• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAVARËSIA DHE SHQIPTARËT NË REVOLUCIONIN XHONTURK, NJË HAP MË PRANË REALIZIMIT TË ASPIRATAVE TË TYRE KOMBËTARE PËR LIRI

November 9, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Gjatë epokës hamidiane, nacionalizmi në Perandorinë Osmane ishte një dukuri e përhapur si ndër popujt jomyslimanë edhe ata myslimanë dhe jo vetëm një projekt turk. Turqizmi ishte pjesë e një mozaiku të lëvizjeve identitare që reflektonin shpërbërjen e rendit osman dhe lindjen e ideve moderne të kombit. Në fund të shek. XIX, Perandoria Osmane po përballej me krizë të brendshme dhe me rritje të ndjenjave kombëtare te popujt e saj. Përpjekjet e reformave të Tanzimatit dhe më pas politika e centralizuar e Abdyl Hamitit II krijuan tensione mes identitetit osman dhe identiteteve etnike lokale. Kjo solli lindjen e shumë lëvizjeve që kërkonin autonomi kulturore ose politike.

Në këtë situate, turqizmi përpiqej të afirmonte identitetin turk brenda Perandorisë, etnitë që gjendeshin ende nën sulltanin: shqiptarët, arabët dhe kurdët zhvilluan ndjenja të ngjashme vetëdije për dallimet e tyre kulturore, gjuhësore dhe historike me turqit, madje edhe grupe më të vogla si çerkezët, që kishin ardhur si refugjatë, filluan të ruanin vetëdijen për origjinën e tyre. Por niveli i ndërgjegjes kombëtare ndryshonte. Shqiptarët kishin arritur në një fazë të pjekur që solli pavarësinë kombëtare, pra në një gjendje shoqërore kur ishin shtuar kërkesat e tij dhe ishte rritur vetëdija e përbashkësisë etnike, gjuhësore, historike dhe kulturore.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana tepër të vështira politike dhe diplomatike, sepse nuk gjeti mbështetje reale ndërkombëtare. Në atë kohë, Fuqitë e Mëdha europiane si: Britania e Madhe, Austro-Hungaria, Rusia, Franca dhe Italia e shihnin Shqipërinë ende si pjesë integrale të Perandorisë Osmane, prandaj çdo lëvizje shqiptare për autonomi apo pavarësi u konsiderua “si çështje e brendshme osmane” dhe jo si problem kombëtar më vete që duhej trajtuar në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, përçarjet krahinore dhe fetare e bënin të paqartë vizionin politik të Lëvizjes Kombëtare; një pjesë kërkonte autonomi brenda Perandorisë; një tjetër pavarësi të plotë.

Kjo e dobësoi qëndrueshmërinë e Lëvizjes antiosmane para opinionit ndërkombëtar. Ishte koha kur Fuqitë e Mëdha u angazhuan për ruajtjen e status quo-së, pasi diplomacia evropiane kishte frikë se shpërbërja e Perandorisë Osmane do të sillte një luftë të përgjithshme në Ballkan, prandaj preferuan ta ruanin integritetin e saj territorial përmes reformave dhe jo të nxisnin krijimin e shteteve të reja. Ndryshe mendonin shtetet fqinje ballkanike: Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe më vonë Bullgaria, që kishin interesa të kundërta me ato të shqiptarëve. Ato mbështetën përkohësisht kryengritjet shqiptare në rastet kur këto dobësonin Perandorinë Osmane, por kurrë nuk i përkrahën kërkesat kombëtare shqiptare për autonomi apo pavarësi. Në fakt, planifikimet e tyre ushtarake dhe diplomatike kishin për qëllim ndarjen e territoreve shqiptare midis tyre, në përputhje me projektet e tyre nacionaliste.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, pas Kongresit të Berlinit (1878), shqiptarët e panë qartë se fuqitë evropiane dhe shtetet fqinje nuk do ta mbronin çështjen shqiptare. Autonomia politike dhe kulturore brenda Perandorisë Osmane dukej e vetmja rrugë e mundshme për të shmangur copëtimin e trojeve shqiptare. Por për ta arritur këtë, duhej ndryshuar vetë sistemi politik i Perandorisë, i cili e mbante çdo komb nën kontrollin e rreptë të Sulltanit dhe burokracisë osmane. Kështu, një pjesë e intelektualëve shqiptarë të formuar në shkollat osmane ose evropiane si: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina etj. e kuptuan se për t’u përmbushur objektivat kombëtare, duhej më parë të përmbysej regjimi absolutist i sulltan Abdyl Hamiti II dhe të vendosej një sistem kushtetues që do të garantonte të drejta politike për popujt e Perandorisë.

Politika e Sulltanit, që synonte t’i paraqiste shqiptarët si “kurorën e Perandorisë” dhe si element besnik të pushtetit osman, nuk arriti t’i largojë ata nga vetëdija e përkatësisë së tyre kombëtare. Përkundrazi, klasa e re intelektuale dhe politike shqiptare, e frymëzuar nga lëvizjet kombëtare europiane, e kuptoi se ardhmëria e kombit nuk mund të mbështetej më mbi strukturat e një perandorie në shthurje, por mbi krijimin e një shteti të pavarur kombëtar, sipas modeleve moderne të Evropës së kohës. Në këtë kuptim, lëvizja kombëtare shqiptare gjeti përkohësisht një pikë takimi me lëvizjen e turqve të rinj (xhonturqve), e cila synonte rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876 dhe vendosjen e një monarkie kushtetuese.

Por, ky bashkim interesash ishte më shumë taktik sesa strategjik. Shqiptarët e shihnin përmbysjen e regjimit si një hap drejt autonomisë kombëtare dhe ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë, ndërsa turqit e rinj synonin forcimin dhe unifikimin e Perandorisë nën një identitet të vetëm osman apo turk. Për shqiptarët, liria kishte kuptimin e autonomisë politike e kulturore, ndërsa për xhonturqit ajo nënkuptonte modernizimin e shtetit osman, pa e prishur unitetin e tij.

Revolucioni i vitit 1908 u perceptua fillimisht si një frymë e re lirie dhe reformash, që premtonte përmbysjen e autokracisë së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876. Për shqiptarët, ky zhvillim dukej si mundësi për të fituar autonomi administrative, arsim shqip dhe përfaqësim politik, pa qenë e nevojshme shkëputja e menjëhershme nga Perandoria Osmane. Në këtë kontekst, bashkëpunimi me turqit e rinj kishte dy motive të qarta: Për të shfrytëzuar ndryshimet kushtetuese në dobi të zhvillimit kombëtar shqiptar brenda Perandorisë; për të forcuar pozitën politike të shqiptarëve në raport me fqinjët ballkanikë, që synonin copëtimin e trojeve të shqiptarëve. Mirëpo, ky bashkëpunim, qe në fillim i mbështetur mbi ideologjinë e osmanizmit (osmanlıcılık) dhe të konstitucionalizmit dhe kishte kundërthënie të brendshme. Për shqiptarët, osmanizmi ishte një mjet për të fituar barazi e liri; për xhonturqit, ishte një mjet për uniformizim dhe centralizim, që në praktikë do të nënkuptonte asimilim kulturor e politik të kombeve joturke. Kjo bëri që shumë shqiptarë ta kuptonin se osmanizmi binte ndesh me aspiratat e tyre për autonomi.

Të huajt kërkonin një shtet të unifikuar, ndërsa shqiptarët kërkonin njohje të veçantë për gjuhën, arsimin dhe administratën lokale. Koha e parë e sundimit të xhonturqve do të ishte më liberale në raport me çështjen shqiptare, sidomos në fushën e arsimit dhe të kulturës. Prej ngadhënjimit të revolucionit e deri në pranverën e vitit 1909, duke shfrytëzuar liberalizmin e jetës shoqërore dhe politike, patriotët shqiptarë u angazhuan në hapjen e klubeve dhe të shkollave shqipe. U nxorën shumë gazeta dhe revista shqipe që i dhanë hov zhvillimit të arsimit dhe kulturës kombëtare e krahas me të edhe ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Revolucioni xhonturk do të bënte ndryshime të mëdha në Perandorinë Osmane. Ky revolucion do të sillte edhe ndryshime të theksuara te shqiptarët, të shoqëruara me përplasje të madhe midis nacionalizmit shqiptar dhe atij turk. Revolucion tregoi qartazi se Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk mund të priste që programi i saj politik të realizohet përmes lëshimeve të xhonturqve. Revolucioni kushtetues i vitit 1908 ishte një moment i dyfishtë në historinë shqiptare: njëherazi “shpresë për ndryshim” dhe “fillim i zhgënjimit politik”. Ai shënoi kulmin e afrimit me turqit e rinj nën flamurin e osmanizmit dhe konstitucionalizmit, por edhe pikën e kthesës, kur shqiptarët kuptuan se rruga e tyre drejt lirisë nuk mund të përputhej me interesat e një Perandorie që kërkonte uniformizim, dhe jo barazi.

Turqit e rinj filluan të ndalojnë hapjen e shkollave shqipe, të mbyllin gazetat dhe klubet shqiptare, dhe të centralizojnë administratën, duke e parë çdo kërkesë kombëtare si kërcënim ndaj unitetit të Perandorisë. Kjo solli zhgënjimin e shqiptarëve dhe kalimin nga faza e bashkëpunimit në atë të kundërshtimit të hapur, që do të shpërthente me kryengritjet e viteve 1909 -1912 dhe do të përfundonte me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

Filed Under: Komente

“Zbardhja e së vërtetës është virtyt”

November 8, 2025 by s p

Elez Osmani/

“Një Histori Gojore e të Mbijetuarave të Përdhunimit gjatë Luftës në Kosovë” – Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, Seria e Historisë Gojore e Oksfordit.

Në jetën e popujve ka ngjarje historike që kanë peshë të veçantë historike, jo vetëm për territorin që çlirohet, por edhe për mbarë historinë kombëtare. E tillë është edhe lufta për çlirimin e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as nuk piku nga qielli, as nuk doli nga dheu. Ajo ishte përgatitur nga breza të tërë të atdhetarëve shqiptarë, në mënyrë që në nëntorin e vitit 1997, kur doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të fillonte realizimi konkret i kërkesave të shqiptarëve për të mos jetuar në robëri. Do të thotë, çlirimi i Kosovës nuk është vetëm ngjarje për jetën e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve që kishin mbetur jashtë shtetit amë, Shqipërisë.

Çlirimi i Kosovë është ngjarje me përmasë kombëtare, sepse më Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është hapur procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. Prandaj, mund të thuhet, se vetëm me luftë çlirimtare, jo vetëm fitohet liria, por edhe ndryshojnë rrethanat historike në jetën e një kombi, në këtë rast të Kombit shqiptar. Madhështia historike qëndron në faktin se Kosova është pjesë e lirë e kombit shqiptar, pra është e pavarur, si shtet.

Por, edhe i gjithë ky rrugëtim historik, në jetën e popullit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, e kishte një çmim të rëndë në rrugën e zhvillimit historik. Jo vetëm pse lufta është luftë, gjë që sjellë shumë shkatërrime dhe humbje të jetëve të njerëzve, deri edhe të fëmijëve të pafajshëm, por edhe pse përpara kishim një armik shekullor, që hartonte programe për zhdukjen e shqiptarëve, që nuk respektonte ligjet e luftës, e të mos flasim për moralin e luftës së tyre.

Prandaj, sot në këtë takim, jam i emocionuar, thjeshtë për shkak se tema bosht, që trajtohet në librin e posa botuar, nga Profesoresha Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, të zgjon ndjeshmërinë, dhembjen, keqardhjen, për personazhet e librit, që janë nënat, motrat, nuset dhe vajzat tona. Por, meriton që të diskutojmë të vlerësojmë dhe t’i përgëzojmë autoret për punën e vyer, duke e përballur lexuesin me një realitet që vështirë se mund të gjendet në historinë e përbotshme të luftërave.

Libri, Një histori gojore e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë kohës së luftës në Kosovë”, para së gjithash, për gratë që kanë rrëfyer historitë e tyre të dhembjes dhe të çnjerëzimit, pra të jetës së tyre, para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës në vitet 1987-1999, thonë autoret. Përkundër faktit se ato kanë përmbledhur rrëfimet e vërteta, origjinale, të dhembshme, te atyre që janë të mbijetuara të dhunës seksuale nga forcat serbe ushtarako-policore dha paramilitare, gjatë luftës. Vlerësohet se mbi 20,000 gra ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Në anën tjetër, për gati më shumë se dy dekada pas përfundimit të saj, pak të mbijetuara kanë dalë hapur për të dhënë rrëfimet tragjike për ato akte çnjerëzore që kanë përjetuar.

Në librin ” Një histori gojore e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë kohës së luftës në Kosovë”, Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, i kanë vënë vetes qëllim që ta thyejnë atë heshtje, duke paraqitur historinë gojore të grave që i mbijetuan përdhunimit, nga forcat e armatosura pushtuese gjatë Luftës në Kosovë. Me zërat e tyre, njëzet gra, nëna dhe motra tona, përshkruajnë terrorin e luftës, si dhe makthet që kanë përjetuar, gjë që i ndjekin ato edhe sot e gjithë jetën.

Përmes këtyre rrëfimeve, lexuesve u jepet një pamje e shkurtër, se si është të jesh grua, jeta e së cilës është ndryshuar dhe shkatërruar nga një regjim i dhunshëm serb , dhe nga lufta, e cila këtë shpërfytyrim njerëzor e përdorte për t‘ulur dinjitetin e një populli dhe për të vënë në dilema pa rrugëdalje forcat çlirimtare të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa rrëfejnë, pra e rikujtojnë atë pjesë të tragjedisë së përgjithshme, edhe si dhembje dhe mjerim personal, përvoja që datojnë pothuajse 30 vjet më parë, ato në të njëjtën kohë, zbulojnë një anë tjetër të tragjedisë që i kishte rënë hise popullit shqiptar, se si dhuna seksuale mund të përdoret dhe përdoret në luftërat bashkëkohore, edhe si mjet për ta GJUNJËZOR ASPIRATËN PËR LIRI TË NJË POPULLI, andaj ajo nuk duhet të lihet në harresë, as nuk mund të mohohjet e të heshtet, sepse ka prekur palcën e asaj që quhet dinjitet jetësor dhe liridashës i një populli.

I kuptoj edhe vështirësitë e autoreve, traumat dhe streset nga ato rrëfime tragjike të dëgjuara, por, mendoj, se kanë arritur me sukses të paraqesin në ato rrëfime dëshmi të pabotuara më parë, edhe pse janë vetëm njëzet të mbijetuara, të cilat kanë përjetuar përdhunimin gjatë luftës.

Rasti i Ellen Gardner

Duke përdorur kështu një qasje, ku historia gojore është pjesë e historisë së një populli, që nuk duhet të lihet në harresë, autoret kanë arritur për t’u ofrojnë lexuesve një perspektivë të nuancuar të jetës së të mbijetuarave, në vend që thjesht të përshkruajë viktimizimin e tyre. Libri përshkruan përshkallëzimin e dhunës në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, kur forcat serbe kishin filluar fushatën e spastrimi etnik të popullsisë shqiptare, që është akti më i lartë i gjenocidit ndaj një populli. Rrëfimet, secili në mënyrën e vet, e lidh luftën, me përjetimet që ju kishin rënë hise. Ato janë bartur nga një vend në tjetrin, ngase në përpjekjet e tyre dhe të familjeve të tyre për të gjetur një strehë të sigurt, gjë që del se nuk e kishte askush, rrjedhimisht as këto motra dhe nënat tona që kanë rrëfyer tragjedinë e tyre, si pjesë e tragjedisë së përgjithshme të kombit tonë.

Aty rrëfehet brutaliteti kundër civilëve në zonat rurale të Drenicës dhe të Dukagjinit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, ku UÇK-ja ishte më e pranishme, por edhe në zona ku nuk kishte pasur aktivitete të armatosura. Ndërsa burrat, disa ishin ushtarë e disa ikën nga vdekja e sigurt duke u fshehur në malet e ndryshme të Kosovës, gratë u bënë kujdestare të familjeve të tyre. Qofshin gra të rritura, apo vajza të reja, askush nuk u kursye nga tërbimi i forcave pushtuese serbe, kurse në anën tjetër, u thoshin viktimave të tyre, ndërsa i rrihnin, i mbytnin dhe i përdhunonin, se po u bënin këtë vetëm pse ishin shqiptarë.

Kujtoj se kam të drejte të pohoj se këto skena tmerri i ka dëgjuar që atëherë edhe autorja Garantina, si gazetare e “Kohës Ditore”, e cila ishte gazeta me e besuar dhe citohej edhe nga ndërkombëtarët. Garentina Kraja është studiuese, gazetare dhe ish-këshilltare politikash. Karriera e saj përfshin mbi dy dekada raportimi, kërkimi dhe këshillimi politik në Kosovë dhe vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga mbulimi i luftës së viteve 1998-99, në vendin e saj të lindjes, në Prishtinë.

Anna Di Lellio është Profesoreshë e Asocuar në Masterin e Arteve në Marrëdhënie Ndërkombëtare (MAIR) në Universitetin e Nju Jorkut. Si eksperte për Kosovën, ajo është bashkëthemeluese e Iniciativës së Historisë Gojore të Kosovës. Ajo ka dhënë mësim në Universitetin e Kolumbias, Kolegjin Sarah Lawrence, Shkollën e Re dhe Universitetin Amerikan në Kosovë.

Profesoresha Anna Di Lellio, është sociologe dhe analiste politikash me një gamë të gjerë interesash dhe përvojash, nga politika dhe kultura amerikane te nacionalizmi, siguria dhe ndërtimi i shtetit në Ballkan. Hulumtimi dhe botimet e saj përqendrohen në Kosovë, ku ajo punoi për vite me radhë,

Ajo është redaktore e librit “The Case for Kosova: Passage to Independence” (Himni, 2006) dhe autore e librit ” Beteja e Kosovës 1389: një epikë shqiptare” (I.B. Tauris, 2009). “Dimri i gjatë 1945” Kushtuar masakrës së Tivarit të bërë nga partizanët e Titos, së bashku me ndihmën e partizanëve shqiptarë.

Në vitin 2015 ajo u nderua me Medaljen Presidenciale nga Presidentja Atifete Jahjaga për kontributet e saj ndaj kombit në fushën e kulturës. Ana Di Lellio dhe Kraja rrëfimet e dëgjuara dhe të publikuara i kanë vënë brena një konteksti të një historie shtypjeje shtetërore, spastrimi etnik dhe të një mungesës së përgjithshme të drejtësisë edhe në rrafshin ndërkombëtar. Duke i thurur historitë e këtyre grave së bashku dhe, duke i vendosur ato brenda një linje historie kronologjike, këto histori mund të lexohen, ashtu siç mund të dëgjohen, për të qenë dëshmi të hartimit të historive kombëtare, jo vetëm si rrjedhë e ngjarjeve, por edhe si përjetim njerëzor. Pra, në rrëfimet e tyre shpërfaqet , një histori guximi dhe force e atyre femrave.

Rrëfimet dhe historitë e të mbijetuarave, brenda ngjarjeve më të gjera historike, në mënyrë shumë dokumentare, i ofron çdo lexuesi, mundësinë të kuptojnë se si dhuna seksuale u përdor si armë në këtë luftë. (ani pse disa e quajtën konflikt të armatosur)

Më duhet ta them pa ngurrim, se profesoresha, koautorja, Anna De Lellio se bashku me gazetaren, publicistën, Garantina Kraja kanë bërë një punë te shkëlqyer, sepse e publikojnë një pjesë të të vërtetave, si këto rrëfime të tmerrshme të atyre vajzave dhe grave, që për kaq shumë kohë është heshtur, për arsye të njohura. Ndaj, mund të thuhet, me të drejtë, se zbardhja e së vërtetës është virtyt.

Filed Under: Komente

SHBA, Kina dhe lufta e heshtur për tokat e rralla: Arma strategjike e shekullit XXI

November 6, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Analist i gjeopolitikës ndërkombëtare

Në epokën digjitale, kontrolli mbi elementët më të padukshëm të Tokës po përcakton fuqitë e reja botërore. Kina, me monopol mbi tokat e rralla, po përdor një pasuri minerale si armë politike e ekonomike në luftën për dominim global.

Metalët e rrallë janë themeli i teknologjisë moderne, por furnizimi global është i përqendruar në Kinë dhe nxjerrja e tyre ndotëse përbën një sfidë strategjike për SHBA dhe vendet perëndimore. Kërkesa në rritje për energji të gjelbër, makinat elektrike dhe inteligjencën artificiale i bën këta elemente një pasuri gjeopolitike kyçe të shekullit XXI.

Burimet që ndezin motorët e botës moderne

Në çdo celular, makinë elektrike, turbinë ere apo raketë mbrojtëse ndodhen grimca të padukshme metalesh që mbajnë peshën e gjithë teknologjisë moderne. Këto janë tokat e rralla — një grup prej 17 elementësh që përfshijnë metale si neodimiumi, praseodimiumi, ceriumi dhe lanthani, pa të cilët asgjë nga bota digjitale nuk do të funksiononte. Por përtej laboratorëve dhe industrisë, këto elemente janë kthyer në armën e re strategjike të gjeopolitikës globale. Dhe në këtë fushë, Kina ka krijuar një monopol pothuajse absolut: ajo prodhon rreth 60% të sasisë botërore dhe përpunon mbi 90% të të gjitha tokave të rralla.

Ky dominim nuk është produkt i rastësisë, por rezultat i një strategjie të menduar për dekada, që nga koha kur Perëndimi braktisi minierat për arsye mjedisore dhe Kina i subvencionoi me vetëdije për të marrë kontrollin.

Metalet e rrallë tokësorë dhe pse janë kaq të kërkuar

Metalet e rralla tokësorë po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa kërkesa për produkte që variojnë nga smartfonët dhe makinat elektrike, deri te turbinat me erë dhe sistemet ushtarake, po rritet. Qeveritë po kërkojnë burime të sigurta furnizimi, pasi këto elemente janë thelbësore për teknologjitë moderne dhe energjinë e pastër.

Çfarë janë metalet e rrallë?

Ata janë një grup prej 17 elementësh, që përfshijnë 15 lanthanide (metale me shkëlqim të bardhë-argjendtë) si dhe skandiumin dhe itriumin. Elementet përfshijnë: skandium, itrium, lanthanum, cerium, praseodymium, neodymium, promethium, samarium, europium, gadolinium, terbium, dysprosium, holmium, erbium, thulium, ytterbium dhe lutetium. Më të zakonshmit janë :Lanthanum përdoret në lentet e kamerave dhe ndriçim. Cerium shërben për konvertues katalitikë, që reduktojnë ndotjen nga motorët me djegie. Neodymium dhe praseodymium janë shumë të kërkuar për magnetë të fuqishëm që përdoren në motorët e makinave elektrike dhe në turbinat e erës. A janë me të vërtetë të rrallë? Jo në kuptimin që janë të pazakonshëm — disa janë më të zakonshëm se plumbi — por janë të shpërndarë në sasi shumë të vogla në koren e Tokës, shpesh të përzier me minerale të tjera. Kjo i bën depozitat e mëdha të rralla dhe nxjerrjen e tyre shumë të kushtueshme.

Nga minierat në monopolin global

Ndërkohë që vendet e zhvilluara i mbyllnin minierat për të mbrojtur mjedisin, Pekini investoi në teknologjinë e nxjerrjes, ndarjes dhe rafinimit të tokave të rralla, duke krijuar zinxhirin më të plotë të furnizimit në botë.

Kina dominon tregun botëror, duke prodhuar rreth 60% të sasisë së mineraleve dhe 90% të metaleve të përpunuara dhe magnetëve të përhershëm. Pekini vendos kuota të rrepta për nxjerrjen dhe përpunimin, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin global.

Në vitin 2010, një përplasje detare mes Japonisë dhe Kinës në Ishujt Senkaku u shndërrua në provë force ekonomike: Pekini pezulloi eksportet e tokave të rralla drejt Tokios, duke paralizuar industrinë japoneze të elektronikës. Ishte një sinjal i qartë për botën – Kina mund ta përdorë dominimin e saj si armë politike.

Prej atëherë, çdo kuotë prodhimi apo kufizim eksporti kinez shihet si barometër i tensioneve ndërkombëtare. Në një ekonomi që po kalon drejt energjisë së pastër dhe makinerive elektrike, kjo varësi është kthyer në një kërcënim strategjik për Perëndimin.

Trump dhe zgjimi amerikan

Administrata e Donald Trump ishte e para që e trajtoi këtë situatë si rrezik për sigurinë kombëtare. Në Strategjinë Kombëtare të vitit 2017, burimet kritike – përfshirë tokat e rralla – u shpallën thelbësore për pavarësinë industriale të SHBA. Trump nënshkroi urdhra ekzekutivë për të rigjallëruar prodhimin vendas, duke e bërë këtë çështje pjesë të luftës tregtare me Kinën. Ai mbështeti rihapjen e minierës Mountain Pass në Kaliforni, dikur lider botëror në prodhim, dhe krijoi bashkëpunime me Australinë, Kanadanë dhe Japoninë për të ndërtuar rezerva strategjike dhe kapacitete përpunimi jashtë Kinës.

Në thelb, Trump e kuptoi se pa këto metale nuk mund të ndërtohej asgjë – as avionët F-35, as makinat Tesla, as pajisjet e inteligjencës artificiale. Prandaj, tokat e rralla u kthyen në sinonim të sovranitetit teknologjik amerikan.

Kostoja e padukshme e pasurisë kineze

Dominimi kinez ka një kosto të rëndë ekologjike. Proceset e përpunimit përdorin solvente toksikë dhe acide radioaktive që ndotin tokën dhe ujin. Në qytetin Baotou, në Mongolinë e Brendshme, një “liqen toksik” i mbetjeve industriale është simboli i çmimit që Kina paguan për epërsinë e saj. Procesi i përpunimit përdor solvente dhe acide toksike, që ndotin tokën, ujin dhe ajrin. Disa minerale përmbajnë gjithashtu torium ose uranium radioaktiv, që kërkojnë trajtim të veçantë.

Për shkak të këtyre rreziqeve, industria përballet me rregullime të rrepta mjedisore dhe shëndetësore. Edhe pse po zhvillohen teknologji më të pastra për nxjerrje dhe riciklim, ato ende nuk janë të përhapura.

Kjo “energjia e gjelbër” paradoksale që kërkon Perëndimi mbështetet te procese që ndotin tokën kineze. Për dekada, Pekini e pranoi këtë ndotje si “kosto të zhvillimit” – një llogari që i ka dhënë tani kontroll global.

Në këtë mënyrë, Kina përdor pasurinë minerale si mjet politik, ekonomik dhe diplomatik, duke e kthyer sektorin e tokave të rralla në pjesë të strategjisë së saj për “vetë-mjaftueshmëri teknologjike”.

Përgjigjja e vonuar e Perëndimit

Në vitet e fundit, SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë filluar të ndërmarrin hapa konkretë për të reduktuar varësinë nga Pekini. Ligji amerikan “Inflation Reduction Act” subvencionon industrinë e baterive dhe të automjeteve elektrike që përdorin materiale të siguruara nga aleatë strategjikë. BE ka miratuar “Critical Raw Materials Act”, që synon që deri në vitin 2030 të përpunojë 40% të materialeve kritike brenda territorit të saj. Megjithatë, Kina ruan avantazhin teknologjik dhe ekonomik. Përpunimi i tokave të rralla kërkon njohuri të thella kimike, pajisje të specializuara dhe kostot e ulëta që vetëm Pekini i ka arritur për shkak të standardeve të ulëta mjedisore.

Edhe miniera amerikane e Mountain Pass, ndonëse simbol i pavarësisë, ende dërgon një pjesë të lëndës në Kinë për përpunim. Kjo tregon se betejën për sovranitet teknologjik Perëndimi sapo e ka filluar – dhe Kina është shumë hapa përpara.

Një betejë e re globale për burimet e padukshme

Në shekullin XX, luftërat u zhvilluan për naftën dhe gazin; në shekullin XXI, do të zhvillohen për metalet dhe mineralet. Dhe ndryshe nga e kaluara, kjo betejë nuk do të zhvillohet në fronte ushtarake, por në laboratorë, miniera dhe tregje financiare.

Kina e kupton se kush kontrollon tokat e rralla, kontrollon bërthamën e teknologjisë moderne. Ndërsa SHBA dhe aleatët kërkojnë alternativa, Pekini përdor përparësinë e tij për të formësuar tregjet dhe për të imponuar ndikim politik. Në këtë kontekst, dominimi i Kinës nuk është thjesht ekonomik, por civilizues — ai përcakton ritmin e zhvillimit teknologjik të botës.

Përfundim: shekulli i elementëve të padukshëm

Nëse shekulli i kaluar u përcaktua nga fuqia e naftës, shekulli XXI do të përcaktohet nga fuqia e elementëve të rrallë. Tokat e rralla janë bërë valuta e re e epokës digjitale – një pasuri që përcakton jo vetëm fitimin ekonomik, por edhe fuqinë kombëtare dhe ndikimin global. Kina e ka kuptuar këtë më herët se të tjerët dhe e ka shndërruar në armë të heshtur gjeopolitike. Ndërsa SHBA, me qasjen e nisur që nga administrata Trump, përpiqet të rigjejë pavarësinë e saj teknologjike, gara sapo ka filluar. Dhe për momentin, bota digjitale ende varet nga mineralet e Kinës. Në duart e një fuqie që i përdor burimet si instrument pushteti, kjo varësi është po aq e rrezikshme sa varësia nga nafta dikur.

Filed Under: Komente

“Festivali Ndërkombëtar i Teatror të Fëmijëve në Gjuhën Shqipe”

November 5, 2025 by s p

Arjeta Halluni Perdja/

Shoqata Teatrore Shqiptare ”Mërgimtari” së bashku me Këshillin e Mësuesve Shqiptare në Kroaci zhvilluan në Zagreb “Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Fëmijëve në Gjuhën Shqipe” prej 31. 10 – 2. 11. 2025. Në këtë festival nga Italia mori pjesë grupi i dytë i shkollës “Migjeni” me: përshtatjen e skenarit nga mësuese Valbona Marku, me veshjet popullore të financuar nga shoqata “Ilirianët”, me bashkëpunimin e prindërve të nxënësve për këtë projekt dhe me rregji të mësuese Arjeta Halluni Perdja paraqitën përpara 150 pjesëmarrësve të këtij festivali “Legjendën e Kalasë së Rozafës”.

Nxënësit e kësaj shkolle morën jo vetëm duartrokitjet e bashkëmoshatarëve të tyre, por edhe nga juria të cilët i vlerësuan madje edhe me certifikatën e “Mirënjohjes” .

Vlerësim për këto fëmijë të lindur e të rritur jashtë ku në zemër kanë Atdheun dhe Gjuhën Shqipe. Nga ky takim kulturor që bashkoi Kosovën, Diasporën dhe Shqipërinë ku çdo gjë mbante vulën në gjuhën shqipe u formuan shoqëri të reja, shkëmbime eksperiencash, idesh, bashkëpunimesh mes mëueseve dhe vetë nxënësve. Kjo eksperiencë e re për nx. e kësaj shkolle krijoi dhe nxiti dëshirën për të marrë pjesë sërisht në gara të këtij lloji. Suksese nxënësve të kësaj shkolle!Suksese mësuesve dhe nxënësve të diasporës që me aq dashuri dhe përkushtim e mësojnë Gjuhën Shqipe.

Filed Under: Komente

Pse Shqiptarët e Amerikës kanë rënë në gjumë duke heshtur para veprimeve të mbrapshta të Gjykatës Speciale të Hagës

November 4, 2025 by s p

Gjekë Gjonlekaj

New York/

Menjëherë pasi ishte burgosur Fatmir Limaj, unë shkova në Hagë për ta vizituar. Për faktin se kisha arritur një ditë përpara se Fatmiri  të dilte në Gjyq, pata rastin t’i shohë dëshmitë e Sllobodan Millosheviqit dhe në fytyrën e tijë të zymtë vihej re një urrejtje e papërmbajtur, duke akuzuar ish ambasadoin amerikan në Kroaci se gjoja ai dhe gjeneralët amerikanë kishin mbështetur spastrimin etnik të Krainës.

Megjithëse e kuptonte mirë anglishten, Millosheviqi refuzonte të fliste në këtë gjuhë – edhe pse anglishtja ishte gjuhë zyrtare e Gjykatës së Hagës.

Nga kjo vizitë ruaj kujtime të dhimbshme për familjen e Fatmir Limajt – për vëllezërit, fëmijët dhe sidomos për zonjën Limaj. Ajo, gjatë seancës gjyqësore të Fatmirit, qante pa pushim. Ishin orë të trishta për gjithë familjen, përfshirë edhe prindërit e tij. Pak kohë më vonë, zonja Limaj ndërroi jetë, duke i lënë fëmijët jetimë.

Pas shumë akuzash të pabaza dhe shpifjesh të ndyra, Fatmir Limaj u lirua – por përndjekja ndaj tij vazhdoi gjatë. E njëjta ndodhi edhe me Ramush Haradinajn.

Rreth themelimit të Gjykatës Speciale të Hagës

Kur u themelua kjo gjykatë, pata folur në radio-televizionet e Kosovës dhe në Malësinë tonë, duke përmendur një fjalë të urtë:

“Nuk ka dasmë pa mish, e as luftë pa gjak.”

Kjo gjykatë është ngritur kundër katër themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qëllimet e Serbisë janë të qarta – kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ata përpiqen t’i paraqesin prijësit e luftës si terroristë, duke poshtëruar nderin dhe dinjitetin e popullit tonë. Raporti i Dick Martit ishte një nga veprat më të ulëta që ndonjë i huaj ka fabrikuar ndonjëherë – një shpifje monstruoze kundër UÇK-së dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Vepra të tilla mund t’i kenë trilluar vetëm njerëz si Vlladan Gjorgjeviqi dhe Vaso Çubrilloviqi.

Kjo është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet traditës juridike shqiptare. Sjellja dhe respekti ndaj të vrarit janë përshkruar më bukur se kudo në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare pati një bisedë të gjatë me Alain Bosquet rreth ligjeve fisnike të malësorëve shqiptarë, dhe Bosquet mbeti i mahnitur nga humanizmi që ato përmbanin.

Gjykata dhe shpifjet e saj

Kur Hagës iu bë e qartë se akuzat monstruoze nuk ishin të vërteta, ajo filloi të shpikte trillime të tjera, shumica qesharake. Si mund të merret seriozisht dëshmia e një fshatari që pretendonte se “ushtarët e Hashim Thaçit i kishin vrarë lopën”? Armiqtë e UÇK-së, përfshirë edhe disa kundërshtarë politikë të PDK-së, dëshmonin sikur ishin në Gjykatën e Nurembergut!

Kosova, për një kohë të gjatë, kishte bërë çdo përpjekje për të shmangur luftën – por këto përpjekje nuk dhanë rezultat. Përkundrazi, sollën dëbime masive dhe poshtërim moral për shqiptarët. Nderi dhe dinjiteti i popullit tonë ranë përdhe.

Sot flitet nderkombëtarisht për mijëra raste përdhunimesh ndaj vajzave e grave shqiptare – dhe sa herë që dëgjoj këtue kumt të zi, rrënqethem dhe aty për aty më kujtohen vargjet e këngës së Halil Gashit:

“Fjalët e këqia s’janë mahi,

nuk ka lojë me robt e mi.”

Për turp, sot hapen ekspozita ndërkombëtare banale me rroba të brendshme grash – diçka që s’ka ndodhur kurrë në historinë tonë.

Padrejtësitë dhe heshtja

Sot Gjykata Speciale nuk merret me vrasjen e dhjetëra mijëra shqiptarëve, as me 400 masakrat e njohura, por vetëm me prijësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Pse nuk pyesin kush i vrau Jasharajt? Pse nuk pyesin për masakrën e Mejes apo të Reçakut?

Ata tallen me Kosovën, me luftën tonë çlirimtare dhe me njerëzit më trima dhe më fisnikë të racës arbërore.

Kur i sheh të ulur në bankën e të akuzuarve katër burrat e Kosovës, të rrënqethet shtati. Ata ishin dhe mbeten më të mirët e luftës dhe të paqes. Pavarësisht çfarë do të vendoset në atë “Kalvar të Kosovës”, katërshi i Kosovës legjendare do të nderohet përjetë nga kombi shqiptar.

Këta burra kishin vepruar për Kosovën shumë përpara fillimit të Luftës Çlirimtare. 

Ata ishin dënuar me burgime të rënda dhe të gjata sic kishte qene Profesor Jakup Krasniqi. Për një gjysmë dekade  ata nuk dhanë asnjë shenjë dëshprimi dhe as pëndese për veprat madhështore që kishin bërë për çlirimin e atdheut të tyre. Dy prej tyre Hashim Thaci dhe Jakup Krasniqi më 17 shkurt të vitit 2008 kishin shpallur në Kuvendin e Kosovës Deklaratën e Pavarësisë që është dita më e lumtur e këtij populli të robëruar më shumë se një shekull e gjysmë. Pranë tyre ishin edhe Kadri Veseli e Petrit Selimi. 

Shqiptarët e Amerikës gjithmonë kanë qenë pranë Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare, por për Gjykatën Speciale të Hagës kanë treguar heshtje të pakuptueshme. Disa madje, në kohën e themelimit të saj, shkuan në Kosovë me politikanë amerikanë dhe mbajtën fjalime kërcënuese në Kuvendin e Kosovës. Ne në atë kohë reaguar në shtypin e Kosovës për kërcënimet e papërgjegjshme të shumë politikanëve dhe diplomatëve amerikanë.

Fatkeqësisht, disa aktivistë shqiptaro-amerikanë krijuan lidhje me Carla Del Ponte, madje e pritën me nderime në restorantet më luksoze të New Yorkut. Sot ata heshtin – dhe nuk dëgjohen fare. Ku janë tani miqtë e tyre në Kongres e Senat?

Ata që dikur rrihnin gjoks për “bëmat” e tyre, sot duhet ta dinë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Ankthi dhe dhimbja e familjeve të katër heronjve të Kosovës rritet çdo ditë. Qëndrimi i tyre në atë “kështjellë fatkeqe” rëndon ndërgjegjen kombëtare.

Pas luftës, kjo është tragjedia më e madhe e Kosovës dhe e gjithë popullit shqiptar. Ashtu si dikur ndërhyrja e patriotëve shqiptarë ndihmoi në lirimin e Avni Rustemit, edhe sot miliona shqiptarë mund të ngrihen në mbrojtje të këtyre burrave të lavdishëm të kombit tonë.

Në fund, s’na mbetet tjetër veçse t’i lutemi Zotit të Madh për lirimin e tyre.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT