Ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright ka uruar Hashim Thaçin, presidentin e sapozgjedhur të Kosovës.Përmes llogarisë së saj në Twitter, Thaçi ka konfirmuar se ka pranuar një letër urimi nga ish-sekretarja Albright. Në këtë postim, Thaçi ka falënderuar atë për urimin.
“E nderuara zonja sekretare Madeleine Albright, faleminderit për mesazhet e urimit. Demokracia e gjallë e Kosovës është edhe meritë e angazhimit tuaj”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Twitter.Në kohën e luftës, Albright ishte ndër politikanet më këmbëngulëse për të realizuar intervenimin e NATO-s në Kosovë, që ishte përcaktues për çlirimit dhe më vonë pavarësinë e Kosovës./B.S/
Mogherini nesër në Tiranë
TIRANË, 2 Mars.- Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini do të nisë të enjten në mbrëmje(ora 19:00) vizitën zyrtare në Tiranë me takimin me Kryeministrin Edi Rama, në selinë e qeverisë. Në një informacion të Kryeministrisë bëhet e ditur se në përfundim të këtij takimi, Rama dhe Mogherini do të kenë një konferencë për shtyp.
Axhenda e takimeve të zyrtares së lartë të BE-së parashikon takime me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Presidentin Bujar Nishani dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.
Ndërsa të premten, në një seancë të posaçme, Mogherini do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Mogherini pritet të përcjellë kërkesën për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe veçanërisht realizimin e reformës në drejtësi, me qëllim që Shqipëria të mund të marrë një datë për hapjen e negociatave
SUPER E MARTA NE SHBA: Triumfojne Hillari dhe Tramp
Trump dhe Clinton arritën fitore në 7 prej 12 shteteve/
Projeksionet tregojnë se republikani, Donald Trump, dhe demokratja, Hillary Clinton, kanë arritur fitore në zgjedhjet për nominim partiak në ditën e njohur si “Super e Martë”, meqë këtë ditë mbahen votime në më së shumti shtete.
Clinton dhe Trump fituan në 7 prej 12 shteteve të Shteteve të Bashkuara, që votuan dje, sipas projeksioneve nga rrjetet televizive, CNN, Fox News, e të tjera.
Kandidati republikan, Donald Trump, fitoi në Alabama, Gjorgjia, Masaçusets, Virxhinia, Arkanzas, Vermont dhe Tenesi, ndërsa demokratja Hillary Clinton, fitoi në Alabama, Gjorgjia, Tenesi, Teksas, Arkanzas, Masaçusets dhe Virxhina.
Rivali i saj, Bernie Sanders, që përshkruhet si demokrat socialist, sipas projeksioneve fiton në shtetin e tij, Vermont, dhe Okllahoma e Kolorado.
Rivali i zotit Trump në mesin e republikanëve, senatori Ted Cruz, ka fituar në shtetin e tij, Teksas dhe në Okllahoma. Kandidati tjetër republikan, senatori Marco Rubio, fitoi në Minesota.
Pas arritjes së fitoreve të vështira në më tepër se gjysmën e shteteve në votimet në Super të Martën, zonja Clinton duket se tash po shikon kah zgjedhjet e përgjithshme dhe kah dueli i mundshëm me zotin Trump, që është një ish-yll televiziv dhe pasanik, që i shpreh hapur opinionet e tij dhe që e ka kundërshtuar migrimin.
“Asnjëherë nuk kanë qenë më të larta qëllimet në këto zgjedhje, derisa në anën tjetër po dëgjojmë një retorikë që kurrë nuk ka qenë më e ulët”, u tha Hillary Clinton mbështetësve të saj në Majami, dhe ka theksuar se “përpjekja për ndarjen e Amerikës ndërmjet neve dhe atyre është e gabueshme dhe nuk do të lejojmë që ajo të funksionojë”.
Donald Trump, po ashtu, duket se tashmë me shumë kënaqësi po fokusohet në zgjedhjet e përgjithshme. Ai e ka kritikuar zonjën Clinton, ish-sekretare e shtetit, dhe ish-Zonja e parë amerikane, duke thënë se ajo është politikane e karrierës, që ka krijuar probleme në Uashington.
“Ajo ishte atje për një kohë shumë të gjatë”, tha Trump në pushimoren e tij luksoze në Floridë, duke u premtuar mbështetësve se do “do ta ndjek” zonjën Clinton.
“Nëse ajo nuk është korrigjuar deri tash, ajo nuk do të korrigjohet gjatë katër viteve të ardhshme”, tha Donald Trump.
Derisa Hillary Clinton, rrugën e deritashme zgjedhore në Partinë Demokratike, e ka kaluar në mënyrë konvencionale, duke u mbështetur në forcën e partisë së saj dhe votat e minoriteteve dhe të tjerëve, zoti Trump në një mënyrë e ka injoruar establishmentin politik republikan, duke udhëhequr në garën zgjedhore partiake për nominim presidencial kundër dëshirës së tyre.
“Nëse Donald Trump e fiton nominimin republikan, kjo do ta ndajë Partinë Republikane dhe fundamentalisht mendoj se do ta ndajë lëvizjen konservatore”, i tha rrjetit televiziv, CBS, kandidati republikan, Marco Rubio, që ishte favorit i establishmentit partiak.
Por, zoti Trump pretendon se është “unifikues”, i cili partisë i ka sjellur votues të rinjë. Thirrjet e tij që dalin nga aftësia për t’i shprehur në mënyrë të zëshme në Uashington shqetësimet e votuesve, zemërimet e tyre dhe frikën nga terrorizmi, imigrimi dhe rritja e ngadalshme ekonomike., e ka bërë atë tërheqës në sytë e zgjedhësve.
Duke ofruar zgjidhje dhe shpeshherë duke përdorë gjuhë gati vulgare, ai ka arritur të bëhet kandidat udhëheqës republikan me premtimin që “Amerika përsëri do të bëhet e mrekullueshme”.
Votimet në ditën “Super të Martë”shtrihen prej shteteve lindore e deri tek ato në Teksas, Minesota dhe Alaska.
Për këtë arsye dhe për shkak të dallimeve kohore, votimet kanë vazhduar praktikisht deri në orët e sotme të mëngjesit në shtetet mëtutje në perëndim, kështu që pritet që numërimi i fletëvotimeve mund të zgjasë disa ditë.
Presidentit aktual, Barack Obama, i kalon edhe mandati i dytë, kështu që pasardhësi i tij do të zgjedhet më 8 nëntor të këtij viti.
KOSOVE-OKB- Tahiri: Ban Ki-moon injoron drejtësinë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë
Prishtinë, 1 mars 2016/
Ministrja për Dialog dhe njëherësh Kryetare e Bordit për peticionin ka deklaruar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon injoron drejtësinë për gratë e Kosovës të dhunuara nga forcat serbe gjatë periudhës luftës 1998-1999. Ministrja Tahiri ka bërë me dije se letra e dërguar te Ban Ki-moon në shtator të vitit 2015 në të cilin kërkohej takim me të me qëllim të diskutimit të çështjes së dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë dhe për dorëzimin e peticionit të qytetarëve të Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për këtë çështje ka hasur në një mospërfillje të padrejtë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Tani shtatë muaj nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tij theksoi Tahiri.
Ajo mëtej shtoi se në vitin 2014 ishte takuar në NewYork me përfaqësuesen speciale të OKB për çështjen e dhunimit të grave gjatë konflikteve znj. ZainabHawaBangura me të cilën kishte biseduar këto çështje, ndërsa menjëherë pas përfundimit të nënshkrimit të peticionit nga qytetarët e Kosovës i kishte shkruar asaj një letër me kërkesë për takim me Sekretarin e PërgjithshëmBan Ki-moon për dorëzim të peticionit. Mirëpo, znj. Bangura në përgjigjen e saj të vonuar kishte propozuar që peticioni t’i dorëzohet UNMIK-ut. Duke qenë se UNMIK nuk është kompetent për këtë çështje dhe duke marrë parasysh se peticioni i është adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki-moon, ne iu drejtuam me letër atij dhe deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.
Dëshiroj të theksoj se OKB dhe vet z. Ban Ki- moon vazhdimisht theksojnë nevojën urgjente për drejtësi ndaj grave të dhunuara gjatë luftërave dhe janë miratuar një varg rezolutash për këtë çështje, mirëpo ky përkushtim nuk po zbatohet praktikisht.
Ministrja Tahiri ka potencuar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon raporton katër herë në vit mbi gjendjen në Kosovë pranë Këshillit të Sigurimit dhe përderisa në këto raporte adresohen gati të gjitha çështjet e rëndësishme të paqendërtimit në Kosovë, ai vazhdimisht ka injoruar çështjen e drejtësisë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, rasti i fundit ishte dje kur në NewYork u mbajt seanca e radhës e KS të OKB mbi situatën në Kosovë.
Tahiri paralajmëroi intensifikimin e hapave për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me padrejtësinë që OKB po e bënë ndaj të mbijetuarave të dhunimit gjatë luftës në Kosovë duke injoruar drejtësinë për to dhe duke lënë kriminelët nga radhët e forcave serbe të pandëshkuar.
Në vijim gjeni letrën e ministres dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon në gjuhën shqipe si dhe origjinalin në gjuhën angleze.
Letra e ministres, Edita Tahiri, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon
Të nderuarit Z.Ban Ki-moon
Sekretar i Përgjithshëm, Kombet e Bashkuara
Selia Qendrore e OKB, NewYork
NY 10017, USA
Prishtinë, 21 shtator 2015
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm Ban Ki-moon,
Proceset rindërtuese pas periudhës së konfliktit në Kosovë kanë nxjerr në pah se rreth mbi 20000 gra janë përdhunuar dhe abuzuar nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, tragjedia e dhunimit si krim lufte në Kosovë nuk është adresuar nga asnjë mekanizëm ndërkombëtar i drejtësisë.
Rezoluta 2106 (2013) e Këshillit të Sigurimit e OKB definon qartë se “dhuna seksuale mund të përbëjë krim kundër njerëzimit apo është një akt i gjenocidit” si dhe “përdhunimi dhe format e tjera të dhunës së rëndë seksuale gjatë konflikteve të armatosura janë krime lufte.” Rezoluta 2106 njeh faktin se një hetim dhe dokumentim efektiv i dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura është i rëndësishëm përsjelljen e autorëve para drejtësisë dhe siguron qasje në drejtësi për të mbijetuarit. Ndërsa raportet vjetore të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve, duke përfshirë edhe Raportin e vitit aktual S/2015/203 të datës 23 mars 2015, ofron një dokumentim të vlefshëm mbi këto fenomene në shumë konflikte në mbarë botën, në këto raporte nuk përfshihet rasti i Kosovës.
Ne, gratë në Kosovë kemi vendosur të flasim. Ne kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të përdhunuara gjatë konfliktit të viteve 1998-1999. Prandaj, me mirësi kërkojmë një takim me ju për të diskutuar këtë çështje, në përputhje me Rezolutën 2106 e KS të OKB (2013) dhe duke pasur parasysh se Kombet e Bashkuara mbështesin plotësisht parimin e sigurimit të shërbimeve për të mbijetuarit dhe dhënien fund të mosndëshkimit. Besojmë se një hap i parë në këtë përpjekje është një raport i besueshëm i bazuar në dhe prova, për të cilin kërkohet angazhimi të dyja palëve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe autoriteteve të Kosovës.
Dështimi për të kërkuar drejtësi për krimet e dhunës seksuale minon pajtimin, thellon vuajtjet, dhe ushqen riciklimin e konfliktit. Tani ka ardhur koha për drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të dhunuara gjatë luftës 1998- 1999. E drejta ndërkombëtare humanitare, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj gruas (CEDAW) dhe Rezolutat e OKB mbi këtë çështje, bëjnë thirrje të qartë se çështjet e dhunës seksuale në konflikte nuk duhet të mbesin edhe më tej të injoruara dhe të pandëshkuara.
Legjitimiteti i kërkesës së lartpërmendur rrjedh nga peticionit që është mbështetur/nënshkruar nga më shumë se 100000 qytetarë të Kosovës. Ne, Bordi i Drejtues i Grave të Kosovës për Peticionin, duke pasur parasysh se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, kemi zgjedhur të përdorim instrumentin demokratik të peticionit me qëllim që thirrja e tyre për drejtësi të dëgjohet nga ju.
Prandaj për këtë qëllim më herët kam komunikuar me Znj. ZainabHawaBangura, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit Gjeneral të OKB mbi Dhunën Seksuale në Konflikte, e cila sugjeroi se kërkesa jonë dhe peticion të dorëzohet tek UNMIK. Përderisa ne do të kërkojmë që këtë letër UNMIK-u t`ua dorëzoj juve, ju bëjmë me dije se Peticioni i qytetarëve të Kosovës u është adresuar Juve, andaj presim mbështetjen tuaj si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Përveç kësaj, zëvendëskryeministrinjëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës, z. Hashim Thaçi, në fjalimin e tij të mbajtur në takimin e KS të OKB të datës 21 gusht të këtij viti, u bëri thirrje anëtarëve të KS të OKB për të mbështetur peticionin e qytetarëve të Kosovës që kërkojnë drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të përdhunuara gjatë luftës.
Përndryshe, personalisht shumë shpresoj se ju si një i diplomuar në Universitetin e Harvardit,KennedySchoolofGovernment, në vendimin tuaj për t`u takuar me ne, do të integroni filozofinë dhe vlerat e shkollës sonë të përbashkët, shkollë kjo ku edhe unë kam studiuar dhe diplomuar në vitin 2002.
Sinqerisht shpresoj se do të marrë përgjigje pozitive nga ju.
Ju lutem pranoni konsideratat e mia më të larta për lidershipin tuaj shumëvjeçar në këtë mision të OKB-së.
Sinqerisht,
Edita Tahiri
Kryetare
Bordi i Drejtues i Grave të Kosovës për Peticion (BDGKP)
ADEM DEMAÇI, SIMBOL I QËNDRESËS SHQIPTARE
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes/
Nga Xhelal Zejneli/
Adem Demaçi lindi në Prishtinë më 26.02.1936. Është veprimtar për çështjen kombëtare në Kosovë, por edhe për të drejtat e njeriut. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd. Në vitet ’50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, vjersha dhe përkthime letrare.
U bë i njohur me veprën “Gjarpinjtë e gjakut” që u botua në vitin 1958 e që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim. Pas daljes nga burgu më 1961, vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari, në vitin 1964 u dënua me 15 vjet heqje lirie. Në gjyq mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur ndër shqiptarët në Jugosllavi. Më 8 qershor 1974 u lirua nga burgu, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990.
Për qëndresën e tij gjatë 28 viteve në burg, si disident në Jugosllavi, në vitin 1991, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg.
E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë detyrë e mbajti deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqje, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999).
Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Demaçi ka mbajtur ligjërata në Degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas ka ushtruar veprimtari shoqërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ndër shqiptarë, njihet edhe si baca Adem.
Është një ndër figurat më madhore të kombit shqiptar. Është i njohur edhe në skenën ndërkombëtare. Është simbol i qëndresës së shqiptarëve në Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të serbëve, të malazezëve dhe të sllavo-maqedonasve ndaj shqiptarëve. Ideal i bacës Adem ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, përkatësisht krijimi i Shqipërisë etnike. Ky atdhetar i dorës së parë është një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Është nderi dhe krenaria e kombit. Me një fjalë, është institucion në vete. Nuk është anëtar i asnjë partie dhe nuk voton për asnjë parti, edhe pse para rreth një viti e gjysmë ka deklaruar se e mbështet krahun e luftës. Nuk ka dashur të formojë parti politike, vetëm e vetëm që të mos shkaktojë përçarje në hapësirën politike shqiptare. E kanë quajtur Mandela i shqiptarëve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 355
- 356
- 357
- 358
- 359
- …
- 484
- Next Page »