• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një letër Bujar Nishanit për çamët

May 10, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA*/

I nderuar z.Kryetar i Shtetit Shqiptar!/

Ju falënderoj nga zemra për vlerësimet që i keni bërë për të dytën herë figurave kombëtare nga Çamëria. Ndoshta jeni i vetmi kryetar i shtetit shqiptar që brenda një kohe të shkurtër keni nderuar zyrtarisht kontributin e çamëve për çështjen tonë kombëtare.

Në 23 qershor 2014, ju vlerësuat me Dekoratën “Nderi i Kombit” atdhetarin Abedin Dinon (pas vdekjes), dhe me titullin “Naim Frashëri” historianin e njohur Ibrahim Hoxhën. Dy figura të njohura që vijnë nga Çamëria, pjesë e trojeve shqiptare të tjetërsuara me luftë nga Greqia. Pas dy vitesh, më 8 Maj 2016, ju organizuar një pritje institucionale me temë: “Kontributit të popullsisë çame në Luftën e Dytë Botërore me rastin e 71 vjetorit të fitores historike të koalicionit ndërkombëtar kundër nazifashizmit. E pra, i nderuar z.Nishani për mua si historian dhe si shqiptar e vlerësoj lartë gjestin tuaj për të nderuar lartë figurat tona kombëtare nga Çamëria. Pa harruar edhe një falënderim për ish-kryetarit e Shqipërisë z.Alfred Moisu i cili më 8 shkurt 2005 nderoi me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, dy pjesëtarë të komunitetit çam, Nuri Emin Zane (pas vdekjes) dhe Hajri Hasan Fetahu (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë, dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos në Gjermani”.

Çamët janë pjesë e kombit shqiptar, ata s’janë minoritet brenda trungut tonë familjar edhe pse janë trajtuar nga shteti shqiptar që nga viti 1945 e deri më sot si njerëz të dorës së dytë. Për fatin e keq ende qeveritë tona nuk kanë një strategji kombëtare për zgjidhjen e çështjes çame. Qeveritë të drejtuara ndër vite nga PD dhe PS nuk kanë guxuar që në krye të ministrive të vendosin një shqiptar me origjinë nga Çamëria. Përse ky racizëm brenda familjes sonë kombëtare? Çamët janë njerëzit e punës, të urtë, paqësor, nuk njihen historikisht si shqiptar grindaveca. Prandaj askush të mos trembet nga emri çam dhe Çamëri, sepse s’ka çam të pabesë, por ka shqiptar të pabesë ashtu siç ka shqiptar me besë.

Ne nuk duhet të harrojmë çështjen çame, nuk duhet të lejojmë që ajo të varroset, të mbulohet me pluhur sepse nëse e lejojmë një gjë të tillë ne kemi mohuar dhe harruar trashëgimin tonë kombëtare, ndoshta më të lashtën dhe thelbësore, atë që shqiptarët kanë lidhje trashëgimie më shumë se të tjerët me Trojën, Pirron dhe Aleksandrin e Madh.

Në përfundim z.Kryetar Nishani ju them se është shteti ai që bënë kombin dhe jo kombi që bënë shtetin. Greqia në fillim të shek.19, (1821), u themelua si shtet nga shqiptarët, më tej në vitet 1832 u forcua nga vllehët, sllavët, hebrenjtë, gjermanët, italianët, etj., dhe si përfundim u themelua kombi grek. Ndërsa shqiptarët kanë patur gjithnjë kombësinë por nuk po forcojnë prej kaq dekadash institucionet shtetërore. Kjo është tragjike për ne si një komb kur shikon pas historinë se kemi kontribuar në rreshtin e parë për themelimin e shteteve të tjera si Turqia, Italia, Rumani, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, Egjipti, etj. Prandaj të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë për një qëllim, për forcimin e institucioneve shtetërore sepse ashtu ne forcojmë kombësinë dhe ndihemi të fuqishëm dhe të barabartë në tavolinën ndërkombëtare.

*Historian dhe publicistë i pavarur

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Bujar Nishanit, Nje Leter, për çamët

NJË LETËR E Z. M. KRUJËS MINISTRIT P. MBRENDËSHME

October 9, 2015 by dgreca

Botoi e përjavëshmja “Dajti”, Tiranë , e Martë, 24 qershor 1924 /

Tue marrë vesht se Z. M. Kruja ishte ftue prej Ministrit të Mbrêndshëm, Z. N/Kolonel Rexhep Shalës qi të pranonte zyrën e Këshilltarís t’asaj ministríe qemë gëzue tepër e me këtë na qe mbushun mêndja se i ndershmi ministër, ndër shumë vërtyte e meritime të tjera, paska dhe atë të zgjedhjes së njerëzvet t’aftë e të ndershëm në zyrat e Shtetit. Me Z. Rexhep Shalën në krye e Z. M. Krujën si Këshilltar do të ishim plotësisht të sigurtë se Ministria e Mbrêndëshme nuk do t’ushqente mâ në gji të saj, si në qêndër ashtu në krahina, parazita qi, përveç me i pi gjakun si ushûjzat, nuk i vlejnë për farë gjâje popullit.

Por mjerisht mâ vonë, kur miqt e vet po pregatiteshin për t’i vajtun n’urim Z. M. Krujës, u ndigjue se puna diku kishte ngecun e s’ishte krye edhe rregullisht. Deshëm të marrim vesh të vërtetën, u sulëm kah qarqet intelektuale e na thanë se Këshilli Ministruer s’e paska pranue proponimin e Min. së Mbrendëshme ! Nuk mund t’a kuptojshim  se ç’kundërshtim do të kenë pasun për një nga mâ të nxehtit e të parët flamurtarë të demokracís shqiptare, ministrat e dalun prej nji revolucioni kundra feudalizmit. Dhe nuk e besuem. U drejtuem ku duhej për të marrë informata mâ të sakta dhe kështu mësuem se çâshtja as qênka vue fare në bisedim të Këshillit Ministruer, jo pse mund të kishte kush kundrështim për të, por për disa arsye të tjera qi na i shpjegon mâ së miri teksti i letrës së botueme këtu poshtë.   

Tiranë, 21 – VI – 1924

Fort i ndershmi mik,

Tue më proponue me 17 të këtij mueji bashkpunimin t’êm me Z. t’Uej, si këshilltar i ministrís, qi populli Ju ngarkoi për mâ të madhen vepër patriotike qi dijtët me krye si prîs i merituem i fuqivet kombtare të përmbledhuna kundra feodalizmit gjaksuer, më konfirmuet edhe nji herë atë besim të plotë qi nji varg shërbimesh të përbashkta, në kohnat e kalueme, kanë ngulun të patûndshëm në zêmrën t’Uej për mue si edhe në t’êmen për Ju.

Un, tue qênë se qysh kur isha në mërgim kisha vêndue me i u largue për sa kohë aktivitetit politik të përmbrêndshëm, me gjithë dëshirën e vullnetin e plotë t’êmin me i shërbye kauzës së demokracís qi âsht baza e pavarmënís politike e shoqnore të kombit t’onë, asaj kauze për të cilën kam shkrî të tânë jetën t’ême të kalueme, ju luta qi të më lêjshit kohë për me u mêndue në do t’a shihshem proponimin t’Uej të pajtueshëm me vêndimin qi kisha dhânë me kohë. Ju ngulët kâmbë tue më sigurue se zyra e proponueme kishte nji karakter teknik e administrativ, kurse përgjegjsija politike e ministrís ju përkiste drejt për drejt juve e vetëm juve si titullar i saj. Ndonse jo fare i bindun nga pikpamja praktike, u pashë i shtrënguem me ju ndigjue e me ju dhânë fjalën për pranim.

Mirpo qysh atë ditë në mbrâmje, mbas disa orësh qi isha damun prej jush, u gjeta para këshillave shumë të nxêta të disa shokve, qi e kishin pasë marrë vesht punën, për mos me i dalë zot asaj barre. Këshillat mund të kishin për bazë arsye të vërteta e të shëndosha ase të gabueshme. Por fakti âsht qi në pak kohë e sipër muerën ngjyrë kritikash e polemikash nëpër udhë e kafe ndërmjet elementash të nji ideali a të nji parimi. Për mue si ata qi bashkë me Z. t’Uej gjykojshin në favor, si tjerët qi më këshillojshin kundra janë shokë e miq të ndershëm, të cilët duhet të bashkpunojnë në harmoní për realizimin e idealit të përbashkët qi âsht rrânjimi i nji regjimi me të vërtetë demokratik.

Prandêj tue besue se mund të zhduket pak së paku nji shkak i vogël dasíe në mes të këtyne elementëve të çmueshëm të demokracís shqiptare, m’u duk nji detyrë patriotike me e zgjidhun veten prej fjalës qi Ju kam dhânë për me qênë edhe mâ i lirë me  i këshillue të dashunit shokë qi, para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin, t’a bâjmë ashtu si na këshillon ideali i përbashkët në çase entuziazmi.

Më falni pra, Z. Ministër, e më besoni plotsisht se, si në pranim ashtu edhe tashti në refuzim të proponimit t’Uej, s’kam pasun tjetër gjâ para sŷsh veçse sakrifik e abnegatë për të mirën e atdheut të dashun.

Njiheras me këtë letër qi jam tue ju paraqitun kam lajmue me nji deklaratë të posaçme edhe shtypin t’onë se deri sa të këthehet gjêndja normale kam me ndêjtun jashtë ç’do zyre shtetnore si nji shërbtuer thjesht privat e i lirë i idealit tue sigurue edhe Z. t’Uej se s’kam me u kursye n’as nji mënyrë për ç’do qi të kujtoni se mund të ju vlej me këtë cilsí.

Nat’ e ditë jam në dispozitë të Z. s’Uej e të shokvet.

Plot nderime e besë.

Sh D. Deklaratën për të cilën flet kjo letër e muerëm dje. Mêndimi i auktorit të saj qi mund t’i sillte mâ shumë shërbim Atdheut tue ndêjtun hâ për hâ i lirë nga ç’do zyrë shteti nuk na pëlqeu aspak. Sepse neve na duket se sod mâ fort se kurrë kombi ka nevojë të shohë në krye të punës  njerzit e tij mâ të zotët e mâ të vjefshëm për kulturë, energjí, moral e patriotizëm si ç’asht Mustafa Kruja e të gjithë ata qi kemi sod në fuqí. Prandêj ndîesía patriotike na shtrëngoi qi të mos i a botojmë deklaratën qi na dërgoi e t’i lutemi nga ana e jonë botnisht mos me u largue prej shërbimesh t’atdheut edhe sikur të jetë nevoja me sakrifikue simpatín e disa shokve të dashun nga ata qi shënon vetë në letër.

Marrë nga e përjavëshmja “Dajti”, Tiranë , e Martë, 24 qershor 1924

Filed Under: Histori Tagged With: E Z. M. KRUJËS, MINISTRIT P. MBRENDËSHME, Nje Leter

Kur lexova një libër dhe… një letër

September 30, 2015 by dgreca

Nga Eshref Ymeri/

Para pak ditësh lexova librin mjaft interesant të publicistit të mirënjohur Xhevdet Shehu, me titull “Prapaskena”. Sot, më 30 shtator, në gazetën “Dita”, lexova edhe letrën që Nexhmije Hoxha i drejtonte autorit të këti libri. Në librin në fjalë shkruhet e zeza mbi të bardhë dhe del në pah fare shkoqur se Enver Hoxha ishte duke përgatitur pasardhësin. Por pasardhës i denjë për mendësinë e Enver Hoxhës, i cili në çdo hap shikonte vetëm armiq, nuk mund të ishte Mehmet Shehu. Pasardhës duhej të ishte vetëm Ramiz Alia, njeriu pa “klorofil politik”, siç e ka karakterizuar bukur fare Xhelil Gjoni. Sepse, sipas bindjes sime të patundur, Enver Hoxhën, thellë në vetëdijen e tij, e kanë pasë munduar gjatë komplekset e inferioritetit para Mehmet Shehut, i cili, megjithëse pjellë e diktaturës komuniste, kishte një tjetër formim si burrë shteti dhe, siç del nga libri i Xhevdet Shehut, tjetër këndvështrim për zhvillimin e vendit, me orientim perëndimor. Ishin pikërisht komplekset e inferioritetit ato që e patën torturuar Enver Hoxhën edhe para lules së inteligjencies shqiptare, të cilën, fill pas luftës, ai e zhduku pa iu dridhur qerpiku. Sepse ajo kishte kulturë universitare perëndimore, kurse Enver Hoxha s’qe i aftë të përfundonte ndonjë universitet në Perëndim. Por Nexhmije Hoxha, në letrën që i drejton Xhevdet Shehut, e anashkalon qëllimisht arsyen e vërtetë të shpërthimit tërbimtar të Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehur, fill pas ikjes së këtij të fundit për në botën e përtejme. Si shpjegohet që deri natën duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, Enver Hoxha nuk dinte gjë absolutisht për “poliagjentizmin” e Mehmet Shehut dhe menjëherë pas (vetë)vrasjes së tij, ai na e shpalli poliagjent, pa i paraqitur opinionit publik asnjë fakt konkret? Shpërthimi egërsor i Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehut, dëshmonte fare qartë se urrejtja mitike kundër këtij të fundit kishte kaluar një periudhë të gjatë inkubacioni në qenien e Enver Hoxhës. Prandaj ai ka pasë pritur rastin më të përshtatshëm për ta shfryrë atë urrejtje të ndërkryer, që është mjaft karakteristike për monarkët e diktaturave më të egra. Madje nuk u mjaftua me “vrasjen” e Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike, por iu turr edhe kufomës së tij në varrezat e Sharrës dhe e degdisi diku në një humbëtirë të Ndroqit. Kaq katastrofik na paskej qenë inati mizor i Enver Hoxhës kundër kryeministrit Shehu dhe familjes së tij. Po kush na siguron që atë punën e fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun nuk e ka pasë kurdisur vetë Enver Hoxha me rrjetin e tij, në mënyrë që të gjente një vjegë ku të kapej për t’ia zënë kokën me derë Mehmet Shehut, siç edhe ia zuri konkretisht?

Në letrën e saj, Nexhmije Hoxha deklaron: “Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.

Kjo është një deklaratë absurde. Me këtë deklaratë, Nexhmije Hoxha kërkon të fshehë gjurmët e krimit të Enver Hoxhës. Po a nuk ishte Enver Hoxha ai që e vendosi Mehmet Shehun para “skuadrës së pushkatimit” në mbledhjen e Byrosë Politike në pasditen e 17 dhjetorit 1981? A nuk ishte ai që ndërseu kundër tij turmën servile të Byrosë Politike? Vallë a nuk ishte Enver Hoxha ai që Mehmet Shehun e vrau për së gjalli atë pasdite ogurzezë? Pas asaj pasditeje gjëmëndjellëse, ku Byroja Politike, me yshtjen e Enver Hoxhës, kishte marrë përsipër rolin e “skuadrës së pushkatimit” të Mehmet Shehut, ç’rëndësi ka që lexuesi të rri e të përsiatë gjatë nëse ky i fundit ia hoqi vetes apo dikush tjetër ia shkrepi në zemër me një pistoletë pa zhurmë. Sepse Enver Hoxha e pati vrarë Mehmet Shehun që në atë mbledhje poshtëruese që pati organizuar kundër tij, në bashkëpunim të ngushtë me konet e veta, anëtarët e Byrosë Politike. Dhe e vetmja arsye, bindëse, sipas Enver Hoxhës, për poshtërimin e Mehmet Shehut në atë mbledhje të Byrosë Politike, na paskej qenë fejesa e djalit të tij me Silva Turdiun, paçka se babai i saj punonte profesor në universitet. Sigurisht që ajo fejesë shërbeu thjesht si vjegë, pas së cilës Enver Hoxha u kap me thonj e me dhëmbë për zhdukjen e Mehmet Shehut, me qëllim që drejt kryepushtetit t’i hapej drita jeshile Ramiz Alisë, njeriut pa shtyllë kurrizore që doli para publikut me deklaratën paradoksale, sipas së cilës Shqipëria nuk na qenkej as Lindje, as Perëndim. Kjo është edhe arsyeja që Nexhmije Hoxha e anashkalon qëllimisht motivin e vërtetë të zhdukjes së Mehmet Shehut prej Enver Hoxhës. Sepse pjellat e diktaturave i tremben së vërtetës si djalli vetëtimës.

Tiranë,  30 shtator 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Eshref Ymeri, Kur lexova një libër dhe, Nje Leter

Nje Leter nga Amerika per Kryeministrin e Shqiperise per pronen e trasheguar

December 14, 2014 by dgreca

Shkruan:LORO STAJKA/ Virxhinia /SHBA/

Kryeministrit te Republikes se Shqiperise z. Edi Rama,/
Unë , quhem Loro Stajka, jam një nga ata shqiptarë që diktatura sllavokomuniste më detyroi në vitin 1948 të largohem nga atdheu im. Mbas sa kohe, kam emigruar në SHBA dhe jetoj në Virxhinia të SHBA, por zemër e mendje I kam në Shqipëri dhe më saktë në Shirokë, në vendin tim, në shtëpinë time, aty ku u linda dhe u rrita. Pas vitit 1991 si të gjithë shqiptarët, u gëzova për përmbysjen e bustit të diktatorit, por jam i pezmatuar pasi në fakt demokracia akoma nuk është vendosur, komunistat ia kaluen stafeten njeni tjetrit keshtu qe komunizmi ende nuk asht crrenjosun se ne emnin e demokracise ata po zhvillojne interest e tyre edhe ma shume se sa ne kohen e dsiktatures se mallkuar
Sot jam në moshë të thyer por lavdi Zotit, gëzoj shëndet të plotë. Jetoj mirë e bukur me familjen time në SHBA, por më shqetësojnë problemet e mija që mi kanë shkaktuar qeveritë e Tiranës të pas vitit 1991 e deri më sot nga mos respektimi i të drejtës për të gëzuar pronën e time të trashëguar.
Problemi im me pronat e trashëguara është i ngjashëm me ato të bashkëfshatarëve të mij dhe të gjithë popullit. Anarkia e pronës është një shkelje sistematike që zgjidhet me një qendrim shtrëngues të ndërkombëtarëve, që të detyrojë qeverinë të zbatojë kushtetutën ose me një ligj që të kthejë pronat e grabitura në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe vendimin pilot të Strasburgut. Me sa pasqyronë shtypi Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, praktikisht po përdor termat kompensim, njëlloj siç bëri Sali Berisha. Më shqetëson mendimi:- a e ka dëshirën Kryeministri Edi Rama për ta shpëtuar Shqipërinë nga kjo situatë e anarkisë institucionale sepse nuk janë deklaratat ato që bëjnë shtetin ligjor dhe shtetin e të drejtës.
Këtë radhë për këtë shkrim marr shkas nga një shkrim i zotit Flamur Sulejman Harri,botuar në gazetën Dielli të datës 29 Tetor 2014. Zoti Flamur tregon një realitet të hidhur për të cilin duhet të shqetësohet ministri I Drejtësisë qeveria dhe I gjithë Kuvendi I Shqipërisë. E tillë është situate për shumë pronarë të tjerë dhe askush që I thotë vetes shqiptar, nuk duhet të pajtohet me këtë situatë.

Këshilli I Lartë I Drejtësisë, Ministri I Drejtësisë dhe cilido që është i interesuar të ndihmojë për vendosjen e drejtësisë në drejtësi, e ftoj të analizojë vendimin nr.2723 date 22.11.2007 e Gjykatës së Rrethit Gjyqsore Shkodër E Perbere nga Anita Mici –Gjyqtare, avokati gjoja per te mbrojtur te drejten time Gjovalin Ulndrejaj
Hisrorija;
Ne vitin 1954 shteti komunist me shtetizoi pronen dhe shtepin time ku linda dhe jam rrit, pasi une isha I arratisur dhe konsideroihesha armik.
Prej nvitit 1993 jam perpjekur qe ne perputhje me ligjet te me kthehej prona qe me ishte konfiskuar ne vitin 1954 dhe paraqita dokumentat ne Komisjonin e kethimit dhe Kompesimit te Pronave(KKKP)-Shkoder.Ne ate document sqarohet qarte se sekuestrohet shtepija dhe kufijt e oborrit dhe te kopeshtit.Po ato kufij ka shenuar edhe KKKP e Shkoders ne vendimin e kethimit te prones me 1993,
Ne ate vendim shifen qart pengesat e ndyta ashtu si për shumë pronarë të tjerë, që është një shembull i qartë I gangsterizmit në gjykata dhe në administratë.
Ne vitin 2013 gjykata me vendim ka kethyer kater qosht e nshtepise pa oborrin dhe kopshtin.Une dhe femijt e mij, mund te hyjme ne shtepin tone vetem duke zbrit me litar nga nalt ose helicopter.
I drejtohem publikisht çdo politikani apo analisti me gjak e zemër shqiptar që të analizojë ta mbështesi apo ta rrëzojë shqetësimin tim se sistemi shtetëror në Shqipëri nuk është demokratik dhe se demkracia nuk funksionon. Për sa kohë deputetët e maxhorancës nuk votojnë një ligj, që të përmbledhi pjesën positive të dhjetra ligjeve dhe vendimeve dhe të realizojë kthimin fizik të pronave tek i zoti konform nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, ata i zgjasin jetën mafies dhe anarkisë së pronës, i shtynë shqiptarët të vriten me njëri tjetrin për shkak pronësie, praktikisht i zgjasin jetën sllavokomunizmit, bëjnë një veprimtari antikombëtare duke marrë rrogën e shtetit !
Nga 1991 e deri sot, deputetë të papërgjegjshëm me mentalitetin e tyre kleptokratik ata e kanë konsideruar pronën e konfiskuar nga komunizmi , si pronë në dispozicion të shtetit dhe sulmojnë për poste qeveritare që të pasurohen. Për tu justifikuar para opinionit perendimor dhe vendas kanë miratuar ligje dhe vendime për kompensimin apo për legalizimin. Kompensim dhe legalizime pa tjetër që duhet të ketë, por ato duhet të jenë në përputhje me kushtetutën, ndërsa ligjet aktuale për kompensim janë flluckë sapuni. Kompensim për 200 metro katrore për të lejuar që pronën ta përvetësojë oligarkia politike është mashtrim dhe vjedhje dhe një situatë me e keqe se ajo e diktaturës. Ndërkombëtarët duhet të reagojnë efektivisht ashtu siç reaguan për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike. Po ashtu dhe legalizimin I personave të tretë që kanë pushtuar toka që Shteti duhet ti kthejë tek subjekti I
shpronësuar është në vendim në shkelje flagrante të kushtetutës dhe të kërkesave të Vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.
Kjo dekadencë morale e politikanëve, e ka zhytur popullin në një skllavëri të maskuar me emrin demokraci dhe kjo situatë e anarkisë së pronës është tregues i mbijetesës së sllavokomunizmit që është përshtatur në kushtet e pluralizmit. Perëndimi ndonse ka investuar shumë në Shqipëri, terthorazi I ka ndihmue korrupsionit per shkak te qendrimit nenvleftesues ndaj detyrimit kushtetues te Shtetit per te kthyer fizikisht pronen tek I zoti.
Shpresoj se Ambasadori i SHBA në Tiranë dhe ambassadorët e tjerë nuk do të vazhdojnë ta anashkalojnë këtë situatë të nderë që bie ndesh me parimet e shtetit demokratik.
Me nderime
Loro Stajka
Dhjetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: e Shqiperise per, Loro Stajka, nga Amerika, Nje Leter, per Kryeministrin, pronen e trasheguar

Artikujt e fundit

  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj
  • #SiSot ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi
  • Koha e Gjenive: Lord Byron dhe Bonaparti
  • Napoleon-i dhe trojet shqiptare… mbi dy shekuj pas vdekjes së tij
  • KOSOVA DHE SERBIA RINISIN DIALOGUN NË NIVEL TË LARTË NË BRUKSEL
  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT