• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA SHËNON JAVËN E TOLERANCËS

May 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ministria e Jashtëme e Republikës së Kosovës në portalin e saj njofton se nga 20-26 Maj, në Kosovë zhvillon punimet Java e Tolerancës dhe Pajtimit.   Takimet në Prishtinë, përfshijnë një numër evenimentesh ku do të marrin pjesë përfaqsues komunitetesh dhe udhëheqës nga mbarë bota me qëllim për të zhvilluar një dialog pozitiv dhe të hapur midis tyre.   Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se në takimet e Prishtinës, këtë javë, do të marrin pjesë më shumë se 300 mysafirë nga pothuaj 50 shtete nga pesë kontinente.  Thuhet gjithashtu se respekti dhe mirëkuptimi midis komuniteteve  është një  përparësi e rëndësishme për Kosovën, sidomos kur të merret parasyshë historia e viteve të fundit.

Objektivi i konferencës ndërkombëtare, sipas organizuesve që përfshijnë,  ndër të tjera –Ministrinë e Jashtme të Kosovës, Fondacionin Tony Blair, Fondin e OKB-së  për Zhvillim dhe Këshillin Britanik të Kosovës – është që ti kontribojë dialogut botëror ndër-fetar dhe të ndihmojë  drejtë pajtimit mbrenda Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit, duke venë në dukje se feja është diçka që mund të shërbejë si një fuqi bashkuese dhe jo përçarëse.Në emër të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri deklaroi se, “Ne, si parlament, me interesim të veçantë po i presim takimet e shumta që do të shënojnë vlerat tradicionale të tolerancës të popullit paqëdashës të Kosovës’’ dhe shtoi se, “Java e  Tolerancës”  do  të bashkojë  liderë botërorë në Kosovë, duke konfirmuar dëshirën tonë për të dhënë një kontribut për paqën dhe pajtimin global.”
Në emër të qeverisë së Kosovës, Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi në një deklaratë u shpreh se mirëpret,  “liderët ndërkombëtarë fetarë dhe vizitorët të cilët do të në bashkohen që të shohin nga afër se Kosova është laike për nga karakteri i saj, dhe se ka një respekt të madh për diversitetin dhe dialogun.”   Zevendës ministri  i jashtëm i Kosovës shtoi duke thënë se,  “Shumica e njerëzve anembanë botës dinë për luftën e Kosovës.   Por ata nuk e dinë se komunitetet fetare kanë jetuar këtu së bashku në paqë për shumë breza me radhë.    Trashëgimia jonë kulturore ka marrë formë nga ky diversitet, i cili përfshinë edhe myslimanët, katolikët, ortodoksët dhe hebrenjtë.   Xhamitë dhe kishat mund gjenden pranë njëra tjetrës në shumë qytete tona.   Jemi
të angazhuar për dialog ndërfetar dhe për respekt për të gjithë”, deklaroi zyrtari i lartë i Kosovës, para fillimit të Javës së Tolerancës në Kosovë.
I përndershmi Donald Reeves nga organizata bamirëse e Britanisë së Madhe “Soul of Europe”, (Shpirti i Europës) dhe njëkohësisht edhe koordinuesi i Javës së Tolerancës në Kosovë,  tha se  organizata e tij, “është krenare që mbështetë këtë takim unik botëror  në Kosovë”, që sipas tij, “ do të jetë i një rëndësie të veçantë për debatin bashkëkohor mbi fenë dhe tolerancën.   Jemi shumë të kënaqur që po punojmë së bashku me institucionet e Kosovës për të mundësuar një debat  të tillë progresiv mbi këto tema”, shtoi ai.   Sipas Donald Reeves, organizata “Soul of Europe”, e themeluar në vitin 2000 përpiqet që në misjonin e saj të realizojë fjalët e Nelson Mandelës, i cili ka thënë se, “Paqëja nuk arrihet duke folur me miqët e tu: është e nevojshme që të bëjshë paqë me armiqtë e tu”.
Gjatë Javës së Tolerancës,  Prishtina do të marrë  Gurin e  Paqës, duke iu bashkuar kështu grupit të qyteteve që  në të kaluarën kanë nderuar  viktimat e luftës, me hapësirën kushtuar atyre, dhe me urime për një botë më paqësore, thuhet në njoftimin  e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.    Ky gjest simbolik është përcjellur nga njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në të gjithë globin.   Sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme të Kosovës, Guri i Paqës do të vendoset në Muzeun Kombëtar  të Kosovës  me pjesmarrjen e  Presidentes Atifete Jahjaga,  zëvendësministrit të Kulturës, Hajdin Abazi, dhe kryetarit të  Prishtinës, Isa Mustafa.
Njoftohet gjithashtu se Kryeminisitri Hashim Thaçi do të inaugurojë  Monumentin e Holokaustit  në vendin ku ndodhej dikurë sinagoga hebreje e fundit në Prishtinë, vend i cili do të shëndërrohet në një rikujtim të përhershëm i pranisë së rëndësishme të komunitetit të vogël hebraik të Kosovës.    Kosova gjithashtu do të ndajë me të pjesëmarrësit ndërkombëtarë  kodin shqiptar të Besës ose “të nderit”, në bazë të të cilit shqiptarët  shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fund të  javës, takimi i dhjetë jubilar i Grupit të Mëngjesit të Lutjeve të Evropës Juglindore (Lutja Kombëtare e Mëngjesit) do të organizohet në Prishtinë nga Kuvendi i Kosovës, nga 24-26 Maj, në të cilin gjithashtu do të marrin pjesë  udhëheqsit e Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe udhëheqsi i opozitës, Isa Mustafa.
Konferenca ndërfetare e cila do të zhvillohet në Pejë, nga 24-26 maj, — si pjesë e Javës së Tolerancës  — do të jetë gjithashtu një forum i rëndësishëm për debat dhe dialog kritik për
çështjet ndërfetare në Kosovë.   Ministri i Jashtëm  Hoxhaj, së bashku me organizatat ekumenike nga Kosova dhe Britania e Madhe, do të presin  mysafirët, duke përfshirë edhe udhëheqsit e komuniteteve fetare dhe ekspertë nga 42 shtete, të cilët pritet të bisedojnë mbi çështjet e dialogut ndërfetar në Evropë dhe në botë.
Toleranca dhe pajtimi  janë të rëndësishme për paqën në botë por edhe për yhvillimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë    dhe pa dallim.  Njerzit nga natyra nuk janë tolerantë ndaj personave që janë ndryshe , qoftë nga pikëpamja etnike, racore ose fetare. Por për fat të mirë, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, bota ka pasur individë me karkater dhe të dedikuar ndaj realizimit të drejtësisë dhe barazisë.  Edhe organizuesit e Javës së Tolerancës në Kosovë, përfshirë edhe institucionet shtetërore dhe qeveritare të Kosovës, janë një frymëzim për të gjithë, por nënvijon edhe faktin se shqiptarët gjithmonë gjatë historisë nuk kanë okupuar as nuk kanë sulmuar popujt me të cilët kanë jetuar në Ballkan, përkundrazi, shqiptarët siç ve në dukje edhe gatishmëria e tyre për të mbajtur në Kosovë një eveniment të tillë, tregon se ata nuk janë diskriminues në baza fetare dhe etnike dhe se janë tolerantë ndaj kulturave dhe kombësive të ndryshme që jetojnë me ta ose në periferi.  Për të gjithë duhet të jetë e qartë se toleranca dhe pajtimi, jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivel politik e fetar kombëtar,  rezulton në një shoqëri më të drejtë, më të paqë dhe më të barbartë.

Nelson Mandela, një njeri i diskriminuar dhe i abuzuar dhe i cili me dekada u burgos nga regjimi racist i Afrikës së Jugut, dhe i cili më vonë u bë president i atij vendi, në autobiografinë e tij, “Udha e Gjatë drejtë Lirisë”, thotë se, “askush nga natyra nuk lind të urrej të tjetrin për arsye të ngjyrës së lëkurës, për arsye etnike ose fetare.  Njerzit mësojnë të urrejnë të tjerët, dhe nëqoftse ata mësojnë të urrejnë të tjerët që janë ndryshe nga ata, atëherë ata mund të mësohen të dashurojnë, sepse dashuria është më e natyrshme  për zemrën e njeriut se sa urrejta.”

Java e Tolerancës në Kosovë që filloi dje punimet në Prishtinë, është një fillim i mirë, jo vetëm për ti treguar botës tolerancën e shqiptarve,  madje edhe ndaj atyre që  nuk janë treguar tolerantë ndaj tyre, por është njëkohsisht edhe një ngjarje me rëndësi për të avancuar  kauzën e drejtësisë, dialogut ndërkombëtar dhe zhvilimit rajonal.  Për këtë ndërmarrje, qeveria dhe shteti i Kosovës  si dhe sponsorizuesit,  meritojnë  falenderimet e të gjithëve.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, javen e Tolerances, Kosova shenon

SELENICA-QYTETI I ARIT TË ZI

May 19, 2013 by dgreca

Nga GËZIM LLOJDIA/
Selenica e njohur prej bitumit, që ka prodhuar ndër kohëra. Selenicës shtrihet rrëzë kodrave. Vjosa është një gjarpër shtriqet në bregun përtej. Qyteti minator shqyrton një fytyrë plotë rrudhje tregon plakje para kohe dhe braktisjen e madhe. Tre plagë që vunë në lëvizje,shkurt gërryen nga themeli qytetin minator në 20 vjet tranzicion .Orët e zhvillimit të qytetit mbetet socializmi.Vitet ’90 sollën dhimbje në të vërtet shpirti u çlirua nga gurëzimi i materias dhe braktisja morri dhenë. Qyteti që ruante në shpirtin e tij produktin e zi ka parë, mirëpo ka njohur më shumë të huaj. Pasqyra e kronikave të tij thonë se ujqërit dhe zogoria e tyre ishin gati ta mbanin pirjet ashtu  si pronë të tyre me kohëzgjatje të pambarimtë ,nëse  nuk do ta përballonin vendasit s,sulmet e kësaj aradhe të tërbuar që ka ardhur nga pushtuesit e egër,por jo më pak nga shfrytëzuesit ,që sunduan minierën. Qyteti në pamje të parë ngjan si qytetet e tjerë të fjetur në kohët sotme me  arin vjeshtor dhe brymën e hënës me Vjosën tek bregu me kodrat tek kokat ,miniera që shtrin labirintet e veta  nën trupin e tij .Mirëpo  askush  nga vendasit nuk e kishte menduar se ai produkti i zi,ishte pasuri  që merrte flakë nuk do tua kalonte jetën pa brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi nga shfrytëzimet,aksidentet dhe tmerret e  tjera .
         Rruga për në Selenicë tregon një asfalt të brishtë vende-vende kafshuar nga ujërat .Në hyrje të fshatit Lubonjë dikur një sektor i madh i fermës bujqësorë të Llakatundit,rruga është kthyer në një hauz të thellë duke shkaktuar rrezik për automjetin. Maune sjellin rëra bituminoze nga Selenica(në të vërtetë minierën e shfrytëzon prej vitesh një kompani franceze) kanë shkatërruar këtë udhë dhe udhët e tjera . Bitumi natyral i Selenicës njihet qysh para 2000 vjetësh, citojmë kronikat.Dhe më tej  tregojnë se përdorur si armë luftë nga ilirët, grekët e vjetër, romakët .Me këtë pasuri kombëtarë që nxirret nga nëntoka vendi ynë duhej të ishte vendi i parë në tokë ku  duhej të kishte të gjitha rrugët me asfalt .Se çfarë është ky produkt natyral,të lexojmë kronikat . Bitumi i Selenicës është një pasuri natyrale, që gjendët në nëntokë. Kjo pasuri  është shfrytëzuar nga të huajt, thonë kronikat e hershme. Shprehja shqiptare: zifti i Selenicës   ka shtruar rrugët e botës,ndërsa kanë lënë në mjerim rrugët  e këtij vendi gjen mishërim tek udhët   e lumit të Vlorës. Kjo pasuri kombëtarë  gjykoj se i duhej dhënë ë investitori të huaj,mirëpo më parë duhej të ishin mbuluar më zift, të gjitha udhët e këtij vendi. Regjimi i Enverit gati 50 vjeçar nuk ja dha të huajve mirëpo edhe në atë kohë zifti i Selenicës nuk i mbuloi dot  rrugët më çakëll. Çfarë duhej të kishte bërë  shteti kur u kris sistemi i centralizuar? Kjo minierë mund të njësohet më ato të nxjerrjes së arit kushedi, në të vërtetë  për arin e zi, që nxirrej në Selenicë,ngase një ditë edhe tregu do të gjendej. Shteti do të duhej të kishte marrë në konsideratë faktin-udhët e këtij vendi gjysmë të shkatërruar dhe asnjëherë të shtruara me zift. Atyre duhej tu kalonte përsipër zifti i zi, për ti sjell në standard me udhët e fqinjëve tanë . Shqyrtojë dhe sjell në vëmendje: këta fqinjët tanë s’kanë pasur minierë zifti, mirëpo rrugët e tyre futen te standardet evropiane. Shqyrtoj sërish: me minierë zifti, por  me rrugët e standardeve të luftës. Kemi një minierë të  vendosur diku në periferi të qytetit të minatorëve ,që nxjerr produktin kryesor të mbulesës së zezë të udhëve. Mirëpo  nuk ka asnjë arsye, që rrugët shqiptarë të  krahasohen me vendet  ku janë zhvilluar luftërat e fundit si Kabuli apo Siria. Nëse udhëton sot nëpër aksin rrugor Vlorë-Lumi i Vlorës -Borsh kjo udhë e Kurveleshit të poshtëm të nxjerr  në bregdet,mirëpo ajo ngjanë se përsipër i janë rrëzuar  bomba luftë duke u  kthyer kështu në hendeqe e kanale .Zifti  në këtë udhë ngjanë si gjalpi sipër një copë bukë të thekur. Mirëpo po të kërkosh të ngjitësh në Kurveleshin e sipërm bukurit aty rrëzohen para syve nga mungesa e rrugëve. Fshatra të tërë të këtij vendi nuk kanë rrugë ndërsa një investitor i huaj   ka kohë, që bënë pramati me produktin e zi, që e nxjerr nga nëntoka jonë. Kjo pasuri nxirret në vendin e quajtur Selenicë nuk ka mundur do të shtrojë  disa km më tej në udhën ë lumit të Vlorës .Si mundët vallë, që gjithë arteria kryqësore e këtij qarku është copë-copë, për ibret shprehën lebërit. Fqinjët tanë nuk ë kanë këtë pasuri ,çuditërisht rrugët e tyre ndrijnë nga asfalti i mrekullueshëm.”Ari i zi” gjendët në nëntokën tonë është si flori e shkuar floririt, or tunxh ,ngase kjo pasuri që ka ngjyrën e zezë do të kishte shtruar të gjitha rrugët, cepat,lagjet dhe katundet e këtij vendi do të kishim turizëm,mos braktisje të fshatit,zhvillim të këtij të fundit,prodhime e përpunime të produkteve bujqësorë e blegtoralë. Nëse zifti do të ishte hedhur në rrugë,?Çdo katund do të ndriste nga udhët e shtruara  me zift të zi. Kujtdo investitori të thoshe:hajde investo do të merrte rrugën. Por më këto udhë, gjithkund e zë lemeria për të shkuar dhe jo më për të investuar Rrugët do ti kishim si Evropa. Produkti. Gjendët në thellësi të shpirtit të tokës tonë, gjë na është dhënë për të bërë pramati. Mirëpo fjala bie :Si e  shfrytëzojmë ne shqiptarët? Tregues i kësaj është gjendja  e rrugëve. Portreti i tyre flet shkoqur. Shqipëri të qofsha falë….të ka dhënë Zoti këtë pasuri. Pra ta ka dhënë Zoti .Gjithmonë  ka një shkak,përse Zoti të sjellë në jetë.Enigma,që nuk dihet,por që kuptohet.Ka legjenda mistike, që flasin për rërat e ndezshme  ato lëshojnë flakë vetë. Këto rëra gjinden në Selenicë dhe në masivet e tjera përreth tyre .Po ti ku ishe shqiptar,kaq kohë dhe kaq gjatë ende së shqyrton arsyen se përse ta ka dhënë? Mos vallë për armë luftë,apo për rrugët  e tua?Rrugët ,ato turpërojnë këtë vend ,që gjithsesi mbetet i bukur. Bukuri që vret sytë. Duhet të qartësojmë idenë se në radhë të parë. Përse duhet ti kemi rrugët të shtruara? Qytetërimet nisin tek infrastruktura rrugore. Gjithë braktisja masive e fshatrave nga jugu në veri ka një zanafillë. Mungesa e infrastrukturës rrugorë .
Kronikë: Të dhëna historikë nga autorë të huaj
Bitum do të thotë:Lëndë minerale me ngjyrë të errët a të zezë, në gjendje veshtullore ose të ngurtë, me prejardhje nga hidrokarburet e vajgurit, që nxirret nga toka dhe që përdoret për të shtruar rrugët etj.Viti 1905: Komunikimi midis Vlorës dhe Beratit,autori përmend : përmes  armenit(fshati i sotëm ) dhe Signa(Sinja), preferohet nga karvanët në sezonin e dimrit (kur rruga nga Vlora në Bërat, është përmbytur plotësisht).Autori përmend shpellat e bitumit në Picar. Industria minerare në Picar, e Selenitza(Selenica) dhe Romzi. Gurorët ë saj, punonjësit janë grekët dhe vllahët. Fshati ka një xhami dhe një kishë dedikuar St Nicholas (Sënkol). Këto llafe në format të shkruar i përkasin   Eugenio Barbarich.Albania. 1905
RobertoAlmagià(Ënciclopëdia Italiana (1936).Selenizza (Selenica). 15 km nga Vlora, në një kodër në afërsi të bregut të majtë të Vjosës e njohur tashmë nga lashtësia për lëshimin e gazrave të ndezshme. Atojanë të lidhura më praninë e bitumit i cili është i mbarsur me gur ranor miocenit.Nga dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë është kryer nxjerrjanga një kompani francezë. Atë pastaj e mori përsipër Shoqëria italianë e minierave Selenizza në vitin 1918(më qendër në Romë), e cila nxirrte  ekstraktrreth 5-6000 ton në vit. Një dekovil mbart produktinnë portin ë Vlorës.
Kronikë:Pellgu minerar
Ekzistenca e këtij pellgu ka qenë i njohur që nga kohët e lashta u përmend nga shkrimtari Pliny natyralist romak. Të parët që përfituan nga fusha   e asfaltit ishin turqit që sunduan Shqipërinë .Më vonë kemi një shoqëri francezë nga fundi i shekullit deri në fund të nëntëmbëdhjetës dhe Luftës së Parë Botërorë ,territori u pushtua nga forcat e ekspeditës italianë të cilët ftuan industrinë italiane të ndërhyjë për shfrytëzimin e rezervuarit. Ndërhyrja   italiane. Ajo ishte e përbërë nga Lidhja e Minierave Selenizza, me kapital të konsiderueshëm .Ndërtuan një dekovil prej mbi 30 km për t’u bashkuar në portin ë Vlorës dhe u zgjeruan galeritë e gërmimit dhe ndërtuar një fabrikë në Vlorë për përpunim asfalti për prodhimin e vajrave mineralë. Në vitin 1939, vitin e parë para luftës, prodhimi i asfaltit ka arritur  në 15.000 ton me prodhimin e tij të vajrave mineralë, lubrifikantë të veçanta për të cilat pastaj industria italianë ishte e varur nga tregjet e huaja. Aktiviteti u ndërpre në vitin 1943 me pushtimin gjerman të Shqipërisë. Në vitin 1939 kompania kishte fituar koncesionin për shfrytëzimin e minierave të Shqipërisë. Prodhimi u iniciua në Porto Marghëra ku është prerë dhe është përdorur pastaj për prodhimin ë acidit sulfurik. Hiri u përdor pastaj në çelik në vend të mineral hekuri.
Kronikë:Treni(dekovili) Vlorë Selenicë
Treni –dekovil bënte udhën e hekurt nga qyteti i Selenica drejt qytetit të Vlorës duke përshkruar edhe rrugë malorë. Ky lloj treni quhej dekovil dhe kujtohet mirë ndër banorë të qytetit. Dekovili i Selenicës është shfrytëzuar relativisht deri vonë. Ai sillte nga Selenica në Skelë rrotullat e asfaltit. Si e përshkruan një studiues lokomotivat më avull tërhiqnin duke u ngjitur në rrëpirën e kodrës mbas fabrikës së çimentos vagonët e vegjël .Një detaj të vogël kujtojnë banorët ishte së treni kishte edhe vend për drejtuesin .Makinisti e ndalonte dhe hipte drejtori .Deri në vitin ‘91 dekovili Vlorë-Selenicë funksiononte, por duke mos  e përshkruar tunelin e qafës  në Babicë. Ai qëndronte tek fshati i sotëm Alikokë-Babicë. Aty shkarkonte serën në rrotulla të mëdha të zeza. Qëndroi dhe disa kohë dhe më vonë ai dekovil heshti përgjithnjë. Ndërsa udha e hekurt nuk ka më gjurmë. Ku humbi gjithë kjo udhë  e hekurt më gjatësi kilometrikë? Italianët ndërtuan, për qëllime ushtarake një varg vijash komunikacioni në vendin tonë. Përveç rrugëve ndërtuan edhe një rrjet dekovili 120 km të gjatë. Ky dekovil fillonte nga Vlora. Ndahej në dy vija të ndryshme. Vetëm dekovili Selenicë – Skelë bëri një përjashtim. Më 1926 qeveria shqiptarë ia dha koncesion shoqërisë së Selenicës riparimin dhe shfrytëzimin e këtij dekovili. Për këtë koncesion shoqëria pagoi menjëherë 100.000 lireta.
Thënie:Duke qenë një popull i vogël,shkruan një shkrimtar kosovar gjithmonë na i kanë prerë rrobat popujt e mëdhenj. Fjalë e urtë shqipe:”Sipas kokës-festen”.
Kronikë:Selenica e sotme
Drejtori i shkollës së mesme Ilia Seferi. Flokëthinjur. I shkurtër. Fjalët i ka më pikatore. Ka shkëlqyer në gjimnaz. Shkolla  e rikonstruktuar.Pastërti dhe kënde .A  gjendët një shkollë ë ruajtur ,pasuruar me këndë punuar plot pasion dhe shije. Shkolla gjendët në hyrje të qytetit të venitur të minatorëve. Numri i nxënësve ka pësuar rënie.Nga 750 nxënës në kohë-fillim tranzicioni sot shifra është zvogëluar deri në  150 nxënës,dy matura ka viti 2012-13. Shkolla e Selenicës për nga mënyra se si mirëmbahej  bërë objekt për mirë nga mediumet e  këtij vendi .Bojatisur dhe e   pajisur me stenda,nxënës të qetë dhe mësues, që zhvillon mësimin normalisht. Mirëpo dallimi nga shkollat e tjera të zonës së Topalltisë është se në këtë ndërtesë siç pohon edhe Ilia është investuar është mirëmbajtur. Në disa shkolla kryesisht ajo e komunës Vllahinë të binin në sy dyert pa kompensatë, që mund të komunikojë nga jashtë pa problem,banka në gjendje lufte dhe muret problematikë. Një gjarpër qarkon në lindje .Është Vjosa,që rrjedh turbull-turbullo në dimër apo zheg. Koha e njëzet viteve të fundit e ka përhumbur në një farë mase historinë e qytetit minator. Aty banorët kanë jetuar me minierën. Bujqësia është futur  ndoshta në shekullin, që i grisëm fletën. Për rërat bituminoze  të kësaj zoneflasin për pasuri .Kodrat ndjekin njëra-tjetrën dhe në horizont. Ky i fundit mbanë rëra bituminoze. Brenda këtyre kontureve,d.m.th brenda  këtyre llagëmeve nxiret ari i zi.Në të vërtet,pa bërë hasha do ta themi,atë që dihet mirë.
Qyteti i dikurshëm është kthyer në një fshatë të ngeshëm .Ka diku aty te 1800 votues. Pallatet bosh. Emigrimi e griu këtë qendër deri në themele. Zymtësia është portret, ajo shfaqët tek banesat e kohës së socializmi .Në atë kohë qyteti ishte ndër më të mëdhenjtë e Topalltisë. Çfarë siguronin minatorët në qytetin minatorë në krahun e djathtë të Vjosës. Tre gjëra themelore të thonë. Së pari-punësimin. Puna ishte nder dhe lavdi. Puna ishte në të gjitha frontet bjqësi,minierë,tregti .Puna ishte e lodhshme ,tmerruese. Së dyti-strehimi në banesat, që do të mund të quhen socialë. Të gjithë njësoj. Streha me tulla dhe me hyrjet 1+1 dhe 2+1. Me një komision strehimi. Së treti:Pensionet. Mosha e tretë gëzonte një pension. Ky lloj pensioni përballonte vitet e mbetura. Kinoklubi i minatorëve. Dikur i zhurmshëm.Poster:Mbrëmje vallëzimi për minatorët e dalluar”.Fusha e sportit. Skuadra:”Minatori”.Nostalgjia ë dikurshme shkrihet në një pikë. Qytetin e ka ngrënë në shpirt mërgimi përtej vendit tonë. Një bust në këtë kryqëzim udhësh, është një dëshmi.Fytyra të mërzitura. Pamja e tyre ishte dëshpëruese. Shpirti tregonte një dekor ,që ishte gëlltitur nga lodhjet në Shqipëri nuk kanë munguar në këtë tranzicion të vështirëka premtime por nuk ka punë. Madje kjo e fundit është hija,që mbanë në jetë dritën. Në të vërtetë,hija i jep kontrastin portretit. Një jetë të tërë ka pluskuar jeta e banorëve të këtushëm nën një mjegullnajë kujtimesh. Kështu,  kur hynë në këtë luginë ,porta e mirëseardhjes është kjo qendër e hershme. Frymëmarrja e përditshmërisë së qytetit është pakësuar. Çfarë ishte qyteti i minatorëve në  vitet’ 90?Të gjithë kanë orë shpirti edhe qytetet,por orët e këtij qyteti janë murosur. Kështu ëndrra për një troll të riperëndimin e shpresës,mbeti dhimbje,mbeti kujtim i shndërruar tash në rrëfim.Për ata,qëu lindën këtu u rritën si varr u mbetinjë qemer ,streha e fundme e tyre vendi ku ish ngjizur dhimbja , gëzimi, dëshpërimi, ëndrra, frika, dhe vdekja në fund.Kështu,kujtimet e dhjetëra minatorëve i mori me vete sistemi,vijnë tek ne dhe mbijnë përherë të reja në tokën e shpirtit tonë. Dhe kur vinte çasti i punës në minierë hynin si bukuroshë, dilninme sytë plotë trishtim.Ishin kohë eksodesh të mëdha dhe me ndryshim sistemi në Shqipëri, viti 90. Vllahët që përbënin një pjesë të popullsisë ja grahën kur u hap kufiri. Më laçkë   e plaçkë ngarkuan ikën për në mërgim. Greqia destinacioni i tyre i preferuar. Të tjerët rrugëve të Italisë / Eci përhumbur / Një :”Hej,tungjatjeta!” / Lodhjen më ka shkundur… Ku gjenden djalëria shqiptarë ndër kontinente. Lotim dhe dhimbje, që ndjellin tek vashëzat me sytë nga mërgimi. U larguan duke boshatisur pallatet për tu gjendur në metropolet si:Durrës,Tiranë,Vlorë. Aktualisht qyteti i minatorëve është i pazhurmshëm. Sa probleme ka qyteti sot?Thelbi ishte papunësia. Mungesa  tregut për banesat. Miniera ende në varësi të kompanisë franceze.
Kronikë:Selenica historia shkruhet ndryshe
Selenica është një qytet në Shqipëri me rreth 6,900 banorë shkruan Ëikipëdia.Dëshmitë e para për emrin Selenicë datojnë në vitin 1700 dhe deri më sot vazhdon të njihet me këtë emër. Në fillim të shekullit të kaluar ka dëshmi të shumta, të shfrytëzimit çnjerëzor, që u janë bërë burimeve natyrorë të bitumit nga shoqëritë e huaja.. Miniera e parë e organizuar si e tillë daton rreth vitit 1830 dhe është ngritur nga një shoqëri anglezë. Gjatë kohës së mbretërimit të Zogut shfrytëzimi i bitumeve të Selenicës bëhej nga shoqëritë italianë, revolta e punëtorëve ndaj të cilave është e njohur nga ngjarjet e viteve 1937, 1940, 1941 dhe 1942. Zhvillimin më të madh Selenica e mori pas Luftës II Botërorë, ku si rrjedhojë ë shfrytëzimit të bitumeve të saj u hapën shumë vende pune. Në fillim të viteve’90 Selenica numëronte mbi 8000 banorë dhe kujtohet më nostalgji që në Selenicë kishte trupë amatorë teatri, estradë sallë kinemaje, pallat kulturë,muze, shkollë të mesme dhe bujqësorë, bibliotekë publikë.

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Llojdia, qyteti i arit te zi, Selenica

Loja Politike në Demokraci

May 19, 2013 by dgreca

Nga Hajro Çini/

Edhe pse jo perfekte, demokracia ka dëshmuar se është zgjidhje më e mirë, më e llogjikshme dhe më e sigurtë për mbarëvajtjen e një kombi. Demokracia është konkurencë e lirë midis forcave që në interval relativisht të përcaktuara paraqesin alternativat dhe ajo më e suksesshmja fiton të drejtën të drejtojë qeverinë dhe disa institucione që parashikon ligji themeltar. Humbësi merr detyrën që të kontrollojë në mënyrë të përgjegjshme pushtetin, të ngrejë zërin kundër abuzimeve dhe të mbështesë nisma që kanë rëndësi kombëtare.

Një demokraci funksionale ka rregulla të qarta, por ajo që e bën interesante demokracinë, është loja politike, që kur bëhet me mënçuri, jep rezultate të kënaqshme. Vetë loja politike është art dhe ka rregullat e saj. Ajo është si një enë nën presion që po ta hapësh në vend të gabuar apo jo në kohën e duhur dëmtohesh rëndë.

Duke jetuar për një kohë relativisht të gjatë në Kanada, dhe duke qënë i prirur ta vëzhgoj politikën, kam vënë re disa gjëra. Kanadaja presupozohet, me të drejtë, se ka një demokraci të konsoliduar, shumë funskionale dhe një nga më të mirat dhe më suksesshmet në botë. Gjatë kësaj periudhe unë kam parë tre rotacione të mëdha. Konservatorët pas një qëndrimi në pushtet për më shume se 9 vjet, humbën zgjedhjet më 1993. Që konservatorët do të humbnin ndjehej kudo, në rradhë të parë në udhëheqjen kryesore të partisë dhe qeverisë. Kryeministri kishte deklaruar dorëheqjen, po ashtu edhe 80 përqind e ministrave. Partia Konservatore nuk kishte një pretendent të qartë, dhe kandidatët që dolën nuk kishin as vizionin, as përvojën dhe as statujën e kryeministrit në ikje. Mungesa e një kandidati të denjë, të paktën në nivelin e paraardhsit, bëri që kjo parti të kalojë një jetë 13 vjeçare anemike apo në agoni të plotë. Ndryshimi erdhi vetëm pas 13 vitesh kur kryeministri aktual, Stephen Harper, ndërtoi një ekip mjaft të aftë dhe për 3 mandate rradhazi drejton Kanadanë.

Konluzioni im në këtë situatë ishte se, sado e konsoliduar një parti, sado përvojë në pushtet, pa një udhëheqës të aftë është e destinuar të lëngojë.   Progresi vjen kur pasardhësi ka një vision shumë më të avancuar se paraardhësi.

Më 1993, Liberalët premtuan shumë gjatë fushatës. Udhëheqësi i tyre, Chretien, një nga politikanët më pramgatistë të Kanadasë, mbante një libër të kuq në dorë dhe e proklamonte si programin qeverisës. Ai e njihte shumë mirë politikën e rrugës, ishte trim, mendje hapur dhe me mjaft përvojë. Sapo erdhi në pushtet, deklaroi se libri i kuq, ku pasqyrohej programi i kishte humbur, dhe ai kishte qënë e vetmja kopje që ai kishte pasur. Megjithatë, si rezultat i politikave rreptësisht të djathta fiskale, ai bashkë me ekipin e tij, arriti ta nxjerrë Kanadanë nga kriza ekonomike dhe për 13 vjet ekonomia përjetoi një bum të vërtetë. Kur kërkoi mandatin e dytë, Chretien kishte shumë arritje, por ishte shumë larg premtimeve. Të gjitha pollet e nxirrnin humbës. Pikërisht në këtë kohë Chretien tregoi se ishte virtuoz në politikë dhe lojën e saj. Nga foltorja e parlamentit ai deklaroi:

“Edhe pse unë nuk e kam vendosur akoma ditën kur Kanadaja do të shkojë në zgjedhje, më kanë ardhur aplikacionet e vullnetarëve për drejtues të fushatës së partisë sime. Shikojini vetë, se veprimet e tyre janë evidente. Të tre kryetarët e partive opozitare më kërkojnë me shumë këmbëngulje, me shumë seriozitet që unë ti besoj atyre të më drejtojnë fushatën. Duke ndjekur këshillën e Napoleonit të madh:

“Kurrë mos e ndërprit armikun tënd kur është duke gabuar.”

Unë kam vendosur ti motivoj në këtë rrugë.”

Pjesa dërrmuese e analistëve e akuzuan Chretien për cinizëm klasik. Shumë pak arritën të vënë në dukje se ishin pikërisht gafat e kundërshtarëve që do ti jepnin dorë Chretien. Dhe kështu ndodhi.
Në partinë e tij ai ka pasur një kundërshtar të hershëm, një milioner, Paul Martin, që gjithë jetën tentoi ti merrte partinë. Edhe pse kundërshtar, për efekt të unitetit në Parti, ai e mbajti Paul Martin ministër të Financave, i cili tregoi se ishte mjaft i zoti për atë post. Por Paul Martin kishte një problem shumë të fortë emocional, donte me domosdo të bëhej kryeministër. Që ta realizonte ëndrrën e tij, ai filloi ta sabotojë bosin e vet. Ai filloi të nxirrte, indirekt, në shtyp dokumenta në lidhje me $300 milion dollarë kanadez, që Chretien i kishte zhdukur nga buxheti me preteksin e ruajtes së Quebekut që kërkonte shkëputje. Kur skandali filloi të merrte përmasa të mëdha, Chretien, deklaroi se, pas 41 vitesh në politikë, ai do të largohej. Ai ndenji edhe 5-6 muaj sa skandali të plaste mirë dhe u largua, duke lënë Paul Martin, si kryeministër, të ndeshej me problemin që vete kishte nxjerrë në shtyp. Brenda vitit qeveria Martin ra, Martin humbi zgjedhjet dhe u largua nga politika. Sa kohë ishte Chretien kryeministër, ai e përçau aq keq të djathtën sa ata u ndanë në tre parti. Chretien i mbante të ndarë me shumë sukses, dhe po të mos kishte qënë për Paul Martin, liberalët mund të ishin edhe sot në pushtet. Ardhja në krye të njërës prej partive të djathta të Steven Harper, një ekonomisti brilant, një politikani virtuoz, gjakftohtë dhe jashtzakonisht prudent, bëri që situata të ndryshojë 180 gradë. Ai me urtësi, me llogjikë shumë të ftohtë i shkriu të tre partitë dhe, duke përfituar nga skandali i qeverisë, fitoi 40 % të vendeve në Parlament. Llogjika parlamentare kanadeze është, që partia që ka më shumë vota krijon qeverinë, kur ka më pak se 50% të vendeve, qeveri minoritare. Partitë e tjera që bënin së bashku 60% nuk tentuan që të krijojne një qeveri koalicioni. Ajo formulë nuk operon në kanada. Tani është Harper ai që e ka dëmtuar shumë partinë Liberale, dhe pas tre fitoresh rradhazi, herën e tretë ka maxhorancën (mbi 54%) në parlament, Partia Liberale është parti e katërt ne Kanada, dhe hera e parë që nuk është opozitë zyrtare. (Opozitë zyrtare bëhet Partia e dytë për nga numri i deputetëve)

Konkluzioni i dytë, kur sfidon në mënyrë jo të natyrshme udhëheqsin e partisë për ti marrë partinë, jo vetëm që nuk ke shumë shanse për sukses, por mund ti bësh një dëm të pallogartshëm partisë.

Ç’lidhje ka politika kanadeze me atë shqiptare? Dhe pse Dr. Berisha, si Chretieni para dy dekatash, duhet të emrojë drejtues të fushatës për PD- në drejtues të lartë të opozitës?

Shqipëria ka 22 vjet në rrugën e demokracisë. Po ti shohësh gjërat me vëmëndje, loja politike dhe rezultatet e saj kanë ngjashmëri me atë që kishte ndodhur edhe në Kanada. Të dy partisë kryesore kanë pasur eksperienca me të tilla sfida. Ish presidenti Topi, në shkelje totale të Kushtetutës, abuzoi me presidencën dhe institucione të tjera nën kontrollin e Presidencës, ShISh, Prokurori, që të dëmtonte sa më shumë PD që ai të merrte Partinë. Kjo solli përpjasje Institucionale për një kohë të gjatë. Ai nuk la gjë pa përdorur, nga harta e gjobave për emrimin në gjykata, për çdo gjykatës, e deri në grushtin e shtetit më 21 janar 2011. Për fat, ai dështoi totalisht. Një meritë të veçantë ka edhe vizioni, energjia, pasioni prej Burri Shteti të Dr. Berishës.

Nga krahu tjetër, falë korrupsionit të ngritur në sistem, të luftës së fortë politike të opozitës si dhe dembelizmit të vetë Nanos, sfiduesi i tij, Rama, doli i suksesshëm. Ai e mori partinë.  Por si çdo gjë artificiale, për tu kthyer në normalitet do të marrë shumë kohë, dhe do të ketë gjithnjë një kosto të rëndë.

Në këtë fushë interesante zgjedhore një vëzhgues pak i vëmëndshëm kupton se ka shumë gjasa që Edi Rama, Ilir Meta dhe deri diku Fatos Nano janë në garë – për arsye krejt të ndryshme, nga njëherë edhe totalisht kontradiktore – që t’ja bëjnë sa më të lehtë dhe sa më bindëse fitoren Dr. Berishës. Pse?

Duke mos ditur të ndërtojë një program elektoral fitues, duke qënë emocional, që dukshëm ja mjegullon arsyen, dhe së fundi duke qënë një politikan diletant, Rama, së paku, e ka kuptuar që ai nuk mund të përballet me Dr. Berishën. Në një lojë politike, sado miqësore ka edhe humbës. Në Shqipëri është krijuar edhe pozicioni i humbësit profesional. Këtë pozicion e kërkon me shumë këmbëngulje vetë Edi Rama. Ai dështoi të shkatërrojë LSI-në, dështoi në luftën kundër Ilir Metës dhe kudo. Ai nuk di të ndërtojë qoftë edhe një program të thjeshtë elektoral apo politik. U bind së fundi se një problem shqetësues në Shqipëri mbetet sistemi shëndetsisë. (Aq e humbi llogjikën sa akuzoi publikisht, pa të drejtë, të gjitha infermjeret pa dallim). Ka shumë muaj që e kishte kalë të fushatës. Por siç e thashë më lart, shëndetsinë e ka pasur totalisht në kontroll LSI-ja. Me ngjarjen e fundit Rama e kafshoi gjuhën dhe zor se do të dëgjohet më ndonjë akuzë. Ai më së fundi e kuptoi se më 2005 shkëputja e LSI-së nga PS-ja ishte një nga shkaqet që PS humbi, prandaj ka më shumë se 10 muaj që po përpiqet ta tërheqë LSI-në në Aleancë, me kushtet e kësaj të fundit. Por ai nuk kupton se politika është një fushë kaq dinamike dhe e lëvizshme, sa një gjë që ka një vlerë të caktuar para disa vitesh, bëhet antivlera e vetvetes vite më pas. Do të kishte pasur shumë vlera elektorale për PS-në aleanca me LSI-në më 2005, sepse PS+LSI do ti kishin fituar zgjedhjet, por më 2009 më së shumti përfundimi do të kishte qënë barazim (atë kohë PD-ja ishte nën breshërinë e Presidencës, SHISH, Kryeprokurorisë etj.). 2011 vërtetoi se PD kishte më shumë vota se PS dhe LSI të marra së bashku. Shtuar këtu, tani më 2013, edhe koston politike të kësaj marrëveshje (rastet Kadeli, Lezha, dhe Dogjani janë vetëm fillimi i shpërthimit), i japin një fitore vërtet spektakolare PD-së dhe aleatëve të saj.

Nga sa më sipër, Rama e di që nuk mund të fitojë. E vetmja shpresë e tij për sukses është të presë në krye të PS-së edhe nja 15-20 vjet të tjera, deri kur Dr. Berisha të vendosë, për shkak të moshës 80 e kusur vjeçare atë kohë, të tërhiqet në jetën e tij private. Ka vetëm një problem. Si do të justifikojë humbjen? Vetëm duke humbur thellë që të ndërtojë një alibi të “besueshme” se Dr. Berisha në mënyrë të vazhdueshme ja vjedh fitoren.

Ilir Meta ka një agjendë mjaft të peshuar. Një humbje e radhës së Ramës në zgjedhje, e ngre shumë presionin e socialistëve të thjeshtë kundër Ramës si humbës profesionist dhe të çertifikuar. Postin më të lartë që ka pasur deri më tani Rama, ka qënë ose ministër ose Kryetar Bashkie. Në të gjitha rastet jo për meritë të tij, por për përkrahjen nga partia socialiste dhe pikërisht nga Meta kur, ky i fundit ishte Kryeministër. Pra është paradoks, që disa kryeministra të PS-së të jenë larguar nga PS-ja si rezultat i kompleksit të inferioritetit dhe frikës së Ramës, dhe vetë Rama të jetë kryetar. Më këmbëngulësi dhe që ka shanse reale të marrë drejtimin e PS-së, duket se është vetë Meta. Një humbje e rradhës e Ramës e pozicionon drejt për drejtë Metën për në krye të së majtës shqiptare. Meta kështu, bëhet një nga mbështetësit më të vendosur për humbjen e Ramës.

Së fundi, Nano, kryetari historik i PS-së, e ka shumë të vështirë, për ndërgjegje politike, të kapërdijë lojën e papjekur, pa taban dhe pa horizont të Ramës dhë dështimet e njëpasnjëshme të PS-së që ai krijoi. Duke pasur edhe ambicjen për tu bërë president, ai e kupton se i duhet një mbështetje e fortë nga PS, që praktikisht jo vetëm që nuk e ka, por e ka edhe kundër. Pra i duhet një kryetar mbështetës në PS. Për këto arsye, edhe ai e kupton që një humbje e rradhës e Ramës, krijon premisa për largimin e Ramës nga PS dhe kthimin e të majtës në normalitet politik. Kjo e rehaton shpirtërisht Nanon dhe i hap perspektivat për në presidencë.

Nga sa u pasqyrua më lart, të tre drejtuesit e majtë kanë interesa jetike që Dr. Berisha të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Do të ishte një akt i sinqertë, që vetë Dr. Berisha t’ja besojë atyre, pra Ramës, Metës dhe Nanos fushatën për PD-në në këto zgjedhje.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Hajro Cini, loja politike, ne demokraci

Sfida e Arben Malajt

May 17, 2013 by dgreca

Shkruan: Behar GJOKA/
Kandidimi si i pavarur i Arben Malajt, pa dyshim një nga figurat e rëndësishme të së majtës dhe të PS në historinë e njëzet viteve, mbart dy momente. Së pari, kundërshtimin e mendimit zyrtar të PS, që bazohet në të drejtën e liderit për të hartuar listat, për të mos e përfshirë në listën e vet. Së dyti, edhe një akt individual dhe qytetar. Ardhja në këtë pikë, nevralgjike të fatit të demokracisë, lidhet në fakt me hapësirat e pakufishme të liderëve për të kontrolluar partitë e gjithë spektrit të politikës shqiptare, pra edhe vetë hartimin e listave, na shpie natyrshëm në asgjësimin e mendimit ndryshe, si dhe në instalimin e një demokracie përgjithësisht të kontrolluar nga majat e politikës. Shpallja e kandidaturës si i pavarur, në marrëdhënie me demokracinë, është një rreze drite në këtë atmosferë të ndezur të zgjedhjeve të radhës, që tregon se ka ende individualitete me integritet, të cilët pavarësisht pasojave, megjithatë nuk reshtin së përpjekuri për ta futur demokracinë e brishtë shqiptare në hulli më normale. Pra, kandidimi si i pavarur është edhe një akt politik dhe juridik që dëshmon se edhe në këtë humnerë të garës së kontrolluar elektorale, gjithsesi, duhen krijuar hapësirat për të dalë nga tuneli ku morali dhe idealet shpesh barazohen me rreckat që shkundin pluhurat. Akti i tij është politik sepse ka shpërfillur edhe llogaritë matematikore, ku elektorati i majtë është vështirë të dalë nga rreshtimi i unitetit partiak. Nga ana tjetër, edhe në këtë fushatë individuale, Malaj në të gjitha herët deklaron aspiratën për të mbetur përfaqësues i PS. Po kaq, kandidimi si i pavarur është një akt juridik, ku pavarësisht riskut të madh, tregon se edhe në kushtet e ligjit zgjedhor që na legalizon një demokraci të kontrolluar, që u jep fuqi të jashtëzakonshme liderëve të politikës shqiptare, nëse duam ndryshimin e vërtetë, daljen nga projektimi absurd i popullit të majtë dhe të djathtë, krijuar me kontributin e veçantë të PD dhe PS, që kanë futur psikologjinë e mosbesimit, të luftës së ashpër, madje deri në asgjësimin e plotë të tjetrit, që pavarësisht bindjeve të ndryshme, voton në liri të plotë dhe pastaj vijon jetën normale, pa pasur në mes armiqësinë shkatërrimtare. Akti qytetar, politik dhe juridik i Arben Malajt nuk ka të bëjë me mërmërimat e çuditshme të humbësve të privilegjeve, të cilët në ndonjë oponencë sporadike, lëshuar në media, kanë bërë sikur i janë kundërvënë politikës zyrtare të PD, kur edhe ata mund të kryenin një akt të ngjashëm me atë të Malajt. Veprimi i Malajt është ndryshe, sepse kandidimi i tij si i pavarur, dukshëm e veçon nga llomotimat e jargavitura të hamësve të pushtetit, por njëherësh e vë përballë liderit të PS, sepse kandidimi i tij vjen si rrjedhë logjike, si një kundërshti e njohur brenda radhëve të PS, qysh në zgjedhjet elektorale të vitit 2009. Rreshtimi i tij në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, ku bënin pjesë edhe Kastriot Islami, që tanimë ka kapërcyer në listat e PD, edhe prej faktit se u përjashtua nga radhët e PS, Andis Harasani, që para disa muajsh shpalli largimin, Ben Blushit, që ia ka mbërritur të strehohet në krye të listës për qarkun e Elbasanit, Marko Bello që nuk është fare në lista. Arben Malaj, në historinë e katër viteve, pavarësisht mendimit ndryshe dhe kritikave ndaj liderit të PS, gjithherë mbeti dhe është besnik i elektoratit të majtë, i objektivave politikë të PS për të ardhur në pushtet, por mbeti besnik dhe konsekuent edhe i mendimit ndryshe. Pra, rasti i Arben Malajt, që në këtë zallamahi zgjedhore ku nuk e merr vesh i pari të dytin, ku amoralja mbyt moralin, ku pragmatizmi politik është shndërruar në yll polar, përbën një gjest dhe dukuri qytetare, politike dhe juridike, që vërteton dhe na kujton se ende ka vetëdije për ndryshim. Nga ana tjetër, Arben Malaj është edhe kambana e alarmit për të ndryshuar ligjin e zgjedhjeve, që hartimin e listave ia delegon liderëve të politikës, ligjin që vë në zgrip ekzistencial fatin e demokracisë dhe i ka hapur udhën lulëzimit të autoritarizmit, që po e vonon realisht funksionimin e demokracisë si shtet ligjor, me qytetar të barabartë përpara ligjit.
• E falenderojmë mikun e gazetës Dielli, studiuesin Behar Gjoka, që pati mirësinë ta dërgonte artikullin edhe për lexuesit tanë.

Filed Under: Komente Tagged With: Behar Gjoka, sfida e Arben Malaj

SHEMBULLI I TRAFIKIMIT TË NARD NDOKËS, SHENJË E DEGRADIMIT TË SISTEMIT POLITIK

May 17, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Demokracia në Shqipëri është duke përjetuar traumën më të thellë. Atë të trafikimit të deputetëve, i cili është kthyer në gangrenë për sistemin politik.
Trafiku i deputetëve, kalimi sa majtas-djathtas, i të njëjtave fytyra, me qëllimin e vetëm për të uzurpuar pushtet paraqet sot fenomenin më negativ, ku amoraliteti i politikës është kthyer në modë, duke rënë në veshin e shurdhër të mediave dhe shoqërisë civile. Dhe përbën një dramë të madhe fakti që zëri kritik luftohet me të gjitha mjetet, dhe ata gazetarë të paktë që guxojnë të kritikojnë, sulmohen nga skalionet e zagarëve të militantëve si „tradhtarë“ të idealeve të partisë të Sali Berishës apo si „të shitur“ tek opozita apo të ashtuquajturit kundërshtarë. Them të ashtuquajtur, sepse sot ata janë armiq për vdekje midis tyre, nesër janë aleatë të përbetuar. Shembulli tipik është Sali Berisha-Arben Imami, Berisha-Meta, Rama-Meta tj.
Trafikimi i deputetëve ka goditur në zemër standardet, vlerat dhe parimet e demokracisë, sepse mbajtja e pushtetit apo marrja e pushtetit është kthyer në paranojë, duke rrezikuar stabilitetin e vendit.
Nëse mediat do të operonin me mjete të ndershme, plagët kishin shans të kuroheshin. Ndërsa kur mediat operojnë me mjete të pista, kur tregojnë atë që kanë interes të tregojnë dhe fshehin atë që kanë interes të fshehin, duke e privuar opinionin publik nga e vërteta, dhe duke e dirigjuar opinionin publik atje ku duan ata, si duan ata dhe për kë duan ata, atëhere vendi jonë po rrezikon të kthehet në një shtet rogue, të paaftë për të qeverisur bazuar në shtetin e së drejtës, ku tre pushtetet duhet të ushtrojnë në mënyrë të pavarur detyrimet kushtetuese, sikundër edhe pushteti i katërt, që duhet të jetë barrikadë në mbrojtje të demokracisë.
Fati i gjithçkaje është në dorën e njëshit dhe interesave të tij. Deputetët hyjnë e dalin nga listat si të jenë dele. Dalin pa zhurmë dhe futen pa zhurmë.
Nuk ka garë, nuk ka meritokraci, ka trafik dhe memecëri. Nuk po marr këtu të diskutoj rastin e Kastriot Islamit, siç po e diskutojnë disa, të mbetur jashtë listave sot, si „Kaçi i zi“. Profili i Kastriot Islamit si politikan ka ndryshuar, ka qënë konsekuent në kritikat e tij për hir të interesave madhore të vendit. Do të ishte e ndershme që Islami të krijonte parti të tijën të majtë, se sa të ndryshonte kravatën nga të kuqe në blu, por ky është stili.
Do të fokusohem tek Nard Ndoka, jo si person, por si një prototip i deputetit të trafikuar.
Si kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndokës në zgjedhjet e 23 qershorit, i është dhuruar karrikja e deputetit, pasi është i katërti në listën e PD në Shkodër.
Në të largmen e afërme, në protestën e „puçit“ të 21 janarit 2011, ishte i rreshtuar me puçistat ose thënë ndryshe ishte njëri prej puçistave.
Nard Ndoka, po ashtu, është nga më agresivët që nuk i ka ndalur akuzat dhe sulmet kundër Nr.2 të PD, zonjës Topalli. Jo më larg se 17 tetori 2011, Nard Ndoka e quante Topallin publikisht « kone e përkëdhelur e Berishës që shpesh krijon tensione“. E akuzoi edhe për vjedhje votash më 2009, por pas numërimit doli se kishte dy-tri vota më shumë nga sa duhej. Tani Jozefina Topallit do t’i duhet të dalë në fushatë me Nard Ndokën. Situatë shumë bizare.
Në faqen zyrtare në Facebook të Partisë Demokristiane, ku Nard Ndoka ka vendosur deri fotot më të fundit nga takimi i djeshëm tek Top Story i Sokol Ballës, po të hedhësh një sy kurioz dhe të zbrezësh në 19 marsin e 2012, do të shohësh publikimin e një interviste të kryetarit të saj që mban datën 19 mars 2012, ku Nard Ndoka e akuzon Berishën se „e ka shndrruar Partinë Demokratike në kazermë ku individët trajtohen si merecenarë”.
Por nuk kalojnë as 11 ditë, dhe më 30 mars 2012, Partia Demokristiane e Nard Ndokës publikon po në faqen e saj zyrtare në Facebook se“ PDK po shqyrton ofertat e bashkimit me PD“.
Më tutje shohim mbërritjen e „ofertës“, goxha të majme, ku më 1 tetor 2012, Nard Ndoka emërohet zvministër i brëndshëm nga kryeministri i Shqipërisë! Dhe para disa ditësh iu fut Jozefina Topallit në listat e Shkodrës! Tani shtypi rozë i Tiranës po thotë se zonja Topalli nuk po e përmend më emrin e Berishës nëpër mitingje! Po si t’ja përmendë! Ajo ka ba « hara kiri » politik për të!
Ju pyes, ju njerëz të nderuar, a ka moral këtu? Kush e ka tradhtuar Sali Berishën dhe PD: ne apo vetë ai, ka tradhtuar veten e tij dhe PD dhe shpresat tona, që e mbështetëm për njëzet vjet, sepse besuam që e djathta shqiptare do të kishte rolin kryesor, edhe në ndërtimin e shtetit ligjor, edhe për të krijuar një klasë politike me standarde Perëndimore!
Nard Ndoka s’ka lidhje me asnjë standard perëndimor, veç me trafikun, i cili mund t’i kthehet Berishës në një bumerang me efekt të menjëhershëm, kur të gjithë të listuarit e importuar nga PS dhe pseudoaleancat e tij, të rikthehen nga ardhën. Për një « ofertë » më të mirë! Diçka e ngjashme me Ilir Metën, por jo tre muaj para zgjedhjeve, si veproi kryetari i LSI, por disa ditë a javë pas 23 qershorit! Dhe pastaj Berisha do t’i kërkojë llogari vetvetes se si ia shiti shpirtin Nard Ndokës!
Zhgënjim i Berishës ndaj Nard Ndokës, gjithësesi do të jetë i vogël, po të krahasohet me zhgënjimin tonë 20 vjeçar! Sa të marrë paskemi qënë !
Po gjithësesi tani na janë hapur sytë!
Më mirë vonë se kurrë!

Filed Under: Komente Tagged With: degradimi i sitemit politik, Elida Buçpapaj, trafikimi i Nard Ndokes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 473
  • 474
  • 475
  • 476
  • 477
  • 478
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT