimet e komisioneve për caktimin e kufijve janë sfondi më i qartë i rolit të ligjërimit në realitetin që vazhdonte mbajtjen e shënimeve në terren si territor i asaj gjuhe me të cilën përgjigjej popullsia pasi ishte provokuar nga përkthyesit.
Si dhe rilindasit e tjerë,
Fan Noli e lexoi dhe shkroi Shqipërinë më parë se ta ‘takonte’
vendin e gjuhës amtare, madje edhe meshoi së pari shqip jashtë Shqipërisë. Ne nuk themi asgjë të re e aq më pak të ndryshme kur citojmë vetë Nolin të kujtojë në fund të jetës së tij se ‘si delegat i Vatrës…i dha rast…të takohej me presidentin Uillson…dhe i bëri thirrje atij të rivendoste pavarësinë e Shqipërisë’. Por, perspektiva e sotme i lejon edhe një joshqiptari të perceptojë se ‘Kur Shqipëria e pasluftës krijoi qeverinë e parë… komunitetit shqiptaro-amerikan iu këshillua të dërgonte një delegat, dhe nuk është për t’u habitur që ky delegat ishte Fan Noli’ . Për ne nuk është për t’u habitur që ishte pikërisht ligjërimi i Nolit, ai që e çoi në forume të tilla. Por, sigurisht, që nuk është pa habi, që, figura më e mendueshme për përfaqësimin e Shqipërisë në atë kohë, dilte nga një rrugëtim si i Nolit. Duke mos patur të dytë si vetja, ka qenë më tepër se mision dhe një i tillë i përmbushur, arritja e Shqipërisë përmes ligjërimit shqip. Për këto arsye dhe për më shumë,
Ligjërimi i Shqipërisë nga Fan Noli është një proces substancial
e për rrjedhojë i prekshëm, i lidhur jo thjeshtë me kuptimin e fjalës të ruajtur për arsye ende të pazbuluara në shqip. Ligjërimi si i tillë në shqip, u gjet dhe u bë funksional nga Noli në proces fjale e juridiko-diplomatik. Njëkohësisht, ligjërimi u bë konkret kur Noli ishte autori – publicist, përkthyes e prift shqiptar, ministër i jashtëm e kryeministër. Me këto atribute, ligjërimi nga Shqipëria, për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve plotësoi kushtet e procesit të ligjërimi të Shqipërisë nga Fan Noli.
Pak rreshta të fjalimit pas pranimit në Lidhjen e Kombeve sjellin pikërisht këtë kompleksitet: ‘…U çudita kur dje pashë përkrahës nga të katër anët e botës që u ngritën në këmbë, në mbrojtje të asaj fëmije të braktisur e të persekutuar të Evropës..që bujarisht votuan në favorin tonë, ndërsa m’u mbushën sytë me lotë…sipas mendimit tim, pranimi ynë nderon Lidhjen’.
Sot është zbulimi i mëtejshëm i Nolit ai që nderon veprën e tij e Shqipërinë, në Lidhjen e Kombeve apo Organizatën e Kombeve të Bashkuara ashtu siç Korifeu shqiptar e ligjëroi me fjalë e veprim.