• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VLERËSIM PËR VEPRIMTAREN RITA SALIU

August 2, 2022 by s p

Fuat Memelli/

Ditën e hënë të kësaj jave, veprimtari i palodhur shqiptaro-amerikani, Petrit Alibej, president i Shoqërisë Atdhetare “Besa- besë” me qendër në Boston, udhëtoi nga Tirana ku ndodhet me pushime, drejt Prishtinës. Qëllimi i këtiij udhëtimi ishte për të nderuar me Çertifikatë “Mirënjohje” veprimtaren kosovare , Rita Saliu, e cila prej 30 vjetësh jeton në Amerikë, por muajt e verës i kalon në Kosovë, aty ku u lind dhe u rrit, ku u brumos me zjarrin e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Hotel “Diamond”, pronë e biznesmenit të njohur Kosovar, Behgjet Pacolli. Pasi foli për kontributin e Ritës në diasporën shqiptare të Amerikës, Petriti i dorëzoi asaj Çertifikatën e “ Mirënjohjes”me këtë motivacion:”Për veprimtarinë e spikatur patriotike në Kosovë e jashtë Atdheut, për humanizmin, sensibilizimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë luftës për liri e pavarësi të Kosovës, si dhe për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, në një varg veprash që shquhen për prurje të reja si në përmbajtje edhe në formë.” Duke marë çertfikatën, Rita Saliu falenderoi për vlerësimin e bërë dhe theksoi se ajo nuk do lodhet kurrë për çështjen e Kosovës, për lirinë e të cilës sakrifikoi populli i Kosovës, për të cilën dhanë jetën shumë bij e bija, duke e paguar me gjak lirinë e fituar. Pas ceremonisë ata shkuan te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe vendosën një kurorë me lule në emër të Shoqërisë Atdhetare “Besa –besë”.

Po kush është Rita Saliu? Shumë shqiptarë e njohin atë, por për ata që nuk e njohin, po themi shkurt disa fjalë. Ajo është vajzë nga Prizreni që e lidhi jetën me intelektualin Adem Saliu me origjinë nga Dibra e madhe. Një shtëpi e tyre ndodhet në Prishtinë dhe një në Amerikë. Rita ka qënë e përkushtuar për çështjen kombëtare qysh kur ishte në Kosovë. Shpirti i saj patriotik dhe human, spikati edhe edhe më shumë gjatë luftës së Kosovës e më pas. Ajo dhe bashkëshorti i saj , Ademi, strehuan në shtëpinë e tyre familje kosovare. Pritja që ata i kanë bërë vëllezërve e motrave të tyre në aeroportin e Bostonit, është filmuar dhe trasmetuar nga një kanal televiziv amerikan. Po kështu në ditët e pas luftës, burrë e grua ndihmuan për t’u mjekuar në spitalet amerikane fëmijë kosovarë që kishin pësuar djegie nga hordhitë sërbe. Shumë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova e kanë dëgjuar zërin e Ritës në veprimtari të ndryshme që organizohen në Boston. Është shpirti i saj patriotik që i vlon në gji dhe e nxit për të punuar pa rreshtur për vëllezrit e motrat e saj nga Kosova por edhe nga Shqipëria.. Për kontributin e dhënë, ajo është vlerësuar nga presidenti Bamir Topi me Urdhërin “Nënë Tereza”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli

VATRA SHPËRNDAU BURSAT PËR VITIN SHKOLLOR 2021-2022

July 29, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra në kuadër të Simpoziumit Shkencor të 100 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një mbrëmje gala me pjesëmarrjen e shqiptaro-amerikanëve më të spikatur, vatranëve e komunitet shqiptar në New York e më gjërë, dhuroi 15 bursa për studentët e shkëlqyer shqiptarë në Amerikë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha dhe Drejtori i Fondit të Studentëve Dr. Pashko Camaj drejtuan ceremoninë e shpërndarjes së Bursave duke vlerësuar studentët për arritjet dhe duke premtuar se vit pas viti Vatra do të jetë në krah të studentëve shqiptarë që shkëlqejnë në Universitet Amerikane. Një ndihmë bujare e shumë solidare në shenjë vlerësimi e nderimi për rezultatet e tyre të shkëlqyera, Vatra nderoi studentët shqiptar që përbëjnë krenari kombëtare e Vatrane në Shtetet e Bashkuara. Kjo traditë vazhdon që nga vitet 60, një fond special që iu jepet studentëve shqiptarë që shkëlqejnë në Universitetet Amerikane. Franka Veliu, Mirea Hasanaj, Edma Arizaj, Alesja Beqiraj, Elysia Rukaj, Lorna Floqi, Anthony Evangelista, Kerol Kaskaviqi, Xhesika Shkorreti, Enrik Hoxha, Gezim Imeraj, Zina Nicaj, Ledion Hoti, Xhoi Mishto dhe Matea Spahiu përfituan nga fondi i sivjetshëm studentor. Vatra u uron shumë suksese në rrugëtimin e tyre shkencor, patriotik e vatran duke u bërë një shembull për studentët e tjerë e gjeneratat që vijnë.

Filed Under: Komunitet

GËZUAR 70 VJETORIN E MARTESËS RINA DHE NAUM PRIFTI!

July 28, 2022 by s p

Julika Prifti

27 korriku është datë e rëndësishme në kalendarin e familjes Prifti, të cilën e kemi festuar pa ndërprerje, aty ku kemi qenë dhe me ato mundësi që kemi patur.

Që kur e mbaj mend veten time, në datën 27 korrik të çdo viti, shtëpia merrte një atmosferë gazmore prej tingujve e ngjyrave festive të kombinuara me meloditë e lejuara apo “të ndaluara” të kohës që jetonim. Veç këngëve vlonjate e kolonjare, çifti Prifti, shoqëruar nga bijat, këndonte kompozime të njohura italiane e angleze, si edhe kërcente aq bukur tango, valz, mambo e më vonë ‘rock and roll’. Shtëpia zbukurohej me lule e fotografi të reja, tavolina shtrohej për festë dhe për ne, vajzat, nuk kishte vend më të lumtur në botë se apartamenti ynë në rrugën Bajram Curri në Tiranë. Nuk lakmonim asnjeri dhe nuk krahasoheshim me kërkënd sepse ndiheshim të lumtura që ishim pjesëtare të përvjetorit të martesës së prindërve. Në fantazinë tonë na dukej sikur na ishte dhuruar një udhëtim në kohë që e bënte të mundur të ishim me ju në ditën e dasmës.

27 korriku i vitit 2022 është përvjetori i shtatëdhjetë i jetës bashkëshortore, i klasifikuar si jubile madhështor dhe aq i çmuar sa platini. Në fakt kur babin e pyesnin sesa vjet kishte martuar, ai, me humorin e tij origjinal, përgjigjej: “Më duket se unë kam lindur i martuar”. Koha dhe fati deshën që kjo thënie të jetë mëse e vërtetë në këtë përvjetor i cili lehtësisht mund të barazohet me një jetë të tërë!

70 vjetori i martesës është i rrallë për çdo çift, por në kohën e pandemisë është një triumf i vërtetë sidomos pas shërimit nga Coronavirus-i dhe sëmundje të tjera të moshës. Padyshim, në harkun kohor të shtatë dekadeve ku përfshihet një ndërrim shekulli dhe kapërcim oqeani nga Shqipëria në Amerikë, ka pasur plot peripeci dhe dallgë e stuhi jete. Në ditët e vështirësive të mëdha dhe të vogla, në rastet kur ishte fjala për çështje shëndeti apo buxheti, në momente të tensioneve politike apo psikologjike, ju mbetët të pastër dhe të patjetërsuar. Prandaj nuk na jepnit leksione apo teori edukate sepse ato buronin nga vëzhgimi i sjelljes suaj me miqtë e shokët e vjetër e të rinj, njerëzillëku me fqinjët madje edhe me ata që kishin qenë partizanë, si teta Ollga e xhaxhi Tasi, ndihma që ju jepnit miqve me halle financiare apo të tjerëve që kishin nevojë për mbështetje shpirtërore, pritjet e vizitorëve të lajmëruar si edhe ardhjet e mysafirëve që trokisnin në derë papritur.

Në shtëpi priteshin e përcilleshin njerëzit e damkosur “politikisht” apo të cilësuar “armiq ” të sistemit socialist, sistem në të cilin u rritëm edhe ne, vajzat tuaja. Kështu, ne mësuam leksionin më të madh të jetës: Të mos kemi frikë nga e vërteta dhe nga e drejta e të mos mashtrojmë apo të ulim poshtë dikë për të ngritur lart veten tonë në çfarëdo rrethane qofshim.

Jeta nuk fillon nga Uni e nuk mbaron me vdekjen e Unit, sado i madh të jetë ai. Një koleg në Institutin e Monumenteve në Tiranë thoshte shpesh se “për shqiptarin bota fillon me mua e mbaron me mua”. Psikologjia e Uni-t që është thellë e rrënjosur dhe e theksuar nuk ishte e rëndësishme për ju. Parimi juaj ishte krejt i kundërt sepse ju vlerësonit çdo zanat e punë, sa kohë që kryhej mirë. Ngaqë ishte rritur në fshat për 14 vjet, babi e njihte mirë punën e rëndë të bujkut dhe blegtorit siç ia dinte vlerën edhe zanateve të tjera të familjes së Priftëllarëve dhe përgjithësisht kolonjarëve, si gurgdhendja e muratoria. Pra, tek ne ishte rrënjosur me kohë mirënjohja për “essential workers” që në Amerikë kaloi vetëm si një fazë kalimtare gjatë pandemisë por shpejt u zëvendsua nga rendja pas fallsitetit të statuseve sociale të ndërtuara me famë dhe pasuri materiale, por jo me vlera.

Nga ju, morëm prirjet për recitimet dhe gjuhët e huaja, letërsinë dhe artin botëror, mendimin e lirë dhe lirinë e shprehjes por edhe kërshërinë e guximin për të provuar gatime ‘ekzotike’ pa shtrembëruar buzët për specialitete si chicharon, ox tail, pa gjykuar dhe pa vënë etiketa ‘moderne”, ‘të mbrapshta’ dhe “primitive” kulturave të vendeve të tjera. Çfarë kuptimi njerëzor për planetin në të cilin jetojmë!

Meqë po cek temën e ushqimit, dua të falënderoj mamin nga fisi i Caushëve, e cila për mua gatuante qofte pa qepë e pa piper, apo makarona e fasule pa salcë domatesh, ngaqë unë kisha stomak të ndjeshëm. Me kalimin e viteve dhe në kohën studentore, u mësova të ha gati çdo gjë, përfshirë edhe fasule me salce të kuqe, sepse gjatë muajit të aksionit apo të shërbimit ushtarak nuk doja të bija në sy si “vajzë e përkëdhelur”. Faleminderit për durimin e gjatë!

Nga ju, ne të tria, kemi emra shumë të bukur. Unë isha e vetëdijshme se emri që më dhatë mua ishte në një variant të ri, të padëgjuar më parë në Shqipëri. Ndryshimi ishte i vogël, veçse një shkronjë më shumë nga varianti i njohur e shumë i përdorur, Julia. Po shkronja K-ja në rrokjen e fundit e bënte emrin më tingëllues e më përkëdhelës, sikur të donte të tregonte se unë do të isha e tillë përgjithmonë. J U L I K A në vend të J U L I A! Mesa di unë, jam Julika e parë në Shqipëri në vitin 1960. Ju prutë një emër të ri për vajzat shqiptare. Për vite të tëra, unë isha e vetmja Julikë. Po nuk mbeta e vetmja se ky variant u pëlqye shumë së pari nga komshia që banonte vetëm ca kate më poshtë në të njëjtën shkallë të pallatit. Moshatarja ime ndryshoi emrin. As sot nuk e di me dokumente apo vetëm në thirrjen nga prindërit, por për fat, ata u larguan në një banesë tjetër dhe unë mbeta Julika origjinale. Sa herë vizitoj Shqipërinë dëgjoj shumë “Julika”, por tani e kam kuptuar sesa përpara kohës ishit ju, që zgjodhët variantin e emrit i cili fitoi popullaritet.

Gëzuar e për shumë vite e festofshi përvjetorin e martesës!

Me dashuri vajzat,

Loreta, Julika, Rafaela

Filed Under: Komunitet Tagged With: Julika Prifti

Nikollë Mernaçaj, e dënuan dy herë, jetoi vetëm 5 ditë pasi doli nga burgu

July 26, 2022 by s p

Kujto.al

Historia e Nikollës, që diktatura e dënoi dy herë. Herën e parë pak kohë pas martese, kur vajza e vogël ishte vetëm një vjeç dhe të dytën pasi kishte dalë në pension. Një jetë në burgje, internim dhe survejim, e mbyllur vetëm pesë ditë pas lirimit. I biri tregon historinë e përndjekjes së pandalur ndaj babait dhe familjes 

65-vjeçari, atë ditë janari, ishte duke marrë pensionin para postës së Lushnjës, në fshatrat e së cilës jetonte i internuar, kur e ndaluan me parrullën “në emër të popullit je i arrestuar”. E akuzuan për agjitacion dhe propagandë dhe e dënuan me 10 vjet burg. I kreu në Ballsh, në Zejmen dhe në Shën Vasil të Sarandës. Siç tregon i biri, Mark Mernacaj, në librin “Zërat e kujtesës Vëllimi VII”, botim i ISKK, gjatë kohës që i ati vuante dënimin u bënë tri amnisti nga të cilat, pavarësisht moshës, nuk përfitoi nga asnjë. Vetëm në amnistinë e katërt të vitit 1986, Nikollës iu fal 1/ 4 e dënimit të mbetur që do të thoshte 1 vit. U lirua pas 9 vitesh burg më 15 janar të vitit 1989. Jetoi vetëm pesë ditë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Kishte kryer, bashkë me dënimin e parë 17 vite burg dhe periudhën midis dy dënimeve e kishte kaluar i internuar në fshatrat e Lushnjës.

“Babai nuk ka qenë fashist. Ai ka qenë në ushtrinë e Gardës Mbretërore në Itali, Romë. Në atë kohë, ne ishim pushtuar nga Italia. Babai ishte ushtar në Elbasan dhe prej aty, një pjesë të ushtarëve i kanë dërguar në Itali për shërbimet mbretërore. Babai ka pasur disa revista nga ajo kohë dhe për këtë arsye e akuzuan si fashist dhe për “agjitacion e propagandë”, po ashtu dhe si spiun. Ai ka qenë në burg nga 1952 deri në janar 1960”, tregon Marku për “Zërat e kujtesës”. Nikollën e dënuan jo shumë kohë pas martesës, një vit pas lindjes së vajzës së parë, Diellës. Gruaja e tij, Drania, ishte një nga ish-fëmijët e kampit të Beratit dhe Tepelenës, internuar atje me gjithë pjesën e mbetur të familjes, pasi dy vëllezërit e saj, Toma dhe Frani ishin arratisur në vitin 1948.  Gjatë kohës që bashkëshorti i saj vuante dënimin në burg, prindërit dhe vëllezërit e tij u arratisën të gjithë fillimisht në Mal të Zi e më pas në SHBA. Kjo bëri që rreth një muaj pasi Nikolla doli nga burgu, ndërkohë që komunistët i kishin sekuestruar gjithë pasurinë pas largimit të prindërve, ta internonin bashkë me gruan dhe vajzën Diella, në Savër të Lushnjës. Atje lindën dy fëmijët e tjerë, Maria dhe Marku, që tregon këtë histori. “Në Savër kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës, deri në vitin 1991”, tregon ai. Për një periudhë kohe i zhvendosën në fshat tjetër internimi, siç ishte Gradishti, kjo për arsyen se një nga mushkat e sekuestruara familjes, i kishte humbur të zotit të ri. Fajtorë u bënë menjëherë vëllezërit e Nikollës dhe meqë nuk kishin me kë të hakmerreshin tjetër, vendosën që Nikollën me gjithë familje ta zhvendosnin nga Savra për në Gradisht. Më pas, kur mushka u gjet në një humnerë, Nikollës i thanë se me anë të një kërkese mund të ktheheshin sërish në Savër, siç edhe bënë. Pas një aksidenti me makinë, ai u shtrua 6 muaj në spital, qëndroi dy vjet pa punë dhe iu rikthye sërish punës në bujqësi deri sa doli në pension, kur do të vinte dënimi i dytë.

“Arsyeja e dënimit të dytë ishte se, në vitin 1976, pasi gjyshi vdiq, gjyshja shkoi në Amerikë, sepse kishte djemtë.

Në atë kohë, ajo ishte 105 vjeç. Ikja e saj bëri bujë të madhe. Ajo, në fakt, shkoi për vizitë në Amerikë, jo për të qëndruar. Vetëm pas disa kohësh vendosi dhe vajti për të plotësuar letrat, siç ishin rregullat për emigracion. Kur po merrej me këto procedura, e merr vesh një kongresmen amerikan, që ishte në Bronx…se kishte një rast, një grua që kërkonte shtetësinë në moshën 105-vjeçare. Kjo ngjarje, shkoi deri te presidenti i asaj kohe, Gerald Ford, i cili bëri një dekret të posaçëm për t’i dhënë direkt nënshtetësinë nënës, pa qenë nevoja për rezidencë. Ky rast bëri një bujë të madhe. Shkruajtën shumë gazeta. Shkoi deri tek mediat australiane lajmi. Kjo ishte pra akuza e dytë për babain duke i thënë se nëna e tij, kishte shitur nënshtetësinë shqiptare dhe ka marrë atë amerikane”, tregon Marku.

Nikolla do ta kalonte në burg gjithë jetën e mbetur, pasi ndërroi jetë vetëm 5 ditë pasi u lirua. “Babai kishte shumë sëmundje në trup, po jo deri në atë gjendje, sa ta çonte drejt vdekjes. Sipas shokëve të burgut, është sëmurur 15 ditë para se të lirohej. Në librin e Patër Zef Pëllumbit (ai) tregon se ka qenë I shtruar në infermierinë e burgut. Aty tregon me detaje, ku bashkë me babën, ka qenë i shtruar edhe Dom Pjetër Gruda, i cili vdiq dy ditë përpara se të lirohej babai. Ndërsa im atë arriti të lirohej, të dilte gjallë. Patër Zef Pëllumbi dëshmon se të dy janë mbytur nga infermieri i burgut, Kosta, i cili ishte dhe vetë i burgosur…Patër Zef Pëllumbi tregon se ky, Kosta bënte çmos që të burgosurit mos të dilnin nga burgu. Më ka treguar dikush që kishin shkuar për inspektim nga Tirana. Babai në atë kohë kishte qenë i shtruar. Panë ambientet, panë edhe dy të sëmurët që ishin Dom Pjetër Gruda dhe babain. Ata pyesnin se pse ishin aty, pse nuk i kishin çuar në spital për mjekim më të specializuar? Për babain, ai u thotë se lirohet tani, kur për Dom Pjetrin përgjigjet se nuk ka gjë, është mirë, por në fakt, të dy vdiqën”, thotë Marku në intervistën për Luljeta Lleshanakun përfshirë në botimin “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VII. Ai kujton se babanë ia prunë me barrel, kur shkoi ta nxirrte nga burgu, ditën që i mbaronte dënimi, madje sipas tij, e vonuan deri sa të shkonte ora 13.00, ora kur edhe e kishin arrestuar 9 vite më parë. “Nuk i falën as gjysmë ore”, komenton ai. I ati nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kështu që Marku mori rekomandim në Savër dhe me makinë e çoi në spitalin e Tiranës, ku doktor Vangjel Todri i tregoi gjendjen e rëndë të atit. Pas pesë ditësh ai ndërroi jetë. Marku tregon se e sorrollatën gjatë për ta transportuar trupin e tij në Shkodër, ku familja kishte vendosur që të prehej Nikolla, pasi e prunë një herë në Savër. “Kur mbërritëm në Shkodër ishte ora 8 e ca e darkës. Gjithë njerëzit kishin ikur dhe, ne, e varrosëm babanë në errësirë vetëm me 6 persona, me të cilët erdhëm nga Lushnja”, tregon ai.

Vetë do të ktheheshin në Savër, aty ku jetuan deri në vitin 1991.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Mark mrnacaj

Kryeministri Kurti takoi drejtuesit e Shoqatës humanitare “Peja” që vepron në New York

July 20, 2022 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtuesit e Shoqatës humanitare “Peja”, me seli në New York, Rejmond Zekën kryetar, Blerim Koçanin, sekretar, Nevzat Bakraqin, anëtar i kryesisë dhe Reshat Kelmendin, arkëtar.​

Kryeministri Kurti i falënderoi për vizitën dhe për gjithë kontributin që kanë dhënë mërgimtarët në kohën e luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mërgata jonë është pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, theksoi ai dhe shtoi se vëmendja e veçantë për mërgatën është reflektuar edhe në Programin e Qeverisë.

Drejtuesit e njoftuan kryeministrin Kurti për veprimtarinë e shoqatës, e cila është themeluar në shtator 1998, si nevojë e situatës së atëhershme politike e ekonomike në Kosovë.

Ata thanë se shoqata ka ruajtur karakterin humanitar që nga themelimi dhe iu ka përgjigjur kërkesave dhe nevojave të shtetit dhe kombit, duke ndihmuar shtresat e varfra në Kosovë e më gjerë dhe personat me probleme shëndetësore.

Viteve të fundit shoqata “Peja” ndihmon edhe sportin dhe kulturën në Kosovë dhe krahas humanizmit bashkëpunon me shoqata të tjera shqiptare që veprojnë në SHBA, për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • …
  • 386
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT