• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERËZ QË GËNJEJNË NË KOR

July 20, 2013 by dgreca

Shkruan:Fadil LUSHI/ Tetovë/

Të nderuar lexues, këtë shkrim timin të radhës nuk e kam ndërmend t’ia dedikoj as politikanit, as matrapazit të mëhallës sonë, as kambistit që dikur vendndodhjen e kishte te ‘ish’-semaforët e sheshit “Iliria” të kasabasë së Tetovës, as Fejzos (të cilin Ramazani i bekuar e ka “kapur për fyti që në syfyr” dhe, që herët në sabah, i ik fiqiri)…, nuk do t’ua kushtoj as atyre që deri dje mbaheshin për të mençur, as recidivistëve të rrezikshëm politikë…, as mbretit të Babilonisë së lashtë, i cili para 3500 vjetësh pat thënë: “Qeveriseni mirë popullin se ndryshe ai çdo invazion të huaj do ta quajë çlirim”!…,nuk do t’ia dedikoj as atij “kryeplakut” gojëprishur të “mexhlisit” të katundit, i cili me një rast,  pos të tjerash, kishte thënë: ”…, për të bërë shqiptari, nuk mjafton që të kesh këllqe…, duhesh të kesh edhe koqe…, kryeplaku kishte harruar se në atë mexhlis kishte zënë vend edhe një i paftuar…, po që ky i paftuar,  pa e pyetur njeri, kishte bërë pyetjen me sa vijon: o ju burra, pa më thoni mua që k….t i kam të tredhura, ça do bëj”!??…, eh, ti çun i Kavajës, shporru që këtej…, nuk je as për Stamboll e as për Gjirokastër”!?… dhe vërtet ky “çuni” që nuk ishte gjirokastrit kishte ikur kokëvarur dhe i turpëruar! Nuk do t’ia dedikoj as atij legenit ordiner të bllokut tonë, i cili me rast e pa rast e ul pazarin politik të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit!?…, nuk do t’ia kushtoj as atij lëngaraqi që shkon pas prapanicës së urdhërdhënësit të tij për një mëditje, për një kockë a ndonjë lek…, as letargjisë së zvarranikëve, as atyre mazohistëve, të cilët kur ta “fusin ashtu pahiri”, ta thyejnë boshtin e kurrizit dhe kështu bëhesh “viktimë e kurdisur” e kësaj pune me “zarar”… dhe, në fund, nuk të mbetet gjë tjetër pos të bërtasësh: o, milet, pa më thuani se kush ma futi!?

Ti, i nderuar miku im, këtë shkrim timin nuk do t’ua kushtoj as atyre që mëtojnë pa të drejtë ta studiojnë etnopsikologjinë e fqinjëve të tyre, kurse të veten as që e njohin sa duhet, as atyre që janë të krisur e të inatosur!?…, as atyre që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”!…, as atyre që ta brohorisin emrin a edhe llagapin e fisit në kor…, as atyre që pëshpëritin qosheve në kor, as atyre që në emër të popullit dhe për popullin i bëjnë punët me dallavere, me marifetllëqe dhe me improvizime. Thjesht, këtë do t’ia kushtoj Filip Çakulit, i cili shkrimin e tij të paradokohshëm me titull “Tre fajtorë pa faj”, e kishte përfunduar me këtë paragraf: “…, e gjithë kjo të kujton historinë e atij çifti pleqsh që do të festonin 50-vjetorin e martesës së tyre. Shkuan në të njëjtin hotel ku kishin shkuar për herë të parë dhe në të njëjtën dhomë. -Është me të vërtetë shumë prekëse, thotë plaka e ekzaltuar, kjo që po përjetoj tani. Më duket vetja si në atë kohë, kur ishim të rinj. Ndjej një afsh përbrenda, aq sa gjoksi më digjet nga dashuria për ty. -Lëri moj këto budallallëqe, ia kthen plaku, dhe hiqi sisët që të kanë rënë te pjata e supës…,”!

Se sa kohë kishin ndenjur në atë dhomë plaku e plaka, se kishte pasur krevat dopio në atë dhomë dhe se ç’kishin “bërë”, Filipi, sikur “për inat”, nuk na jep shpjegime të mëtutjeshme dhe më të hollësishme…, megjithatë do të ishim “kureshtarë” ta dinim vazhdimin e kësaj vakie, sa të natyrshme, po aq edhe njerëzore, po edhe sikur Çakuli ta vazhdonte këtë tregim neve do na jepej e drejta të themi se shkrimin e ka të qëndisur me atë satirën e tij të mprehtë, të ashpër, të hidhur dhe therëse, një satirë ashtu ulur, ashtu këmbëkryq dhe rehatshëm në kryeminderin e përditshmërisë sonë, sa të bezdisshme po aq edhe “përrallore”!

Ndofta miqtë e mi të nderuar me gojën plot dhe me të drejtë do të parashtronin pyetjen se ç’i duhen këtij shkrimi gjithë këto paradigma!? Mos vallë autorit nuk i mjaftonte parashtresa nga ajo e meselesë së Çakulit, apo ndofta vështrimit në vijim mëton t’i ngjisë bisht sëpate…, mos vallë në fund ky “shkrim me bisht” do përfundojë  me “zarar dhe me hata”! Pavarësisht se si do të përfundojë e gjithë kjo, ne në këtë fabul të Çakulit, hetuam  një dozë  optimizmi te plaka dhe nuk besoj se ky optimizëm i saj ishte i rremë a i sajuar, siç mendonte plaku. Nejse, mua më duhet të them se kjo vaki e plakut dhe plakës, sikur po përsëritet këtej hapësirave politike, në veçanti në Tiranë. Një e tillë do të hetohet në kryeqendrën e shqiptarëve, ku (krye)”propagandistë” do të jenë: Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, përndryshe kandidatë a pretendentë për kryeparë a zëvendësues të Sali Berishës (në dorëheqje). Këta dy politikanë të respektuar, disa javë më parë, morën strajcat, i hodhën në krah dhe dolën të “gjezdisin” anembanë vendit për të kërkuar vota nga simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Thashethemexhinjtë” do të thonë sot se ato strajca janë të mbushura me optimizëm, me sjellje lavdëruese, me tolerancë, me fyerje, nostalgji dhe paksa me satirë politike si të asaj plakës së ekzaltuar të Filipit… me ide të reja, por të shkërmoqura, e të tjera ide (jo)kolektive. Në strajcat e tyre ka edhe premtime (të reja dhe të vjetra) të cilat nuk kishin “fat e vakt” që të realizohen. Në krahasim me herët e tjera, kësaj radhe vizita e Olldashit dhe Bashës në hapësirat e PD (jo në hotelet e dikurshme) është duke u realizuar paksa më ndryshe. Pretendentët për kryetar të Partisë Demokratike një gjë duhet ta dinë a duhet ta bëjnë në mend: kur të gjithë simpatizantët ulërijnë emrin tënd, dije se në kor të gënjejnë…, dije edhe atë se ata “mashtruan” një kryeministër e lëre më një politikan “axhami”!??…, ata “mashtruan a edhe tradhtuan  në  kor” pushtetin makiavelist. Dije edhe atë se nuk mund të thuash se ky milet është i marrë, ai, me filozofinë që ka, të jep ujë me shpinë të lugës…

Pleqtë mendjendritur thonë se herën e parë mund ta gënjesh miletin, herën e dytë mund ta tradhtosh, por ama herën e tretë të godet ashtu papritur, “fshehurazi dhe pamëshirshëm”! Të nderuarit në fjalë, të cilët ashtu “jerm” u shkojnë vërdallë miqve të vjetër, kësaj radhe duhet t’i kthehen mbajmendjes së tyre dhe të ndërgjegjësohen se kalaja e politikëbërjes parimore nuk mund ndërtohet me fjalor denigrues, nuk ndërtohet me akuza të paqena, me paragjykime, me optimizëm të rremë, me shpifje…, në themelet e politikës parimore nuk ka vend për “gjymtimet” e kundërshtarëve politikë, qofshin ata të jenë Edi Rama, Ilir Meta, Bamir Topi dhe të tjerë…, nuk mund t’i konceptosh si kaçakë e zullumqarë, qofshin ata të vegjël a të mëdhenj…, nuk bën! Nuk bën që atë optimizmin e tepruar për një Shqipëri evropiane ta ngjisësh në thembër të këmbës, ndërkaq atë fjalorin denigrues ta mbash në majë të gjuhës…, nuk duhet që privatësia a edhe e kaluara politike e oponentit tënd të të shërbejë si alibi për…!? Në instancë të fundit, cilido qoftë politikan  që do të veprojë kështu, le ta dijë se kurrën e kurrës nuk do të vrapojë dhe nuk do ta përfundojë atë “maratonën politike shqiptare”, po qoftë edhe i “dopinguar”!

Sa të sinqertë dhe sa të këndshëm që duken personazhet e satirës së Filip Çakulit. Sa të vështirë e ke t’i gjesh sot në politikën shqiptare!

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, njerez, qe genjejne ne kor

DEGA E VATRËS NË SOUTH FLORIDA INFORMON QENDRËN

July 19, 2013 by dgreca

Foto-arkiv- Dega e Vatrës në South Florida gjatë organizimit të veprimtarisë për Festën e Fëmijëve, qershor 2013/

Dega e Vatrës në South Florida e drejtuar nga z.Kolec Ndoja, e ka rritur aktivitetin e saj. Veprimtaria që organizoi ajo me rastin e 1 Qershorit, festës kushtuar fëmijëve, ishte një rast i mirë për të bashkuar vatranët e atjeshëm, ashtu sic edhe dega tjetër, ajo në Jacksonville, Florida, organizoi veprimtarinë kulturore kushtuar Naim Frashërit.

Këto ditë kryetari Ndoja dërgoi në qendër listën emërore të anëtarësisë, kuotat e anëtarësisë për vitin 2013 si dhe pesë anëtarësime të reja.

Në informacionin e kryetarit të degës binte në sy se ksihte të dhëna të hollësishme, adresat e plotë për secilin, numrat e telefonave, pagesat, lëvizjet e anëtarësisë etj.

Edhe dega e Michiganit shquhet për korrektesën e informacioneve dhe shlyerjen e detyrimeve të anëtarësisë. Për vitin 2013 dega i ka shlyer detyrimet dhe e ka informuar qendrën rregullisht për cdo anëtarësim të ri ose për cdo shqetësim që ka lindur për dërgimin e Gazetës Dielli tek anëtarësia.

Me këtë rast u bëjmë thirrje degëve që të përmes arkëtarëve të verifikojnë pagesat e detyrimeve të anëtarësisë dhe bëjën verifikimin e detajuar të anëtarësisë. Gjatë krijimit të degës së re të Westchestër janë krijuar disa probleme për anëtarësinë dhe pagesën e tyre. Nuk ka një pasqyrë të plotë të pagesave, ka anëtarë qv nuk kanë paguar, dhe për rrjedhojë ka vatranë të kësaj dege që nuk e marrin gazetën. Po ashtu ka anëtarë që e kanë emrin edhe në degën e re edhe në degën e krijuar një vit më parë në Hudson Valley në Nju Jork.Për degën e Hudson Valley ka ardhur koha që të shlyej detyrimet e antërësisë dhe pagesave të gazetës. Me 15 korrik ishte përvjetori i ngritjes së kësaj dege. U mbyll viti dhe tani kryesia e degës duhet të bëjë verifikimin e anëtarësisë dhe të mbledhë pagesat e t’i dërgojë ato në qendër.

Edhe për degët e tjera mbetet problem ndjekja e problemeve të tilla dhe zhvillimi i aktiviteteve për ta mbajtur degën të informuar.

Ka raste kur anëtarësia lëviz nga dega, shkon në rajon tjetër, qoftë edhe jashtë shtetit, ku e zhvillon aktivitetin dega ku është anëtarësua, por qendra nuk merr informacionin e lëvizjes së tij. Një shembull nga mund të mësohet është dega e South Florida, ku informacioni për lëvizje të anëtarësisë është përcjellë në qendër.Mirë është që cdo degë ta shohë problemin e anëtarësime të reja me përparësi.(Dielli)

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Dega e Vatres, South Florida

U MBLODH KRYESIA E DEGES SE VATRËS NË QUEENS

July 19, 2013 by dgreca

Queens, NY- Të enjten me 18 korrik u mblodh kryesia e zgjeruar e degaës së Vatrës në Queens, New York,  nën drejtimin e kryetarit të saj, Dr. Skënder Murtezani.

Gjatë takimit u diskutuan problemet aktuale të degës, gjetja e rrugëve efikase për një organizim më të mirë dhe shtimi të anëtarësisë. U propozua dhe u miratua që dega të paguaj me kontributet e saj një sekretare që do të punojë me kohë të kufizuar për të kontaktuar me shqiptarët që jetojnë në zonë dhe t’i afrojë ata që të anëtarësohen në Vatër.

Po ashtu u diskutua edhe gjetja e mënyrave dhe rrugëve të përshtatshme për një bashkëpunim më të mirë të degës së vatrës në Queens me shoqatat shqiptaro-amerikane që funksionojë në zonë. U planifikua një takim i afërt me shoqatat dhe fondacionet që veprojnë në Shtetin e New Yorkut.

Dega synon që së shpejti ta dyfishojë anëtarësinë dhe të rrisë aktivitetet për të tërhequr sa më shumë anëtarësi.

Një objektiv tjetër perspektiv i kësaj dege është edhe krijimi i kushteve për hapjen e një shkolle shqipe në Queens.(Korresp i Diellit)

Foto:Arkiv-Nga nje takim I deges se Vatres ne Queens

Filed Under: Komente Tagged With: Dega e Vatres, me 118 korrik, Queens, Skender Murtezani, U mblodh

Antishqiptarizmi i Lubonjës!

July 19, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Labi ka një shprehje, e cila thotë:/
‘Rrëshqet guri nga mali,/
Rrëshqet edhe truri nga Insani…/
dhe në këtë rast;Të del Nami/

Fatos Lubonja para ca kohësh në emisionin ”Opinion” patë thënë: S’ndjej asgjë për Himnin Kombëtar“.Nuk jam patriot, as nacionalist. Edhe kur dëgjoj Himnin, nuk ngrihem në këmbë dhe as që më bën përshtypje.

Lubonja është nga ata që thotë; më duket se jam shqiptarë, por të parët e mi vijnë nga një fshat që përveç shqiptarëve ka pasur edhe grekë e vllehë.

Nuk arrij të kuptoj përse shtypi i lejon terren e i reklamon këto sharlatan të ndyrë që veç plehrave që kanë në kokë, asgjë tjetër nuk mundet të nxjerrin nga goja . Përse nuk reagon shoqëria shqiptare kundër këtyre pseudo-ve. Kur do kuptoj ajo shoqëri se pa i treguar vërtet vendin këtyre pështymave të shoqërisë nuk mund të pastrohet kurrë .A ka dëshirë në atë vend për njerzillëk, civilizim, normalitet etj .

Në një emision Lubonja(shtetas italian) jepte mend edhe për mjekësinë, jepte këshilla etike për mjekët dhe nga fundi tha: “unë qaj hallin e njerëzve të shkretë se unë për vehte kam sigurim italian”…

Një njeri që ftohet në televizione publike për çdo temë (a thua se është Sartri) dhe fjalinë e nis me shprehjen e tij ORIGJINALE “unë nuk jam specialist i kësaj fushe por sipas mendimit tim…” nuk ia vlen të merret në konsideratë.

Himnin ky e trajton si ndonjë nga ato vjershat e dashurisë me dy strofa të adoleshencës në masturbim e sipër dhe jo si një simbol të kombit për të cilin shqiptarët kanë derdhur edhe gjak. Ne çohemi në këmbë pikërisht në respekt të gjakut të derdhur e që na bashkon në të mirë e në të keq !

Po kur flet dhe shkruan SHQIP çfarë ndjen zoti Lubonja? I vjen për të dhjerë?
Mua më vjen kur dëgjoj zotërinë…

Merret me mend çfarë qumësht nënë ka pirë.

Merret me mend çfarë fjalë “patriotike” i ka balbëzuar babai(Todi Lubonja).
Nuk më çudit Lubonja me atë vogëlsinë shpirtërore të tijë. Pastaj qeni leh atje tek ha. Dhe TV Klani është stan ideal për fundërrina.

Ky njeri(Fatos Lubonja) është shumë i çuditshëm. Ky njeri nuk e di kë përfaqëson, apo është i paguar të bëjë kamuflime të tilla. Thotë:nuk e dua Bashkimin Kombëtar, por është për Bashkim me të gjithë të tjerët, sllavoaqedonasit, serbët, grekët dhe malazezët. Ky është kundër të gjithëve që nga të parët e pavarësisë e deri tek këta të fundit që kemi sot, si në pozitë apo opozitë. Ky njeri ka luajtur nga truri. Pse ftohet në emisione të tilla Kombëtare një njeri që publikisht pranon që është antikombëtar, përderisa nuk i bën fare përshtypje Hymni Kombëtarë. Njeri që nuk do askë, i dashuruar në vetevete më duket.

Ç’mund të presësh nga një njeri që Pjetër Budin e bënte sllavomaqedonas dhe se emri i tij i vërtetë qe ”Petar Budi” apo se ilirët erdhën në të njëjtën kohë me sllavët?.

Ç’mund të presësh nga një njeri që Skendërbeun e bën kriminel?.

Gjithëfarë ndyrësirash mund të rrjedhin nga gjiriza të këtij tipi: janë vazhdim i rrjedhjes së ndyrësirave të gropës së zezë sllavo-komuniste. Filizat e dala nga fara komuniste nuk mund të jenë kurrsesi nacionaliste (një cilësi mjaft e lartë e fisnike që nuk mund të meritohet nga internacionalistët komunistë dhe pasardhësit e dedikuar të tyre).

Fatos Todi Lubonja (asnjëherë i persekutuar apo disident, por nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës është burgosur si spiun i KGB-së- i ish Bashkimit Sovjetik) ai kurdoherë e ka treguar me qëndrimet dhe analizat e tij, se nacionalist nuk ka qenë, nuk është dhe as që do të jetë ndonjëherë.
Ky është një i krisur, i çmendur, një pseudointelektual progrek, apo grek, një serbofil i djallëzuar i cili nuk përngjanë në asnjë tjetër, pos në surratin e një të krisuri që është tragjedi se i njëjti flet gjuhën shqipe… Krijesa të tilla pa kurrfarë fytyre, nuk meritojnë të jenë pjesë e kombit…

Kombit tonë shumë fisnik nuk i duhen kurrsesi antinacionalistët e tipit Fatos Lubonja, ata duhen flakur në “koshin”e harresës.
Sa për median e cilitdo krahu politik: Të jetë e kujdesshme që t’i shërbejë së pari Shqipërisë, Kombit tonë fisnik.

 

(Autori është redaktor në gazetën e përditshme”Lajm”)

 

Filed Under: Komente Tagged With: antishqiptarizmi, faik Krasniqi, i Lubonjes

Mbi luftën, Ramushin, drejtësinë dhe Europën!

July 18, 2013 by dgreca

Në vend të replikës me Fatos Lubonjën /

Nga Ilir KULLA/
E kam ndier veten të zhgënjyer si qytetar, si intelektual dhe si shqiptar me shkrimin e botuar dje në gazetën “Panorama” nga një intelektual shumë i çmuar i Shqipërisë së sotme si Fatos Lubonja. Që në adoleshencë jemi rritur me intelektualin Lubonja, i cili ka qenë emblemë sakrifice, vuajtjeje, opozitarizmi, persekutimi, qëndrestarie dhe rreshtimi për nga vërtetësia dhe e drejta. Pikërisht duke lexuar dje një qëndrim komplet të kundërt në raport me këto shtylla përbërëse të historisë së Lubonjës, është e domosdoshme t’i analizojmë të gjitha, një e nga një, në raport me ngjarjet, historitë, personazhet dhe realitetin e sotshëm.
* * *
Lufta popullit të Kosovës iu imponua nga makina shtetërore e dhunshme e Serbisë së atyre viteve, e cila ishte komplet e kundërta e shtetit të së drejtës, të tipit europian. Në një lloj mënyre, Serbisë dhe Milosheviçit i takon “merita” e krijimit të UÇK-së. Ajo lindi nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës, nëpër fshatra, nëpër familje të persekutuara nga komunizmi jugosllav e më tej serbomadh që nga koha e Shaban Polluzhës e ndoshta dhe më parë. Nëse sot mund të themi që a ka pasur themelues ideator UÇK-ja, patjetër, e shumë madje, por në krye të tyre qëndron Adem Demaçi, i cili po ashtu si zoti Lubonja e kaloi rininë dhe jetën nëpër burgje, i ndrydhur pas hekurave si i burgosur i ndërgjegjes, asaj ndërgjegjeje kombëtare qytetare shqiptare, e cila kërkonte të drejtën e shkollimit në gjuhën e vet, të përfaqësimit, të të shprehurit, të lirisë dhe jo në emër të ultranacionalizmit, njëlloj si z. Lubonja. Adem Demaçi dhe shokët e tij të lëvizjes së ’68-s në Kosovë, ashtu si në të gjithë Europën, mbajtën në Kosovë flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë.
* * *
Jugosllavia e pas Dejtonit ishte një Jugosllavi e cunguar, ishte Jugosllavia e Milosheviçit, ku kishte katër lloj qytetarësh, niveli i parë serbët “të përzgjedhurit” e Zotit që kishin lindur për të sunduar të tjerët. Malazezët, të cilët e dinin shumë mirë se një shkëputje me luftë nga Serbia do të thoshte shkatërrim dhe rrënim si në Bosnjë dhe ata ishin shumë të vegjël, kështu që ia vlente të vazhdonin të jetonin nën Serbi për shkak të detit dhe të 45% të popullsisë serbe, dhe jo për shkak të dashurisë mes tyre. Hungarezët e Vojvodinës, të cilët për shkak të pozitës gjeografike dhe industrive jugosllave kishin pozita të avantazhuara nga pikëpamja ekonomike dhe politike në krahasim me të tjerët, pavarësisht se ishin vetëm një krahinë autonome. Shqiptarët e Kosovës, të cilët pavarësisht se me numër qytetarësh ishin me shume se Mali i Zi e Vojvodina, bashkë ishin të dënuar të jetonin, nën aparteid të papërfaqësuar, nën dhunë të vazhdueshme të makinës ushtarake shtetërore. Mjafton të përmendim që armata më e madhe e Jugosllavisë të mbetur ishte e tëra e vendosur me trupa dhe mjete të rënda në mënyrë permanente në Kosovë, nën mungesën e drejtësisë që nga ajo e pronësisë e deri tek ajo e të folurit. Qëndresës historike paqësore të Rugovës dhe LDK-së iu përgjigjën me indiferencë të plotë dhe me dhunë sistematike shtetërore.
* * *
Në vitin 1997, ditën e protestave të studentëve, të udhëhequr nga Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., ishte në krye me studentët dhe një intelektual i shquar i asaj kohe, profesor Ejup Statovci, që u masakrua live nga forcat speciale të policisë serbe para kamerave të mbarë botës. E pra, Statovci e studentët të cilët një vit më pas do ishin të tërë në UÇK, ishin më paqësorë se vetë gandistët vetëm pak muaj para luftës. Më 28 nëntor të atij viti, në Drenicë tre njerëz dolën para kamerave me uniformën e UÇK-së, një ndër ta ishte nxënës 17-vjeçar, i cili paradite kishte qenë në shkollë. Emri i tij ishte Daut Haradinaj, vëllai i vogël i Luanit, që ishte vrarë atë vit në kufirin Shqipëri-Kosovë nga ushtria serbe, i Ramushit që kishte lënë Perëndimin e ishte kthyer të mbronte shtëpinë e vet, i Shkëlzenit që dy javë para se të përfundonte lufta u vra po ashtu nga ushtria serbe. Në mars të 1998-s ushtria serbe nuk masakroi vetëm familjen Jasharaj në Prekaz, por edhe familjen Haradinaj në Deçan. Të gjithë ata që u vranë ishin civilë, femra dhe fëmijë, kështu u krijua UÇK-ja, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Një luftë që të imponohet është një luftë e drejtë, sepse me atë ruhet dinjiteti, identiteti, qytetaria, origjina, prona gjuha dhe liria; ky nuk është nacionalizëm, por patriotizëm.
* * *
Rusvelti e dinte shumë mirë se kur të hidhej bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, nuk do të vritej Perandori japonez apo as komandantët e ushtrisë, por do të vriteshin shumë civilë, dhe një pjesë e madhe e tyre të pafajshëm. Por në emër të asaj bombe do t’i jepej fund një lufte, e cila mund të vazhdonte në Paqësor edhe për 20 vjet. Natyrisht, nuk mund të mendosh që lufta e Kosovës mund të ketë qenë një luftë ku janë zbatuar të gjitha konventat e të drejtat e njeriut, pasi çdo luftë është e pisët, por luftërat ku ushtria e shtetit lufton kundër qytetarëve të vet, pra lufta civile, është 10 herë më e pisët dhe e vështirë. Megjithatë, nën qiellin e Europës për shumë vite kjo u lejua në ish-Jugosllavi, deri kur “Pëllumbi i Paqes” së Dejtonit, Milosheviçi, nuk i theu hundët pikërisht nga ata fëmijët e katundarëve të Kosovës, bijtë e thjeshtë të popullit fukara, të cilët krijuan ushtrinë që na riktheu krenarinë qytetare e kombëtare: UÇK-në. Një ditë të bukur, në burgun e Shevingenit në Hagë, teksa Sllobodani ishte në ashensor, u gjend me Ramushin vetëm për vetëm dhe uli kokën teksa Ramushi i tha: “Eh zoti President, a ta merrte mendja ndonjëherë se një ditë do gjendeshe me mua këtu?”…. E pra, njëri u largua me arkivol nga aty, e tjetri u kthye dy herë i lirë dhe hero te njerëzit e vet. Por jo sepse gjoja ishin zhdukur dëshmitarët, por sepse në atë luftë kishte një humbës dhe një fitues, humbësit qëndruan me humbësit dhe fituesit me fituesit.
* * *
Kenedi i madh ka thënë: “Mos pyet ç’ka bërë atdheu yt për ty, por ç’ke bërë ti për atdheun tënd”. E pra, Kenedi nuk ishte nacionalist e ultranacionalist, ishte patriot, jetoi e vdiq si i tillë. Nëse një burokrate e shpifur dhe e dështuar si zonja Del Ponte, që në vend të shkruante libra duhej të bënte punën e vet si prokurore, për shumë vite kërkoi të na mbushte mendjen se Ramushi, Fatmir Limaj, Rustem Mustafa dhe e gjithë UÇK ishin kriminelë, për ta dhe për ata që mendojnë si Del Ponte ka vetëm një përgjigje: një popull i tërë nuk mund të jetë kriminel, liria nuk fitohet me pallavra, por me gjak e sakrifica.(Kortezi Panorama)

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Kulla, me Fatos Lubonjen, ne vend te replikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 452
  • 453
  • 454
  • 455
  • 456
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT