
Prej më shumë se tri dekadash, Shqipëria ka folur pafund për krizën ekonomike, krizën politike, krizën demografike dhe krizën e drejtësisë. Megjithatë, të gjitha këto janë vetëm pasojat e një krize shumë më të thellë: krizës së vlerave.
Kur përmbyset sistemi i vlerësimit të një shoqërie, përmbyset edhe vetë shoqëria. Nuk është më merita që të ngre, por lidhja. Nuk është më puna që të shpërblen, por servilizmi. Nuk është më dija që të hap rrugën, por propaganda. Në një realitet të tillë, ndershmëria shpesh shihet si dobësi, integriteti si pengesë, ndërsa mashtrimi dhe oportunizmi si aftësi për të mbijetuar.
Kjo është drama më e madhe e Shqipërisë së tranzicionit. Nuk është thjesht fakti që shumë njerëz të paaftë kanë zënë poste të rëndësishme. Tragjedia është se, me kalimin e viteve, kjo gjendje ka filluar të konsiderohet normale. Kur e jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme, shoqëria humbet aftësinë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, meritën nga privilegji dhe suksesin e ndershëm nga ai i ndërtuar mbi abuzimin.
Një komb nuk varfërohet vetëm kur humbet pasurinë materiale. Ai varfërohet më shumë kur humbet autoritetin moral. Kur fëmijët shohin se përgatitja nuk vlerësohet, se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe se pushteti përdoret si privilegj e jo si përgjegjësi, atëherë mesazhi që përcillet është i rrezikshëm: se rruga drejt suksesit nuk kalon domosdoshmërisht nga puna dhe ndershmëria.
Në një klimë të tillë, institucionet dobësohen, arsimi humbet prestigjin, profesionistët largohen dhe mediokriteti zë vendin e ekselencës. Shoqëria fillon të prodhojë më shumë konformizëm sesa qytetari, më shumë heshtje sesa reagim dhe më shumë nënshtrim sesa përgjegjësi.
Por historia ka treguar se asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme mbi themelet e antivlerave. Zhvillimi ekonomik, demokracia funksionale dhe mirëqenia nuk janë vetëm çështje investimesh apo reformash ligjore. Ato janë, mbi të gjitha, produkt i kulturës së meritës, përgjegjësisë dhe besimit te drejtësia.
Prandaj, sfida më e madhe e Shqipërisë nuk është vetëm të ndërtojë rrugë, porte, aeroporte apo ndërtesa moderne. Sfida e saj është të rindërtojë hierarkinë morale të shoqërisë, aty ku puna të ketë më shumë vlerë se propaganda, dija më shumë peshë se servilizmi, ndershmëria më shumë forcë se mashtrimi dhe qytetaria më shumë dinjitet se nënshtrimi.
Vetëm atëherë tranzicioni do të mund të quhet i përfunduar. Sepse një shtet nuk matet vetëm me atë që ndërton prej betoni, por edhe me karakterin që ndërton te qytetarët e tij. Kur një komb rikthen në piedestal vlerat e vërteta, ai nuk fiton vetëm zhvillim ekonomik; fiton dinjitetin, besimin dhe të ardhmen e vet.
Prof. Dr. Pal NIKOLLI