Londra për herë të parë me kryebashkiak mysliman
Në Foto:Sadiq Khan -kryetari i ri i bashkisë së Londrës/
Emigranti fiton kundrejt miliarderit. Kryeqyteti britanik ndërron kurs: Kandidati i partisë laburiste, Sadiq Khan fitoi kundrejt rivalit konservator, Zac Goldsmith në zgjedhjet për Londrën.Khan falënderoi votuesit dhe u shpreh se do të jetë kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Londrës. Kryeqyteti britanik ndërroi kurs pas tetë vitesh me kurs konservator: Boris Johnson drejtoi si kryetar bashkie kryeqytetin britanik. Tani kandidati me origjinë pakistaneze, laburisti liberal, Sadiq Khan, e la dukshëm pas konservatorin, Zac Goldsmith. Sipas përllogaritjeve, Khan merr 56,8 % të votave, ndërsa rivali Goldsmith vetëm rreth 43% të tyre. Londra e zgjedh drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë. Rezutati përfundimtar u publikua të premten në mbrëmje. Gjatë fushatës zgjedhore, Khan nuk e fshehu origjinën e tij e besimin e tij, por theksoi se besimi eshtë vetëm një element përbërës i tij. “Jam londindez, jam europian, jam britanik, jam anglez, jam i besimit mysliman”, theksonte Khan që ka premtuar të mbështesë më shumë ekonominë lokale. Në Angli jetojnë rreth 3 milionë myslimanë.
Laburisti Khan vjen nga familje emigrantësh, është djali i një shoferi autobusi, dhe është rritur në një apartament të fondit social. Për Londrën kandidatura e Khan nuk është e habitshme. Kryeqyteti i kolonisë botërore prej kohësh është zhvilluar në metropol multikulturor. Rivali i Khan, konservatori Goldsmith vjen nga një familje miliarderësh të një dinastije hebreje, ai është djali i një investitori bankar me famë, James Goldsmith.
Khan konsiderohej me më shumë shanse në garën elektorale, por së fundmi kundërshtarët e tij e përmendnin shpesh sfondin fetar të Khanit. Edhe kryeministri konservator, David Cameron ka pretenduar se myslimani Khan ka kontakte me ekstremistët.
Dështim i laburistëve në vend
Megjithatë suksesi i kandidatit laburist në zgjedhjet për Londrën nuk e mbulon dot dështimin e laburistëve në shkallë vendi. Partia shënon rezultate të dobta në të gjithë Anglinë. Pas numërimit të votave në zgjedhjet komunale, laburistët humbën një duzinë mandatesh në parlamentet vendore. Sipas sondazeve, shumë votues kanë kaluar në anën e partisë euroskeptike, Ukip. Ndërsa në Wales pritet që nacionalistët të hyjnë për herë të parë në parlamentin vendor.
Votuesit në Skoci
Edhe në Skoci vihet re një rënie e partisë së punëtorëve, këtu në favor të konservatorëve dhe partisë së majtë nacionale, SNP. Nacionalistët fitojnë terren. Kryeministrja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon ka bërë fjalë për një “fitore historike” të partisë së saj. Por supriza kryesore pritet të vijë nga shpërndarja e roleve mes konservatorëve dhe laburistëve. Konservatorët shënojnë rritje të konsiderueshme në elektorat në disa pjesë të Skocisë, dhe bëhen ndoshta forca e dytë politike në vend. 40 milionë britanikë votuan të enjten (05.05) për parlamentet rajonalë dhe komunalë. Krahas Londrës ka pasur zgjedhje për kryetarë bashkie edhe në qytete të tjerë të mëdha britanike.(DW)
Dom Simoni nderohet përsëri nga Papa Françesku
Thonë që mrekullitë nuk ndodhin vetëm një herë në jetë. Kështu mund të thuhet edhe për historinë Dom Ernest Simonit, një prift i cili gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri, sakrifikoi veten duke duruar torturat e dhëna nga Enver Hoxha, për të mos mohuar Krishtin.
Sipas “Aleteia” Papa Françesku ka përqafuar e nderuar përsëri Dom Ernest Simoni, priftin shqiptar i cili kaloi 28 vjet në burg për të qenë besnik ndaj Kishës gjatë regjimit komunist.
“Ky është një martir shqiptar”, tha Papa, kur e pa. Ata së pari janë takuan në 21 nëntor të 2014, në Tiranë; kur Ati i Shenjtë e thirri Dom Ernest Simonin për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me torturat që pësoi për refuzimin për të mohuar Krishtin. “Papa menjëherë u kujtua,” tha autori italian Mimmo Muolo e Avvenire Aleteia.
“Ai iu drejtua atij me emrin,” Simoni”, dhe tregoi se e mban mend historinë e persekutimit të tij. “Natyrisht, Dom Ernesti bëri të pamundurën në mënyrë që Ati i Shenjtë të mos i puthte duart e tij, në të njëjtën kohë, duke u përpjekur për të puthur ai të Papës”, vërejt Muolo. Ato ishin vite të terrorit nën regjimin komunist të Shqipërisë, vendi i vetëm i deklaruar “ateist” nga kushtetuta, në vitin 1967. “Për 11 ditë, ai ishte torturuar”, shpjegoi Muolo.
Përshtati: Redjon Shtylla
Papës i jepet Çmimi Karli i Madh: ëndërroj një humanizëm të ri evropian
Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera. Çmimi, me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Evropës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.
E me rastin e dorëzimit të këtij Çmimi, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës:
Miq të Ndritur,
ju uroj nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Evropës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm.
Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Evropës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.
Kjo “familje popujsh”1, që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë, kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie1, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. 2
Në Parlamentin evropian ia lejova vetes ta quaja Evropën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Evrope të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Evrope në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Evrope, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese përfshirëse e shndërruese; një Evrope, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Evrope që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).
Ç’të gjeti kështu, Evropë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Evropë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Evropë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?
Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (krh Esort. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).
Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Evropës.Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Evropës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.
Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Evropa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.3 Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.4 Projekteve të Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë evropian, Atdheut tonë Evropës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” 5
Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Evropës. Një Evrope, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar.
Aftësia për të integruar
Erich Przywara, në veprën e tij të ndritur “Ideja e Evropës”, na sfidon, duke na nxitur ta mendojmë qytetin si vend bashkëjetese të instancave e niveleve të ndryshme. Ai e njihte mirë këtë prirje reduksionistike, që e gjejmë në çdo përpjekje për ta menduar e për ta ëndërruar indin shoqëror. Bukuria, e rrënjosur në shumë nga qytetet tona, vijon të na mahnisë për faktin se u arrit të ruhen në rrjedhë kohe, ndryshimet e epokave, të kombeve, të stileve, të vizioneve. Mjafton ta kundrosh pasurinë e paçmueshme kulturore të Romës, për të pohuar edhe një herë se pasuria dhe vlera e një populli rrënjoset pikërisht kur di t’i harmonizojë të gjitha këto nivele në një bashkëjetesë të suksesshme. Reduksionistët dhe të gjitha synimet rrafshuese, larg çdo aftësie për të krijuar vlera, i dënojnë popujt tanë me një varfëri mizore: atë të përjashtimit. E larg çdo aftësie për të krijuar madhështi, pasuri e bukuri, përjashtimi krijon vetëm poshtërsi, mjerim, mizori.
Rrënjët e popujve tanë, rrënjët e Evropës, shkonin duke u konsoliduar në rrjedhë të historisë së saj, duke e mësuar t’i integrojë në sinteza përherë të reja kulturat më të ndryshme e në dukje, pa asnjë lidhje ndërmjet tyre. Identiteti evropian është e ka qenë gjithnjë shumëkulturor, në zhvillim të vazhdueshëm.
Veprimtaria politike e di se ka ndër duar këtë punë themelore, që nuk mund të shtyhet për më vonë. E dimë se “e tëra është më shumë se pjesët, e edhe se shuma e tyne e thjeshtë”, prandaj duhet punuar gjithnjë për të pranuar të mirën më të madhe, nga e cila mund të përfitojmë të gjithë.” (Esort. Ap Evangelii gaudium, 235). Ftohemi t’i japim shtytje integrimit, duke pranuar solidaritetin si mënyrën me të cilën duhen bërë gjërat, mënyrën që na tregon si duhet ndërtuar historia. Solidaritet, që nuk duhet ngatërruar kurrë me lëmoshën, por duhet parë si krijim i mundësisë që të gjithë banorët e qyteteve tona – e të shumë qyteteve të tjera – të mund ta realizojnë me dinjitet jetën e tyre. Koha po na mëson se nuk mjafton më vetëm përfshirja gjeografike e njerëzve, por sfida është integrimi i vërtetë kulturor.
Në këtë mënyrë, bashkësia e popujve evropianë mund ta kapërcejë tundimin për të këmbëngulur në paradigma të njëanshme e për t’u marrë me “kolonizime ideologjike”; përkundrazi, do të zbulojë madhështinë e shpirtit evropian, lindur nga takimi ndërmjet qytetërimeve dhe popujve, më e shtrirë se kufijtë aktualë të Bashkimit Evropian dhe e thirrur të bëhet model i sintezave të reja dhe i dialogut. Vërtet, fytyra e Evropës nuk dallohet për kundërvënien ndaj të tjerëve, por për faktin se mban gjurmët e tipareve të kulturave të ndryshme dhe ka bukurinë që sjell fitorja kundër mbylljes së dyerve. Pa këtë aftësi integrimi, fjalët e shqiptuara nga Konrad Adenauer në të kaluarën, do të tingëllojnë sërish sot si profeci për të ardhmen: “E ardhmja e Perëndimit nuk kërcënohet aq nga tensioni politik, sa nga rreziku i masivizimit, nga uniformiteti i mendimit dhe i ndjenjave; shkurt, nga i gjithë sistemi i jetës, nga mosmarrja e përgjegjësisë, me shqetësimin e vetëm për ‘unin’ personal”6.
Aftësia për dialog
Nëse ka ndonjë fjalë, që duhet ta përsërisim derisa të lodhemi, është kjo: dialog. Jemi të ftuar të promovojmë një kulturë dialogu, duke u përpjekur me çdo mjet të shtrojmë çështje, në mënyrë që kjo të jetë e mundur e të na lejojë të rindërtojmë indin shoqëror. Kultura e dialogut nënkupton një formim të vërtetë e të vazhdueshëm, një lloj ushtrimi të asketizmit, që të na ndihmojë ta shohim tjetrin si bashkëbisedues të vlefshëm; që të na japë mundësinë ta shohim të huajin, emigrantin, të ardhurin nga një kulturë tjetër si subjekt për t’u dëgjuar, për t’u marrë parasysh e për t’u vlerësuar. Është urgjente për ne sot, të përfshijmë të gjithë protagonistët shoqërorë në promovimin e “një kulture, që privilegjon dialogun si formë takimi, si kërkim konsensusi dhe marrëveshjeje, por, pa e ndarë nga shqetësimi për një shoqëri të drejtë, të aftë të kujtojë e të mos përjashtojë” (Nxitja apostolike “Evangelii Gaudium”, 239). Paqja do të jetë e qëndrueshme, në masën me të cilën i armatosim fëmijët tanë me armët e dialogut, u mësojmë atyre betejën e mirë të takimit e të bisedimeve. Në këtë mënyrë, mund t’u lemë trashëgim një kulturë, që di të përvijojë jo strategji të vdekjes, por të jetës, jo të mënjanimit, por të integrimit.
Kjo kulturë dialogu, që duhet të hyjë në të gjitha planet mësimore shkollore si bosht transversal i lëndëve të mësimdhënies, do të na ndihmojë të rrënjosim në brezat e rinj një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme nga ajo, me të cilën po i mësojmë. Sot, është urgjente të krijojmë “koalicione” jo më vetëm ushtarake apo ekonomike, por edhe kulturore, edukative, filozofike, fetare. Koalicione, që venë në pah se, pas shumë konflikteve, shpesh, është në lojë pushteti i grupeve ekonomike. Koalicione, të afta ta mbrojnë popullin, që të mos përdoret për qëllime të padenja. T’i armatosim njerëzit tanë me kulturën e dialogut e të takimit.
Aftësia krijuese
Dialogu dhe gjithçka lidhet me të na kujton se askush nuk mund të kufizohet e të sillet si spektator apo vëzhgues i thjeshtë. Të gjithë, nga më i vogli tek më i madhi, janë pjesë aktive në ndërtimin e një shoqërie të integruar e të pajtuar. Kjo kulturë është e mundur nëse të gjithë marrim pjesë në mendimin (ideimin) e në krijimin e saj. Gjendja aktuale nuk pranon vëzhgues të thjeshtë të luftës së tjetërkujt. Përkundrazi, është thirrje e fuqishme për përgjegjësi përsonale dhe shoqërore.
Në këtë kuptim, të rinjtë tanë kanë një rol mbizotërues. Ata nuk janë e ardhmja e popujve tanë, janë e tashmja; janë ata, që qysh sot, me ëndërrat e tyre, me jetën e tyre, po farkëtojnë shpirtin evropian. Nuk mund ta mendojmë të nesërmen, pa u lejuar atyre të marrin vërtet pjesë si tharm ndryshimi dhe shndërrimi. Nuk mund ta imagjinojmë Evropën pa i bërë pjesëmarrës e protagonistë të kësaj ëndrre.
Kohët e fundit, kam reflektuar mbi këtë aspekt dhe e kam pyetur veten: si mund t’i bëjmë pjesëmarrës të rinjtë tanë në këtë proces ndërtimi, nëse i privojmë nga puna; nga punë të denja, që u japin mundësinë të zhvillohen përmes duarve, inteligjencës dhe energjive të tyre? Si mund të pretendojmë t’ua njohim vlerën e protagonistit, kur treguesit e papunësisë e të nënpunësimit të miliona të rinjve evropianë janë në rritje? Si t’ia bëjmë për të mos i humbur të rinjtë tanë, të cilët përfundojnë duke ikur gjetiu, në kërkim të idealeve e të përkatësisë, sepse këtu, në tokën e tyre, nuk dimë t’u ofrojmë mundësi e vlera?
Shpërndarja e drejtë e fryteve të tokës e të punës së njeriut nuk është filantropi e thjeshtë. Është detyrë morale 7. Nëse duam t’i rimendojmë ndryshe shoqëritë, kemi nevojë të krijojmë vende pune dinjitoze dhe të paguara mirë, sidomos për të rinjtë tanë.
Kjo lyp kërkimin e modeleve të reja ekonomike më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta, që nuk orientohen në shërbim të pak vetëve, por në të mirën e njerëzve dhe të shoqërisë. E kjo na kërkon kalimin nga ekonomia e lëngshme [pra, që i përshtatet çfarëdo “ene” apo situate, pa pyetur për pasojat] në ekonominë shoqërore. Mendoj, për shembull, ppër ekonominë shoqërore të tregut, inkurajuar edhe nga Paraardhësit e mi (krh Gjon Pali II, Fjala për ambasadorin e R.F. Gjermane, 8 nëntor 1990). Të kalohet nga një ekonomi, që synon të ardhura dhe fitime mbi bazën e spekulimit dhe të kredive me interes, në një ekonomi shoqërore, që investon mbi njerëzit, duke krijuar vende pune dhe kualifikim.
Duhet të kalojmë nga një ekonomi e lëngshme, që priret të favorizojë korrupsionin si mjet fitimi, në një ekonomi shoqërore, që garanton tokën e strehimin për të gjithë, përmes punës, si fushë në të cilën njerëzit dhe bashkësitë mund të venë në lojë “shumë përmasa të jetës: krijimtarinë, ardhmërinë, zhvillimin e aftësive, ushtrimin e vlerave, komunikimin me të tjerët, adhurimin e Hyjit. Prandaj, realiteti shoqëror i botës së sotme, përtej interesave të kufizuara të ndërmarrjeve dhe racionalitetit të diskutueshëm ekonomik, kërkon “të vazhdohet të ndiqet si përparësi, objektivi i punësimit… për të gjithë” 8.
Nëse duam të synojmë në një të ardhme dinjitoze, nëse duam një të ardhme në paqe për shoqëritë tona, mund ta arrijmë vetëm duke pasur si qëllim integrimin e vërtetë: “atë që ta jep puna dinjitoze, e lirë, krijuese, gjithëpërfshirëse dhe solidare” 9. Ky kalim (nga një ekonomi e lëngshme në një ekonomi shoqërore) jo vetëm do të hapë perspektiva të reja dhe mundësi konkrete për integrim e gjithëpërfshirje, por do të na japë sërish aftësinë për ta ëndërruar atë humanizëm, për të cilin Evropa ka qenë djepi e burimi.
Në rilindjen e kësaj Evrope të lodhur, por akoma të pasur me energji e mundësi, mund e duhet të kontribuojë edhe Kisha. Detyra e saj përkon me misionin e saj: kumtimi i Ungjillit, që sot, më shumë se kurrë, do të thotë, sidomos, kujdes për plagët e njeriut, duke i çuar atij praninë e fuqishme e të thjeshtë të Jezusit, mëshirën e Tij ngushëlluese e inkurajuese. Zoti dëshiron të banojë ndërmjet njerëzve, por mund ta bëjë këtë vetëm përmes burrave e grave që, ashtu si ungjillëzuesit e mëdhenj të kontinenteve, të preken me dorë prej Tij e ta jetojnë Ungjillin, pa kërkuar gjë tjetër. Vetëm një Kishë e pasur me dëshmitarë mund t’i vaditë sërish me ujin e kristaltë të Ungjillit rrënjët e Evropës. Për këtë, rruga e të krishterëve drejt bashkimit të plotë është shenjë e madhe e kohrave, por edhe kërkesë urgjente për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit “që të jenë një gjë e vetme” (Gjn 17,21).
Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore” 10. Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut. Ëndërroj një Evropë, ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Evropë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Evropë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Evropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit.
(1) Fjalimi në Parlamentin evropian, Strasburg, 25 nëntor 2014
(2) Ibid.
(3) Deklaratë e 9 majit 1950, Salon de l’Horloge, Quai d’Orsay, Paris
(4) Ibid
(5) Fjalim në Konferencën Parlamentare Evropiane, Paris, 21 prill 1954
(6) Fjalimi në asamblenë e artizanëve gjermanë, Dyseldorf, 27 prill 1952.
(7) Discurso a los movimentos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.
(8) Enciklika “Laudato si’”, 127.
(9) Discurso a los movimientos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.
(10) Fjalimi për Këshillin e Evropës, Strasburg, 25 nëntor 2014.
Kur u betova si vullnetar i Korpusit të Paqes
Nga Donald Lu/*
Kryetar i Bashkisë, familje mikpritëse, vullnetarë të rinj dhe të vjetër të Korpusit të Paqes, personel i talentuar i Korpusit të Paqes, zonja dhe zotërinj!
Kur them vullnetarë të vjetër të Korpusit të Paqes, më kujton se sa shumë vite kanë kaluar që kur isha në vendin tuaj e prisja që të bëja betimin me Ambasadorin tim. Të jesh në Korpusin e Paqes ngjan pak sikur bie në dashuri për herë të parë –është emocionuese, turbulluese, jetëndryshuese dhe paksa frikësuese.Sot do të ndaj me ju historinë e ditëve të mia të para në fshat pasi u betova si vullnetar i Korpusit të Paqes. Pastaj dua të them dy fjalë se përse Korpusi i Paqes është një burim kaq i çmuar mes dy vendeve tanë. Së fundi, kam disa fjalë për të falënderuar familjet kaq bujare që pritën vullnetarët. Ditët e para Në kohën që unë isha me Korpusin e Paqes kishim motoçikletë. Nuk isha motoçiklist shumë agresiv dhe kam rënë më shumë herë prej tij sesa do të doja ta pranoja. Për të shkuar në fshatin tim për herë të parë m’u desh të kaloja nëpër një urë të bërë me trungje palme. Ato nuk ishin vendosur në varg për ta bërë të vështirë udhëtimin. Ato ishin tre trungje të vendosura për së gjeri, ndaj me mjeshtëri të madhe (e cila më mungonte) duhej ta ngisja motoçikletën në qendër të trungut të mesit dhe të lutesha që të mos rrëshkisja, përndryshe do të përfundoja në lumë dhe motoçikleta do të binte mbi mua. Mora guximin, shtypa pedalen e gazit e kalova vrik përmes urës më shpejtë sesa e kisha menduar. Dhe kjo ishte jeta ime për shumë ditë. Merrja frymë thellë, merrja guxim, e shkoja përpara si shigjetë. Një makinë nga zyra e Korpusit të Paqes së bashku me Zv/Drejtorin e Korpusit të Paqes për programet shëndetësore, Dr. Juxton Smith, zbritën dy valixhet e mia dhe një kuti me ushqime që e kisha sjellë nga kryeqyteti. Kur ai u largua me makinë, mbaj mend ndjesinë e thellë të braktisjes. Me sa kuptoj, këtë gjë e shmangin këtu, pasi ju paketojnë në një furgon të linjës së Elbasanit dhe ju urojnë fat. Unë isha 22 vjeç. Me njohuri shumë të kufizuara gjuhësore mësova si të lëvizja. Mësova si të gatuaja dhe të pastroja. Mësova t’i bëja miq njerëzit me të cilët ndaja pak gjëra të përbashkëta. Mësova si t’i kërkoja ndihmë komshiut tim. Ishte me të vërtetë pak frikësuese, por kur kthej kokën pas them se ishte koha ime e preferuar në Korpusin e Paqes. Në jetën tuaj, në kohë të ndryshme do të jeni më shumë ose më pak të hapur ndaj përvojave të reja. Ju sugjeroj se çasti i sotëm është një nga ato raste të jetës suaj kur ju do të jeni më të hapur se kurrë. Tani gjithçka duhet të bëni është të shtypni pedalen e gazit dhe të mbaheni fort gjatë udhëtimit.
Përse kemi një Program të Korpusit të Paqes?
Kur isha në Korpusin e Paqes, shumë njerëz besonin se qëllimi i programit ishte i mbrapshtë. Në Afrikën Perëndimore ka libra të tërë të shkruar për mënyrën se si vullnetarët e Korpusit të Paqes janë përdorur për të rrëzuar qeveritë dhe për të kontrolluar popujt e Afrikës Perëndimore. Më lejoni t’ju siguroj se ky është një absurditet i plotë dhe se gjëja e fundit që Uashingtoni dëshiron të bëjë është kontrolli i Afrikës Perëndimore, Shqipërisë apo 77 vendeve të tjera ku kemi Korpusin e Paqes. Ajo që jemi të përkushtuar të bëjmë është t’i ndihmojmë të 8,655 vullnetarët që shërbejnë aktualisht në Korpusin e Paqes të jenë qytetarë më të mirë globalë. Shpresojmë që të merrni me vete një pamje më të sofistikuar dhe më të mprehtë të rolit të Amerikës në botë. Shpresojmë të mësoni gjuhë të huaja dhe të ndihmoni të ndani me njerëzit anembanë botës se si janë në të vërtetë amerikanët –përtej imazheve të Hollivudit dhe të medias.
Kur iu bashkova Departamentit të Shtetit 25 vite më parë, një e katërta e klasës në të cilën isha regjistruar për në Shërbimin Diplomatik, kishin shërbyer si vullnetarë të Korpusit të Paqes. Kishim mësuar ta donim aventurën e të jetuarit në vende të tjera; të folurën e gjuhëve të rralla; dhe krijimin e lidhjeve me njerëz që kanë pasur përvoja të ndryshme jetësore. Shpresoj që për të gjithë ju periudha në Shqipëri të jetë një përvojë po aq transformuese si ajo që unë kalova si vullnetar i Korpusit të Paqes.
Dhe në përfundim, më lejoni t’ju them disa fjalë falenderimi familjeve tona pritëse.
Të dashur prindër pritës të vullnetarëve, faleminderit që ndani atë që është më e mira e kulturës shqiptare – ndjesinë e jashtëzakonshme të mikpritjes. Shpresoj që do të qëndroni në kontakt me fëmijët tuaj të Korpusit të Paqes. E di se shumë prej fëmijëve tuaj biologjikë dhe fëmijëve të Korpusit të Paqes do të mbeten përjetë miq dhe do të bëjnë vajtje-ardhje mes Shqipërisë dhe Amerikës. Ju i keni bërë këta burra dhe gra ambasadorë më të mirë të vendit të tyre. Jam i sigurtë se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ju i keni njohur ata kur sapo kishin nisur të mësonin mbi vendin tuaj. Kur ata të shkojnë në komunitetet e tyre të reja në Librazhd, Shushicë, Thanë, Belsh, Bishem, Pajovë dhe Peqin, miqtë e tyre të rinj dhe familjet pritëse do t’i pyesin se nga kanë mësur për tavën e kosit, të thonë “shëndet” pas prerjes së flokëve ose si të pijnë raki siç duhet. Mund t’ju siguroj se sa herë të ndodhë kjo, fëmijët tuaj të Korpusit të Paqes do t’ju mendojnë. Faleminderit sërish për mikpritjen tuaj të mrekullueshme. Trajnues të Korpusit të Paqes, përpara se t’ju dërgoj përmes urës imagjinare me trungje palme pa motoçikletë, kam edhe një punë tjetër për të bërë.
Nëse mundeni të ngriheni në këmbë për të bërë betimin dhe të ngrini lart dorën tuaj të djathtë:
Unë, thoni emrin tuaj, solemnisht betohem ose pohoj
se do ta mbështes dhe do ta mbroj
Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
kundër të gjithë armiqve, të huaj dhe të brendshëm,
se do të tregoj besim të vërtetë dhe besnikëri ndaj saj;
se unë e ndërmarr këtë detyrim lirisht, pa asnjë hezitim mendor apo qëllim shmangieje;
dhe se do t’i zbatoj mirë dhe me besnikëri
detyrat e mia në Korpusin e Paqes.
Ndaj, Zoti më ndihmoftë!
*Fjala e plotë e Ambasadorit Donald Lu, gjatë Ceremonisë së Betimit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes ( Tiranë 6 maj, 2016)
- « Previous Page
- 1
- …
- 305
- 306
- 307
- 308
- 309
- …
- 482
- Next Page »
