• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kush beson, nuk është kurrë vetëm”

July 10, 2013 by dgreca

K jo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e kishës katolike: Dy Papë përpilojnë një enciklikë. Enciklika e Papës së ri mbi “dritën e besimit” është në të njëjtën kohë vepra e fundit e Benediktit.

“Një enciklikë nga katër duar”. Këtë formulim përdori para pak ditësh Papa Françesku me rastin e botimit të enciklikës së tij të parë. Pas prezantimit të dokumentit në Vatikan nga Kardinali Marc Ouellet u bë e qartë se tonin mbisundues kësaj vepre të bërë nga katër duar ia ka dhënë paraardhësi i tij, Papa, që dha dorëheqjen, Benedikti. Vetëm disa pasazhe të lënë përshtypjen se janë plotësuar nga Françesku, pak para se ai të vendoste firmën e vetme me 29 qershor, ditën e festës së rëndësishme të “Pjetrit dhe Palit”.

Dokumenti 90-faqesh me titullin “Lumen Fidei” (Drita e besimit) trajton raportin me Zotin dhe besimin. Ai është biblik dhe teologjik. Një shembull: “Besimi nuk është strehim për njerëz pa kurajo, por ai i jep dimension jetës. Besimi të bën të zbulosh një prirje të madhe, prirjen për dashuri, dhe garanton se kësaj dashurie është për t’i zënë besë…” Enciklika përkon me vitin “e besimit”, që  kisha katolike kremton që nga vjeshta e vitit 2012. “Kush beson, nuk është kurrë vetëm”, një nga fjalitë më të njohura baritore të Benediktit përmendet disa herë. Dhe ky besim nuk ka si të mbetet pa pasoja për besimtarët.

Besimi, arsyeja, e vërteta

Të dy autorët theksojnë “raportin e ndërsjellë ndërmjet besimit dhe arsyes”, të cilat forcojnë njëra-tjetrën. Dhe lidhjen mes besimit dhe të vërtetës hyjnore, që aktualisht është në rrezik të lihet në harresë të madhe. Më tej bëhet fjalë për rëndësinë e familjes, kishës, sakramenteve. “Kisha është një nënë, që na mëson të flasim gjuhën e besimit.” Aty gjendet edhe refuzimi ndaj çdo relativizmi, ku nuk ka më interesim për Zotin dhe kërkimin e një të vërtete universale: “Ne mund të flasim në këtë kontekst për një harresë të madhe në botën tonë të sotme.” Dhe teksti paralajmëron në mënyre strikte, se meqë besimi është një i tërë, duhet të përcillet në pastërti dhe integritet të plotë. Pra, kush mohon një nen të besimit, ai dëmton në këtë mënyrë njëlloj të gjithë të tjerët.

Referencat ndaj botës laike dalin herë pas here, por ato mbeten të pakta në shumicën e rasteve. Kështu thuhet për shembull, besimi, jep një vetëdije kritike ndaj studimeve shkencore pa limite. Ose: vendi i parë i besimit është familja, në rradhë të parë martesa, “bashkimi i qëndrueshëm i burrit dhe gruas.” Përveç kësaj enciklika porosit me disa fjalë njerëzit edhe për “format e drejta të qeverisjes” dhe modelet e zhvillimit, “të cilat nuk bazohen vetëm në interes dhe fitim.”

 

Tekst i Europës së vjetër

Në vitin 2006 dhe 2007 Benedikti shkroi enciklika për temat e dashurisë dhe shpresës. Vepra mbi virtytin e tretë dhe të fundit teologjik, besimin, e pritur gjatë, nuk u botua më për shkak të dorëheqjes së tij. Sa shumë ndikim ka të menduarit dhe besimi i Benediktit në enciklikën e tanishme, e tregojnë jo vetëm disa formulime. Atë e tregon shumë qartë edhe letërsia e cituar. Janë kryesisht klasikët e mendimit perëndimor si Agustini dhe Niçe, Thomas Akuini dhe Wittgenstein, Rusoi dhe Dostojevski. Asnjë autor i vetëm nuk vjen nga jashtë Evropës, shumë pak janë të shekullit të 20-të. Dhe teologët që citohen, vijnë nga fokusi i teologut të dikurshëm Ratzinger.

Francesku paraqet enciklikën e tij të parë, as katër muaj pas zgjedhjes së tij më 13 mars. Prej gati 100 vjetësh asnjë papë nuk shkroi një enciklikë kaq shpejt, vetëm Benedikti XV. (1914-1922)t, kur deshi të përcillte mesazhin e paqes në kohën e Luftës së parë  Botërore. Mund të bëhen vetëm spekullime, nëse Françesku me publikimin e kësaj enciklike donte të shprehte konsideratën për paraardhësin e tij, apo merr me qëllim të njëjtin qëndrim teologjik si ai, për të qetësuar forcat konservatore. Këtu vlen të përmendet dalja jo e rastësishme e Benediktit në Vatikan në mëngjesin e publikimit, shfaqja e parë në publik e Joseph Ratzingerit që nga 23 marsi 2013.

Nje kohë e veprimeve dhe mendimeve të reja?

Por konteksti i enciklikës tregon se Francesku është në dilemën ndërmjet vazhdimësisë dhe kthesës. Në bilancin e 100 ditëve të mandatit të tij në mesin e qershorit shumë vëzhgues ishin në pritje. Në fakt në daljet e para në publik Papa ka thënë shumë fjalë të mira dhe ka patur momente të ndryshme befasuese për fotografët dhe forcat e sigurisë.

Por nuk ka patur ndryshime të rëndësishme në personelin e Vatikanit, nuk ka patur ristrukturime, vendime të rëndësishme dhe as një udhëtim qoftë njëditor jashtë Romës. Por sapo përfundoi afati 100 ditor, Françesku urdhëroi ristrukturimin e bankës së Vatikanit, njoftoi enciklikën e tij të parë, njoftoi papritur udhëtimin në ishullin italian të Lampeduzës para brigjeve afrikane. Ndoshta ka filluar koha e thekseve të qarta, edhe përsa u përket enciklikave në të ardhmen. Ndoshta ka të drejtë ai peshkopi nga Italia e jugut, i cili pas bisedës së një grupi peshkopësh me Françeskun në maj foli për dy enciklika njëherazi. Papa donte që së pari të nënshkruante një enciklikë të hartuar nga paraardhësi i tij mbi besimin. Pastaj ai donte të t’i kushtohej temës së varfërisë në një encikilikë me titullin “Beati pauperes” (të varfërit e lumnuem). Të varfërit e sotëm, të papërmendur në këtë tekst, do ta presin me interesim.(Kortezi DW)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: dy papet, nje enciklike

Po frynë era e re në politikën shqiptare?

July 10, 2013 by dgreca

Po frynë era e re në politikën shqiptare, e cila për dy dekada është karaketrizuar nga sherret, fyerjet, bojkotet dhe bllokazhet. Palët nuk duken aq të grindur si para 23 Qershorit, datës së zgjedhjeve parlamentare, që diktuan rotacionin politik. Jo vetëm pranimi i humbjes dhe urimi i kundërshtarit prej kryeministrit Berisha dhe dorëheqja e tij nga funksionet politike në Partinë Demokratike, por edhe ulja e tershes Jozefina Topalli, nënkryetare e PD-së dhe kryeparlamentarja, kryeminstrit të pritshëm, lideri i socialistëve Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kandidati potent për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premtojnë betejë të re në politikën shqiptare, jo vetëm me sharje e thirrje, por me argumente dhe mirëkuptim.

Në Iftarin që shtroi Komuniteti Musliman në  Tiranë në nisje të muajit të madhërishëm të Ramazanit, ishin bashkë, në një tavolinë, Rama, Topalli Basha. Këtë sekret e ka bërë publik Edi Rama duke e përcjellë shënimin dhe fotografinë në Twitter. Po fryjnë erëra bashkëpunimi? Ndoshta është shpejt, por le të presim.

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, era te reja, Iftar, Jozefina Topalli, Lulzim Basha, ne politiken shqiptare

DY FJALË PËR SHPIRTIN E BARDHË TË ANTHONY ATHANAS

July 10, 2013 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Ishte një lajm i papritur dhe shumë i trishtuar mbyllja e restorantit të famshëm Anthony’s Pier 4 të cilit i kishte dhënë këtë emër, djersë e famë një shqiptaro-amerikan me zemër patrioti. Ai që i mungon aq shumë diasporës shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas. Shkrimi i Frank Shkrelit është shumë i plotë, në portretizimin e Anthony Athanas, për zemrën e tij të madhe, patriotizmin dhe atdhedashurinë për Shqipërinë, Kosovën, që në Amerikë të mbahej gjallë fryma e Konicës dhe Nolit.

Unë dua t’i shkruaj këto rradhë sepse fati dhe rasti na e dha mundësinë për ta njohur Anthony Athanas. Jemi takuar me të disa herë. Anthony Athanas ishte nga ata njerëz që Zoti i lë të mbeten përherë të rinj. Kur e takoje, nuk mund të thoshe kurrë se kishte përpara një të moshuar që i kishte kaluar të tetëdhjetë vitet e jetës. Elegant, gjithë vitalitet, dinamizëm të merrte me vete me energjitë e tij pozitive. Nga fytyra nuk i hiqej kurrë buzëqeshja e një xhentëllmeni të vërtetë dhe e një shqiptari të madh nga ata që i sjell Zoti rrallë dhe që ne na duhen aq shumë. 

Ajo që krijoi dhe që përfaqësoi Anthony Athanas është në një antitezë të plotë me kapitalizmin e ri shqiptar, barbar dhe të pangopur, që ka si qëllim në vetvete pasurimin individual me të gjitha mjetet, duke e zhvatur dhe rrjepur vendin tonë të dashur. Anthony Athanas ishte kategori tjetër, kategori e asaj që shpreh thelbin e shqiptarit, pa të cilin nuk do t’iu kishim rezistuar harrikanëve të historisë e do të ishim asimiluar me kohë, pa lënë as gjurmë as shenjë.

Njëherë udhëtuam bashkë nga Tirana në Romë. Zoti deshi të na takonte. Ishim në të njëjtin avion me Anthony Athanasin dhe At Artur Liolinin, të dy miq për kokë me njëri-tjetrin, të dy mezi i kishin pritur ato ditë të mira për mëmëdheun e tyre dhe vinin në Shqipëri për të shijuar erën e re të lirisë dhe demokracisë. Më përpara ishim takuar në raste zyrtare dhe gjatë atij fluturimi biseda ishte larg formalitetit. Ata  ishin kuriozë të mësonin më shumë për ne, ne për të mësuar sa më tepër për ata, që ishin dy emra të ndritur të shqiptarëve të Amerikës. Ne kishim me vete fotografinë e Prizrenit, asaj kohe dy-tre vjeçar. Endriti do të lindte disa vjet më vonë në Bernë. Ata e shihni foton e Prizrenit dhe kënaqeshin. Duhet të kishin parasysh e të merrnin me mend gjeneratat e reja që do të popullonin Shqipërinë, rininë shqiptare që do të duhej të gëzonte frutet e demokracisë. At Liolini mbante me vete fotot e fëmijëve të tij dhe na i tregoi. Të dy u entusiazmuan për emrin e djalit tonë, kur kihej parasysh Muri i Berlinit që na ndante ne shqiptarëve si komb. Të dy ishin gjithë shpresa tek e ardhmja e Shqipërisë dhe ndiheshin të lumturuar sepse gjenin arsye të plota për t’u gëzuar, sepse besonim se kishte ardhur koha e rimëkëmbjes, e ringjalljes, e të mirave, pas një diktature të egër dhe monstruoze.

U takuam rishtas me Anthony Athanas me rastin e sjelljes së eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Ishte bashkë me çiftin e nderuar Bytyçi, Hatixhen dhe Sabitin, që janë nga ato familje që përbëjnë ajkën e kombit dhe diasporës shqiptaro-amerikane. Ndejtëm bashkë edhe në koktejlin e organizuar me këtë rast në Pallatin e Kongreseve. Na pyeste si shkonin punët në Shqipëri. Nuk lodhej së pyeturi. E kam parasysh si sot, me sytë e tij të qeshur. Ishte i kënaqur që u takuam. Ne po ashtu. U ulëm të tre në bordurat e mermerta të hollit të madh të Pallatit të Kongreseve. Ishte rasti për të folur për Konicën e madh. Ne i thamë me çiltërsinë më të madhe se ai, Anthony Athanas ishte një xhentëllmen që mund të qëndronte pa iu trembur syri në krah të Faik Konicës, për kontributin e tij madhor si patriot. Ai qeshte, si gjithnjë me elegancën e tij si një xhentëllmen i vërtetë, dhe askush nuk mund ta besonte se kishte përpara një zotëri të moshuar, sepse puna e palodhur dhe shpirti i tij i bardhë kishte bërë që të mbetej përherë një djalosh.

Dhe kështu e kam parasysh, një njeri shpirtbardhë. Dhe u bëmë miq. Ka disa alkimi që të bëjnë miq me takimin e parë, me shkëmbimin e parë të fjalëve, sepse përshkoheshim nga e njëjta empathi. „Do t’ju ftoj në Pier 4 na tha, do t’ju ftoj e pres si miqtë e mij. Do ta bëj ftesën sa të kthehem në shtëpi.“ Dhe Anthony Athanas ishte nga ata burra që e mbante fjalën. Sa mbërriti në SHBA, na e dërgoi menjëherë ftesën dhe biletat. Zot i madh, ku t’i gjejmë ata shqiptarë të tillë si ai sot! Zot i madh kthejua shqiptarëve thelbin e tyre që do t’i bëjë të kenë të njëjtin brumë si Anthony Athanas apo Nënë Tereza.

Natyrisht që Anthony Athanasit nuk do t‘ia kishte marrë mendje kurrë që shqiptarët t‘ua bënin ashtu shqiptarëve, t’ia bënin vetvetes së tyre dhe Shqipërisë t’i kthehej si mallkim 1997. Kur do të niste një kalvar i ri dhe gjysmës së kombit do t’i duhej të mblidhte laçkë e plaçkë e me fëmijët në krahë të merrte rrugën aq dramatike të emigracionit. Ne u vendosëm në Zvicër dhe nuk u pamë më bashkë me Anthoni Athanasin. Kur morëm vesh për vdekjen, e qamë me lot, ashtu si qajmë për ata që na dhemb shpirti. Qamë për shpirtin e bardhë të Anthony Athanas.

Dhe lajmi për mbylljen e Anthony Pier 4 na mbushi plot trishtim. Pier 4 ishte një pikë referimi si për Amerikanët, ashtu edhe shqiptaro-amerikanët. Ishte një Shqipëri e vogël në zemrën e madhe të Amerikës. Ishte vetë zemra e bukur e Anthony Athanas. Edhe kur ai iku nga kjo botë. Pier 4 e tij mbeti. Pier 4 mund të kthehej në Muze, mund të vazhdonte të priste e të përcillte miq, por assesi të mbyllej. 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, shpirti i bardhe

Një debat për gjuhën në kishën Orthodokse

July 9, 2013 by dgreca

Nga Bardhyl SELIMI/

Miku im, z. Naun Kule, ish koleg dhe drejtor, shkrimtar dhe veprimtar shoqëror,më tregoi për një debat që kishte zhvilluar kohët e fundit lidhur me (mos)përdorimin e shqipes në kishën ortodokse.

– U ndodha – tha ai- një ditë në një meshë me rastin e Pashkëve 2013, që e drejtonte hirësia e tij, Janullatusi. Por u shtanga nga që tërë kohën ai fliste greqisht! Kjo më kujtoi një ndodhi të dëgjuar të vitit 1929 kur fshatarët e Ndërnënasit të Fierit ishin ankuar të nënprefekti Tofik Buletini që prifti i tyre u predikonte greqisht. Nga ana e tij, Boletini kishte njoftuar Mitropoletinë e Beratit dhe prifti qe thirrur dhe paralajmëruar për të mos e përsëritur më veprimin e tij, dmth të predikonte vetëm shqip, ashtu sikurse e ka edhe statuti i Kishës Autoqefale Shqiptare.

Naun Kule shkroi, me këtë rast, një artikull me titullin “Hirësi Janullatos, Zoti flet edhe shqip…!”Midis të tjerash, ai përmënd aty dhe e krahason modelin e Hirësisë së tij me Kozma Etolin (1714-1779), një antishqiptar i përkushtuar i Megaliidesë greke që këshillonte: “Mos iu lutni Zotit shqip. Shqipja është gjuhë e mallkuar, është gjuha e të paudhit…Më premtoni se në familje do të flisni jo shqip, por greqisht, dhe unë do t’ju falë gjithë mëkatet tuaja..”

Shkrimi i z. Kule vjen në një kohë kur në Greqi po nxiten edhe më, megjithë krizën e thellë ekonomike atje, lëvizjet dhe partitë shoviniste që kërkojnë, në kohërat moderne, të vënë në jetë idetë e çmendura të Vorioepirit Padyshim, kritika e z. Kule, njeri i arsimuar dhe i pjekur politikisht, ngjalli pakënaqësi të menjëhershme në selinë e shenjtë ortodokse, e cila porositi me ngut një zëdhënës të saj për të reaguar. Doli një farë Piro Prifti, ish mjek, që botoi në gazetën “SOT” më 24 maj 2013 artikullin “Një përgjigje për Kryetarin e Shoqatës ‘Myzeqeja’, ateistin Naun Kule”.

Duke e justifikuar shefin e vet epror, Janullatusin, që gjoja ka folur greqisht dhe ka përdorur përkthyes pasi shumë terma dhe shprehje fetare kanë vështirësi për t’u dhënë në shqip. Pastaj, sikur ta njihte dhemb e dhemballë Naun Kulen, i rreshton atij të gjithë veprimtarinë e mëparshme publicistike, politike dhe edukative duke u përpjekur ta nxijë sa më shumë dhe duke e poshtëruar. Edhe z. Prifti del në mbrojtje të Shën Kozmait duke thënë se ai u dha një mesazh shqiptarëve: të mos e braktisin fenë e të parëve.

Në fakt një pjesë e shqiptarëve vërtet nuk e kanë bërë këtë. Edhe vetë z. Naun është ortodoks pa çka se jo praktikant, sikurse shumica e popullit tonë. Por ai është së pari shqiptar dhe di të dallojë se kush i shërben idesë kombëtare dhe kush vepron në dëm të saj.

Në reagimin e vet për shkrimin e Priftit, z. Kule tërheq vëmëndjen se shqi shqiptarët kanë kërkuar kishën shqipe dhe trashëgimia e tyre në këtë lëmë është fituar me gjak nga dëshmorë të tillë si Luarasët e Negovanët, Saqellarët e Nolët. Ne vetëm kërkojmë të zbatohet ligji dhe Kushtetuta dhe nuk jemi përçarës, racistë, ateistë të regjur, komunistë, etj sikurse përpiqet të na denigrojë një “mëkatar” si z. Prifti i pushuar si mjek për parregullsitë e tija.

Z. Kule ka shkruar një monografi për Manastirin e Ardenicës (1999) dhe të Kolkondas (Libofshë) ku ka evidentuar veprimtarinë atdhetarë të priftërinjëve ortodoksë shqiptarë të kohës.

Z. Kule e pyet zotin Prifti: a e mendoni ju se çdo të ndodhte në Greqi sikur një peshkop i huaj të meshonte jo në greqisht, qoftë edhe në rusisht e sërbisht, dhe ruajna Zot në shqip!?

Unë- thotë me krenari ai- jam puro ortodoks por jo grek! Babai im Kristo, po t a dinte se apostulli i tij, Krishti, folka vetëm greqisht, edhe pse bënte pësalësin në Babai im Kristo, po ta dinte se apostulli i tij, Krishti, folka vetëm greqisht, edhe pse bënte pësalësin në kishën e fshatit, s’do të kishte bërë kurrë kryq..!

Filed Under: Komente Tagged With: Naun Kule, ne kishen orthodokse, nje debat per gjuhen

HESHTJA E IDIOTËVE

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Dimal Basha/

Kosova është shumë keq. Ndoshta Kosova është mirë, por populli që jeton në këtë vend është keq. Është keq sepse qe rrafsh 14 vjet është udhëheq keq e kjo udhëheqje vjen si pasojë e përbashkët nga disa që kanë zgjedh keq dhe disa që kanë zgjedhur mos me qenë pjesë e kësaj të keqe duke injoruar të drejtën e votes për të votuar. Tash të dy palët janë keq, por ma keq janë ata që janë në këtë gjendje të keqe për shkak të përzgjedhjes së keqe të tjetrit.

    Njëri ushtron të drejtën e votës dhe prap hjek keq, mirëpo ky gjithmonë ma pak keq sepse vota e tij ka raste kur shpërblehet, kurse ai që zgjedh me injoru të keqen është idiot që i imponohet e keqja pa zgjedhjen e tij dhe rrallëherë shpërblehet.  Prandaj më së keqi janë idiotët. Nuk flas për idiotët që në psikologji cilësohen personat me të meta mendore, këtu kemi teë bëjmë me idiotë që në Greqinë antike janë quajtur personat që nuk kanë marrë pjesë në zhvillimet politike. Shkurt, një njeri që nuk ka votuar për shembull është quajtur idiotë dhe këta idiotë në Kosovë janë më së keqi duke refuzuar të participojnë dhe vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj zhvillimeve politike. Injoranca e idiotëve prandaj është gjithashtu shkaku për gjendjen që sot të gjithë qytetarët e Kosovës e gëzojnë dhe ka sjell Kosovën në një finale të mbijetesës. Aty ky nuk luftohet për progres e zhvillim, por për mbijetesë dhe degradim. Progresi dhe zhvillimi që ju servohet nga lartë është “zhvillimi ekonomik më i miri në rajon dhe gati jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk jemi ndikuar nga krizat botërore” sepse këtu me qëllim konfuzohet opinioni duke konsumuar progresin selektiv si fitore. Në shikim të parë, duket mahnitëse! Sikur të kishim një jashtëtokësorë dhe t’i ofronim këto të dhëna me siguri se do të mbetej i impresionuar. Kjo ngjarje edhe mund të mbetej bindëse me kusht që jashtëtokësori  të na besoj se këto të dhëna janë e vërteta absolute dhe të mos lejohet të ketë qasje për botën që na rrethon.

     Në të njejtat kushte jashtëtokësori kishte me u impresionuar edhe në Afganistan sepse Afganistani, prej vitit 2003 deri në vitin 2012 ka pasur një rritje ekonomike me mesatare 9.3% kurse në vitin 2012/13 ky zhvillim ekonomikë ka ngritur në 11.8%. Janë statistika që dokumentojnë se zhvillimi i ekonomisë në Afganistan ka pasur ngritjen më të lartë në botë në 10 vitet e fundit. Mirëpo kjo mbetet gjithmonë impresionuese vetëm për jashtëtokësorët në kushte të izoluara ngjashëm sikur në kohën e komunizmit kur propaganda e Enver Hoxhës ishte i vetmi mjet informimi dhe në izolim u thoshte popullit se Shqipëria është një kopsht me lule kurse e gjithë bota vdes urie. Kurse për ata që dëshirojnë ta kuptojnë kafshatën që po e kapërdisin ka më shumë se atë që ju servohet. Për shembull raporti i UNICEF-it të vitit 2010 tregon se papunësia për të rinjtë nën moshën 25 vjeqare është 73%. Sondazhi i QKSS-së tregon se 1/3 e popullsisë deklarohet se dëshirojnë të shpërngulen nga Kosova dhe mbi 20% shprehen se gjendja ekonomike është përkeqsuar. Sipas Business Inisder, nga 25 vendet më  të mjera në botë Kosova zë vednin e nëntë. Ata që i keni zgjedhur të ju udhëheqin ju kanë shpërblyer juve dhe idiotët me një sistem gjysëm-autoritarë, siç e cilëson raporti i fundit nga Freedom House. Ju jetoni me një vend ku, sipas sondazheve, mbi 40% e qytetarëve nuk kanë besim në Kuvendin e Kosovës që përmban deputetë milionerë. Sipas sondazhit të UNDP-së, mbi 65% e qytetarëve të moshes 18-30 vjeq janë të pakënaqur me drejtimin e zhvillimeve politike. Kurse nga 176 vende, Transparency International na rendit në pozitën e 105 nga vendet më të korruptuara në botë në të njejtin nivel me Gambinë, Malin, Bolivinë.

         Prandaj, të gjitha këto të dhëna do duhej ta pozicionin qeverinë si një force të zhveshur pa gëzuar ndonjë legjitimitet. Megjithatë, marshi vazhdon dhe 14 vjet pas çlirimit të vendit që dikur e mendonim se do ta bëjmë një kopsht me lule, kemi një pjesë që zgjedh të marr rrugët e botës për të siguruar kafshatën e gojës, një pjesë që vazhdon të zgjedh të keqen dhe pjesa tjetër janë idiotët që vazhdojnë të mbesin indiferent ndaj zhvillimeve në vend.

    Dhe çka mbetet enigmatike është se pas gjithë kësaj skamje dhe degradimi pushtetarët ende mbesin më të uritur se populli.Sigurisht se një ndër fajtorët kryesorë janë idiotët që sikur zgjedhin të flasin me hije duke menduar se bota përfundon në shpellën e Platonit.Megjithatë, heshtja e juaj inkurajon edhe më shumë gjendjen ku jeni dhe forcon sistemin semi-autoritarë duke lënë të kuptohet se ata në krye po bëjnë një punë të mirë. Nuk kanë sesi të mendojnë ndryshe kur kanë një turmë që i votojnë dhe një tjetër që kanë zgjedhur të mos zgjedhin ndryshe që përkufizohet nga karakteri i Pogos që thotë “ne kemi takuar një armik, dhe ai armik jemi vet ne.”

    Është e arsyeshme që mungesa e alternativave në sistem ju lë të mbeteni idiotë mirëpo keni një solucion të vetëm që të ndëgjohet zëri juaj.Kjo mbetet hapësira dhe sheshet publike ku mund të shprehni paknaqësitë tuaja me anë të protestave paqësore pa ju bashkuar asnjë partie politike.Aty ku sot me miliona njerëz nëpër botë kanë zgjedhur të kundërshtojnë regjimet që nuk përfaqsojnë intereset e qytetarit dhe nuk kanë prioritet mirëqenien e tyre. Duhet të jetë e natyrshme ngritja e zërit kundrejt padrejtësive sepse edhe foshnja vajton kur ndjehet e uritur dhe britmat shpeshherë ndihmojnë sadopak në lirimin e dhimbjeve që përjetojmë kur truri na e shkëput vëmendjen, që së paku për momentin, na jep hapësirë të mos mendojmë për dhimbjen.

      Ekonomia në Kosovë edhe mund të ketë pasur rritje por dinjiteti dhe humanizmi në këtë vend ka degraduar. Të dhënat e ngritjes ekonomike mbesin impresionuese për ata që pranojnë të shofin botën përmes vrimës së qelësit, përndryshe, të gjitha raportet tjera dhe faktet në teren dëftojnë se ky vend është duke u përdhunosur. Ju mbeteni të konfuzuar duke konsumuar progresin selektiv si fitore.

            Ata që janë përgjegjës për të keqen e përbashkët dhe që përjashtojnë veten nga drejtësia që e kërkojnë nga unë dhe ti nesër do të amnistohen. Duke pa që fleni gjumë, kanë zgjedhur që krimin ta pastrojnë me amnisti në të gjitha hapësirat me afat të pacaktuar dhe nëse ti zgjedh të mbetesh idiotë dhe nuk kundërshton të keqen e përbashkët nuk mban asnjë të drejtë të fajësosh përzgjedhjen e së keqes së tjetrit por vetëm heshtjen tënde sepse zgjedhja, çfardo qoftë ajo, gjithmonë triumfon ndaj heshtjes. Nëse mendoni dhe nuk e ngritni zërin prap mbeteni përjashtimi i definicionit të eksitencës i formuluar nga René Descartes i cili e përkufizon ekzistencën me “mendoj prandaj jam” sepse ju ndoshta mendoni por nuk ekzistoni.

Dimal Basha/Twitter: @dimalbasha

www.dimalbasha.com

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dimal Basha, heshtja e idioteve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 455
  • 456
  • 457
  • 458
  • 459
  • …
  • 487
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin
  • NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON
  • Kosova mes diplomacisë pasive dhe rrezikut të izolimit të heshtur: a po humbet momenti historik i ingranimit në organizma ndërkombëtar?
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1934) / KUSH ËSHTË EKREM LIBOHOVA, AMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË BELGJIKË ?
  • Dr. VLORA MEHMETI – TËRSHANI, NJË FENOMEN I BOTËS SË SHKENCËS
  • Shqiptarët dhe Maqedonia e Veriut midis reformimit dhe stagnimit të procesit eurointegrues
  • Mes poezisë, këngës dhe mirënjohjes : Komuniteti shqiptar në Montreal feston 7 dhe 8 Marsin
  • Arnautët e Damaskut zotohen për riaktivizimin e Shoqërisë së parë shqiptare të themeluar më 1947
  • Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork shfaqi dokumentarin “Narhelmi” të autorit Mark Lucgjonaj
  • “Thinking of You”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT