
Një takim ku mikpriten të gjithë.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Një takim ku mikpriten të gjithë.
by s p

Endrit Topalli/
Fondi i bursave Gjergj Kastrioti Scholarship Fund vazhdon të dëshmojë se investimi në arsim mbetet një nga shtyllat më të forta për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Në një mbrëmje të mbushur me emocione, mirënjohje dhe vizion për të ardhmen, komuniteti u mblodh për të festuar një moment historik: 10-vjetorin e Natës Gala dhe njëkohësisht 26-vjetorin e themelimit të fondit, një rrugëtim i gjatë i ndërtuar mbi sakrificë, punë vullnetare dhe besim në fuqinë transformuese të arsimit.
Që nga krijimi i tij, Gjergj Kastrioti Scholarship Fund ka pasur një mision të qartë — të mbështesë studentët e rinj në ndjekjen e studimeve të larta dhe të krijojë ura të forta midis brezave. Ky mision u reflektua edhe këtë vit, ku u arrit një nga sukseset më të mëdha në historinë e fondit: ndarja e 175.000 dollarëve bursa për 30 studentë, një investim konkret që jo vetëm lehtëson barrën financiare të familjeve, por edhe frymëzon të rinjtë të ndjekin ambiciet e tyre akademike dhe profesionale.
Mbrëmja gala u pasurua nga fjalimi keynote i Pjetër Vuli, i cili solli një mesazh motivues për rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe fuqizimit përmes dijes. Një moment veçanërisht prekës ishte edhe fjala e studentit përfaqësues Mateo Delaj, i cili ndau përvojën e tij personale dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që bursat kanë pasur në rrugëtimin e tij akademik, duke kujtuar të pranishmëve se çdo kontribut i komunitetit përkthehet në mundësi reale për brezat e rinj.
Në këto 26 vite aktiviteti, fondi ka arritur të japë mbi 500.000 dollarë bursa, një arritje që pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të bordit drejtues dhe mbështetjen e palodhur të komunitetit. Puna e boardit — Steve Lucaj, Endrit Topalli, Franko Sallaku, Val Vulaj Karana, Nora Micakaj, Laura Lleshaj, Eftiola Greco, Davina Nika dhe Klesti Cela — ka qenë vendimtare në rritjen dhe konsolidimin e fondit, duke e kthyer atë në një institucion të respektuar filantropik.
Një nga objektivat më ambicioze të viteve të fundit është krijimi dhe zgjerimi i fondit të endowment-it. Synimi i Gjergj Kastrioti Scholarship Fund është të arrijë 1 milion dollarë të investuara në këtë fond afatgjatë, i cili do të sigurojë një burim të qëndrueshëm për bursat e së ardhmes. Deri më sot janë mbledhur rreth 400 mijë dollarë, një hap i rëndësishëm drejt garantimit që studentët shqiptaro-amerikanë të kenë gjithmonë mbështetje nga komuniteti, pavarësisht sfidave ekonomike apo ndryshimeve të kohës. Ideja pas endowment-it është e thjeshtë por e fuqishme: të krijohet një trashëgimi që vazhdon të japë fryte për brezat që vijnë.
Ndërsa fondi shënon më shumë se dy dekada e gjysmë aktiviteti, historia e tij është një dëshmi e fuqisë së bashkimit dhe vizionit afatgjatë. Nga bursat e para modeste deri tek gala e 10-të jubilare dhe rritja e qëndrueshme e endowment-it, Gjergj Kastrioti Scholarship Fund vazhdon të mbetet një shembull i gjallë se si komuniteti mund të ndërtojë një të ardhme më të fortë përmes arsimit, solidaritetit dhe investimit në rininë shqiptaro-amerikane.
by s p

Albanian American Club of Westchester (AACW) është krenar të filloj Albanian Heritage Bookshelf Initiative.
Për herë të parë, libra në gjuhën shqipe për fëmijë dhe të rritur janë tani të disponueshëm në Bibliotekën e Tuckahoe.
Kjo është më shumë se libra në një rafte, është identitet, është përfaqësim dhe krenari për komunitetin tonë dhe brezat e ardhshëm.
Qëllimi ynë është ta zgjerojmë këtë nismë në të gjithë Westchester County, në të gjithë shtetin e Nju Jorkut dhe, më pas, në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Dëshironi libra shqip në bibliotekën tënde lokale?
Na kontakto për t’u përfshirë. Bëhu pjesë e kësaj nisme në mënyra të ndryshme: duke dhuruar libra ose duke shërbyer si vullnetarë.
Le ta ndërtojmë këtë së bashku, për fëmijët tanë, kulturën tonë dhe komunitetin tonë.
by s p

Nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois/
ÇIKAGO — Nën qiellin dimëror të Daley Plaza-s, të premten e kaluar, Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit sërish përkrah flamurit Amerikan dhe atij të qytetit të Çikagos, duke shënuar afrimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës për vitin 2026. Për shumë nga të pranishmit, ky moment mbarti më tepër sesa një domethënie ceremoniale.
Që nga shkurti i vitit 2013, vullnetarët e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI) kanë organizuar çdo vit ngritjen e Flamurit të Kosovës në zemër të Çikagos. Ajo që nisi si një nismë qytetare e udhëhequr nga vullnetarë të komunitetit është shndërruar në një traditë të qëndrueshme — një moment që mbledh Shqiptaro-Amerikanët dhe miq të komunitetit për të përkujtuar pavarësinë, për të reflektuar mbi historinë dhe për të ripohuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mes të pranishmëve këtë vit ishin z. Bujar Breznica dhe z.Elton Ademi, dy nga nismëtarët që ndihmuan në ngritjen e flamurit për herë të parë në vitin 2013. Të qëndruar sërish nën të njëjtin shtizë trembëdhjetë vite më vonë, simbolika e momentit ishte e qartë.
“Kur e ngritëm për herë të parë këtë flamur, ne po nderonim sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe brezave që luftuan për të drejtën tonë për të jetuar të lirë,” u shpreh z. Breznica. “Këtë vit ndjesia ishte më e rëndë. Me zhvillimet që po ndodhin në Hagë, ishte e rëndësishme për ne të qëndronim këtu — jo me zemërim, por me dinjitet — për të kujtuar kush jemi dhe çfarë përfaqëson ajo luftë.”
Referenca ndaj proceseve gjyqësore në Hagë që përfshijnë figura të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur diskutime të gjera në diasporë. Ndërsa ceremonia e së premtes ruajti karakterin e saj qytetar dhe përkujtimor, për shumë pjesëmarrës ajo përfaqësonte njëkohësisht edhe një afirmim të qetë të kujtesës historike.
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois i ka rrënjët që në fillim të shekullit XX, kur valët e para të emigrantëve Shqiptarë nisën të organizohen në Çikago. Organizata u institucionalizua zyrtarisht në vitin 1998, gjatë luftës së Kosovës, kur drejtuesit e komunitetit mobilizuan përpjekje humanitare dhe mbështetje politike në një moment vendimtar për historinë e Ballkanit. Që prej asaj kohe, AACI ka shërbyer si një trupë qendrore qytetare për Shqiptaro-Amerikanët në Illinois.
Ceremonia e këtij viti mbarti gjithashtu një notë të thellë dhimbjeje. Komuniteti humbi së fundmi Gani Dragushën, një anëtar të përkushtuar dhe vullnetar të palodhur, në një aksident tragjik.
“Ky vit ishte ndryshe për ne,” tha Edon Shaqiri, Kryetar aktual i Bordit të AACI-së. “E ngritëm flamurin me krenari, por edhe me zemër të rënduar. Ganiu ka qenë i pranishëm në shumë prej këtyre tubimeve ndër vite. Mungesa e tij u ndje thellë.”
Amerikanë dhe Shqiptarë qëndruan së bashku në shesh në një frymë uniteti dhe reflektimi. Mes të pranishmëve ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar z. Visar Zhiti, prania e të cilit theksoi dimensionin kulturor të përkujtimit. Gjithashtu morën pjesë përfaqësues të lidhur me komunitetin konsullor në Iowa, përfshirë Drilon Zogaj dhe Fatmir Rrahmanaj, të cilët udhëtuan nga Iowa në shenjë solidariteti.
Me kalimin e viteve, ngritja vjetore e flamurit të Kosovës në Daley Plaza është shndërruar në më shumë sesa një akt simbolik. Ajo pasqyron vazhdimësinë e një komuniteti diasporik që është pjekur institucionalisht, duke mbetur i rrënjosur në kujtesën e përbashkët. Ajo që nisi në vitin 2013 si një përpjekje e udhëhequr nga vullnetarë sot përbën një traditë të konsoliduar — që lidh sakrificën e së kaluarës, angazhimin qytetar të së tashmes dhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.
Ndërsa flamujt valëviteshin në erën e shkurtit, pjesëmarrësit qëndruan për disa çaste në biseda nën horizontin e qytetit — disa duke folur për historinë, të tjerë për të ardhmen.
Për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan në Illinois, kjo ceremoni mbetet një afirmim: se kujtesa dhe prania qytetare mund të bashkëjetojnë, dhe se traditat — sapo të nisin — vazhdojnë përmes atyre që zgjedhin të qëndrojnë nën to.
Shkurtin e ardhshëm, si çdo vit që nga 2013-a, flamuri pritet të ngrihet sërish
by s p


Nga Keze Kozeta Zylo/
Në mjediset e “Empire Steak House” në Manhattan, Ambasadori Blerim Reka, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosoves dha një pritje ceremoniale në Manhattan në vigjilje të 18 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është tejet emocionuese dhe po aq krenari tek shikon shqiptarët të mblidhen së bashku dhe të respektojnë e të përulen para kësaj dite të shenjtë të Pavarësisë së Kosovës. Në hyrje prisnin me plot përzemërsi Ambasador Blerim Reka së bashku me bashkëshorten e tij fisnike pedagoge Ymrane Reka.
Ceremonia festive u hap tradicionalisht me interpretimin e himneve të Republikës së Kosovës dhe të Amerikës.
Fjalën e hapjes ceremoniale e mbajti Ambasadori Reka. Salla ishte e mbushur plot e përplot me personalitete të shquara nga Diaspora
Shqiptaro – Amerikane. Krenari të takoheshim me luftëtarë të UÇK-së si Qerim Gjocaj i cili i ka dhënë dorën në luftë Kosovës, Shpëtim Qorraj biri i dëshmorit Mustafë Qorraj dhe kandidat për në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut, Gjeneral Gani Shehu etj.
Krenare të kishim midis nesh dhe nxënësen plot vullnet të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn Dastida Gashi e cila bashkë me të gjitha shkollat nëpër New York festuan Pavarësinë e Kosovës. Ajo ishte e shoqëruar nga prindërit e saj shqiptarë të Kosovës me kontribute, të cilët janë histori suksesi në Diasporë, Fatlinda Bajçinca dhe Agron Gashi. Ambasadori Reka përshëndeti te gjithë të pranishmit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm në 18-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ai e quajti Diasporën Ambasadorë të Kosovës dhe të Kombit, pasi vazhdoi ai ju ishit zëri ynë në Kosovë në një kohë, kur ne na ishte mohuar e drejta e fjalës nga sllobodan milloshevici dhe sistemi I tij kriminel. UÇK-ja me komandant legjendar Adem Jasharin, Diaspora dhe aleati yne i rëndësishëm Amerika bën të mundur që të fitonim Pavarësinë e Kosovës. Ne ju jemi përjetësisht mirënjohës.
Populli i Kosovës vuajti tmerrësisht, një shekull i kolonizuar, dhunë, gjenocid kundër shqiptarëve nga shteti serb. Tmerret, vrasjet makabre janë përjetësuar ndër filma, piktura, libra poezi si psh në Baladë Lirie e Kosovës shkruar nga poeti i shquar i Kombit Agim Shehu si: Posi nga zër’ i perëndive/ u zgjua kontinenti plak/ Nga cili akt i tragjedive/ sot mbi Kosovë kulloi kaq gjak?!Në ç’kontinent jeton kështu/ një popull si mbi rjedhë ujvare?!Foshnjat, kaq breza, qiellin blu e shohin mbi helmetat sllave/ Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi. Ja ku jemi sot duke festuar 18-të Vjetorin e Republikës së Kosovës, shteti më i ri evropian dhe që është vendi më pro-amerikan dhe më demokratik në Ballkan.
Sot Kosova është histori suksesi i shtet-ndërtimit demokratik.
Pas ceremonisë pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë duke trokëllitur gotat të gëzuar që Kosova po feston 18 -Vjetorin e Pavarësisë. Gëzuar përjetësisht Kosova jonë martire! TV “Alba Life” me themelues dhe producent z. Qemal Zylo do të transmetojë së shpejti në kanalet televizive kronikën e pëgatitur për këtë aktivitet të rëndësishëm.
16 Shkurt, 2026
Manhattan, New York