• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jo “Uroševac”, Ferizaj kërkon emrin e vet

August 13, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Në sheshin qendror të Ferizajt, prej 18 korrikut 2026, qytetarët po nënshkruajnë një kërkesë që, në pamje të parë, mund të duket gjuhësore: heqjen e emërtimit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar dhe njohjen e emrit Ferizaj si emërtim të vetëm të qytetit në dokumentet, tabelat, regjistrat dhe komunikimet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në të vërtetë, çështja është më e thellë. Ajo prek marrëdhënien ndërmjet historisë dhe shtetit, ndërmjet barazisë gjuhësore dhe trashëgimisë së pushtimit, si edhe të drejtën e një bashkësie për ta njohur qytetin e vet me emrin me të cilin ai lindi.

Nisma “Për një Ferizaj pa ‘Urosevac’” është ndërmarrë nga Bashkim Fazliu. Mbledhja publike e nënshkrimeve filloi më 18 korrik, në orën 12:00. Faza e pranisë së rregullt në sheshin përballë shtatores së Tony Blairit ishte paraparë deri më 8 gusht, ndërsa, sipas organizatorit, mbledhja do të vazhdojë në pika të tjera dhe në terren. Më 3 gusht, Fazliu njoftoi se ishin grumbulluar mbi dhjetë mijë nënshkrime. Ky është numër i deklaruar nga organizatori dhe duhet të marrë vlerën juridike përfundimtare vetëm pas verifikimit institucional.

Peticioni kërkon që emri Ferizaj të përdoret në shqip, serbisht dhe anglisht, i shkruar sipas alfabetit përkatës, pa u zëvendësuar me emërtimin “Uroševac”. Kështu, nisma e ndan qartë emrin zyrtar të qytetit nga gjuha dhe alfabeti në të cilin ai shkruhet.

Ferizaj është ndër qytetet më të reja të Kosovës. Zhvillimi i tij lidhet me ndërtimin e hekurudhës ndërmjet Mitrovicës dhe Shkupit dhe të stacionit hekurudhor më 1873. Emri i qytetit lidhet me Feriz Shasivarin dhe hanin e tij, rreth të cilit u zgjerua vendbanimi. Burimet dhe hartat e kohës, para pushtimit serb të vitit 1912, përdorin emrin Ferizaj ose forma të përshtatura në gjuhë të tjera, si Ferizović, Ferisović, Ferisovitsch dhe Verisovitch. Pavarësisht ndryshimeve fonetike, të gjitha këto forma ruanin të njëjtën rrënjë emërtimore.

“Uroševac” nuk është përkthim serbisht i emrit Ferizaj. Është një emër tjetër, i lidhur me Stefan Uroshin V, sundimtarin e fundit të dinastisë mesjetare Nemanjiq. Prandaj, kemi të bëjmë jo me dy forma gjuhësore të së njëjtës fjalë, por me dy emërtime me prejardhje dhe kuptim të ndryshëm historik.

Një studim i fundit i Sylë Ukshinit sjell dëshmi me rëndësi nga shtypi i kohës. Gazeta vjeneze “Neue Freie Presse”, më 6 nëntor 1912, njoftonte përdorimin e emrit Uroševac pas hyrjes së administratës serbe. Kjo dëshmi tregon se procesi i riemërtimit nisi menjëherë pas pushtimit. Një pjesë e literaturës, përfshirë studimet për historinë e Ferizajt, e lidh formalizimin administrativ me vendimin e Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë të 16 janarit 1914. Të dyja të dhënat mund të qëndrojnë së bashku: përdorimi politik filloi më 1912, ndërsa formalizimi juridik pasoi më vonë.

Ky dallim është themelor. Ai e vendos emrin Uroševac në kontekstin e ndryshimit të sovranitetit dhe të ndërhyrjes së pushtetit në hartën simbolike të Kosovës. Emërtimi i hapësirës nuk ka qenë kurrë veprim krejt i pafajshëm. Perandoritë, shtetet kombëtare dhe administratat pushtuese kanë përdorur toponiminë për të shënuar pronësi politike, për të ndërtuar vazhdimësi historike dhe për t’ia përshtatur kujtesën territorit që kontrollonin. Në këtë kuptim, një tabelë rrugore mund të mbajë brenda saj më shumë histori sesa një monument.

Republika e Kosovës e trashëgoi këtë dyzim. Ligji nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave, në versionin shqip, përcakton “Komunën e Ferizajit me seli në Ferizaj”. Edhe shtojca kadastrale përdor emrin Ferizaj. Megjithatë, në një pjesë të praktikës shumëgjuhëshe institucionale vazhdon emërtimi Uroševac. Nisma kërkon pikërisht mënjanimin e kësaj mospërputhjeje dhe përdorimin e emrit Ferizaj në të gjitha gjuhët zyrtare, sipas alfabetit përkatës.

Kjo nismë ka bazë të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe ligjore. Neni 79 i Kushtetutës ua njeh së paku dhjetë mijë qytetarëve të drejtën për të ndërmarrë nismë legjislative. Ligji nr. 04/L-025 për Nisma Legjislative përcakton se qytetarët mund ta hartojnë projektligjin ose t’i propozojnë Kuvendit hartimin e tij. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për nismat që kërkojnë ndryshimin e një ligji ekzistues.

Edhe rruga juridike për emrin e komunës është e përcaktuar. Neni 9.1 i Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave thotë se caktimi i emrit ose i selisë së komunës bëhet përmes plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji. Pra, nisma nuk kërkon një mekanizëm të jashtëzakonshëm dhe as veprim jashtë rendit juridik. Ajo kërkon përdorimin e mekanizmit që vetë Republika e Kosovës ua ka njohur qytetarëve të saj.

Dhjetë mijë nënshkrime nuk e ndryshojnë vetvetiu ligjin. Ato i japin qytetarëve të drejtën që nisma e tyre, pas përmbushjes së kërkesave procedurale dhe verifikimit të nënshkrimeve, të paraqitet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pikërisht Kuvendi është institucioni kompetent për ta ndryshuar Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave. Pas dorëzimit të peticionit, vendimi do të jetë në duart e deputetëve. Sipas nismëtarit Bashkim Fazliu, pritja është që kjo kërkesë të bashkojë 110 vota pro, me mbështetjen e deputetëve shqiptarë dhe të deputetëve të komuniteteve joserbe. Ky numër nuk përbën kusht juridik për miratimin e ndryshimit, por shpreh synimin për një unitet sa më të gjerë parlamentar.

Për publikun shqiptaro-amerikan, kjo mund të duket si çështje e një qyteti. Por historia e Ballkanit tregon se emrat e vendeve kanë qenë pjesë e betejës për sovranitet, kujtesë dhe identitet. Pikërisht për këtë arsye, korrigjimi i tyre duhet të bëhet me seriozitet demokratik. Kosova duhet të jetë mjaftueshëm sovrane për ta emërtuar hapësirën e vet dhe mjaftueshëm demokratike për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e saj.

Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve të Ferizajt që ta nënshkruajnë këtë peticion dhe ta mbështesin kërkesën me përgjegjësi qytetare. Ky nënshkrim është kërkesë që qyteti ynë të njihet zyrtarisht me emrin e vet historik, duke respektuar njëkohësisht të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ferizaj nuk kërkon një emër të ri. Kërkon njohjen e emrit me të cilin u formua dhe me të cilin qytetarët e tij e kanë njohur ndër breza. Heqja e emrit Uroševac duhet të jetë akt i një republike që dallon të drejtën gjuhësore nga nomenklatura e pushtimit dhe që e korrigjon të kaluarën përmes ligjeve të veta.

Filed Under: Komente

Ibri, fronti i ri i luftës-Lumenjtë rrjedhin, armiqësia e serbëve mbetet

August 13, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në Ballkan jemi mësuar me kërcënimet për territore, kufij, harta dhe ushtri. Tani presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka futur në fjalorin e presionit politik edhe një element tjetër: ujin. Më 9 gusht 2026, Vuçiq deklaroi publikisht se Serbia kishte thirrur ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Pastaj erdhi fjalia që e nxori deklaratën jashtë çdo kornize thjesht teknike: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.” Një ditë më vonë ai u përpoq ta zbuste qëndrimin, duke thënë se nuk po kërcënonte askënd dhe se Serbia po merrej vetëm me rrjedhat ujore në territorin e vet. Vërtet, po nga nis dhe ku bitis Ibri?!

Fjala Ibar nuk është “përkthimi” serb i një fjale me kuptim të veçantë serbisht; është forma serbe e një emri të vjetër gjeografik iliro dardan. Shqipja përdor formën Ibër, ndërsa serbishtja Ibar.

Por pikërisht këtu fillon problemi. Ibri nuk është një rubinet në oborrin e Beogradit që mund të hapet apo mbyllet sipas humorit politik. Është një lumë ndërkufitar dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk mund të trajtohet sipas parimit: “Jam sovran, prandaj bëj çfarë dua”. Kur ndërhyrja mbi një burim natyror brenda një shteti prodhon pasoja të konsiderueshme përtej kufirit, sovraniteti territorial nuk është më argumenti i vetëm. Aty fillojnë përgjegjësia, bashkëpunimi dhe e drejta ndërkombëtare.

Sovraniteti nuk është licencë për të mbyllur ujin

Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq reagoi ndaj ministrit shqiptar Ferit Hoxha duke deklaruar se Serbia është shtet sovran dhe do të vendosë vetë si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Në pamje të parë, ky tingëllon si argument juridik. Në realitet është vetëm gjysma e së vërtetës. Serbia është sovrane mbi territorin e saj, por sovraniteti territorial nuk i jep një shteti të drejtë absolute për të ndërmarrë veprime brenda kufijve të vet kur pasojat e tyre të konsiderueshme kalojnë përtej kufirit. Nëse logjika e Beogradit do të pranohej si absolute, çdo shtet në rrjedhën e sipërme të një lumi do të mund ta devijonte, ndotte apo shteronte atë dhe pastaj t’i thoshte fqinjit: “Mos ndërhy, është çështja ime e brendshme”.

Pikërisht për të shmangur një situatë të tillë është zhvilluar e drejta ndërkombëtare e ujërave, e mbështetur mbi parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, parandalimit të dëmit të konsiderueshëm ndërkufitar, bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe konsultimit.

Pra, pyetja nuk është vetëm se ku mund të ndërtojë Serbia një kanal, digë apo vepër hidroteknike. Pyetja është se çfarë pasoje do të prodhonte ajo ndërhyrje në Kosovë. Nëse ndryshimi i rrjedhës do të zvogëlonte ndjeshëm prurjet drejt Ujmanit, do të prekte furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë apo ekosistemin, nuk do të kishim më vetëm një projekt të brendshëm serb, por një problem të drejtpërdrejtë ndërkufitar.

“Të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” – fjalia që ndryshon gjithçka

Pikërisht këtu deklarata e Vuçiqit merr peshën e saj më shqetësuese. Nëse presidenti serb do të kishte folur vetëm për një studim teknik për nevojat ujore të Serbisë, çështja do të mund të trajtohej fillimisht si debat hidrologjik. Por kur ndryshimi i rrjedhës shoqërohet me fjalët “pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët”, uji lidhet drejtpërdrejt me reagimin politik të palës tjetër. Në këtë kontekst, ai rrezikon të paraqitet jo vetëm si burim natyror, por si levë presioni politik.

Për Kosovën kjo nuk është çështje abstrakte. Ibri furnizon sistemin e Ujmanit dhe Ibër-Lepencit, i cili lidhet drejtpërdrejt me ujin e pijshëm, energjinë, industrinë dhe bujqësinë. Ujmani nuk është një pellg politik dhe Ibër-Lepenci nuk është infrastrukturë dytësore. Ato janë arterie të një sistemi që furnizon qytetarët dhe ekonominë. Prandaj reagimi i Prishtinës dhe kërkesa që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë nuk mund të reduktohen thjesht në retorikën e radhës Kosovë–Serbi.

Hoxha flet për ligjin, Beogradi nxjerr “Shqipërinë e Madhe”

Ferit Hoxha e vendosi debatin aty ku duhej: në planin juridik ndërkombëtar. Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje ekskluzivisht e brendshme dhe uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik. Në vend që Beogradi t’i përgjigjej këtij argumenti me studime hidrologjike, të dhëna teknike dhe garanci se një projekt eventual nuk do të shkaktonte dëm ndërkufitar, reagimi serb kaloi shpejt në territorin e njohur të propagandës ballkanike: Kosova, sovraniteti serb, ndërhyrja shqiptare dhe, pothuajse pashmangshëm, “Shqipëria e Madhe”.

Edi Rama e kapi pikërisht këtë kontradiktë, duke ironizuar se debati filloi nga hidrologjia, kaloi në të drejtën ndërkombëtare, bëri ndalesën e detyrueshme te “Shqipëria e Madhe”, vazhdoi te “Kosova dhe Metohia” dhe përfundoi në muzeun e anktheve historike serbe. Përtej ironisë, argumenti është fare i thjeshtë: Shqipëria nuk ka nevojë të pretendojë territorin e Kosovës për të thënë se një lumë ndërkufitar duhet të trajtohet sipas normave ndërkombëtare. Për të kuptuar problemin nuk duhet një hartë e “Shqipërisë së Madhe”. Duhet vetëm një hartë hidrologjike.

Ibri nuk buron në Serbi – gjeografia që Beogradi nuk mund ta ndryshojë

Dhe harta tregon një fakt kokëfortë: Ibri nuk buron në Serbi. Burimet e tij ndodhen në Mal të Zi, në zonën malore pranë Rozhajës. Prej andej lumi hyn në Serbi, vazhdon drejt Kosovës, ku ushqen Liqenin e Ujmanit dhe sistemin Ibër-Lepenc, dhe më pas del përsëri nga Kosova në Serbi, për t’u bashkuar me Moravën Perëndimore pranë Kraljevës. Itinerari natyror është pra: Mal i Zi–Serbi–Kosovë–Serbi. Vetë gjeografia e rrëzon idenë e një lumi ekskluzivisht serb.

Ky fakt e bën edhe më problematik pretendimin se Ibri mund të trajtohet thjesht si “burim natyror i Serbisë”. Serbia ka sovranitet mbi pjesën e territorit të vet ku kalon lumi dhe të drejtën ta përdorë ujin për nevojat e saj, por kjo nuk do të thotë se zotëron të gjithë lumin apo se mund të shpërfillë efektet e përdorimit të tij mbi territoret e tjera të pellgut. Në të drejtën ndërkombëtare të ujërave nuk ka rëndësi vetëm vendi ku ndërtohet diga ose kanali; rëndësi kanë pasojat ndërkufitare të ndërhyrjes.

Paradoksi serb: Beogradi është edhe sipër, edhe poshtë rrjedhës

Rasti i Ibrit përmban madje një paradoks të veçantë për argumentin serb. Serbia është njëkohësisht vend në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme të segmenteve të këtij sistemi, sepse Ibri kalon nga Serbia në Kosovë dhe më pas rikthehet në Serbi. Parimin që Beogradi do të kërkonte të respektohej për veten kur ndodhet poshtë rrjedhës, nuk mund t’ia mohojë Kosovës kur Serbia ndodhet sipër saj.

Kjo është një nga arsyet pse e drejta ndërkombëtare e ujërave nuk ndërtohet mbi privilegjin absolut të shtetit të sipërm. Pozicioni gjeografik nuk duhet të shndërrohet në armë politike. Aq më tepër që një ndryshim i rrjedhës nuk do të prekte domosdoshmërisht vetëm shqiptarët. Në veri të Kosovës jeton edhe popullsi serbe. Uji nuk ka sensor etnik. Nuk pyet nëse konsumatori është shqiptar apo serb përpara se të mbërrijë në rubinet. Kështu, përdorimi politik i tij do të ishte kontradiktor edhe me narrativën e Beogradit për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

Precedenti i Danubit: kur devijimi i lumit përfundoi në Hagë

Pikërisht këtu ekziston një precedent ndërkombëtar që meriton vëmendje të veçantë: çështja Gabčíkovo–Nagymaros, ndërmjet Hungarisë dhe Sllovakisë, e gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1997. Mosmarrëveshja lidhej me një projekt të madh digash mbi Danub dhe me masat e njëanshme të ndërmarra pasi bashkëpunimi mes palëve u prish. Në qendër të konfliktit ishte edhe devijimi i një pjese shumë të madhe të ujërave të Danubit drejt një kanali në territorin e kontrolluar nga njëra palë.

Gjykata arriti në një përfundim me rëndësi të madhe për çdo debat mbi lumenjtë ndërkufitarë: fakti që një shtet ka mundësinë fizike ta kontrollojë apo devijojë një pjesë të ujit nuk do të thotë se ka automatikisht të drejtën juridike ta bëjë këtë duke privuar palën tjetër nga pjesëmarrja e saj e drejtë dhe e arsyeshme në burimet e rrjedhës ndërkombëtare. Rasti nuk është juridikisht identik me Ibrin, sepse Hungaria dhe Sllovakia kishin edhe një traktat bilateral specifik, ndërsa statusi ndërkombëtar i Kosovës krijon rrethana të tjera. Por parimi është tepër domethënës: kontrolli fizik mbi pikën e devijimit nuk barazohet me pronësi absolute mbi lumin.

Danubi dje, Nili sot – uji nuk njeh sovranitet absolut

Një shembull tjetër është Nili dhe konflikti shumëvjeçar rreth Digës së Rilindjes së Madhe Etiopiane. Etiopia argumenton se ka të drejtë ta shfrytëzojë lumin për zhvillim dhe prodhim energjie, ndërsa Egjipti e konsideron sigurinë e rrjedhës së Nilit një çështje ekzistenciale kombëtare. Rasti është shumë më kompleks dhe nuk duhet barazuar mekanikisht me Ibrin, por demonstron të njëjtën dilemë: shteti në rrjedhën e sipërme ka të drejta mbi ujin, por ato bashkëjetojnë me interesat dhe të drejtat e popullsive që varen nga i njëjti sistem më poshtë.

Shembulli i Danubit është juridikisht edhe më i fortë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e trajtoi drejtpërdrejt konfliktin mbi një lumë të përbashkët dhe një ndërhyrje të njëanshme. Ndërsa në çështjen Pulp Mills on the River Uruguay, GJND-ja theksoi rëndësinë e vlerësimit të ndikimit mjedisor kur një aktivitet paraqet rrezik për ndikim të konsiderueshëm negativ ndërkufitar. Këto raste tregojnë se shtetet nuk jetojnë në ishuj juridikë: ajo që ndërtohet brenda kufirit mund të krijojë detyrime kur pasojat kalojnë kufirin.

Kosova nuk është në OKB, por Ibri përsëri mbetet ndërkufitar

Fakti që Kosova nuk është palë në Konventën e OKB-së të vitit 1997 nuk e zhduk problemin. Serbia mund të përpiqet ta përdorë këtë fakt për ta ngushtuar debatin juridik, por parimet e menaxhimit të ujërave ndërkufitare janë më të gjera se marrëdhënia formale ndërmjet dy palëve të një traktati. Përdorimi i drejtë dhe i arsyeshëm, parandalimi i dëmit të konsiderueshëm, bashkëpunimi, shkëmbimi i informacionit dhe vlerësimi i ndikimit mjedisor kanë një peshë shumë më të gjerë në të drejtën ndërkombëtare.

Mosanëtarësimi i Kosovës në OKB nuk e transformon Ibrin në lumë ekskluzivisht serb. Gjeografia nuk ndryshon sipas statusit diplomatik. Nëse një ndërhyrje në Serbi shkakton pasoja të konsiderueshme në Kosovë, pasoja fizike ekziston pavarësisht nëse Beogradi e njeh ose jo Republikën e Kosovës.

Nëse ka inxhinierë, ku është projekti?

Këtu Kosova nuk duhet të kënaqet me deklarata politike. Nëse Vuçiq thotë se janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe specialistë të ndërtimit, atëherë lind një pyetje elementare: Çfarë po projektohet konkretisht? Ku parashikohet devijimi? Sa ujë synohet të merret? Në cilën periudhë të vitit? Çfarë ndikimi do të kishte në prurjet drejt Ujmanit? A është bërë studim hidrologjik? A ekziston një vlerësim i ndikimit mjedisor? A janë analizuar pasojat mbi furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë e Kosovës?

Nëse këto pyetje nuk kanë përgjigje, atëherë kemi ose një kërcënim politik të papërgjegjshëm, ose paralajmërimin e një projekti që kërkon menjëherë transparencë. Kosova nuk duhet të presë derisa ekskavatorët të dalin në terren. Nëse ekzistojnë studime teknike, duhet kërkuar informacion për to tani.

Kosova duhet të përgjigjet me një dosje, jo me folklor

Përgjigjja më e dobët e Kosovës do të ishte një garë deklaratash nacionaliste. Përgjigjja më e fortë do të ishte një dosje ndërkombëtare: matje të prurjeve të Ibrit, analiza të varësisë së Kosovës nga Ujmani, skenarë të reduktimit të ujit, ndikimi mbi termocentralet, furnizimin e komunave, ujitjen dhe ekosistemin, të shoqëruara me një analizë serioze juridike.

Kosova duhet ta çojë çështjen në Bruksel, Uashington dhe në çdo tryezë ku diskutohet normalizimi me Serbinë. Nëse Beogradi kërkon të paraqitet si shtet evropian dhe kandidat për integrim, duhet të sillet si shtet evropian edhe në administrimin e ujërave ndërkufitare: me transparencë, konsultim, bashkëpunim dhe respekt për pasojat që veprimet e tij mund të kenë mbi fqinjët.

Ibri nuk është armë

Dhe në fund duhet të kthehemi te fjalia e Vuçiqit: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët.” Në Evropën e shekullit XXI nuk duhet të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët pasi t’u prekësh ujin. Duhet të shohim çfarë thotë ligji, çfarë tregojnë studimet hidrologjike dhe çfarë kërkojnë standardet ndërkombëtare. Shqipëria ka të drejtë të flasë. Kosova ka arsye të alarmohet. Partnerët ndërkombëtarë kanë arsye të kërkojnë sqarime. Serbia duhet të shpjegojë se çfarë projekti po shqyrton dhe çfarë pasojash mund të ketë.

Vuçiqi mund të ndryshojë retorikën nga një ditë në tjetrën. Mund të thotë të dielën “do të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” dhe të hënën të deklarojë se “nuk po kërcënon askënd”. Por uji nuk funksionon me korrigjime politike.

Nëse e devijon, pasoja mbetet. Nëse e pakëson, pasoja mbetet. Nëse shkakton dëm përtej kufirit, problemi juridik nuk zhduket vetëm sepse ekskavatori ndodhej në territorin serb.

Në fund, Edi Rama e përmblodhi me një metaforë që në këtë rast përputhet fort me realitetin gjeografik: lumenjtë ndjekin gjeografinë, jo folklorin politik. Beogradi mund të flasë për “Shqipëri të Madhe”, “Kosovë e Metohi” dhe sovranitet serb, por Ibri nuk dëgjon. Ai buron në Mal të Zi, kalon në Serbi, hyn në Kosovë dhe rikthehet në Serbi.

Ibri nuk është pronë politike e Beogradit. Është një lumë ndërkufitar. Nuk është armë. Është ujë, energji, ekonomi dhe jetë.

Ndaj, Ibër, mos u ndal.

Filed Under: Komente

Ibrahim Rugova, krijues dhe prijës

August 12, 2026 by s p

Ndue Ukaj/

Në një prozë të shkurtë, me titull “I ikuni”, të botuar më 20 nëntor 1962, te gazeta Rilindja, personazhi i krijuar nga Ibrahim Rugova, “s’donte me qenë bari, me ia pre të huejt delet e tufës. Donte me qenë luftar.” Kjo frazë shumë vite më vonë, tingëllon profetike, sepse, Rugova vërtet u bë ky luftar i madh, së pari në fushën e letërsisë e kulturës, mbasandej të politikës, duke mbetur deri në fund të jetës një luftar i madh i transformimeve shpirtërore e politike shqiptare, në tokat e lëna djerr shekuj me radhë.

Në librin “Kah teoria” (1978), letrari shkruante për transformimin e nevojave shpirtërore në shoqëri, të cilat, atëbotë synonte t’i ndihmonte dhe realizonte nëpërmes rrugëve të letërsisë, kurse te libri tjetër me shumë ndikim, “Refuzimi estetik” (1987), qartësisht shpalosi filozofinë e vet të jetës, e cila shpejt do ta aplikohej në praktikën shoqërore, si refuzim ndaj shtypjes dhe hapësirë e lirisë shpirtërore. Studiuesi besonte se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikonte në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij, qe një binom i pandashëm i luftëtarit për kulturë e politikë të lartë.

Dhe 20-vjet pas kalimit të tij në amshim, duket se jeta dhe vepra e Rugovës, ka një përkim domethënës me metaforën e luftarit. Në fakt, Rugova duke qenë pjesëtar i një letërsi që kishte kryer detyrat të mëdha e të shenjta ndaj kombit, ashtu siç do të thoshte Eqrem Çabej, ai“bëhet krijuesi që si një prisi shpirtëror i ra edhe barra e apostullit nacional,” – një barrë, që përpara tij e kishin kryer shumë shkrimtarë, në disa epoka vendimtare për ekzistencën tonë kombëtare, prandaj, Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruan me një vendosmëri prej eruditi se “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”

Në realitetin e ri shqiptar, të fundshekullit XX, Rugova me plot arsye konsiderohet ndërtuesi i Kosovës së sotme. Sepse, ai “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të mund të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar në njëqindvjetorin e vdekjes së filozofit dhe mendimtarit të madh, Volterit. Vërtet Rugova ishte një epokë, që pas vete ka lënë një trashëgimi shumë të pasur krijuese e intelektuale, me vepra përfaqësuese, dhe me rezultate politike monumentale.

Në 20-vjetorin e vdekjes së tij, teksa flasim për këtë trashëgimi të pasur letrare, kulturore e politike, flasim për një ide sublime të Rugovës: idenë e tij europiane, të cilën studiuesi Anton Berishaj, te teksti “Rugova dhe Bogdani – agape dhe ideja europiane”, duke cituar Buzukun, i cili veprën e parë në shqip e krijoi “n’së dashunit së botësë sanë…, përse ata” (besimtarët, lexuesit), këtë koncept e lidh me ligjin e dashurisë krijuese dhe pohon: “Këtë e dëshmon vepra jo vetëm letrare, por edhe kulturore e politike e Bogdanit dhe e Rugovës. Ky ligj i dashurisë – agapismi, siç do ta definonte filozofi dhe semiologu i famshëm amerikan, Charles Sanders Peierce, do t’i udhëheqë këta të dytë në veprimtarinë e gjithmbarshme të tyre.”

Pra, është meritë e Rugovës ideja e agapizmit ose idesë europiane, që u mishërua në vite e nëntëdhjeta në Kosovë, jo në kuptimin e reduktuar politik, por si një ideal sublim shoqëror. Ishte kjo ide politike që në vitet e mëvonshme do të jepte rezultate të jashtëzakonshme për krejt kombin shqiptar.

Çfarë e dallonte Rugovën prej të tjerëve ndër shqiptarë dhe rajon?

Pikësëpari ai, ishte i vërtetë, besonte në demokracinë, dhe qysh në vitin 1986, kërkonte “më shumë demokraci për Kosovën”, pra, në një kohë kur demokracia ishte kontinent i paarritshëm për krejt rajonin Erupës Juglindore. Ai ishte i vërtetë në të gjitha pikëpamjet. Idenë europiane nuk e kishte zgjedhje politike, por ndjesi të përbrendësuar, identitet. Pra, ligjërimi i tij, letrar e shoqëror, estetik e politik ishte ligjërim i një shqiptari e europiani të vërtetë e të palëkundur në përcaktimet kulturore e identitare, që nuk lodhej kurrë së afirmuar punët pozitive, por që nuk heziton as të vinte gishtin tek të metat, dhe sa herë përmende të metat, nuk binte në kurthin e tyre, siç bëjnë ballkanasit, që vetëm ankohen e kritikojnë, thoshte ai, por vepronte si një europian i hapur ndaj evolucionit e mendimit alternativ, prandaj përditë zgjohej me ide krijuese dhe me një dëshirë të mirë për vendin.

Për Rugovën, identiteti europian i shqiptarëve, nuk ishte punë përcaktimi, luksi e as zgjedhje, siç sillen tash e sa kohë me këtë ide mendjet e tona të cekëta politike. Ky identitet, për të ishte një ndjesi e thellë shpirtërore, mënyrë e të menduarit e të jetuarit, në të cilën temë, ngjashëm me Ismail Kadarenë, ishte i pakompromis e i palëkundshëm. Në fillimet e viteve të nëntëdhjeta, Rugova thoshte: “Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.”

Rugova besonte në anën e bukur të njeriut, te kultura, te fjala, si arma e vetme që ka njeriu për t’ia ndalë hovin së keqes, dhe ishte i vetëdijshëm se, “nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.” (Ernest Koliqi)

Për më tepër, ai besonte te letërsia dhe te mjetet e saj për ta bërë shoqërinë më humane, besonte te kultura, si mjeti ma fisnik në duart e njeriut për t’i harmanizuar sjelljet njerëzore. Ai besonte tek e mira, fliste për të dhe ishte i palëkundur në këtë besim: nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë, duke pohuar vazhdimisht se opsioni i paqes është ide europiane.

Rugova, përpara se të bëhej udhëheqës politik e president, ishte lexues i letërsisë, i filozofisë dhe i historisë, krijues e studiues ngulmues, intelektual i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrat që ka në shoqëri. Me këto tipare që e shquanin, ai mbetet intelektual unik në historinë kulturore shqiptare, të tillë, ta zëmë çfarë e kërkonte Josef Brodskyt, kur thoshte se “intelektual është ai që krijon një sistem, ose një antisistem vlerash, dhe është i gatshëm të mbrojë atë me gjithçka.”

Gjatë jetës së tij krijuese, prej intelektuali e prijësi, ai krijoi një sistem vlerash, por edhe një antisistem ndaj helmit të gjuhës e strategjisë negative, duke i zhvilluar dhe mbrojtur me mençuri përgjatë gjithë punës publike. Ai veproi në përkim me mësimet se “e vetmja gjë që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”; mendim ky që e përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte letërsinë, historinë dhe përcaktimin politik të popullit të tij.

Në fushën e letërsisë e të kulturës, Rugova ishte kërkues i thellë i evidencave dhe ngjarjeve më pozitive që e karakterizojnë identitetin tonë, ndaj me përpjekje të pareshtura bëhet njëfarë mënyre zbulues i fenomenet Pjetër Bogdanit, vepra e të cilit e magjepsi, për filozofinë e thellë dhe dijet shumëdimensionale që ngërthente, duke e konsideruar atë “një universitet i kulturës sonë, në kuptimin e përfshirjes së dijeve, ashtu siç e njohim sot universitetin si institucion shkencor e shkollor, që ka modelin në mesjetën europiane. Aty, në gjuhën tonë, i kemi fillet e shumë shkencave me të cilat merremi sot në nivel të kohës sonë.”

Për Rugovën historia nuk ishte një regjistër skematik i ngjarjeve, por një leksion me mësime universale, prej së cilës mësonte, si nxënës shembullor, duke i kthyer mësimet e saj në veprime të mira publike. Ai kërkonte vazhdimësinë, prandaj ishte për qëndrime “kreative ndaj traditës dhe ekzistencës sonë historike-kulturore, se sa më shumë dhe më mirë ta çmojmë këtë komponentë, edhe të tjerët do të na çmojnë e pranojnë më shumë.” Më këto koncepte, ai ishte modern, në kuptimin siç e mendonte modernitetin nobelisti Tomas S. Eliot, kur thoshte se “përgjigja konservative kundrejt modenritetit është përqafimi i tij, por një përqafim me vetëdije kritike, duke mos u shkëputë nga rrjedha dhe historia.”

Rugova kur fliste për letërsi i shpaloste pikëpamjet e tij pa hezitim, vlerësonte rezultatet letrare, duke kërkuar përherë ndryshime, por ndryshme pozitive dhe zhvillime të vazhdueshme. Ai fliste për shkrimtarët e kritikët e brezit të tij, duke vlerësuar aspektet esenciale letrare, karakteristikat tematike të kohës dhe të individualiteteve të spikatura, nxiste krijuesit e rinj, për më shumë kërkime e gjakime estetike e kulturore. Dhe kudo, shfaqte shpirtin e tolerancës, gjë të cilën ua këshillonte edhe kolegëve letrarë.

Në librin “Pushteti dhe intelektualët” 2024, ku janë përfshirë të gjitha intervistat e letërsisë që ai ka dhënë për mediat e shtypin e kohës, shohim portretin e krijuesit këmbëngulës, që këshillonte se letërsia jonë duhet ta ketë njeriun tonë në qendër, gjë të cilën e identifikon si mungesë – edhe në poezi edhe në prozë.

Ky qëndrim, tingëllon si një fishkëllim kritike, për kohën e tij, pse jo edhe për kohën tonë, dhe shërben si këshillë, që letërsia të mos zhytet në ujëra ideologjik, e të ngjyejë lapsin me bojë të kuqe ose të larme, për të krijuar njeriun e ri, herë të kuq e herë të larmë, pa kujtesë e pa histori.

Ai thoshte: “E meta e madhe e romanit tonë është se atij i mungon njeriu ynë të cilin duhet ta ketë në qendër të vet dhe pastaj të vështrohet nga shumë pika, e jo të ketë pikëpamje e njeri askund”, ose: “në letërsinë tonë, këtu, fort pak ndihet prania e njeriut. Pra, të marrë frymë njeriu ynë.” Prandaj ai është kundër bredhacakëve, të cilëve, asnjë letërsi nuk iu kushton rëndësi (çfarë janë te ne si “realistët”, “socialistët”, “modernistët”, “popullorët”, etj., që i thyejnë dhëmbët për këto e s’e dinë se ç’janë asnjëra).

Duke kritikuar të metat e letërsisë, ai mendonte se “nuk është koha e tejçmimit të talentit. Është koha e punës.”

Ai fliste kundër epigonizmit në letërsi, që nuk sjell kreativitet dhe nuk thotë asgjë, kurse poetët tanë i këshillonte të “lëshohen, me vetëdije, në aventurat krijuese, e të mos rrudhen para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën.” Më tej, ai kritikonte ashpër egocentrizmit në letërsi, shkaqet e së cilit sipas tij, lidhen me një elemente sociopatik, kurse “në planin individual, si element psikopatik, të atyre autorëve që duan dhe që realizmin e vet e shohin në shembjen e tjetrit. Këtë dukuri e përcjellin mjaft elemente të tjera, si privatizimi, xhelozia dhe ambiciet e sëmura, karrierizmi, liderizmi letrar e shoqëror, dëshira për të dominuar e që kryesisht lidhet me impotencën krijuese.”

Në të kundërtën, ai kërkonte dhe promovonte një komunikimi sa më të hapur dhe pa komplekse, letërsinë e mendonte si dialog, kurse letërsinë shqipe e mendonte një dhe unike. Duke folur për rrjedhat letrare asokohshme dhe karakteristikat më të dallueshme, ai thotë:

“Do veçuar”, thotë ai “novelën e Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, të cilën këto ditë një kritik i “Le Mondit” të Parisit e quajti kryevepër dhe siç bëri edhe disa herë kritika frënge, autorin ua rekomandoi akademikëve të Nobelit, si njëri ndër shkrimtarët e sotëm më të mirë të Europës.”

Ndërkaq, thellësitë historike të mendimit letrar shqiptar ai i kërkonte te Barleti e Bogdani, pastaj te themeluesi i kritikës, Faik Konica e breznia e tij, gjithnjë në funksion të ngulmimit për gjetjen e vazhdimësisë si një parakusht për ripërtëritje të frytshme kulturore.

Rugova, pra, nuk ishte letrar e intelektual dosido, që sheston realitetin prej një rahatie krijuese, por me guxim, si luftëtar i vërtetë i kulturës çmitizonte propagandën serbe, ishte kundër intelektualit konformist, fliste kundër padrejtësisë që i bëhej kulturës autoktone shqiptare, dhe kërkonte që letërsia, pra arti, të nxiste të mirën, t’i korrigjonte disa sëmundje sociale, siç janë raportet e egra mes shqiptarëve dhe serbëve, ngaqë letërsia, “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”

Pra, ai ishte një krijues në kuptimin më të lartë të fjalës. Prijës në fushën e dijeve letrare e shoqërore, duke aplikuar në Prishtinë frymën e munguar perëndimore, në etapa kur po bëheshin transformime historike, shpirtërore e politike, duke u bërë kështu tharmi i një kulture që po formësohej.

Njeriu që e nisi betejën e luftëtarit si poet, poet ëndërrimtar, e zhvilloi si studiues i madh dhe e përfundoi si arkitekt e krijues i shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, 20 – vjet pas vdekjes së tij, trashëgimia e tij bëhet gjithnjë e më e dobishme, në fushën e letërsisë, të mendimit shoqëror e të angazhimit politik.

Krijuesi dhe intelektuali u bë udhëheqës atipik në një rajon të egër e të paqytetëruar politik, ku zjarrmia politike shpesh shkaktonte tragjedi njerëzore, ku mentaliteti i rrënimit ishte më i fortë se ai ndërtimit. Këtë mendësi, ai e përmbysi, duke i dhënë jetë idesë europiane, në kuptimin autentik e klasik të fjalës, prandaj, ai nuk u bë europian, për hir të ideve politike, siç u bënë shumë të tjerë; ai nuk ishte pro euripian, siç dekorohen sot politikanët mashtrues; ai ishte europian i klasit, në fushën e letërsisë e të politikës, duke i mishëruar këto dy fusha në domenin e Res Publicas, si një frymë, ku etika e estetika marrin dimension sublim.

Ai luftari që nuk do t’i lë delet pa bari, që përmenda në fillim të këtij teksti, na kujton shëmbëlltyrën e barit të mirë biblik, që nuk i la delet e tij në udhëkryqet e kohës, por kujdeset për to, për secilën, madje edhe për delen e humbur. Dhe vërtet letrari u përfshi me tërë qenien për t’i mbrojtur njerëzit e tij, kur ideologjia komuniste jepte shpirt e hegjemonia serbe kanoste shqiptaret me shfarosje. Intelektuali i ndikuar nga mentaliteti i Parisit dhe Europës, doli në ballë të lëvizjes politike të kohës, me opsionin e paqes, një ide europine, atipike për rajonin e egër ballkanik ku dominonte gjuha e urrejtjes dhe ndarjes. Kjo ide ka dhanë fryte të shumëfishta për shqiptarët e kudondodhur-fryte të panjohura në historinë e tyre shumëshekullore – por edhe për krejt rajonin.

Shkrimtari Ismail Kadare, duke shkruar rreth figurës së Rugovës, te parathënie a librit “Çështja e Kosovës” përveç se paraqet tiparet që e karakterizojnë Rugovën, ai e vendos atë në një lartësi ku nuk mbërrinin liderët e tjerë të Ballkanit: “…Ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”

Rugova jetoi dhe punoi i ndërgjegjshëm se intelektualët “…duhet të ndikojnë në mjetet dhe vendimet politike, të përpiqen për mirëkuptim brenda kombit dhe me kombe tjera, të mos nxisin të keqen njerëzore, çfarë shpesh për interesa të verbëta e bën pushteti, siç na mëson historia.” Këtë e mision, ai e kreu me devocion, deri në fund të jetës së tij tokësore, duke lënë pas vete një vepër të madhe, me mësime autoktone e universale: sesi duhet të flasë, të punojë e të sillet një intelektual e udhëheqës, në kohë krizash e kohë paqe. Kështu, mësimet e tij nuk vjetrohen, sepse janë mësime të paqes, të krijimit, të zhvillimit e të solidaritetit, dhe si të tilla, lidhen me amshueshmërinë e vlerave njerëzore, për çka ai ka kontribuar si askush në Ballkan.

“Unë kam një filozofi”, thoshte Rugova, “më pëlqen shume që të krijoj lidhje, miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në Ballkan, që vetëm akuzojnë.”

Ç’mësim i bukur për jetë e mote!

(Kumtesë e lexuar në Institutin Albanologjik, në tryezën shkencore, “Ibrahim Rugova, mendimtari dhe prijësi, më 24 mars 2026)

Filed Under: Komente

Kriza e vlerave – Tragjedia e vërtetë e tranzicionit shqiptar

August 7, 2026 by s p

Prej më shumë se tri dekadash, Shqipëria ka folur pafund për krizën ekonomike, krizën politike, krizën demografike dhe krizën e drejtësisë. Megjithatë, të gjitha këto janë vetëm pasojat e një krize shumë më të thellë: krizës së vlerave.

Kur përmbyset sistemi i vlerësimit të një shoqërie, përmbyset edhe vetë shoqëria. Nuk është më merita që të ngre, por lidhja. Nuk është më puna që të shpërblen, por servilizmi. Nuk është më dija që të hap rrugën, por propaganda. Në një realitet të tillë, ndershmëria shpesh shihet si dobësi, integriteti si pengesë, ndërsa mashtrimi dhe oportunizmi si aftësi për të mbijetuar.

Kjo është drama më e madhe e Shqipërisë së tranzicionit. Nuk është thjesht fakti që shumë njerëz të paaftë kanë zënë poste të rëndësishme. Tragjedia është se, me kalimin e viteve, kjo gjendje ka filluar të konsiderohet normale. Kur e jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme, shoqëria humbet aftësinë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, meritën nga privilegji dhe suksesin e ndershëm nga ai i ndërtuar mbi abuzimin.

Një komb nuk varfërohet vetëm kur humbet pasurinë materiale. Ai varfërohet më shumë kur humbet autoritetin moral. Kur fëmijët shohin se përgatitja nuk vlerësohet, se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe se pushteti përdoret si privilegj e jo si përgjegjësi, atëherë mesazhi që përcillet është i rrezikshëm: se rruga drejt suksesit nuk kalon domosdoshmërisht nga puna dhe ndershmëria.

Në një klimë të tillë, institucionet dobësohen, arsimi humbet prestigjin, profesionistët largohen dhe mediokriteti zë vendin e ekselencës. Shoqëria fillon të prodhojë më shumë konformizëm sesa qytetari, më shumë heshtje sesa reagim dhe më shumë nënshtrim sesa përgjegjësi.

Por historia ka treguar se asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme mbi themelet e antivlerave. Zhvillimi ekonomik, demokracia funksionale dhe mirëqenia nuk janë vetëm çështje investimesh apo reformash ligjore. Ato janë, mbi të gjitha, produkt i kulturës së meritës, përgjegjësisë dhe besimit te drejtësia.

Prandaj, sfida më e madhe e Shqipërisë nuk është vetëm të ndërtojë rrugë, porte, aeroporte apo ndërtesa moderne. Sfida e saj është të rindërtojë hierarkinë morale të shoqërisë, aty ku puna të ketë më shumë vlerë se propaganda, dija më shumë peshë se servilizmi, ndershmëria më shumë forcë se mashtrimi dhe qytetaria më shumë dinjitet se nënshtrimi.

Vetëm atëherë tranzicioni do të mund të quhet i përfunduar. Sepse një shtet nuk matet vetëm me atë që ndërton prej betoni, por edhe me karakterin që ndërton te qytetarët e tij. Kur një komb rikthen në piedestal vlerat e vërteta, ai nuk fiton vetëm zhvillim ekonomik; fiton dinjitetin, besimin dhe të ardhmen e vet.

Prof. Dr. Pal NIKOLLI

Filed Under: Komente

Kosova, nga “Dielli” te Republika

July 31, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Bostoni i vitit 1913 ishte larg Kosovës vetëm në hartë. Në ndërgjegjen e mërgimtarëve shqiptarë, ai ishte një nga vendet ku vendosej fati i saj.

Shqipëria ishte shpallur e pavarur, por shteti i ri kishte institucione të brishta dhe pak fuqi diplomatike. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu shtetësinë shqiptare, por la jashtë kufijve të saj pjesë të mëdha të popullsisë shqiptare. Shqiptarëve iu njoh shteti, por iu cungua hapësira e tij.

Kosova mbeti jashtë. Shqiptarët e saj, nën pushtetin serb, nuk mund ta paraqitnin lirisht çështjen e tyre. Në këtë zbrazëti, “Dielli” u bë më shumë se gazetë: një ambasadë publike e një kombi pa institucionet e nevojshme për ta mbrojtur çështjen e vet.

Në shkrimin “Vullkani i Ballkanit”, të botuar më 1 gusht 1913, “Dielli” kundërshtonte copëtimin e viseve shqiptare dhe formulonte një paralajmërim që e tejkalonte interesin e ngushtë kombëtar:

“Vetëm një zgjedhje e këtillë do ta mbajë paqen në Ballkan, ndryshe vullkani ballkanik do të jetë gjithnjë në veprim.”

Fuqia e kësaj fjalie nuk qëndron vetëm te parashikimi i trazirave. Ajo përmban një filozofi politike: paqja e ngritur mbi padrejtësi mund të ketë kufij, ushtri dhe marrëveshje, por nuk ka themel moral. Ajo është vetëm një ndërprerje e përkohshme e konfliktit.

“Dielli” nuk kishte parashikuar çdo luftë të shekullit XX. Ato patën shkaqe e rrethana të ndryshme. Por gazeta kishte kuptuar mekanizmin themelor: kur rendi politik u mohon njerëzve përfaqësimin, lirinë dhe dinjitetin, padrejtësia grumbullohet nën sipërfaqe.

Pushteti shpesh e ngatërron heshtjen me pajtimin. Por qetësia e detyruar nuk është paqe. “Vullkani” i “Diellit” nuk përshkruante natyrën e popujve të Ballkanit, por energjinë politike që prodhon padrejtësia kur shteti përdoret për nënshtrim dhe jo për mbrojtjen e lirisë.

Kundërargumenti më serioz nuk duhet shmangur. Diplomacia nuk ndërton kufij të përsosur. Ballkani ishte etnikisht i ndërthurur dhe përputhja mekanike e kufijve me përkatësinë kombëtare mund të shkaktonte dëbime e luftëra të reja. Fuqitë e Mëdha mund ta kenë parë kompromisin si pengesë ndaj një përplasjeje evropiane.

Ky argument ka një pjesë të vërtetë. Drejtësia nuk kërkon që çdo kufi të ndjekë vijën etnike, sepse kjo do ta kthente çdo pakicë në problem. Por kur kompromisi i të fuqishmëve paguhet me lirinë e të papërfaqësuarve, ai vetëm e shtyn konfliktin. Paqja kërkon edhe të drejta, siguri dhe vetëqeverisje.

“Dielli” e kuptoi herët se fjala mund të bëhej një formë veprimi politik. Gazeta nuk kishte ushtri, ambasadorë zyrtarë ose votë në konferencat ndërkombëtare. Kishte argumentin, kujtesën dhe aftësinë për ta çuar çështjen shqiptare aty ku mund të dëgjohej.

Historia moderne shqiptare nuk kuptohet pa Amerikën dhe pa shqiptarët e Amerikës. Shqiptarët e ruajtën vullnetin për liri me qëndresë e sakrifica, por kundërshtarët e tyre qenë shpesh shumë më të fuqishëm. Pa mbështetjen amerikane dhe veprimtarinë e diasporës, mbijetesa politike e Shqipërisë dhe rruga e Kosovës drejt shtetësisë do të kishin qenë shumë më të pasigurta.

Përpara se çështja shqiptare të arrinte në Shtëpinë e Bardhë e në Kongres, dikush duhej ta dokumentonte dhe ta mbronte. “Vatra” organizoi komunitetin, “Dielli” ruajti kujtesën dhe argumentin, ndërsa Fan Noli, Faik Konica dhe pasardhësit e tyre e përkthyen vuajtjen shqiptare në gjuhën e politikës amerikane.

Ishte diplomaci pa shtet, por jo pa ndikim: peticione, memorandume, protesta, ndihma dhe lidhje me administratat, ligjvënësit e intelektualët amerikanë. Shqiptarët e Amerikës u bënë zëri i atdheut atje ku vendosej nëse kërkesa e tij do të dëgjohej.

Më 4 korrik 1918, kjo diplomaci qytetare mori trajtë njerëzore në Mount Vernon, pranë varrit të George Washingtonit. Presidenti Woodrow Wilson kishte ftuar përfaqësues të kombeve të shtypura dhe Fan Noli mori pjesë si përfaqësues i “Vatrës”. Në telegramin që “Dielli” botoi më 9 korrik, Noli njoftonte se kishte folur dy herë me presidentin dhe se kishte marrë “shpresa të mëdha”.

Një bisedë e vetme nuk e shpëtoi Shqipërinë. Por takimi dëshmon se një komunitet i organizuar mund ta shndërrojë mërgimin në prani politike. Noli nuk kishte fuqinë e një shteti, por legjitimitetin e një çështjeje dhe “Vatrën” pas tij.

E njëjta përgjegjësi u shfaq pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Pushteti jugosllav synonte ta paraqiste kërkesën për Republikë si devijim armiqësor, ndërsa “Vatra” dhe “Dielli” e mbajtën Kosovën në vëmendjen e shqiptarëve dhe të institucioneve amerikane. Një dokument i Arkivit Presidencial të Ronald Reaganit ruan telegramin e “Vatrës” të tetorit 1982, ku thuhej se shqiptarëve në Jugosllavi po u mohoheshin të drejtat civile dhe kërkohej ndihmë për përmirësimin e statusit të Kosovës.

Nga viti 1981 deri më 2008, “Dielli” botoi deklarata, protesta, analiza dhe intervista mbi Kosovën. Studimi i historianit Roland Gjini e dokumenton këtë vazhdimësi. Gazeta nuk e solli e vetme pavarësinë, por ruajti një hapësirë kujtese dhe ndikimi nga shtypja te shtetësia.

Senatorë si Bob Dole, Alfonse D’Amato dhe John McCain, si edhe kongresmenët Joseph DioGuardi e Eliot Engel, e ngritën çështjen e Kosovës në institucionet amerikane. Pas angazhimit të tyre qëndronte puna e veprimtarëve, intelektualëve, afaristëve, klerikëve dhe organizatave shqiptaro-amerikane, që e kthyen miqësinë politike në mbështetje institucionale.

Më 31 mars 1999, në kulmin e luftës, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan u takuan me presidentin Bill Clinton në Shtëpinë e Bardhë. Takimi tregonte se çështja e Kosovës kishte hyrë në qendrën e vendimmarrjes amerikane, ndërsa NATO, me udhëheqjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara, po vepronte për të ndalur dëbimin dhe dhunën e forcave të regjimit të Slobodan Miloševićit.

Për shqiptarët e Kosovës, ndërhyrja e vitit 1999 përbënte dallimin ndërmjet dëbimit dhe kthimit, ndërmjet nënshtrimit dhe lirisë. Pa qëndresën shqiptare nuk do të kishte një kauzë të gjallë. Por pa Amerikën, aleatët e saj dhe diasporën shqiptare, ajo qëndresë rrezikonte të shtypej.

Mirënjohja ndaj Amerikës nuk është nënshtrim, por kujtesë historike. Ajo nuk ia heq Kosovës të drejtën të mendojë me mendjen e vet, por e ndihmon të kuptojë se aleanca amerikane është themel i sigurisë dhe orientimit të saj demokratik.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Shtetet e Bashkuara e njohën një ditë më pas. Deklarata e Pavarësisë e përcaktoi Republikën si demokratike, laike dhe shumetnike, me detyrim për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha bashkësive.

Këtu ndryshon kuptimi i historisë sonë. Deri në krijimin e Republikës, pyetja ishte nëse shqiptarët e Kosovës do të kishin të drejtë ta qeverisnin veten. Pas krijimit të saj, pyetja është nëse dinë ta qeverisin drejt shtetin që fituan. Liria kërkonte çlirimin nga pushteti i huaj. Republika kërkon kufizimin e pushtetit të vet.

Rruga nga “Dielli” te Republika është rrugë nga kërkesa për drejtësi te përgjegjësia për ta prodhuar atë. Republika nuk mund të kërkojë respektimin e lirisë së saj dhe t’ua mohojë qytetarëve sundimin e ligjit, barazinë dhe dinjitetin.

Kjo punë nuk përfundoi me Pavarësinë. “Vatra”, “Dielli”, organizatat, intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbrojnë interesat shqiptare, të forcojnë marrëdhëniet me Amerikën dhe ta mbajnë çështjen shqiptare të pranishme në jetën publike amerikane. Format kanë ndryshuar, por përgjegjësia ka mbetur.

Sot vazhdimësinë editoriale të “Diellit” në gjuhën shqipe e mban me përkushtim gazetari Sokol Paja. Duke vepruar brenda një tradite të formësuar nga Fan Noli, Faik Konica dhe brezat e editorëve që i pasuan, ai po e ruan dhe po e çon përpara misionin historik të gazetës. Me punën e tij, “Dielli” vazhdon të mbetet i hapur ndaj Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Shkup e Tetovë, Ulqin, Çamëri, diasporë dhe mbarë botës shqiptare. Për këtë përkushtim dhe vazhdimësi, Sokol Paja meriton përgëzim dhe mirënjohje.

Në vitin 1913, “Dielli” i tha Evropës se pa drejtësi për shqiptarët nuk do të kishte paqe të qëndrueshme në Ballkan. Sot paralajmërimi duhet të drejtohet edhe nga brenda: pa drejtësi për qytetarin nuk ka Republikë të qëndrueshme.

Pa Amerikën, mbijetesa politike e shqiptarëve do të kishte qenë shumë më e pasigurt. Pa shqiptarët e Amerikës, zëri i atdheut nuk do të kishte arritur me të njëjtën forcë në institucionet amerikane. Pa qëndresën e shqiptarëve në trojet e tyre, nuk do të kishte një kauzë të gjallë për t’u mbrojtur.

“Dielli” e mbajti Kosovën gjallë në fjalë kur ajo nuk kishte shtet. Shqiptarët e Amerikës e çuan atë fjalë deri në qendrat e vendimmarrjes. Amerika ndihmoi që ajo të mos mbetej vetëm thirrje. Tani Kosova ka shtet dhe përgjegjësia e saj është ta dëshmojë çdo ditë se liria e fituar me sakrificën shqiptare, me punën e diasporës dhe me ndihmën vendimtare amerikane është shndërruar në një Republikë të denjë për qytetarët e saj.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 507
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT