• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URA E SHKOPETIT…

June 30, 2015 by dgreca

NGA AHMET ZANI/

SHKOPET-Nuk mund të besohet por është e vërtetë. Edhe të vdekurit e fshatit Shkopet transportohen me mjete rrethanore nga njëra anë e lumit Mat në tjetrën. Ndërkohë fëmijë, burra, gra e të moshuar lëvizin mbi fuqtë e përgatitura në formë varke duke vënë në rrezik jetën e tyre. Prej 20 vitesh 80 familjet e mbetura në fshat kanë ndjerë dëmtimin e rëndë të urës, ndërkohë pesë vitet e fundit vuajnë mungesën totale të saj. Një grua e moshuar shprehet se hapja e digave të hidrocentralit të Shkopetit shkaktoi dëmtimin e plotë të urës, duke izoluar fshatin e komunës Milot. “Nga digat e hidrocentralit u derdhën sasi të mëdha uji. Prurjet përmbytën gjithçka, tokat, shtëpitë dhe rrëzuan edhe urën e cila megjithëse e vjetëruar na shërbente për të kaluar nga njëra anë e lumit në tjetrën. Prej atëherë askush nuk mendoi për të ngritur një urë të re”-shprehet Prena, një gjyshe që mban sytë nga lumi sa herë nipërit e mbesat shkojnë në shkollën e fshatit. Ajo rrëfen se disa nga banorët që kanë patur mundësi financiare e kanë lënë fshatin dhe janë sistemuar me qira në Laç, Lezhë e gjetkë, për të mundësuar shkollimin e fëmijëve. “Fshati, thotë banorja 75 vjeçare e Shkopetit, po braktiset, megjithëse këtu ka toka pjellore dhe është vend i begatë për blektori e bimë medicinale. Kush ka lekë dhe i dhimbset jeta e fëmijëve është larguar. Ne të shkretët çdo ditë e shohim vdekjen me sy. Sa herë fëmijët e fëmijëve nisen për në shkollës rri e vështoj a dalin në anën tjetër të bregur. Rri me zemër të ngrirë. Një muaj më parë fëmijën e një fqinji e shpëtuan banorët e fshatit. Trapin e ndërtuar me fuqitë e hekurit e mori lumi afro 300 metra. Shyqyr djali 11 vjeçar shpëtoi”-tregon banorja e Shkopetit të izoluar plotësisht.  Mungesa e një ure e cila do të mundësonte kalimin e mjeteve bujqësore drejt fshatit Shkopet të Kurbinit, ka detyruar banorët e saj t`i rikthehen punimit të tokave me parmendë. Nuk bëhet fjalë që në këtë fshat të mbërrijë makina apo mjetet bujqësore. Këtu banohet si në mesjetë. Mirëpo ajo që të habit është diçka tjetër, mjaft e rëndë. Edhe të vdekurit apo të sëmurët transportohen me këtë mjet arkaik, primitiv. Nuk kanë asnjë mundësi tjetër banorët e Shkopetit për të lëvizur mbi lumin e rrëmbyeshëm të Matit. Banorët kanë montuar tri fuqi hekuri dhe mbi to kanë vendosur disa dërrasa. Çdo ditë me këtë “mjet” udhëtojnë nxënësit e shkollës 9 vjeçare Shkopet, jeta e të cilëve është në fije të perit.

Dhe këta pak banorë që ende nuk kanë mundur të largohen nga pjesa tjetër e fshatit tashmë të izoluar për punimet e stinës përdorin parmendë në punimin e tokave. A thua nuk janë të harruar nga shteti këta banorë të Shkopetit në Kurbin?

Filed Under: Kronike Tagged With: Ahmet Zani, Ura e shkopetit

Kosova pret misionin e Komisionit Evropian në korrik

June 30, 2015 by dgreca

Nga Prishtina: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Qershor.-Kosova intensifikon përgatitjet për misionin faktmbledhës të Komisionit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, i cili mbërrin në muajin korrik. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës janë takuar sot për të diskutuar për përgatitjet që po bëhen për pritjen e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.Në hapjen e takimit me përfaqësues të grupeve punuese teknike për procesin e liberalizimit të vizave nga të gjitha institucionet përkatëse, zëvendësministri  i Integrimit Evropian,  Ramadan Ilazi përsëriti se liberalizimi i vizave është prioritet kombëtar i qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe si i tillë tha se nënkupton përgjegjësi shtesë për të gjitha institucionet që të sigurohet përmbushja e detyrave të shtëpisë.“Komisioni Evropian është përgjigjur shpejt raportit të 5 qershorit të Republikës së Kosovës duke mbledhur një ekip të ekspertëve  jashtëzakonisht të përgatitur mirë, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë nga 13 deri 17 korrik”, tha Ilazi.
Ai vlerësoi se rëndësia e misioni vlerësues të KE-së është fundamentale, sepse raporti përfundimtar që do të hartohet pas kësaj vizite do të hap rrugë për hapat e ardhshëm për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Komisioni Europian, korrik, kosova

Kongresisti Engel: Krijimi i Speciales nga Kosova, zgjidhja më e mirë

June 30, 2015 by dgreca

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë nga vetë institucionet e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.
Engel i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Besoj se nëse nuk do të ketë ndonjë Gjykatë Speciale, do të ketë një lloj gjykate nga Kombet e Bashkuara. Do të jetë njëra ose tjetra. Personalisht, mendoj se Kombet e Bashkuara nuk janë rruga e duhur, sepse mendoj se Kosova nuk duhet të marrë tronditje nga Kombet e Bashkuara. Gjykata Speciale është e vështirë dhe e dhimbshme, por është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Engel.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart rolin dhe angazhimin e kongresistit Engel për Kosovën dhe perspektivën e saj.
Presidentja Jahjaga dhe kongresisti Engel biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për përpjekjet në vendosjen e sundimit të rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, perspektivën evropiane dhe stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart rolin dhe angazhimin e kongresistit Engel për Kosovën dhe perspektivën e saj, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për një Kosovë – shtet demokratik, të përparuar dhe gjithëpërfshirës.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka kaluar nëpër një periudhë jo shumë të lehtë brenda një periudhe njëvjeçare, në përpjekjen e saj për të adresuar çështjet e saj të brendshme, përfshirë migrimin ilegal, përparimin në rrugën e integrimeve, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, adresimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, që po bëhen kërcënime serioze për vendin dhe për rajonin si dhe vazhdimin e dialogut me Republikën e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
Ajo tha se dialogu që ka vazhduar në Bruksel, me lehtësim të BE-së, është me rëndësi për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet dy vendeve, por vlerësoi se rëndësi të veçantë ka zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani. Presidentja Jahjaga tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të dialogut. Ajo theksoi se Kosova si edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit duhet të ketë një perspektivë të qartë evropiane dhe se i gjithë rajoni i Ballkanit duhet të përfshihet në projektet energjetike dhe infrastrukturore të BE-së.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka ende për të bërë në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që do të lehtësonte investimet e huaja dhe do të rimëkëmbte ekonominë e vendit.
Për krijimin e Gjykatës Speciale, Presidentja Jahjaga tha se pret nga institucionet e vendit, Qeveria dhe Kuvendi, që të gjejnë sa më shpejt mënyrën e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimeve të vetë Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo tha se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj do të dëshmojnë se besojnë në parimet e drejtësisë për të gjithë dhe se do të përmbyllin këtë kapitull të rëndë të historisë.
Kongresisti amerikan, Elliot Engel vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi se Kosova ka dëshmuar të jetë një histori e suksesit. Ai tha se është me rëndësi partneriteti i Kosovës me SHBA-në dhe vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet e saj në ndërtimin e një shoqërie demokratike.

Filed Under: Kronike Tagged With: GJYKATA SPECIALE, Kongresisti Engel, zgjidhja e mire

Mustafa pritet në Berlin me ceremoni shtetërore

June 30, 2015 by dgreca

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa takohet të martën në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Berlini zyrtar ka organizuar pritje me ceremoni të larta shtetërore. Por edhe pritjet nga delegacioni i Kosovës janë të mëdha.

Kancelarja Angela Merkel pret sot (30.06) kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, me nderimet më të larta shtetërore. Ata të dy së bashku do të parakalojnë edhe para gardës së nderit, që organizohet për përfaqësuesit e shteteve. Takimi me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga Mustafa, i cili fillon në mesditë, pritet të zgjatë rreth dy orë. Gjermania dhe Berlini zyrtar po përballen për momentin me një krizë shumë të rëndë financiare në Greqi. Por as kjo nuk ka ndikuar në shtyrjen, apo shkurtimin e takimit me delegacionin e Kosovës. Zëvendësja e zëdhënësit të Qeverisë, Christiane Wirtz, ka bërë të ditur se kancelarja pret që nga dora e parë të informohet për gjendjen në Kosovë dhe për ecurinë e dialogut me palën serbe. Në këtë takim do të bisedohet për raportet bilaterale dhe mundësinë e thellimit të marrëdhënieve, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në kumtesën zyrtare.

Nga delegacioni i Kosovës mësojmë se ata janë të interesuar për thellimin e raporteve bilaterale, afrimin e mëtutjeshëm me Berlinin dhe Bashkimin Evropian, si dhe për shtimin e investimeve gjermane në Kosovë. Shtimi i investimeve do të jetë një prej temave kryesore në takimet, që delegacioni i Kosovës do të ketë ditën e dytë me përfaqësuesit e landit të Baden- Würtenbergut, por edhe me përfaqësues të institucioneve gjermane në Berlin.

Vizita në Berlin menjëherë pas bisedimeve në Bruksel

Takimi në Berlin mbahet menjëherë pas bisedimeve në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të prira nga kryeministrat Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Në këto bisedime janë prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për raportet mes Kosovës dhe Serbisë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe; çështja e energjetikës; telekomunikacioni dhe i ashtuquajturi “Parku i Paqës”, mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Kryeministri Isa Mustafa ka deklarauar se nga vizita në Berlin pret thellimin e raporteve me këtë vend mik. Por pala kosovare do të ketë vështirësi të argumentojë mosthemelimin e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Pala kosovare është e hendikepuar me këtë vendim”, deklaroi Mustafa për RTK.

Gjermania ka shtuar interesimin për Ballkanin Pertëndimor në disa vitet e fundit. Sinjalet e para shumë të qarta për domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve në këtë rajon janë dërguar gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, në gusht të vitit 2011. Interesimi i Gjermanisë dhe vendeve perëndimore për Ballkanin është shtuar në veçanti pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe mundësisë që Moska të shtrijë influencën e saj edhe në Ballkan. Vitin e kaluar, me iniciativën e kancelares Merkel është mbajtur edhe konferenca e Berlinit, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nesër në Berlin kancelarja pret delegacionin e Kosovës. Ndërsa së shpejti do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë e ndoshta edhe Bosnje-Hercegovinën. Gjatë këtyre vizitave Merkel do të ritheksojë domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, si një prej parakushteve për afrimin me Bashkimin Evropian. Por edhe zbatimin e reformave të domosdoshme në këto vende. Serbia shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Por pikërisht Gjermania është vendi, i cili më së shumti insiston që negociatat me Serbinë të fillojnë me kapitullin 35, i cili nënkupton normalizimin e plotë të raproteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që në fund të dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, të nënshkruhet edhe një marrëveshje, e cila do të rregullonte raportet mes këtyre dy vendeve.

Filed Under: Kronike Tagged With: merkel, Mustafa, pritet

Kosova drejt ushtrisë, diplomojnë kadetët e FSK-së të brezit 2015

June 29, 2015 by dgreca

 Nga Prishtina: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 29 Qershor.-Bëhen të gjitha përgatitjet për ushtrinë e Kosovës. Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj u zhvillua sot ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK),  brezi 2015. Ministri i Ministrisë së FSK-së, Haki Demolli,  e vlerësoi këtë ceremoni si një ditë të veçantë në jetën dhe karrierën e të diplomuarve, por edhe si një ngjarje të shënuar për FSK-në.“Diplomimi dhe gradimi i 11 kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare  të FSK-së, në gradën e nëntogerit, është një ditë tejet e rëndësishme dhe e shumëpritur, jo vetëm për kadetët e diplomuar, familjet e tyre, por edhe për Ministrinë dhe FSK-në në përgjithësi. Është ditë në të cilën po bëhet kurorëzimi i një pune të gjatë dhe tani pas 4 viteve angazhimi, sakrifice, këmbëngulësie, po e realizoni ëndrrën tuaj, duke u bërë solemnisht oficerë të karrierës në uniformën e FSK-së, që është uniformë e shenjtë dhe shumë e çmuar për popullatën e Republikës së Kosovës”, u shpreh ministri Demolli.

Ai vlerësoi shkollimin e kadetëve në Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së. “Doktrina e stërvitjes dhe shkollimi i kadetëve tanë bazohet në tërësi  mbi njohuritë dhe shkencën ushtarake, të ngjajshme me ato të ushtrive tjera bashkëkohore, duke zhvilluar njëkohësisht studime paralele edhe në institucione civile, konkretisht në Universitetin Amerikan të Kosovës”, tha ai.

Ministri Demolli tha se Ministria ka bërë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Kadetët në mënyrë të veçantë i ka përshëndetur dhe përgëzuar, në gjuhën shqipe, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Thimoty Orr.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke iu drejtuar kadetëve, tha se,  “ju po bëheni pjesë e FSK-së, në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën”.

Pas leximit të urdhrit për gradimin e 11 kadetëve në gradën e nëntogerit solemnisht iu dhanë certifikatat oficerëve të rinjë të FSK-së.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rama i dorëzoi nëntoger Shpend Hajdinit çmimin “Kadeti më i mirë i brezit 2015”. Kadetët e sapodiplomuar dhanë betimin solemn para komandantit të Qendrës së Studimeve Universitare, kapiten Avni Kiqina.
Kadetët e FSK-së kanë kryer studimet në Qendrën për Studime Universitare dhe në Universitetin Amerikan të Kosovës. Atyre sot edhe u janë caktuar detyrat, të cilat do t’i kryejnë në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kadetet e FSK, Kosova drejt Ushtrise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 392
  • 393
  • 394
  • 395
  • 396
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT