Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 20 Gusht 2015/ Ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka mbërritur në Prishtinë, ku nesër do të dorëzojë letrat e tij kredenciale te Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, dhe pas takimit do të japin deklarata për mediat.
Kjo bëhet e ditur në njoftimet e dërguara nga Ambasada e SHBA në Prishtinë dhe Presidenca e Kosovës.
“Sa mbërrita në Prishtinë. Ndihem shumë mirë që jam në Kosovë, i emocionuar”, ka shkruar në rrjetin e tij social, Twitter, ambasadori Delawien dhe i ka postuar tre fotografi.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë në prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë, është shprheur se, “është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona”.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, ka theksuar ambasadori amerikan, Greg Delawie.
Në fjalën në ceremoninë e betimit si ambasador në Republikën e Kosovës, në 24 korrik 2015, Delawie mes tjerash është shprehur: “Besoj që qytetarët e Kosovës e ndajnë vizionin tonë. Aspiratat e tyre e përfshijnë Kosovën si shtet demokratik, shumetnik, të njohur dhe në paqe me fqinjët e vet, me një qeveri që funksionon mirë dhe që e zbaton sundimin e ligjit dhe që është e lirë nga korrupsioni. Edhe ata e dëshirojnë një Kosovë që është në rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në institucionet kryesore evropiane. Dhe ata dëshirojnë një Kosovë ku me arsye mund të presin të gjejnë vende pune që do t’u ofrojë familjeve të tyre të ardhme pozitive”.
Kongresistë amerikanë vizitë në Kosovë
PRISHTINË, 19 Gusht 2015/ Priten për vizitë në Kosovë një grup kongresistësh amerikanë, anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet dhe Zhvillim të Demokracisë.
Kongresistët amerikanë do priten nesër në Prishtinë në takime të veçanta nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga dhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit.
Takimet, sipas axhendave të njoftuara, mbahen në Presidëncë dhe Kuvendin e Kosovës, ndërsa priten edhe takime të tjera./b.j/
KUJTESE- KOSOVA DHE TORTA GJIGANDE PER BILL CLINTON
Nga raportimet në 1 nëntor 2009: KOSOVA E NDEROI BILL CLINTONIN EDHE ME TORTËN GJIGANTE, TË CILËN E SHIJOI BASHKË ME POPULLIN NË SHESHIN ME EMRIN E TIJ
Lajmi arkiv nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Nëntor 2009/ Presidenti amerikan Bill Clinton ka shijuar bashkë me popullin e Kosovës edhe tortën (ëmbëlsirën) gjigante të shtruar sot pasdite për mirëseardhje në sheshin me emrin e tij dhe pranë shtatores së tij të sapopëruruar. Një nga ëmbëltoret (pastiqeritë) e kryeqytetit, Prishtinës, e kishte gatuar këtë ëmbëlësisë për heroin e lirisë e pavarësisë së Kosovës, mysafirin e mikun e madh e të përjetshem shumë të dashur Bill Clinton.
Në fjalën e tij në shesh Bill Clinton duke festuar bashkë me mijëra e mijëra kosovarë dhe duke u takuar me ata me shtrëngime duarsh e përqafime për një kohë të gjatë, falënderoi popullin e Kosovës pse sot ndihej aq shumë i lumtur me të.
Në tortën gjigante ishte ëmbëlsirë edhe fotografia e Bill Clinton dhe harta e shtetit të Kosovës.
NJË SHËNIM DHE URIM SOT, 19 GUSHT 2015-PRISHTINË: Miqtë e Amerikës janë një shoqatë që edhe sot si tradicionalisht organizojnë në Kosovë festimet e ditëlindjes së mikut të madh, Presidentit amerikan Bill Clinton. Shumë urime!
Universiteti i Venecias nisi eksplorimin e Via Egnatia
Ashtu siç ishte bërë e ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, mbërritën me 17 gusht në vendin tonë studentë dhe profesorë të Universitetit të Venecias që po nisin udhëtimin në Vian Egnatia së bashku me një ekip specialistësh shqiptarë.
Ky udhëtim nis te Marten me 18 gusht dhe do te zgjase deri në 31 gusht, në bashkëpunim me Universitetin e Venecias, dhe është i pari udhëtim në rrugën antike, Via Egnatia.
Udhëtimi i paraprin një projekti ambicioz për shndërrimin e kësaj rruge të vjetër, në një produkt të mirëfilltë turistik.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare thotë se “çdo ditë, për katër javë do të sjellim imazhe dhe shënime nga ky udhëtim, duke shpresuar se shumë shpejt Via Egnatia, e cila dikur lidhte Romën me Kostandinopojën, Orientin me Oksidentin, do të jetë një mundësi e madhe në zhvillimin e turizmit rural nëpërmjet udhëtimeve kulturore, shpirtërore, religjioze, artit, filozofisë, teatrit e kulinarisë”.
Kjo do të ishte një tjetër mundësi që i shtohet mundësive të shumta të vendit tonë për të tërhequr sa më shumë vizitorë të huaj si dhe për ta parë këtë rast si një burim për ekonominë e vendit.(Nikolla Lena)
Kina, agjentë të fshehtë në SHBA
Gazeta the New York Times shkruan se administrata e Presidentit Barack Obama ka paralajmëruar Kinën për praninë e agjentëve të saj në Shtetet e Bashkuara, që po bëjnë fshehtas presion ndaj emigrantëve të njohur kinezë që të kthehen në vend, si pjesë e akionit anti-korrupsion të Pekinit. Njoftimi vjen mes tensioneve dypalëshe në rritje dhe vetëm disa javë para një vizite shtetërore të Presidentit kinez Xi Jingping në Shtetet e Bashkuara. New York Times që citon zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thotë se përpjekja e Pekinit është pjesë e betejës anti-korrupsion të Presidentit Xi, që ka gjetur mbështetje në opinionin publik kinez. Gazeta thotë se agjentët janë nga Ministria e Sigurisë Publike dhe nuk kanë hyrë në vend për shërbim qeveritar dhe ka shumë gjasa që të kenë ardhur me viza turizmi ose biznesi. New York Times shkruan se që nga viti 2014, mbi 930 të dyshuar janë riatdhesuar, përfshirë mbi 70 që janë kthyer me vullnetin e tyre këtë vit. Sipas artikullit, ata janë pjesë e një operacioni ndërkombëtar për të gjetur të arratisurit për arsye ekonomike dhe për t’i kthyer në vend.
- « Previous Page
- 1
- …
- 366
- 367
- 368
- 369
- 370
- …
- 599
- Next Page »