
Fadil Ferizi/
Në sheshin qendror të Ferizajt, prej 18 korrikut 2026, qytetarët po nënshkruajnë një kërkesë që, në pamje të parë, mund të duket gjuhësore: heqjen e emërtimit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar dhe njohjen e emrit Ferizaj si emërtim të vetëm të qytetit në dokumentet, tabelat, regjistrat dhe komunikimet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në të vërtetë, çështja është më e thellë. Ajo prek marrëdhënien ndërmjet historisë dhe shtetit, ndërmjet barazisë gjuhësore dhe trashëgimisë së pushtimit, si edhe të drejtën e një bashkësie për ta njohur qytetin e vet me emrin me të cilin ai lindi.
Nisma “Për një Ferizaj pa ‘Urosevac’” është ndërmarrë nga Bashkim Fazliu. Mbledhja publike e nënshkrimeve filloi më 18 korrik, në orën 12:00. Faza e pranisë së rregullt në sheshin përballë shtatores së Tony Blairit ishte paraparë deri më 8 gusht, ndërsa, sipas organizatorit, mbledhja do të vazhdojë në pika të tjera dhe në terren. Më 3 gusht, Fazliu njoftoi se ishin grumbulluar mbi dhjetë mijë nënshkrime. Ky është numër i deklaruar nga organizatori dhe duhet të marrë vlerën juridike përfundimtare vetëm pas verifikimit institucional.
Peticioni kërkon që emri Ferizaj të përdoret në shqip, serbisht dhe anglisht, i shkruar sipas alfabetit përkatës, pa u zëvendësuar me emërtimin “Uroševac”. Kështu, nisma e ndan qartë emrin zyrtar të qytetit nga gjuha dhe alfabeti në të cilin ai shkruhet.
Ferizaj është ndër qytetet më të reja të Kosovës. Zhvillimi i tij lidhet me ndërtimin e hekurudhës ndërmjet Mitrovicës dhe Shkupit dhe të stacionit hekurudhor më 1873. Emri i qytetit lidhet me Feriz Shasivarin dhe hanin e tij, rreth të cilit u zgjerua vendbanimi. Burimet dhe hartat e kohës, para pushtimit serb të vitit 1912, përdorin emrin Ferizaj ose forma të përshtatura në gjuhë të tjera, si Ferizović, Ferisović, Ferisovitsch dhe Verisovitch. Pavarësisht ndryshimeve fonetike, të gjitha këto forma ruanin të njëjtën rrënjë emërtimore.
“Uroševac” nuk është përkthim serbisht i emrit Ferizaj. Është një emër tjetër, i lidhur me Stefan Uroshin V, sundimtarin e fundit të dinastisë mesjetare Nemanjiq. Prandaj, kemi të bëjmë jo me dy forma gjuhësore të së njëjtës fjalë, por me dy emërtime me prejardhje dhe kuptim të ndryshëm historik.
Një studim i fundit i Sylë Ukshinit sjell dëshmi me rëndësi nga shtypi i kohës. Gazeta vjeneze “Neue Freie Presse”, më 6 nëntor 1912, njoftonte përdorimin e emrit Uroševac pas hyrjes së administratës serbe. Kjo dëshmi tregon se procesi i riemërtimit nisi menjëherë pas pushtimit. Një pjesë e literaturës, përfshirë studimet për historinë e Ferizajt, e lidh formalizimin administrativ me vendimin e Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë të 16 janarit 1914. Të dyja të dhënat mund të qëndrojnë së bashku: përdorimi politik filloi më 1912, ndërsa formalizimi juridik pasoi më vonë.
Ky dallim është themelor. Ai e vendos emrin Uroševac në kontekstin e ndryshimit të sovranitetit dhe të ndërhyrjes së pushtetit në hartën simbolike të Kosovës. Emërtimi i hapësirës nuk ka qenë kurrë veprim krejt i pafajshëm. Perandoritë, shtetet kombëtare dhe administratat pushtuese kanë përdorur toponiminë për të shënuar pronësi politike, për të ndërtuar vazhdimësi historike dhe për t’ia përshtatur kujtesën territorit që kontrollonin. Në këtë kuptim, një tabelë rrugore mund të mbajë brenda saj më shumë histori sesa një monument.
Republika e Kosovës e trashëgoi këtë dyzim. Ligji nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave, në versionin shqip, përcakton “Komunën e Ferizajit me seli në Ferizaj”. Edhe shtojca kadastrale përdor emrin Ferizaj. Megjithatë, në një pjesë të praktikës shumëgjuhëshe institucionale vazhdon emërtimi Uroševac. Nisma kërkon pikërisht mënjanimin e kësaj mospërputhjeje dhe përdorimin e emrit Ferizaj në të gjitha gjuhët zyrtare, sipas alfabetit përkatës.
Kjo nismë ka bazë të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe ligjore. Neni 79 i Kushtetutës ua njeh së paku dhjetë mijë qytetarëve të drejtën për të ndërmarrë nismë legjislative. Ligji nr. 04/L-025 për Nisma Legjislative përcakton se qytetarët mund ta hartojnë projektligjin ose t’i propozojnë Kuvendit hartimin e tij. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për nismat që kërkojnë ndryshimin e një ligji ekzistues.
Edhe rruga juridike për emrin e komunës është e përcaktuar. Neni 9.1 i Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave thotë se caktimi i emrit ose i selisë së komunës bëhet përmes plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji. Pra, nisma nuk kërkon një mekanizëm të jashtëzakonshëm dhe as veprim jashtë rendit juridik. Ajo kërkon përdorimin e mekanizmit që vetë Republika e Kosovës ua ka njohur qytetarëve të saj.
Dhjetë mijë nënshkrime nuk e ndryshojnë vetvetiu ligjin. Ato i japin qytetarëve të drejtën që nisma e tyre, pas përmbushjes së kërkesave procedurale dhe verifikimit të nënshkrimeve, të paraqitet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pikërisht Kuvendi është institucioni kompetent për ta ndryshuar Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave. Pas dorëzimit të peticionit, vendimi do të jetë në duart e deputetëve. Sipas nismëtarit Bashkim Fazliu, pritja është që kjo kërkesë të bashkojë 110 vota pro, me mbështetjen e deputetëve shqiptarë dhe të deputetëve të komuniteteve joserbe. Ky numër nuk përbën kusht juridik për miratimin e ndryshimit, por shpreh synimin për një unitet sa më të gjerë parlamentar.
Për publikun shqiptaro-amerikan, kjo mund të duket si çështje e një qyteti. Por historia e Ballkanit tregon se emrat e vendeve kanë qenë pjesë e betejës për sovranitet, kujtesë dhe identitet. Pikërisht për këtë arsye, korrigjimi i tyre duhet të bëhet me seriozitet demokratik. Kosova duhet të jetë mjaftueshëm sovrane për ta emërtuar hapësirën e vet dhe mjaftueshëm demokratike për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e saj.
Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve të Ferizajt që ta nënshkruajnë këtë peticion dhe ta mbështesin kërkesën me përgjegjësi qytetare. Ky nënshkrim është kërkesë që qyteti ynë të njihet zyrtarisht me emrin e vet historik, duke respektuar njëkohësisht të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ferizaj nuk kërkon një emër të ri. Kërkon njohjen e emrit me të cilin u formua dhe me të cilin qytetarët e tij e kanë njohur ndër breza. Heqja e emrit Uroševac duhet të jetë akt i një republike që dallon të drejtën gjuhësore nga nomenklatura e pushtimit dhe që e korrigjon të kaluarën përmes ligjeve të veta.