-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi familjen Rugova, ku u prit nga familjarët/
PRISHTINË, 21 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga bëri sot homazhe para varrit të ish-Presidentit, dr. Ibrahim Rugova, në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij.
Ajo gjithashtu vizitoi familjen Rugova, ku u prit nga familjarët.
Në një deklaratë bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga theksoi se, në këtë dhjetëvjetor të vdekjes, kam ardhur të bëj nderime pranë varrit të liderit dhe të udhëheqësit të parë historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
“Vizioni i tij na bën që të nderojmë dhe të kujtojmë me respektin më të madh liderin, arkitektin dhe udhëheqësin, i cili e orientoi popullin tonë dhe vendin tonë drejt vlerave properëndimore dhe drejt miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Presidentja Jahjaga./b.j/
Presidentja Jahjaga takon vullnetarë të Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë
-Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013/
PRISHTINË, 20 Janar 2016/Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim vullnetarë të Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, të udhëhequr nga drejtoresha Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga e çmoi lart ndihmën dhe kontributin që vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes po u ofrojnë të gjitha komuniteteve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e shumëfishte që ka angazhimi i vullnetarëve, ku, përpos ndihmës së drejtpërdrejtë nëpër institucionet vendore, vullnetarët janë ura lidhëse dhe forcojnë marrëdhëniet dhe miqësinë midis popullit të Kosovës dhe popullit amerikan.
Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013, kur edhe ështe nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.
Korpusi i Paqes pret një marrëdhenie të gjatë dhe të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës, grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë është paraparë të mbërrij në vitin 2016.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.
Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve./b.j/
Shqiptari nga Dibra humb jetën si legjionar francez
Mediat franceze bëjnë të ditur se mes 5 ushtarëve që humbën jetën në Alpet Fanceze ditën e hënë, është dhe një shqiptar. Bëhet fjalë për një 22-vjeçar me origjinë nga qyteti i Dibrës i identifikuar si Denis Halili. Mësohet se Halili shërbente si legjionar në ushtrinë Franceze dhe se jetonte prej disa vitesh në Francë. Shqiptari bashkë me 4 kolegët e tij humbën jetën pasi u zunë nga një ortek në alpet franceze.
Prishtinë-Përkujtimore ushtarëve sllovakë në kuadër të KFOR-it
-Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajčák, sot në Kosovë-/
PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Në Prishtinë, në Parkun e Qytetit, sot pasdite bëhet zbulimi i Pllakës Përkujtimore në nderim të ushtarëve sllovakë, që humbën jetën në aksidentin ajror duke u kthyer nga misioni i tyre në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Ngritja e Pllakës përkujtimore për ushtarët sllovakë bëhet me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila merr pjesë në zbulimin e saj, siç pritet së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajčák, në orën 14:45.
Ndërsa, në orën 15:40, sipas axhendës së dërguar, Presidentja kosovare Jahjaga pret në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin sllovak Lajčák.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa pret në takim Miroslav Lajçak, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, në ora16:20. .
Në 15 janar, Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e thirrur enkas, miratoi unanimisht propozimvendimin për vënien e Pllakës Përkujtimore për ushtarët e KFOR-it sllovak, të cilët kanë humbur jetën pas lirimit nga misioni në Kosovë.
Në marrëveshje në mes të Zyrës Sllovake në Kosovë, Kabinetit të Presidentes së Kosovës dhe kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, ishte propozuar që Pllaka Përkujtimire të vihet në Parkun e Qytetit. Në Pllakën Përkujtimore janë të shkruar 42 emra./b.j/
Lordi Robertson vlerëson dhe përkrah progresin në Kosovë
-Kryeministri Mustafa falënderoi ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson për mbështetjen e dhënë për Kosovën/
PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim, në Prishtinë, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.
Njoftimi i dërguar thekson se, kryeministri Mustafa gjatë takimit, shprehu mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.
Kryeministri Mustafa theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA dhe Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Lordi Xhorxh Robertson.
“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi Xhorxh Robertson”, theksoi kryeministri.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar Lordin Robertson për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime evropiane si dhe për forcimin e gjithanshëm të shtetit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera të BE-së, si dhe për vendosmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.
Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike.
Lordi Xhorxh Robertson, po ashtu, shprehu përkrahje të mëtejshme për progresin në Kosovë./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 304
- 305
- 306
- 307
- 308
- …
- 596
- Next Page »