• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INFORMOHUNI:AMBASADA AMERIKANE NDRYSHON PROCEDURAT E APLIKIMIT PER VIZA

December 20, 2012 by dgreca

Ambasada Amerikane ne Tirane prej kohesh ka njoftuar se do te ndryshojne procedurat e aplikimit per vize. Dhe koha erdhi. Nga data 21 dhjetor të gjithë ata persona që do të aplikojnë për t’u pajisur me vizë në Ambasadën amerikane në Tiranë do të përballen me procedura të reja aplikimi. Konsullja Lary Gary nëpërmjet një komunikimi me mediat sqaroi se ndryshimet përfshijnë procedurën e caktimit të takimeve, pagesën dhe dorëzimin e dokumenteve.

“Tani ka më pak pagesa dhe me shumë mënyra për të kryer pagesën si dhe caktuar një datë takimi. Procesi i ri është më i lehtë dhe më i përshtatësm pasi përfshin çdo shërbim në një pagesë. Aplikimi për vizë tashmë do të bëhet vetëm on-line. Hapi i parë që duhet të bëjë aplikanti është plotësimi i formularit on-line në faqen e internetit të Ambasadës amerikane http://albanian.tirana.usembassy.gov/formds160.html dhe më tej të krijojnë një llogari online në Albania.usvisa-info.com dhe më tej të zgjedhin një nga tre opsionet e pagesës për të kryer pagesën për vizë. Pra pagesa kryhet online, ndryshe nga prodedura aktuale ku aplikanti paguante tarifën e aplikimt për vizë duke u paraqitur personalisht në bankë. Më tej aplikanti do të caktojë datën e intervistës në http://albania.usvisa-info.com dhe më tej të përgatisë dokumentat e kërkuara për vizë emigrimi, që shënon edhe hapin e fundit të procedures”,- sqaroi ajo.

Me procedurat e reja, aplikanti mund të regjistrohet para afatit për marrjen e pasaportes falas dhe jo me pagesë siç ka ndodhur me shërbimin aktual. Megjithatë, ndryshimet në prodecurat e aplikimit nuk ndikojnë në përftimin e vizës. “Nuk ka asnjë ndryshim në ligjet dhe rregullat që duhen për të kualifikuar një aplikant për vizë. Ky është një ndryshim në mënyrën e aplikimit , jo kualifikimit”, tha ajo. Ambasada Amerikane fton qytetarët e interesuar të vizitojnë nga e premtja faqen zyrtare (http://albanian.tirana.usembassy.gov/visas.html), për tu njohur me ndryshimet.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada amerikane, ndryshon procedurat, per aplikim

NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËT

December 20, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG),  (Committee To Protect Journalists),  një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç’prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar.   Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord.   Këto tre vende që sipas KMG,  janë vendet më të këqia për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve.  Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stambollë, se “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare’’.  Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012.   Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.

Duke vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ”Gazetarët janë dëshmitarë”.  ”Kur vriten gazetarët”, tha ai, ”mundësia për të mësuar se ç’po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare.”   Ai përmendi Sirinë si shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend.   Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ”on-line”, ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie.  Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët  “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend.  Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ”qytetar-gazetarë”, të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre.   Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut.  Gjithashtu sipas raportit, ”dhunë e jashtzakonshme”,  është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin.  Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër — duke shfaqur shqetsimet e tij serioze — çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë  themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë  ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët.  Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit.  Por në fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli,  “nëqoftse shumica e popullit   beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi,  edhe nëqoftse e ndalon ligji, por nëqoftse  opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të përsekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë’’.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje vit vdekjeprures, per gazetaret

“TIME”: OBAMA-NJERIU I VITIT

December 19, 2012 by dgreca

NJU JORK- Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së, Barack Obama u zgjodh sot ”njeriu i vitit 2012”, nga e përjavshmja amerikane ”Time”. Revista amerikane “Time” i jep për herë të dytë këtë cmim kreut të Shtëpisë së Bardhë, pasi ai ishte përzgjedhur një herë në vitin 2008.
”Presidenti Obama, rizgjedhur në nëntor për një mandat të dytë katërvjeçar, mishëron paralelisht një simbol dhe një fuqi lëvizëse pas tronformimeve të thella që pësoi SHBA-ja. Në vitin 2012, ai krijoi dhe formoi një maxhorancë të re, transformuar nga dobësitë e kohës dhe kërkimet, në mes të një pengese të madhe, për të bashkuar vendin”, thekson e përjavshmja prestigjioze.
Në një prej faqeve të së përjavshmes tregohet profili i fytyrës së presidentit, në hijen, pamjen e rëndë, me titull: “Presidenti Barack Obama”.
“Time” ka nisur përzgjedhjen e “Personit të Vitit” që prej vitit 1927. Në vitin 2011, në kujtim të miliona manifestuesve që kishin pushtuar rrugët e shumë vendeve nga Lindja e Mesme në Rusi duke kaluar në SHBA, Time i kishte cilësuar manifestuesit si ”persona të vitit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: njeriu i vitit, Obama, Time

ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN

December 19, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore.  Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë:  ”Këtu është një sallë fjalësh.  Disa ditë më parë në këtë tribunë  folën burrat më të fuqishëm të botës.  Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë.  Nuk besoj se është e nevojshme  tua paraqesë atë.   Ajo nuk ka nevojë për fjalë.  Por Ajo ka nevojë për veprat  tona.  Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku.  Ajo është  Kombet e Bashkuara.  Ajo është paqëja në botë.”

Sipas gj asës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.   Shqipëria, nepërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj.  ”Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,  thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.

Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:

”Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë,  Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur  më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës…..Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t’i kemi dhënë njerëzimit.”

Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ”Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ”Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane.  Me besim jam murgeshë katolike.  Si e tillë, i përkas të gjithë botës”.

Është ekzaktërisht këjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.

Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ”vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë”, përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.

Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza,   siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z.  Ferit Hoxha – rreth të cilit të  mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Fran Shkreli, Nene Tereza, OKB

NDAHET NGA JETA “BABAI” I SPELEOLOGJISE SHQIPETARE

December 18, 2012 by dgreca

 Ditën e hënë, më 17 dhjetor 2012, u nda nga jeta Prof. Gezim Uruçi dhe padyshim njëri nga speleologët më të shquar në historinë e sepeleologjisë shqiptare./

 NGA RAJMONDA MOISIU/

 Profesor Uruçi konsiderohej nga të gjithë si “babai” i speleologjisë në vendin tonë, gjë të cilën ai e kishte vërtetuar më së miri.Profesor Gëzim Uruçi, ishte vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike. Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi “Juri Gagarin”.
Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare.

 / Pasioni për Speleologjinë/

 Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë “Vllaznimi”. Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Kelmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike “Drini” në Shkodër.

    /  Rreziqet/

 Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. “Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë”, – tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. “Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje”, – rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat. Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).

      / Apartamenti Muzè/

 Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës ‘Marubi’. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t’ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.

 

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndahet nga jeta, Prof. Gezim Uruci, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 583
  • 584
  • 585
  • 586
  • 587
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT