• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diaspora Hasjane – Zëri i Bashkimit nga Anglia në mbarë botën

November 1, 2025 by s p

Valdete Cenalia/



“Kush harron gjuhën dhe zakonet, harron shpirtin e vet.” Pjetër Bogdani. Në zemrën e Anglisë, larg kodrave e burimeve të Hasit, ka lindur një frymë e re bashkimi, Diaspora Hasjane, një urë shpirtërore që lidh zemrat e bijve dhe bijave të Hasit, kudo që i ka shpërndarë jeta nëpër botë. Kjo nismë fisnike lindi nga Edmir Dida, një bir i Hasit që e mbart me krenari gjakun, traditën dhe besën e krahinës së vet të lashtë, ku tregon se trashëgimia e një zemre spërkulet kurrë. Edmir Dida është i biri i Sejdi Didës, një emër që mbetet i skalitur në kujtesën e njerëzve për guximin, mençurinë dhe dashurinë e pashuar për trojet shqiptare.

Në vitet e errëta të fillimit të ’90-tave, kur kufijtë ishin plagë të hapura e fjala shqiptare përndiqej, Sejdiu mori mbi supe një mision që do të bëhej legjendë. Ai kaloi në këmbë kufirin shqiptaro-shqiptar, atë vijë të padrejtë që Serbia e mbante nën kthetrat e saj, vetëm për të mbajtur gjallë lidhjet mes shqiptarëve. Në shpinën e tij mbante dengjet e revistës “Etja” një simbol i dijes dhe bashkimit, një dritë që ndriçonte errësirën, një dëshmi e “etjes” së pashuar për një komb të lirë e të bashkuar. Kjo “etje” e shenjtë për bashkim dhe dashuri për atdheun u trashëgua me nder e krenari te i biri, Edmiri.

Një zë që bashkon zemrat në mërgim – Me shpirtin e një bashkuesi të vërtetë, Edmir Dida ngriti zërin e Hasit në një tokë të huaj, duke dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij. Ai mblodhi rreth vetes jo vetëm hasjanët e Anglisë, por edhe bashkatdhetarë nga mbarë bota, duke krijuar një rrjet solidariteti, bashkëpunimi e krenarie kombëtare. Sot, Diaspora Hasjane në Angli nuk është thjesht një shoqatë, por një zemër që rreh për Hasin, për gjuhën, për zakonet dhe për rrënjët që s’harrohen kurrë.

Është një dëshmi e gjallë se largësia nuk e shuajti as dashurinë, as kujtesën – përkundrazi, i bëri ato më të forta. Në fjalët e vetë Edmir Didës, që kanë prekur zemrat e shumë bashkatdhetarëve:
“Kjo nismë që morëm ne, të gjithë djemtë hasjanë, nuk është familjare apo personale. Ajo është për t’u mësuar fëmijëve tanë traditën, kulturën dhe prejardhjen tonë, që të mos harrojnë kurrë kush janë e nga vijnë, duke e ruajtur si gjënë më të shtrenjtë dhe të shenjtë.”

Këto fjalë janë thelbi i shpirtit hasjan krenar, i urtë, por i pathyeshëm. Në to pasqyrohet e gjithë historia e një krahine që, ndonëse e vogël në sipërfaqe, ka dhënë gjigandë në kulturë, atdhetari e shpirt shqiptar. Hasi, vend i fjalës, i besës dhe i shpirtit burrëror – Shkrimtari i madh hasjan Pjetër Bogdani, themelues i prozës shqiptare, na kujtonte se: “Gjuha dhe zakonet janë shpirti i kombit.” Ky shpirt është ai që sot e mban gjallë Zërin e Bashkimit nga Anglia në mbarë botën, një zë që buron nga dashuria për rrënjët, për vendin e të parëve dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Hasi nuk është vetëm një vend në hartë, është një ndjenjë, një mall, një flamur në zemër.

Diaspora Hasjane është sot shembull i gjallë i bashkimit, i kulturës dhe i krenarisë kombëtare. Ajo dëshmon se kur ka dashuri, përkushtim e vullnet, as kufijtë, as detet, as koha nuk mund të ndalin bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.Kjo do të thotë që të jesh hasjan do të thotë të jesh gjithmonë kujtesë e gjallë e shqiptarisë.

Filed Under: Interviste

Ju rrëfej si e ngritëm Shkollën Shqipe Vatra, në Clearwater, Florida

October 31, 2025 by s p

Bisedoi: Raimonda MOISIU –SADE /

(Intervistë ekskluzive për Gazetën DIELLI, me Drejtoreshën e Shkollës Shqipe Vatra,  Znj. Meri Andrea Kodra).

Diaspora shqiptare vazhdon përpjekjet për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje me barasvlerën e vlerave kombëtare mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike amerikane -multikulturore. Me qëllimin e dëshirën e mirë, dhe zellin e spikatur për të kultivuar e ruajtur gjuhën, traditën, kulturën, dhe trashëgiminë ndër breza të vlerave kombëtare dhe historike shqiptare, nisma e Vatra Tampa Bay dhe një grupi intelektualësh jo vetëm me profesionin e mësuesit, por edhe atdhetarë, dhe intelektualë të profileve të ndryshme bënë të mundur Hapjen e Shkollës Shqipe Vatra, në Clearwater Florida, -Diasporë. Komuniteti shqiptaro-amerikan në Floridën e Jugut, shquhen për obligimet qytetare, shpirtërore, dhe njerëzore, me përpjekjet e tyre, intelektuale dhe atdhetare, për të  eksploruar shprehitë e vetëdijes kombëtare e historike, që luajnë një rol të pazvendësueshëm, në ruajtjen e identitetit shqiptar në mërgatë, dhe për të mbajtur gjallë frymën e gjuhës shqipe dhe kulturën shqiptare, Për hapjen e shkollës shqipe, grupi nismëtar mori edhe mbështetjen, mirënjohjen dhe respektin jo vetëm të komuniteti shqiptaro- amerikan, Kryesisë së Shoqatës Pan Shqiptare Vatra, respektivisht e Kryetarit Prof. Elmi Berisha, por edhe nga bisnesmenët dhe filantropistët shqiptaro-amerikanë, dhe institucionet demokratike amerikane. Falë njohjes së hershme, por edhe ish-kolege, në të njëjtën shkollë në vendlindjen tonë, Korcën, unë  pata nderin të bisedoja me Drejtoreshën e Shkollës Shqipe Vatra, -Znj. Meri Andrea Kodra, – një zonjë e fortë dhe e  mençur, që  me urtësinë edhe maturinë e një mësonjëse veterane, unike, modeste dhe e përzëmërt, në përgjigjet e pyetjeve, ndau për Gazetën DIELLI dhe audiencën e lexuesve, punën, përkushtimin  dhe kontributin e saj dhe të stafit mësimor të Shkollës Shqipe Vatra Tampa Bay, në Clearwater, Florida.

-Zonja Meri, prej disa vite, operon Shkolla Shqipe Vatra, si lindi ideja e ngritjes dhe realizimit të këtij projekti në Clearwater, Florida?  

Qëkurse mërgova në Amerikë, besoja në vetvete se bashkë me mua mërgoi edhe Shqipëria, Korca, dhe shpirti shqiptar si pjesë e traditës, kulturës dhe identitetit tonë atdhetar e kombëtar. Dëshira dhe prioriteti im ka qenë, si nënë, e mësonjëse, që fëmijët e mij, të mos harrojnë gjuhën shqipe, me qëllimin e mirë e të vetëdijshëm, të njohin vendin e të parëve dhe  të prindërve të tyre, të njohin kulturën shqiptare, historinë, dhe gjeografinë, veglat muzikore dhe këngët tona të bukura, serenatat dhe gurrën e pashtërshme popullore, të njohin  shkrimtarët, artistët dhe poetët e shquar të kombit tonë, me dritën e veprave të tyre që lenë pas. Unë jetoj dhe punoj prej më tepër se tre dekadash në SHBA-ës. Për gati një dekadë e gjysëm, së bashku me familjen time, kemi jetuar në qytetin e “Ustër-it” (Worchester) -jo larg Bostonit, që njihet si “zemra e mërgatës shqiptare”, ku ka hedhur rrënjët, emigracioni i hershëm shqiptar, dhe bashkësitë etnike që në shekullin e 19-ë, dhe kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre atdhetare e patriotike,- njerës të shquar të letrave shqipe, që nga eruditi Fan Noli, Konica e shumë të tjerë. Tashmë është mëse e njohur në Amerikë, që Shkollat Shqipe janë hapur ngado ku ka komunitet shqiptar. Edhe kur unë jetoja në “Ustër”, një nga qytetet kryesore e tejet të rëndësishëm, ku jeton e punon një pjesë relativisht e konsiderueshme e komunitetit shqiptaro-amerikan, së bashku me Prof. Lekë Bezhani, një intelektual dhe patriot shqiptaro-amerikan mjaft i njohur, hapëm Shkollën e Parë Shqipe, në “Ustër”.  

Pas largimit nga “Uster-i” (Worcester) bashkë me familjen u vendosëm, në Clearwater Florida, ku edhe aty jeton e punon një komunitet modest dhe i rëndësishëm shqiptaro-amerikan, por ajo që më ra në sy, nuk gjeta shkolla shqipe. Duke qenë se vija nga një eksperiencë e mëparëshme, -hapjen e shkollës shqipe në “Ustër, – porse edhe profesioni im, e diplomuar për mësonjëse e Gjuhë-Letërsi, më lindi ideja dhe dëshira ishte e madhe, për të hapur edhe aty një shkollë shqipe.  

– Cila ishte pritshmëria e kësaj ideje, mbështetja dhe interesimi i komunitetit shqiptaro- amerikan për Shkollën Shqipe Vatra? 

E para që përkrahu idenë e hapjes, së një shkolle Shqipe, ishte ALBANIAN HERITAGE FOUNDATION OF TAMPA BAY

me president Dr, Adrian Kraja. Kështuqë me ndihmën e dhe mbështetjen e këtij Fondacioni, në hapëm Shkollën e Parë Shqipe në Clearwater. Në vitet e mëpasme, Shoqata Vatra TAMPA, me Kryetar  Z. Tasim Ruko, një burrë fisnik, i mençur dhe i urtë, më sugjeruan idenë dhe më kërkuan ndihmë për të hapur edhe një tjetër shkollë shqipe. Duke qenë se zanati im është  mësonjëse, nuk mundesha ta anashkaloja, jo vetëm se  mua më pëlqen të punoj dhe të jap kontributin tim arësimor, por pavarësisht mundësive që ofron dhe shanseve që të jep Amerika, të gjithë përballemi  me vështirësitë që hasim në emigracion, pra, kontributi ynë  është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimive të ndryshme familjare e ekonomike, kështuqë edhe unë iu bashkova idesë duke punuar vullnetarisht për bashkëkombasit e mi, për  t’iu mësuar e trashëguar brezave të ardhshëm, gjuhën e bukur shqipe dhe kulturën shqiptare. Në këtë mision historik, për hapjen e Shkollës Shqipe Vatra morëm mbështetjen e pakursyer edhe nga Prof. Elmi Berisha, Kryetarit aktual të Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkërendim me rolin qëndror të Shoqatës  Vatra Tampa Bay. Më duhet të sjell në vëmendje rëndësinë e veçantë të komunitetit shqiptar në Tampa Bay, i cili luan një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave kulturore dhe identitetit shqiptar në diasporë. Gjithashtu mjaft bisnese kanë treguar interesim të vecantë  dhe na kanë ndihmuar për nevojat e mjetet mësimore të shkollës, emrat dhe ndihma morale dhe financiare e këtyre bisneseve, dhe atdhetarëve, bëhen të ditura në “Faqen e Shkollës”, dhe numuri i pjesëmarrjes të  fëmijëve arrin deri diku te 65-ë, një numur i kënaqëshëm, që tregon interesin dhe mbështetjen e prindërve shumë më pozitive nga sa e kisha imagjinuar unë.  

-A mendoni se është e vonuar hapja e kësaj shkolle, apo më mirë vonë se kurrë? 

Mendoj se është hapur në kohën e duhur. nuk më duket se jemi të vonuar. Madje jemi në kohë edhe me përcaktimin e semestrave sipas programeve të vitit shkollor, me kriteret  për emërimin e mësuesve të shkollës dhe interesat e mësimdhënies që ata përfaqësojnë në suksesin e procesit mësimor, i konceptuar si tërësi komplekse dhe integrale, i përbërë nga një sërë lëndësh të veçanta që ofrojnë njohuri në mësimin e gjuhës shqipe, historisë, kulturës, dhe traditës.  

-Cilat janë kriteret për emërimin e mësuesve të shkollës, dhe si e vlerësoni punën tuaj si drejtoreshë  dhe të mësuesve të kësaj shkolle? 

Eksperienca e mësueses në Shqipëri e në Amerikë është kriteri parësor. Mundësisht të kenë diplomë pedagogjike,  të jenë të formuar nga ana qytetare e njerëzore, me dashuri e përkushtim, t’i duan fëmijët  dhe vëndin e tyre, të duan e respektojnë gjuhën amëtare shqipe, traditën, zakonet, historinë e kulturën shqiptare. Unë e vlerësoj stafin mësimor, pra mësonjësit janë qytetarë të shkëlqyer, punojnë me dashuri dhe falin dashuri, ata punojnë pa u kursyer dhe në harmoni midis tyre, me fëmijët, me prindërit e me komunitetin. Të gjithë punojnë vullnetarisht, vijnë përherë të pergatitur me planin mësimor, gjithmonë konsultohemi bashkarisht kryesisht rreth njohurive për gjuhën shqipe, por edhe muzikën, vallen popullore, biologji e informatikë, etj.  Mendoj se këto lëndë mësimore duhen konsideruar si pjesë e integrimit në kulturën amerikane pa e humbur identitetin shqiptar. 

-Na përshkruani një ditë mësimi dhe stafin mësimor…

Kemi Bordin e Shkollës i përbërë nga stafi i mësuesve, prindër, dhe Shoqata Vatra Tampa Bay. Shkollën  e drejtojnë administratori  i shkollës Z,Tasim Ruko, Sekretari, Prof. Dr. Bledar Prifti dhe Drejtoresha e Shkollës, që jam unë, Meri Andrea Kodra. Puna fillon në orën 1pm. me përgatitjen e klasave dhe kontaktimin e koordinatorëve të shkollës. Mësuesit paraqiten në shkollë dhe marrin direktivat e shpërndahen nëpër  klasa për t’i pritur fëmijët. Fëmijët paraqiten dhe pajisen me etiketa me emrat përkatës e më pas shpërndahen nëpër klasa. Procesi mësimor zhvillohet cdo të shtunë, nga ora 2pm-3pm përdorim abetaret dhe monitoret  nga 3pm-4pm, secili nxënës ka fletoren e tij/saj, dhe shkruajnë, prej orës 4pm-5pm, tradita shqiptare, si histori e gjeografi, të ilustruara të gjitha këto me pamje e foto, për të njohur atdheun e të parëve të tyre, Shqipërinë, Dhe në fund e mbyllim me vallet e bukura shqiptare  nga “Grupi i valleve”që drejtohet nga mësuesja e talentuar dhe e apasionuar Znj. Lida Zaimi. Pjesë e Satfit mësimor është mësuesja e letërsisë Arjana Poloska, që e pasuron orën mësimore me tregime, poezi e vjersha në gjuhën shqipe. Mësueset e gjuhës shqipe operojnë në 4 grupe, sikundër me mësuesen e talentuar Ana Kulla, të gjithë punojnë në ‘TEAM”, bashkarisht, njëri më i mirë se tjetri. Mësuesit e lartpërmendur të shkollës kanë planin mësimor, të cilin e marrin në dorëzim para fillimit të semestrit, dhe në bazë të këtij plani dhe të tekstit që kemi hartuar posaçërisht për fëmijët e diasporës, ata ndërtojnë punën parapërgatitore. Mësuesit zgjedhin mjetet e tyre të punës, e ndër to bën pjesë edhe ditari ditor  mësimor. Kemi edhe vullnetarë që vijnë e japin ndihmën e tyre në shkollë, iu  qëndrojnë nga afër problemeve dhe punës tonë, po përmend këtu; Almira Derveni, Mimoza Mano, Ilir Sako, Gina Ruko, Eva Keta, avokaten e shkollës Vera Xhafaj, bisnesmenin, Sekretarin e Shoqatës Vatra Tampa Bay,  Endri Filipi, Marion, dhe anëtarë të denjë  nga Shoqata Vatra Tampa Bay, e  plot të tjerë që tregojnë interes e  na pyesin se për cfarë kemi nevojë. Kjo tregon se ne po kontribuojmë

mjaft dhe kemi tërhequr vëmmendjen e komunitetit shqiptaro-amerikan. 

-Si funksionon trekëndëshi “komunitet-mësues-nxënës” dhe sa ndihmon kjo në zhvillimin e procesit mësimor në këtë shkollë? 

Nga numri i nxënësve, që ne e kemi gjetur mbështetjen në komunitetin shqiptar e Clearwater. Ruajtja dhe kultivimi i vlerave dhe identitetit kombëtar shqiptar, nëpërmjet shkollave shqipe në Amerikë, mendoj se duhet konsideruar si pjesë e integrimit në kulturën amerikane pa e humbur identitetin shqiptar. Ne këtë e arrijmë në sajë të aktiviteteve të  ndryshme të organizuara nga Vatra Tampa Bay dhe Shkolla Shqipe Vatra, të cilat përfshijnë mësimin e gjuhës shqipe, organizimin e ngjarjeve kulturore dhe festive, si dhe nisma të tjera që forcojnë lidhjet mes anëtarëve të komunitetit dhe trashëgimisë shqiptare. Këto përpjekje synojnë të mbajnë gjallë frymën e kulturës shqiptare, veçanërisht për brezat e rinj që rriten larg atdheut. Ndërsa unë si mësonjëse, nënë, gjyshe dhe qytetare shqiptaro-amerikane u them për rëndësinë e bashkëpunimit komunitar dhe angazhimit të përbashkët për të promovuar traditat, gjuhën dhe historinë shqiptare. I nxit të gjithë anëtarët e komunitetit që të marrin pjesë aktive në këto iniciativa, duke e konsideruar këto si një mjet për të forcuar identitetin shqiptar dhe për të krijuar një lidhje të fortë mes brezave. 

– Cfarë dëshironi të shtoni dhe një mesazh për komunitetin shqiptar në Diasporë… 

Me emrin e artistit, kantautorit, këngëtarit korçar i serenatës , Mihallaq Andrea, i cili është, edhe vëllai im, -tashmë njihen të gjithë shqiptarët ngadoqë janë, në Shqipëri, Kosovë,  kudo në trojet ku jetojnë e punojnë shqiptarë. Prej disa vitesh vëllai im, Artisti Mihallaq Andrea, ka gjetur veten edhe si shkrimtar, dhe deri më tani ka botuar tre libra në gjininë e romanit “Margarita”, “Dorëshkrimi”  dhe “Deputeti”, dhe ai sapo ka përfunduar librin e tij të katërt me tregime të titulluar  “22 Ëndrra”. Në rrafshin  njerëzor, moral, edukativ,  dhe atdhetar,  Mihallaq Andrea  është edhe një nga bashkëpunëtorët e mij, dhe të shkollës, më të mirë si tregimtar dhe shkruan enkas tregime për  nxënësit e  Shkollës Shqipe Vatra Tampa Bay. Leximi i këtyre  tregimeve ka vlera shumë të mëdha edukative, ju krijojnë emocione dhe nxënësi zgjeron njohuritë dhe aftësitë për drejtshqiptimin e drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Këtë të shtunë fëmiëve do iu lexojmë tregimin për fëmijë, me titull,  “Sorkadhja” i shkruar posacërisht për ta nga Mihallaqi.  Dhe dicka tjetër, dëshiroj të shpreh, se Shkolla Shqipe Vatra Tampa Bay, sponsorizohet nga ana materiale  dhe financiare, nga Vatra, bisnesmenët shqiptaro-amerikanë Z. Tasim Ruko dhe Z. Isuf Spahija, nga filantropistja mjaft e njohur në Amerikë, dhe Shqipëri, Fotini Kokeri, e cila gjendet përherë pranë shkollës për cdo problem dhe ndihmesë në nevojë. 

Mesazhi im  për komunitetin shqiptar në Diasporë, kjo intervistë e imja, le të shërbejë  si një thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj kulturës shqiptare, duke vlerësuar rolin e çdo individi në komunitet për të kontribuar në këtë kauzë të rëndësishme. 

Federatës Pan Shqiptare Vatra, respektivisht Kryetarit, Prof. Elmi Berishës,  Kryetarit të Degës së Vatra Tampa Bay, Z. Tasim Ruko,  Presidentit Z. Isuf Spahija, Zv/Presidenti Z. Endri Filipi, dhe filantropistes dinjitoze, Fotini Kokeri, -që qëndrojnë përherë pranë shkollës, ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta për punën e tyre  të palodhur dhe kontributin e jashtëzakonshëm në forcimin e komunitetit shqiptar dhe promovimin e kulturës shqiptare. Ju uroj shëndet dhe suksese të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen! 

Bisedoi: Raimonda MOISIU –SADE 

Florida, Tetor 2025

Filed Under: Interviste

POEZIA E LUIGJ GURAKUQIT: “TEK TI MË FLUTURON MENDIMI, O SHPIZA IME”…

October 29, 2025 by s p

Processed with VSCO with ih5 preset

Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha/

Me vargje të tilla fluturuese që derdhen nga një shpirt i ndjeshëm që e provoi herët mërgimin si student, do shperfaqte gjithë forcën e pakrahasueshme të dashurisë për vendlindjen, Luigj Gurakuqi ky burrë i urtë i “Shkodrës së moçme”, siç do të pëlqente ta quante qytetin e tij. Në 46 vite të jetës së tij të ndërprerë pabesisht Luigj Gurakuqi shkëlqen si rrallë kush në historinë e kombit me forcën e nje personalitetit jo të zakonshëm. Ai u imponua ne shumë fusha si personalitet i spikatur që i le pas një vazhdë të ndritur për t’u admiruar ne te gjithe kohërat. Ai erdhi në letërsinë dhe kulturën shqiptare kombëtare në kapërcyell të shek. XIX, shekull që tronditi gjithë Evropën me lëvizjet çlirimtare dhe që kish përfshirë si rrallë herë edhe veprimin e shqiptarëve, vetëdijen e tyre kombëtare.

Luigj Gurakuqi i frymëzuar që herët në seminarin jezuit, aty do të nisë te vjersheronte, duke dëshmuar prirjen e tij ne rrugen e bukur te poezise. Shkollimi i mëtejshëm në Italinë fqinje ku gjallonin ngulime te hershme shqiptare do te ndikonte fort ne zotimet e tij te ardhshme. Italia asokohe jetonte zulmen e luftes se gjate per liri dhe bashkim kombetar. Gurakuqi pati fatin te ndiqte mesimet dhe te kishte mesues ne kolegj të madhin poet të Milosaut,De raden. Por mjedisi shqiptar i mërgimit nuk ia shuante mallin e Shqipërisë, mallin e Shkodrës që do t’i brente shpirtin. Dhe ndonëse student ai do të afirmonte veten si poet për afro dhjetë vjet në faqet e një organi prestigjioz si “Albania” e Faik Konicës, si publicist në organin “La nazione albanese” të Anselmo Lorekios. Dhe si autor i një nder veprat e para të llojit sic ishte “Vargnimi në gjuhë shqype” që ai botoi më 1906 në Napoli. Dhe nis atëherë, disi i rrallë, ai dialog poetik midis dy bashkëqytetarëve që kurrë nuk e njohën njëri-tjetrin për së afërmi, midis Filip Shirokës dhe Luigj Gurakuqit. Poeti i dallëndysheve do të këndonte liksht por ëmbël. Po aq ëmbël po me një mendim më të ndalur do të dialogonte me të Gurakuqi, që si ai po e vuante thellë brengën e mallit të Shkodrës, që sic shkruante ai “gadi më grini”. Por ndjeshmërine e tij Gurakuqi nuk e shpreh vetëm përmes poezisë së mirëfilltë. Ai është poet edhe në prozat e frymëzuara që shkruan. Veprën “Vargnimi në gjuhë shqype” ia kushton poetit të madh shqiptar, Gjergj Fishtës.

Sado që e pakte në numër poezia e L. Gurakuqit ka një regjistër të pasur ndjenjash e përsiatjesh. Ai shkruan poezi me ritëm marcial dhe me hove kushtruese si “Shqyptarëve lidhë në besë”, “Kangë”; “Shqypja e burrit”, por edhe poezi me tone delikate dhe të brishta si poezia “Zogëzës kryezezë” ku përmes simbolikës ai e zbulon veten poet me ndjeshmëri të hollë. I papajtueshëm me të gjithë ata që nuk tregohen veprues në çështjen kombëtare, entuziast i papërmbajtur ndaj çdo përpjekjeje për lulëzimin dhe përparimin e kombit, të kulturës dhe të gjuhës së tij ai shkruan vargje bubulluese qe sugjestionojnë me forcën e bukurinë e tyre: “Kur të humb gjuhën/Nji popull shqim mbaron…”. Një larmi gjendjesh emocionale ndërthuren në poezinë “T’falun atdhetarit nga Kosova” ku poeti gezohet,pershendet, shpreson dhe porosit lulezimin dhe perparimin e gjuhes shqipe qe ai e cileson “të ambël e trimneshë”, duke marrë shkas nga puna e palodhur e Mati Logorecit në mbrojtjen e këtij visari të patjetërsueshëm të kombit. Tonet burrërore dallojne sidomos poezinë “Qëndresa”. Edhe pse poezia njihet nga lexuesi në variantin e saj jo të plotë, sepse botuesi i parë i poezisë së Gurakuqit ka hequr strofat e fundit, kjo ka rritur homogjenitetin dhe i ka dhënë vjershës karakter universal. Kjo poezi shquan jo vetëm në fondin e poezisë së Gurakuqit por edhe në gjithë hapësirën e poezisë shqipe, tek e cila mendimi poetik ka gjetur shprehjen e përkryer në vargje të magjishme që shpërfaqin bukurinë dhe forcën shprehëse të shqipes. Poezitë e mallit për atdhe, poezitë kushtruese të Gurakuqit ngjajne si pika vese në agimin kombëtar, veçmas tingëllimi “Shpisë sime”. 

Poezia e Gurakuqit është poezi e përfytyrimeve të gjalla, situatave dhe jo aq e detajeve të holla, sado që edhe këto nuk mungojnë sidomos në poezitë me karakter intim. Përfytyrime si ai ngritjes së Skënderbeut nga varri duke flakur “të randën rrase” me vringëllimën të shpatës, gjendjet e trishtimit që i shkakton malli për shtëpinë, qytetin e lindjes, njerëzit e shtrenjtë në Shkodër, realizohen me vargje të ndërtuara teknikisht me bartje vërtet të rralla në poezinë shqipe si: “Tek ti më fluturon mendimi, o shpiza ime/Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue…”. Apo përfytyrimet e poezisë “Qëndresa” që krijojnë asocacione të fuqishme me kuptime disa shtresore për kohën që rrjedh e nuk ndalet, për stinët e moshës njerëzore që edhe ato rrjedhin pa u ndalur e për qëndresen e paepur e të shumfishte që duhet treguar ne emer te nje qellimi fisnik e human që kurdoherë zgjojne nje efekt te vecante tek lexuesi i të gjitha kohëve. Ndoshta e lënë disi mënjanë nga mendimi letrar, shfaqet poezia tepër interesante e Gurakuqit “Deka e Zanave”. Student në Itali, që ka marre nje kulture solide te lashte dhe te re, Gurakuqi ka mendimin se poezia shqipe nuk ecen kundohere në nivelet e dëshiruara. Alegorikisht ai i referohet nje problemi shume interesant rrezimit te miteve te vjetra dhe gjenerimit te miteve te reja qe ne fakt perterijne perjetsisht letersine dhe artin. Ndonese i ri ne moshe ai shfaq nje pjekuri dhe intuite te pashoqe per kohen ne formulimin perhere te pare te kerkesave dhe normave për një letërsi cilësisht të lartë jo vetëm në pembajtje, por edhe në formë. Këtë ai e dëshmon edhe në veprën “Vargnimi në gjuhë shqype” ku ai shfaq jo vetëm njohjen e tij të thellë në fushën e metrikës,por edhe te vlerave te letersise kombëtare e të huaj, që i bën objekt shqyrtimi dhe ilustrimi. Në tërësinë e saj kjo vepër e Luigj Gurakuqit është dëshmi se fillimi i shekullit të ri për shqiptarët dhe letërsinë e tyre po sillte një koncept të ri, që paralajmëronte zhvillime të reja të saj.

Për fat të keq Gurakuqi u shkëput nga letrat e mirëfillta në prag të këtyre ndryshimeve ku me siguri do të mund të jepte kontribut me horizontin dhe pjekurinë e rrallë që e dalloi me shkrimet letrare, kritike e teorike që ai botoi. Por sensin e tij krijues ai e shprehu në fjalimet, artikujt, botimet shkollore që shquhen për magjinë e forcën e logjikës dhe të stilit të tij të veçantë. Do të kujtonim fjalimet e tij në përvjetorin e pare te pavarësisë, në hapjen e shkollës normale, si dhe fjalën e urtë por të ëndur me një stil të kultivuar në Kuvendin Kombëtar,te parin parlament pluralis Shqiperi. Tingëllon tepër i gjetur përcaktimi që i dha kolosi i letrave shqipe F. S. Noli, “gojë mjaltë e zemër hekur”, që e njohu më afër magjinë e fjalës së tij të ëmbël dhe qëndresen e pashemullt të tij. Nuk janë të rralla rastet në letërsinë shqipe që poetet të kenë artikuluar fjalë zemre, fjalë vlerësimi për njëri-tjetrin. Duke filluar nga Budi dhe Bogdani, tek Naimi, Fishta, Çajupi, Asdreni, Xanoni, Nikaj etj. Fjalë nderimi do të shqiptonte Fishta për Naimin në kryeveprën e tij epike “Lahuta e Malcis”. A nuk ishte edhe miqësia dhe nderimi qe shprehen per njeri tjetrin Gurakuqi dhe Shiroka nje tregues i shpirtit tejet te hapur për dashuri dhe mirëkuptim si njerëz edhe si krijues. Asnjë fare kulti nuk i lejuan ata vehtes. Sepse tek ata sublimohej madhështia e personalitetit me thjeshtesine njerëzore. Por në marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre ka edhe dëshmi me vlera autentike qe rridhnin nga njohja e përditshme, nga kontakti midis tyre që merr vlere te vecante. Një e tillë është dëshmia e Lazër Shantojës për L. Gurakuqin. Në organin “Ora e maleve”, në mars 1923, Lazër Shantoja boton shkrimin “Te dy shtreter te permendun”. Shkasin për këtë shkrim ia jep Shantojës vizita që u bën ne kryeqytet dy personaliteteve L. Gurakuqit dhe A. Zogut që kane zene shtratin, i pari sic shkruan Shantoja “i begatun me nje rezistence te celikte jo vetem morale por dhe fizike, u rrxue prej teprices se mundit te diteve te kalume”. Ai e portretizon Luigjin me forcen e stilit te tij prijsin e opozites. “Prej shtratit të hekurit ne fund të një odës të vogël e të dlirët, i kuqun në fytyr prej etheve me shtrin dorën plot zjarm Luigj Gurakuqi. Njat herë sa duelen tre doktora. Duhet dite qe ska mbete doktor ne Tirane që vullnetarisht s’ka nga me i falë shërbimin e vet këtij njeriu. Prej ditës së sëmundjes oda e tij asht ba qëllimi i një shtegëtimi të paprashëm 100 deri 200 vetë në ditë ngasin me e pa e ndonëse urdhni i mjekvet ndalon pranimin e vizitave, megjithë këtê i sëmueti s’duron ti mbyllet dera kuejt. Në odë të tij ke muejtë me pa gjithnuer gjindsh prej ministrit elegant deri tek fshatari i vorfën. Sëmundja e tij ka tronditë sidomos armiqt e opozitës si më tha Z. Avni Rustemi para kafes Internacional “Opozita asht tuj pushue, kemi Gurakuqin e sëmuet”.Kush e njeh karakterin e tij, duruesin e pamatë që ka ndaj të tjerëve, bindet kah e sheh aq të padurueshëm ndaj vedit. Në tribunën parlamentare Gurakuqi asht i njoftun porsi oratori “gjentelman”, kundërshtari qi kur don me therë kendin ka mjeshtrinë e posaçme me të rrathë me doreza e me i veshë thumbat me pambuk. Vetëm me vetvedi asht gadi i egër: nuk kursen vedin aspak dhe ky moskursim i tepërt i shkaktoj sëmundjen e randë… Luigj Gurakuqi asht njeri i popullit e populli edhe në këtë rase asht tuj e diftue  se ai për nji mend asht njeri i tij”. (Ora e Maleve, 22 Mars, nr. 13)

Dëshmi po aq interesante sjell Ernest Koliqi. Dyzet vjet pas vrasjes barbare të Gurakuqit, mikut te tij te afërt në revistën “Shejzat” boton shkrimin me vlere “Luigj Gurakuqi” dhe po këtë vit shkruan dramën me një akt apo “hov” si shprehet ai me titullin “Takimi i orës 9 të mbramjes” kushtuar figurës së Gurakuqit. Në shkrimin e parë Koliqi vecon nga cilësitë e çmuëshme të Gurakuqit “fuqinë vllaznore” që i bashkonte njerëz me mendime të ndryshme, veti kjo e personaliteteve qe imponohen me mendimin dhe shpirtin e madh ne rrjedhat e ngjarjeve”. Koliqi sjell dhe mbresat e veta: “Unë, që këtu po shkruaj, i kam shërbyer si sekretar privat në Tiranë më 1924. Në Shkodër ishim ngjet me shtepia.E pritshem kur dilte ne mengjez e mbas dite e percillshem gjithkund.Ai me nxiti me rrahe shtigjet e letërsisë,mbasi lexoj do shkrime te mija.Ai me hodhi ne politike,tue ardhe vete tek gjyshi im me me nxjerre leje mu marre me pune politike,ne ndjekje te tij.Gjyshi qi tjeter udhe e dege veprimtarie ne jete uronte per mue,atij smund ti thoshte jo.Besonte ngultas ne ndershmerine e zotesine e Shkodranit të Madh”. Po në këtë shkrim Koliqi premton “Në më faltë Zoti jetë e shëndet të mjaftueshëm do të mbledh në një vëllim kujtimet e shumta që kam mbi Mjeshtrin e pashoq që më drejtoi gjatë dromit, plot ngashërime të shqiptarizmit. (Shejzat, IX, 1965 nr. 3-4 fq. 74). Nuk dimë të jetë realizuar kjo dëshirë e E. Koliqit, por ai shkroi po në atë vit një dramë kushtuar Luigj Gurakuqit. Drama “Takimi i orës 9 të mbramjes” është shkruar për të përkujtuar atë personalitet të shquar dhe çastin fatal që ndërpreu jetën e tij në mënyrë të dhunshme, për të cilin Koliqi pati shkruar “Na u duk se me të diq Ora e Shqipnisë”. Drama sado që hedh dritë në raportet intime njerëzore të “Viganit liberator”, si një vepër e përmasave të vogla pa shumë linja veprimi dhe pa ndonji vlerë të spikatur dramatike, me evolimin të thuash real të ditës së fundit të jetës së tij ka arritur të portretizojë në mënyrë të veçantë Luigj Gurakuqin, çka i jep asaj vlerën e një drame dokumentare, gjë kjo e rrallë në dramaturgjinë shqipe.

Falë njohjes nga afër dhe përcjelljes deri në çastet e fundit të jetës së Gurakuqit, Koliqi si në shkrimin editorial dhe në dramë me forcën depërtuese të vështrimit të tij ka arritur ta sjellë pothuajse të gjallë njeriun dhe personalitetin e shquar për të cilin ai do të dëshmojë: “Kështu e njofta unë Gurakuqin, Poet e Njeri shteti me shpirt të hapun kah bukuria e jetës, kah idealet ma të nalta njerëzore”.

Filed Under: Interviste

50 vjet shkollë shqipe e institucionalizuar nga shteti gjerman. Një histori suksesi!

October 28, 2025 by s p

Bashkëbisedim me znj. Etleva Mançe, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shtetërore në Gjermani

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

50 vjet shqip në sistemin shkollollor të Landit të Renit të Vestfalisë Veriore (NRW) në Euskirchen (afër Bonn-it) të Gjermanisë. Një histori suksesi që të gjithë mediet dhe shtetet shqiptare duhet ta dinin dhe pasqyronin kudo, pasi është një mësim i institucionalizuar dhe që varet direkt nga Ministria e Arsimit e landit të NRW.

Ju keni 15 vjet që jepni Gjuhën Shqipe, një program nën sisteminn shkollor gjerman,

ndërkohë më informuat se shkolla juaj festoi 50 vjetorin e mësimit shqip. Ndjej keqardhje që e kam dëgjuar vonë, por më mirë vonë se kurrë. Ju lutem na flisni për historikun dhe punën tuaj si mësimdhënëse?

Për herë të parë me mësimin plotësues të gjuhës së nënës apo të prejardhjes (siç quhet sot) u njoha kur regjistrova në klasën e parë në shkollën gjermane djalin tim në vitin 2000. Midis dokumentave të tjera më afruan edhe një fletëregjistrimin për gjuhën shqipe. Kjo si gjuha e folur dhe e përdorur në familje dhe ambjentin social dhe shoqëror ku fëmijët jetojnë. Një privilegj jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe italishten, rusishten, turqishten etj. Më 2010 filloi edhe rrugëtimi im i mësimdhënies në gjuhën shqipe, dhe mësova që kjo traditë i kishte fillesat e saj prej vitit 1975, pikërisht në Euskirchen ku edhe unë u caktova. Shaqir Bacaj, një ish prind dhe aktivist në Euskirchen, kujton propozimin nga drejtori i shkollës ku shkonin fëmijët e tij, për hapjen e një klase të mësimit të gjuhës shqipe si gjuha e nënës. Ky ishte fillimi që shkruajti histori dhe tashmë në brezin e tretë një derë e hapur prej 50 vjetësh për të gjithë shqipfolësit që banojnë në Euskirchen dhe rrethinat e tij.

Cili është mesuesi i parë dhe disa nga mësuesit shqiptarë që kanë kontribuar si fillim?

Sipas të dhënave mësuesi i parë në këtë shkollë ka qënë Mehmet Gashi, i cili u zëvendësua më pas nga ish kolegu im i nderuar Bajram Dumnica dhe Fevzi Mehana. Mësimi plotësues i gjuhës së nënës në fillim të viteve `90 ka qënë i shtrirë në të gjithë Gjermaninë. Ka pasur shumë mësimdhënës midis të cilëve unë mund të përmend ish kolegun dhe mësuesin e djalit tim Sabri Gashi. Të tjerë që kanë kontribuar ndër vite kujtoj këtu koleget e përkushtuara Hatixhe Ramadani, Gjejrane Curri, Nexhmije Hamitin, por edhe Immer Ademi, Xhemshir Harizi, etj.

Cilat janë programet mësimore që janë përdorur për të mësuar Gjuhën Shqipe veçanërisht në periudhën ku ju jeni punësuar si mësuese?

Ne kemi kurrikulën e posaçme për gjuhën e prejardhjes, të miratuara nga Ministria e Arsimit e landit nga ne varemi, e cila ka shumë ngjashmëri me kurrikulën e punuar nga ish zyrtari i lartë z. Nuhi Gashi dhe që më vonë u miratua nga dy qeveritë tona në vitin 2018. Një problem dhe vështirësi mbeten ende tekstet e përshtatshme me këtë kurrikulë. Ka pasur disa tekste nga disa mësimdhënës të gjuhës shqipe në diasporë që mbeten të pazëvendesueshme për përpuethshmërinë që kishin me tematikat, si p.sh. tekstet nga albanologu zvicerian Prof. Basil Schader, ku autorë ishin edhe mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, ose tekstet “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare” me kontributin e Fatmiroshe Xhemalaj, por edhe nga disa kolegë të Austrisë si p.sh. nga Osman Ademi, Desara Gjonej dhe Izri Rexha të cilat janë të posaçme vetëm për mësimin plotësues në diasporë. Tekstet e fundit “Gjuha dhe kultura shqiptare” të miratuara nga dy ministritë jo vetëm që nuk kanë përpuethshmëri me kurrikulën, por janë larg teksteve metodike dhe didaktike që janë shumë të domosdoshme për mësimdhënien tonë heterogjene. Me gjithë përpjekjet dhe sygjerimet e mia për ti ndryshuar, fatkeqësisht nuk ka ende një reagim zyrtar apo inisiativë tjetër nga institucionet tona.

Cilat janë favoret ose avantazhet që kanë fëmijët që frekuentojnë mësimin e gjuhës shqipe? A jepet gjuha shqipe provim shtetëror në Gjermani, dhe cilat janë disa nga kërkesat apo standartet për këtë provim?

Është vërtetuar edhe shkencërisht që ata fëmijë që rriten në dygjuhësi e kanë shumë më të lehtë për të mësuar edhe gjuhë të tjera. Ata që regjistrohen dhe e ndjekin mësimin e gjuhës shqipe rregullisht marrin dëftesë dhe vlerësohen me nota nga klasa e 1-10. Në klasën e 10 kush ka marrë pjesë në 3 vitet e fundit rregullisht është i detyruar të japi provimin shtetëror të gjuhës shqipe. Kjo çertifikatë është njohur sipas referencave europiane në nivelin B1/B2. Gjithashtu nga ministria e arsimit të landit të NRW është menduar edhe për nxënësit që vinë të mëdhenj në gjermani (pas kl.7), dhe nuk kanë njohuri të plota të anglishtes, ata japin provimin shtetëror si gjuhë të huaj të parë, gjuhën e nënës, që në këtë rast është gjuha shqipe. Pra ka një infrastrukturë të tërë gati 50 vjeçare që punon në ruajtjen e gjuhës së nënës apo prejardhjes.

Cilat janë disa nga vështirësitë që keni hasur kur keni filluar si mësuese e Gjuhës Shqipe?

Sfidat kanë qenë të ndryshme duke krahasuar mësimdhënien në Shqipëri, pasi klasat këtu janë heterogjene, të grupmoshave dhe nivele të ndryshme, si dhe mësimi zhvillohet përgjithësisht mbasdite. Një sfidë ka qenë dhe mbeten tekstet. Çdo shtator duhet të vras mendjen se çfarë teksti dhe materialesh t`ju vë përpara nxënësve! Shumë materiale plotësuese unë i punoj vetë dhe ja u përshtas sipas niveleve dhe grupmoshave. Por kjo është një punë kolosale plus që nuk është e parashikuar në punën tonë. Pra, ne bëjmë atë punë, që po ta kishin bërë pak më mirë institucionet tona me shtëpitë botuese do na kishin lehtësuar. Nuk mjaftojnë vetëm fotot me libra në fillim të vitit shkollor nga institucionet tona nëpër rrjetet sociale, por ato tekste duhet të jenë edhe të përdorshme. Në seminarin e Prishtinës nuk isha e vetme ku thashë që këto tekste nuk janë të përshtatshme dhe duhen ndryshuar. Tani janë edhe më shumë, por shumë mësues të tjerë në diasporë që më shkruajnë dhe ndajnë të njëjtin mendim. Unë këtë ja u kam argumentuar edhe shkencërisht institucioneve si për nivelin e parë, ashtu edhe për nivelin e dytë ku unë isha recensuese. Të presim!

Keni mësues apo kolegë të tjerë shqiptarë aty ku punoni apo rrethinat aty pranë? Si

janë marrëdhëniet me administratën dhe cilat janë disa nga aktivitetet vjetore që kryeni?

Në fillim të mësimdhënies për fatin tim të madh njoha një grup kolegësh me eksperienca të mëparshme, që shumë përvoja dhe eksperiencat e tyre m’i dhanë të gatshme. Kjo ishte një ndihmë shumë e madhe. Pata mbështetjen e tyre në çdo hap dhe kontributi i tyre ndër vite u bë shembull për mua dhe udherrëfyesi im. Duke filluar nga Sami Thaçi që me materiale të ndryshme plotësuese për mësimdhënien, me tesktet që ai së bashku me kolegët e tjerë Rifat Hamitin dhe Sejdi Gashin kishin bërë posaçërisht për këtë mësimdhënie, me kolegun e palodhur e kontribuesin në disa drejtime Adem Shala, me eksperiencat dhe eskursionet në vendet prejardhëse të Kemajl Çallakut, me materialet dhe infromacionet por jo vetëm, të Sylejman Salihut që edhe sot më surprizon dhe më mban kohërente me shkrimet e tij, por më kryesorja me këshillat, udhëzimet dhe udhërrëfimet e Rifat Hamitit që asnjëherë nuk i kurseu e nuk më munguan. Dhe kjo traditë dhe bashkëpunim vazhdoi edhe më pas me kolegët e rinj Dr. Gentian Sadikun, Dr. Gladiola Popa, Antoneta Miçalliun, Lahije Shala, Kaltrina Shabani, Marigona Seferi etj.

Në landin e NRW ka afërsisht 25 mësues që japin gjuhën shqipe. Ne kualifikohemi dhe specializohemi nga ministria e arsimit të landit dhe institucionet varëse të tij. Kemi takime dhe konfernca pedagogjike të rregullta nga drejtoritë shkollore ku janë pjesëmarrës edhe mësues të 30 gjuhëve e tjera të këtij landi. Gjithashtu për t`ju ardhur në ndihmë kualifikimit dhe përmirësimit të kualitetit të mësimdhënies në vitet e fundit janë krijuar edhe grupet e platfomës digjitale sipas gjuhëve përkatëse nga ministria e arsimit, dhe takohemi të paktën dy herë në vit për shkëmbim eksperiencash. Gjithashtu organizohen edhe aktivitete të ndryshme festive me rastin e festave, kulturore, seminare, takime kualifikimi, konkurse, përvjetore etj.

Shkolla ka diplomuar qindra shqiptarë, a mund të na thoni disa personalitete në fusha

të ndryshme që janë integruar plot kulturë në botën gjermane dhe ne na bëjnë shumë krenar?

Ka shumë shqiptarë të sukseshëm dhe në fusha nga më të ndryshmet, si p.sh. mjekë, juristë, avokatë, ekonomistë, gazetarë e artistë, njerëz të thjeshtë e punëtorë të dalluar që i ndeshim kudo, por më shumë më bëhet zemra mal kur shikoj dhe takoj ish nxënëset e mia që tani janë koleget e mia në shkollat ku edhe unë jap mësim. Dua të veçoj këtu tri të rinj të ardhur në moshë të vogël në Gjermani, ish nxënës të shollës shqipe të cilët midis të tjerëve edhe ata janë promovuesit dhe ambasadorët më të mirë të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Arta Ramadani, një gazetare pranë televizionit kryesor shtetëror gjerman*ZDF, gjithashtu autore e dy librave, i treti del së shpejti, ku ajo përcjellë te lexuesit gjermanë kulturën dhe traditat shqiptare. Driton Gashi tashmë edhe kolegu yn si social pedagogë, që kohën e lirë të tij ja kushton krijimtarisë në letërsi, muzike dhe art, duke pasqyruar krijimtarinë e tij në rrethet shoqërore dhe intelektuale gjermane. Për të veçuar është edhe një ish nxënësin e shkollës shqipe që sot është përkthyes dhe gjithashtu mësimdhënës dhe kolegu im i gjuhës shqipe në Bilefeld Lulëzim Çallaku. E shumë e shumë të tjerë….

Cili është kujtimi më i bukur gjatë mësimdhënies në Gjermani?

Ka shumë momente që më kanë lënë mbresa. Shumë fëmijë që vijnë në shkollën shqipe i sjellin prindërit, jo të gjithë vijnë me dëshirë. Më kujtohet Adea që kur erdhi për herë të parë hyri me lotë në sy në klasë. Kur ra zilja dhe mbaroi mësimi tha: “Pse do iki unë? Unë nuk dua të iki, dua të rri këtu! Më pëlqeu shumë!” Ose Floriani, Dorentina, Blero që kur i sollën prindërit e tyre thanë, “Ne kemi mësuar këtu shqip, kështu që edhe fëmijët tanë do të vijnë të mësojnë shqip në këtë shkollë”. Kur i pyeta prindërit e tyre Shkëlzen Kosumin dhe Albana Rafunën se kur kishin emigruar në Gjermani, u çudita kur më tha që kishin lindur këtu! Kaq mirë e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe. Për mua nuk ka ndjenjë më të bukur që kjo traditë vazhdon!

A mendoni se shkollat shqipe në Diasporë sidomos kohët e fundit duket sikur në çdo 4 shqiparë ka një shkollë duhen verifikuar nga ambasadat përkatëse për veprimtarinë e tyre mësimore? Kjo duhet të behet me qëllim që të shmangen keqkuptimet, për më tepër kur mbivlerësohen nga institucionet shqiptare të dy shteteve shkolla që s’i kishim dëgjuar kurrë më parë, apo sa kanë filluar një semestër dhe bëhet barazimi i vlerave si ai që ka një semestër me atë që ka dekada?

Mua më bëhet zemra mal për çdo inisiativë dhe veçanërisht përulem para atyre mësimdhënësve në diasporë që këtë e bëjnë me aq pasion vullnetarisht. Po ta shikoj nga këndvështrimi i politikave shtetërore, ka një sensibilizim dhe i është kushtuar shumë vëmëndje vitet e fundit ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë. Kur e krahasoj me sistemin këtu në Gjermani, edhe këtu ky mësim nuk është sot siç ka qenë para 50 apo 15 vjtetësh, por përherë në zhvillim dhe përmirësim të vazhdueshëm, prandaj edhe shpresoj dhe uroj që kjo vëmendje dhe imvestim të mos ndalet. Por, më duhet të theksoj se Rep. e Kosovës me infrastrukturat e saj të hershme ka një eksperiencë më të gjatë dhe pozitive në këtë drejtim.

Shkolla shqipe nëpër botë është vendi ku identifikohen më së shumti shqiptarët, kjo bën që edhe rreth saj të afrohen dhe të indentifikohen edhe elementë që kërkojnë vëmendje, katapultime dhe kjo pa asnjë lloj kontributi, thjesht tërheqje vëmendje nëpër rrjetet sociale, siç ka ndodhur edhe me disa emërime në KKAD (Këshilli Kombëtar i Arsimtarëve ne Diasporë) apo KKD (Këshilli Kombëtar i Diasporës), ku pjesa më e madhe e tyre nuk janë fare mësimdhënës, apo nuk kanë fare lidhje me gjuhën shqipe në diasporë dhe pretendojnë që kontribojnë për gjuhën shqipe.

Unë i gëzohem çdo kontributi dhe suksesi me punë dhe merita të çdo mësimdhënësi në diasporë. Po e mbyll me shprehjen që e kam edhe nga përvoja personale, “E lehtë t’i hapësh, por e vështirë ti mbash!” Koha do ta tregojë dhe bëj diferencat.

Kur keni emigruar në Gjermani dhe me çfarë statusi shkuat atje?

Unë kam emigruar së bashku me bashkëshortin tim në fillim të viteve 90, ashtu si shumë të rinj shqiptarë që largoheshin drejt të panjohurës për një prespektivë dhe të ardhme më të mirë.

Cili është edukimi apo shkollimi dhe jeta juaj në Shqipëri?

Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, pas shkollës 8/vjeçare mbarova të mesmen në gjimnazin “Petro Nini Luarasi“. Pasioni dhe dëshira për mësimdhënien m’u realizua me vazhdimin e studimeve për ciklin e ulët në Universitetin e Shkodrës dhe më pas kam punuar si mësuese në Baldushk dhe para se të largohesha nga Shqipëria në shkollën 8/vjeçare Isa Boletini Kodër Kamëz.

Autorja e bisedës mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

27 Tetor, 2025

New York

Filed Under: Interviste

AMFE-USA: Dr. Fatjona Lubonja, an Inspiring Leader in Science and Healthcare

October 27, 2025 by s p

The AMFE-USA Board proudly celebrates Dr. Fatjona Lubonja, a distinguished researcher and dedicated professional whose contributions to the international AMFE Board since 2020 have set a remarkable standard for leadership and humanistic values. Her journey reflects commitment, innovation, and compassion—qualities that inspire countless members within our association and beyond.

Academic and Professional Achievements

Dr. Lubonja’s academic and professional accomplishments are truly exceptional. With advanced studies at Columbia University and extensive research in neuroscience and education, she has pioneered approaches that connect cognitive science with pedagogy. Her work spans clinical practice, behavioral analysis, and advocacy for children with intellectual and developmental challenges. As a faculty member, researcher, and public speaker, she has shared insights on brain development, learning, and mental health across international platforms.

Leadership and Humanistic Values

Beyond her scholarly achievements, Dr. Lubonja exemplifies ethical leadership and collaboration. Her role on the AMFE-USA Board demonstrates a deep commitment to advancing scientific inquiry while upholding humanistic principles. She is a role model for physicians and researchers, showing that leadership means inspiring others to pursue excellence with empathy and integrity.

Impact on Community and Global Health

Dr. Lubonja’s influence reaches far beyond academia. Through volunteer work and patient advocacy, she strengthens AMFE-USA’s mission: providing quality healthcare consultation and promoting continuous medical education. Her efforts empower physicians to expand their knowledge and serve diverse communities, reinforcing the noble ideals of medicine.

An Inspiration for All

We are honored to have Dr. Fatjona Lubonja as part of our leadership team. Her vision and perseverance inspire us daily, reminding us that progress in science and medicine is driven by passion, collaboration, and unwavering dedication to humanity. Through her example, AMFE-USA continues to thrive as a beacon of hope and innovation for Albanian and international communities alike.

Respectfully,

AMFE-USA Team

www.amfe-federation.eu

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 213
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM
  • NJË PIKTURË SI E PIKASOS…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT