• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Blerim Reka dha një pritje ceremoniale në Manhattan në vigjilje të 18 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

February 17, 2026 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e “Empire Steak House” në Manhattan, Ambasadori Blerim Reka, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosoves dha një pritje ceremoniale në Manhattan në vigjilje të 18 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është tejet emocionuese dhe po aq krenari tek shikon shqiptarët të mblidhen së bashku dhe të respektojnë e të përulen para kësaj dite të shenjtë të Pavarësisë së Kosovës. Në hyrje prisnin me plot përzemërsi Ambasador Blerim Reka së bashku me bashkëshorten e tij fisnike pedagoge Ymrane Reka.

Ceremonia festive u hap tradicionalisht me interpretimin e himneve të Republikës së Kosovës dhe të Amerikës.

Fjalën e hapjes ceremoniale e mbajti Ambasadori Reka. Salla ishte e mbushur plot e përplot me personalitete të shquara nga Diaspora

Shqiptaro – Amerikane. Krenari të takoheshim me luftëtarë të UÇK-së si Qerim Gjocaj i cili i ka dhënë dorën në luftë Kosovës, Shpëtim Qorraj biri i dëshmorit Mustafë Qorraj dhe kandidat për në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut, Gjeneral Gani Shehu etj.

Krenare të kishim midis nesh dhe nxënësen plot vullnet të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn Dastida Gashi e cila bashkë me të gjitha shkollat nëpër New York festuan Pavarësinë e Kosovës. Ajo ishte e shoqëruar nga prindërit e saj shqiptarë të Kosovës me kontribute, të cilët janë histori suksesi në Diasporë, Fatlinda Bajçinca dhe Agron Gashi. Ambasadori Reka përshëndeti te gjithë të pranishmit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm në 18-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ai e quajti Diasporën Ambasadorë të Kosovës dhe të Kombit, pasi vazhdoi ai ju ishit zëri ynë në Kosovë në një kohë, kur ne na ishte mohuar e drejta e fjalës nga sllobodan milloshevici dhe sistemi I tij kriminel. UÇK-ja me komandant legjendar Adem Jasharin, Diaspora dhe aleati yne i rëndësishëm Amerika bën të mundur që të fitonim Pavarësinë e Kosovës. Ne ju jemi përjetësisht mirënjohës.

Populli i Kosovës vuajti tmerrësisht, një shekull i kolonizuar, dhunë, gjenocid kundër shqiptarëve nga shteti serb. Tmerret, vrasjet makabre janë përjetësuar ndër filma, piktura, libra poezi si psh në Baladë Lirie e Kosovës shkruar nga poeti i shquar i Kombit Agim Shehu si: Posi nga zër’ i perëndive/ u zgjua kontinenti plak/ Nga cili akt i tragjedive/ sot mbi Kosovë kulloi kaq gjak?!Në ç’kontinent jeton kështu/ një popull si mbi rjedhë ujvare?!Foshnjat, kaq breza, qiellin blu e shohin mbi helmetat sllave/ Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi. Ja ku jemi sot duke festuar 18-të Vjetorin e Republikës së Kosovës, shteti më i ri evropian dhe që është vendi më pro-amerikan dhe më demokratik në Ballkan.

Sot Kosova është histori suksesi i shtet-ndërtimit demokratik.

Pas ceremonisë pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë duke trokëllitur gotat të gëzuar që Kosova po feston 18 -Vjetorin e Pavarësisë. Gëzuar përjetësisht Kosova jonë martire! TV “Alba Life” me themelues dhe producent z. Qemal Zylo do të transmetojë së shpejti në kanalet televizive kronikën e pëgatitur për këtë aktivitet të rëndësishëm.

16 Shkurt, 2026

Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet

Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen

February 12, 2026 by s p

Në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” u bë promovimi i librit “Reçaku, historia e një krimi lufte”, shkruar nga ambasadori William G. Walker

Nga dr. Sadik Elshani

Ditën e shtunë, më 7 shkurt, në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” në Philadelphia u zhvillua një veprimtari e rëndësishme dhe shumë e veçantë: promovimi i librit të ambasadorit William Walker, “Reçaku, historia e një krimi lufte”. Kjo veprimtari ishte konceptuar jo vetëm si një promovim libri, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimet tona ambasadorit Walker për rolin e tij vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Njëkohësisht, për t’u përkulur me nderim para viktimave të masakrës së Reçakut, si dhe para të gjitha viktimave të tjera të regjimit gjenocidal serb.

Nga gjaku i këtyre viktimave të pafajshme dhe nga gjaku i derdhur i dëshmorëve që luftuan me trimëri kundër pushtuesit serb lindi liria e Kosovës. Si në legjendat dhe baladat shqiptare, ata u bënë flijim (kurban) i lirisë dhe i ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Interesimi për këtë veprimtari ishte i jashtëzakonshëm. Edhe pse ishte dita më e ftohtë e këtij sezoni dimëror, salla ku u zhvillua veprimtaria ishte e stërmbushur me bashkatdhetarë që kishin ardhur edhe nga shtete të tjera: Nju Xhersi, Nju Jorku, Connecticut etj. Ambasadori Walker shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Nelly, si dhe nga dy veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, njëherësh bashkëpunëtorë të tij, Sab Gashi dhe Lulzim Shubiu.

Që në fillim të veprimtarisë u shfaq një reportazh që pasqyronte masakrën e Reçakut dhe rrjedhën e ngjarjeve në vitet në vazhdim, realizuar nga Radio Free Europe/Radio Liberty.

Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili i përshëndeti mysafirët dhe të pranishmit, duke i falënderuar për pjesëmarrjen. Ai falënderoi z. ambasador dhe i shprehu mirënjohje për angazhimin e tij në Kosovë dhe posaçërisht për zbardhjen e masakrës së Reçakut, si dhe për këmbënguljen e tij për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre. Jehona e saj alarmoi botën perëndimore, e cila më në fund duhej të angazhohej për shpëtimin e popullsisë shqiptare nga regjimi gjakatar serb.

Për vlerat e librit ishte caktuar të fliste z. Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës dhe njëherësh shkruesi i këtyre radhëve, i cili kishte bërë një analizë të thuktë. Z. Elshani shprehu kënaqësinë që në mesin tonë kishim një mik të madh të shqiptarëve, një nga personat më të dashur e më të respektuar nga të gjithë shqiptarët, një diplomat par excellence, një njeri të mrekullueshëm. Emri i z. Walker për shqiptarët është bërë tashmë sinonim me Reçakun.

Para angazhimit të tij në Kosovë, ambasadori Walker ka shërbyer si diplomat kryesisht në Amerikën Latine dhe Amerikën e Mesme, ku ka mbajtur poste të rëndësishme, në fund edhe si ambasador në El Salvador. Këto pjesë të botës në atë kohë kanë qenë zona të trazuara me probleme sociale, ideologjike dhe konflikte të armatosura. Këto përvoja të ashpra e kishin bërë ambasadorin Walker kandidatin më të përshtatshëm për angazhimin e tij në Kosovë si shef i Misionit Verifikues.

Z. Elshani bëri edhe një pasqyrë të shkurtër të gjendjes së rëndë në Kosovë gjatë viteve 1989–1999, lëvizjen paqësore të dr. Rugovës dhe paraqitjen e luftën e UÇK-së – ngjarje që pasqyrohen edhe në faqet e këtij libri.

Pastaj erdhi masakra e Reçakut. Në momente të tilla dramatike është thelbësore që e vërteta të dëshmohet nga një person me integritet, dinjitet njerëzor dhe guxim; nga një njeri që i ka parë këto tmerre me sytë e tij. Ishte fat në fatkeqësi që në atë situatë tragjike ishte i pranishëm një diplomat amerikan me përvojë, i cili alarmoi botën perëndimore kur deklaroi publikisht se bëhej fjalë për krime kundër njerëzimit.

Sikur atë ditë në Reçak të mos kishte qenë i pranishëm ambasadori Walker, përfundimi mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe. Viktimat do të kishin mbetur thjesht numra në një listë të gjatë. Ambasadori Walker punoi pa u ndalur që këto viktima të mos vdisnin kot. Me veprimet e tij ai u dha atyre zë, dinjitet dhe drejtësi morale.

Pas kësaj masakre ndodhi Konferenca e Rambujesë dhe më pas bombardimet e NATO-s. Të gjitha këto zhvillime çuan në çlirimin e Kosovës. Megjithatë, Serbia ende nuk ka marrë përgjegjësi për këtë krim dhe për krimet e tjera të kryera në ish-Jugosllavi.

“Reçaku, historia e një krimi lufte” është një libër i fuqishëm, i shkruar me gjuhë të pastër dhe të drejtpërdrejtë, që sjell dëshmi të dorës së parë nga terreni dhe nga prapaskenat e diplomacisë. Është një monument i shkruar për kujtimin e viktimave të Reçakut dhe një referencë e rëndësishme për historianët dhe studiuesit. Njëkohësisht, është një doracak i vlefshëm për diplomatët dhe një mësim historie për brezat e rinj.

Shqiptarët janë popull mirënjohës, prandaj e falënderojmë ambasadorin Walker për kontributin e tij të pakursyer. Një statujë bronzi e tij qëndron pranë Memorialit të Viktimave të Reçakut.

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë përshëndeti ish-kryetari i saj, z. Mhill Velaj. Dr. Doruntinë Rukiqi dhe zonjusha Jona Hajrullahu ndanë dëshmi personale prekëse për përjetimet e familjeve të tyre gjatë luftës.

Me shumë entuziazëm u prit fjala e ambasadorit Walker. Ai falënderoi organizatorët dhe foli për përvojën e tij si shef i Misionit Verifikues. Masakrën e Reçakut e cilësoi si pikë kthese në luftën e Kosovës.

Shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi ambasadorin me Certifikatën “Anëtar Nderi i Shoqatës”.

Veprimtaria vazhdoi me lexim poezie nga z. Lutfi Brami, me dhurimin e librit të z. Sulejman Dida dhe me një këngë folklorike kushtuar Reçakut, kënduar nga Sadik Krasniqi.

Në përmbyllje u shtrua koktel dhe u bë nënshkrimi i librave nga autori.

Ishte një veprimtari madhështore, e organizuar me profesionalizëm dhe përkushtim. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe miqësore. Ambasadori Walker mbetet ndër personalitetet më të respektuara dhe më të dashura për shqiptarët.

Ambasadorit i dëshirojmë pleqëri të mbarë, shëndet dhe suksese të tjera në të ardhmen.

Philadelphia, më 9 shkurt 2026

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Komunitet

Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi

February 12, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

🇦🇱🇽🇰UÇK-ja nuk është organizatë kriminale; ajo ishte Ushtria Çlirimtare e një populli të shtypur që po kërkonte liri e pavarësi. Serbia ishte ajo që kreu krime lufte, vrau e masakroi civilë, dogji fshatra e qytete dhe dëboi një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre, derisa ndërhyrja e Amerikës dhe NATO-s ndaloi këtë makineri të spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Ajo që po bën sot Gjykata Speciale në Hagë nuk i shërben drejtësisë dhe as paqes në Ballkan. Kjo është një përpjekje për ta rishkruar historinë dhe për ta zhvendosur fokusin nga agresori tek viktima, duke krijuar një barazi të rreme midis një ushtrie çlirimtare dhe aparatit kriminal shtetëror serb që shkaktoi të gjitha luftërat e Ballkanit.

🇺🇸 Washingtoni dhe bota perëndimore duhet të veprojnë, që ky mekanizëm të mos shndërrohet në instrument të falsifikimit të historisë.

Populli ynë dhe komuniteti shqiptaro-amerikan kërkojnë drejtësi.

Filed Under: Komunitet

KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”

February 2, 2026 by s p

Hamid Alaj/

Në Qendrën Komunitare Shqiptare (Albanian Community Center) në Staten Island komuniteti krajan nën udhëheqjen e shoqatës së tyre e cila mban emrin e këtij komuniteti dhe trevës nga vinë ata-Shoqata Kraja, sot në përputhje me aktet dhe procedurat statusore të sajë mbajti mbledhjen e sajë të parë të vitit 2026 e cila përkoi me zgjedhjet e pergjithshme për kryesin e re. Fjalën e hapjes e mbajti nën/kryetari i kësaj shoqate z. Hysen Kraja, aktivistë, humanitarë dhe kontribues i dalluar në komunitetin krajan dhe jo vetëm. Pastaj fjalën e përshëndetjes e mori edhe kryetarja në dorzim deryre të Shoqatës Kraja znj. Venera Gjenashi e cila në fillim të fjalimit të saj i përshëndeti të pranishmit për pjesmarrjen e tyre dhe në vazhdim të fjalimit të saj ajo përcolli falenderimet më të mira për komunitetin krajan për përkrahjen e tyre të mandatit të saj dy vjeçar si kryetara e kësaj shoqate duke vënë në dukje se të punosh me komunitetin krajan është një privilegj dhe kënaqësi shpirtërore duke udhëhequr një nga shoqatat e para dhe më të suksesshme të diasporës shqiptare.

Pasta fjalën në vazhdim e mori përsëri nën/ kryetari i shoqatës z. Hysen Kraja. Fjalët e tija sa të qëlluara po aqë domethënëse, i drejtohet komunitetit të pranishëm krajan i cili i falenderoj të pranishmit për pjesmarrjen e tyre dhe në vazhdim të fjalimit të tij paraqiti kandidaturen e individit i cila ka shprehur dëshirën që të kandidojë për kryetar të Shoqatës Kraja po pa lënë anash duke ju drejtua të pranishmëve nese ka dikush qe ka ndonji propozim për kryetar përveç kandiduesit në fjalë.

Ai në vazhdim tha se kandidati i vetëm për kryetar i Shoqatë Kraja është vetëm një dhe ai është z. Sylejman Vela. Të gjithë të parnishmit njëzëri u pajtuan me këtë kandidat për kryetar të ardhshëm dy vjeçar të Shoqatës Kraja. Z. Sylejman Vela me votim të hapur në prani të pjesmarrësve në këtë mbledhje u zgjodh unanimisht Kryetar i Shoqatës “Kraja” për mandatin e ardhshëm dyvjeçar. Zgjedhja e tij u mbështet nga gjithë të pranishmit të cilët shprehën besimin që veprimtaria e shoqatës të jetë në shërbim të komunitetit krajan këtu në diasporë dhe në vendlindje-Krajë dhe jo vetëm. Me pranimin e detyrës si kryetar i ardhshëm i Shoqatës Kraja z. Sylejman Vela mbajti fjalim e tij të rastit si pranues i detyrës së tij si kryetar. Gjatë fjalimit të tij sa domethënëse po aq inspiruese i përshëndet dhe i falenderoj të pranishmit për votën e tyre, përkrahjen dhe besimin që ata treguan për ta udhëhequr shoqatën për dy vitete e ardhshme. Gjatë fjalimit të tij u zotua se puna ime me punën tuaj të përbashkët në instancat e shoqatës dhe përkrahjen të mirë të komunitetit krajan do të kryhet me përkushtim dhe përgjegjësi morale e humanitare për Krajën dhe krajanët dhe jo vetëm.

Kush është z. Sylejman Vela? I lindur në fshatin Bes(ë) të Krajës (Shestanit) në një familje me tredita atdhetare dhe komunitare. Si shumë bashkëvendas të tij emigroi në SHBA-New York ku filloi punë dhe krijoi familjen e tij të mrekullueshme. Sylejmani pas disa viteve punë hapë biznesin e vet duke arritur një sukse të madh me punën e tij profesioniste dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë një biznesmen i dalluar në komunitet. Ai dallohet me punët e tij dhe humanizmin e tij jo vetëm në komunitetin krajan por edhe më gjërë. Bamirësia, humanizmi, ndihmat dhe kontributete e tija janë moto e jetës së tij. Ai din ta shtrij dorën edhe aty ku ndoshta të tjerët nuk marrin guximin e tillë vetëm që ai që ka nevojë ta ndiej veten edhe ai në mesin e të mirëve.

Bamirësit dhe humanizmi i tij shtrihet dhe i tejkalon kufijtë edhe përtej trevës nga ai vjen- Kraja. I edukuar familjarisht dhe shpirtërisht në vepra të mira për Sylejmanin këto janë inspirim i vlerave humanitare. “Duhet të ndihmojmë të varfërit, tu tregojmë paqën gjithkujtë, të përhapim në mes njerëzve dashurinë, respektin, të kultivojmë të mirën dhe të ndihmojmë njëri tjetrin”. Këto janë fjalët që le të kuptojmë se ky është Kryetari i posazgjedhur i Shoqatës Kraja z. Sylejman Vela. Autori i këtij shkrimi i uron shumë suksese në detyrën e marrun përsipër si Kryetar i Shoqatës Kraja, mbarësi dhe punë të mbarë në të mirë të shoqatës dhe komunitetit që ajo përfaqëson.

Filed Under: Komunitet

ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA

January 31, 2026 by s p

Dr. Paulin Marku/

Veprimtaria e Abas Kupit është e ndarë, sa në Shqipëri dhe sa në emigracion. Nepërmjet aktivitetit polik ai dallohet si një veprimtar i shquar që luftoi regjimin komunist dhe nuk u pajtua asnjëherë, deri në ditën e tij të vdekjes. Abas Kupi ishte kundërshtarë i hapur i regjimin komunist, të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe dëshmoi oponencë në emigracion nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit. Ai kundërshtoi regjimin nëpërmjet lëvizjes së Legalitetit, bashkoi shumë bashkatdhetar të pakënaqur ndaj regjimin dhe bashkpunoi edhe me shumë organizata e grupime antikomuniste në diasporë. Abas Kupi ishte ushqyer me vlera atdhetare e nacionaliste dhe kishte dëshmuar guxim që në vitin 1914 kur kishte kundërshtuar lëvizjen Haxhi Qamilit, edhe pse atëherë ishte në moshë të re, vetëm 22 vjeç. Pas kundërshtisë së lëvizjes Qamiliste, evidentohet se kishte kundërshti e përplasje edhe me pushtetarët e asaj kohe në Shqipëri.  Me mbretin Ahmet Zogu ndërtuan marrëdhënie bashkëpunimi dhe fituan besim të ndërsjellët dhe arritën të kenë raporte tepër të mira, deri në ditën e vdekjes të Ahmet Zogut. Po ashtu, Abas Kupi mbajti marrëdhënie të ngushta edhe me pasardhësit e familjes zogiste. Gjatë periudhës së Zogut, Abas Kupit iu besuan poste të rëndësishme në radhët e rendit dhe sigurisë publike dhe shërbeu në Krujë, Durrës, Vlorë dhe së fundmi komandat Abas Kupi gjendet në postet drejtuese në Durrës dhe bëri rezistencë me disa patriotë të tjerë, për të mbrojtur vendin nga pushtimi i Italisë, të 7 prillit 1939. Durrësi ishte qyteti i fundit bregdetar që u dorëzua, pasi më parë kishin rënë qytete si, Shkodra, Shëngjini, Vlora, Saranda etj… por falë rezistencës së Abas Kupit me shumë atdhetarë të tjerë pati rezistencë luftarake në bregdetin e Durrësit. Marrja e drejtimit të Shqipërisë nga komunistët  me në krye, Enver Hoxhën do të shkaktonin një valë arrestimesh, persekutimesh, internimesh, me shumë vuajtje ku nuk kursyen as fëmijë, gra e pleq e plaka të cilët përfunduan nëpër kampe internimi. Gjithashtu, regjimi komunist shkaktoj traumë sociale, krizë ekonomike dhe shumë kundërshtarë të sistemit diktatorial të Enver Hoxhës përfunduan nëpër burgje dhe me eliminime fizike, disa prej tyre s’ju gjeten as eshtrat e tyre. Për këto arsye të lartpërmendura, e shumë forma dhune e persekutimi të tjera, pati një valë largimesh nga Shqipëria. Ata që nuk pajtoheshin me regjimin dhe ishin kundër sistemit, u detyruan të largoheshin nga Shqipëria, ku një ndër shumë të larguarit, ishte edhe Abas Kupi. 

Për Abas Kupin do të rifillonte sfida e jetës në emigrim, sa në Evropë, Azi, Afrikë dhe në Amerikë. Por ai as nuk u dorëzua dhe as nuk u inkurajua por u aktivizua në jetën publike politike dhe ishte aktiv në komunitetin shqiptar në emigracion nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit për të luftuar regjimin komunist në Shqipëri. Në diasporë u organizuan shoqata, komitete e lëvizje antikomuniste të shumta, të cilat funksiononin vepronin të ndara por në vitin 1949 filluan të bashkëpunonin për të qenë të bashkuar kundër regjimit dhe disa figura patriotike të kohës, si Mit’hat Frashëri, Abas Kupi, Zef Pali, Said Kryeziu etj…, mendonin se duhet patur një organizim të përbashkët, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Formimi i komitetit do t’ju jepte mundësinë të bashkonin opozitarët shqiptar dhe do të shkonin nëpër vende të Evropës, Gjermani, Francë, Angli, Itali, etj. Po ashtu, udhëtuan dhe në SHBA, së bashku me Mit’hat Frashërin, Said Kryeziun, Zef Palin, e Abas Kupi për të takuar shqiptarët antikomunist dhe për të lobuar me përfaqësues të vendeve të ndryshme. Ata punuan për ndërgjegjësimin e opinionit publik nëpërmjet shtypit të kohës, radiove me emisionet radiofonike, takimeve me bashkatdhetar në emigracion për të demaskuar komunizmin, kundërshtimeve ndaj politikës së ashpër shtypëse të Enver Hoxhës dhe grupit të tij që ishin të vendosur për eliminimin e kundërshtarëve politik të qeverisë së Tiranës me çdo formë (internime, persekutime deri në eliminimin fizik). Ata kundërshtonin regjimin nëpërmjet shtypit në emigracion “Shqiptari i Lirë” “Atdheu”, në gazetën “Dielli” e broshurave të ndryshme shtypur në emigracion. Lidhur me kundërshtarët politik të regjimit, Tirana Zyrtare kishte marrë informacion se Abas Kupi kishte vizituar Amerikën dhe Kanadanë në 1958 duke takuar të arratisur politik dhe se po vazhdonte përpjekjet për të bashkuar shqiptarë në Lëvizjen e Legalitetit.

Abas Kupi qëndroi në Romë Itali deri në 1957 dhe pastaj sa në nëpër Evropë sa në Amerikë e Kanada, deri në vitin 1968 që shënon largimin përfundimtar të tij nga Evropa dhe zhvendoset në New York, USA . Ai u mirëprit nga të afërmit (djemtë, nipa, të afërm, miq e shokë të shumtë), si dhe pati një pritje të ngrohtë edhe nga antikomunistët që jetonin në Amerikë. Veprimtaria e mërgatës shqiptare ishte aktive kundër regjimit komunist dhe i jepte mundësinë të kishte veprimtari politike dhe këtë mundësi e shfrytëzoi Abaz Kupi duke organizuar takime dhe manifestime të ndryshme me diasporën e Amerikës. 

Në vitin 1952 “Vatra” nëpërmjet gazetës “Dielli” shprehej se një numër i madh antikomunistësh kanë ardhur në Amerikë dhe po bëjnë propagandë të fortë kundër regjimit komunist dhe se besojnë në principet demokratike. Qeveria shqiptare i frikohej bashkimit të emigracionit shqiptar të Amerikës. Gazeta Dielli kritikonte sistemin komunist të Enver Hoxhës. Vizita e Leka Zogut në Amerikë dhe mbajtja e një takim në Michigan me kryetarin e “Vatrës” dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që ishin antikomunistë nxiti komunitetin shqiptar për të bashkëpunuar kundër regjimit të Enver Hoxhës. Editori i “Diellit” Xhevat Kallajxhiu kritikonte qeverinë e Tiranës dhe i kërkonte të ndryshonte qasje dhe të mos të mbetej e izoluar nga bota. Xhevat Kallajxhiu po sjelltë në shtypin e gazetës “Dielli” antikomunistët, Mit’hat Frasheri, Abaz Kupi, Vasil Andoni, etj …

Sipas dokumenteve të arkivave të kohës, Ministria e Jashtme e Shqipërisë informohej rregullisht lidhur me emigracionin politik shqiptar në SHBA dhe për veprimtarinë e tyre dhe për aktivitetin e tyre kundër regjimit komunist. Dokumenti pohonte se citoj: “grupe të ndryshme të emigracionit reaksionar që ekzistojnë këtu, qendrat dhe shtypi i tyre. Raportonte se: “Gjatë gjysmës së parë të 1960-ës, gjendja në emigracionin politik në SHBA nuk ka pasur ndryshime me rëndësi. Numri i të arratisurve që ndodhen këtu ka ardhur duke u shtuar, se kanë vazhduar të vinë persona nga Evropa Perëndimore. 1. “Komiteti Shqipëri e Lirë”, 2. Grupi i Ballit Kombëtar, 3. Grupi i Bllokut Indipendent, 4. Grupet zogiste. 5.Grupet e “Legalitetit”. Këtu qëndrojnë disa nga krerët kryesorë të të dy grupeve zogiste si dhe disa nga ata zogistë që qëndrojnë të çkëputur. Konkretisht qëndrojnë këtu: Gaqo Gogua e Selim Damani të “Partisë Monarkiste”; Abaz Kupi i grupit të “Legalitetit” (ky ka bërë një seri lëvizjesh në qytetet të ndryshme si në Detroit, Çikago e Toronto, por nuk dijmë se ku qëndron tani); Nuçi Kota e të tjerë zogistë të çkëputur. Në relacionin e mëposhtëm drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me emigracionin ekonomik dhe politik shqiptar në SHBA dhe aktivitetin e tij gjatë muajve janar-korrik 1963, New York, më 10 gusht 1963 pasqyrohet veprimtaria dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve në USA për periudhën janar-korrik 1963: Grupi i “Bashkimit shqiptar”, Lidhja e Prizrenit, Federata Pan Epirote e Amerikës, Organizata e “Vatrës”, Mbi Komitetin “Shqipëria e Lirë, Blloku Indipendent, Mbi Ballin e Bashkuar të Hasan Dostit dhe Ali Këlcyrës, Legaliteti dhe grupi monarkist. Ashtu siç paraqitet edhe në dokumentacionin e kohës veprimtaria e emigracionit shqiptar në Amerikë ndiqej me interes nga regjimi komunist. 

Në fund të vitit të kaluar u bë riorganizimi i Legalitetit. Iniciatorët kryesorë të kësaj ishin Nuçi Kota dhe Selim Damani. Mbas shumë përpjekjesh, në fund të nëntorit 1962 në New York u mbajt kongresi i parë i organizatës kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”. Delegatë të degëve të Legalitetit në shtete të tjera, por që nuk patën mundësi të merrnin pjesë në kongres, emëruan përfaqësues të tyre nga legalistët këtu. Vetëm nëpërmjet një procedure të këtillë u bë e mundur mbajtja e kongresit. Folësi kryesor në kongres ishin Nuçi Kota dhe Selim Damani, të cilët parashtruan platformën e organizatës të përpunuar në projekt programin dhe projektstatutin e Legalitetit. Për drejtimin e punimeve të kongresit u zgjodh Reshat Agaj. 

Në kongres u zgjodh Këshilli Kombëtar i organizatës me kryetar Abaz Kupin, nënkryetar, Ferid Dervishin dhe anëtarë: Nusret Bejkosala, Reis Agaj, Hamza Drini, Hodo Kulla, Agim Sula, Kadri Sina, Ali Temali, Tahir Markia, Enver Shaska etj. U zgjodh gjithashtu edhe Këshilli Qendror i Legalitetit me Nuçi Kotën dhe Selim Damanin – sekretar dhe zv. sekretar të Përgjithshëm respektivisht dhe me anëtarë: Faik Bukmiri, Xhemali Bajrami, Arif Bylykbashi, Muhedin Haxhiu, Adem Hodo, Ragim Lohja, Lek Martini, Fuad Myftiu, Mazar Pustina, Ferdin Toptani etj. Në kongres morën pjesë të ftuar amerikanë, përfaqësues të organizatave të tjera të emigracionit reaksionar shqiptar, si dhe të emigracionit të vendeve të tjera.

Intelektualët dhe veprimtarët politikë jo vetëm nuk gjetën hapsirë për të kontribuar ne vendin e tyre por ata u përzunë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës siç ishte Abas Kupi. Është një paralelizëm tragjik ku e njëjta gjë ndodh edhe sot me qeverinë e socialistëve ku rinia, intelektualet dhe elita e kombit është përzene nga atdheu prej qeverisë Rama. Patriotet nuk e harrojne kurre atdheun dhe ne çdo kohe do ta luftojne te keqen qe shkaterron shtetin, atdheun dhe kombin. Fatin e Abas Kupit edhe pas 50 vitesh e jetojnë tragjikisht mijëra patriotë shqiptarë të larguar larg atdheut nga regjimi monkratik i socialisteve në pushtet.

Abas Kupi nuk hoqi dorë nga aktiviteti politik dhe jeta aktive në komunitet në emigracion ku nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit punoi dhe veproi duke marre pjese në Kongrese e në festime të ndryshme në diasporë. Ai bëhet anëtarë i Federatës “Vatra” dhe merrte pjesë në aktivitete komunitare shqiptare në Amerikë. Vdiq më 9 janar 1976 në New York. Ai u përcoll në banesën e fundit nga të afërm, miq, legalist dhe bashkëkombës të shumtë për ti bërë respektin dhe nderime të merituara shqiptarit, luftëtarit, komandantin Abas Kupi. Po ashtu, familjes i mbërritën edhe shumë telegrame ngushëllimi nga Amerika, Kanadaja, Australia, Evropa, si dhe shkruajtën edhe disa gazeta për Abas Kupin. Varrimi u bë më 14 janar 1976.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 392
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT