Nga Gaspër Marku/- Pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, grupe artistike nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, morën pjesë në aktivitetin tradicional të organizuar në nderim të poetit të njohur, meshtarit Ndre Mjeda, me rastin e 77 vjetorit të vdekjes së tij. Ne aktivitetin e organizuar në fshatin Kukël, aty ku Mjeda shërbeu për shumë vite si famullitar i kësaj zone, moren pjese edhe zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, si dhe autoritete vendore të qarqeve veriore të Shqipërisë, si dhe të tjerë të ardhur nga matanë kufirit.
Në fjalën e tij, zv/ministri Çuni, i cili vite më parë u bë iniciator i fillimit të punimeve restauruese të godinës ku ka jetuar dhe shërbyer poeti i madh Ndre Mjeda, për ta kthyer atë në një qëndër muzeale, u shpreh shumë i kënaqur që tashmë në cilësinë e zv/ministrit të Kulturës, e gjen qëndrën muzeore Ndre Mjeda me një pamje krejt tjetër bashkëkohore. Ai bëri të ditur se me “Ditët e Mjedes”, Ministria e Kulturës hap siparin e aktiviteteve që ky institucion do të organizojë në kuadër të vizites së Papa Françeskut në Shqipëri. Ky aktivitet është prolud i shumë aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen gjatë muajit shtator deri në ardhjen e Papes, theksoi ai.
Dom Nik Ukgjini, pasuesi i Mjedes në famullinë e Kuklit, aktualisht edhe Drejtor i Qendres Muzeore Ndre Mjeda, tha se kjo qender bashke me Qëndrën e Studimeve Albanologjike të Komunës Bushat, duke organizuar edicionet “Ditet e Mjedes”, prej katër vitesh me radhë shpalos vlera të larta kulturore kombëtare, për të cilat punoi për 30 vite në këtë qëndër vetë poeti Mjeda”. Ukgjini sqaroi se kompleksi në fshatin Kukel përbehet nga dy objekte të lidhur me njëri-tjetrin, Kisha dhe Qela, objekte këto që janë projektuar dhe realizuar nga vetë Dom Ndre Mjeda, i cili ka qëndruar dhe sherbyer aty per nje periudhe 30 vjeçare, prej vitit 1906 deri më 1937. Shtëpia e ndërtuar ne vitin 1906, paraqet një godinë dykateshe të stilit neoklasik. Gjate viteve 1962-1979 dhe 1982-1991 ka patur funksionin e një shtëpie muze kushtuar poetit Ndre Mjeda dhe e pajisur me objekte të ndryshme të vete klerikut. Në shkurt të vitit 2012, MTKRS e shpalli kompleksin Monument Kulture, ndërkohë që sot, falë kontributit të komunes Bushat dhe RDP-së, shtëpia e Mjedes, tashmë ka një pamje krejt tjetër.
Zef Hila, Kryetar i komunës Bushat, njësi vendore që ka nën juridiksionin e saj edhe fshatin Kukël, theksoi se tashmë është bërë realitet vendosja e shtatores “Dom Ndre Mjeda” në mjediset e qëndres muzeore me të njëjtin emër dhe së bashku me të edhe rikonstruksioni i kishes. “Së fundmi, me një projekt të financuar nga RDP-ja dhe kontributi i komunës së Bushatit, me mbeshtetjen e zotit Cungu, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Qarkut, me vleren e 106 mijë euro, do te kthehet ne identitet kjo qëndër muzeore në nderim të të madhit Dom Ndre Mjeda”, u shpreh Hila.
Dorëhiqet Ministri Ilirian Celibashi
Ermonela Felaj emërohet Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin/
Tirane, 1 Gusht/- Ermonela Felaj, deputete e Partisë Socialiste, e zgjedhur në qarkun e Beratit, është emëruar ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas largimit të Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë.
Këtë ndryshim në kabinetin qeveritar, e ka shpallur vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zonjën Ermonela Felaj dhe zotin Ilirian Celibashi.
Kryeministri tha se ndryshimi në qeveri është një kërkesë e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për të ndërprerë marrëdhënien me Qeverinë. “Si nevojë për të mos ndërprerë për asnjë minutë punën tonë këtu, në Këshillin e Ministrave, duke zëvendësuar një ministër, me të cilin kam pasur privilegjin që të punoj në 300 ditët e para, me një kolege, të cilën e admiroj për cilësitë e saj, me deputeten e PS-së, Ermonela Felaj”, tha kryeministri Rama.
Ai falenderoi z. Celibashi për përkushtimin dhe integritetin e lartë moral dhe profesional me të cilin e ka përballuar detyrën, ndërsa pohoi se dorëheqja e tij është për motive tërësisht personale. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se Celibashi, si një ndër juristët më të spikatur të vendit dhe si pjesë e jona, me asistencën e tij, nuk do të ngurrojë të japë këndvështrimet e tij kritike.
Ministri i dorëhequr, duke e cilësuar mbresëlënëse punën e tij në qeverinë ‘Rama’, pohoi se vendimi tij bëhet për arsye personale. Celibashi nënvizoi se shpreson që akti i tij të mos dëmtojë askënd, pikë së pari asnjë interes publik.
Ai falenderoi PS-në dhe kryeministrin Rama për vlerësimin që i bënë kapaciteteve të tij profesionale duke e bërë pjesë të maxhorancës së majtë. “Ka qënë një nder që të përfaqësoja PS-së dhe privilegj të isha pjesë e këtij kabineti. Kjo vendimmarrje imja nuk ka vënë aspak në dyshim besimin dhe bindjen time të kahershme tek kryeministri Rama dhe kabineti i tij serioz dhe te përgjegjshmëria përpara qytetarëve shqiptarë, për të përmbushur objektvat politkë”, u shpreh Celibashi.
Nga ana e saj deputetja Felaj falenderoi kryeministrin për vlerësimin, ndërsa shprehu anagzhimin profesional dhe moral të saj në plotësimin e detyrës si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ermonela Felaj, 38 vjeçare është juriste në profesion, ku ka përfunduar me rezultate të shkëlqyara shkollën e magjistraturës dhe ka një përvojë të spikatur si prokurore në rrethin e Beratit. Ajo është deputete e qarkut të Beratit në grupin e PS-së për mandatin e dytë radhazi.
Jahjaga takim me Thaçin dhe udhëheqësit e institucioneve të sigurisë
PRISHTINË, 1 Gusht / Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, u shpreh për domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet të gjitha institucioneve të Kosovës, posaçërisht atyre që kanë përgjegjësinë për sigurinë kombëtare, me qëllim luftimin e dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjërë.
Gjatë një takimi që Presidentja Jahjaga zhvilloi sot me Kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, dhe me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, drejtorin e AKI-së Bashkim Smakaj, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, kryeprokurorin e shtetit në largim Ismet Kabashi dhe kryeprokurorin e shtetit Sylë Hoxha, si dhe kryesuesin e Këshilli Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, diskutoi për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe të radikalizmit.
Në takim, krerët e institucioneve, kërkuan nga mekanizmat përgjegjëse për sigurinë, që veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë, parandalimin aktiviteteve, organizimeve dhe çfarëdo lloj veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënon jetën e qytetarëve jo vetëm të Kosovës, dhe që synon shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit. Presidentja Jahjaga ritheksoi qëndrimin se, “Kosova asnjëherë nuk do të bëhet strehë dhe nuk do të shërbejë si një burim për grupet radikale e ekstremiste”.
Publikohet programi i vizitës së Papës në Shqipëri
Është përmbyllur programi i plotë i vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator 2014 në të gjitha detajet e tij.
Koordinatori i përgjithshëm i vizitës së Papës, Doktor Albert Nikolla, ka lexuar sot programin dhe logon e vizitës në një konferencë shtypi në katedralin e “Shën Palit” në Tiranë.
Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Shën Tereza”, shoqëruan nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj.
Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë nëj fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Vizita e Papa Françeskut në Tiranë:Qeveria mbi 141 milionë lekë fonde
Nga Gjergji Mima/*
TIRANE, 30 Korrik -Keshilli i Ministrave vendosi gjate mbledhjes se sotme për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, prej 141.115.797 milione lekesh, miratuar për Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri.
Me poshte vendimi i plote i Keshillit te Ministrave:
VENDIM PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS DHE QENDRËN KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE QË DO TË KRYHEN NË KUADËR TË ORGANIZIMIT TË PUNËVE NË VIJIM TË ARDHJES SË PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Kulturës, në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohen fondet, si më poshtë vijon:
a) Fondi 56 376 734 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për pastrimin e fasadave të godinave rreth sheshit “Nënë Tereza”, prishjen dhe transportin e mbetjeve të ndërtimit;
b) Fondi prej 44 729 936 (dyzet e katër milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për rikonstruksionin e Muzeut Historik;
c) Fondi prej 32 626 127 (tridhjetë e dy milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për punime rehabilituese që do të kryhen në Pallatin e Kongreseve.
2. Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi prej 7 383 000 (shtatë milionë e treqind e tetëdhjetë e tre mijë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të produksionit të dokumentarit “Pritja” në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut.
3. Këto fonde të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Kulturës dhe Sekretariati Teknik i Komisionit Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. (ATSH)
- « Previous Page
- 1
- …
- 448
- 449
- 450
- 451
- 452
- …
- 596
- Next Page »