• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN 

February 6, 2026 by s p

PËR — “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara.

Nga Frank Shkreli 

Çdo vit, pothuajse pa përjashtim, politikanë nga Tirana dhe Prishtina zbarkojnë në Washington për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve”, (National Prayer Breakfast). Këtu e kam fjalën për të gjithë dhe pa dallim, dmth – pjesëmarrës të pozitës dhe opozitës – sepse në frymën e pa-anësisë, autoritetet amerikane në bashkrendim me Fondacionin që organizon këtë tubim vjetor, ftojnë në këtë tubim përfaqësues politikë — pa dallim dhe pa preferencë politike nga shumë vende të botës, 2-3 mijë veta – përfshir trojet shqiptare, përfaqsues të pozitës dhe opozitës politike, por edhe përfaqësues nga, shoqëria civile e ente të tjera, përfshir ato fetare. 

Që nga viti 1953, Mëngjesi Kombëtar i Lutjes ka bashkuar liderë, miq dhe pjesëmarrës nga i gjithë spektri politik amerikan dhe ndërkombëtar për një qëllim të vetëm dhe të thjeshtë – lutjen!  Frank Shkreli: Fuqia e lutjeve | Gazeta Telegraf – “Tubimi është një mundësi për anëtarët e Kongresit amerikan që të lutën së bashku për Amerikën, Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe liderë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në frymën e dashurisë dhe pajtimit, ashtu si e mësoi Jezusi i Nazaretit 2,000 vjet më parë. Çdo president i Shteteve të Bashkuara, pa marrë parasysh partinë ose bindjen fetare, ka marrë pjesë që atëherë. Të gjitha besimet janë të mirëpritura.” National Prayer Breakfast – The purpose of National Prayer Breakfast Foundation is to organize and allow members of the United States House of Representatives and the United States Senate to host an annual National Prayer Breakfast.

Ky pra është qëllimi i këtyre tubimeve kombëtare/ndërkombëtare në Washington për të gjithë të ftuarit në Mengjesin e Lutjeve, përfshir përfaqsuesit politikë e fetarë të Kombit shqiptar, si çdo vit më parë, ashtu edhe këto ditë në Washington. Nuk dua të përmend emra sepse ky shënim nuk ka në shënjestër asnjë politikan/e aktual, ose parti politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Kam venë re se për dekada që kam punuar e jetuar në Washington, e njëjta ka ndohdur sa u përket pjesëmarrësve shqiptarë në Mengjesin e Lutjeve: e kanë përdorur këtë takim, jo aq shumë për lutje, por më shumë si një rast për promovimin politik të vetes dhe të partive plitike që ata përfaqësojnë, duke menduar gabimisht se Mengjesi i Lutjeve është një tubim zyrtar shtetëror. Gati pa përjashtim, pjesëmarrësit politikë shqiptarë në këto tubime kthehen në atdhe me valixhe plot fotografi, deklarata pompoze dhe tituj propagandistikë që ata vet shpërndajnë në rrjetet sociale dhe në mediat mbështetse të tyre në atdhe, në përpjekjet për ta “shitur” këtë event ceremonial si një sukses madhor diplomatik, për ata si individ dhe për partitë e tyre. Kthehen n atdhe edhe deklarata pompoze dhe propagandë të gatshme për konsum të brendshëm, sikur të kishin firmosur traktate shtetërore. Në realitet, nuk kanë firmosur asgjë.  E vetmja gjë që mungon sivjet, është vizita tek VOA, normalisht e doemosdoshme për politikanët shqiptarë në Washington gjatë viteve, për tu intervistuar nga redaksia shqip e Zërit të Amerikës.

Por sa për informacion për të gjithë ata, që gjatë tre dekadave të fundit, për të cilët e kam fjalën, për pjesëmarrsit pra të partive politike shqiptare këtë vit dhe në të kaluarën, realiteti i këtyre tubimeve vjetore është më i thjeshtë dhe e vërteta ndoshta pak më e hidhur. Nëqoftse mendojnë se pjesëmarrja e tyre në Mengjesin e Lutjeve dhe fotografitë me zyrtarë të lartë amerikan me shtërngim duarsh është një dëshmi influence politike, atëherë ata gënjejnë veten, por edhe më keq gënjejnë zgjedhsit shqiptarë tëcilët ata përfaqësojnë. E vërteta është se Mengjesi i Lutjeve është një ngjarje simbolike, fetare dhe publike, ku marrin pjesë mijëra të ftuar nga e gjithë bota, shumica pa asnjë rol vendimmarrës në politikën amerikane. Nuk është pra takim diplomatik as zyrtar, në asnjë kuptim të fjalës.

Por, ashtu si në të kaluarën, elita politike e Shqipërisë dhe Kosovës edhe sot këtë ritual lutjesh po e shndërrojnë në një instrument mashtrimi politik për publikun vendas. Realiteti është se Shqipëri, politikanë që flasin për “partneritet strategjik me SHBA-të” përdorin Washingtonin si sfond, ndërsa në Tiranë drejtësia mbetet e politizuar, korrupsioni mbrohet nga pushteti zgjedhjet kontestohen dhe institucionet përdoren si zgjatim partie.  Në Kosovë, ndërkohë, politikanët që predikojnë “vlera perëndimore” bëjnë selfie në Capitol Hill, ndërsa në Prishtinë: përçahen institucionet, tensionohen raportet me aleatët, relativizohet përgjegjësia shtetërore, politika e brendshme sundohet nga populizmi dhe konfrontimi politik.  Pra me gjithë fotografitë me buzqeshje të shkrepura me zyrtarë amerikanë për albume private fotografishë, sin ë Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, Washingtoni përdoret si dekor legjitimiteti, jo si burim parimesh.

Ironia është e thellë: shkojnë për t’u lutur në SHBA, por nuk qeverisin me etikë në shtëpi. Mund të luten ndoshta në grup me të tjerët për bekim ndërkombëtar, por shmangin llogaridhënien kombëtare në vendet e tyre.   Amerika, nga ana tjetër, megjithe as ajo nuk pretendon se është e përsosur, nuk e matë miqësinë me foto, as me pjesëmarrje ceremoniale.  Washingtoni zyrtar, në përgjithsi, e matë miqësinë me respekt për sundimin e ligjit, për funksionim të institucioneve, për ndarje të pushteteve dhe për mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, Prandaj, për derisa këto vlera mungojnë në Shqipëri dhe Kosovë, çdo “pushtim” i Washingtonit për Mëngjesin e Lutjeve mbetet një shfaqje e zbrazët propagandistike—një lutje publike për të fshehur dështimet politike në shtëpi. Është hipokrizi, gjoja të lutesh në Mengjesin e Lutjeve në Washington, nëse qeveris kundër vlerave që përfaqëson Amerika.

Edhe njëherë pra, Mëngjesi i Lutjeve në Washington nuk është diplomaci shtetërore as nuk është takim zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Por mbi të gjitha nuk është dëshmi e mbështetjes amerikane për politikat e e njerës apo tjetrës qeveri në Tiranë e Prishtinë. Por është një tubim kombëtar/ndërkombëtar, simbolik, ceremonial, ku ftohen mijëra njerëz nga e gjithë bota—politikanë, klerikë, biznesmenë, aktivistë, shumica pa asnjë peshë reale në vendimarrjen amerikane.

Frank Shkreli

Nënë Tereza duke folur në Lutjen e Mengjesit, 3 shkurt, 1994 e rrethuar nga Presidenti Bill Clinton, Zëvëndës Presidenti Al Gore dhe udhëheqës të Kongresit amerikan

Filed Under: Komente

Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve

February 5, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Osmanët shfrytëzuan fuqinë bashkuese të fesë për të integruar grupe të ndryshme. Mileti i parë i themeluar zyrtarisht ishte ai ortodoks në vitin 1454, pasuar nga armenët në 1461 dhe hebrenjtë në 1839, të cilët u përfaqësuan nga një udhëheqës i zgjedhur nga komuniteti hebre i Stambollit në 1453. Secili milet jomysliman kishte të drejtën të përfaqësonte anëtarët e tij para gjykatës osmane dhe të vetëqeverisej brenda. Ata kishin të drejta për të mbledhur taksa, gjykuar dhe rregulluar jetën e anëtarëve të tyre, për sa kohë këto të drejta nuk binin ndesh me ligjin islam dhe strukturën e ndjeshme të qeverisë myslimane(Hupchick, 2001:134). Sipas mendimit të pranuar gjerësisht, pas pushtimit osman, shoqëritë indigjene të Ballkanit u lanë pa elitën e tyre sunduese, e cila ose u detyrua të largohej nga vendet e saj, ose u shkatërrua nga osmanët. Në këto kushte, Kisha përfaqësoi strukturën e vetme të mbetur që ishte në gjendje të administrojë çështjet e përditshme të popullsisë jo-fetare(Kursar, 2013:98).

Osmanët nuk bënin dallime mes besimtarëve ortodoksë grekë, bullgarë, serbë, maqedonas apo rumunë, duke i grumbulluar të gjithë në një milet të vetëm. Megjithatë, autoritetet myslimane ishin të vetëdijshme për dallimet etnike mes këtyre grupeve. Kjo bashkësi, megjithatë, përfaqësonte një unitet fetar më shumë se sa etnik(Detrez, 2015: 3; Yılmaz, Erdem , 2020: 2564).

Konceptit i sistemit të miletit ishte një burim ankesash për qeverinë osmane, fuqitë evropiane dhe komunitetet jo-myslimanë. Për qeverinë osmane, ai ishte një pengesë për osmanizimin, pasi mbante fuqinë e komuniteteve jo-myslimane urbane, klerit dhe liderëve lokalë të komunitetit. Po ashtu, për intelektualët jo-myslimanë, sistemi i milletit e pengonte lindjen e vetëdijes kombëtare dhe zhvillimin e një kulture etnike dhe sekulare mes individëve që ndanin të njëjtën kulturë, gjuhë dhe komb (Karpat, 2011: 173;Yılmaz, 2020: 2565).

Nëse, siç mendojnë shumica e historianëve, vetëdija kombëtare në Ballkan filloi të formohej në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, lind pyetja se cilin identitet kishin njerëzit para kësaj periudhe. Ata identifikoheshin kryesisht me grupe etnike, fetare, lokale ose profesionale, si shqiptarë, bullgarë, grekë, myslimanë, katolikë dhe të tjerë. Këto forma identiteti kolektiv mund të bashkëjetonin dhe nuk përjashtonin njëra-tjetrën, dhe në varësi të situatës dhe pranisë së “tjetrit të rëndësishëm”, një prej këtyre identiteteve mund të merrte dominance(Gaitanos, 2022: 60-61). Në periudhën midis shenjave të para të identitetit modern kombëtar në Ballkan, nga vitet 1780 deri në fillimin e shekullit të njëzetë, kur të gjitha nacionalizmat e mëdha ballkanike (përveç atij shqiptar) ishin tashmë të formuara dhe të konsoliduara, ekzistonin dy lloje identitetesh që zhvilloheshin paralelisht: identiteti etno-religjioz (proto-kombëtar) mes fshatarëve dhe identiteti kombëtar mes grupeve të patriotëve(Markovich, 2013: 246-247).

Edhe pse shumica e historianëve priren ta pranojnë fenë si faktor vendimtar të formimit të komuniteteve në periudhën para-kombëtare, historiografia ballkanike, dhe sigurisht jo vetëm ajo, vazhdon ta trajtojë të kaluarën nga një këndvështrim pak a shumë etnocentrik ose kombëtar(Detrez, 2015: 1-2). Identitet, i bazuar në përkatësi etnike dhe fetare, mund të vendoset në kuadër të studimeve mbi nacionalizmin modern, veçanërisht në teoritë e Anthony Smith mbi etnitë. Siç e diskuton Victor Roudometof, “grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët dhe rumunët në Ballkanin Osman mund të konsiderohen etnitë e këtij rajoni dhe ata ishin të vetëdijshëm për dallimet e tyre etnike”(Karpat, 1985; Mpalta, 2006; Gaitanos, 2022: 60).

Fillimet e reformave të Tanzimatit përkojnë me revolucionet kombëtare që ndikuan në strukturën dhe marrëdhëniet e mileteve, duke përfshirë ndryshimin e pozitave të tyre në skenën politike. Revolucioni grek shënoi rënien e botës fanariotike dhe bëri që osmanët të rishikojnë privilegjet e miletit rum, duke përmirësuar pozitën e mileteve të tjera, veçanërisht të armenëve, dhe duke njohur për herë të parë miletin katolik. Përveç krijimit të mileteve protestant dhe katolik, shpërbërja e miletit ortodoks shpërtheu me formimin e kishave kombëtare si në Greqi, Serbi, Rumani dhe Bullgari(Gaitanos, 2022: 68). Kishat “nacionale” ortodokse që u formuan gjatë sundimit osman, e ruajtën pushtetin e tyre, falë rolit që iu ishte caktuar në sistemin e miletit dhe u bënë mbështetëset kryesore të lëvizjeve nacionaliste, që filluan nën ndikimin e huaj, veçanërisht atij rus(Baskin,1994:308)

Shqiptarët ishin kombi i fundit ballkanik që u prek nga nacionalizmi. Lëvizja e tyre u pengua seriozisht nga organizimi shoqëror osman i mileteve. Për më tepër, si autoritetet osmane ashtu edhe Kisha Ortodokse në jug kishin arsyet e tyre për ta shtypur zhvillimin e arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe. Teksa për nacionalizmat e tjerë të Ballkanit, feja si një faktor i unfikimit të popujve, ka luajtur një rol pozitiv, në rastin e Shqipërisë, feja padyshim ka luajtur më tepër një rol përçarës(Clayer, 2012:138). Brenda një sistemi të tillë, grupi më i madh i shqiptarëve – myslimanët ishin konsideruar nga Porta e Lartë si turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë, që nuk e patën kishën e tyre kombëtare, siç e kishin grekët, bullgarët apo serbët, dhe si të tillë i takuan kishës greke, apo sllave u konsideruan nga Stambolli dhe Patrikana si grekë dhe nga kishat serbe dhe bullgare përkatësisht si serbë dhe bullgarë. Shqiptarët katolikë, nga ana tjetër, u njohën më në fund si milet dhe formalisht përfaqësoheshin nga patriarku armen(Demjaha& Peci, 2016:16).

Pra, autoritetet osmane i identifikuan shqiptarët vetëm sipas fesë, duke eliminuar të gjitha konsideratat e përkatësisë etnike. Duhet theksuar se identifikimit si pjesë e një mileti i mungonte plotësisht kuptimi territorial, i lidhur me konceptin evropianoperëndimor të kombit(Hupchick, 2002:134). Mbështetur edhe në konceptin osman të sistemit të mileteve, komunitetet etnike nuk kishin kufij gjeografikë, prandaj çdo komunitet kulturor i konsideronte si të vetat të gjitha territoret, bashkësia fetare e të cilit përbënte shumicën. Si rezultat, pasi Perandoria Osmane filloi të shpërbëhej, nacionalistët grekë filluan t’i rivendikojnë territoret e Shqipërisë së Jugut si të tyret, pasi sipas tyre “banoheshin nga ortodoksë”. Me të njejtin argument, serbët i pretenduan në pjesët veriore territoret e banuara me shqiptarë(Demjaha& Peci, 2016:16).

Është e qartë, se derisa sistemi i mileteve ka ofruar një tokë të frytshme për grekët, serbët dhe bullgarët, për krijimin e shteteve të tyre kombëtare me mbështetjen e drejtpërdrejtë të kishave përkatëse, për nacionalizimin shqiptar ai ka paraqitur një pengesë serioze. Vetëm shkëputja radikale nga ky sistem bëri të mundur ndryshimin e paradigmës që u mundësoi tri komuniteteve fetare shqiptare të shiheshin si një komunitet kombëtar i veçantë, i ndarë nga grekët, latinët dhe turqit, dhe jo si grek, latin apo turk me tipare të tjera gjuhësore(Demjaha& Peci, 2016:16).

Ndërkohë që Perandoria Osmane dhe fqinjët shovinistë ballkanikë këmbëngulnin që Shqipëria të ndahej në bazë të linjave fetare, për rilindësit shqiptarë ishte vendimtare t’i tejkalonin ndasitë fetare, duke këmbëngulur për një identitet sekular të përbashkët të shqiptarëve, bazuar në “unitetin kulturor dhe gjuhësor”. Prandaj sekularizmi u bë tipari kryesor i Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Rilindja Shqiptare, si lëvizje sekulare, promovoi bashkimin e shqiptarëve mbi bazën e gjuhës së përbashkët, duke e theksuar unitetin kombëtar përtej ndarjeve fetare. Ajo ishte themelore për zhvillimin e identitetit të përbashkët dhe krijimin e një shteti të pavarur shqiptar.

Filed Under: Komente

NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT

February 4, 2026 by s p

Shkrimtari francez Kamil Paganel* në veprën e tij “Histoire de Scanderbeg, ou turks et chrétiens au XVe siècle”, botuar në Paris në vitin 1855 nga shtëpia botuese ‘Didier’, sjell këtë letërkëmbim mes sulltan Mehmetit I dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (ff. 301-305):

«…Megjithatë, duke filluar të kuptonte se një kundërshtar i tillë nuk mund të nënshtrohej me forcën e armëve, Mehmeti përdori dinakërinë. Një ambasador u nis me dhurata të bollshme dhe letrën e mëposhtme:

“Unë, Sovrani i Madh, Emiri i Madh, Sulltan Mehmet Beu, biri i Sovranit të Madh dhe Emirit të Madh Sulltan Murat Beut, për Skënderbeun, Princin e Arbërve dhe Epirotëve, përshëndetje.

Nuk njoh miqësi më të përzemërt, i dashur Skënderbe, se ajo që lind nga intimiteti i gjatë; sidomos kur kjo lidhje u krijua në rini, mes nesh, kur ti ishe peng në oborrin e tim eti, dhe të dy jetonim së bashku si vëllezër.

Prandaj, kur mendoj për ato gëzime të ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shërbimet e tua të shkëlqyera, gjithçka që ke bërë për lavdinë e Shtëpisë së Osmanit, për madhështinë e Perandorisë sonë, të kem ty për zemër dhe ta dëshmoj këtë më duket një detyrë e ngutshme.

Asgjë nuk do të më kënaqte më shumë, e thërras Zotin si dëshmitar, sesa të të shihja përsëri më në fund, dhe të shijoja praninë tënde për do kohë. Në qoftë se disa nga trupat e mia kanë guxuar kohët e fundit të pushtojnë mbretërinë tënde dhe të kryejnë veprime luftarake atje, unë i dënoj; ato kanë vepruar pa urdhin tim, dhe fitoret e tua, ndëshkim i drejtë për guximin e tyre, nuk më kanë zemëruar.

Por le ta lëmë këtë mënjanë, për t’u kthyer te marrëdhëniet tona të vjetra; një lidhje e shenjtë dhe paqësore le të na pajtojë përgjithmonë. Pra, ja bazat e mundshme të aleancës sonë, të cilat po t’i paraqes, duke e ditur mirë se nuk i takon atij që kërkon paqen të përcaktojë kushtet e saj.

Kërkoj që t’i lejosh të kalojnë nëpër tokat e tua trupat e mia, që shkojnë për të luftuar kundër venedikasve; së dyti, që të më japësh, si peng, djalin tënd Gjonin, i cili do të trajtohet si fëmija im; dhe së fundi, që nënshtetasit tanë të mund të tregtojnë lirisht midis tyre.

Nëse pranon, eja të më takosh në siguri të plotë: pritja do të jetë e denjë për rangun tënd. Po të jap besën dhe fjalën time si sovran, se do të ruaj me besnikëri një paqe të pacënueshme me ty; qysh tash e tutje vendi yt nuk do të shqetësohet nga armët e mia ose nga askush tjetër. Për më tepër, nëse ke ndonjë pyetje ose dyshim për të sqaruar, drejtohu, me besim të plotë, Mustafait, të dërguarit tim. Dhënë në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj, në vitin 1461 nga lindja e Jezu Krishtit.”

Kjo letër, kaq miqësore në formë, por kaq tinëzare në përmbajtje, pasi u lexua në Këshill, të gjithë – princat, zotërit dhe kapedanët – ranë dakord se një hap i tillë nga një monark kaq i fuqishëm, ishte tejet i lavdishëm për Skënderbeun. Sa i përket kushteve të traktatit, dy të parat u refuzuan njëzëri; vetëm e treta, që kishte të bënte me lirinë e tregtisë, u pranua.

Ja përgjigjja e miratuar në këtë drejtim:

“Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe, Princ i Epirotëve dhe i Arbërve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Kemi marrë, i përndrituri princ, letrën tënde, plot me shprehje të miqësisë sate. Të ndarë prej kohësh nga njëri-tjetri, kjo dashuri e ndërsjellë, thua ti, ishte si e fjetur dhe dëshiron ta zgjosh nëpërmjet një aleance të ngushtë.

E pranoj me kënaqësi propozimin, por jo të gjitha kushtet. Kështu, si aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa thyer besën e dhënë, pa shkelur mbi dinjitetin tim, të të lejoj të kalosh për t’i sulmuar ata.

Sa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta bërë atë një nyje të një lidhjeje të re midis nesh, zemra e një ati dhe e një nëne nuk mund ta pranojë një sakrificë të tillë mbi vete; ai është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhënë, dhe është ende kaq i vogël! Përveç kësaj, do t’i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk edukohet me zakonet dhe në fenë e vendit të vet. Tani mbetet klauzola në lidhje me tregtinë e lirë midis dy vendeve: këtë, unë dhe i gjithë Këshilli im e miratojmë plotësisht, sepse të dy popujt do të gjenin përfitim të barabartë në të.

Ti më fton edhe të vij për vizitë, me besim të plotë, për të forcuar mes palëve një miqësi që ka vuajtur kaq gjatë: faleminderit, princ i shkëlqyer, për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim për në Konstandinopojë, ky qëndrim që më sjell ndër mend kaq shumë kujtime, s’është i mundur nga kërkesat e qeverisjes sime; sepse s’do të mund të përkujdesesha mjaftueshëm për këtë popull krenar arbëror, kaq të zjarrtë, kaq të paepur, kaq të paduruar për paqe.

Por kjo [vizitë] është vetëm një kënaqësi e lënë për më vonë, dhe unë do të vij sapo të jetë e mundur.

Nga kampi ynë, 1 qershor 1461”»

* Fan Noli thotë në Parathënie të librit të tij “Historia e Skënderbeut” se ka përfituar shumë nga vepra e Kamil Paganelit.

Përktheu nga frëngjishtja: Luket Hasaj

Filed Under: Komente

Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha

February 3, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Çfarë bie në sy në studimet për “europianizimin” në kontekstin e kujtesës dhe kujtimeve nga vendasit e luftës së Kosovës, dhe si kultivohet identiteti evropian përballë të kaluarës? Profesor Asistenti Abit Hoxha i Departamentit të Studimeve Nordike dhe Medias në Universitetin e Agderit në Norvegji është një zë i respektuar në studimet e ndërtimit të narrativës së luftës. Si studiues me karrierë të gjatë akademike dhe profesionale në temën e ballafaqimit me të kaluarën, ai sapo mbajti ligjëratën Dyjëzimi i Kujtesës së Luftës në Kosovë, në Seminarin e Antropologjisë, Universiteti i Prishtinës.

Para pesë viteve, punimi shkencor dyvjeçar RePast (policy brief)* i tij me bashkautor Kenneth Andresen nga Universiteti Agder, Kristiansand, Norvegji, jepte disa rekomandime për një qasje të koordinuar ndërsektoriale në përballjen me të kaluarën e trazuar.

“Dallimi i kujtesës si memorie dhe mbamendjes si proces qëndron tek fokusi. E para, përfshin literaturën zyrtare dhe jozyrtare, veprat artistike, historitë dhe tjera aspekte, ndërsa mbamendja, është si të thuash, e bazuar më shumë në historitë gojore, që tregojnë dëshmitarët apo ata që kanë një lloj përvoje në ngjarjet e kohës, përfshirë rrëfimet nëpër gjenerata përmes gojëdhënave. Si e tillë, mbamendja e bën kujtesën kolektive më të pasur,” vëren studiuesi.

Por mbamendja nuk është njësoj midis gjinive dhe midis brezave, për sa i takon përjetimeve të luftës. Hulumtuesi Abit Hoxha, që është i mbijetuar i luftës në Kosovë dhe ka punuar një kohë të gjatë me familjet e personave të zhdukur, e ka trajtuar këtë temë gjerësisht. “Rezultatet nga fokus grupet tregojnë një tejheroizëm të burrave, paçka që shumë ikën në strehim në male dhe gratë qëndruan në shtëpitë e tyre.”

Kontrasti midis dominimit të heroizmit në rastin e rrëfimit të luftës nga burrat dhe, përuljes dhe vuajtjes, krahazi me etiketimin si viktimë për gjininë femërore, është pjesë e asaj “sesi ju interpretohet të rinjve tregimi për luftën në Kosovë nga familja dhe rrethi. “Shumë respondentë thonë “babai ka kontribuar në luftë duke ikur në mal, ndërsa nëna është viktimë e dhunës serbe sepse qëndroj në shtëpi dhe u keqtrajtua nga forcat serbe.” Ky parafrazim reprezenton çka të rinjtë flasin për përjetimet e prindërve në luftë.”

Si kujtesa e luftës, edhe ballafaqimi me të kaluarën, janë të lidhura me kohën, por të dyja me diferencime gjinore. Ndërsa për burrat narrativi është i kryer, dhe rrëfimet janë “pa rrezik” të paraqitura si kontribute për luftën, për gratë, lufta është e vazhdueshme edhe sot “në rrezikshmërinë që përmbajnë në vetvete historitë e tyre të luftës.” Në rrëfimet e grave, lufta ende vazhdon.

Duke qenë kohorë, pyetemi nëse anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton “memorie historike evropiane që legjitimon dhe kultivon identitetin evropian (Prutsch 2017) dhe nëse kujtesa “me tipare evropiane” e luftës në Kosovë do ta përmbushte shqetësimin kryesor të evropianëve, që është pajtimi. “Siç ceket në studim, shumica e politikave evropiane në fushën e ballafaqimit me të kaluarën nuk i përmbushin pritjet e asnjërës palë, as nga shqiptarët, dhe as nga serbët, pikërisht, për shkak se janë gjithëpërfshirëse.

Kjo ndodh ngaqë politikat evropiane kanë pasë për qëllim më shumë “zgjidhjen e problemit” të konfliktit se sa pajtimin dhe zgjedhjen afatgjatë,” thotë kërkuesi shkencor Hoxha. Ballafaqimi me të kaluarën nuk qëndron kurrë statik, por, studiuesi vëren se sa më shumë kohë kalon, aq më i madh bëhet hendeku dhe pajtimi më i pamundshëm.

Për sa i takon ardhmërisë, pavarësisht një doze idealizmi, subjektet e sondazhit në Kosovë janë realistë dhe praktikë në: pritshmëritë ekonomike të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe lehtësirat personale, si pajisja me viza për ata vetë. Megjithatë, pjesëmarrësit në grupet e fokusit janë të kthjelltë në pamundësinë e Evropës për të qenë e suksesshme në gjurmët, që ka lënë e kaluara në Kosovë, konkretisht, lufta. Studiuesi qartëson se “popullata në Ballkan, posaçërisht në Kosovë, nuhat shumë mirë mundësitë e BE për të ndihmuar apo imponuar diçka. Qëndrimi i paarsyeshëm i BE ndaj Kosovës për çështjen e vizave deri në vitin 2024, prodhoj një pakënaqësi, që reflekton edhe në aspektet e marrëdhënieve me BE, siç shihet nga respondentët tek perceptimi i dialogut të Qeverisë së Kosovës me Serbinë.”

Duke kthyer sytë nga mësimi i historisë, studiuesi Hoxha thotë se tipari më i dallueshëm është paqëndrueshmëria. “Për një kohë të gjatë, karakteristika dalluese është narracioni i paqëndrueshëm për luftën në Kosovë. Kjo ka ardhur si pasojë e mosinvestimit dhe apatisë së institucioneve të historisë dhe autorëve, siç ishte rasti i të ftuarve nga Prokuroria e Përgjithshme e Dhomave të Specializuara, që punuan pa kritere akademike apo shkencore. Pasoja më flagrante është demonizimi i lëvizjes çlirimtare. Sa i takon librave të historisë dhe shkollore në Kosovë, ato janë të cilësisë së dobët, siç është evidentuar në raportin tim me bashkautore Dr. Anna Di Lellio. Në përgjithësi, botimet keqprezantojnë periudha të historisë sidomos nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Disa nisma në Kosovë bëjnë një punë të madhe, por edhe ato kanë për qëllim agjendat politike dhe joshkencore,” vëren doktoranti për mediat në konflikt në LMU të Mynih-ut, Gjermani, Abit Hoxha.

Kujtesa, në ndërtimin e së kaluarës, ndonëse një fjalë e vetme, është një sistem i ndërvarur dhe i ndërlikuar, ku imponimet shihen “që në oborr” dhe, ku, qasjet e qarta shkencore janë vetëm fillimi.

*Punimi (2019-2021) i titulluar RePast është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të platformës Horizon 2020. Pjesa e studimit në Kosovë u realizua me pjesëmarrjen e 6 grupeve të fokusit me 51 individë, burra dhe gra, të etniteteve kryesore në Kosovë, me 20 intervista cilësore të fokusuara, ndërsa një studim i gjerë u zhvillua në Greqi, Qipro, Bosnjë Hercegovinë, Spanjë, Gjermani, Poloni dhe Irlandë. Një listë më e plotë të raporteve të projektit gjendet në vegëzën https://cordis.europa.eu/project/id/769252/results

Filed Under: Komente

Today marks the 84th anniversary of the Voice of America

February 2, 2026 by s p

Dr. Elez Biberaj/

Today marks the 84th anniversary of the Voice of America – an important moment to remember how this preeminent international broadcaster advanced U.S. national interests, projected America’s democratic values, and served hundreds of millions around the world with accurate, independent news and information. For generations, VOA carried truth across borders, countered propaganda, and gave audiences an unfiltered window into America’s democratic discourse and institutions. Its credibility was earned, not inherited, and it became one of the most effective instruments of American soft power.

Yet at a time when the United States confronts formidable global challenges – Russia’s continuing aggression against Ukraine, democratic backsliding across Eurasia, China’s expanding malign influence operations, Iran’s repression, Venezuela’s turmoil, and persistent conflict and instability across the Middle East and Africa – America’s voice has been deliberately silenced. This is not simply a void; it is an open invitation for adversaries to shape narratives, distort facts, and dominate information spaces where VOA once provided clarity, context, and a trusted alternative.

Reviving VOA is a strategic imperative. A nation that cannot communicate credibly forfeits influence to those who weaponize information. Congress has signaled its intent by approving renewed funding for VOA – insufficient, but a foundation on which to rebuild. What is needed now is leadership willing to recognize the damage done and restore an institution that has long and admirably served America’s policies and national interests.

Those guiding U.S. international broadcasting today face a defining choice. The decision to dismantle VOA has weakened America’s reach, undermined its values, and diminished its ability to speak to global audiences with clarity and integrity. Reversing course would not only strengthen America’s voice – it would reaffirm the principles that have anchored VOA for more than eight decades: press freedom, rigorous journalistic standards, editorial independence, and truthful reporting.

Restoring VOA is not merely a correction of a flawed policy. It is a reaffirmation of America’s commitment to openness, accountability, and the free flow of information. History will not remember who presided over its decline. It will remember who had the courage to restore it.

America needs its voice back. And the world needs it even more.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 487
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT