• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëri-SHBA: Partneritet që sendërton një protagonizëm të ri shqiptar

August 1, 2022 by s p

Nga Akri Çipa/

Përgjatë harkut kohor të një shekulli, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë pasur transformime të mëdha, qoftë edhe në elementet më bazike të tyre.

Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1922, Shqipëria dhe SHBA shënuan fillimin e asaj që do ishte një marrëdhënie atipike, edhe për shkak të trajektoreve historike dhe politike që do të shënonin shekullin e XX. Ndërprerja e marrëdhënieve në vitin 1939, për shkak të pushtimit të Shqipërisë dhe më pas për shkak të izolimit të përzgjedhur nga qeveria komuniste, shënoi një vakuum të gjatë në relacionet bilaterale. Rivendosja e tyre në vitin 1991 hapi një kapitull të ri, mjaft intensiv dhe përcaktues. 

Në harkun kohor të 31 viteve të fundit, përgjatë këtij kapitulli të ri, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë njohur zgjerim dhe thellim të vazhdueshëm.

Duke i lënë detyrën e këndvështrimit historik ekspertëve të fushës, si dhe pa mëtuar të përgjithësojmë marrëdhëniet e Shqipërisë dhe SHBA përgjatë njëqind viteve, për shkak se nevojiten hulumtime shumë të imtësishme për të ofruar një tablo shteruese, do të përpiqem të ofroj një qasje më të fokusuar në zhvillimet përgjatë dy dekadave të fundit.

Zhvillime të cilat janë sa bazuar sa në angazhimin e dy palëve, aq edhe në ndryshimet thelbësore në arenën ndërkombëtare dhe në vetë sistemin ndërkombëtar. Dhe zhvillime të cilat kanë sendërtuar një protagonizëm të ri shqiptar në rajonin e afërt, por dhe në sensin multilateral, bazuar në këtë partneritet të konsoliduar.

Nw ndwrrim tw mijwvjeçarit, padyshim ngjarja kulmore nw angazhimin amerikan kundrejt shqiptarwve wshtw vendimi i Uashingtonit pwr tw ndaluar gjenocidin serb nw Kosovw. Ky ishte njw moment unik dhe njw event themeltar dhe shenjues pwr shumw prej proceseve qw do vinin mw vonw.

Pas asaj, dy janë momentet kyçe që kanë shënuar marrëdhënien Shqipëri-SHBA brenda harkut kohor të dy dekadave të fundit: vizita e Presidentit Bush në vitin 2007 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nën sponsorizimin amerikan.

Vizita e Presidentit George Bush në Shqipëri në vitin 2007, vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë, shënoi praktikisht preludin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çka do të transformonte thelbësisht rajonin tonë. Pashmangshmërisht, kjo do të përkonte me faktorizimin më të madh të shqiptarëve në rajon, por sigurisht dhe me një rol të ri për Tiranën zyrtare në realpolitikën ballkanike.

Nga ana tjetër, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, së bashku me Kroacinë, ishte një proces gjithaq përcaktues për ardhmërinë e vendit dhe të rajonit. Shtetet e Bashkuara ishin mbështetëset kryesore të zgjerimit të NATO-s në Ballkan dhe garantueset e kurorëzimit me sukses të rrugëtimit të përshpejtuar të Shqipërisë, pavarësisht limitimeve të shumta që karakterizonin atëherë kapacitetet ushtarake të saj.

Me këto dy zhvillime të rëndësishme si pikënisje, pozicioni strategjik i Shqipërisë u forcua jashtëzakonisht shumë, duke sjellë në më pak se një dekadë e gjysmë shndërrimin e vendit në një eksportues të sigurisë, në rrafshin rajonal, por jo vetëm. Ky është padyshim një nga proceset më të rëndësishme dhe domethënëse përgjatë këtij harku kohor, duke marrë parasysh faktin që përpara kësaj vendi ishte konsumues i sigurisë dhe shpërfaqte brishtësi të konsiderueshme në planin e gjerë të sigurisë.

Ky transformim nuk kaloi pa prekur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhënien bilaterale me Shtetet e Bashkuara, mbi të gjitha nisur nga fokusi i theksuar në siguri përgjatë administratës Obama. Konsolidimi i rolit të shqiptarëve, si një spirancë e mirëfilltë stabiliteti në Ballkan, përkoi me një rritje të rolit të Shqipërisë në rajon, sikurse edhe në kuadër të platformave të ndryshme multilaterale.

Përgjatë viteve të fundit, kjo marrëdhënie ka shpërfaqur përfitime të dukshme për Shqipërinë. Mjaft përcaktuese në këtë drejtim ka qenë mbështetja e Uashingtonit që Tirana zyrtare të marrë përsipër një rol të dorës së parë brenda institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare: fillimisht në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe, më së fundmi, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Të dyja këto janë evente historike dhe është e paimagjinueshme që Shqipëria do të mund të arrinte në këto përfaqësime pa një mbështetje të shumëfishtë të Shteteve të Bashkuara. Sikurse dhe do të ishte tejet i vështirë navigimi i sfidave të ndryshme brenda këtyre platformave pa orientimin dhe koordimin me partnerët amerikanë.

Edhe vetë brenda NATO-s, Shqipëria ka realizuar një projektim më modern dhe të dobishëm. Duke marrë parasysh resurset e kufizuara, njerëzore, materiale dhe financiare në planin ushtarak, Shqipëria ka shfrytëzuar pozicionin gjeografik dhe zhvillimet gjeopolitike për të rezonuar me interesat strategjike të aleancës dhe vecanërisht të SHBA. Brenda këtij plani mund të shikohet investimi i aleancës në modernizimin e bazës ajrore në Kuçovë për të shërbyer si një pikë e rëndësishme furnizimi për misionet në distancë më të largët të trupave të organizatës. 

Në këtë kontekst, propozimi i SHBA dhe gatishmëria e Shqipërisë për t’u ofruar si një bazë amerikane për Forcat e Operacioneve Speciale përbën një tjetër element të rëndësishëm në bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Komanda amerikane e operacioneve speciale në Europë luan një rol të dorës së parë për të dëshmuar gatishmërinë dhe angazhimin amerikan në kontinentin e vjetër dhe përthithja e një pranie të tyre nga Shqipëria ofron një dimension të vlefshëm për rëndësinë në konsideratat rajonale amerikane.

Duke gjykuar proceset e ngadalta demokratizuese në vend, si dhe progresin e cunguar dhe të pabarabartë ekonomik, shpeshherë duke mbetur edhe pas fqinjëve të tjerë, mund të thuhet se Shqipëria ka mundur të faktorizohet ndërkombëtarisht më shumë se sa lejojne kapacitetet e saj reale. Disfunksionaliteti i politikës së brendshme ka tejkaluar vetveten përgjatë dekadës së fundit, megjithatë Tirana ka mundur, në sajë të koordinimit të ngushtë me SHBA, të pozicionohet aktivisht në arenën ndërkombëtare. Tejet e nevojshme dhe productive në këtë aspekt do të ishte dhe një koordinim shumë më i madh dhe harmonizim diplomatik me Kosovën.

Në kushtet e një momenti gjeopolitik të orientuar drejt kompeticionit të fuqive të mëdha, si dhe rritjes së rajonalizmit dhe fuqive rajonale, Shqipëria ka një mundësi të papërsëdytë tashmë për të forcuar këtë protagonizëm të ri. Çka efektivisht do të shënonte dhe kalimin në një fazë të re, më të emancipuar, të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet e tjera perëndimore.

Si rrjedhim, kjo do të tregonte dhe një maturim të vetë Shqipërisë në raportet me shtetet e tjera, në këtë rast me partnerin esencial, por edhe në raport me vetveten dhe aktualizimin e vlerave të përbashkëta dhe, sigurisht, të interesave shtetërore e kombëtare shqiptare.

Filed Under: Komente Tagged With: Akri Cipa

SI E TRAJTOJMË NJERIUN (NJËRI – TJETRIN)

July 23, 2022 by s p

Prend Ndoja/

Ne, si komb, kemi shumë veti të çmuara që burojnë nga vetë gjeneza jonë, edhe pse ndonjëherë ato mund të duken të vjetëruara, apo larg vezullimës së kohëve moderne. Megjithatë, këto veti në vete përmbajnë shpirtin tonë, janë afër me natyrën tonë, por edhe me peripetitë e vërteta të njeriut. Këto vlera të larta njerëzore gjatë rrjedhave të etnisë sonë kanë hyrë thellë në brendinë tonë, në karakterin tonë, për të mos ikur kurrë më. Ato janë elemente që e mbajtën afër familjen, fisin, kombin, por edhe ballin hapur për ta shikuar njëri-tjetrin me plot dashuri dhe respekt; qëndresën para sfidave, mirësinë, drejtësinë, sinqeritetin, karakterin, respektin, ruajtjen e thesarit dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Këto, dhe shumë elemente tjera që e shndrisin jetën tonë është e dhembshme kur shikon se ndonjëherë po zbehen pa ndonjë shtysë të fortë. Nganjëherë të ndodhur në vorbullën e ngjarjeve të pakëndshme, kur para syve tanë përbalten vlerat kombëtare, apo ato njerëzore, fatkeqësiht më lehtë i anashkalojmë dhe nuk ballafaqohemi me to ose e fajësojmë kohën për dukuritë e pakëndshme që i hasim në jetën tonë.

Kemi dëgjur shpeshherë: S’kem ç’të bëjmë, koha i ka sjellë! Jo, koha, përpos të reshurave, nuk sjell asgjë tjetër! Ne i pranojmë të mirat apo të këqijat në ditët tona. Ne e pranojmë në kohën tonë dashurinë, por edhe urrejtjen. Si pasojë e neglizhencës, në raste të shpeshta dashuria si element rrënjësor në jetën tonë merr një pamje të zbehur. Në mungesë të një dashurie që shkëlqen si rreze, krijohet zbrazëtia në brendinë tonë. Në një brendi të boshatisur, aty edhe përqafimet dhe buzëqeshja marrin pamje “artistike”; ato më tepër shfaqen për dukjet e tyre, apo ndonjë pozim, se sa për vlerën reale të tyre. Në vendet ku dashuria merr udhën e braktisjes, afërsia dhe dashuria me të tjerët mbetet formale. Një mori gjërash të kota hyjnë në jetën e njeriut dhe qetësinë e gjejnë duke u distancuar krijuar mure nga njeriu, duke filluar nga më të afërmit. Aty ku mungon dashuria janë prezente cilësitë negative që i gëzohen së keqes, nxisin fjalë të kota, gënjeshtra… Pastaj brendia e humbë forcën që të kultivojë dashuri. Çdo brendi e boshatisur është rrjedhë e një mendjeje të gabuar; çdo mendim i gabuar është një dritare e mbyllur; çdo dritare e mbyllur kërkon një dorë që ta rihapë përsëri.

VEPRAT E KËQIA NUK I TAKOJNË NJERIUT

Dashuria dhe urrejtja e kanë gjenezën e përbashkët që nga zanafilla, por gjatë udhës së zhvillimit kurrë nuk janë ushqyer në të njëjtën sofër. Të dyja trokasin në mendjen e njeriut dhe presin raste të volitshme që t’u hapet dera e të hyjnë në brendinë e njeriut. Por, te porta e mendjes, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm e vigjilent. Është përgjegjësia dhe aftësia jonë që t’i filtrojmë dhe t’i marrim ato që na takojnë. Nuk është edhe aq e rëndësishme sasia, se sa shumë marrim dhe sa shumë japim, por çfarë cilësie marrim dhe çfarë cilësie japim. Nëse japim dashuri, paqe e sinqeritet do të triumfojmë mbi të keqen, mbi urrejtjen. Nëse nuk ruhet që nga burimi, uji do të ndotet gjatë rrjedhës së tij. Pra, që nga fillesa duhet të jemi të kujdesshëm ndaj mendimeve të panevojshme apo të dëmshme, për ne e, pastaj edhe për gjithë shoqërinë.

E keqja nuk mund të largohet duke e goditiur personin e gabuar; të keqen nuk e shëron e keqja, andaj këtu është edhe formula e ngadhënjimit ndaj së keqes. Fitorja ndaj së keqes është duke e fituar njeriun, duke e larguar atë nga e keqja, duke e goditur aktin, e jo personin; duke e goditur atë që e sjell të keqen te njeriu, duke e goditur Djallin (Demonin). Djalli është tradhtar që nga fillimi e deri në fund. ndërsa Zoti është burimi i të gjitha të mirave, i të gjitha gëzimeve.

Njeriu lind i pastër, i dëlirë nga fajet dhe çdo e metë. Fajet dhe gabimet i gjeti këtu, në këtë botë. Pra, fajet apo gabimet dhe çdo e keqe nuk është pjellë e njeriut. Njeriu nuk i solli ato në këtë botë, e as nuk i krijoi që nga fillimi i jetës së tij. Pra, as nuk i solli në këtë botë, e as nuk filloi me to, por të gjitha të këqiat janë pjellë e Djallit dhe atij i takojnë ato.

Djalli, dinakërisht, nga një derë e hapur gabimisht nga ne, i hedh në jetën e njeriut të bëmat e tij. Andaj, arma më adekuate në luftën kundër Djallit është dashuria dhe mirëkuptimi në mes njerëzve.

Pra, me dashuri dhe mirësi duhet ta fitojmë njeriun dhe ta dënojmë djallin. Mos ta luftojmë njeriun, sepse në atë mënyrë vetëm e ndihmojmë djallin. Njeriu është i mirë, por ne duhet ta gjejmë gjuhën e tij të komunikimit. Në të shumtën e rasteve, njeriu është viktimë e paaftësisë së tij; ai struket brenda embrionit të mbuluar nga fuqia negative dhe në vend që ta gjejë derën e daljes nga ai ankth, ai e sulmon njeriun. Por, prapë njeriu është i mirë, sepse edhe në një gjendje të tillë, Ai, kurrë nuk e sulmon njeriun i lumtur, me ëndje, me dashuri, por gjithmonë atë e bën me aktin e dhuruar nga djalli, me mllef, urrejte e ankth… Pra, ai nuk vepron me cilësitë e qenies së tij njerëzore-me dashuri.

Përmes mendjes së pazgjuar depërtojnë bëmat e Djallit. Ato e ngrisin kokën lart dhe tejkalojnë normat normale të njeriut; dalin jashtë vetes së njeriut dhe bëhen pengesë dhe e iritojnë rrethin shoqëror, pretendojnë të ulin dhe përçmojnë njeriun tjetër; njeriu bëhet vegël e ndikimit të djallit. Duke e zgjeruar sa më shumë hapësirën e dukurive në mënyrë jonjerëzore, e ngushtojnë hapësirën e dashurisë dhe respektit. Nga pakujdesia dëmtohet aroma e shijes së vërtetë natyrale të dashurisë për njeriun. Atë nganjëherë e ngatërrojnë duke e kërkuar jashtë natyrës njerëzore, dashurisë ndërnjerzore dhe i japin kahje që, kinse shija e dashurisë së vërtetë qenka zhveshur nga njeriu dhe qenka veshur me gjëra materiale apo gjesende tjera.

Dashuria e vërtetë që nuk duhet të shuhet kurrë, që fuqizon jetën është dashuria ndaj familjes, të afërmve, shoqërisë dhe të gjithë njerëzveit. Dashuria është rreze që e shkrin urrejtjen. Në praninë e kësaj dashurie njeriu është i plotë dhe shijon një jetë të vërtetë. Pesha e dashurisë natyrale njerëzore shfaqet që në pamjen e parë dhe nuk zbehet që nga mëngjesi gjer në mbrëmje; fillon me familjen, të afërmin dhe shpërndahet te të gjithë njerëzit. Dashuria është një forcë më vete, është shtyllë qendrore e jetës që ndihmon të ecësh drejt përparimit e së vërtetës. Pra, duhet ta kujtojmë dhe, pse mos ta ringjallim në jetën tonë atë dashurinë, siç ishte dikur në atë botën tonë të “vogël”. Fëmijët, si engjëj, përpos në afërsinë e prindërve, shkriheshin në dashuri në prehrin e dajës, axhës dhe të afërmve të tyre, por edhe në hapësirën e natyrës së lirë. A është edhe sot kjo dukuri? Ajo ishte vlera e vërtetë e jetesës, ishte pesha që në mes të varfërisë së tejskajshme e mbante lart forcën dhe nivelin e jetesës. Trajtimi njerëzor, pa marrë parasysh ku dhe kë, është ushqimi më i këndshëm i dashurisë. Kuptimi i gjendjes shpirtërore të tjetrit është prodhimi i parë që rrjedh nga dashuria, e, që të dyja bazën e kanë në thjeshtësinë e njeriut. Forca e faljes është çelësi që i hap dyert e mbyllura. Kur ne i falim armiqtë, ata vdesin si armiq për ne, sepse nga ai moment nuk do të kemi më armiq. Lirohet Ai dhe lirohemi Ne. Kur i hapim dyert e kthimit nga e keqja, në të njëjtën kohë mbyllen dyert e ndikimit të djallit në jetën tonë. Të dhurosh dashuri për të tjerët, do të thotë të dhurosh shëndet të mirë në shpirtin tënd. Por, edhe në dashuri ka dhembje, ka mall; s’ka gojë, por më në fund ka dritë. Në botë kurrë nuk do të kemi paqe, nëse nuk kemi dashuri. Dashuri pa kufij duhet të kemi për të gjithë njerëzimin. Por, dashuri dhe BESIM TË PLOTË duhet të kemi vetëm në Zotin.

Filed Under: Komente Tagged With: prend ndoja

Turizmi, çmimet, mediat dhe propaganda që dëmton turizmin

July 13, 2022 by s p

Skerdilaid Sulozeqi/

Kulmi i verës dhe i sezonit turistik ka hyrë, e sakaq këto kohë po shohim shumë dashakeq, persona, medie, grupe shoqërore të ndryshe që në rrethin e tyre kanë vendosur Ksamilin, Sarandën e së fundmi rëndshëm Vlorën.

Thashetheme në tymnajë që tentojnë të shpërndahen në mënyrë propocionale të pandershme për Qarkun e Vlorës, sidomos për zonat turistike si më lartë, për t’a damkosur turizmin dhe individin në këto zona.

Një pyetje më lind natyrshëm: pse në kulmin e sezonit sulmohet turizmi në Sarandë, Ksamil e Vlorë? Kujt i intereson?

A ka abuzues dhe me çmime të larta? Patjetër që po, por ata janë maksimumi 10 përqind, jo më tepër. Dhe, vetë tregu i mënjanon ato.

Në këto zona bën plazh me 1000 all çadra, fle me 50 euro në pikun e sezonit në vila luksoze 3-4 persona, ushqehesh me ushqime të freskëta e të mrekullueshme me 50 euro po kaq persona.

Në Sarandë ka peshk të egër e të butë, midhje pafund nga liqeni i Butrintit, ka perime fushe e mali, është vend që i ka falur Zoti çdo gjë, mal, fushë, det, liqen e lum, e çmimet janë propocionale dhe kryesisht të mira për buxhetet e shqiptarve e jo më të huajve.

Shijon Butrintin dhe syrin e Kaltër dhe kaq pak kohë sa nuk e kanë marrë oligarkët.

Në këto zona janë me qindra ata që kanë investuar dhe me mijra familje që ushqehen nga hoteleria e turizmi.

Natyrisht turizmi është dhe do kulturë, por personalisht kam parë që në Ksamil, Sarandë e Vlorë të “bëhen kurban” duke të mikpritur, e duke shërbyer.

Pa harruar kënaqësinë që marrin turistët vendas e të huaj, imazhin që ata përcjellin në vendet e tyre, ku notat për Ksamilin e Sarandën janë maksimale.

Njerëzit duhet t’a kuptojnë dhe mirëkuptojnë që biznese shumë milionshe presin 40 ditë, i lini dhe ata të shkretë të fitojnë bukën se po e zhvillojnë këtë vend të mjerë e të shkretë prej politikës zhvatëse, e administratës këpushëze.

Qeveria, media, njerëzia duhet ta stimulojnë turizmin, sidomos në vendet më të bukura në Shqipëri si Saranda, Ksamili e Vlora, jo të hedhin baltë mbi t’o në mënyrë të padrejtë.

Kush më kundërshton dhe thotë që Ksamili, Saranda e Vlora ka çmime stratosferike e sfidoj me fakte. (Hapni booking, shikoni çmimet e restoranteve dhe bareve.)

Filed Under: Komente

LAJMËRIMET E KISSINGERIT UKRAINËS. KUR DUHET BISEDUAR ARMËPUSHIMI? DHJETË MUAJ VENDIMTARË PËR PUTININ

July 11, 2022 by s p

Nga FEDERICO FUBINI/

Dy herë Henry Kissinger ka thënë diçka që është dukur jashtë boshtit kundrejt vijës së G7 për Ukrainën. Më shumë se një muaj më parë në Davos ish sekretari I Shtetit amerikan, tashmë gati njëqindvjeçar, ka vërejtur se bisedimet për paqe do të duhej të fillonin brënda fundit të korrikut “më parë se të krijohen kryengritje dhe tensione që mund të bëheshin të papërballueshme”. Kissinger ka shtuar më pas një fjali që duket si një ftesë Kievit për të hequr dorë nga Krimea dhe pseudo-republikat e Donjeckut e të Luganskut: “Idealisht gjëndja do të duhej të kthehej në status quo ante (më 24 dhjetor (shën. i dr.). Besoj se vazhdimi I luftës përtej asaj pike do t’a shndërronte në një luftë jo për lirinë e Ukrainës, por kundër Rusisë”. Gari Kasparov, kundërshtari I madh rus, I është përgjigjur se ajo ide është treguar e gabuar: t’I lëshohen territore Kremlinit “nuk është e përkrahëshme, sepse me kohë diktatorët kanë nevojë për luftë”. Në të vërtetë lënia e Krimesë më 2014 veçse ka shtuar etjen e agresionit të Vladimir Putinit.

Megjithatë javën e shkuar Kissingeri u këthye në temën me Luigi Ippolito në Corriere. Duhet thyer mësyemja e Ukrainës, tha, “jo Rusia si Shtet” dhe duhet “kthyer në rrugën historike për të cilën Rusia është pjesë e sistemit evropian”. Dhe ka vazhduar: “Kemi arritur në një çast në të cilin duhet përballuar çështja e fundit të luftës në termat e synimeve politike po aq sa edhe ushtarake. Nuk mund të vazhdohet thjesht të luftohet pa patur një synim”. 

Çfarë donte të thonte Kissingeri? Pa dyshim sheh edhe ai vështirësitë në të cilat ndodhet Ukraina në përplasjen. Ushtria ruse është kthyer në taktikën cariste  të tokës së djegur me artileri e vetëm më pas të përparohet me këmbësori; Lugansku është marrë dhe tani po depërton thellësisht në Donjeck. Është e mundur që ukrainasit të orvaten në një kundërsulm në Jugë me hedhësit e raketave t’arritura nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, sulmet ajrore ruse, nga dyzet deri në pesëdhjetë në ditë, shkatërrojnë sasi të mëdha të armëve të dhëna nga perëndimorët dhe i shkaktojnë humbje ushtrisë së Kievit: simbas disa përllogaritjeve, deri në 40 % të ushtarëve ukrainas janë vrarë apo nuk janë në gjëndje të luftojnë (të tjerë qindra mijra njerëz në trupat e rendit publik kanë nevojë për stërvitje që të shkojnë në luftë).

Putini ka kryer gabime trashanike në dimër por asnjëri nga veprimet e tanishme, fatkeqësisht, nuk duket i rastit. Raketat mbi mbitregjet ose mbi pallatet e Kievit, të Kramatorskut apo të Odesës i shërbejnë terrorizimit të civilëve, por edhe ngritjes së çmimit psikologjik e (sigurues) për qeveritë dhe ndërmarrjet perëndimore që premtojnë të rindërtojnë Ukrainën. Rusifikimi i territoreve të pushtuara i paraprin një orvajtjeje bashkëngjitjeje me një vlerë ligjore të mbrapshtë: për Moskën, çdo kundërsulm në Donbas do të kthehej n’atë pikë në një sulm të territorit të vetë  Rusisë, e si i tillë do të ngrinte çështjen e doktrinës së frikësimit bërthamor.

Edhe Kremlini po paguan një çmim të lartë, natyrisht: disa pasoja të sanksioneve perëndimore fillojnë të bëhen të dukëshme. Prodhimi i automobilëve në Rusi ka rënë me 97%, huatë e bankave ruse me 27 %. Por ndoshta çasti i katastrofës ekonomike ruse nuk do të jetë nesër. Një veteran i industrisë së naftës të Moskës, së fundi i ikur jashtë, Sergei Vakulenko, i ka shpjeguar Corriere-s se koha është faktori thelbësornë luftën ekonomike mes Rusisë dhe Evropës. Në periudhën e shkurtër logjika e Putinit çon në pakësimin skajor të furnizimeve me gaz të evropianëve, në mënyrë që të shkaktojë inflaksion, racionim në dimër, pra armiqësi të opinioneve publike kundrejt politikanëve nëse këta të fundit mbështesin Ukrainën. Nuk është e rastit që qeveria franceze ka paraqitur një projekt-ligj që i lejon shtetëzimin e çentraleve me gaz  në rast piskame. Në të njëjtin skenar, në Berlin zhvarroset një normë e viti 1960, për t’i lejuar qeverisë të marrë kontrollin e gjithë industrisë kombëtare e të vendosë se cilët sektorë duhet të ngadalësojnë apo të ndalojnë. Çështja se si do të përballohen kriza të mundëshme të furnizimit në muajt e ardhshëm do të vihet edhe n’Itali.

Vetëm në rrethin e një apo dy viteve raporti i forcave do të përmbyset. Evropa do të zëvendësojë gazin rus. Dhe mungesa e përbërësve industrialë, e vendosur nga sanksionet, do të bëjë që koha të fillojë të luajë kundër Moskës, duke i sjellë dëme serioze sistemit të saj prodhues. Rrëshqitja e rërës në klesidrën luan për Putinin në nëntë apo dhjetë muajt e ardhshëm, mbrapa kundër tij. Në këto kushte qeveritë evropiane duhet t’i përgjigjen pyetjes më të pavolitëshme sot: a me të vërtetë mendojnë se vetëm Volodimir Zelenski ka të drejtë  të përballojë çështjen se kur dhe si do të ndiqet armëpushimi? Mario Draghi pak ditë më parë e ka përmbledhur kështu qëndrimin e G7: “Nëse do të ketë një gatishmëri për bisedime, jemi gati”. Duket e qartë se do të jetë shumë e vështirë të rimerren territoret tashmë të përfunduara nën kontrollin rus e të kihet iluzioni për t’i marrë, tani, mund të sillte tjetër gjak. Duket po aq e qartë se të njihet sot pushtimi nuk do bëjë tjetër veçse t’i japë kohë e arsye Putinit për të përgatitur  të tjera agresione nesër. Ndërmjet këtyre dy pohimeve, vështirësisht të rrëzueshëm, por të papajtueshëm, përvijohet misioni më i ashpër për evropianët në muajt e vitet e ardhëshme: të mbahet shtrënguar zbatimi i sanksioneve, të veçohet Rusia deri sa t’i bëhet i papërballueshëm çmimi i zgjedhjeve të saj. Megjithatë dëshira për t’u kthyer në bussines as usual është përtej qoshes: Draghi është i vetmi udhëheqës evropian që ka thënë se Vëndi i tij nuk do të blejë më energji ruse, deri sa Putini të qëndrojë në Kremlin.

“Corriere della Sera” 6 korrik 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

YLLI KOLONJA, NJERIU DHE PROFESORI UNIK

July 6, 2022 by s p

Ing. Bledi Stefa/

Pedagogjia e Prof. Kolonjes eshte unikale. E pakrahasueshme e mbi te gjitha e demonstruar me levizjet karakteristike te Prof. Yllit e shoqeruar kjo edhe nga zeri i tij i veçante. Nuk ka rendesi nese ishe ulur ne banken e pare apo te fundit, ne sallen e leksionit. Interpretimin artistik e profesional te leksioneve te Prof. Yllit do ta merrnin njesoj te gjithe studentet. Menyra e shpjegimit te tij ndikonte ne dy karakteristika shume te rendesishme. E para Prof. Ylli çfaredo lloj leksioni te veshtire te shpjegonte, studenteve do t’ju mbetej patjeter diçka e vlefshme apo diçka qe; edhe pa i hapur fare librat, ti mund te ishe ne gjendje te riprodhoje leksionin e tij. Se dyti, salla e leksioneve me Prof. Yllin ishte perhere plote. Studentet vinin dhe e degjonin me shume zell menyren se si shpjegonte dhe duhet te kishin nje arsye te forte te mungonin gjate leksioneve te tij. Keto dy karakteristika por jo vetem, do ta rendisin Prof. Ylli Kolonjen nje nder pedagoget me te shquar te Universitetit Politeknik Shqiptar.

Pr. As. Dr. Yli Kolonja, i ditëlindjes 11. 08. 1937, kryen studimet në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Dega Gjeodezi. Formimi profesional dhe aktiviteti i tij fillon menjëherë pas diplomimit në vitin 1962. Fillimisht ka punuar pranë Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit Nr. 2 Berat, duke mbajtur pozicionin e Kryetarit të Degës Teknike. Më pas, në vitin 1968 ushtroi detyrën e Përgjegjësit të Sektorit të Topografisë  pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Bonifikimeve, në Ministrinë e Ndërtimit.

Prof. Kolonja vjen nga një karrierë e gjatë pedagogjike. Në vitin 1971 fillon të ushtrojë detyrën e pedagogut në Universitetin Politeknik të Tiranës, lektor në lëndën “Gjeodezia Inxhinierike” në Degën e Gjeodezisë. Në vitet 1988-1992 ushtroi detyrën e Përgjegjësit të Katedrës së Gjeodezisë Inxhinierike, ku në vitin 1990 do të ushtronte edhe detyrën e Zëvendës Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Karriera profesionale e Prof. Yllit vazhdon edhe në vitin 2005 si drejtues i punimeve Topografiko-Gjeodezike në ndërtimin e Terminalit të Ri, në Aeroportin “Nënë Tereza” Tiranë. Në një periudhë të gjatë kohe drejton Shoqatën e Gjeodetëve të Shqipërisë duke dhënë një kontribut shumë të vlefshëm për të. Largohet me dëshirën e tij nga drejtimi i SHGJSH-së në vitin 2010. Veprimtaria Shkencore e Prof. Ylli Kolonjës rendit një numër të kosiderueshëm botimesh universitare. Në vitin 1982 boton librin “Gjeodezia” (ushtrime) i cili do të pasohet me tre botime të tjera me tituj “Gjeodezia Inxhinierike I, II dhe III”.  Ndër të tjera, gjënden botime dhe artikuj të ndryshëm profesional të cilët, u kanë shërbyer dhe ju shërbejnë brezave të studentëve të Gjeodezisë dhe degëve të tjera.

Kualifikimet dhe vizitat e punës si brënda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, janë për tu admiruar. Nisin me kualifikimin pranë Universitetit Politeknik të Torinos. Vizita punë në Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Melbourn, Australi, Universitetin Teknik të Athinës, Universitetin Teknik të Vienës si dhe vizita të ndryshme punë në Kosovë, Maqedoni etj. Në vitin 1985, me vendimin Nr. 125 merr Gradën Shkencore “Doktor i Shkencave” dhe që prej vitin 1994 gëzon Titullin Shkencor,” Profesor i Asocuar”. Prof. Ylli Kolonja ka marr pjesë në një numër të madh studimesh dhe projektimesh në fushën e Gjeodezisë dhe Topografisë. Sot, Prof. Kolonja, me plot gojën mund të kosiderohet si një ndër personat me kontribut mjaft të gjërë në Inxhinieri i cili, u dha dije, jo vetëm brezave të tërë studentësh por edhe Kombit Shqipëtar.

Drejtimi i Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, nga Prof. Ylli Kolonja ka një vlerë të madhe përsa i përket rifreskimit të bazës juridike si Akti i Themelimit, Statuti dhe Regjistrimi në organet kompetente të Shtetit Shqiptar. Ai së bashku edhe me kolegë të tjerë hodhën themelet e grupimit më të madh profesional nën emrin Shoqata e Gjeodetëve të Shqipërisë. Në bazë të statutit gëzon titullin më të lartë, si një ndër anëtarët themelues të këtij grupimi inxhinieresh.

Filed Under: Komente Tagged With: BLEDI STEFA, Ylli kolonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT