• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Rindërprehet seanca e Kuvendit për katër marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel

September 22, 2015 by dgreca

-Opozita proteston, gjuan me vezë drejt kryeministrit derisa ai fliste në Kuvend. Kundër marrëveshjeve edhe me afër 53 mijë nënshkrime në katër ditë/

-Presidentja e Republikës, Jahjaga dënon sulmin ndaj kryeministrit Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës/

-Qeveria dënon aktet e dhunshme të  deputetëve të opozitës,siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,  22 Shtator  2015/ Në Kuvendin e Kosovës, sot, kryeministri Isa Mustafa, e nisi informimin për katër marrëveshjet me Serbinë në Bruksel, por seanca u ndërpre me thirrjet e kryeparlamentarit Kadri Veseli për “10 minuta pushim”, pas reagimeve protestuese të opozitës në sallën e seancës edhe me gjuajtje vezësh  drejt kryeministrit. Kreu i qeverisë së Kosovës, nën mbrojtjen e sigurimit, u largua nga foltorja dhe salla e seancës. Mustafa gjatë pak minutave që foli në seancën e Kuvendit tha se marrëveshjet e dialogut në Bruksel më datën 25 gusht të vitit 2015 kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhenieve (të 19 prillit 2013).

“Në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015 ne i përfunduam marrëveshjet për katër dokumente: 1. Asociacioacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, parimet e përgjithëshme, përkatësisht elementet kryesore; 2. Konkluzionet e lehtësuesëve të Bashkimit Evropian mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë të vitit 2013 për heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë; 3. Plani i veprimit për telekomunikacionin; dhe 4. Konkluzionet për urën mbi Ibër, përkatësisht heqja e barrikadave nga ura e Mitrovicës”, tha Mustafa.

“Duhet të theksoj  para këtij Kuvendi se nuk kemi të bëjmë me marrëveshje të reja, por kemi të bëjmë me precizime të veçanta që derivojnë nga Marrëveshja e parë e ratifikuar me Ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto katër dokumente, pra që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes së parë, janë nënshkruar nga dy shtetet, nga Republkika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga kryeministrat e dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, vijoi ai.

Kryeministri Mustafa në seancën e Kuvendit arriti ta thotë edhe këtë në vazhdim: “Dakordimi mbi këto dokumente, si dhe të gjitha  tjerat në dialogun e Brukselit janë arritur në bashkëpunim të  ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  që njëherit janë edhe mbështetësit për zbatimin e plotë të tyre nga të gjitha palët.

Kjo pako (e marrëveshjeve) është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun në Bruksel….”

DEKLARATË E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në një deklaratë e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. “Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”, shprehet ajo.

Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që “t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”.

QEVERIA DËNON AKTET E DHUNSHME TË DEPUTETËVE TË OPOZITËS, FTON KUVENDIN E KOSOVËS QË TË KRIJOJË KUSHTE NORMALE TË PUNËS

 

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se dënon aktet e dhunshme të zhvilluara sot nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po informonte deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur më marrëveshjet e arritura në Bruksel.

 

Në komunikatën e dërguar, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës fton Kuvendin e Kosovës që të krijojë kushte normale të punës, në mënyrë që sot të vazhdoj pa pengesa seanca e Kuvendit të Kosovës dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në detaje për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerëson se ato do t’i hapin rrugë integrimeve euroatlantike të vendit, dhe se janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, përfundon komunikata nga Kryeministria kosovare.

 

A DO TË VAZHDOJË SEANCA E RINDËRPRERË E KUVENDIT?

Seanca e Kuvendit të Kosovës e nisur dhe e ndërprerë të enten e javës së kaluar, e rindërprerë sot, nuk po vazhdon as pas “10 minutave pushim” të dhënë nga kryetari Veseli, pasi opozita protestoi dhe e gjuajti me vezë kryeministrin Mustafa derisa po informonte për katër marrëveshjet e 25 gushtit Prishtinë-Beograd në Bruksel. Tashmë po kalon edhe ora e dytë nga ndërprerja e seancës.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, në një deklaratë pak më parë shprehu mendimin se seanca duhet të vazhdojë, por ndryshe është mendimi i kryetarit të grupit parlamentar të LVV, Glauk Konjufca. “Ne si opozitë kemi ardhur deri te një dakordim që ta bëjmë një aksion politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra që t’ia ndërprejmë gënjeshtrat kryeministrit Mustafa”, u shpreh Konjufca poashtu pak më parë.

AAK: VEPRIMI I SOTËM I OPOZITËS NË KUVEND, HAP I DOMOSDOSHËM

 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në komunikatën e dërguar deklaron se Veprimi i sotëm i Opozitës në Kuvend, ka qenë një veprim i domosdoshme. “Ne deputetët e Aleancës por dhe të opozitës në përgjithësi, i kemi dhënë mjaft kohë kryeministrit që të reflektojë, por ai në vend të kësaj sot ka ardhur për të bërë lojë në Kuvend. Për më tëpër i ka futur mbrenda sallës së Kuvendit edhe pjesëtarët e sigurimit të tij përsonal, që është shkelja më e rëndë e këtij institucioni. Sikur të mos kishte asnjë arsye tjetër, vetëm kjo e fundit mjafton, që kryeministri të tërhiqej nga detyra.

Kërkesat e Opozitës janë të qarta; ai duhet ta tërheqë urgjentisht nënshkrimin nga marrëveshjet, që ne i konsiderojmë të dëmshme për Kosovën dhe t’i mundësojë Kuvendit që të japë kontributin e tij në riformulimin e këtyre marrëveshjeve.

Rikthimi i normalitetit në Kuvend, si dhe pengimi i esakalimit të mundshëm të situatës në përgjithësi, është përgjëgjësi eksluzive e Kryeministrit dhe Qeverisë së tij. Ne si AAK jemi të përcaktuar për një stabilitet politik, por vlerësojmë se qasja që e ka Kryeministri ndaj zhvillimeve të fundit, po e çon vendin në një krizë të re politike”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

“RAPORTIMI” APO “INFORMIMI”, PIKA E VETME NË AXHENDË

 “Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në  Bruksel më 25 gusht 2015”,  është sot  pika e vetme e axhendës së vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit, të ndërprerë javën e kaluar, e që ka pritje të rivazhdojë pas rindërprerjes. “Raportimi” nuk është shprehje e qeverisë  në kërkesën e 11 shtatorit të Zyrës së Kryeministrit dorëzuar në  Kuvend “për të informuar deputetët lidhur me marrëveshjet arritura më 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar që në seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të katër  marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, ka shprehur gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset e tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel të lartë kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.

Të enjten e javës së kaluar, tre subjektet opozitare të Kosovës, LVV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë protestuar në Kuvend dhe kanë bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor.

Kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare u mblodhën dje për “caktimin e datës për vazhdimin e seancës plenare”, e cila u ndërpre pasi opozita pamundësoi votimin për shtyrjen e kërkuar nga pozita të “raportimit të qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, i cili ishte në axhendë derisa mungonin raportuesit. Seanca udhëheqej nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, i grupit parlamentar të partisë në pushtet LDK,  i cili u “rrethua” dhe pengua nga deputetët opozitarë, që edhe u ulën në vendin e tij pasi dha “10 minuta pushim” dhe nuk ia liruan vendin e kryesimit  kur u rikthye.

Opozita, edhe në seancën e Kuvendit, edhe ne një deklaratë të përbashkët dhe në deklarata të tjera e debate, duke kundërshtuar “bosnjëzimin e Kosovës”, për një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd, të arritura në Bruksel, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Deklarata ka paralajmëruar “veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit” për  “t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike” dhe se, “opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i fillojë bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik”.

Opozita sot në seancën e Kuvendin e Kosovës, ku priten debate e replika edhe me fjalorin e ashpërsuar, “argumenton” edhe me afër 53 mijë (52, 918) nënshkrime të katër ditëve të qytetarëve që “po e shprehin masivisht vullnetin e tyre”, edhe në ditën e pestë, në peticionin e  organizuar me kërkesën që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Deklaratat nga opozita kanë paralajmëruar “protesta të fuqishme pas peticionit”,   por, sipas shtypit të sotëm kosovar, nënshkrimi i peticionit “nuk është ‘kandar’ që mat fuqinë politike të bllokut opozitar për organizimin e protestave të ardhshme”.

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 marrveshjet, Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, nderpritet seanca

Kosovë-Kushtetuesja: E papranueshme kërkesa e opozitës lidhur me Gjykatën Speciale

September 21, 2015 by dgreca

-AAK: Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, një  shembull skandaloz për gjyqësinë  kosovare/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Shtator 2015/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njëzëri vendosi ta deklarojë të papranueshme kërkesën e opozitës lidhur me ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. “Ky vendim hyn në fuqi menjeherë”, thekson në përfundim “Aktvendimi per papranueshmeri” i publikuar sot, e ku bëhet e ditur se “më 11gusht 2015, parashtruesit e dorëzuan kërkësen në Gjykatë”.

Në 11 gusht 2015,  opozita kosovare i kërkoi  Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ta rrëzojë amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale, të miratuar në Kuvend në seancën e 3 gushtit. Tre partitë opozitare kontestonin procedurën e miratimit dhe përmbajtjen e amendamentit kushtetues.

Në 3 gusht, Kuvendi i Kosovës me më shumë se dy të tretat e deputetëve – 82 vota pro, 5 kundër e 1 abstenim miratoi propozim-amendamentin nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar nga qeveria, pas mosmiratimit nga Kuvendi në 26 qershor. Për miratim të ndryshimeve kushtetuese nevojitet një votim i dyfishtë, me dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës  dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë.

Gjykata Speciale u rikthye në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 3 gusht pasi në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e deputetëve. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin.

Tre nga shtatë deputetët që votuan kundër në votimin e parë, në të dytin votuan pro amedamentit të riproceduar në Kuvendin e Kosovës.

Në 1 gusht, në mbledhjen e qeverisë, ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve kushtetuese, u tha se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvend”.

“Gjatë riprocedimit kemi pasur parasysh po ashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, theksonte qeveria.

Tre partitë opozitare, LVV, AAK e Nisma, insistonin se është shkelur procedura kushtetuese dhe kërkesën për rrëzimin e amendamentit e deponuan në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sonte, partia opozitare AAK, në një komunikatë deklaroi se “nuk është  aspak e befasuar me vendimin e sotëm të  Gjykatës Kushtetuese, që  as të  mos e pranojë  për shqyrtim kërkesën e opozitës për vleresimin e ndryshimeve kushtetuese që  mundësojnë  krijimin e Gjykatës Speciale.

 Ne nuk  kemi pasur pretendime se vendimi i Gjykatës mund të  jetë  tjetër, por kemi shpresuar se kjo Gjykatë  mund të  ketë  ndryshuar qasjen ndaj politikës, bile kur bëhët fjalë  për atakimin e sistemit gjyqësor, sic ka ndodhur me amandamentin për Gjykatën Speciale.

 Por duket se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e infektuar deri në  palcë  nga politika. Konsiderojmë  që  me këtë  vendim të  Gjykatës Kushtetuese, ky institucion e ka shpallur veten ‘NUL’, sepse Gjykata Speciale, nuk do ta njohë  si autoritet gjyqësor as Gjykatën Kushtetuese të  Kosovës.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të  ndikimeve politike s’po mundet as të  kompletohet me të  gjithë  gjyqëtarët, është  një  shembull skandaloz për gjyqësinë  kosovare.

 Do të  dëshmohet se pasojat e kë tij vendimi do të  jenë  afatgjate”, përfundon komunikata e AAK-së.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behllul Jashari, Kushtetusja, per gjykaten speciale, rrezon Opoziten

Ambasadori Lu, pas takimit me Nishanin, takoi Ramën & Tahirin dhe Metën

September 21, 2015 by dgreca

Kryeministri Rama zhvilloi sot, e Hene 21 Shtator, një takim me ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu. Në takimin e mbajtur në kryeministri, ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Po sot, ambasadori amerikan ka zhvilluar një takim dhe me Presidentin Bujar Nishani. Për të dy takimet nuk ka pasur njoftime për temat e diskutuarat nga Zyrat e Shtypit.  Ndërsa në orën 13:30 Ambasadori i SHBA ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Burime jo zyrtare nga Kryeministria thanë për mediat se në takim është diskutuar për vizitën që pritet të bëjë këto ditë në SHBA kryeministri Edi Rama. Megjithatë, vizita e kryeministrit në SHBA nuk mund të ketë qenë temë e takimit të ambasadorit Lu dhe me Presidentin, apo dhe me kreun e Kuvendit. Ka diçka që nuk thuhet, porse kanë filluar fjalët e para të dalin për një ndryshim në Qeveri. Kush ikën edne nuk dihet, komenton ne botimin e saj ne online gazeta Koha Jone !

Duke pasur parasysh dhe zhvillimet e fundit, akuzat për trafikun e drogës dhe dekriminalizmin, duket se takimet e sotme nuk janë zhvillime rutinë. Diçka po luhet në politikë. Pas takimeve të tilla gati urgjente, gjithmonë fshihen lëvizje të forta në politikë.

Prej ditësh ambasadori i SHBA-së ka qenë tepër aktiv lidhur me largimin e zyrtarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Javën e kaluar ambasadori zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e Opozitës Lulzim Basha, por dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në ministrinë e këtij të fundit. Gjithashtu aktivitete publike të ditëve të fundit përcolli apelin për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori amerikan, Donald Lu, Meta, Nishani, Rama

Akademi pëkujtimore në 17 vjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit

September 21, 2015 by dgreca

-Kur u krijuan institucionet e Republikës së Kosovës në vitet ’90-të, Kolonel Ahmet Krasniqi e vuri tërë potencialin e vet profesional dhe intelektual në shërbim të çështjes së Kosovës/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Shtator 2015/ Në Prishtinë u mbajt sot akademi përkujtimore me rastin e 17 vjetorit të vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, derisa ishte ministri i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa përkujtoi se, kur u krijuan institucionet e Republikës së Kosovës në vitet ’90-të, Kolonel Ahmet Krasniqi e vuri tërë potencialin e vet profesional dhe intelektual në shërbim të çështjes së Kosovës. Ai u angazhua me tërë qenien për unifikimin e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira në terren, në frontin e luftës për lirinë e atdheut.

Njëkohësisht, duke qenë oficer karriere, ai i njohu dhe i respektoi institucionet legale të Republikës së Kosovës, nga të cilat edhe u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Këto përgjegjësi të larta Kolonel Ahmet Krasniqi i mori edhe me miratimin e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugovës.

“Kolonel Ahmet Krasniqi u vu në krye të organizimit ushtarak, duke mbledhur rreth vetes të gjithë oficerët dhe atdhetarët e përkushtuar për çlirimin e Kosovës, dhe për ndërtimin e një shteti të pavarur dhe demokratik. Porse, në kulmin e këtyre organizimeve të fuqishme, kur struktura e Forcave të Armatosura të Republikës po merrte një formë, një dorë antishqiptare ia shoi jetën tinëzisht në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, më 21 shtator të vitit 1998, duke i shkaktuar një dëm kolosal luftës tonë për liri dhe pavarësi”, tha Mustafa.

Ai përkujtoi edhe se, me rastin e 10 vjetorit të vrasjes,  ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, për meritat dhe guximin e jashtëzakonshëm e dekoroi Kolonel Ahmet Krasniqin, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, me urdhrin më të lartë Hero i Kosovës.

Ndërsa, më 16 shkurt të vitit 2015, me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, duke nderuar personalitetet e shquara me kontributin në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dekori ndër të tjera edhe Aziz Zhilivoden, dhe pinjollin e familjes së tij, Heroin e Kosovës , Kolonel Ahmet Krasniqin me Dekoratën Gjergj Kastrioti.

Si sot 12 vjet më parë, në manifestimin përkujtimor me rastin e pesë vjetorit të vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, Presidenti  historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në fjalën e tij theksonte:

“Kolonel Ahmet Krasniqi me aftësitë e tij të rralla, bëri një organizim të mirë të Ministrisë dhe të Forcave të Armatosura, të cilat dhanë një kontribut të madh në çlirimin definitiv të Kosovës, që u bë me mbrojtjen madhështore dhe me angazhimin madhështor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të NATO-s dhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Kolonel Ahmet Krasniqi punoi me devotshmëri dhe përkushtim në formimin dhe forcimin e Forcave Mbrojtëse të Kosovës, në kuadër të institucioneve legale të vendit tonë. Me kulturën e tij ushtarake, Kolonel Krasniqi punoi në krijimin e një ushtrie me aftësi të fuqishme mbrojtëse dhe të disiplinuar, çfarë i duhet një vendi, prandaj i shprehim nderimin tonë për këtë.

Kolonel Krasniqi ishte njeri i matur, burrë trim dhe ushtarak i rryer. Në jetë ishte burrë i urtë, dhe mbushte jetën e tij me interesimin, pasionin për letërsinë dhe artin. Sot me krenari themi se kolonel Krasniqi është një ndër heronjtë e Kosovës, andaj për meritat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, së shpejti do të jetë i dekoruar nga Presidenti i Kosovës”, thoshte Presidenti Rugova, në atë kohë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në akademinë përkujtimore sot theksoi se,  “vrasjen e kolonel Ahmet Kransiqit e planifikuan dhe e realizuan armiqtë e Republikës së Kosovës dhe të popullit shqiptar”.

Kreu i qeverisë kosovare shprehu besimin se shteti shqiptar do të zbardhë se kush e vru Ahmet Krasniqin, në Tiranë në 21 shtator të vitit 1998, ndërsa paralajmëroi rivarrosjen në Prishtinë.

Mustafa përkujtoi se, si anëtar i qeverisë së Kosovës në ekzil, ministër i Financave, ka pasur rastin që të punojë ngushtë me kolonel Ahmet Krasniqin, ministër i Mbrojtjes.

 “Ai i tubonte rreth vetes të gjithë, rrezatonte dëshirë dhe vullnet që lufta të bëhet e përbashkët, sepse nuk shihte tjetër fitimtar nga lufta, përpos Kosovës dhe popullit të saj”, theksoi kryeministri Mustafa.

Për fat të keq,vijoi ai, më mbetet në kujtesë, kur për herë të fundit Ahmetin e takova të vrarë, në rrugën e Medresesë, para shtëpisë ku banonte në Tiranë, aty ku kriminelët kishin kryer atentatin mbi të.

“Dhe unë akoma nuk mund ta humb besimin se shteti shqiptar do të zbardhë se kush e vrau Ahmet Krasniqin, kush e vrau idealin e tij për të luftuar për Kosovën e tij. Ndërsa, neve na mbetet të përmbushim zotimin tonë që eshtrat e Ahmet Krasniqit t’i varrosim në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës për të cilën ai u angazhua dhe u flijua”, u shpreh kryeministri Mustafa.

 Mes pjesëmarrësve në akademi ishin edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë.

 Pas akademisë përkujtimore u bë nisja për homazhe nga Prishtina në Tiranë, ku prehet Ahmet Krasniqi në varrezat e Sharrës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ahmet Krasniqi, Akademi Perkujtimore

Papa në Havanë: “Kush nuk jeton për të shërbyer, nuk shërben për të jetuar”

September 20, 2015 by dgreca

Havane, 20 Shtator- Sot në ditën e dytë të vizitës në Kubë, etapa e parë e udhëtimi të 10-të ndërkombëtar, Papa Françesku kremtoi Meshën solemne në Plaza de la Revolucion të Havanës, shesh i njohur për portretin e Che Guevarës, ku patën kremtuar edhe Papa Wojtila e Papa Ratzinger.
Para një numri tejet të madh të besimtarëve e qytetarëve që kishin mbyshur përplot sheshin e revolucionit, Papa Begoglio duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele të 25-të gjatë vitit kishtar, propozoi revolucionin e Ungjillit për përtëritjen e jetës personale, familjare e shoqërore: papa u ndal te dashuria e shërbimi sipas mëshimit dhe shembullit që na dha e la Jezu Krishtit.

Homelia e Papës

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na prezanton Jezusin në sa u bënë dishepujve të vet një pyetje e cila duket e pavend, e pasjellshme. Jezusi i pyeti: “Mbi çka ishin duke biseduar rrugës?” (Mk 9,33) Cilat janë aspiratat tuaja? “Ata (dishepujt) – pohon Ungjilli – heshtnin. Udhës kishin biseduar se kush prej tyre ishte më i madhi” (Mk 9,34). Dishepujt kishin turp t’i tregonin Jezusit se për çka kishin folur. Në dishepujt e djeshëm, si edhe në ne sot, mund ta gjejmë të njëjtën temë të diskutimit: “Kush është më i rëndësishëm?”.

Jezusi nuk insiston me pyetjen e tij, nuk i detyron t’i tregojnë se për çka flisnin rrugës; e megjithatë pyetja mbetët, jo vetëm në mendje, por edhe në zemër të dishepujve.

“Kush është më i rëndësishëm?”. Një pyetje kjo që do të na shoqërojë për tërë jetën e në të cilën do të thirremi të përgjigjemi në faza të ndryshme të ekzistencës. Nuk mund t’i ikim kësaj pyetje, pse ajo është e skalitur në zemër. E kam dëgjuar mase një herë në takime familjare ku u bëhej pyetja bijve: “ Kënd e doni më shumë, babain apo nënën?”.  Është si të pyesësh: kush është më i rëndësishëm për ju? Kjo pyetje a thua është vërtet vetëm një lojë e thjeshtë për fëmijë? Historia e njerëzimit ka qenë e shënuar nga mënyra e përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje.

Jezusi nuk i frikohet pyetjeve të njerëzve; nuk ka frikë nga njerëzimi, as nga pikëpyetjet e ndryshme që ai bënë. Përkundrazi, Ai i njeh “ thellësitë” e zemrës njerëzore, e si pedagog i mirë është gjithmonë i gatshëm të na shoqërojë në jetë. Besnik ndaj stilit të vet, Ai jap një përgjigje të aftë për të propozuar një sfidë të re, duke tejkaluar  “përgjigjet që priteshin” apo atë që në dukje ishte tashmë e ditur, e vendosur. Besnik ndaj stilit të vet, Jezusi vë gjithmonë në zbatim logjikën e dashurisë. Një logjikë e aftë të jetohet e mishërohet nga të gjithë, sepse vlen e është për të gjithë.

Larg nga çdo lloj elitarizmi, horizonti i Jezusit nuk është për pak njerëz të privilegjuar e të aftë të arrijnë në “njohurinë e dëshiruar” apo në nivele të larta e të dalluara të spiritualitetit. Horizonti i Jezusit është gjithmonë një propozim për jetën e përditshme, edhe këtu, në ishullin “tonë”; është një propozim që bënë gjithmonë në mënyrë që jeta e përditshme të ketë shijen e amshimit.

Kush është më i rëndësishëm? Jezusi është i thjesht në përgjigjen e tij: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” (Mk 9,35). Kush dëshiron të jetë i madh, t’u shërbej të tjerëve, e jo të shërbehet me të tjerët!

Këtu qëndron paradoksi i Jezusit. Dishepujt diskutonin mbi atë se kush do të duhej të zinte vendin (postin) më të rëndësishëm, mbi atë se kush do të ishte privilegjuar, mbi atë se kush do të kishte qenë mbi ligjin e përbashkët, mbi rregullat e përgjithshme, për ta vënë vetveten në pah me dëshirën e superioritetit mbi të tjerët. Kush do të ishte ngjitur sa më shpejt për të pushtuar vendet që do t’i kishin dhënë disa avantazhe.

Jezusi e përmbys logjikën e tyre duke u thënë thjesht atyre se jeta e vërtetë jetohet në angazhimin konkret me dhe ndaj të afërmit.

Thirrja për të shërbyer paraqet disa tipare ndaj të cilave duhet të jemi të vëmendshëm. Të shërbesh domethënë, në pjesën më të madhe, të kujdesesh për brishtësinë, mbi elementet e brishta të jetës. Të kujdesesh për ata që janë të brishtë në familjet tona, në shoqërinë tonë, në popullin tonë. Janë fytyrat e njerëzve që vuajnë, të atyre që janë të pambrojtur e të salvuar, të cilët Jezusi propozon t’i shikojmë e na thërret t’i duam në mënyrë konkrete. T’i duam me një dashuri që konkretizohet në nisma e përcaktime. Dashuri që shfaqet në detyra të ndryshme, të cilat si qytetarë jemi të thirrur t’i zhvillojmë, t’i kryejmë. Njerëz në mish e kocka me jetën e tyre, me historitë e tyre e në mënyrë të posaçme në brishtësinë e tyre, këta janë ata të cilët Jezusi na fton t’i mbrojmë, të asistojmë, t’u shërbejmë. Sepse të jesh i krishterë do të thotë t’i shërbesh dinjitetit të vëllezërve, të luftosh për dinjitetin e vëllezërve e të jetosh për dinjitetin e vëllezërve. Për këtë arsye, i krishteri është gjithmonë i ftuar t’i vë mënjë anë nevojat personale, pritjet, dëshirat e veta të gjithpushtetësisë përballë vështrimit konkret të njerëzve më të brishtë e më nevojtarë.

Ekziston një “shërbim” që shërben; mirëpo duhet të ruhemi prej një shërbimi tjetër, nga tundimi i “shërbimit” që “po” shërbehet. Ekziston një formë e ushtrimit të shërbimit që ka si interes përfitimin “tim”, në emër të  përfitimit “tonë”. Ky shërbim i le gjithmonë jashtë nevojën “tënde”, duke krijuar një dinamikë të përjashtimit.

Të gjithë jemi të ftuar nga vokacioni i krishterë në shërbimin që shërben e të ndihmojnë njëri-tjetrin në mënyrë të anasjelltë për mos ra në tundimet e “shërbimit që shërbehet”, të shërbimit që përfiton. Të gjithë jeni të thirrur, të nxitur nga Jezusi për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me dashuri e në saje të dashurisë. E këtë pa shikuar pranë nesh për të pa se çka bënë apo nuk bënë i afërmi im. Jezusi na thotë: “ Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” (Mk 9,35). Nuk thotë: “Nëse i afërmi yt dëshiron të jetë i pari, le të shërben”. Duket të kemi kujdes e të ruhemi nga vështrimi që gjykon e të ndihmojmë njëri-tjetrin të besojmë në vështrimin që transformon, për çka na thërret Jezusi. Në jetën tonë duhet ta vendosim në qendër vëllain, të afërmin, atë që vuan e që ka nevojë për ndihmën, shërbimin e dashurinë tonë.

Populli i shenjtë besnik i Zotit që jeton në Kubë është një popull që e do festën, miqësinë, gjërat e bukura. Është një popull që ecën, që këndon e lëvdon. Është një popull që ka plagë, si çdo popull tjetër,  por di të jetë me krahë hapur, të ecën udhës me shpresë, sepse vokacioni i tij është madhështia. Sot ju ftoj të kujdeseni për këtë vokacion, të kujdeseni për këto dhurata që Zoti u ka fal, por në mënyrë të veçantë dua të ju ftoj të kujdeseni e t’ia shërbeni vëllezërve më të brishtë, brishtësisë së tyre. Mos i leni anash për shkak të projekteve që ju joshin, e në realitet çinteresohen për fytyrën e atij që është pranë. Ne e dimë, jemi dëshmitarë të “forcës së pakrahasueshme” të ringjalljes që “prodhon në çdo vend fara të kësaj bote të re” (Evangelii gaudium, 276.278).

Mos ta harrojmë Lajmin e Mirë (Ungjillin9 e sotëm: madhështia e një populli, e një kombi, madhështia e një njeriu bazohet gjithmonë mbi shërbimin që mund të ofrojë për vëllezërit e vet më të brishtë e nevojtarë.

Në këtë gjë e kemi dhe këtu e gjemë frytin e njerëzimit të vërtetë.  “Kush nuk jeton për të shërbyer, nuk shërben për të jetuar”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Mesha, Papa ne Havane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT