• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Themeluesi i shtetit shqiptar si lidership i ditur e largpamës

November 23, 2022 by s p

Dy fjalë për librin e autorit Evarist Beqiri: “Themeluesi: lidershipi i Ismail Qemalit”

Msc. Albert HABAZAJ *

Më vjen ndërmend një fjalë e urtë e nënës së botës njerëzore, Shën Terezës: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ndërkohë që Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë e nderon në mënyrën e vetë dhe ashtu siç i ka hije tempullit të dijes 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me përurimin e një libri të veçantë, botim i plotë për Ismail Qemalin si lidership me mesazhe drite për Atdheun e tij, një libër që jo vetëm çdo lexues, por çdo shqiptar duhet ta ketë në bibliotekën e tij. Ndërsa autori i këtij libri, dr. Evarist Beqiri, për festën tonë kombëtare ka skalitur për arkitektin, atin e Pavarësisë Kombëtare një monument shkronjor të quajtur meritueshëm “Themeluesi: lidershipi i Ismail Qemalit”.

Janë 420 faqe libër që lexohen me dëshirë dhe mësojmë shumë gjëra mbi Udhëtimin historik e fatbardhë për shqiptarët të Plakut të Urtë. Faqe pas faqeje leximi ecën vetë pa u gufosur, duke rritur më shumë nderimin për themeluesin e kombit, duke ndjerë admirim për punën e vlertë të studiuesit 40 vjeçar Evarist Beqiri, i cili ka ditur të shprehë në letër mendimet e tij të qarta dhe ndjenjat e pastra për Kryeidentitarin tonë. Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike. Autori e trajton heroin e tij në staturën e lartë të lidershipit, si vështrim ndërdisiplinor, krahasimtar, të përfshirë në kohën dhe në hapësirën ku jetoi, punoi e realizoi karrierën e tij, si një figurë e plotë dhënë në tërësi e në harmoni të fushave dhe nënfushave shkencore, ku klasifikohet teksti në shkencën e Bibliotekonomisë. Në pamje të parë na duket një libër biografiko-historik, sepse në fakt trajton tema, fenomene, vende, vite, personazhe, ngjarje nga fusha e historisë, si: Kryengritjet e mëdha shqiptare. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (1908-1912). Veprimtaria politike dhe kulturore e klubeve shqiptare me nënndarje Kryengritja e vitit 1910. Kryengritja e vitit 1911. Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë – gërshetuar me fushën Studime biografike, biografi personale. Në fakt, këtu kemi një mozaik të natyrshëm të fushave ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën për të dhënë profilin vigan të lidershipit themeltar të shtetit shqiptar, si model i rrallë lartësie për Çështjen shqiptare. Në këtë libër ndërthuren natyrshëm dituria në tërësi, filozofia e psikologjia, biznesi dhe lideri, sociologjia e komunikimit dhe e mediave, teoria e komunikimit, komunikimi ndërpersonal, komunikimi publik dhe në grup, komunikimi masiv në konteksin shqiptar e botëror, në kontekstin kulturor, me theks negocimin e dinjitetit, po aq politika e brendshme, gjendja politike në vend, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia e jashtme për të shkruar biografinë dhe historinë e Misionarit të Kombit shqiptar. Ky libër i ndërtuar me pesë kre, me parathënie apo pak fjalë për lexuesin nga akad. Aurela Anastasi (juriste) dhe prof. dr. Nevila Nika (historiane), me hyrje, me lëndën ku na njeh deri në imtësi me karakterin, vizionin, komunikimin, menaxhimin e krizave dhe trashëgiminë e lidershipit të atit themelues, ku spikat vendosmëria, optimizmi, ndershmëria dhe kuraja e Ideatorit dhe Shërbestarit të Artë të Shqipërisë, plotësohet me epilogun e duhur, me dokumente të reja të pabotuara më parë, me intervista për shtypin e huaj dhe vendas, me album fotografik autentik dhe shënimet përkatëse poshtë fotove, me aparat bibliografik në fund të faqeve dhe në fund të tekstit, me bibliografi të plotë librash nga autorë shqiptarë dhe të huaj, burime të tjera dokumentare të arkivit të shtetit, botime periodike seriale apo burime të vazhduara (integrale) online. Pra, libri i referohet fakteve dhe dokumentave që sjellin me vërtetësi Orën e bardhë të Pavarësisë, që erdhi më 28 nëntor 1912.

Ndoshta na është dukur sikur nuk kemi ç’të shkruajmë më apo se nuk kemi ç’të mësojmë më tepër për Ismail Qemalin, por ja që studiuesi Beqiri na e rrëzon këtë koncept të vockël me këtë botim të plotë deri më sot, ndërkohë që, falë njohjes që kam për synimet e larta të autorit, besoj se nuk është studim shterues i tij për këtë personalitet të ndritshëm, por mund të jetë frymëzimtarë dhe për të tjerë. Lidershipi modern i prurë nga Beqiri na shfaqet esencial për nga roli dhe rëndësia historike, që merr peshë të madhe mbi supe. Ai na vjen si një proces dinamik me vlerë kolosale, i cili nuk ndalon kurrë as me frymëmarrjen e tij, sepse ai natyrshëm shfaqet, rritet dhe përsoset si hero, njeri i vlefshëm dhe me shumë virtyte për Atdheun. Mendoj se, për të prurë lidershipin e Ismail Qemalit në këtë 110-vjetor të Pavarësisë, autori i librit ka pasur në kujtesë thënien e Senekës: “Është e vështirë t’i sjellësh njerëzit te virtyti me leksione, por ama është e lehtë ta realizosh këtë me anë të shembullit”.

Tek ky tekst kemi një Ismail Qemal aktiv, të gjallë, në lëvizje, në diell e në furtunë, në fushë e në lumë, në det e në mal, në shkrepa e në moçal, që udhëheq me forcën e shembullit, me mbështetje që nga shqiptarët e Egjiptit, arbëreshët e Italisë, vartanët e Amerikës, mori vëmendjen e personaliteteve të huaja me takimet që nisi në Athinë, Nisë, Paris e Londër, që vijoi e vijoi me detyrime kombëtare e pa asnjë privilegj personal as kur u shkri si meteor i Pavarësisë në Peruxhia të Italisë për t’u përjetësuar mbi yjet më të ndritshëm të Shqipërisë europiane. Po të kishim një Ismali Qemal pasiv e në kornizë, nuk besoj se libri do të paraqiste interes. Autori ka ditur të na japë Ismail Qemalin e vërtetë, sepse ka gjetur formën e duhur të strukturës së brendshme dhe mënyrën e shprehjes së përmbajtjes dhe po aq mirë ka ditur si të na e realizojë këtë shërbim fisnik për shqiptarët, ballkanasit, europianët. Ismail Qemali ishte i pari në ide, në veprim, në udhëheqje, duke e marrë rrezikun në sy për Atdheun. Edhe në logjistikë kryesori ishte, në ballë të frontit më të vështrirë. Mjafton të kujtojmë ç’ka mori përsipër më janar të vitit 1912, në mbledhjen e famshme të patriotëve shqiptarë pranë sheshit “Taksim” në Stamboll, ku u diskutua se e ardhmja dhe fatet e kombit shqiptar i zgjidhte kryengritja e përgjithshme në Shqipëri. Që të fillonte kryengritja çlirimtare duheshin siguruar armë dhe të holla. Pikërisht këtë përgjegjësi, më të madhen e mundshme e mori përsipër Burri i Kombit, ndërkohë që informimin dhe çuarjen e kauzës në opinionin publik europian e kishte filluar qysh nga viti 1900, veçmas në Dymbëdhjetën kur ra ora e madhe e historisë për shqiptarët dhe ai përpiqej si titan, duke intensifikuar përpjekjet me devotshëmri largpamëse për të siguruar me anë të komunikimit publik simpatinë dhe përkrahjen e opinionit publik dhe diplomacisë europiane për çështjen shqiptare. Profesori i Diplomacisë shqiptare u paraqit si strateg në shkencat e komunikimit, duke i shfrytëzuar instrumentet e komunikimit e mediat si zgjatim i nevojshëm i njeriut për arritjen e synimit në rrafshin lokal, kombëtar e ndërkombëtar, si në shoqërinë masive horizontale, ashtu edhe në shoqërinë e lartë apo shoqërinë zyrtare, vertikale. Ai ishte luftëtar i parë për autonominë dhe në vijim për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria e rëndë dhe me po kaq shqetësim shikonte situatën e nderë në Ballkan. Ai ishte i veçantë në njohjen e natyrës njerëzore, mjeshtër i mbushmendjes së të tjerëve, sidomos më të mëdhenjve dhe dinte ç’tu kërkonte Fuqive të Mëdha, dinte të ngarkonte kombet e qytetëruar me përgjegjësi morale për gjendjen e shqiptarëve të tjera brenda Perandorisë Osmane, po aq sa parandjente dhe rrezikun e dyndjeve barbare sllave në trojet ballkanike. Ndër armët e tij efikase kishte pikërisht komunikimin publik, si një sociolog kalibri, fuqinë e imazhit që rrezaton në përmasa gjithëpërfshirëse dhe veçmas kontaktin me shtypin e shkruar në Itali, Vjenë – Austri, Francë, Londër e gjetkë, ku me forcën bindëse të fjalës këmbëngulte në të vërtetën e ndodhur ndër ne aso kohe, mbi idetë e Lëvizjes Kombëtare Shqipare dhe karakterin kombëtar të kryengritjeve të vitit 1911. Shqiptarët nuk janë rebelë, – sqaronte botën europiane lidershipi sfidant. Shqiptarët kërkojnë respektim të kushtetutës, të parimeve liberal – kushtetuese nga Turqia, të cilat qëndronin në themelet e shtetit konstitucional dhe të demokracive liberale. “Kryengritjet shqiptare, – theksonte ai – nuk kanë karakter fetar, por vetëm kombëtar”.

Qetësia e shikimit dhe e tejshikimit, intesifikimi e përshkallëzimi i fjalës dhe veprimit në dobi të shtetformimit, për të mirë të Atdheut, largpamësia si strateg i psikologjisë së bashkatdhetarve të tij, bëri që Ismail Qemal Bej Vlora të ngrihej në lartësinë e liderit vizionar të shqiptarëve, se ishte një rilindas idealist i zjarrtë që kërkonte t’i hapej denjësisht porta e një Kuvendi Europian, se besonte shqiptarisht tek Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Rasih Bej Dino, tek 40 delegatët nga të gjitha trevat shqiptare – firmëtarë të Protokollit të Pavarësisë, tek gjithë ata trima të ditur e me kapital nga Kosova në Çamëri, nga Dibra në Plavë e Guci, nga Kolonja në Vlorë, nga Elbasani në Ulqin, nga Shkupi në Korçë, nga Tomorica në Shkodër, nga Tropoja në Himarë, nga Myzeqeja në Mitrovicë, nga Prizreni në Berat, nga Mallakastra në Gjakovë, që i dolën zot vendit në çastet më të vështira të ekzistencës kombëtare. Ai kështu na shfaqet edhe si një profet, si të thuash, i paradërguar i Zotit, që erdhi dhe iku hyjinisht e aq tokësor, por i parapriu edhe idesë së Bashkimit Europian, që kemi sot. Ai nuk luftoi për vete, por për Shqipërinë e rrezikuar e të mjeruar, sepse Sakrifikuesi i madh donte një shtet shqiptar të lirë e të pavarur, që jeton në paqe dhe harmoni me fqinjët, që edhe sipas traditës e nderit të stërgjyshërve tanë, me pikë të lartë referimi Epokën e Gjergj Kastriotit, është pjesëtar i denjë i familjes së madhe të popujve europianë. Vjen si një apel ndërgjejësimi, sidomos në këtë kohë të shushatur atdhetarisht mesazhi i studiuesit Evarist Beqiri: “Rikthimi tek Ismail Qemali është rikthim tek rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Ismail Qemal Vlora ishte dhe mbetet “dielli i shqiptarisë” por që pak njihet sidomos nga brezi i ri. Sot fotografia e tij e varur mureve te zyrave nuk mjafton për të nderuar atin themelues”.

Do të ndaloja dhe pak tek një fakt. Është shembull i lartë motivimi fakti që Ismail Qemali ishte mik me gazetarët, ndërkohë kujtojmë që udhëheqësit diktatorë nuk i kanë miq gazetarët, por o i shikojnë shtrembër o i përdorin, apo i shtërngojnë t’i përdorin.

Në mbyllje të këtij kumtimi modest, mund të shprehem se, nëse vdekja e Themeltarit të shtetit shqiptar qe dëm i rëndë kombëtar, fakti që Ismail Qemali ishte kryetari i parë i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur dhe u shkrua në histori me gërma të arta e në këngë me përjetësim shpirtëror, është fat i madh kombëtar dhe se brenga e tij e thellë do të bëhet realitet brenda familjes së madhe europiane, me një shtet shqiptar modern e demokratik.

Edhe ky përurim libri që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Indusstrisë, Qarku Vlorë organizojnë këtu, në sallën “Rilindja” godina e Rektoratit, është një përshpirtje nderimtarie e merituar për Themeluesin, që do të vijojë përditshmërisht, duke bërë secili detyrat me devotshmëri dhe përkushtim ismailqemalian.

Faleminderit!

*) Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali “ Vlorë.

Filed Under: Komente

GJUHA SHQIPE NUK MËSOHET ME LUTJE, PO ME QEJF E DËSHIRË

November 22, 2022 by s p

Jerida Kulla

Letër bashkatdhetarit tim

T’i thërrasim mendjes sa nuk është vonë, që të mos na mallkojnë brezat që do të vijnë, që i larguam nga gjurmët e gjyshërve.

I dashur bashkatdhetari im!

Po ta shkruaj këtë letër, jo se nuk t’i thosha dot ballë për ballë këto fjalë, që në fakt t’i thashë, po për të gjithë “vëllezërit” e tu, që kanë mendimet e tua, me shpresë se ndoshta ndërroni mendim e shikoni përtej derës së shtëpisë suaj, përtej të sotmes.

Më vjen keq se, edhe pse kemi pak a shumë të njëjtën moshë, ndryshojmë shumë nga pikëpamjet që kemi për jetën, për veten tonë, për atë çfarë jemi, për atë që përfaqësojmë e për atë që na përfaqëson.

Jemi shumë të ndryshëm, për shkak të botëkuptimit, edhe pse kemi një gjak e jemi pjesë të një territori, që quhet Shqipëri. Ndoshta te ty ndikuan kushte të tjera që të bënë ky që je sot, edhe pse ka shumë të tjerë në moshën tënde, me të njëjtat kushte si ty, që mendojnë ndryshe nga ty.

Po ta shkruaj këtë letër, jo për të të gjykuar se çfarë bën me jetën tënde familjare apo me të ardhmen tënde, por, kur vjen puna te ajo që përfaqësojmë, nuk mund të hesht.

Nuk mund të hesht, për të vetmen arsye, se jam shqiptare, jo thjesht me emër, që, kur luan kombëtarja jonë, në kulmin e euforisë, bërtasin me të madhe: “O sa mirë me qenë shqiptar!”, por me gjithçka. E them këtë emër me zë të lartë, pa frikë, kurdo e kudo ku jam.

Të bëra një ftesë, që ta sjellësh vajzën në kursin e mësimit të gjuhës shqipe, që mbahet çdo të shtunë, online, falas.

T’i përmenda këto fakte, që ta dish, se kursin vajza jote mund ta ndjekë nga shtëpia, online. E mbi të gjitha, nuk ke për të paguar asgjë, është “dhoro”, si thuhet këtu, nuk ke për t’u harxhuar, se në kohë krize jemi.

E përgjigjja jote ishte se do të pyesje vajzën tënde gjashtëvjeçare, nëse dëshiron të bëjë mësimin e gjuhës shqipe.

Jam dakord se duhet të merret pëlqimi i fëmijës, pasi, sipas psikologëve, kjo krijon një lidhje të fortë midis prindit dhe fëmijës. Por jo gjithmonë duhet të miratohet dëshira e fëmijës, pasi ka dëshira, të cilat, nëse plotësohen, mund të ndikojnë negativisht në ardhmërinë e fëmijës.

Në këtë moshë, fëmija drejtohet, orientohet nga prindi. I takon prindërit ta udhëzojë, ta drejtojë në rrugën duhur. Janë disa gjëra, për të cilat nuk pyetet fëmija, por udhëzohet, jepet shembulli, që më pas të ecë në gjurmët e shembullit.

I dashur bashkatdhetari im, a e pyet ti fëmijën, nëse dëshiron të mësojë anglisht? A e pyet, nëse dëshiron të shkojë në kurs matematike?

Jam e sigurt se nuk e pyet, pasi këto janë parësore në kohën që jetojmë.

Me anglishten çan botën, se është gjuhë ndërkombëtare, e aq më shumë këtu ku jetojmë, që është vend turistik e anglishtja, është gjuha më e përdorur, pas greqishtes.

E matematika, po duhet, se jeta është matematikë.

Para se t’ia bësh këtë pyetje vajzës tënde gjashtëvjeçare, po të pyes: A i flet shqip vajzës tënde në shtëpi? A i ke folur për vendlindjen tënde, për farefisin, të parët e tu? A i ke treguar ndonjë histori apo përrallë për Gishton, Gërshetëzën, Mujin, Halilin, Gjergj Elez Alinë? Janë personazhe nga krahina nga vjen. Babai e ndoshta gjyshi yt, historitë e tyre i ka kënduar me lahutë. Apo mërgimi prej kaq vjetësh, të largoi çdo kujtim, çdo këngë të vendlindjes?

Nuk është çudi, që ti prind i dashur, baba, në shtëpi flet në gjuhë të huaj, pasi gjatë bisedës që bëmë së bashku, nga 5 fjalë, 3 ishin në gjuhë të huaj, se kështu të vinte për mbarë.

Çfarë dëshire do të ketë kjo vajzë për një gjuhë “të panjohur”, kur as ti vetë nuk e uron në gjuhën e etërve të tu: “Nadja e mirë!”? Ku as nëna nuk e ka vënë në gjumë duke i kënduar ninulla, duke e përkëdhelur shqip.

Ka ikur koha e ninullave, do të më thuash, jo vetëm ti, por edhe të tjerë. Ka ikur vërtet edhe koha e Mujit dhe e Halilit, se vitet rrjedhin, kohët ndryshojnë, por tradita nuk harrohet, kultivohet.

E di që emigrimi është i vështirë dhe lufta për mbijetesë të thith edhe pikën e fundit të fuqisë e, kur kthehesh në shtëpi, dëshiron të jesh i qetë, pa kokëçarje. Nuk ke fuqi të merresh me vajzën. Dalëngadalë edhe ti do ta harrosh gjuhën që të mëkoi nëna jote bashkë me qumështin.

Një ditë të bukur, përsëri të marr në telefon, jo për të të lutur, që vajza jote të vijë në mësim, sepse nuk ka bereqet puna, kur diçka bëhet me pahir, se gjuha shqipe nuk mësohet me lutje, po me qejf e dëshirë. Të mora në telefon për korrektesë, se më the, do të të kthej përgjigje, sa ta pyesje vajzën.

E përgjigjja ishte: “Nuk ka kohë vajza ime ta mësojë gjuhën shqipe, është e zënë me mësimet, me anglishten. Ia mësojmë ne gjuhën shqipe fëmijës”.

Dakord jam, se prindi është burimi i parë, ku fëmija pi ujë për të mësuar gjithçka, jo vetëm gjuhën shqipe. Duke biseduar me vajzën, e ndihmon ta pasurojë fjalorin. Gjuha e re mësohet shumë më lehtë, kur gjuha amtare zotërohet mirë. Fjalori i pasur në gjuhën amtare e ndihmon fëmijën ta mësojë mirë, edhe greqishten, edhe anglishten. Po ta ndihmosh fëmijën ta zhvillojë gjuhën amtare, dy apo tri gjuhë nuk do të përzihen më, edhe nëse fëmija i përdor ato në të njëjtën kohë.

Gjuha amtare është argumenti më i fuqishëm i identitetit kulturor të fëmijës. Gjuha amtare është ashti i ekzistencës tënde, i marrëdhënies tënde me vajzën. Edhe në Shqipëri prindërit ua mësojnë fëmijëve shqipen, se shqip flasin kudo, por përsëri fëmijët futen në shkollë dhe e mësojnë gjuhën shqipe me gramatikë, drejtshkrim, deri në universitet.

Pse nuk e di fëmija shqiptar, që banon në Shqipëri, që futet në shkollë? E fëmija yt, kur kudo flitet në gjuhë të huaj, në shkollë, në shoqëri, madje e familje, e ditka gjuhën shqipe?!

Në çdo shkollë, në Shqipëri, mësohet shqipja standarde, në të shkruar e në të folur, që kudo që të jenë fëmijët, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, të kuptohen.

Si do t’ia mësosh shqipen? Do t’i mësosh shqipen dialektore, me erëza intonacioni në gjuhë të huaj. Çfarë gjuhe është kjo?

Këtu nuk po i fus të gjithë prindërit në një kategori, se ka prindër që jo vetëm mezi presin t’i futin fëmijët në kurs, por këmbëngulin që fëmijët e tyre të flasin shqipen e pastër, të qartë, pa gabime, që të mos ngatërrohet “qeni” me “çelësin”, që kur të ngushëllosh dikë, të mos i thuash: “U preftë në paçe!”, në vend të: “U prehtë në paqe!”

Edhe pse kursi i mësimit të gjuhës shqipe është falas, ti përsëri nxiton të shkosh t’i mësosh vajzës tënde gjuhë të huaj, madje të paguash shumë, ndërsa, kur vjen puna te mësimi i gjuhës shqipe, nuk ke mundësi të blesh as një Abetare. Duke pasur këtë vështirësi tënde, edhe librat, edhe Abetaren po t’i japim falas.

Po prindërve, në ç’gjuhë u flet? Nënës tënde i ther zemra, i qan syri dhe i shurdhohet veshi, kur dëgjon e shikon fëmijët e tu që nuk mund të flasin dot gjuhën shqipe. Jam e sigurt se me vete thotë: “Haram qumështi im, që nuk më jep mundësi të gëzohem me engjëjt e tu!”

Nuk të vjen turp nga vetja?

Të gjitha këto i shkrova jo për të të gjykuar se çfarë bën ti me familjen tënde, por si filologe, që më dhemb zemra, kur dëgjoj, që edhe pse e merrni vesh se jam shqiptare, më flisni në gjuhë të huaj. Unë jua kthej në shqip se nuk kuptoj (kuptoj, madje shumë). Më pas, më flet 2 fjalë çalë – çalë, duke u justifikuar se ke vite që jeton këtu dhe e ke harruar gjuhën.

Po a harrohet gjuha?

Po a harrohet emri i nënës?

Nuk harrohet gjuha po e mbajte gjallë, po e fole. Është si lulja, që po e ushqeve, e ujite, gjallërohet, hapëron aromë.

Ti nuk e ke ndier asnjëherë aromën e të folurit, e të shijuarit të shqipes. Ti nuk ke lexuar asnjë vepër shqip. Ti nuk njeh as kush është Naimi, Fishta, Konica…

Mirë të na i bëjnë… Kur ne nuk kemi respekt për veten, si mund të presim të na respektojnë të tjerët?!

Filed Under: Komente Tagged With: jerida kulla

Fitorja do t’i takojë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

November 17, 2022 by s p

Gjatë qëndrimit dy ditorë të Ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj në Holandë, ai ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë.
Ministri Mehaj ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa ka biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili ishte duke u përballur me probleme shëndetësore.

Në takimet që ka realizuar me secilin, ai i ka njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për anëtarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë.

Ata të gjithë ishin me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Me tej Ministri Mehaj është shprehurës se: “Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë.

Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt.

Ditët e së ardhmes së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare!”

Filed Under: Komente

(Pa)përgjegjësia e Brukselit në tejkalimin e ngërçit Kosovë-Serbi

November 16, 2022 by s p

Kosova si shtet duhet të vazhdojë të këmbëngul në thellimin e bashkëpunimit me diplomacinë ndërkombëtare, sidomos me atë amerikane. Në një situatë kur Serbia shtantazhon çdo përpejkje të Kosovës për të demonstruar në praktikë atributet e shtetësisë, kjo mjafton të merret edhe më seriozisht nga klasa politike e Kosovës, e cila ende nuk e ka ndërtuar një strategji efikase politike e diplomatike, me të cilën pushteti dhe opozita do të impononin modalitetet për daljen nga ky qorrsokak në të cilën ndodhen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Serbia dhe Kosova janë në prag të një krize të rrezikshme, tha të hënën kryediplomati i BE-së Josep Borrell, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE.

Komentet e tij erdhën pas takimeve në Paris javën e kaluar midis BE-së, Francës dhe liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ku shpresat për një takim trepalësh mes “armiqve afatgjatë” nuk u realizuan përfundimisht.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor,” tha Borrell pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së që diskutoi situatën në rajon, duke shtuar se “tensionet e panevojshme dhe kundërproduktive midis Kosovës dhe Serbisë po arrijnë në një nivel shumë të rrezikshëm, në prag të një krize tjetër”.

Brukseli zyrtar, i përfaqësuar kësaj radhe nga kryediplomati i BE-së Josep Borrell, vazhdon ta shohë krizën në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes një qasjeje simetrike. Madje deklarata e tij më tepër është konstatim se sa ndonjë rrugëtregues se nga duhet të lëvizin të dyja vendet drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Çdo kush e ka të qartë se Serbia dhe Kosova janë në prag të “një krize të rrezikshme”, por sa kësaj krize i kanë kontribuuar edhe qasjet prej zjarrfikësi të vet BE-së, i cili përpos që po e komenton situatën në terren, nuk po ofron kurrfarë ideje se si të dilet nga kjo “krizë e rezikshme” .

Tash së fundi doli plani Franko –Gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse ky plan më tepër po qarkullon në formë të një non paper-i që ende nuk është nxjerrë oficialisht në tryezën e dialogut, ai megjithatë dëshmon se sa i ngadalshëm është Brukseli në ideimin dhe formatimin serioz të metodologjisë së dialogut Kosovë-Serbi. Në rastin konkret Parisi, Berlini, e mos të flasim për Washingtonin, janë disa hapa para BE-së në imponimin e diplomacisë aktive e cila nuk i lejon vetes që situata të del nga kontrolli.

Nëse vazhdon kjo qasje e njëanshme dhe ledhatuese e Brukselit ndaj refuzimeve të Serbisë për të (mos)vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nëse i lejohet në pakufi Beogradit të bëj obstruksione të vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës, atëherë do të rrezikohen seriozisht gjasat e Ballkanit Perendimor për t’u integruar në BE.

Vonesat e Evropës kanë qenë gjithmonë fatale për të ardhmen e Ballkanit. Si rezultat e këtyre vonesave ndodhën edhe gjenocidet e tmerrshme serbe në BeH dhe në Kosovë. Diplomacia ndërkombëtare doli me faqe të bardhë vetëm atëherë kur SHBA e zgjoi nga letargjia Evropën e fjetur. Mjafton të kujtojmë intervenimin ushtarak të NATO-s në Kosovë, për të kuptuar se sa të ndryshme janë qasjet në mes të Brukselit dhe Washingtonit.

Deri më tani rezultatet e “Shuttle Diplomacy” që kanë praktikuar të dërguarit e BE-së dhe Washingtoinit (Lajçak, Escobar) nuk kanë dhënë ndonjë rezultat impresionues, por edhe në këtë lloj diplomacie kemi vërejtur se ka një disonancë qëndrimesh.

Ish-sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger dikur para shumë vitesh pyeste: “Kujt t’i telefonoj nëse dua t’i telefonoj Europës?”. Vetëm në vë vitin 2009 Kissinger e mori përgjitjen e tij kur Traktati i Lisbonës krijoi postin e Përfaqësuesit të Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.Por, megjithatë, edhe pas 13 viteve, Politika e Jashtme e BE-së vazhdon të mbetet jo koherente dhe e jo e bashkuar për Kosovën. Tani në Brukel ekziton një telefon prej ku merren thirrjet nga jashtë, por ato thirrje nganjëherë mund të ngelin në ajër nëse ndonjë diplomat kërkon një zgjidhjet sa më konstruktive dhe reale të ngërçit Kosovë-Serbi.

Kosova si shtet duhet të vazhdojë të këmbëngul në thellimin e bashkëpunimit me diplomacinë ndërkombëtare, sidomos me atë amerikane. Në një situatë kur Serbia shtantazhon dhe minon çdo përpejkje të Kosovës për të demonstruar në praktikë atributet e shtetësisë, kjo mjafton të merret edhe më seriozisht nga klasa politike e Kosovës, e cila ende nuk e ka ndërtuar një strategji efikase politike e diplomatike, me të cilën pushteti dhe opozita do të impononin modalitetet për daljen nga ky qorrsokak në të cilën ndodhen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kokëfortësia e pushtetetit për të mos pranuar idetë dhe sugjerimet e opozitës dhe shoqërisë civile si dhe dhe refuzimi i opozitës për të ndërtuar një vizion të ri politik, duke mos korrigjuar hapat e gabuar në të kaluarën, flet për një gjendje në të cilën Kosova dhe qytetarët e saj padrejtësisht po vuajnë pasojat e një mendësie të deplasuar e cila në pafundësi prodhon krizë, mosmarrëveshje dhe paqartësi.

Një diplomat i huaj që vjen në Kosovë do ta ketë vështirë të ndërtojë qëndrime të drejta, nëse vazhdon kjo situatë e brendshme, ku dizajnimi i atmosferës politike nuk bëhet mbi kauzat e bashkëpunimit, por mbi thërmijat e urave të prishura të bashkëpunimit.

Kosova nuk e ka luksin të zhvillojë beteja donkishoteske politike!

Liria e fituar me gjak dhe sakrifica është semafori i kuq ku nuk mund të kalon kjo politikë përçarëse.

Prishtinë, 16. 11. 2022

May be an image of 1 person, standing and text that says "REPUBLIK REPUBLIKA K MINIS MINISTARSTV KOSOVES OF KOSOVO OJTJES RY OF DEFENSE"

See Insights and Ads

Boost post

11

Filed Under: Komente Tagged With: Mehmet Prishtina

Gëzuar Ditën e Veteranëve 

November 11, 2022 by s p

Rafael Floqi/

Të premten, të gjithë amerikanët edhe ne shqiptaro -amerikanët nderojmë veteranët e kombit tonë, një praktikë që daton më shumë se njëqind vjet në fund të Luftës së Parë Botërore. Politikanët nga Baltimore në Honolulu do të mbajnë fjalime nxitëse, siç kanë bërë brezat e politikanëve para tyre. Si veteran i luftërave në Irak dhe Afganistan, jam mirënjohës që ata e vlerësojnë shërbimin tonë, por mendoj se ne mund të bëjmë më mirë se retorika boshe, shkruan njeri syresh

Dita e Veteranëve është një festë ligjore në SHBA kushtuar veteranëve amerikanë të të gjitha luftërave dhe Dita e Veteranëve 2022 do të mbahet të premten, më 11 nëntor. Në vitin 1918, në orën 11 të ditës së 11-të të muajit të 11-të, një armëpushim ose ndërprerje e përkohshme e armiqësitë, u shpall midis kombeve aleate dhe Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, e njohur atëherë si “Lufta e Madhe”.

E përkujtuar në shumë vende si Dita e Armëpushimit, 11 Nëntori u bë një festë federale në Shtetet e Bashkuara në 1938. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Koresë, Dita e Armëpushimit u bë e njohur si Dita e Veteranëve.

Dita e Armëpushimit

Traktati i Versajës u nënshkrua më 28 qershor 1919, duke shënuar fundin zyrtar të Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, data e armëpushimit e 11 nëntorit 1918, mbeti në imagjinatën e publikut si data që shënoi fundin e konfliktit.

Një vit më vonë, në nëntor 1919, Presidenti i SHBA Woodrow Wilson shpalli 11 Nëntorin si përkujtimin e parë të Ditës së Armëpushimit. Vëzhgimi i ditës përfshinte parada dhe tubime publike, si dhe një pauzë të shkurtër në aktivitetet e biznesit dhe të shkollës në orën 11:00.

Më 11 nëntor 1921, një ushtar amerikan i paidentifikuar i vrarë në luftë u varros në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit pranë Uashingtonit, D.C. Në të njëjtën ditë të një viti më parë, ushtarët e paidentifikuar u varrosën në Westminster Abbey në Londër dhe në Harkun e Triumfit në Parisi.

A e dinit? Lulëkuqet e kuqe, një simbol i Luftës së Parë Botërore nga shfaqja e tyre në poemën e dashur “In Flanders Fields” nga John McCrae, shiten në Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar në Ditën e Përkujtimit për të mbledhur para për veteranët ose vishen në xhaketë si shenje nderimi.

Më 4 qershor 1926, Kongresi miratoi një rezolutë që “përvjetori i përsëritur i [11 nëntorit 1918] duhet të përkujtohet me falënderime dhe lutje dhe ushtrime të dizajnuara për të përjetësuar paqen përmes vullnetit të mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis kombeve” dhe se presidenti duhet nxjerrin një shpallje vjetore që bën thirrje për respektimin e Ditës së Armëpushimit.

Deri në atë kohë, 27 legjislatura shtetërore e kishin bërë 11 nëntorin një festë ligjore. Një akt i miratuar më 13 maj 1938 e bëri 11 Nëntorin një festë federale ligjore, “kushtuar për kauzën e paqes botërore dhe që më pas do të festohej dhe do të njihet si ‘Dita e Armëpushimit'”.

Në fakt, nuk ka festa kombëtare të SHBA-së, sepse shtetet ruajnë të drejtën për të caktuar të tyren, dhe qeveria mund të caktojë pushime vetëm për punonjësit federalë dhe për Distriktin e Kolumbias. Megjithatë, në praktikë, shtetet pothuajse gjithmonë ndjekin drejtimin federal.

Nga Dita e Armëpushimit deri në Ditën e Veteranëve

Përpjekjet amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore panë mobilizimin më të madh të Ushtrisë, Marinës, Marinsave dhe Forcave Ajrore të SHBA në historinë e vendit (më shumë se 16 milionë njerëz); rreth 5.7 milionë të tjerë shërbyen në Luftën Koreane.

Në vitin 1954, pas përpjekjeve lobuese nga organizatat e shërbimit të veteranëve, Kongresi i 83-të i SHBA-së ndryshoi aktin e vitit 1938 që e kishte bërë festën Ditën e Armëpushimit, duke shënuar fjalën “Armëpushim” në favor të “veteranëve”. Presidenti Dwight D. Eisenhower nënshkroi legjislacionin më 1 qershor 1954. Që atëherë, 11 nëntori u bë një ditë për të nderuar veteranët amerikanë të të gjitha luftërave.

Zhvillimi tjetër në historinë e Ditës së Veteranëve u shpalos në vitin 1968, kur Kongresi miratoi Aktin Uniform të festave të së hënës, i cili kërkonte të siguronte fundjavë tre-ditore për punonjësit federalë – dhe të inkurajonte turizmin dhe udhëtimin – duke festuar katër festa kombëtare (Ditëlindja e Uashingtonit, Përkujtimi Dita, Dita e Veteranëve dhe Dita e Kolombit) të hënën.

Dita e Veteranëve u caktua si e hëna e katërt e muajit tetor. Dita e parë e Veteranëve sipas ligjit të ri ishte e hënë, 25 tetor 1971; konfuzioni pasoi, pasi shumë shtete nuk e miratuan këtë ndryshim dhe vazhduan të respektojnë festën në datën e saj origjinale.

Në vitin 1975, pasi u bë e qartë se data aktuale e Ditës së Veteranëve kishte një rëndësi historike dhe patriotike për shumë amerikanë, Presidenti Gerald Ford nënshkroi një ligj të ri që kthente respektimin e Ditës së Veteranëve në 11 Nëntorin duke filluar në 1978. Nëse 11 Nëntori bie të Shtunën ose të dielën, qeveria federale e respekton festën të premten e mëparshme ose të hënën pasuese, përkatësisht. Zyrat qeveritare janë të mbyllura në Ditën e Veteranëve.

Dita e Përkujtimit

Britania e Madhe, Franca, Australia dhe Kanadaja gjithashtu përkujtojnë veteranët e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore në ose afër 11 nëntorit: Kanadaja ka Ditën e Përkujtimit, ndërsa Britania ka të Dielën e Përkujtimit (të dielën e dytë të nëntorit). Në Evropë, Britaninë e Madhe dhe vendet e Komonuelthit është e zakonshme që çdo 11 nëntor të mbahet dy minuta heshtje në orën 11:00.

Traditat e Ditës së Veteranëve

Në Shtetet e Bashkuara, një ceremoni zyrtare e vendosjes së kurorave mbahet çdo Ditë të Veteranëve në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ndërsa parada dhe festime të tjera mbahen në shtete anembanë vendit.

Dita e Veteranëve nuk duhet ngatërruar me Ditën e Përkujtimit memorial day  – një keqkuptim i zakonshëm, sipas Departamentit të Çështjeve të Veteranëve të SHBA. Dita e Përkujtimit (e hëna e katërt e majit) nderon Anëtarët e shërbimit amerikan që vdiqën në shërbim të vendit të tyre ose si rezultat i lëndimeve të shkaktuara gjatë betejës, ndërsa Dita e Veteranëve u bën homazhe të gjithë veteranëve amerikanë – të gjallë apo të vdekur – por veçanërisht falënderon veteranët e gjallë që i shërbyen vendit të tyre me nder gjatë luftës ose kohës së paqes .

Ushtaraket amerikanë me origjinë shqiptare të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore, u inkuadruan në rradhët e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe luftuan në frontet e Paqësorit (kundër Japonisë) dhe në atë të Europës (kundër Gjermanisë).

Nuk ka një statistikë të saktë, por besohet se numri i emigrantëve shqiptarë të rreshtuar në ushtrinë amerikane gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ishte relativisht i lartë. Madje një ndër eksponentët më të njohur të Shërbimit Informativ të SHBA-së gjatë viteve 1939 – 1945 (OSS), i quajtur Thomas Stephan (Thoma Stefani) u atashua në Shtabin e Përgjithshëm të UNCSH, dhe personalisht pranë vetë Enver Hoxhës. Kjo ka vazhduar dhe ne te gjithe luftrat e tjera qe ka bere SHBA edhe sot

Kur qeveria amerikane i dha fund draftit në 1973 dhe miratoi modelin ushtarak të forcave vullnetare, ajo ndau efektivisht forcat e armatosura nga pjesa tjetër e vendit. Sot, veteranët përbëjnë vetëm 7% të popullsisë së rritur të SHBA-së, që do të thotë se shumica e amerikanëve ndoshta nuk njohin askënd me përvojë ushtarake. 

Ka rreth 19 milionë veteranë të gjallë sot,  78% kanë shërbyer në luftime, nga Lufta e Dytë Botërore në Irak. Lufta prek të gjithë ata që e ndeshen, disa më shumë se të tjerët. Veteranët e Amerikës në Irak dhe Afganistan (IAVA), një organizatë jofitimprurëse, deklaron se 65% e anëtarëve të saj raportuan PTSD të lidhur me shërbimin dhe mbi gjysma raportuan ankth (58%) ose depresion (56%). 

Dislokimet nuk prekin vetëm anëtarin e shërbimit; familjet e tyre janë të përfshira ngushtë në mungesën dhe kthimin e tyre në shtëpi dhe shumë nga këto ribashkime nuk kanë një fund të lumtur. Hulumtimet nga Universiteti Brigham Young zbuluan se martesat e veteranëve meshkuj të luftës kishin 62% më shumë gjasa të përfundonin në divorc ose ndarje sesa martesat e burrave të tjerë. Sipas sondazhi nga IAVA. Së fundi, Departamenti i Çështjeve të Veteranëve ka zbuluar se veteranët vrasin veten me një shkallë 1.5 herë më të madhe se bashkëmoshatarët e tyre civilë, mesatarisht rreth 17 veteranë çdo ditë. Tragjikisht, grupi më i ri, veteranët e pas 11 shtatorit të moshës 18 deri në 34 vjeç, marrin jetën me një shkallë më të lartë se çdo grup tjetër veteranësh.

Shumica e amerikanëve vlerësojnë shërbimin e veteranëve dhe duan t’i mbështesin ata: 72% e të rriturve amerikanë nga të dyja partitë politike i thanë Qendrës Kërkimore Pew se “ata do të rrisnin shpenzimet për përfitimet dhe shërbimet e veteranëve”. Udhëheqësit tanë të zgjedhur, megjithatë, ndonëse janë të shpejtë me një foto duke premtuar mbështetjen e tyre për trupat, shpesh hezitojnë të ndjekin deklaratat e tyre publike. Merrni, për shembull, Aktin e Nderimit të PACT-it të vitit 2022, një pjesë e legjislacionit të krijuar për të përmirësuar aksesin dhe financimin e kujdesit shëndetësor për veteranët që u ekspozuan ndaj substancave toksike gjatë dislokimit. Kalimi i tij ngeci në Kongres për pesë ditë në fillim të këtij viti, kur 25 senatorë republikanë, secili prej tyre pa dyshim të veshur me një gjilpërë të flamurit të SHBA-së, tërhoqën mbështetjen e tyre. Ata ndryshuan mendje vetëm pasi u vunë nën presionin e grupeve të veteranëve dhe mediave. Kështu na falënderon Senati për shërbimin tonë?

Në vitin 2017, Kongresi miratoi Aktin Përkujtimor të Luftës Globale kundër Terrorizmit për të krijuar një memorial kombëtar në Uashington, DC, por ai ende nuk është financuar dhe një vend në Qendrën Kombëtare nuk është dedikuar. Në mënyrë të ngjashme, Akti i Ndërtimit të Zgjidhjeve për Veteranët që Përjetojnë të Pastrehuar i vitit 2021 synon të forcojë programet që ndihmojnë veteranët të gjejnë zgjidhje të përhershme për paqëndrueshmërinë e strehimit dhe mungesën e strehëve, por as ai nuk është miratuar në ligj. Është e qartë se kur bëhet fjalë për nderimin e veteranëve tanë, flitet shumë, por jo shumë veprime.

Nëse vërtet dëshironi të falënderoni një veteran për shërbimin e tyre sot, telefononi anëtarin tuaj të Kongresit. U thoni atyre se është koha që afro 7,000 pjesëtarët e shërbimit që kanë vdekur dhe 2 milionë që kanë shërbyer që nga 11 shtatori, të kenë një memorial kombëtar ku mund të mblidhen, të kujtojnë kohën e tyre të ulët dhe të nderojnë miqtë e tyre që nuk u kthyen në shtëpi. Thuaju atyre se është një turp që veteranët amerikanë do të flenë jashtë, ndërsa legjislacioni për t’i ndihmuar ata lëngon në Kongres. Tregojuni atyre se koha për të folur ka mbaruar dhe veteranët tanë kanë nevojë për veprime, jo fjalë, në këtë ditë të krijuar për të nderuar sakrificën e tyre.

Pasi Amerika do te jete shtepia e lirise per derisa te jete toka e trimave.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 488
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT