Ndërsa lufta kundër Shtetit Islamik vazhdon ngadalë dhe rebelët pro rusë duket se kanë hedhur rrënjë në lindje të Ukrainës, presidenti amerikan Barack Obama kthehet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në ankth për të grumbulluar sa më shumë mbështetje ndërkombëtare për planet e SHBA-së për t’u përballur me kriza të ndryshme globale. Fitoret diplomatike si pakti bërthamor me Iranin dhe ulja e tensionit me Kubën, i kanë dhënë Obamës një shtytje të fortë. Por, një vit pas publikimit të planeve për të sulmuar Shtetin Islamik, presidenti do të përballet me presionin për të shpjeguar hapat e radhës për të zgjidhur kaosin sirian. Në deklaratat e fundit publike, Obama ka bërë përgjesës për krizat ndërkombëtare jo vetëm qeveritë lokale dhe diktarorët si Bashar al-Asad, por edhe vendet e zhvilluara, të cilat sipas tij duhet të jenë partnerë më të mirë me vendet që duan të ecin përpara. Të hënën, Obama do të flasë para liderëve të botës dhe ndihmësit e tij thonë se kreu i Shtëpisë së Bardhë do të mbrojë diplomacinë. Por, në intervistën e së dielës, Obama tregoi se do të flasë me një ton shumë më të ashpër se sa vitet e shkuara.”Është hera e shtatë që flas para OBK-së dhe do të jem më i drejtpërdrejtë. Me flokët e thinjur kam nisur të them gjithnjë e më shumë atë që mendoj. Ne nuk do të arrijmë kurrë qëllimet tona nëse nuk përballemi me kërcënimet serioze ndaj dinjitetit dhe mirëqenies së njerëzve në botë”, deklaroi Obama. Këto kërcënime do të jenë pjesë e takimit më të pritur të Obamës me homologun e tij rus Vladimir Putin. Megjithëse ndihmësit e Obamës thonë se Ukraina është në krye të axhendës, nga Kremlini bëjnë me dije se për të do të flitet nëse ka kohë. Që në ditën e parë të asamblesë, Obama ka përballjen më të fortë dhe tashmë duhet parë se si do të dalë. Në fund të fundit, ky është mandati i tij i dytë dhe i fundit dhe nuk duhet të shqetësohet më për mbështetjen e publikut apo votat. {Sh.K}
Papa, të burgosurve: jam këtu si vëlla, për të ndarë dhimbjen
Menjëherë pas takimit me ipeshkvijtë, Papa Françesku shkoi në burgun më të madh të Filadelfias, burg për meshkuj, ku ai u takua me të burgosurit, duke ndarë me ta gjendjen e tyre aktuale e duke u lutur së bashku me ta për dhimbjet e shpirtit të tyre: “Kam ardhur sidomos si vëlla, për të ndarë gjendjen tuaj e për ta bërë timen; kam ardhur që të lutemi së bashku e t’ia paraqesim Zotit gjithçka na dhemb e gjithçka na inkurajon, për të marrë prej Tij, forcën e Ringjalljes”, tha Ati i Shenjtë.
Duke u nisur nga pjesa ungjillore në të cilën Jezusi u lan këmbët dishepujve, në Darkën e Mbrame, Ati i Shenjtë kritikoi ato sisteme burgosjeje, ku nuk bëhen përpjekje për t’u kujdesur për plagët e njerëzve, nuk shërohen ato e nuk krijohen mundësi të reja. Papa këshilloi që periudha e jetës, të cilën njerëzit që kanë gabuar në udhën e tyre e kalojnë në burg, të shndërrohet në ndihmë për të burgosurin që ai të hyjë sërish, kryelart, në shoqëri, sepse shpesh, plagët e të burgosurit janë edhe ato të vetë shoqërisë.
“Jetoni – u tha 100 të burgosurve Bergoljo – një çast të vështirë, plot tension, të dhimbshëm për ju, por edhe për familjet tuaja, për gjithë shoqërinë. Një çast, që në jetën tuaj, mund të ketë vetëm një qëllim: t’ju shtrijmë dorën për të rimarrë udhën, t’ju shtrijmë dorën për t’ju ndihmuar në reintegrimin shoqëror. Një integrim në të cilin bëjmë pjesë të gjithë, të cilin të gjithë jemi të thirrur ta nxisim, ta shoqërojmë e ta realizojmë. Një integrim i kërkuar e i dëshiruar nga të gjithë: të burgosur, familje, funksionarë, politika shoqërore dhe edukative. Një reintegrim, që i bën mirë dhe e ngre nivelin moral të gjithë bashkësisë”.
Papa, ipeshkvijve: bindini të rinjtë se familja është kryevepra e Zotit/
Shtegtimit të dhjetë apostolik të Papës Françesku në Kubë e në SHBA-të po i vjen fundi. Sot, Ati i Shenjtë ndodhet akoma në Filadelfia për Takimin Botëror të Familjeve, ku fillimisht u prit nga ipeshkvijtë e mbledhur në këtë qytet pikërisht për Takimin. Më pas, takoi të burgosurit në Institutin Curran-Fromhold, burgu më i madh për meshkuj i Filadelfias. Sonte, në orën 22.00, me atë evropiane, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën për mbylljen e Takimit VIII Botëror të Familjeve e pasi të përshëndesë në aeroport, komitetin organizator, vullnetarët dhe bamirësit e këtij udhëtimi, do të kthehet në Vatikan. Por t’i kthehemi takimit të sotëm me ipeshkvijtë nga e gjithë bota.
Sfidat e sotme të familjes
I përqendruar mbi familjen, mbi sfidat që ka përpara në epokën bashkohore dhe mbi përgjigjet, që duhet të japë Kisha: edhe kësaj herë, në fjalën e tij, Papa Françesku vuri në dukje argumentet, që ka më për zemër, qendra e këtyre ditëve në Filadelfia me familjet e mbarë botës. “Familja – nënvizoi Papa – është vendi themelor i besëlidhjes së Kishës me krijimin e Zotit”, është kryevepra e krijimit të Tij. Duke marrë si shembull ndryshimin e një dyqani të thjeshtë, nga një vend ku njerëzit gjenin të gjitha gjërat, që u duheshin, pavarësisht se jo në shumëllojshmërinë e sotme, në një supermarket, ku nuk ke asnjë lidhje me shitësin, asnjë afërsi me të tjerët, Papa Françesku vuri në dukje se është konsumi ai, që vendos për gjithçka. Konsumohen kështu edhe marrëdhëniet, miqësitë, fetë, duke e bërë të afërmin, njeriun, gjithnjë e më pak të rëndësishëm:
“Kjo sjellje lind një kulturë, që hedh poshtë çdo gjë që ‘nuk duhet më’, ose ‘nuk kënaq’ shijet e konsumatorit. Kjo sjell një plagë të madhe, një vetmi radikale, në të cilën detyrohen të zhyten shumë njerëz. Vetmi, që ka frikë nga impenjimi, në përpjekjen e shfrenuar për t’u ndjerë dikushi. …Por do të gabonim po ta interpretonim këtë ‘kulturë’ të botës aktuale vetëm si pakënaqësi ndaj martesës e familjes, për shkak të një egoizmi të thjeshtë. Shumë të rinj, në gjirin e kësaj kulture frenuese, kanë bërë të tyren një lloj frike të pavetëdijshme. E paralizohen para hoveve më të bukura e më të larta, edhe kur janë të nevojshme. E shtyjnë martesën, në pritje të kushteve për mirëqënie ideale. E ndërkaq, jeta konsumohet, pa shije”.
Mos shpjegoni, ftojini të rinjtë të kenë guxim
Papa tregoi se e njeh mirë kulturën e rrjeteve shoqërore, sa të nevojshme aq edhe pa asnjë lloj qëllimi, përveçse dëshirës për të pasur sa më shumë ndjekës, nëse përdoren thjesht për të kaluar një çast të ditës, i cili kthehet në një çast të jetës. Shijet e vërteta për jetën, nënvizoi Papa, i cili ftoi të mos kritikohen më kot të rinjtë, piqen me kalimin e kohës e janë fryt i investimit bujar të pasionit, të inteligjencës e të entuziazmit. E ç’duhet të bëjnë barinjtë e Kishës?
“Jemi të thirrur t’i mbledhim forcat e të nxjerrim sërish në dritë entuziazmin për lindjen e familjeve, që i përgjigjen më shumë bekimit të Zotit, sipas vokacionit të tyre! Jo aq duke shpjeguar e rishpjeguar të këqiat e kushteve aktuale të sotme dhe të mirat e krishterimit, sa duke i ftuar haptas të rinjtë të marrin guximin e të zgjedhin martesën e familjen. Duhet t’u tregojmë se Ungjilli i Familjes është vërtet ‘Lajm i Mirë’ në një botë ku duket sikur mbretëron vetëm kujdesi për vetveten! Këmbëngulja në formimin e familjes e në zhvillimin e saj e shndërron botën dhe historinë”.
Ngjajini nënës e babait
Që këndej, detyra e meshtarëve, rregulltarëve dhe ipeshkvijve të vigjëlojnë mbi jetën dhe zhvillimin e besimtarëve, pa fjalime, por me kujdes baritor, me lutje, duke i ngjarë nënës e babait e jo një njeriu, që ka mësuar të jetojë pa familje. Bariu i mirë, tha Papa, heq dorë nga dashuria e familjarëve të vet për t’ua kushtuar të gjitha forcat, me ndihmën e Zotit, bekimit të dashurisë ndërmjet burrit e gruas, që plotësojnë planin e krijimit të Zotit:
“Shërbimi ynë ka nevojë ta çojë më tej besëlidhjen e Kishës me familjen. Përndryshe thahet, dobësohet, meket e, familja njerëzore largohet pa pushim, për fajin tonë, nga Lajmi i Mirë, që na ka dhënë Zoti. Familja është aleatja jonë, dritarja jonë mbi botën, evidenca e bekimit të pakthyeshëm të Zotit për të gjithë bijtë e kësaj historie të vështirë e të bukur të krijimit, së cilës, Zoti na ka kërkuar t’i shërbejmë”.
Arësimimi, shqiptarët paguajnë katër herë më shumë së në BE
Ndonëse janë populli i dytë më i varfër në Europë, shqiptarët janë ata që sakrifikojnë më shumë financiarisht për t’u arsimuar. Përfundimi del nga krahasimi i të dhënave zyrtare mbi shpenzimet mujore të familjeve, që publikojnë institutet respektive të statistikave, Eurostat i Bashkimit Europian dhe Instituti Shqiptar i Statistikave. Sipas Eurostat, në vitin 2014 familjet e Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 1.1 për qind të buxhetit mujor për shkollim. I marrë sipas vendeve, niveli më i ulët i këtij treguesi është në Lituani, ku familjet shpenzojnë mesatarisht 0.5 për qind të buxhetit për shkollim, ndërsa ekstremi më i lartë shënohet në Greqi me 2.1 për qind. Kjo i bën grekët popullin që shpenzon më shumë për t’u arsimuar brenda Bashkimit Europian si përqindje ndaj buxhetit të disponueshëm. Por nëse krahasohen me Shqipërinë, kampionët e BE-së mbeten dy herë pas. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2014, familjet shqiptare dedikuan për shkollim 4.2 për qind të shpenzimeve konsumatore për arsimin. Kjo është 2 herë më shumë se sa Greqia dhe gati 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Të dhënat zyrtare tregojnë se pesha e shpenzimeve për arsim në buxhetet e familjeve shqiptare është rritur me ritme të shpejta nga viti në vit. Sipas Instat, në 2007 familjet shpenzonin 1.7 për qind të buxhetit për arsimin. Në 2009-ën shifra u rrit në 2 për qind, ndërsa vitin e kaluar arriti rekordin 4.2%. Rritja e fortë e peshës së shpenzimeve për arsim gjatë viteve të fundit mund të jetë e lidhur me disa fenomenë. Së pari zgjerimin e universiteteve private dhe së dyti me faktin që shqiptarët tani kryejnë më shumë vite shkollimi. Sipas Instat, gati gjysma e fondeve që familjet shpenzojnë për arsimin shkojnë për programet master. Por cilado qoftë arsyeja, shifrat tregojnë se në Shqipëri të shkollohesh është një sakrificë jo e vogël, të paktën nga ana financiare. Dhe pas miratimit të ligjit të ri për arsimin, gjasat janë që në vitet e ardhshme shkollimi të bëhët edhe më i shtrenjtë, duke marrë gjithmonë e më shumë nga buxheti i familjeve.{SH.K}
Kosovë-KDI: Të ndalet praktika e bllokimit të Kuvendit
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shtator 2015/ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), reagon ndaj ngjarjeve të sotme në seancën plenare që po pengojnë zhvillimin e jetës parlamentare në vend dhe vendosin institucionet në rrethana të jashtëzakonshme.“Mekanizmat institucionalë për të kundërshtuar çështjet të cilat trajtohen në Kuvend janë të përcaktuara në Kushtetutë, dhe asnjë formë tjetër e kundërshtimit nuk ndihmon në sqarimin dhe as zgjidhjen e problemeve. Përkundrazi, veprimet e tilla të deputetëve në Kuvend mund të transmetohen në të njëjtën frymë edhe te qytetarët, dhe kështu të shkaktohen incidente ndërmjet grupeve shoqërore pasojat e të cilës janë të parikuperueshme, nga të cilat nuk do të përfitojë as opozita e as pozita”, thuhet në reagim.
Theksohet se, të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe institucionet tjera përkatëse duhet të kenë rol konstruktiv në adresimin dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme të cilat janë në axhendën e institucioneve. “Acarimi i situatës, dhe veprimet që shkojnë përtej debatit politik nuk janë zgjidhje”, shtohet më tej.
KDI bën thirrje tek të gjithë akterët politikë për vetëpërmbajtje dhe në ushtrim të detyrave të tyre brenda mandatit që kanë, sepse çdo veprim i cili mund të gjenerojë një ambient politik të dhunshëm është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Gjithashtu KDI kërkon nga Presidentja e vendit, Jahjaga, që t’i vë në funksion përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe të kontribuoj në nxitjen e bashkëpunimit politikë mes pozitës dhe opozitës në funksion të arritjes së unitetit për çështje të cilat nuk kanë konsensus politik e shoqëror”, përfundon deklarata.
Pasdite, sapo nisi rindërpreu për herë të dytë gjatë ditës rivazhdimin seanca e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot para më shumë se tre orësh për “10 minuta pushim” të dhënë nga kryetari, Kadri Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Isa Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel.
Opozita përsëri protestoi, vendosi në “rrethim” kryesinë e seancës, ndërsa kryeparlamentari Vesli kërkoi “15 miniuta pushim për të bashkëbiseduar 5 minuta në zyrë”. Në zyrë ai i ftoi kryetarët e grupeve parlamentare, por deputetët vazhduan të qëndrojnë në sallën e seancës, nga e cila pastaj dolën, por ende nuk ka rivazhdim seance.
Në rifillimin e ndërprerë pasdite, kryeparlamentari Veseli u shpreh:“Kisha pasë dëshirë që kryeministri të largohet prej salle, ose sigurimi i kryeministrit (të largohet nga salla e seancës) që mos të ketë situata të tilla”. Por, kryeministri ka vazhduar qëndrimin në sallën e seancës së Kuvendit, ndërsa ndodhnin zhvillime të tjera.
Në vazhdimin e seancës pak para mesditës, Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).
BULLGARIA HEQ KUFIZIMET PER KRIMET E KOMUNIZMIT
- « Previous Page
- 1
- …
- 398
- 399
- 400
- 401
- 402
- …
- 484
- Next Page »