“Siç e di, me të gjitha forcat e mija, po mundohem të sjell eshtrat e tim’eti në Atdhe”/
“Sa herë që kërkoj shpjegime përgjigjet janë rrëshqitëse dhe pa përfundim.”/
“Deri sa të kem jetë do të vazhdoj t’a kërkoj…. ose do të bëhen gërmimet ose duhet të më thonë se nuk duan të ndërhyjnë, por nuk duhet të tallen me mua.”/
Nga Eugjen Merlika/
Shkëputa këto pak fjalë nga një e-mail, i marrë para disa ditësh nga Aldo Renato Terrusi, autori i romanit “Brenga ime shqiptare”, i botuar vjet edhe në Shqipëri. E pata njohur fizikantin Terrusi në një paraqitje të librit të tij në Asti, të Piemontit, të organizuar nga ANCIFRA, Shoqata e italianëve të riatdhesuar nga Shqipëria.
Drama e tij është prekëse e na kthen mbrapa në kohë, në vitet e para të regjimit komunist në Vendin tonë, që qenë sinonim i terrorit më të egër në të gjitha shfaqjet e tij. Historia e tij është mjaft e njohur për shumë lexues shqiptarë e nuk besoj të jetë nevoja t’a ftilloj me hollësi. Por drama e tij lidhet ngushtë, jo vetëm me tragjedinë e babait në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por dhe me përfytyresën e këtij Vendi sot. Në një farë mënyre ajo është një njësi matëse, një provim që i bëhet institucioneve të shtetit të sotëm shqiptar, të demokracisë apo të “demokraturës”, siç i pëlqen Predrag Matvejeviçit t’i emërojë sistemet paskomuniste ballkanike.
Aldo Renato Terrusi, qytetar italian i lindur në Shqipëri, ka njëzet vjet që përpiqet të gjejë eshtrat e babait të tij, Giuseppe Terrusi, ish drejtor i bankës së Vlorës, i arrestuar e dënuar nga gjykata shqiptare me 10 vjet privim lirije, i vdekur në burgun famëkeq të Burrelit më 1952. Ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve kompetente shqiptare, së fundi, para një muaji deri tek zv.ministri Ristani, kryetari i Task Forcës për gjetjen e eshtrave të viktimave të terrorit komunist. Përgjigjet e këtyre institucioneve, në njëzet vitet e kërkimeve, pra të qeverive blu apo rozë, mund të kuptohen qartë në frazat e e-mail-it të mësipërm.
Është bërë proverbiale ngadalësia e institucioneve të Shqipërisë pas komuniste për të njohur dhe kthyer detyrimet ndaj qytetarëve, sidomos t’atyre që janë përndjekur nga regjimi i mëparshëm. Kështu ndodhi me pasuritë e paluajtëshme si pronat, truajet apo shtëpitë e shtetëzuara, me dëmshpërblimet e punës së papaguar të mijra njerëzve të dënuar për motive politike në gjysëm shekullin e diktaturës, me inkuadrimin tepër të vështirë në institucionet shtetërore apo në jetën politike të bijve të ish të përndjekurve, edhe se të diplomuar jashtë shtetit, etj. etj. Shpjegimi i këtyre dukurive nuk është i vështirë të kuptohet : me përjashtime të rralla, klasa politike shqiptare, në thellësi të saj, ruan një ndjenjë armiqësie ndaj kundërshtarëve të komunizmit. Për pasojë, edhe problemet e tyre janë gjithmonë objekt konsumi demagogjik, por asnjëherë nuk ka një prirje të sinqertë për t’u vënë në rrugën e zgjidhjes. Por nëse e gjithë kjo mund të gjejë shpjegim në frazën e famshme të romakëve Vae victis (Mjerë të mundurit), ende sot aktuale në Shqipërinë “evropiane” të shekullit 21, rasti i një qytetari të huaj që, prej 20 vitesh, kërkon pa asnjë rezultat, jo pasuri të rrëmbyera dhe as dëmshpërblim për humbjen e babait dhe traumën psikologjike të rritjes si jetim, por thjesht vetëm eshtrat e atij babai, është një akt që , besoj, bën të skuqet nga turpi çdo shqiptar të ndershëm.
Para gjysëm shekulli qeveria shqiptare i dha mundësi gjeneralit italian të kërkonte e të mblidhte eshtrat e oficerëve dhe ushtarëve italianë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore, edhe se ishin eshtrat e një ushtrie pushtuese. Po ashtu, në vitet e fundit, Greqia ka mundur të kërkojë eshtrat e ushtarëve grekë të mbetur në tokën tonë, dhe ato të një ushtrie pushtuese. Në të dyja rastet Shteti shqiptar ka vepruar drejt e në përputhje me normat ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim nuk ka asnjë justifikim qëndrimi mospërfillës kundrejt qytetarit italian Terrusi. Ai qëndrim bie ndesh me traditën e lashtë të mikpritjes shqiptare, simbas së cilës miku, edhe kur ka qënë hasëm, është vënë në krye të vatrës. Edhe shkrimtari italian është një mik i nderuar, jo vetëm sepse ka lindur në Vendin tonë e ushqen për shqiptarët ndjenjat më të mira, por edhe e, mbi të gjitha, sepse Shteti shqiptar i është borxhli për jetën e babait të tij. Ky i fundit qe një viktimë e pafajshme e një intrige t’ulët, t’orkestruar nga Enver Hoxha, për “të marrë hak” ndaj mospranimit të dashurisë së tij nga një vajzë 16-vjeçare italiane, që u bë më vonë bashkëshorte e viktimës.
Është i pakonceptueshëm cinizmi i autoriteteve të ngarkuara me detyrën e posaçme, që sorollasin për njëzet vjet, në kundërshtim me të gjitha ligjet e shkruara e të pashkruara të bashkëjetesës së qytetëruar, një njeri, për më tepër të huaj, që kërkon të çojë në Atdhe eshtrat e babait të tij, të vdekur në burgun e Burrelit, i dënuar pa asnjë faj. Nuk është i pranueshëm asnjë argument justifikues si mungesat e dokumentave, e njoftimeve për vendin e varrit, e fondeve, apo çdo lloj tjetër që burokracia mund të sjellë si një gjethe fiku për të mbuluar këtë skandal të turpshëm. Shpjegimi i vetëm është mungesa e vullnetit dhe e qëllimit për të nxjerrë nga burgu i përjetshëm, nga toka e kuqe e Burrelit ato eshtra, duke varrosur edhe kujtimin sot në një indiferentizëm vrasës.
Nuk duhet të kishte asnjë pengesë për të gërmuar në pak qindra m² tokë të ish oborrit të burgut të Burrelit, që duket se ka qenë varreza e fshehtë e shifrave të larta të të vdekurve, brënda atyre mureve. Do të ishte dashur të gërmohej me shumë kujdes për t’i nxjerrë ato eshtra sa më saktësisht, sikur të ishin një pasuri e vyer arkeologjike, për t’i sistemuar e, në bazë të ADN-së për të gjetur emrat e për t’u a dorëzuar familjeve. Kjo vlen për Terrusin, ashtu sikurse për qindra të tjerë, viktima të shkëlqyera t’atij burgu famëkeq, ndër të cilët dua të veçoj Ministrin e Arsimit të Shqipërisë etnike, profesorin e nderuar Xhevat Korça, ish Kryeministrin Koço Kota, ish Ministrin e parë të Arsimit të Shqipërisë komuniste, Gjergj Kokoshi, ish Kryetarin e nderuar të Vatrës, Arqile Tasi etj.
Kështu duhej të kishte vepruar një Shqipëri demokratike, e qytetëruar, e dekomunistizuar, e respektuese e traditave shekullore të popullit të saj. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu e pasojat janë jo vetëm “brenga shqiptare” e Aldo Terrusit dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, por edhe përkeqësimi i Imazhit të Vendit, që nuk ka kurajon të shkëputet ende idealisht nga e shkuara e turpëshme e kriminale e tij, së cilës i trashëgon mendësinë duke përsosur metodat e mashtrimit dhe të hipokrizisë.
Një popull që ka nxjerrë nga gjiri i tij një Nënë Terezë e Burra shteti, t’aftë të shpëtojnë qindra jetë hebrenjsh në luftën e dytë botërore, mendoj se nuk e meriton një Imazh të tillë. I takon klasës së tij politike të reflektojë thellë mbi vetveten sepse Shqipëria e sotme nuk është diktatura e Enver Hoxhës, por nuk është as demokracia që ëndërrohej e që, në 23 vjet, duhej të kishte patur fizionominë e saj të qartë. Demokracia, ajo e vërteta nuk matet vetëm me numurin e pallateve, bizneseve, partive politike apo rrugëve të shtruara, por, mbi të gjitha me shërimin e plagëve të pafund të diktaturës në të gjitha fushat, në mendësi e në kulturë, në respektim ligjesh e të drejtash themelore, në dëmshpërblimin e gjithanshëm të viktimave të mbijetuara sikurse në respektimin e sinqertë të kujtimit të atyre që ajo u mori jetën. Në këtë drejtim, besoj se gjetja dhe kthimi i eshtrave familjeve të atyre që nuk patën as një varr të tyre, së bashku me nderimin e duhur, është detyrë e parë e Shtetit, tregues qytetërimi dhe shenjë e prekëshme e vullnetit për të prerë kërthizën që na mban akoma të lidhur me të shkuarën tonë të afërt.
Maj 2013
Rilindja dhe pseudorilindja elektorale (3)
Nga Enver Bytyçi/
Thamë në botimin e pardjeshëm se Rilindja rievokon një epokë qytetërimi të humbur e të shuar. Së paku rikthen në jetë një komb, të cilit i është venitur shpirti. Këtë gjë, rikthimin në jetë të kombit shqiptar e bënë rilindasit tanë të shekullit XIX. Tipari themelor i asaj periudhe ishin romantizmi dhe iluminizmi, dmth shprehja e besimit për të ardhmen, harmonia e fjalës, dashuria për kombin, atdheun, shoqëruar me platformën e Pashko Vasës «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais»), botuar në Paris më 1879 dhe veprës tjetër të Sami Frashërit “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, botuar më 1899 në Bukuresht. Nuk ka Shqiptar që nuk i njeh këtta dy rilindas si dhe këto dy vepra që ata kanë shkruar e që mbeten në përjetësi si vepra monumentale të mendimit illuminist të rilindasve tanë.
Ndërsa pseudorilindja dhe pseudorilindasit e sotëm jo vetëm që nuk kanë një platformë të vetën për ndonjë ringjallje të vendit, por as kanë ndërmend t’i referohen në ndonjë varg veprave të rilindasve tanë të shquar. Mundet të konceptohet si pikë referimi “Kurbani” i kreut të skuadrës së ashtuquajtur “Rilindje”, por të gjitha të dhënat flasin se akademikë dhe emra të mëdhenj të letrave shqipe kanë shkruar libra dhe krijime shumë herë më të mira se kurbani i Ramës, çka e bën këtë libër e autorin e saj të paqenë në radhën e ndonjë grupi rilindasish qoftë dhe virtualisht të tillë. Këtë fakt duket se e njohin pseudorlindasit tanë, sepse nuk ka e nuk mund të gjesh asnjë referencë të librin “Kurbani” në paraqitjet e tyre. Kurbani mbetet kurban dhe nuk mund të përceptohet as nga budallenjtë e fanatikët si platformë zhvillimi e progresi, jo më si model për ringjallje, rimëkëmbje e rilindje, çfarë pretendon skuadra e mashtruesve me terma bombastikë.
Duke u rikthyer te argument i rilindave, ndoshta ia vlen të bëhen disa krahasime midis vizionit, ideve dhe koncepteve që janë shpalosur para më shumë se një shekulli me praktikat që bart politika e pseudorlindasve të sotëm. Them me praktikat, se vizionet, idetë dhe konceptet e këtyre të sotmëve mungojnë plotësisht.
Rilindasit hodhën idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kjo ide e tyre u lëvrua aso kohe me aq idealizëm sa çoi jo vetëm në bashkimin, por edhe në afrimin e vëllazërimin e tyre. Le të kujtojmë faktin se çfarë u arrit më 1878 në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Por të kujtojmë gjithashtu faktin se për hir të kombit e të gjuhës sonë Kongresin e Manastirit e drejtuan dy kolosët pasrilindas, Pater Gjergj Fishta dhe Mit’hat bej Frashëri. Ata u bashkuan jo vetëm në idealin kombëtar, por edhe për njësimin e alfabetit shqip dhe latinizimin e këtij alfabeti. Aso kohe nuk kishim të bënim me një Europë miqësore. Përkundrazi, Europën e asaj kohe Gjergj Fishta do ta quante mizore, për shkak të vendimeve të saj për shkërmoqjen e shqiptarëve. Megjithatë ata nuk lëvizën nga orientimi europian e perendimor dhe e panë atë si model e si stacion të kulturës, lidhjeve dhe marrëdhenieve tona.
Ndërkaq kreu u skuadrës së pseudorilindasve, pra Edi Rama, nuk mundi të ngrihet së paku në nivelin e qëndrimeve proeuropiane të rilindasve tanë. Ai e ka të vështirë t’u shpjegojë shqiptarëve pse u përpoq të bllokojë arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Të gjithë kujtojnë se aso kohe Rama mobilizoi të gjithë propagandën e vet dhe mediave që komandon kundër nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Studiuesit do t’i rikthehen kësaj kohe të vështirë dhe do të shohin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Historianët dhe ekspertët do të evidentojnë faktin se si diplomacia shqiptare e kohës u vu në lëvizje si kurrë ndonjëherë më parë për të bindur çdo vend anëtar të BE-së për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ndërsa në anën e kundërt qëndronte kreu i opozitës.
E njëjta skemë u përdor nga Rama dhe pseudorilindasit etjerë edhe në rastin fatlum të pranimit të Shqipërisë në NATO. Kur ndodhi ngjarja e Gërdecit, kam shkruar e kam nënvizuar se ajo ngjarje nuk ishte e rastësishme. Në koshiencën time ajo ngjarje e pandriçuar ishte vepër e kundërshtarëve të pranimit të Shqipërisë në NATO. Fatkeqësisht në krah të këtyre kundërshtarëve u shfaq atë botë edhe kreu i opozitës, zoti Rama. Nëse kthejmë kokën pas, ngjarja dramatike e Gërdecit ndodhi vetëm 20 ditë nga dita kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO. Dhe nëse Rama nuk do ta mirëpriste Gërdecin si ngjarje në dëm të antarësimit në NATO, së paku do të duhej të priste 20 ditë, sa të merrej ftesa e të mos e përdorte atë si karem të luftës politike të tij. Por ndodhi e kundërta. Aq sa media e Ramës me eufori e kënaqësi të manifestoi lajmin se “Kongresi amerikan ishte kundër ftesës për Shqipërinë në NATO”. Kur ndodhi e kundërta dhe presidenti Bush anashkaloi Gërdecin për ta ftuar vendin tonë në Aleancë, kreu i opozitës i shtoi përpjekjet e tij për politizimin e ngjarjes. Objektivi i tij ishte që një vit më vonë Shqipëria të mos e ngrinte flamurin e saj pranë selisë së NATO-s në Bruksel. Edhe nëse do ta bënin këtë analizë vetë fanatikët e Ramës, nuk do të mund t’i iknin argumentit se kreu i opozitës shqiptare, si në asnjë vend në Europë, ishte pozicionuar kundër Shqipërisë në NATO. Zoti Ngjela tha në një debat televiziv se pranimi në NATO ishte pasojë e vendimit të Xhorxh Bushit dhe jo e performancës së Shqipërisë. Ata që mbronin të kundërtën në atë debat nuk i thanë zotit Ngjela se “Amerika ka pasur president edhe në tetë vitet e qeverisjes së socialistëve, por asnjëri prej tyre nuk e mori një vendim të tillë”. Në politikë e sidomos në vendimmarrje të tilla, të cilat shënohen si ngjarje madhore të politikave e gjeopolitikave, nuk ka asnjë rol rastësia, siç përpiqen ta shpjegojnë procesin mbështetësit e zotit Rama.
Kur kthejmë kokën prapa në katër vitet që shkuan, përsëri precedentët antieuropianë janë të pranishëm në personin e zotit Rama. Liberalizimi i vizave ishte beteja e parafundit midis opozitës dhe pozitës për t’iu afruar Europës. Megjithëse interesi i qytetarëve ishte i jashtëzakonshëm për këtë, zoti Rama ndërtoi strategjinë dhe taktikën e bllokimit. Jam i detyruar të pohoj dhe njehëre atë çfarë kam shkruar kur çadrat e grevës së urisë qenë ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së kryeministrit. Atëherë shkruaja se Rama mund të dalë nga ngujimi, nëse BE-ja ia bën me dije liderit tonë të opozitës se çfarëdo që ai të bëjë, nuk e kthen mbrapsht procesin e liberalizimit të vizave. Kur kjo u bë me dije, atëherë u gjet formula e krokodilit në Strasburg, me qëllim që të kamuflohej sa të ishte e mundur prapësia antieuropiane e Ramës. Ndërkaq nuk është nevoja të qëmtohet në deklratat e “rilindasve” të kohëve tona, sipas të cilëve, “në rastin e liberalizimit të vizave një million shqiptarë do të merrnin rrugët e Europës”, një gjetje kjo e supozuar thjesht për ta trembur kontinentin e vjetër.
Dhe më së fundi vijmë te bllokimi i ligjeve, të cilat duheshin miratuar për t’i hapë rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat. Nëse i dëgjojmë pseudorilindasit, ata thonë se përveç tri ligjeve, BE kishte vënë 7 ose 8 kushte të tjera. Dhe është e ditur se kishte e do të ketë kushte të tjera, veç përmirësimit të ligjeve. Por ata nuk duan ta pranojnë se të gjitha kushtet e tjera, si lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit, shteti ligjor e pavarësia e gjyqësorit, janë kushte permanente të të gjitha etapave të afrimit të Shqipërisë drejt BE-së, parasëgjithash janë kushte të procesit të negociatave për anëtarësim. Nga ana tjetër, opozita do të ishte krejt komode, nëse vërtet Shqipëria kushtëzohej nga moskryerja e detyrave të qeverisë, sepse dështimi për këtë shkak do ta penalizonte qeverinë e jo opozitën. Pse atëherë pseudorilindasi nuk e la topin në portën e kundërshtarit të tij politik?! Ai nuk i votoi tri ligjet, sepse kishte frikë se Shqipëria do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat. Kështu I vetëquajturi rilindas u shfaq për një periudhë të gjatë si aplikues i doktrinave dhe teorive që shkojnë kundër parimeve themelore të rilindasve të vërtetë shqiptarë.
Në këtë përmbledhje nuk kam ndërmend të analizoj shkaqet e bllokimit që zoti Rama i bëri integrimit europian të Shqipërisë. Argumentin e lartshkruar po e përdor thjesht në funksion të dallimit thelbësor që ekziston midis pseudorilindasit të vitit 2013 dhe rilindasve të vërtetë të shekullit XIX. Ata të shekullit të rilindjes së vërtetë të kombit tonë ishin shkolluar në medreset, gjimnazet e universitetet e perandorisë osmane. Kjo do të nënkuptonte që ata të mbartnin kulturën orientale të perandorisë, së cilës i kishin shërbyer. Por jo. Ata dinin 5 ose 6 gjuhë perendimore. Ata mendonin, flisnin dhe vepronin me idetë, filozofinë dhe orientimin perendimor. Ata ishin idealistë dhe nuk kishin kurrëfarë agjende personale në dëm të interesave kombëtare. Prandaj të gjithë së bashku ata morën vendime shumë të rëndësishme e kapitale për orientimin europian të shqiptarëve. Pseudorilindasit e sotëm mbetën së paku deri më sot në anën tjetër të skuadrës antieuropiane e për pasojë antirilindje.
Dhe një fakt tjetër: Rilindasit tanë nuk menduan dhe nuk punuan asnjëherë që ta përçajnë Shqipërinë në veriorë e jugorë, në qytetarë e në fshatarë, në muslimanë, ortodoksë apo katilikë. Nuk ka nevojë të jap argumentin e njohur tashmë, se ata u dhanë shqiptarëve një emër të vetëm, emrin e shqiptarit. A ndodh këto kohë pas më shumë se një shekulli kjo që ka ndodhur atëherë? Nëse qëmtojmë thjesht në deklarimet e liderit të pseudorilindasve do të gjejmë shumë raste të mbjelljes së përçarjes dhe urrejtes. Në Vlorë zgjedhësit shqiptarë u njohën me një term të ri: “Bathorizimi”. “Nuk do të lejomë bathorizimin e Vlorës” – tha Rama. Nuk po hyj në berthamën e problemit, pse Vlora u rrezikoka nga një fenomen bathorizimi, kur qeverisja locale e saj i takon vetë Ramës. Por një vëzhgim i shpejtë bën që të mendosh se ky term i ri ishte planifikuar të thuhej pa kurrëfarë shkaku në Vlorë dhe pikërisht në Vlorë. Rama bënte diversionin e radhës, për t’i nxitë vlonjatët kundër atyre që ai I quan “malokë”, pasi në përceptimin e fansëve të tij Bathorja është një vendbanim i ri I krijuar nga lëvizja e popullsisë prej veriut në Tiranë. Diversione të tilla pseudorilindasi ka bërë në disa raste, edhe në Shkodër, edhe në Peshkopi, edhe në Kukës. Por Vlora duhej ngacmuar në plagën që e krijuan Rama, bashkëpunëorët si dhe paraardhësit e tij.
Në kohën e rilindasve nuk kishte ndarje të tilla, sepse rilindasit nuk e çonin ndërmend të punonin kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Pseudorilandsit e sotëm duket se kanë një mision të ndryshëm nga ai i rilindasve. Në të vërtetë përçarjen nacionale të shqiptarëve e sollën në Shqipëri të majtët. Fatkeqësisht ndër ta ka kontribut edhe themeluesi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Fan Noli. Themelet e kësaj ndarjeje i vuri Avni Rustemi. Jo pse bëri atentat kundër Esat Pashës, por se themeloi kulturën e atentatit dhe përçarjes krahinore në Shqipëri. Për këto shërbime përçarëse ai u nderua nga diktatura komuniste, por as në atë kohë nuk guxoi kush ta quante Avni Rustemin rilindas. Tani, pseudorilindasi Rama e bashkëpunëtorët e tij, në një anë imitojnë Avni Rustemin, Qemal Stafën, udhëheqësit e bllokut komunist e, nga ana tjetër, vetëquhen rilindas.
Përçarja, përjashtimi, armiqësia nuk janë attribute të rilindasve. Këto cilësi janë dhe mbeten e kundërta e vizionit, programit, idealit dhe ideve të rilindasve. Ballafaqimi i mëtejmë me rilindasit do të sillte defiçite të panumërta në sjelljen dhe mendimin politik të pseudorilindasve të sotëm. Por nuk do të zgjatem më, thjesht për të mos lodhur lexuesin e nderuar. Mjaftojnë këto dy elementë thelbësorë që të vemë në dukje atë çfarë përfaqësonte rilindja shqiptare kombëtare e shekullit XIX dhe çfarë përfaqëson shpura e sotme e kupolës së socialistëve, e cila spekullon me rilindjen dhe rilindasit.
Ngado që ta analizosh slloganin e socialistëve dhe koalicionit të tij për të ashtuajturën rilindje, shkon në përfundimin e patjetërsueshëm se ky slogan është thjesht një butafori, të cilit nuk i beson e nuk mund t’i besojë ndokush.
Mali i Zi e do Plavë-Gucinë pa shqiptarë
Nga Ramiz Lushaj/
1. Në tokën arbnore të krahinës komunare të Plavë-Gucisë shqiptarët etnikë (të vetëdeklaruar si të tillë) renditen të dytët për nga popullsia dhe janë ma të përqëndruar në Vuthaj, Martinaj, Hot i Vendit (Hoti mbi Plavë), Kukaj-Krushevë-Vishnjevë-Hakaj, në qytetet Guci e Plavë, etj. Shqiptarët etnikë rradhavijnë pas boshnjakëve (ma së shumtit shqiptarë të asimiluar) dhe dalin para serbëve dhe malazezëve, që janë komunitete kulturore-etnike të ardhun si kolonë e ma së forti të rritun numerikisht me asimilime të shqiptarëve katolik e muslimanë në kohëna të trinjakërisë krajloviçe kundërshqiptare: Nikolla I, Tito e Gjukanoviçi.
Nistue nga numri i përgjithshëm i popullsisë etnike shqiptare përcaktohet edhe përqindja shqiptare e përfaqësimit dhe e punësimit në shtetin e pavarur të Malit të Zi të pas 2006-tës, si në institucione shtetërore e lokale që varen zyrtarisht nga Podgorica apo komuna e Plavë-Gucisë, sipas kërkesave e praktikave të përbotshme demokratike, sipas kushteve e kritereve për antarësim euro-atlantik në BE e në NATO. Politika shtetërore kundërshqiptare e Malit të Zi gjukanoviçian mbetet tejet diskriminuese ndaj shqiptarëve etnik në Plavë-Guci (realisht – mbi 20 për qind e popullsisë së saj) pasi niveli i përfaqësimit e i punësimit në këtë komunë është mbi katër herë ma i vogël se sa përqindja e duhur zyrtarisht.
2. Shifrat flasin vetë për këtë komunë alpine me 486 km2 e 14.000 banorë, me tri qendra lokale (Plavë, Guci, Murinë) dhe shtatë bashkësi lokale. Në territorin e Plavë-Gucisë janë gjithsej 959 vende pune republikane apo komunare, të cilat plotësohen nga Podgorica ose Plava sipas kritereve të tyne publike e ajzberige. Shqiptarët etnikë, sipas rregullave demokratike shtetërore dhe arsyes njerëzore, iu takon të kenë mbi 200 vende pune gjithsej në të gjitha nivelet zyrtare të atyshme. Deri kohët e fundit, sipas të dhanave nga burime të ndryshme zyrtare, partiake e qytetare, del se në krejt Plavë-Gucinë janë të punësuar mbi 50 shqiptarë. Rritja e përfaqësimit e punësimit të shqiptarëve në Plavë-Guci është tepër e ngadaltë, gjithsesi e pakët, në nivel të ulët, pavarësisht se së fundit po ndihet një erë e lehtë ndryshimi. Mjafton veç ky fakt që të shqetësoj me reflektime Bashkimin Europian e Amerikën, po veçmas edhe dy shtetet kufitare të Shqipërisë e Kosovës, që ta kushtëzojnë Malin e Zi në marrëdhaniet e integrimit e të fqinjësisë me zgjidhjen e këtij problemi përditsor të shqiptarëve plavë-gucias. Askush nuk po i kërkon askujt që të veprojnë açik, veçse siç po ban Mali i Zi që e ka njoft shtetin e ri të Kosovës, po nuk janë vendos në Prishtinë e në Podgoricë misionet diplomatike, pasi e kushtëzon me zgjiedhjen e disa çështjeve të (pa)arsyeshme malazeze.
3. Njihet (ndër)kombëtarisht kontributi politik e plebishitar i shqiptarëve në shpalljen e Pavarësisë së Malit të Zi, ku ka peshën e vet të randësishme edhe krahina e Plavë-Gucisë, e treta komunë për nga popullsia shqiptare, pas asaj të Ulqinit e të Tuzit. Shteti malazez ka mos mirënjohje të pafalshme ndaj shqiptarëve, nuk i vlerëson denjësisht si qytetarë të tij dhe në sjelljet e tij kolonizatore i sheh dhe i trajton shqiptarët si “popull i rendit të dytë apo të tretë”(!) Kjo duket qartë tek ky fakt skandaloz: policia kufitare në Plavë-Guci i ka 157 vende pune, po dekteri vonë nuk ka shqiptarë të punësuar në radhët e saj, ndërkohë që vijëkufini me dy shtetet shqiptare fqinjë, Shqipërinë Londineze dhe Kosovën dardane, shtrihet në rreth 80 km gjatësi. Një tjetër qëndrim tepër racist e mosbesues ndaj shqiptarëve: shteti malazez i merr tre qytetarë të komunitetit boshnjakë në Plavë-Guci dhe i çon në kurse kualifikime për të mësue shqipen, pasi iu duhen për me komunikue me shqiptarët në anën tjetër të kufinit, ndërkohë që shqiptarët etnikë plavë-gucias mbeten pa punë dhe kalojnë si muhaxhir nëpër këto pika kontrolli kufitar tue marrë rrugët e mërgimit të prejkohshëm, ma së shumti në Amerikën përtej Adriatikut e Atlantikut.
Sjelljet koloniale mesjetare të shtetit malazez keqshfaqen edhe në mos përfaqësimin e shqiptarëve etnikë në Plavë-Guci në organet e drejtësisë. Është vetëm një prokuror dhe asnjë gjyqtar. Në zyra të shërbimit informativ malazez të atyshëm nuk ka asnjë shqiptar. Në këto raste kemi përjashtim ekstrem të faktorit e përqindjes shqiptare në këto organe, duke mos pasë në përbërje të tyre të paktën një shqiptar-përkthyes, etj. Ndërkohë që ndihet e domosdoshme pasi numri i hetimeve e i gjykimeve ndaj shqiptarëve është disi i lartë në krahasim me boshnjakët, serbët apo malazezët, edhe për arsyen e thjeshtë se përndiqen shpesh e diferencohen gjithkund për shkak të etnisë shqiptare.
Në policinë e shërbimeve publike nga 83 punonjës (policë e punëtorë administrativ) shqiptarët punësohen vetëm rreth 4 për qind, pavarësisht faktit që shqiptarët janë të dytët në popullsinë e përgjithshme të komunës dhe ka bashkësi lokale si në Vuthaj, Martinaj, etj. me mbi 90 për qind mono-etnike shqiptare. Edhe aty ku jepen dokumente personale edhe për shqiptarët ka 15 të punësuar të komuniteteve të tjera etno-kulturore, ndërsa shqiptarët nuk përfillen në përqindje zyrtare! Një dukuri e tillë negative raciste kaq ekstremiste nuk ndodh as në disa shtete nga ma diktatorialet në botë, si në Afrikë apo në Azi. Këto dëshmojnë se shteti malazez sillet si pushtues, është neo-kolonizator mesjetar.
Absurditete që nuk kanë astenjë shfajësim politik, moral apo zyrtar: në Entin e Punësimit në Plavë nuk ka shqiptar dhe atëherë si mund të thonë se ka interes shtetëror, partiak e komunar për punësimin e shqiptarëve?! Në Drejtorinë e Pyjeve ka 37 vetë të punësuar, kurse shqiptarët zënë vetëm mbi 6 për qind dhe ende ka vende të lira për punësimin e tyre. Paradoksale: në Organin për Kundërvajtje, në Qendren Sociale, në Postë, etj. nuk ka shqiptarë, në Qendrën Parashkollore vetëm 1 shqiptar, etj. Në institucionet e larta presidenciale, parlamentare e qeveritare në Podgoricën e Çetinë dhe në selitë e partive politike shqiptare në Ulqin e Podgoricë, e mirëdijnë këtë gjendje të randë në Plavë-Guci, po nuk ndërmarrin hapa të plotë me vullnet politik e njerëzor që ta ndryshojnë realitetin katastrofal të kësaj komune nga ma të varfrat e Europës.
4. Çështja shtrohet edhe kështu: nëse në organet e drejtësisë, të sigurisë shtetërore e të policisë kufitare e të shërbimeve, të tatimeve, etj. Emnimet i ka në dorë edhe Podgorica, kryeqëndra zyrtare e shtetit malazez, po komuna e Plavë-Gucisë me mbi 100 punonjës pse ka vetëm mbi 10 për qind shqiptarë në zyrat e saj?! Në ente e organizma në varësi të kësaj komune përfaqësimi e punësimi i shqiptarëve kap rreth 8 për qind, një shifër ende e ulët, pasi flitet zyrtarisht për rreth 60 vende pune të mundshme. Përndryshe: nga 73 vende pune në organizatat komunale të Plavë-Gucisë mund të punësohen rreth 20 shqiptarë, po janë në punë të ndryshme veç nja 5 për qind e tyne. Tjetra: nga 24 vende pune në shërbimin zjarrfikës nuk ka astenji shqiptar, ndërkohë që përqindja i kërkon 6 vende pune. Në dhomat e kulturës në këtë komunë ka 27 vende në organikë dhe në to duhet të punësohen deri në 7 shqiptarë etnikë. Komuna, pavarësisht nga vështirësitë e (pa)dituna, i ka mundësitë edhe për shtimin e vendeve të reja të punës në shtrirjen gjeo-administrative të Plavë-Gucisë, si në mirëmbajtjen e liqenit të Plavës, në Parkun Nacional, në sektorin e pastrimit e deponimit të mbeturinave (që po i hedhin keqas gjithandej, paturpësisht edhe mbi varret e luftëtarëve të legjendares “Luftë e Nokshiqit”).
5. Mos përfaqësimi e mos punësimi i rreth 200 shqiptarëve etnikë të Plavë-Gucisë në vendet e tyre të ligjshme brenda përqindjeve të kuotave zyrtare të kushtëzuara nga numri i popullsisë së saj ka problematikat e veta politike, etnike, fetare, etj. Një prej tyne është zania e vendeve të punës të planifikuara për shqiptarët etnikë me të tjerë të etnisë boshnjake, serbe e malazeze. Gjithashtu ka ndikue edhe fakti se ndërvite as Podgorica dhe as Plava nuk kanë pasë vullnet politik e njerëzor për përgatitje perspektive të shqiptarëve etnikë të atyshëm nëpërmjet shkollimit e kualifikimeve të ndryshme për disa vende pune si në shëndetësi, arsim, polici, etj. Mbi të gjitha theksojmë se mos përfaqësimi e mos punësimi i shqiptarëve etnikë plavë-gucias dhe mos zhvillimi i kësaj krahine komunare të prapambetur ka të bajnë me vetë politikën shtetërore shovene raciste të Malit të Zi që don t’i shpërngulin shqiptarët për në botën e jashtme, që këta ta lëshojnë tokën e vet etnike shqiptare, etj. Realisht Mali i Zi me demagogji e vello “demokratike” kërkon ta kryejnë përfundimisht proçesin e kolonizimit në Plavë-Guci nëpërmjet shpërnguljeve e spastrimit etnik të shqiptarëve trojenik. Shifrat flasin vetë: në vitin e pushtimit malazez të Plavë-Gucisë në tetor 1912 popullsia shqiptare ishte mbi 77 për qind dhe pas një shekulli shohim se shqiptarët etnikë janë 4 herë ma pak, ndërkohë që janë mbi trefishue etnitë e tjera si boshnjakët (mbi 44 për qind), serbët (rreth 20 për qind) e malazezët (mbi 14 për qind). Gjithçka tashma po dihet dhe shihet: Mali i Zi po lufton ta kthejnë Plavë-Gucinë në një në një vend pa shqiptarë dhe bota shqiptare e ajo euro-atlantike nuk duhet të heshtin ndaj këtij kolonizimi mesjetar në Europën moderne.
I BASHKOI APO I NDAU SERBET E VERIUT VUCIQ?
Vizita e zëvendëskryeministrit të parë të Serbisë Aleksandër Vuçiq, me 12 maj në veri të Kosovës, ndonëse nuk ishte pritur me simpati nga serbët e kësaj pjese të vendit, megjithatë ka zvogëluar hendekun ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe liderëve serb të veriut të vendit, vlerësojnë disa prej këtyre liderëve.
Hendeku dhe tensionimi i raporteve, siç thonë ata, ishin krijuar pas arritjes së marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiq, të cilën serbët e veriut e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ende ta bëjnë këtë.
Lideri i serbëve të veriut, Milan Ivanoviq nga Këshilli Nacional Serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimit të së dielës, edhe autoritetet e Beogradit por edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, pavarësisht mospajtimeve, kanë ardhur në përfundim se nuk mund të bëjnë pa njëri tjetrin.
“Megjithatë, është kuptuar nevoja se nuk mund të bëjmë pa njëri tjetrin dhe ky përfundim është pranuar me plot seriozitet. Ne u pajtuam për këtë dhe ka pasur propozime që ti qetësojmë emocionet dhe siç thuhet, ta lëshojmë topin në tokë, gjë që në pjesën e parë të takimit të hapur nuk pati sukses”, ka thënë Millan Ivanoviq.
Por lideri tjetër i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, ish zyrtar në qeverinë e mëparshme serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se vizita e Vuçiqit në veri të Kosovës dhe takimi i tij me liderët e atjeshëm ka ndikuar në përafrimin e qëndrimeve ndërmjet tyre dhe autoriteteve të Beogradit.
“Gjëja themelore është se ka qenë e dukshme që disa kanë qëndrime negative, por shumica kanë ndjenjën e fuqishme të brengosjes se si do të ndikojë marrëveshja në jetët e tyre të përditshme. Mendoj se një pjesë të përgjigjes e kanë marrë, ndërkaq një pjesë tjetër e përgjigjes është çështje e kohës”.
“Mendoj se në periudhën që është para nesh, duhet të ketë më tepër kontakte, sidomos të linjës shtetërore dhe të mos barten informacionet përmes linjave partiake, sepse kjo e fundit është treguar si një zgjidhje e keqe. Fundja edhe Vuçiqi ka pasur mundësinë që të shoh se cili është populli në Kosovë, cilët janë përfaqësuesit e serbëve në veri dhe ka pasur mundësinë që edhe ai të mësoj diçka”, tha Oliver Ivanoviq.
Por, a kanë arritur ndonjë pajtim konkret përfaqësuesit e serbëve të veriut me autoritetet e larta të Beogradit lidhur me domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, të 19 prillit?
Të dy këta liderë të serbëve të veriut kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me këtë çështje.
Milan Ivanoviq vlerëson se serbët e veriut nuk do të pranojnë një gjë të tillë, ndërkaq që e ironizon insistimin e Beogradit zyrtarë se marrëveshja e obligon atë dhe se ajo duhet të zbatohet.
“Fatkeqësisht, duhet vetëm të vdiset, asgjë tjetër nuk duhet. Kështu që, çështja e marrëveshjes është relative. Ka të tilla që zbatohen, por ka edhe të tilla që nuk zbatohen. Por në këtë rast, kemi mbetur në pozicione të kundërta me Beogradin. Kështu që, sa i përket ndonjë zbatimi të kësaj marrëveshje dhe mundësisë që në këtë moment të arrihet diçka në këtë drejtim, nga ana jonë, lidhur me këtë nuk ka pasur ndonjë pajtim”, tha Millan Ivanoviq.
Por, Oliver Ivanoviq, thekson se në takimin me Vuçiqin, nuk kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës të zëshëm në kundërshtimin e marrëveshjes.
“Ka qenë e dukshme që kundërshtim të fuqishëm kanë treguar vetëm përfaqësuesit e opozitës parlamentare të Serbisë, ndërkohë që gjithë të tjetrit kanë qenë goxha të heshtur. Prandaj, kjo është e dukshme për ata që vëzhgojnë prej anash. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në periudhën që është para nesh, por unë nuk jam përkrahës i vendimeve të shpejta dhe të lehta të Qeverisë së Serbisë”.
“Pra, ajo duhet ta kuptojë se ekziston frika tek të gjithë serbët që jetojnë këtu, pavarësisht se cilës parti i takojnë. Vetëm disa prej tyre janë të zëshëm për këtë,. Disa të tjerë po e shfrytëzojnë këtë situatë për promovimin e programeve të partive të tyre, ndërkohë që shumica e serbëve janë të brengosur se si do të dukej zbatimi i marrëveshjes”, tha Oliver Ivanoviq.
Ndryshe, gjatë vizitës të së dielës në veri të Kosovës, Vuçiq ka theksuar se me përfaqësuesit e serbëve të veriut është arritur pajtimi për koordinim të aksioneve të ardhshme dhe për veprim të përbashkët me ta.
Siç ka theksuar ai, marrëveshja e Brukselit nuk është e përsosur, por me të nuk duhet frikësuar popullin.(Kortezi Bekim Bislimi)
REZOLUTA ÇAME U TRADHЁTUA PЁR TЁ DYTЁN HERЁ
Shkruan: Rasim Bebo/ Addison /Çikago
Ndalni, zotёrinj deputetё tё PDIU-sё !…
Keni deklaruar, nёqoftёse nuk do tё aprovohej Rezoluta Çame, ju do tё largoheshit nga Parlamenti. Do tё vinit kusht pёr Rezolutёn Çame nё shkёmbim tё votave. Dhe nёse Qeveria dhe parlamenti do të hezitonte nga presioni i qeverisë dhe i Kishës greke, atëhere ju do braktisnit Parlamentin… Mbani premtimin nёse nuk doni tё jeni tё mallkuar pёr gjithё jetёn si tradhtarë.
Prof. Repishti shkruan: “Unё e shoh kёtё akt (Rezoluta Çame shёn im) si njё nevojё ekzistenciale pёr dinjitetin e Kombit shqiptar, dhe e pёrkrah pa hezitim… Aty ku dёshton “shteti”shoqёria civile e kulturueme ngren zanin dhe mbush zbrastinё e pajustifikuar.”1)
Ndёrsa Pof. Dr. Eshref Ymeri shkruan: “Pёr fatkeqёsinë tonё kombёtare, kombi shqiptar nё Europёn Jugёlindore ёshtё komb pa zot. Turpi e mbuloftё nё jetё tё jetёve klasёn politike shqiptare nё tre-kёndёshin Tiranё- Prishtinё- Shkup, kёtё klasё mercenare tё grekosllavёve. Me kёtё qёndrim tё turpshёm qё mbajtёn ndaj vёllezёrve tanё tё Luginёs sё Preshevёs, kjo klasë politike i vuri njё njollё tё rёndё mbarё kombit shqiptar dhe u bё palё me shovenizmin sёrbomadh, i cili, me shkuljen e lapidarit kushtuar dёshmorёve tё Preshёvёs, tregoi faqe botёs se ёshtё vazhduese dhe mbrojtёs i veprёs gjakatare tё Milosheviçit nё raport me kombin shqiptar. (2). Kurse pёr Çamёrinё, kanë shtatё dekada qё tallen. Parlamenti shqiptar e tradhёtoi dy herё rezolutёn çame, njollё e rёndё kjo pёr kombin, aq sa brezat e ardhshёm zor ta besojnё, se Tirana ёshtё Athina sot. Koço Danaj, kryetari i listёs pёr çёshtjen kombёtare, ka shprehur domosdoshmёrinё e miratimit tё Rezolutёs pёr Çamёrinё nga Parlamenti i Shqipёrisё. Duke i bёrё thirrje PD dhe PS pёr tё votuar kёtё projekt tё rendёsishёm, Danaj u shpreh se mos aprovimi i rezolutёs, do tё thotё tё ringjallish Napolon Zervёn. Ёshtё rezolutё dhe thjeshtё tregon dinjitet. Nё radhё tё parё, Çamёria ёshtё çёshtje territori, nuk ёshtё çёshtje pronash, pronat janё tё individёve, territori ёshtё i shqiptarёve, ёshtё pjesё e kombit shqiptar. Ligji i Luftёs, Shqipёri – Greqi, do të thotë, jo kёto tё dyja nё NATO, pasi janё nё gjёndje lufte … Dy janё mundёsitё, o ne nё NATO, o Greqia nё NATO, tё dy nё NATO nuk mund te jemi, se jemi nё gjendje lufte! A e di shtabi i NATO-s nё Bruksel njё gjё tё tyllё? Sigurisht e di, por nuk bёn zё sepse nuk e ngrenё politikanёt shqiptarё. Si mund te jemi ne edhe nё NATO edhe nё gjёndje lufte me Greqin?!… Sepse lidhet edhe me çёshtjen e territoreve shqiptare tё Çamёrisё. (3).
E tradhёtuan Çamёrinё tё parёt janё drejtuesit e partive Çame, tё ngritur edhe nё pasuri nga agjentёt grekё si Fatos Nano dhe Sali Berisha. Nuk e ka pёr turp Topalli qё mashtron Çamёt, nuk e boton rezolutёn e 2004 nё Fletoren Zyrtare, pas presioneve tё Athinёs. Mes presionit nё rritje tё Athinёs zyrtare dhe provёs sё patriotizmit, kryeministri Sali Berisha pёr tё mbajtur PDIU nё koalicion rriktheu rezolutёn e vitit 2004, e cila asokohe u rrёzua, ndonëse Berisha e konsideron tё miratuar. PDIU, partia e themeluar pёr çёshtjen çame, e mirёpriti kёtё zgjidhje, ndёrsa kёrkoi botimin e rezolutёs nё Fletoren Zyrtare, meqёnёse qёnka miratuar. Por, kjo manovёr, e Berishёs po kthehet nё bumerang. Ndёrsa Jozefina Topalli, nuk guzon ta botojё rezolutёn e pa miratuar nё Fletoren Zyrtare, sikundёr edhe premtoi, pasi do tё acaroheshin marёdhёniet me Greqinё. Berisha urdhёroi kryeparlamentaren Topalli qё rezolutёn çame tё 2004 ta shpalle si tё miratuar dhe tё bindte çamёt se do te botohet sё shpejti nё Fletoren Zyrtare. Por Topalli po mashtron çamёt, pasi ka kaluar afati “15 ditor” pёr ta hedhur nё Fletoren Zyrtare, nga dita kur PDIU mori konfirmimin se rezoluta e 2004 ёshtё miratuar. Pra, ështё thjeshtё njё mashtrim i radhёs, tё cilin edhe vete Shpёtim Idrizi e ka tё qartё. Por interesat e pushtetit tё lejojnё tё bёsh “njё sy qorr dhe njё vesh shurdh”. Kryeministri i vendit do ta kishte tё pa mundur tё miratonte rezolutën, pasi interesat e ngushta me Athinёn zyrtare nuk do ta lejonin. Berisha pёr hir tё interesave tё tij me shtetin helen dhe pёr tё siguruar njё mandat tё tretё, mashtroi sёrish çamёt. Kёshtu rezoluta ka dёshtuar pёr herё tё dytё. Votimi nё 2004.
Eneida Jaçaj shkruan: “Nga proçes verbali i votimit rezulton se Rezoluta Çame fatkeqёsisht ёshtё rrёzuar nё 2004, me kontributin e drejtёpёrdrejtё tё Sali Berishёs dhe Josepina Topallit, qё braktisёn seancёn. Rezoluta ka marrё 53 vota pro, 44 vota tё deputetёve PS tё larguar me urdhёr telefonik nga nga zyra e partisё sё kryetarit tё tyre Fatos Nano, 4 kundra dhe shtatё deputetё kanё qёnё tё pranishёm nё seance, por nuk kanё marrё pjesё nё votim. (Ne parlament ishin 108 deputetё, votuan pro Rezolutёs Çame 53 dhe kundra 57 deputetё). Kёshtu rezoluta nuk mori mё shumё se gjysma e deputetёve qё kanё qёnё tё pranishёm nё seance. Kanё votuar pro edhe deputetёt Dedja, Brokaj, Pepa dhe Prifti. Kundёr kёsaj rezolute kanё votuar Dule, Goxhi, Karamelo Vangjel Tavo dhe socialistёt e larguar para votimit, atëherë Berisha me tё vetёt kanë ikur. (4).
Kryetari i Komisionit tё Jashtёm, Fatos Beja, kishte nxjerrё nga arkivi i Kuvendit votimin e datёs 8 prill 2004, duke bёrё diversion para deputetёve tё kёtij komisioni se, kjo rezolutё ёshtё miratuar, por nuk ёshtё botuar nё Fletoren Zyrtare, pasi kreu i parlamentit nё atё kohё, Servet Pёllumbi kishte deklaruar se kjo rezolutё nuk ishte miratuar.
Rezoluta e 2004.
Rezoluta Çame e vitit 2004 parashikonte forcimin e marёdhёnieve me Greqinё si dhe zgjidhjen nё mёnyrё pёrfundimtare tё çёshtjes Çame, ngarkonte qeverinё e Repeblikёs sё Shipёrisё qё kёtё rezolutё t’ua bёnte tё njohur qeverive dhe istitucioneve ndёrkombёtare qё mund tё kontribuonin nё zgjidhjen e problemit tё Çamёrisё.
Kjo Rezolutё, do tё ishte kundёrshtarja e fortё e rezolutёs greke dёrguar nё atё kohё në O.K.B. dhe E.B. se Çamёria nuk ekziston. Ne do tё kishim portat tё hapura nё arenёn ndёrkombёtare dhe çamet do tё ishin nё trojet e tyre. Kjo ёshtё fatkeqёsia e jonё e madhe, kur kemi njё qeveri armike tё kombit shqiptar.
Prof. Dr. Ymeri thotё: “Ky fakt dёshmon pёrsёri e pёrsёri se ngjarjet e vitit 1999, me sa duket , janё prapa derёs.
PAK HISTORI .
Prej kohёsh ёshtё ndjerё nevoja, qё opinioni botёror tё njohё tё vёrtetёn e dekomentuar mbi çёshtjen e Çamёrisё dhe banorёve tё saj. Libri “The Çam Albanians of greece – A Documentary Story” (Shqiptarёt Çamё tё greqisё – tregim i dokumentuar ), i cili edhe nga titulli shihet qartazi, se shpalos tё dokumentuar tragjedinё çame, ёshtё pёrgjigje adekuate. Pёrmbajtja e librit e informon opinionin ndёrkombёtar mbi krimet qё ushtroi Greqia ndaj shqiptarёve tё Çamёrisё, rreth një shekull mё parё dhe nё vazhdim. Libri mbart njё vlerё tё madhe edhe pёr vetё opinionin shqiptar, pasi shёrben pёr t’u kujtuar tё shkuarёn e hidhur tё kombit shqiptar dhe pёrcjell porosinё pёr tё mos e harruar kёtё tragjedi e cila nuk ёshtё mbyllur akoma, paçka asaj qё pretendon Greqia. Duke folur mbi tematikёn e librit, historiani i njohur dhe antari i Akademis Mbretёrore Britanike, Dr. Noel Malcolm thekson se: “fati i shqiptarёve çamё, ёshtё njё nga sekretet mё tё errёta tё historisё bshkёkohore europiane”. Malcolm bёn me dije se libri ёshtё njё koleksion i dokumentave tё rёndёsishme, qё hedhin dritёn e nevojshme mbi temёn e trajtuar.
Libri ndahet nё tre kapituj kryesorё, qё pёrfshijnё periudhёn e kohёs sё sundimit otoman, periudhёn e marёveshjes sё Lozanёs dhe periudhёn pas Luftёs sё Dytё Botёrore. Libri ilustrohet me harta tё ndryshme dhe me fotografi tё tragjedisё çame, tё nxjerra nga arkivi i UNRRA-s. Rrёfimi i tragjedisё fillon me kalimin e Çamёrisё nё anёn greke tё kufirit, veprim ky qё u realizua sipas vendimit tё Komisionit tё Kufijve dhe protokollit tё Firences nё vitin 1913. Territori i Çamёrisё, me madhёsi pёrafёrsisht tё ngjajshme me territorin qё ka sot Kosova, u bё poligon i ushtrimit tё dhunёs sё egёr greke kundёr shqiptarёve tё Çamёrisё… Plani grek ishte qё shqiptarёt ortodoksё tё asimiloheshin ndёrsa ata myslimanё tё dёboheshin jashtё Greqisё ose tё shfaroseshin nё çfarёdo forme. (5).
Ku jemi sot?… Tё dy partitё Çame tё udhёhequra nga Shpёtim Idrizi PDIU dhe nga Artur Dojaka “Aleanca Popullore”, janё bёrё palё me dy partitё kryesore PD dhe PS, qё vazhdojnё srategjinë e tradhёtarit Ramis Alia. Tё transformuara nё njё Athinё tё dytё nё Tiranё, u lidhёn nё kualicion votash, pa vendosur kusht pёr Rezolutёn Çame. Fjala Çamёri, ёshtё dhimbje koke pёr grekun, prandaj duhet fshirё edhe nё Shqipёri. A ёshtё kjo thikё pёr Çamёrinё?
Në kёtё artikull, dua tё dal para lezuesit, me figurёn e ndritur tё Dr. Noel Malcolm, antari i Akademisё Mbretёrore Britanike, qё shkruan me respekt pёr Çamёrinё dhe per qeverin shqiptare qё po pёrpiqet ta varrosё Çamёrinё. Ta dine kёta mohues tё kombit shqiptar, se “Zgalemi” po lajmёron afrimin e fortunës.
Referencat:
1. Sami Repishti, “Pёrse e pёrkrah…”. “Illyria”, 24-12-2012, f. 28.
2. Eshref Ymeri, “Pёrfaqesin kombёtare, …”, intenet 20- 1- 2013.
3. Koço Dano, “Tё mos votosh rezolutёn…”, intern. 30-3-2013.
4. Eneida Jaçaj, “Topalli mashtron çamёt…”, internet,
5. Daut Dauti, “Noel Malcolm , Çamё…”, Illyria, 22-4-2013, f. 26
Rasim Bebo Addison Çikago, maj 2013.