Një pacient është diagnostikuar me virusin “Zika” në Teksas, pasi ishte infektuar duke pasur marrëdhënie me një tjetër person të diagnostikuar më parë, kanë thënë ekspertët shëndetësorë. Ky është rasti i parë kur ky virus është transmetuar ndërmjet marrëdhënieve seksuale dhe jo nga pickimi i mushkonjave. Ky rast në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është konfirmuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Personi nuk kishte udhëtuar në zonat e infektuara, por partneri i tij ishte kthyer nga Venezuela. Deri tani, ishte raportuar se 6 persona ishin prekur me virusin “Zika” në Shtetet e Bashkuara pasi më parë kishin udhëtuar në vende të cilat janë të prekura, ndërsa rasti i fundit është i pari që personi është infektuar pa qenë në zonat e prekura. “Ne tani e dimë se virusi “Zika” mund të transmetohet ndërmjet marrëdhënieve seksuale, kjo e rritë fushatën tonë për ndërgjegjësim dhe edukimin e publikut për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha pas konfirmimit të rastit të fundit një zyrtar i shëndetësisë në Dallas. Një ditë më parë, sëmundja e lidhur me virusin “Zika”, që ka shpërthyer kryesisht në vendet e Amerikës Latine, është shpallur emergjencë globale. Ekspertët janë të shqetësuar se, virusi po përhapet me shpejtësi dhe në shumë vende, duke shkaktuar edhe pasoja shkatërrimtare. Infeksioni është i lidhur me rastet e mikrocefalitit, në të cilat fëmijët lindin me tru të pazhvilluar. OBSH-ja e vendosi emergjencën nga Zika në të njëjtën kategori shqetësimi siç vendosi Ebolan pak kohë më parë. Kjo do të thotë se është e nevojshme të ndiqen kërkimet shkencore të nevojshme për të luftuar infeksionin. Anembanë botës janë më shumë, por vetëm në Brazil janë rreth 4.000 raste të raportuara me mikrocefalit që prej muajit tetor të vitit të kaluar. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan e quajti “Zikën” si një “ngjarje e jashtëzakonshme”, që kërkon një kundërpërgjigje të koordinuar.