-Inicohet ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015/-Kosova dhe Mali i Zi dakordohen që të finalizojnë sa më shpejtë një draft marrëveshje për bashkëpunim kulturor, e cila aktualisht ekziston.
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me homologen e tij nga Mali i Zi, Dragica Miliç, me të cilën janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit kulturor mes të dyja institucioneve.
“Jemi duke punuar në finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor për ta bërë formalizmin e saj nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shpresojmë që sa më shpejtë të bëhet nënshkrimi i saj nëpërmjet të dy ministrave tanë”, tha Hoti.
Ai kërkoi bashkëpunim me Malin e Zi posaçërisht në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet galerive, muzeve dhe institucioneve tjera, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor si dhe një sërë çështjes tjera të rëndësishme.
Edhe zëvendësministrja Miliç kërkoi formalizmin sa më të shpejtë të marrëveshjes për bashkëpunim kulturor në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo shprehu mbështetje për shkëmbim përvojash edhe në fushat e tjera të rëndësishme kulturore.
Nga Ministria kosovare bëhet e ditur se, Hoti dhe Miliç gjithashtu ranë dakord që për vitin e ardhshëm, të dyja ministritë të hartojnë buxhete për fillimin e mbajtjes së javëve kulturore në mes të dyja shteteve, duke filluar nga parashikimi i vitit të ardhshëm buxhetor.
Zëvendësministri Hoti, në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, u takua edhe me përfaqësuesen e Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi, Elvina Bektesi, me të cilin diskutuan mundësinë e një bashkëpunimi të përafërt mes tyre, dhe Ministrisë në Diasporës të Kosovës.
Hoti u takua edhe me Zoran Gjukanoviç, shef i Departamentit për Monitorim, Kërkim, Informim dhe Publikim të Informacioneve në kuadër të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi. Të dy ranë dakord për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve bashkëpunuese.
Zëvendësministri Hoti është takuar edhe Genc Nimanbegun, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe deputet në Parlamentin malazez.
Hoti dha mbështetjen e Ministrisë për të ofruar ndihmë në përmirësimin e jetës kulturore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Nimanbegun kërkoi nga zëvendësministri Hoti që Republika e Kosovës të ofrojë mbështetje shtetërore financiare dhe konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë parasysh se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është duke u tkurrë gjithnjë e më shumë në të gjitha drejtimet.
Gjithashtu, gjatë bisedës u iniciua ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare, prej ku do të mund të mbuloheshin nevojat emergjente që kanë shqiptarët në Matë zi, qofshin ato arsimore, shëndetësore, kulturore, ekonomike.
Gjatë vizitës në Mal të Zi zëvendësministri Hoti është shoqëruar edhe nga Lazar Raduloviç, kryetar i Partisë Malazeze të Kosovës.
EULEX, 15 vetura për Doganën e Kosovës
PRISHTINË, 7 Korrik -Në Doganën e Kosovës u mbajt sot ceremonia e donacionit të 15 automjeteve nga misioni i EULEX-it.Ky donacion u dorëzua personalisht nga shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, ndërsa u pranua nga drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Ky donacion do të na ndihmojë që të realizojmë në mënyrë efikase detyrat tona, këto vetura do të përdoren për ekipet antikontrabandë”, tha Rafuna.
Ai shtoi se, “pa dyshim që donacionet si këto ndihmojnë në arritjen e standardeve evropiane, në luftimin e evazionit fiskal dhe indirekt reflektojnë në më shumë të hyra për buxhetin e shtetit, që është edhe strategjia e qeverisë së Kosovës në luftimin e ekonomisë joformale”.
“Dogana e Kosovës ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme që të përmirësoj proceset dhe luftoj korrupsionin, ka treguar që është lidere në rajon”, theksoi shefi i EULEX, Meucci./B.J/
Kriza financiare greke, presidenti Nishani takim me Guvernatorin Genti Sejko
Presidenti Bujar Nishani është takuar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko. Kreu i shtetit i ka kërkuar Guvernatorit informacione të imtësishme rreth rreziqeve të mundshme ndaj sistemit tonë bankar.
Ai kërkoi të informohej edhe mbi impaktin mbi ekonominë shqiptare në përgjithësi, duke pasur parasysh faktin se shteti fqinj i Greqisë është edhe investuesi kryesor i huaj në Shqipëri.
President Nishani u informua gjithashtu edhe mbi masat e marra si edhe rreth ndjekjes së kujdesshme e të vëmendshme të situatës financiare që po bëhet nga Banka e Shqipërisë.
Tahiri në komisionin e sigurisë: Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka raportuar paraditen e së martës në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare lidhur me ngjarjet e ndodhura së fundmi në Lazarat.
Në fjalën e tij, duke iu përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës se në fshatin jugor të vendit policia dhe RENEA ndërhynë pa plan veprimi, Tahiri ka thënë se, kriminaliteti i krijuar ndër vite në Lazarat nuk mund të asgjesohej për një vit, pavarësisht rezultatit të suksesshëm të arritur në operacionin e vitit të kaluar.
“Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv. Vitin e kaluar policia i dha fund kultivimit masiv të drogës, vlera e të cilës arrinte në disa miliardë euro. Me paratë e drogës korruptohej Policia e Shtetit, drejtësia dhe vendimmarrja politike”, ka thënë Tahiri.
Ministri ka theksuar se, kur qeveria aktuale erdhi në pushtet gjeti një Shqipëri të zhytur në kultivimin e narkotikëve, gjë që sipas tij kishte pasoja të rënda në sigurinë publike, drejtësinë dhe politikën.
“Fluksi kriminal i atyre përmasave nuk mund të gjente zgjidhje pa operacionin e vitit që kaloi”, ka theksuar Tahiri, i cili sa i takon ngjarjeve të fundit, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, ka thënë:
“Ajo që ndodhi ishte një ngjarje e rëndë, por që gjeti zgjidhjen e duhur me arrestimin e të dyshuarve. Ajo ishte diçka e organizuar dhe policia nuk kishte informacion as nga SHISH, por mori zgjidhjen më të shpejtë të mundshme”, ka shtuar Tahiri.
Ne komision ka pase debat te ashper mes pozites dhe opozites.
Papa në Ekuador: dialog e pjesëmarrje pa përjashtime
Me etapën e parë në Ekuador, filloi shtegtimi i Françeskut në Amerikën Latine. Më pas do të vizitojë Bolivinë e Paraguáin. Avioni i Alitalia-s arriti në Aeroportin e Quitos në orën 14.45 me orën vendase (21.45 me atë evropiane). Si zbriti nga shkallëza, takimi i parë i përzemërt ishte ai me presidentin e Ekuadorit, Rafael Correa, që shoqërohej nga bashkëshortja. Në fjalimin e parë drejtuar Amerikës Latine, Papa Françesku i ftoi të gjithë për dialog e pjesëmarrje, pa asnjë përjashtim.
Me Ungjillin, t’i përballojmë sfidat aktuale: dialog e pjesëmarrje pa asnjë përjashtim
“Çelësat” për t’i përballuar sfidat e sotme, janë në Ungjill. Sapo arriti në Quito, në atë, që e quajti “toka e bukur e Ekuadorit”, Papa Françesku u paraqit si dëshmitar i mëshirës së Zotit dhe i fesë në Jezu Krishtin. Si përshëndeti presidentin e Republikës, Rafael Correa, institucionet, Kishën vendase e besimtarët, që e pritën, duke ia hapur, pohoi, portat e zemrave të tyre, të familjeve e të Atdheut, Papa theksoi se ishte në Ekuador për arsye baritore dhe kujtoi menjëherë fenë që, në rrjedhë shekujsh, formoi identitetin e popullsisë së vendit. Më pas kujtoi figurat e ndritura të kësaj toke që, duke e jetuar mëshirën, kontribuan për ta përmirësuar shoqërinë ekuadoriane të kohës së tyre: Shën Mariana e Jezusit, Shën Mikeli Febres, Shën Narçiza e Jezusit e Mercedes Molina e Jezusit, lumnuar në Guayaquil tridhjetë vjet më parë, gjatë vizitës së Shën Gjon Palit II.
“En el presente, también nosotros podemos encontrar en el Evangelio…
Sot edhe ne mund të gjejmë në Ungjill çelësat, që na ndihmojnë t’u bëjmë ballë sfidave aktuale, duke vlerësuar larmitë, duke promovuar dialogun e pjesëmarrjen pa asnjë përjashtim, me qëllim që hapat përpara të bëra në drejtim të progresit e të zhvillimit, të garantojnë një ardhmëri më të mirë për të gjithë, me vëmendje të veçantë për vëllezërit tanë më të brishtë e pakicat më të ligshta. Prandaj, Zoti president, mund të mbështeteni gjithnjë në angazhimin dhe bashkëpunimin e Kishës, për t’i shërbyer popullit ekuadorian, që u ngrit përëri në këmbë plot dinjitet.
Vetëm Jezusi ndrit me dritën e vet
Në këtë mision, Françesku siguroi se Kisha do të vijojë angazhimin dhe bashkëpunimin e saj, pastaj pohoi se e nisi plot dëshira e shpresa javën në Amerikën Latine, duke vërejtur se pika më e afërt e hapësirës së jashtme të botës, është pikërisht në Ekuador. E është maja e Chimborazo-s, pika më e afërt me diellin, me hënën e me yjet, shtoi.
“Nosotros, los cristianos, identificamos a Jesucristo con el sol…
Ne, të krishterët, e krahasojmë Krishtin me diellin e hënën me Kishën, sepse hëna nuk ndriçon me dritën e vet e, po të fshihet dielli, mbi tokë dyndet errësira. Dielli është Jezu Krishti, e nëse Kisha largohet ose fshihet nga Jezusi, errësohet e nuk është më në gjendje të japë dëshmi. Prandaj, tha në vijim Papa, uroj që këto ditë ta vëmë më në pah afërsinë e Diellit të lindur nga lart, për të na ndriçuar ne, që jemi pasqyrim i dritës së Tij, i dashurisë së Tij.
Mbrojtja e më të ligshtëve e besimi në të rinjtë
Nga maja e Chimborazo-s e deri në brigjet e Paqësorit, nga pyjet pa fund amazonike e deri në ishujt Galapagos, e përqafoj dhe e bekoj gjithë Ekuadorin!
“Nunca pierdan la capacidad de dar gracias a Dios…
Mos e humbisni kurrë aftësinë për të falënderuar Zotin, që bëri gjithë këtë për ju: aftësinë për të mbrojtur të voglin e të thjeshtin, për të kujdesur fëmijët e pleqtë, për të pasur besim tek rinia e për t’u mrekulluar nga fisnikëria e njerëzve tuaj e nga bukuria e vendit tuaj”.
Programi i vizitës në Quito e Guayaquil
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa u drejtua, ndërmjet një turme në festë, në të dy anët e rrugës, drejt nunciaturës, për darkën e pushimin e natës së parë në trojet amerikanolatine. Sot u nis nga Quito për në Guayaquil, ku vizitoi shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore e po kremton Meshën në Parque de Los Samanes, për të shkuar, për drekë, në Kolegjin Javier të jezuitëve.
Pasdite, kur mbi Evropë do të ketë rënë nata, Papa do të shkojë për t’i bërë një vizitë mirësjelljeje Presidentit të Republikës, Rafael Correa e, si veprimtari e fundme e kësaj dite, do të jetë vizita në Katedralen e Quitos.(Sipas Radio Vatikani)
- « Previous Page
- 1
- …
- 386
- 387
- 388
- 389
- 390
- …
- 599
- Next Page »