• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar

January 28, 2026 by s p

Opinion  nga Rafael Floqi

Shqipëria po hyn në epokën e inteligjencës artificiale pa debat serioz publik, pa një strategji kombëtare të miratuar dhe, mbi të gjitha, pa mekanizma realë kontrolli demokratik. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, veçanërisht pas vitit 2019, inteligjenca artificiale është futur zyrtarisht në dokumentet e sigurisë kombëtare dhe strategjitë e mbrojtjes, në Tiranë ajo vazhdon të paraqitet kryesisht si sukses administrativ dhe narrativë propagandistike për “shtetin digjital”, pa një analizë të thellë të rreziqeve që ajo mbart.

Në mars të vitit 2021, Komisioni Europian publikoi dokumentin “Artificial Intelligence Act”, duke e trajtuar AI-në si teknologji me rrezik të lartë për të drejtat themelore dhe demokracinë, ndërsa në tetor 2022 Shtëpia e Bardhë shpalli “Blueprint for an AI Bill of Rights”. Këto dokumente nuk janë deklarata formale, por reflektim i frikës reale se AI, nëse lihet pa kontroll, mund të shndërrohet në instrument autoritar. Në Shqipëri, në të njëjtën periudhë, debati institucional mbi inteligjencën artificiale ka qenë praktikisht inekzistent.

Në thelb, inteligjenca artificiale nuk është thjesht teknologji. Ajo është fuqi. Fuqi për të kontrolluar informacionin, për të ndikuar perceptimin publik dhe për të ndërtuar realitete politike alternative. Pikërisht këtu qëndron rreziku për një vend si Shqipëria, ku centralizimi i pushtetit është rritur ndjeshëm pas vitit 2017 dhe ku transparenca institucionale është dobësuar, sipas raporteve të vazhdueshme të Freedom House dhe Transparency International.

Fenomeni “Diella”

Në diskursin ndërkombëtar, pas vitit 2020, po përdoret gjithnjë e më shpesh termi që analistët e quajnë fenomeni “Diella”, një fazë e re e manipulimit digjital ku inteligjenca artificiale nuk shërben më për të analizuar informacionin, por për ta prodhuar atë. Deepfake-t, zërat sintetikë dhe përmbajtja e gjeneruar automatikisht janë tashmë të dokumentuara gjerësisht nga Europol dhe NATO StratCom Centre of Excellence, të cilat në raportet e viteve 2021–2024 paralajmërojnë për rrezikun e “realiteteve të fabrikuara” në shoqëritë demokratike. Diella shërbeu vetëm si mjet vetpromovimi i kryeministrit Rama por nuk mund te zgjidhë korrupsionin siç tregoi rasti Akshi

Në Shqipëri, shenja të këtij fenomeni janë vërejtur qartë gjatë fushatave zgjedhore të viteve 2019, 2021 dhe më pas në debatin publik online, ku u evidentua përdorimi masiv i llogarive anonime, videove të montuara dhe amplifikimit të koordinuar të mesazheve politike. Edhe pse institucionet nuk kanë pranuar zyrtarisht përdorimin e mjeteve të bazuara në AI, fakti që këto praktika nuk janë hetuar seriozisht ngre dyshime legjitime mbi tolerimin ose paaftësinë institucionale për t’i adresuar.

Rreziku i luftës hibride. Sulmi iranian

Rreziku i luftës hibride nuk është më abstrakt për Shqipërinë. Në korrik dhe shtator të vitit 2022, institucionet shqiptare u goditën nga sulme kibernetike të drejtpërdrejta të atribuuara zyrtarisht Republikës Islamike të Iranit, si hakmarrje për vendimin e qeverisë shqiptare të viteve 2013–2016 për të strehuar opozitën iraniane MEK. Ky fakt u konfirmua publikisht nga Kryeministri Edi Rama më 7 shtator 2022 dhe u mbështet nga deklarata zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e cilësoi sulmin si akt shtetëror. Ky ishte momenti kur Shqipëria u fut hapur në hartën e konfliktit kibernetik global, duke treguar se shtetet e vogla janë objektiva të drejtpërdrejta në epokën e AI-së dhe luftës hibride.

Në këtë kontekst, Ballkani dhe Shqipëria rrezikojnë të shndërrohen në terren testimi për teknologji dhe metoda manipulimi, jo sepse kanë kapacitete zhvillimi, por sepse importojnë teknologji pa standarde dhe pa mbikëqyrje. Inteligjenca artificiale këtu nuk shfaqet si inovacion futurist, por si instrument monitorimi dhe kontrolli.

Survejimi me kamera si mjet kontrolli

Një shembull domethënës është procesi i monitorimit me kamera dhe përdorimi i sistemeve inteligjente nga Policia e Shtetit, veçanërisht pas vitit 2020, kur u shpallën projekte për zgjerimin e kamerave inteligjente në qytetet kryesore dhe akset rrugore. Edhe pse Ministria e Brendshme i ka justifikuar këto masa si luftë kundër kriminalitetit, deri më sot nuk ekziston një ligj i posaçëm që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale në survejim, as një raport publik mbi mënyrën e ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave biometrike, gjë që bie ndesh me standardet e përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendime të viteve 2018–2022.

Në qendër të kësaj arkitekture digjitale qëndron Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila pas vitit 2018 ka marrë kompetenca gjithnjë e më të gjera mbi sistemet kritike të shtetit. Raportime të vazhdueshme mediatike, përfshirë investigime të publikuara ndër vite, kanë ngritur pikëpyetje mbi procedurat e prokurimit, mungesën e konkurrencës reale dhe rolin dominues të disa operatorëve privatë në projektet digjitale. Në mungesë të auditimeve të pavarura dhe të publikuara, çdo pretendim për modernizim digjital mbetet i pambështetur nga transparenca.

Call centrat mashtruese 

Një tjetër plagë e hapur që lidhet drejtpërdrejt me inteligjencën artificiale është fenomeni i call centerave mashtruese, i dokumentuar nga autoritetet italiane dhe gjermane që prej vitit 2018. Operacione të përbashkëta policore, përfshirë aksione të viteve 2020–2023, kanë treguar se nga territori shqiptar operojnë struktura që përdorin teknologji të avancuara, përfshirë skripte të automatizuara dhe mjete të bazuara në AI, për të mashtruar qytetarë të Bashkimit Europian. Këto raste kanë dëmtuar seriozisht imazhin e Shqipërisë dhe kanë ngritur dyshime mbi tolerancën institucionale ndaj një aktiviteti që sjell përfitime ekonomike afatshkurtra, por pasoja strategjike afatgjata.

Paradoksi është i qartë: nga njëra anë, shteti shqiptar investon në survejim dhe kontroll digjital të qytetarëve të vet; nga ana tjetër, dështon të kontrollojë ose të çrrënjosë përdorimin kriminal të teknologjisë për mashtrime ndërkombëtare. Ky kontrast e kthen inteligjencën artificiale nga mjet modernizimi në simbol të kapjes institucionale.

Një fasadë moderne mbi një realitet klientelist

Kryeministri Edi Rama e ka promovuar digjitalizimin si një nga arritjet kryesore të qeverisjes së tij, veçanërisht pas vitit 2019, duke e lidhur atë me integrimin europian. Por digjitalizimi pa strategji për inteligjencën artificiale, pa ligje të forta për mbrojtjen e të dhënave dhe pa kontroll real parlamentar rrezikon të mbetet një fasadë moderne mbi një realitet klientelist.N

Në këtë tablo mungon edhe diaspora shqiptare, e cila në SHBA dhe BE përfaqëson një potencial të madh ekspertize në AI dhe siguri kibernetike, por që nuk është përfshirë në asnjë strategji shtetërore të miratuar deri më sot.

AI nuk do presë Shqipërinë

Epoka e inteligjencës artificiale nuk do të presë Shqipërinë. Pyetja nuk është nëse teknologjia do të përdoret, por si dhe nga kush. Nëse ajo përdoret pa transparencë, pa ligj dhe pa kontroll demokratik, inteligjenca artificiale nuk do të forcojë shtetin, por do ta bëjë atë më të mbyllur, më të rrezikshëm dhe më të pambrojtur për qytetarët e vet. 

Në fund të fundit, epoka e inteligjencës artificiale nuk do të presë që Shqipëria të zgjidhë problemet e saj strukturore. 

Pyetja që shtrohet është brutale, por e domosdoshme: a do të përdoret teknologjia për të forcuar demokracinë dhe transparencën, apo për të sofistikuar kontrollin dhe manipulimin? Nëse kjo pyetje nuk merr përgjigje politike sot, ajo do të marrë përgjigje teknologjike nesër. 

Dhe historia ka treguar se algoritmet nuk votojnë, nuk protestojnë dhe nuk mbajnë përgjegjësi.

Filed Under: Komente

Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë

January 24, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi

Në vitet e fundit, Shqipëria është përmendur me një intensitet të paprecedentë në raportet e diplomacisë amerikane si një vend që rrezikon të kthehet në nyje të rëndësishme të krimit të organizuar global. 

I njoftuari i shpëtuari

Paralajmërimi i fundit i Shteteve të Bashkuara, i përcjellë nga e Ngarkuara me Punë Nancy Van Horn, nuk ishte thjesht një mesazh diplomatik, por një diagnozë e qartë: mafia shqiptare ka hyrë në fazën e saj më të avancuar, është globalizuar, është strukturuar në mënyrë klanore dhe ka ngritur ura direkte me kartelet e Amerikës Latine. Fjalimi i saj para hetuesve të SPAK dhe BKH nuk ishte vetëm alarm për atë që po ndodh; ishte një akuzë ndaj institucioneve shqiptare që kanë dështuar të reagojnë ndaj pastrimit masiv të kapitalit kriminal që po përmbyt vendin.

Harta aktuale e mafies shqiptare

Për të kuptuar këtë transformim, nuk mjafton më të shohim brenda Shqipërisë. Harta aktuale e mafies shqiptare shtrihet nga portet e Guayaquil-it në Ekuador deri në laboratorët e Roterdamit, nga depozitat e Antwerp-it deri në rrjetet kripto të Londrës, nga Venezuela te Dubai dhe në fund prapë kthehet në Tiranë, aty ku kapitali i drogës kërkon formalizim dhe imunitet.

Ajo që përpara pak vitesh dukej si një bashkëpunim sporadik i grupeve shqiptare me kartelet, sot është sistem global i konsoliduar. Një prej provave më të qarta ishte operacioni ndërkombëtar “Kompania Bello”, i konsideruar nga Europol si goditja më e madhe ndaj rrjeteve shqiptare të kokainës. Në qendër të tij qëndronte Dritan Rexhepi, një figurë e padukshme për publikun, por e frikshme për agjencitë e inteligjencës. Hetimet zbuluan laboratorë të tërë të kontrolluar nga shqiptarët, kimistë të trajnuar në Kolumbi, kanale të koduara komunikimi dhe marrëveshje direkte me kartelët e fortë latino-amerikanë. Ishte hera e parë kur autoritetet ndërkombëtare e pranuan se rrjetet shqiptare nuk ishin më “palë ndihmëse”, ato ishin kartel në vetvete.

Operacioni “Los Blancos” në Antwerp konfirmoi të njëjtën gjë. Në zemër të portit më të madh të kokainës në Europë, shqiptarët kishin ngritur një sistem të tërë korrupsioni dhe logjistike. Depo të fshehta, kompani guackë, ndërmjetës të infiltruar në dogana dhe ekipe të specializuara për manipulimin e kontejnerëve mbanin gjallë linjat që furnizonin Europën Perëndimore me kokainë të pastër. Operacioni gjerman “Flamingo” zbuloi një tjetër dimension: trafikun e heroinës me rrjete të sofistikuara, të maskuara si lëvizje emigrantësh, me itinerare të ndryshuara çdo 48 orë.

Mafia Shqiptare Oktapodi i etur

Këto operacione nuk ishin episode të izoluara, por kapituj të një transformimi të thellë. Mafia shqiptare sot funksionon si një trup unik me shumë koka, të organizuar mbi strukturën e klanit. Besnikëria familjare dhe e prejardhjes gjeografike e lidh më fort sesa ritualet e mafies italiane. Ndryshe nga Cosa Nostra, e cila ka hierarki të ngurta, kode të ngadalta dhe strukturë konservatore, mafia shqiptare është moderne, e zhveshur nga ritualet, agresive, mobile dhe jashtëzakonisht e gatshme për të marrë rrezik.

Ky fleksibilitet e ka bërë që ajo të zëvendësojë mafien italiane në korridoret kryesore të trafikut të kokainës. Mafia italiane, sidomos ‘Ndrangheta, ende mbetet e fuqishme, por është e goditur nga një valë e re arrestimesh dhe bashkëpunimesh me drejtësinë. Shqiptarët e shfrytëzuan boshllëkun dhe u shfaqën më të shpejtë, më brutalë, më të përkushtuar dhe më të gatshëm të negocionin vetë me Kolumbinë dhe Perunë. Prokurorët italianë e përshkruan në mënyrë lapidare këtë zhvendosje të pushtetit: “Shqiptarët punonin kur italianët flinin”.

Fitim me shpejtësi skëterre

Etja për fitim të shpejtë e ka bërë mafien shqiptare një strukturë të jashtëzakonshme të ekonomisë së zezë. Ndryshe nga strukturat italiane apo spanjolle që ndërtonin perandori ngadalë, shqiptarët blejnë, ndërtojnë, investojnë dhe riciklojnë paratë me shpejtësi marramendëse. Në Europë, kjo i ka bërë të pakapshëm. Ata nuk hezitojnë të përdorin dhunë, nuk ngadalësohen nga tradita, nuk e njohin frikën institucionale dhe kanë krijuar ekosistemin e tyre të brendshëm të krimit.

SPAK institucionet shqiptare asnjë kallëzim

Por ndërsa në Europë mafia shqiptare është forcuar për shkak të aftësive, në Shqipëri ajo është fuqizuar për shkak të dobësisë së shtetit. Paratë e krimit hyjnë lirshëm dhe legalizohen përmes ndërtimit dhe turizmit. Kulla shumëkatëshe ngrihen pa burim kapitali, kompani të reja marrin leje gjigante infrastrukture brenda pak ditësh, dhe resortet turistike rriten në zonat më të virgjëra të vendit pa marrë asnjë kredi bankare. Vetë SPAK ka deklaruar se institucionet shqiptare nuk kanë dërguar asnjë kallëzim administrativ për pasuritë e dyshimta, fakt që dëshmon mosfunksionimin e institucioneve të kontrollit financiar.

Rasti i familjes Hysa është ilustrim i qartë i këtij përdorimi. Të sanksionuar nga SHBA për trafik ndërkombëtar droge, ata kishin ngritur perandori të tëra biznesi në Shqipëri pa u penguar asnjë ditë. Fotografia ku një prej tyre hyn në zyrën e kryeministrit është simbol i asaj që ndodh sot: krimi nuk troket më te dera e shtetit, ai hyn brenda pa pengesë.

Albania como América Latina

Shqipëria rrezikon, kështu, të përsërisë modelin latinoamerikan, ku kapitali i krimit infiltruan strukturën ekonomike, politike dhe institucionale. Në Ekuador, kartelet morën kontrollin e porteve; në Venezuelë ata kapën ekonominë e ndërtimit dhe turizmit; në Honduras ndikuan drejtpërdrejt në politikë. Shqipëria është në rrezik t’i përjetojë të tre skenarët njëkohësisht.

Mafia shqiptare nuk është kufizuar në Amerikën Latine dhe Europë. Ajo është rrënjosur edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku rrjetet shqiptare janë shndërruar në kontrolluesit kryesorë të tregut të kokainës në Londër, Manchester, Birmingham dhe Liverpool. Raportet e inteligjencës britanike e përshkruajnë këtë fenomen si “strukturën më të sofistikuar kriminale në territorin britanik”, e cila kombinon importet nga Belgjika dhe Holanda me pastrimin e parasë nëpërmjet bastoreve online dhe kriptomonedhave.

Dubai, parajsa ky s’pyetet ku i gjete paratë 

Parisë së krimit i mungon vetëm një element për të qenë e paprekshme: një destinacion pa pyetje. Dhe ky destinacion është Dubai. Në Dubai, shqiptarët blejnë prona, krijojnë kompani brenda 24 orësh, hapin llogari kripto, përdorin shërbime offshore dhe pastrojnë fitimet nga Guayaquil, Antwerp dhe Londra para se t’i kthejnë në investime të ligjshme në Shqipëri. Në Dubai nuk pyetet për origjinë kapitali, por për shpejtësi transaksioni. Kjo e bën atë parajsën perfekte të mafies shqiptare.

Dhe pikërisht këtu lind rreziku më i madh për Shqipërinë: vendi nuk është më thjesht stacion tranziti i drogës, por është kthyer në destinacion final të kapitalit kriminal. Shqipëria, ndryshe nga çdo vend tjetër europian, nuk ka struktura të forta të kontrollit financiar, nuk ka polici të specializuar për pastrimin e parave, paraja qarkullon cash. nuk ka transparencë për investitorët, nuk ka sekuestrime të rëndësishme dhe nuk ka vullnet politik për të ndalur këtë valë.

Call Center-at – kjo industri “e pafajshme”,

Në këtë klimë të turbullt, mafia shqiptare nuk është më një armik i shtetit , është kthyer thuajse në një partner strategjik, një lloj “investitori i huaj direkt” që operon pa tender, pa kontroll dhe pa asnjë ndalesë morale. Ekonomia rritet me para që askush nuk pyet nga vijnë, politika bën sehir, ndërsa administrata i shërben krimit me devotshmëri që nuk e ka treguar kurrë ndaj qytetarëve. Në Shqipëri, kush ka më shumë para të pista, merr më shumë leje ndërtimi. Kush ka më shumë lidhje kriminale, bëhet më i respektuar se ligji vetë.

Dhe pastaj vijnë Call Center-at – ajo industri “e pafajshme”, që sipas qeverisë është histori suksesi, por sipas dosjeve ndërkombëtare është supermarket i mashtrimit: mashtrime financiare, grabitje të kursimeve të europianëve, skema investimi që nuk ekzistojnë, dhe sipërmarrje fantazmë që zhduken sa hap e mbyll sytë. SPAK me në fund arreston disa prej tyre, por qeveria vazhdon t’i quajë “të rinj inovatorë”. Ironia është se në Shqipëri mashtrimi me telefon është bërë më i sigurt se biznesi i ndershëm: nuk ke nevojë të eksportosh më drogë, mjafton t’i vjedhësh gjyshes gjermanishtfolëse pensionin me një telefonatë. Ndërkohë në Tiranë, Call Center-at vazhdojnë të shiten si “startupe të suksesshme”, ndërsa janë në fakt shkollat e para të krimit ekonomik, akademitë ku trajnohen mashtruesit e së ardhmes. Sot vjedhin me telefon, nesër legalizojnë paratë në kulla, pasnesër blejnë pasqyra politike.

Nëse Shqipëria nuk ndërron kurs, dhe shpejt, atëherë rruga është e qartë: ose vendi do të bashkohet me Europën e ligjit, ose do të shndërrohet në një version ballkanik të republikave të kapura latino-amerikane. Deri tani, sinjalet e politikës shqiptare duken si “GPS i bllokuar”: gjithmonë të çojnë drejt rrugës së gabuar.

Dhe ja ironia më e hidhur: edhe vetë Nicolás Maduro, mjeshtër i regjimeve të kapura dhe ekonomive të krimit, i druhej ndikimit të mafies shqiptare në Ekuador – aq shumë sa filloi ta shihte atë si konkurrent serioz për kontrollin e territorit. Imagjinoni një diktator që i trembet një grupi shqiptarësh me kontejnerë, banane dhe laboratorë kokaine. Po ky është realiteti.

Kështu që pyetja nuk është më nëse mafia shqiptare ka zëvendësuar Cosa Nostra-n në korridoret e kokainës. Pyetja e vërtetë – dhe më sarkastike – është kjo: po shtetin shqiptar kush po e zëvendëson? Sepse në këtë ritëm, së shpejti mund të vijë dita kur Shqipëria të ketë nevojë të marrë “leje qëndrimi” nga vetë mafiozët që po e qeverisin nga prapaskena.

Në këtë klimë, mafia shqiptare nuk është më një armik i shtetit, është bërë partner i padukshëm i tij. Nëse Shqipëria nuk ndryshon kurs, atëherë e ardhmja është e parashikueshme: ose vendi do të bëhet pjesë e Europës së ligjit, ose do të rrëshqasë drejt modelit latino-amerikan të kapjes së shtetit nga krimi. Deri tani, fatkeqësisht, shenjat flasin për rrugën e dytë. 

Dhe deri atëherë nuk dihet se cili “Maduro” do ta ketë radhën?

Filed Under: Komente

“Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

January 21, 2026 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht po e ndjek me interes dhe përgjegjësi të shtuar “debatin e ethshëm” që vijon në Tiranë mbi: “ngritjen e Bordit (Trump) të Paqes, si dhe ftesën e adresuar Kryeministrit të RSh”. Në pamundësi t’ju përgjigjem çdo studio-TV të interesuar, në vijim gjeni përmbledhje strategjike rreth rrethanave, peshës dhe mesazheve gjeopolitike që mbart ngritja e këtij Bordi (BP), jo vetëm për Lindjen e Mesme, por mbarë botën, Ballkanin Perëndimor, përfshi interesat kombëtare (RSh/Kosovës):

Konsiderata, pesha dhe mesazhe gjeopolitike që mbart ngritja e Bordit të Paqes:

Përtej kakofonisë së mirë-ushqyer  edhe nga Chat-GPT mes të gjithëditurve dhe kudo-gjendurve në studiot televizive, për këdo që dëshiron qartësi strategjike rreth BP, do mjaftonte linku i posaçëm (https://en.wikipedia.org/wiki/Board_of_Peace), ku gjendet informacion i mjaftueshëm mbi: “Historikun; Referencat, Vizionin (mekanizëm ndërkombëtar i mandatuar nga Rezoluta e OKB), Misionin, Strukturën dhe ftesat e drejtuesit/Donald Trump, për bashkë-themeluesit e Bordit të Paqes. Ndërsa për këdo që nuk do të ushqehet me spekulime politike, dezinformime apo dhe “deep fake” nga armiq potencialë, në vijim gjeni analizë bazuar në link-un e sipërcituar si dhe konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë: 

Bordi i Paqes as nuk është menduar si mekanizëm i përfaqësimit burokratik, përkundrazi, bazohet në projektin Trump-2 si një Institucion me peshë vendimmarrëse, dhe të mirë-integruar me fuqinë ushtarake të ShBA-ve, me mision: “imponimin e paqes në Lindjen e Mesme si dhe zgjidhjen e konflikteve globale”.

Megjithëse ngritja e BP bazohet në “Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit, 11/2025”, në fakt Presidenti Trump po tejkalon krizën e pafuqisë burokratike të OKB/1945. Për ta ilustruar këtē do mjaftonin: “gjenocidi i Srebrenicës në 1995 dhe i Kosovës në 1999 nga makineria kriminale e Millosheviçit; 22 vite negociata diplomatike, rezoluta apo lutje ndaj Ajatollahut të Iranit për ndalimin e programeve bërthamore; agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës etj”. Ndërsa për “revoltën” për axhensorin, mikrofonin dhe rezervat e Presidentit Trump ndaj OKB-së, sjell në kujtesë refuzimin turpërues që Trump i bëri “ofertës tinëzare” të Putinit për të ndërmjetësuar me Ajatollahun e Iranit, apo pëgjigjen me vepra se: “as i shkonte në mend të merrte leje nga KS” për prangosjen e Maduros, i cili e kishte kthyer Venezuelën në parajsën ruso-kineze dhe të narkoterrorizmit, duke kërcënuar sigurinë dhe interesat e ShBA-ve si dhe jetën e amerikanëve !

Gjithësesi BP nuk u përzgjodh brenda javës, por si vijimësi e përpjekjeve të Presidentit Trump: “për ta bërë jo vetëm më të fortë Amerikën, por edhe superfuqi të pakonkurueshme për paqen, stabilitetin dhe rendin global”. Kështu, kujtojmë se në mbrëmjen para Samitit të Paqes në Sharm el-Sheikh (13 tetor 2025), Trump deklaroi se: “lufta ka mbaruar dhe se BP do të formohet së shpejti”! Në fillim të 2026, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ish-koordinatori special i OKB-së për Lindjen e Mesme, z. Nickolay Mladenov (aktualisht drejtor ekzekutiv i BP). Ndërsa më 15 janar 2026 Presidenti Trump shpalli ngritjen e Bordit, si dhe një listë me kryetarë shtetesh që u kishte dërguar ftesa për t’u bashkuar në ditën e konstituimit zyrtar të BP.

Ngritjen e BP e gjej po ashtu në një linjë me konceptin e Trump: “Paqe nëpërmjet Forcës”, qasje që imponoi armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit si dhe u demonstrua në prangosjen e Maduros dhe sulmit/ndëshkimit shëmbullor ndaj bazave bërthamore të Iranit, që do shërbejnë edhe si “mesazhe të fuqisë shkatërrimtare të ShBA-së ndaj Putinit, Kim Jong-ut etj., nëse guxojnë të kërcënojnë interesat e ShBA-së apo të ndonjërit prej 32 vendeve anëtare”. 

Po ashtu vlerësoj se ftesat e adresuara nga Presidenti Trump, nuk janë mbështetur në parimet e gjithëpërfshirjes burokratike, as në renditje alfabetike të kryetarëve të 193, 100 apo 50 shteteve. Në të vërtet është një listë e mirëmenduar me udhëheqës vendesh që kanë besueshmëri strategjike, peshë vendimmarrëse, eksperiencë dhe impakt për paqen në Lindjen e Mesme, si dhe për zgjidhjen e konflikteve rajonale apo globale. Konkretisht, në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, si bashkë-themelues të BP-së janë ftuar 20 kryetarë shtetesh, përkatësisht të RSh-së, Argjentinës, Australisë, Brazilit, Kanadasë, UK, Qipros, Egjiptit, Hungarisë, Indisë, Italisë, Greqisë, Jordanisë, Pakistanit, Turqisë, Rusisë etj (lista po përditësohet, por në rastin më të mirë nuk pritet të kalojë 30 shtete nënëshkruese).  

Pavarësisht se në parim çdo përfaqësim ka kosto (fee), për ta qartësuar spekulimet mbi “çmimin e karriges” po citojmë reagimin e Shtëpisë së Bardhë: “Nuk ekziston asnjë kërkesë e ShBA-së për të kontribuar 1 miliard dollarë” duke shtuar se: “nëse një vend kontribuon 1 miliard dollarë, fiton statusin e anëtarit të përhershëm, në vend të anëtarësimit me afat 3-vjeçar”. 

Vlerësim, privilegj dhe përgjegjësi e shtuar për RSh:

Përkundër kujës së pronarëve të kompanisë/opozitës së falimentuar, të refuzuar dhe të neveritur nga mbarë-shqiptarët si dhe përtej fantazive egocentrike të një grushti delikuentësh: “për arrestimin e Ramës në Surrel me Komandot Amerikane si në rastin e Maduros; mos-pjesëmarrjen e PM-RSh në Samitin e Washingtonit 2024; vizitën e ish-Sekretarit Antony Blinken në Tiranë, si dhe ëndrra defiçentësh për qeveri apo  ministra teknikë”: “ftesën e Presidentit Trump ndaj Kryeministrit Rama, për të qënë  ndër themeluesit e Bordit të Paqes e çmoj jo vetëm vlerësim të merituar dhe mundësi të artë përfaqësimi të RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha, por edhe si përgjegjësi e shtuar ndaj interesave Kombëtare”!

Po ashtu, përzgjedhjen e RSh e gjej edhe si “kundërpërgjigje të mënçur” të Washingtonit zyrtar ndaj mirënjohjes së merituar mbarëkombëtare për: “mbështetjen 114-vjeçare të ShBA-ve për pavarësinë e RSh dhe çlirimin e Kosovës; ndërtimin e demokracisë funksionale, antarësimin në NATO, ngritjen e SPAK, etj”, por edhe kontributeve të RSh mbas 1996, ku: “mbi 1 miliard € si dhe 12 mijë burra dhe gra me uniformë kanë shërbyer krah trupave të USA në Ballkan, Irak, Afganistan, Lindjen e Mesme, Gjeorgji, Ukrainë etj”.  

Në të njëjtën kohë, nënvizoj se ftesa e RSh-së në këtë Bord nuk ka ardhur rastësisht dhe as për marrëdhëniet SHBA-RSh në 15 vitet e fundit, por: “si ndër faktorët me besim te të dyja palët në konflikt” (arabët dhe Izraeli). Kujtoj se RSh e ka njohur Palestinën që në 1988; është anëtarësuar në Konferencën Islamike në 1991 (nënshkruar nga R. Alia dhe rikonfirmuar nga S. Berisha në dhjetor 1992) si dhe në 2015, ndër 119 vendet që votuan ngritjen e flamurit Palestinez në OKB. Nga ana tjetër, RSh-ja ka bashkëpunim të shkëlqyer edhe me Izraelin për shkak të “besës humane” në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së 2-Botërore si dhe të lobit izraelit pro bombardimeve të Serbisë, për njohjen e Kosovës (nën kujdestarinë e Trump-1), etj. 

Thënë sa më lartë, “ftesën nuk e gjej kurrësesi si dhuratë personale për Edi Ramën, as si pasaportë apo mbështetje amerikane për të mbajtur edhe 5 apo 6 mandate pushtetin”. Gjithësesi, nuk mund të mohohet që Z. Rama, për shkak të karizmës editoriale si dhe fuqisë 13-vjeçare të pushtetit: “ka rritur ambiciet dhe peshën e përfaqësimit të interesave të RSh, ndaj edhe konsiderohet ndër aktorët me impakte më shumë se modeste në Lindjen e Mesme, etj”. Njohur këtë, do ta këshilloja Kryeministrin Rama që pjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Trump, përveçse si privilegj personal, ta adresojë si një mundësi të artë dhe përgjegjësi shtesë për forcimin e besimit/partneritetit strategjik me USA në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike (fatmirësisht të ndërthurura) edhe me të ShBA-ve në NATO, Rajon dhe Mesdhe. 

Në përmbledhje, duke përsëritur rëndësinë e pjesëmarrjes në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha, mbetem besimplotë se ngritja e Bordit të Paqes, e mirë-integruar me (super)fuqinë ushtarake të pakonkurueshme të ShBA-ve si dhe nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump, do të bëjë që: “jo lufta gjakatare, por paqja, rendi global, vlerat e qytetërimit dhe demokracia të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, si dhe mbi shtetet dhe organizatat narko-terroriste”. Me këtë rast (dhe përtej transheve partiake), ri-konfirmoj përkushtimin për të vijuar të kontribuoj me eksperiencën dhe përgjegjshmëri në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike, si dhe të ardhmërisë euroatlantike të RSh dhe Kosovës. 

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare, 

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Filed Under: Komente

Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet

January 21, 2026 by s p

 2.12.1944 – 26.01.2006 

Apo “Apostuli i madh i jodhunës së kohës sonë!” 

(Citat nga dekorata e nderit, për Dr. Ibrahim Rugovën, më 1996, nga Universiteti i Parisit) 

Dr. Ibrahim Rugova, u pa e përjetua nga njerëzit si engjëlli hyjnor dhe himnizua edhe si “Profet” planetar, ndërsa nga figurat e shquara botërore u vlerësua edhe si “Gandi i Ballkanit”.

Nga entet më të shquara arsimore dhe institucionet më të larta ndërkombëtare të dijes, u emërtua “Apostull i Jodhunës” (Universiteti i Parisit).

-Zëri i arsyes, maturisë e paçes (SHBA), dhe

-Ma i “Dijtuni, e ma i Urti i të gjithëve”(At Zef Pllumbi), etj. 

Nga të dhënat biografike të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, mësojmë se, Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit1944 në fshatin Cerrcë, të qytezës së Istogut, familja e të cilit, aty kishte zbritur nga fshati Malaj i krahinës së Rugovës. Por jeta e tij, dëshmohet se u përshkua me vuajtje e sakrifica të pafund dhe vetëm 13 muaj e 6 ditë, pasi ai ishte lindur, komunistët serbo-jugosllavë, më 10 janar të vitit 1945 i vranë të atin Ukë Rugova e gjyshin Rrustë Rugova dhe trupat e tyre nuk u gjetën më kurrë. 

Pas kryerjes së shkollimit fillor e të mesëm dhe përfundimit me sukses të fakultetit të letërsisë në Prishtinë, Rugova në vitet 1976-1977, vazhdoi studimet postdiplomike nën përkujdesjen e Prof. Roland Barthes-it, në “Ecole Pratique des Hautes Etudes” në Paris. 

Më 1984 Ibrahim Rugova, mori titullin e doktoratës në letërsi, në Universitetin e Prishtinës. Kurse më 1988 Dr. Rugova do të zgjidhej kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, periudhë kur edhe nisi rezistenca e vërtetë publike anti-serbe dhe kthye në fenomenin më të fuqishëm të njohur deri atëherë të lëvizjes gjithëshqiptare kundër sundimit komunist serbo-jugosllav të Kosovës. 

Ndërsa më me 23 dhjetor të vitit 1989, nën organizimin e Dr. Rugovës formohet LDK, partia e parë politike post-komuniste, apo “Lëvizja mbarëpopullore e shqiptarëve nën okupimin serbo-jugosllav, si dhe u vendosën themelet e para të Republikës së Kosovës, mbi të cilat qëndron edhe sot, shteti ynë i lirë, sovran dhe i pavarur.

Nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës u përgatit programi legjislativ dhe krijua bazamentin kushtetues për zgjedhjen e institucioneve shtetërore dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. 

Më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kurse më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, u bë shpallja e Kosovës Republikë, dhe votimi i Kushtetutës së re, të saj. 

Ndërsa për t`iu kundërvënë edhe me pushkë dhe fizikisht Serbisë, Presidenti dr. Ibrahim Rugova, në marrëveshje me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë Ramiz Alinë, më 1992 do të dërgonte njësitet e para të vullnetarëve dardan të stërviteshin nën kujdesin e oficerëve të lartë ushtarak shqiptar, në krye të të cilëve ishin edhe drejtuesit e mëvonshëm të UÇK-së, si; heronjtë më të devotshëm të luftës çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, Sali Qeku, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani dhe shumë luftëtar, heronj e dëshmorë të lirisë, të cilët u vranë për liri në Kosovë.

Luftë plot vuajtje e sakrifica gjatë së cilës udhëheqës të lartë ushtarak e logjistik të saj, fatkeqësisht u vranë edhe në Shqipëri, si Ilir Konushevci, i rënë në një pritë të organizuar, në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, afër Bajram Currit, aty ku me se paku pritej, nga dora e zgjatur e tradhtisë kombëtare, bashkë me mjekun Hazir Mala, derisa po udhëtonin me një kamion të mbushur me armatim të destinuar për luftëtarët kryengritës në Kosovë, si dhe ministri i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, i vrarë më 21 shtator 1998 pak para mesnate në Tiranë, vetëm pak kohë, pasi kishte marrë vendimin për tu futur në Kosovë dhe udhëhequr luftën në terren, vrasja e të cilit, me gjithë dekadat e kaluara në kohë, vazhdon të mbetet mister edhe sot. 

Rugova ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së lirë dhe të sapo çliruar nga okupatori serb, i cili megjithëse në shtator të vitit 2005, u diagnostikua me kancer, nuk hoqi dorë nga angazhimi për jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës, deri në frymëmarrjen e tij të fundit. 

Çmimet e ndara dedikuar personalitetit sublim dhe hirësisë shembullore të tij, për veprimtarinë e shquar  në shërbim të atdheut dhe miqësisë së shkëlqyer që ai krijojë me burrështetasit më të mëdhenj botëror të kohës, që nga Bill Klinton, Toni Bler, Zhak Shirak-u, Medlin Olbrajt etj:

-Në vitin 1998, dr. Ibrahim Rugova u nderua nga qyteti i Münsterit në Gjermani, me Çmimin e Tolerancës. 

Kurse nga Parlamenti Evropian, ku krahas burrështetasve më të shquar evropian e botërore qëndron krenarisht edhe ekspozitura e ndritshme e fotografisë së tij, dr. Rugova mori Çmimin Saharov! 

Është me rëndësi të veçantë të ceket se dr. Rugovës iu dedikuan edhe epitetet të veçanta nga personalitete të shquara dhe institucione të mirënjohura botërore si në certifikatën e ndarjes së doktoratës së nderit, nga Universiteti i Parisit, për Dr. Ibrahim Rugovën, më 1996, ku thuhet: “Ai është një nga Apostujt e mëdhenj të jodhunës së kohës sonë”! 

Këshilla jetike dhe porosi jetësore e Dr. Rugovës për bashkëkombësit si dhe maksima e paharrueshme e Dr. Ibrahim Rugovës për shqiptarët ishte: “Secili qytetar, çdo mëngjes duhet të ngritët nga gjumi me mendimin se çfarë pune të mirë mund të bëjë sot, për vendin e vet!” 

Çmimet ndërkombëtare në nderim të Dr. Ibrahim Rugovës: 

-Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë. 

-Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë. 

-Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian. 

Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall edhe qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe (Brescia) Breshia. 

-Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë. 

-Në vitin 2004, Dr.Ibrahim Rugova, më 2 shkurt të vitit 2004, në Atverpen të Belgjikës, u shpall Senator Nderi i Evropës nga Senati i BE-së dhe Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi, çmim që kanë marrë vetëm personalitetet si ish presidenti i SHBA-ve Roland Regan, Kancelari gjerman Helmut Kohl, mbreti spanjoll Huan Karlos, Otto von Habsburg dhe Emil Konstatinesku. 

Dr. Ibrahim Rugova u nderua gjithashtu edhe nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. 

-Më 9 shtator të vitit 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës. 

-Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me mirënjohje të veçantë për afirmimin e parimeve të demokracisë dhe udhëheqjen frymëzuese politike. 

Dr. Ibrahim Rugova vdiq, pas një sëmundje të rëndë më 21 janar të vitit 2006, ndërsa në përvjetorin e vdekjes, presidenti i atëhershëm Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë, me të cilin nderohen figurat historike në vendin tonë, për “vepra trimërie, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”

Dr. Rugova ka shkruar edhe 10 vepra letrare:

– “Prekje lirike”, Rilindja, Prishtinë, 1971.
– “Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),

– “Kah teoria”, Rilindja”, Prishtinë, 1978.
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni)”, Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– “Strategjia e kuptimit”, Rilindja, Prishtinë, 1980.
– “Vepra e Bogdanit 1675-1685”, Rilindja, Prishtinë, 1982.
– “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986.
– “Refuzimi estetik”, Rilindja, Prishtinë, 1987.
– “Pavarësia dhe demokracia”, Fjala, Prishtinë, 1991.
– “Çështja e Kosovës”, Dukagjini, Pejë, 1994.

Ndërsa Kompleti i veprave të dr. Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, u botua më 2005 në Prishtinë.

Të tjerët për Dr. Ibrahim Rugovën: 

– Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së Dr. Rugovës deklaruan se kanë humbur një mik të vërtetë i cili ishte zëri i arsyes, maturisë dhe paqes! 

– Bill Klinton do ta cilësonte Dr. Rugovën si shembullin më sublim dhe udhërrëfyes për njerëzimin që i duhej botës demokratike”. 

– Toni Bler në kujtimet e tij thotë: Dr. Rugova mu lut, që ti ndihmoja, të mos vuanin njerëzit e tij në Kosovë, dhe unë i premtova Dr. Rugovës se do ta ndihmoja! 

– Ish ndërmjetësuesi dhe diplomati i shkëlqyer amerikan, Richard Hoolbruk i cili la gjurmë të thella në historinë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, deklaronte se; Kosova nuk do të ekzistonte fare-shtet, pa këmbëngulësinë e presidentit Dr. Ibrahim Rugova! 

– Ndërsa At Zef Pllumi për Dr. Ibrahim Rugovën tha; “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim, vizionin europjan. 

Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve! 

Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së “Apostullit të madh të Jodhunës”, “Zërit të arsyes, maturisë e paçes” dhe ma të “Dijtunit, e ma të Urtit të Kosovës”- Dr. Ibrahim Rugova! 

 Gani Qarri  Cyrih, 21 Janar 2026 

Filed Under: Komente

Liria e fjalës dhe besimit

January 20, 2026 by s p

Behar Gjoka/

Njerëzimi, në perëndim dhe lindje, pas ngjarjeve makabër të Parisit, ku terrorizmi dhunoi jetën dhe lirinë, nuk është më si më parë. Ankthi apokaliptik dhe, sidomos dalja nga shishja e djajëve të urrejtjes, ka bërë që në marrëdhëniet ndërnjerëzore të krijohet një mpirje e pazakontë. Një ngërç, mental dhe emocional, që vetëm sa po e zgjat praninë e territ në tunel dhe drita e daljes prej tij vetëm sikur po largohet. Qenia njerëzore, pavarësisht rajonit dhe besimit, nuk është më si më parë, sepse sërish, si rrallë herë, është vënë në sprovën e zgjidhjes: të nevojës për fjalën e lirë, si dhe të dobisë së besimit. Të fjalës së lirë, pa të cilën vështirë se funksion një shoqëri normale, aq më tepër në sistemin demokratik. Po ashtu, demokracia ka thelbësore edhe besimin, sigurimin për ta ushtruar si besim dhe në barazi të plotë më të tjerët, e besimit ndryshe. Pra, njeriu i perëndimit apo lindjes, veriut apo jugut, tashmë gjendet në zgripin e zgjedhjes në mes fjalës së lirë dhe besimit, të cilat që të dyja përlptësojnë vetë sistemin demokratik. Ndërkohë, që fjala e lirë dhe besimi janë të drejta themeltare, të njeriut. Në një shtet demokratik, e drejta e fjalës dhe e besimit, ndërkohë garantohet me ligj.

Liritë dhe të drejtat themelore, ecin paralelisht, në shoqëritë e lira dhe demokratike, ecin si përplotësuese të tipareve që mishëron demokracia. Si liri njerëzore, pra liria e fjalës dhe liria e besimit, ndërkaq janë të panegociueshme dhe të barazvlerta, si ekulibër etik dhe mbijetues i themeleve të një jetës së qenies njerëzore. Si liri shprehje dhe besimi, pra e vlerave shpirtërore, jo shumë larg, por edhe specifike njëherit, përgjithësisht ato ecin paralelisht. Tepria dhe shpërdorimi nuk shpëton askënd dhe dihet se tepria vjen nga shpërdorimi i fjalës së lirë, po kaq edhe nga shpërdorimi i besimit, që jo rrallë deformohet nga idhëtarë të ndryshëm deri në fondamentalizëm. Situata e tanishme, është më e ndërlikuar nga sa mendohet. Në fakt është një situatë specifike, e cila kërkon mendje të ftohta dhe me vizion për të ardhmen e humanes. Situata agravuese, nuk mundet të zgjidhet duke i hedhur benzinë zjarrit, si dhe duke thelluar urrejtjen atavike, që rrënon qytetërimet dhe thelbin e bashkëjetesës së qenies.

Situata, e shenjave të rrokshme, të përplasjes së qytetërimeve, që tashmë në emër të jetës, të vlerave humane të bashkëjetesës paqësore, të shmangimin teprinë dhe shpërdorimin, ngado që vijnë. Në emër të jetës, besimi i secilit prej nesh, si dhe fjala e lirë janë të shenjta, janë dy shinat nëpër të cilat ka ecur qenia njerëzore. Në emër të shenjtërimit të fjalës së lirë, si magji letrare, humor apo satirë, dhe besimit fetar si larmi, le të braktisim buzën e humnerës, ku kemi mbërritur, pragun e honit terr që sjellë zezonën sot dhe nesër.

Në këtë betejë të ndërlikuar, pa front dhe që po frontalizon njeriun kundër njeriut, vështirë se do të ketë fitimtar, sepse ngado ndeshim viktima pa gojë, sepse sakrifica në emër të urretjes nuk shpie asgjëkund… E shenjta është unike, pavarësisht se ajo që për mua është e shenjtë, nuk ka se si të jetë për të gjithë, por e shenjta e secilit duhet trajtuar me respekt, nga secili prej nesh, pavarësisht besimit, hapësirës ku gjallojmë…

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT