• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve

February 5, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Osmanët shfrytëzuan fuqinë bashkuese të fesë për të integruar grupe të ndryshme. Mileti i parë i themeluar zyrtarisht ishte ai ortodoks në vitin 1454, pasuar nga armenët në 1461 dhe hebrenjtë në 1839, të cilët u përfaqësuan nga një udhëheqës i zgjedhur nga komuniteti hebre i Stambollit në 1453. Secili milet jomysliman kishte të drejtën të përfaqësonte anëtarët e tij para gjykatës osmane dhe të vetëqeverisej brenda. Ata kishin të drejta për të mbledhur taksa, gjykuar dhe rregulluar jetën e anëtarëve të tyre, për sa kohë këto të drejta nuk binin ndesh me ligjin islam dhe strukturën e ndjeshme të qeverisë myslimane(Hupchick, 2001:134). Sipas mendimit të pranuar gjerësisht, pas pushtimit osman, shoqëritë indigjene të Ballkanit u lanë pa elitën e tyre sunduese, e cila ose u detyrua të largohej nga vendet e saj, ose u shkatërrua nga osmanët. Në këto kushte, Kisha përfaqësoi strukturën e vetme të mbetur që ishte në gjendje të administrojë çështjet e përditshme të popullsisë jo-fetare(Kursar, 2013:98).

Osmanët nuk bënin dallime mes besimtarëve ortodoksë grekë, bullgarë, serbë, maqedonas apo rumunë, duke i grumbulluar të gjithë në një milet të vetëm. Megjithatë, autoritetet myslimane ishin të vetëdijshme për dallimet etnike mes këtyre grupeve. Kjo bashkësi, megjithatë, përfaqësonte një unitet fetar më shumë se sa etnik(Detrez, 2015: 3; Yılmaz, Erdem , 2020: 2564).

Konceptit i sistemit të miletit ishte një burim ankesash për qeverinë osmane, fuqitë evropiane dhe komunitetet jo-myslimanë. Për qeverinë osmane, ai ishte një pengesë për osmanizimin, pasi mbante fuqinë e komuniteteve jo-myslimane urbane, klerit dhe liderëve lokalë të komunitetit. Po ashtu, për intelektualët jo-myslimanë, sistemi i milletit e pengonte lindjen e vetëdijes kombëtare dhe zhvillimin e një kulture etnike dhe sekulare mes individëve që ndanin të njëjtën kulturë, gjuhë dhe komb (Karpat, 2011: 173;Yılmaz, 2020: 2565).

Nëse, siç mendojnë shumica e historianëve, vetëdija kombëtare në Ballkan filloi të formohej në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, lind pyetja se cilin identitet kishin njerëzit para kësaj periudhe. Ata identifikoheshin kryesisht me grupe etnike, fetare, lokale ose profesionale, si shqiptarë, bullgarë, grekë, myslimanë, katolikë dhe të tjerë. Këto forma identiteti kolektiv mund të bashkëjetonin dhe nuk përjashtonin njëra-tjetrën, dhe në varësi të situatës dhe pranisë së “tjetrit të rëndësishëm”, një prej këtyre identiteteve mund të merrte dominance(Gaitanos, 2022: 60-61). Në periudhën midis shenjave të para të identitetit modern kombëtar në Ballkan, nga vitet 1780 deri në fillimin e shekullit të njëzetë, kur të gjitha nacionalizmat e mëdha ballkanike (përveç atij shqiptar) ishin tashmë të formuara dhe të konsoliduara, ekzistonin dy lloje identitetesh që zhvilloheshin paralelisht: identiteti etno-religjioz (proto-kombëtar) mes fshatarëve dhe identiteti kombëtar mes grupeve të patriotëve(Markovich, 2013: 246-247).

Edhe pse shumica e historianëve priren ta pranojnë fenë si faktor vendimtar të formimit të komuniteteve në periudhën para-kombëtare, historiografia ballkanike, dhe sigurisht jo vetëm ajo, vazhdon ta trajtojë të kaluarën nga një këndvështrim pak a shumë etnocentrik ose kombëtar(Detrez, 2015: 1-2). Identitet, i bazuar në përkatësi etnike dhe fetare, mund të vendoset në kuadër të studimeve mbi nacionalizmin modern, veçanërisht në teoritë e Anthony Smith mbi etnitë. Siç e diskuton Victor Roudometof, “grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët dhe rumunët në Ballkanin Osman mund të konsiderohen etnitë e këtij rajoni dhe ata ishin të vetëdijshëm për dallimet e tyre etnike”(Karpat, 1985; Mpalta, 2006; Gaitanos, 2022: 60).

Fillimet e reformave të Tanzimatit përkojnë me revolucionet kombëtare që ndikuan në strukturën dhe marrëdhëniet e mileteve, duke përfshirë ndryshimin e pozitave të tyre në skenën politike. Revolucioni grek shënoi rënien e botës fanariotike dhe bëri që osmanët të rishikojnë privilegjet e miletit rum, duke përmirësuar pozitën e mileteve të tjera, veçanërisht të armenëve, dhe duke njohur për herë të parë miletin katolik. Përveç krijimit të mileteve protestant dhe katolik, shpërbërja e miletit ortodoks shpërtheu me formimin e kishave kombëtare si në Greqi, Serbi, Rumani dhe Bullgari(Gaitanos, 2022: 68). Kishat “nacionale” ortodokse që u formuan gjatë sundimit osman, e ruajtën pushtetin e tyre, falë rolit që iu ishte caktuar në sistemin e miletit dhe u bënë mbështetëset kryesore të lëvizjeve nacionaliste, që filluan nën ndikimin e huaj, veçanërisht atij rus(Baskin,1994:308)

Shqiptarët ishin kombi i fundit ballkanik që u prek nga nacionalizmi. Lëvizja e tyre u pengua seriozisht nga organizimi shoqëror osman i mileteve. Për më tepër, si autoritetet osmane ashtu edhe Kisha Ortodokse në jug kishin arsyet e tyre për ta shtypur zhvillimin e arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe. Teksa për nacionalizmat e tjerë të Ballkanit, feja si një faktor i unfikimit të popujve, ka luajtur një rol pozitiv, në rastin e Shqipërisë, feja padyshim ka luajtur më tepër një rol përçarës(Clayer, 2012:138). Brenda një sistemi të tillë, grupi më i madh i shqiptarëve – myslimanët ishin konsideruar nga Porta e Lartë si turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë, që nuk e patën kishën e tyre kombëtare, siç e kishin grekët, bullgarët apo serbët, dhe si të tillë i takuan kishës greke, apo sllave u konsideruan nga Stambolli dhe Patrikana si grekë dhe nga kishat serbe dhe bullgare përkatësisht si serbë dhe bullgarë. Shqiptarët katolikë, nga ana tjetër, u njohën më në fund si milet dhe formalisht përfaqësoheshin nga patriarku armen(Demjaha& Peci, 2016:16).

Pra, autoritetet osmane i identifikuan shqiptarët vetëm sipas fesë, duke eliminuar të gjitha konsideratat e përkatësisë etnike. Duhet theksuar se identifikimit si pjesë e një mileti i mungonte plotësisht kuptimi territorial, i lidhur me konceptin evropianoperëndimor të kombit(Hupchick, 2002:134). Mbështetur edhe në konceptin osman të sistemit të mileteve, komunitetet etnike nuk kishin kufij gjeografikë, prandaj çdo komunitet kulturor i konsideronte si të vetat të gjitha territoret, bashkësia fetare e të cilit përbënte shumicën. Si rezultat, pasi Perandoria Osmane filloi të shpërbëhej, nacionalistët grekë filluan t’i rivendikojnë territoret e Shqipërisë së Jugut si të tyret, pasi sipas tyre “banoheshin nga ortodoksë”. Me të njejtin argument, serbët i pretenduan në pjesët veriore territoret e banuara me shqiptarë(Demjaha& Peci, 2016:16).

Është e qartë, se derisa sistemi i mileteve ka ofruar një tokë të frytshme për grekët, serbët dhe bullgarët, për krijimin e shteteve të tyre kombëtare me mbështetjen e drejtpërdrejtë të kishave përkatëse, për nacionalizimin shqiptar ai ka paraqitur një pengesë serioze. Vetëm shkëputja radikale nga ky sistem bëri të mundur ndryshimin e paradigmës që u mundësoi tri komuniteteve fetare shqiptare të shiheshin si një komunitet kombëtar i veçantë, i ndarë nga grekët, latinët dhe turqit, dhe jo si grek, latin apo turk me tipare të tjera gjuhësore(Demjaha& Peci, 2016:16).

Ndërkohë që Perandoria Osmane dhe fqinjët shovinistë ballkanikë këmbëngulnin që Shqipëria të ndahej në bazë të linjave fetare, për rilindësit shqiptarë ishte vendimtare t’i tejkalonin ndasitë fetare, duke këmbëngulur për një identitet sekular të përbashkët të shqiptarëve, bazuar në “unitetin kulturor dhe gjuhësor”. Prandaj sekularizmi u bë tipari kryesor i Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Rilindja Shqiptare, si lëvizje sekulare, promovoi bashkimin e shqiptarëve mbi bazën e gjuhës së përbashkët, duke e theksuar unitetin kombëtar përtej ndarjeve fetare. Ajo ishte themelore për zhvillimin e identitetit të përbashkët dhe krijimin e një shteti të pavarur shqiptar.

Filed Under: Komente

NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT

February 4, 2026 by s p

Shkrimtari francez Kamil Paganel* në veprën e tij “Histoire de Scanderbeg, ou turks et chrétiens au XVe siècle”, botuar në Paris në vitin 1855 nga shtëpia botuese ‘Didier’, sjell këtë letërkëmbim mes sulltan Mehmetit I dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (ff. 301-305):

«…Megjithatë, duke filluar të kuptonte se një kundërshtar i tillë nuk mund të nënshtrohej me forcën e armëve, Mehmeti përdori dinakërinë. Një ambasador u nis me dhurata të bollshme dhe letrën e mëposhtme:

“Unë, Sovrani i Madh, Emiri i Madh, Sulltan Mehmet Beu, biri i Sovranit të Madh dhe Emirit të Madh Sulltan Murat Beut, për Skënderbeun, Princin e Arbërve dhe Epirotëve, përshëndetje.

Nuk njoh miqësi më të përzemërt, i dashur Skënderbe, se ajo që lind nga intimiteti i gjatë; sidomos kur kjo lidhje u krijua në rini, mes nesh, kur ti ishe peng në oborrin e tim eti, dhe të dy jetonim së bashku si vëllezër.

Prandaj, kur mendoj për ato gëzime të ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shërbimet e tua të shkëlqyera, gjithçka që ke bërë për lavdinë e Shtëpisë së Osmanit, për madhështinë e Perandorisë sonë, të kem ty për zemër dhe ta dëshmoj këtë më duket një detyrë e ngutshme.

Asgjë nuk do të më kënaqte më shumë, e thërras Zotin si dëshmitar, sesa të të shihja përsëri më në fund, dhe të shijoja praninë tënde për do kohë. Në qoftë se disa nga trupat e mia kanë guxuar kohët e fundit të pushtojnë mbretërinë tënde dhe të kryejnë veprime luftarake atje, unë i dënoj; ato kanë vepruar pa urdhin tim, dhe fitoret e tua, ndëshkim i drejtë për guximin e tyre, nuk më kanë zemëruar.

Por le ta lëmë këtë mënjanë, për t’u kthyer te marrëdhëniet tona të vjetra; një lidhje e shenjtë dhe paqësore le të na pajtojë përgjithmonë. Pra, ja bazat e mundshme të aleancës sonë, të cilat po t’i paraqes, duke e ditur mirë se nuk i takon atij që kërkon paqen të përcaktojë kushtet e saj.

Kërkoj që t’i lejosh të kalojnë nëpër tokat e tua trupat e mia, që shkojnë për të luftuar kundër venedikasve; së dyti, që të më japësh, si peng, djalin tënd Gjonin, i cili do të trajtohet si fëmija im; dhe së fundi, që nënshtetasit tanë të mund të tregtojnë lirisht midis tyre.

Nëse pranon, eja të më takosh në siguri të plotë: pritja do të jetë e denjë për rangun tënd. Po të jap besën dhe fjalën time si sovran, se do të ruaj me besnikëri një paqe të pacënueshme me ty; qysh tash e tutje vendi yt nuk do të shqetësohet nga armët e mia ose nga askush tjetër. Për më tepër, nëse ke ndonjë pyetje ose dyshim për të sqaruar, drejtohu, me besim të plotë, Mustafait, të dërguarit tim. Dhënë në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj, në vitin 1461 nga lindja e Jezu Krishtit.”

Kjo letër, kaq miqësore në formë, por kaq tinëzare në përmbajtje, pasi u lexua në Këshill, të gjithë – princat, zotërit dhe kapedanët – ranë dakord se një hap i tillë nga një monark kaq i fuqishëm, ishte tejet i lavdishëm për Skënderbeun. Sa i përket kushteve të traktatit, dy të parat u refuzuan njëzëri; vetëm e treta, që kishte të bënte me lirinë e tregtisë, u pranua.

Ja përgjigjja e miratuar në këtë drejtim:

“Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe, Princ i Epirotëve dhe i Arbërve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Kemi marrë, i përndrituri princ, letrën tënde, plot me shprehje të miqësisë sate. Të ndarë prej kohësh nga njëri-tjetri, kjo dashuri e ndërsjellë, thua ti, ishte si e fjetur dhe dëshiron ta zgjosh nëpërmjet një aleance të ngushtë.

E pranoj me kënaqësi propozimin, por jo të gjitha kushtet. Kështu, si aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa thyer besën e dhënë, pa shkelur mbi dinjitetin tim, të të lejoj të kalosh për t’i sulmuar ata.

Sa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta bërë atë një nyje të një lidhjeje të re midis nesh, zemra e një ati dhe e një nëne nuk mund ta pranojë një sakrificë të tillë mbi vete; ai është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhënë, dhe është ende kaq i vogël! Përveç kësaj, do t’i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk edukohet me zakonet dhe në fenë e vendit të vet. Tani mbetet klauzola në lidhje me tregtinë e lirë midis dy vendeve: këtë, unë dhe i gjithë Këshilli im e miratojmë plotësisht, sepse të dy popujt do të gjenin përfitim të barabartë në të.

Ti më fton edhe të vij për vizitë, me besim të plotë, për të forcuar mes palëve një miqësi që ka vuajtur kaq gjatë: faleminderit, princ i shkëlqyer, për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim për në Konstandinopojë, ky qëndrim që më sjell ndër mend kaq shumë kujtime, s’është i mundur nga kërkesat e qeverisjes sime; sepse s’do të mund të përkujdesesha mjaftueshëm për këtë popull krenar arbëror, kaq të zjarrtë, kaq të paepur, kaq të paduruar për paqe.

Por kjo [vizitë] është vetëm një kënaqësi e lënë për më vonë, dhe unë do të vij sapo të jetë e mundur.

Nga kampi ynë, 1 qershor 1461”»

* Fan Noli thotë në Parathënie të librit të tij “Historia e Skënderbeut” se ka përfituar shumë nga vepra e Kamil Paganelit.

Përktheu nga frëngjishtja: Luket Hasaj

Filed Under: Komente

Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha

February 3, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Çfarë bie në sy në studimet për “europianizimin” në kontekstin e kujtesës dhe kujtimeve nga vendasit e luftës së Kosovës, dhe si kultivohet identiteti evropian përballë të kaluarës? Profesor Asistenti Abit Hoxha i Departamentit të Studimeve Nordike dhe Medias në Universitetin e Agderit në Norvegji është një zë i respektuar në studimet e ndërtimit të narrativës së luftës. Si studiues me karrierë të gjatë akademike dhe profesionale në temën e ballafaqimit me të kaluarën, ai sapo mbajti ligjëratën Dyjëzimi i Kujtesës së Luftës në Kosovë, në Seminarin e Antropologjisë, Universiteti i Prishtinës.

Para pesë viteve, punimi shkencor dyvjeçar RePast (policy brief)* i tij me bashkautor Kenneth Andresen nga Universiteti Agder, Kristiansand, Norvegji, jepte disa rekomandime për një qasje të koordinuar ndërsektoriale në përballjen me të kaluarën e trazuar.

“Dallimi i kujtesës si memorie dhe mbamendjes si proces qëndron tek fokusi. E para, përfshin literaturën zyrtare dhe jozyrtare, veprat artistike, historitë dhe tjera aspekte, ndërsa mbamendja, është si të thuash, e bazuar më shumë në historitë gojore, që tregojnë dëshmitarët apo ata që kanë një lloj përvoje në ngjarjet e kohës, përfshirë rrëfimet nëpër gjenerata përmes gojëdhënave. Si e tillë, mbamendja e bën kujtesën kolektive më të pasur,” vëren studiuesi.

Por mbamendja nuk është njësoj midis gjinive dhe midis brezave, për sa i takon përjetimeve të luftës. Hulumtuesi Abit Hoxha, që është i mbijetuar i luftës në Kosovë dhe ka punuar një kohë të gjatë me familjet e personave të zhdukur, e ka trajtuar këtë temë gjerësisht. “Rezultatet nga fokus grupet tregojnë një tejheroizëm të burrave, paçka që shumë ikën në strehim në male dhe gratë qëndruan në shtëpitë e tyre.”

Kontrasti midis dominimit të heroizmit në rastin e rrëfimit të luftës nga burrat dhe, përuljes dhe vuajtjes, krahazi me etiketimin si viktimë për gjininë femërore, është pjesë e asaj “sesi ju interpretohet të rinjve tregimi për luftën në Kosovë nga familja dhe rrethi. “Shumë respondentë thonë “babai ka kontribuar në luftë duke ikur në mal, ndërsa nëna është viktimë e dhunës serbe sepse qëndroj në shtëpi dhe u keqtrajtua nga forcat serbe.” Ky parafrazim reprezenton çka të rinjtë flasin për përjetimet e prindërve në luftë.”

Si kujtesa e luftës, edhe ballafaqimi me të kaluarën, janë të lidhura me kohën, por të dyja me diferencime gjinore. Ndërsa për burrat narrativi është i kryer, dhe rrëfimet janë “pa rrezik” të paraqitura si kontribute për luftën, për gratë, lufta është e vazhdueshme edhe sot “në rrezikshmërinë që përmbajnë në vetvete historitë e tyre të luftës.” Në rrëfimet e grave, lufta ende vazhdon.

Duke qenë kohorë, pyetemi nëse anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton “memorie historike evropiane që legjitimon dhe kultivon identitetin evropian (Prutsch 2017) dhe nëse kujtesa “me tipare evropiane” e luftës në Kosovë do ta përmbushte shqetësimin kryesor të evropianëve, që është pajtimi. “Siç ceket në studim, shumica e politikave evropiane në fushën e ballafaqimit me të kaluarën nuk i përmbushin pritjet e asnjërës palë, as nga shqiptarët, dhe as nga serbët, pikërisht, për shkak se janë gjithëpërfshirëse.

Kjo ndodh ngaqë politikat evropiane kanë pasë për qëllim më shumë “zgjidhjen e problemit” të konfliktit se sa pajtimin dhe zgjedhjen afatgjatë,” thotë kërkuesi shkencor Hoxha. Ballafaqimi me të kaluarën nuk qëndron kurrë statik, por, studiuesi vëren se sa më shumë kohë kalon, aq më i madh bëhet hendeku dhe pajtimi më i pamundshëm.

Për sa i takon ardhmërisë, pavarësisht një doze idealizmi, subjektet e sondazhit në Kosovë janë realistë dhe praktikë në: pritshmëritë ekonomike të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe lehtësirat personale, si pajisja me viza për ata vetë. Megjithatë, pjesëmarrësit në grupet e fokusit janë të kthjelltë në pamundësinë e Evropës për të qenë e suksesshme në gjurmët, që ka lënë e kaluara në Kosovë, konkretisht, lufta. Studiuesi qartëson se “popullata në Ballkan, posaçërisht në Kosovë, nuhat shumë mirë mundësitë e BE për të ndihmuar apo imponuar diçka. Qëndrimi i paarsyeshëm i BE ndaj Kosovës për çështjen e vizave deri në vitin 2024, prodhoj një pakënaqësi, që reflekton edhe në aspektet e marrëdhënieve me BE, siç shihet nga respondentët tek perceptimi i dialogut të Qeverisë së Kosovës me Serbinë.”

Duke kthyer sytë nga mësimi i historisë, studiuesi Hoxha thotë se tipari më i dallueshëm është paqëndrueshmëria. “Për një kohë të gjatë, karakteristika dalluese është narracioni i paqëndrueshëm për luftën në Kosovë. Kjo ka ardhur si pasojë e mosinvestimit dhe apatisë së institucioneve të historisë dhe autorëve, siç ishte rasti i të ftuarve nga Prokuroria e Përgjithshme e Dhomave të Specializuara, që punuan pa kritere akademike apo shkencore. Pasoja më flagrante është demonizimi i lëvizjes çlirimtare. Sa i takon librave të historisë dhe shkollore në Kosovë, ato janë të cilësisë së dobët, siç është evidentuar në raportin tim me bashkautore Dr. Anna Di Lellio. Në përgjithësi, botimet keqprezantojnë periudha të historisë sidomos nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Disa nisma në Kosovë bëjnë një punë të madhe, por edhe ato kanë për qëllim agjendat politike dhe joshkencore,” vëren doktoranti për mediat në konflikt në LMU të Mynih-ut, Gjermani, Abit Hoxha.

Kujtesa, në ndërtimin e së kaluarës, ndonëse një fjalë e vetme, është një sistem i ndërvarur dhe i ndërlikuar, ku imponimet shihen “që në oborr” dhe, ku, qasjet e qarta shkencore janë vetëm fillimi.

*Punimi (2019-2021) i titulluar RePast është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të platformës Horizon 2020. Pjesa e studimit në Kosovë u realizua me pjesëmarrjen e 6 grupeve të fokusit me 51 individë, burra dhe gra, të etniteteve kryesore në Kosovë, me 20 intervista cilësore të fokusuara, ndërsa një studim i gjerë u zhvillua në Greqi, Qipro, Bosnjë Hercegovinë, Spanjë, Gjermani, Poloni dhe Irlandë. Një listë më e plotë të raporteve të projektit gjendet në vegëzën https://cordis.europa.eu/project/id/769252/results

Filed Under: Komente

Today marks the 84th anniversary of the Voice of America

February 2, 2026 by s p

Dr. Elez Biberaj/

Today marks the 84th anniversary of the Voice of America – an important moment to remember how this preeminent international broadcaster advanced U.S. national interests, projected America’s democratic values, and served hundreds of millions around the world with accurate, independent news and information. For generations, VOA carried truth across borders, countered propaganda, and gave audiences an unfiltered window into America’s democratic discourse and institutions. Its credibility was earned, not inherited, and it became one of the most effective instruments of American soft power.

Yet at a time when the United States confronts formidable global challenges – Russia’s continuing aggression against Ukraine, democratic backsliding across Eurasia, China’s expanding malign influence operations, Iran’s repression, Venezuela’s turmoil, and persistent conflict and instability across the Middle East and Africa – America’s voice has been deliberately silenced. This is not simply a void; it is an open invitation for adversaries to shape narratives, distort facts, and dominate information spaces where VOA once provided clarity, context, and a trusted alternative.

Reviving VOA is a strategic imperative. A nation that cannot communicate credibly forfeits influence to those who weaponize information. Congress has signaled its intent by approving renewed funding for VOA – insufficient, but a foundation on which to rebuild. What is needed now is leadership willing to recognize the damage done and restore an institution that has long and admirably served America’s policies and national interests.

Those guiding U.S. international broadcasting today face a defining choice. The decision to dismantle VOA has weakened America’s reach, undermined its values, and diminished its ability to speak to global audiences with clarity and integrity. Reversing course would not only strengthen America’s voice – it would reaffirm the principles that have anchored VOA for more than eight decades: press freedom, rigorous journalistic standards, editorial independence, and truthful reporting.

Restoring VOA is not merely a correction of a flawed policy. It is a reaffirmation of America’s commitment to openness, accountability, and the free flow of information. History will not remember who presided over its decline. It will remember who had the courage to restore it.

America needs its voice back. And the world needs it even more.

Filed Under: Komente

Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin

January 31, 2026 by s p

Një histori zvarritjeje, heshtjeje dhe mungese vullneti

Kush po e bllokon dhe pse?

Nga Cafo Boga

Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një nga figurat më të njohura dhe më të nderuara të historisë evropiane të shekullit XV. Për shqiptarët, ai përfaqëson simbolin e lirisë, qëndresës dhe identitetit kombëtar; për Evropën, një figurë kyçe në mbrojtjen e kontinentit. Pikërisht për këtë arsye, përmendorja e Skënderbeut është e vendosur pothuajse në çdo vend ku jetojnë shqiptarët, si dhe në dhjetëra qytete të tjera në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi, deri në Romë, Londër, Bruksel, Gjenevë dhe disa qytete amerikane, Skënderbeu është i pranishëm në hapësirën publike si figurë historike me rëndësi ndërkombëtare. Në këtë kontekst, mungesa e përmendores së Skënderbeut në Ulqin — një qytet me shumicë shqiptare dhe me histori të thellë kombëtare — nuk është thjesht paradoks, por një anomali institucionale që kërkon shpjegim.

Një përmbledhje e shkurtër

Iniciativa për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Ulqin nisi rreth tetë vite më parë nga Fondacioni “Dom Simon Filipaj”, me synimin për të nderuar figurën kombëtare dhe për të forcuar identitetin kulturor shqiptar në qytet. Në fazën fillestare u angazhua shoqata “Buzuku” për procedurat administrative pranë Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, ndërsa të gjitha shpenzimet financiare u mbuluan nga Fondacioni. Leja e lëshuar ishte me afat njëvjeçar, por u lejua të skadojë pa asnjë veprim konkret nga institucionet lokale.

Në këtë iniciativë u përfshi edhe diaspora shqiptare me prejardhje nga trojet autoktone në Mal të Zi, përfshirë organizata të shumta dhe figura të shquara të komunitetit lokal, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi. Në këtë fazë u arrit miratimi që përmendorja e Skënderbeut të vendosej në rreth-rrotullimin pranë Komunës së Ulqinit, me përmasa të qarta: bazament rreth 3 metra i lartë dhe skulpturë e Skënderbeut mbi kalë me lartësi 5.40 metra, e konceptuar si paraqitje e një figure historike me rëndësi ndërkombëtare. Në atë periudhë, me kërkesë të palëve, u angazhova si koordinator ndërmjet Fondacionit, diasporës dhe Komunës së Ulqinit. U zhvilluan disa takime me shoqatën “Buzuku” dhe me kryetarin e atëhershëm të komunës, z. Loro Nrekić, i cili konfirmoi se leja ishte dhënë për një periudhë njëvjeçare.

Megjithatë, pas një ankese nga enti i komunikacionit, vendimi për rreth-rrotullimin u pezullua. Në këtë pikë, procesi filloi të zvarritej. Shoqata “Buzuku” u tërhoq nga angazhimi, duke përmendur frikën nga ndjekjet gjyqësore, ndërsa përgjegjësia institucionale mbeti e paqartë.

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” shprehu gatishmërinë që përmendorja të financohej nga diaspora dhe t’i dhurohej Ulqinit. Edhe z. Nrekić shprehu gatishmëri që komuna të përgatiste bazamentin me shpenzimet e saj. Mirëpo, pas daljes së tij në pension dhe ndryshimeve të shpeshta në drejtimin e komunës, çështja e përmendores përfundoi në harresë.

Nga zvarritja në bllokadë

Me kalimin e viteve, kryetar i Komunës së Ulqinit u bë z. Genc Nimanbegu. Për të shtyrë përpara iniciativën, Fondacioni formoi një komision lokal të përbërë nga Dr. Zylfije Duraku, Dr. Nail Draga dhe Don Gabriel Grabanica, të cilët zhvilluan takime me kryetarin e komunës dhe këshilltarët e tij. As këto takime, as një takim i drejtpërdrejtë i zhvilluar më vonë nga kryetari i Fondacionit, nuk prodhuan rezultate konkrete.

Sot, pas gati një dekade përpjekjesh, iniciativa për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Ulqin mbetet e bllokuar. Jo për mungesë fondesh. Jo për mungesë mbështetjeje nga diaspora apo komuniteti. Por për mungesë vullneti politik dhe përgjegjësie institucionale.

Në një qytet me shumicë shqiptare, ku figura e Skënderbeut përfaqëson identitet, histori dhe rezistencë, refuzimi i heshtur për ta çuar përpara këtë projekt ngre pyetje serioze: Kush mban përgjegjësi për këtë zvarritje? Pse një iniciativë e përgatitur, e financuar dhe e mbështetur gjerësisht trajtohet me indiferencë? Dhe çfarë mesazhi u dërgohet shqiptarëve të Ulqinit dhe diasporës që prej vitesh investojnë kohë, energji dhe dinjitet?

Heshtja institucionale nuk është neutralitet. Në këtë rast, ajo është një formë vendimi.

Kujt i mbetet përgjegjësia?

Leja për vendosjen e përmendores së Skënderbeut ka skaduar gjatë mandatit të ish-kryetarit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekić, ndonëse duhet theksuar se mandati i tij u ndërpre për shkak të daljes në pension sipas ligjit në Mal të Zi. Megjithatë, neglizhenca fillestare mbetet përgjegjësi e tij, pasi lejoi që afati njëvjeçar të kalonte pa asnjë veprim konkret.

Gjatë mandateve pasuese të Aleksandar Dabovićit dhe Omer Bajraktarit nuk u ndërmor asnjë hap konkret për rifillimin e procedurës. Vlen të theksohet se z. Bajraktari i përkiste partisë së ish-kryeministrit Dritan Abazović, i cili në atë periudhë kishte jo vetëm përgjegjësi politike, por edhe kapacitete të qarta institucionale për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Megjithatë, një angazhim i tillë mungoi plotësisht.

Gjatë mandatit aktual të kryetarit Genc Nimanbegu, procedura u rifillua dhe, sipas deklarimeve të tij, u aprovua rinovimi i lejes. Mirëpo, në vijim, Komuna vendosi të formojë një komision të brendshëm për shqyrtimin e çështjes. Ky komision doli me përfundimin se duhej ndryshuar si lokacioni ashtu edhe forma e përmendores.

Në mënyrë të veçantë, u rekomandua që përmendorja të zhvendosej në parkun e Komunës dhe që ajo të mos ishte një figurë klasike e Skënderbeut, por një skulpturë abstrakte e realizuar nga një skulptor kosovar. Të dyja këto propozime rezultuan thelbësisht të gabuara dhe, në perceptimin e gjerë publik, pothuajse fyese për statusin historik dhe simbolik të Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Nuk ishte aspak e çuditshme që reagimi i opinionit publik të ishte gjerësisht negativ. Po ashtu, edhe Fondacioni iniciator iu drejtua Kryetarit të Komunës me një letër zyrtare mos-pajtimi, duke kundërshtuar qartë sugjerimet e dalura nga komisioni komunal.

Megjithatë, pavarësisht reagimeve publike dhe kundërshtimeve të argumentuara, ditët dhe muajt kaluan pa u marrë asnjë vendim përfundimtar. Kështu, neglizhenca fillestare u shndërrua gradualisht në një bllokadë institucionale shumëvjeçare, duke e lënë iniciativën sërish në gjendje pezullimi dhe pa perspektivë të qartë zgjidhjeje.

Formalisht, përgjegjësia për vendosjen e përmendoreve në hapësira publike i takon Komunës së Ulqinit. Ajo ka kompetencën të propozojë lokacionin, të miratojë vendimin përfundimtar dhe të sigurojë zbatimin e tij. Në rastin e përmendores së Skënderbeut, komuna ndryshoi lokacionin dhe formen e miratuar dhe, në fund, nuk mori asnjë vendim përfundimtar — as pro dhe as kundër. Ky mosveprim përbën një bllokadë të qëllimshme përmes heshtjes administrative.

Kjo bllokadë komunale nuk mund të shkëputet nga konteksti shtetëror. Institucionet qendrore nuk e ndaluan formalisht projektin, por krijuan një klimë politike dhe institucionale ku projekte të tilla tolerohen të zvarriten pa pasoja. Ankesa e ashtuquajtur “teknike” e entit të komunikacionit u përdor si justifikim burokratik për të shmangur një vendim politik. Në këtë mënyrë, komuna mban përgjegjësinë direkte për mosveprimin, ndërsa shteti mban përgjegjësinë politike për një sistem që e lejon këtë heshtje të zgjasë me vite.

Si mund të ringjallet iniciativa për përmendoren e Skënderbeut në Ulqin?

Pas gati një dekade zvarritjeje institucionale, iniciativa për vendosjen e përmendores së Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Ulqin mbetet e bllokuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ideja ka dështuar përfundimisht. Përkundrazi, ajo mund të ringjallet dhe të realizohet, por vetëm nëse ndryshohet rrënjësisht qasja, mënyra e veprimit dhe niveli i përgjegjësisë institucionale.

Hapi i parë dhe i domosdoshëm është mbyllja e kapitullit të vjetër përmes një sqarimi të plotë publik. Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë është bërë, kush ka qenë përgjegjës dhe pse procesi ka dështuar. Pa këtë transparencë, çdo përpjekje e re rrezikon të bllokohet sërish me arsyetimin se “kjo çështje është trajtuar më parë”. Sqarimi publik nuk është hakmarrje politike, por parakusht për një fillim të ri, të ndershëm dhe të besueshëm.

Rifillimi i iniciativës nuk mund të ndërtohet mbi dokumente të vjetra apo procedura të skaduara. Procesi duhet të nisë nga e para: me një aplikim të ri, një projekt teknik të përditësuar dhe një vendim të ri komunal. Kjo u heq institucioneve lokale çdo justifikim burokratik dhe e zhvendos çështjen nga zona gri e paqartësisë në territorin e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë.

Një element kyç në këtë fazë është krijimi i një komisioni të ri, jo simbolik, por funksional. Ky komision duhet të ketë mandat të qartë, afate konkrete dhe përbërje profesionale: përfaqësues të fondacionit iniciator, juristë të pavarur, arkitektë ose urbanistë, përfaqësues të diasporës dhe figura publike me kredibilitet moral dhe profesional. Politikanët aktivë duhet të qëndrojnë jashtë këtij komisioni për të shmangur politizimin dhe përdorimin elektoral të procesit.

Kërkesa drejtuar Komunës së Ulqinit duhet të jetë zyrtare, e dokumentuar dhe e shoqëruar me afat të përcaktuar ligjor. Komuna duhet të detyrohet të marrë një vendim brenda një periudhe të arsyeshme: ose miratim, ose refuzim të arsyetuar me shkrim. Heshtja administrative nuk duhet të tolerohet më si formë vendimmarrjeje.

Në rast se komuna vazhdon të heshtë ose të zvarrisë procesin, hapi i radhës duhet të jetë kalimi në nivel shtetëror. Ankesa formale pranë Ministrisë së Kulturës, përfshirja e Avokatit të Popullit dhe informimi i mediave kombëtare dhe ndërkombëtare janë mekanizma legjitimë për ushtrimin e presionit institucional. Heshtja duhet të ketë kosto publike.

Edhe roli i diasporës duhet të riformulohet. Ajo nuk duhet parë vetëm si burim financiar, por si faktor politik, moral dhe shoqëror. Përfshirja e saj e organizuar përmes deklaratave të përbashkëta, letrave të hapura dhe qëndrimeve publike të qarta e të kushtëzuara mund të ndryshojë ndjeshëm balancën e presionit.

Në thelb, ringjallja e kësaj iniciative kërkon ndryshim paradigme:

jo më pritje, por afate;

jo më lutje, por kërkesa institucionale;

jo më emocione, por mekanizma ligjorë dhe presion publik.

Vetëm kështu një ide e drejtë, e ligjshme dhe e mbështetur gjerësisht mund të kalojë nga sirtarët e administratës në hapësirën publike të qytetit.

Kjo iniciativë mund të ringjallet vetëm atëherë kur përgjegjësia bëhet publike dhe heshtja nuk tolerohet më.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT