• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesazhe miqësie në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet pullës postare

October 20, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Pullat me motive reciproke mes shteteve pra ato që nderojnë figura, ngjarje ose tradita të përbashkëta mes dy vendeve fqinje, kanë një rol të rëndësishëm te shumefishte. Në rastin e Shqipërisë dhe fqinjëve të saj (Greqi, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Itali etj.), ato ndikojnë në disa drejtime. Shërbejnë si: 1) Ura kulture dhe respekti, sepse kur dy shtete nxjerrin pulla me motive të ngjashme (p.sh. kostume popullore, trashëgimi UNESCO, figura historike rajonale), ato tregojnë se trashëgimia kulturore është e ndërlidhur dhe se ekziston respekt për kontributin e njëri-tjetrit. 2) Mjet diplomacie postare, meqenëse pulla postare është një “kartolinë zyrtare” që qarkullon në mbarë botën. Kur në to shfaqen motive të fqinjit, ato shërbejnë si mesazhe paqeje dhe miqësie; mund të shprehemi ndryshe, janë një formë e butë e diplomacisë kulturore. 3) Nxitje e fqinjësisë së mirë, pasi duke theksuar elementet e përbashkëta (p.sh. kostumet, muzika, heronjtë e përbashkët në historinë e Ballkanit), pullat kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe krijimin e një imazhi pozitiv të fqinjit në opinionin publik. 4) Përfitim filatelik dhe turistik, sepse emetimet e përbashkëta apo reciproke janë shumë të kërkuara nga koleksionistët, duke nxitur edhe turizmin kulturor.

Në rastin e Shqipërisë, bëhet fjalë për një fqinjësi me shtete që kanë pasur periudha të vështira nacionalizmash, por që sot ndajnë të njëjtin synim strategjik për integrimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, bashkëpunimi përmes filatelisë përputhet plotësisht me frymën e re evropiane, e cila nxit dialogun, respektin dhe bashkëpunimin ndërkulturor. Kështu, edhe filatelia ka peshën e saj jo të vogël në forcimin e fqinjësisë së mirë dhe në afrimin drejt vlerave evropiane. Publikut, vecanerisht koleksionisteve u ka terhequr vëmendjen dy emetime ne vitet e fundit, për të cilat do të bëjmë një analizë të thjeshtë për secilën.

Xhubleta është një veshje tradicionale femërore shumë e lashtë e trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri Veriore, e njohur për formën e saj karakteristike në formë zile dhe për ornamentet e pasura. Në vitin 2022, UNESCO e shpalli xhubletën si trashëgimi kulturore jomateriale të mbrojtur. Për këtë arsye, Mali i Zi ka shpallur vitin 2023 si “Viti i xhubletës”. Pamja në pullë paraqet një grua e veshur me xhubletë tradicionale (veshje e zezë me elementë të kuq dhe të bardhë, me përparëse e shall koke). Në qendër të bllokut ka një ornament etnografik i stilizuar, motiv që shpesh gjendet në qëndisjet dhe dekorimet e xhubletës. Ornamentet anësore të vogla me ngjyra blu dhe të arta janë elemente zbukuruese të frymëzuara nga motivet tradicionale. Autorja e dizajnit kuptohet nese lexohet në fund të majtas, dhe mban emrin Sanja Pijunović, e cila ka qenë projektuesja grafike e pullës. Kjo pullë tejkalon vleren filatelike sepse shfaqet si një akt i njohjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi.

Ne aspektin koleksionues ka rëndësi të veçantë për te apasionuarit e tematikës etnografi / kostume popullore / UNESCO. Ornamenti i madh në qendër të bllokut filatelik është vendosur aty si motiv simbolik i xhubletës. Ja një interpretim më i hollësishëm: 1) Forma bazë e saj eshtë një figurë simetrike me kthesa që duken si degë ose brirë. Ky motiv e ka origjinën nga ornamentet spirale dhe gjeometrike ilire, që kanë mbijetuar në xhubletë prej shekujsh. Forma e dyfishuar në pasqyrë shpesh lidhet me binomin jetësor: lindja–vdekja, dielli–hëna, femra–mashkulli, duke e paraqitur veshjen si shenjë të vazhdimësisë së jetës. 2) Elementet anësore ne degëzimet që shtrihen në të katër drejtimet sugjerojnë rritjen, pjellorinë dhe lidhjen me natyrën. Në traditën e kostumeve popullore shqiptare, këto motive shërbejnë si mbrojtje simbolike kundër së keqes. 3) Ngjyrat si kremi eshte ngjyrë neutrale që përfaqëson tokën dhe lashtësinë. Blu e qartë në skaje, dhe lidhet me qiellin dhe ujin, pra me pastrimin dhe mbrojtjen hyjnore. Ky kombinim është tipik për shumë ornamente të qëndisura në xhubletë, ku shpesh përdorej e bardha dhe bluja për të kontrastuar me të zezën e stofit. Pra ne teresi, ornamenti në mes është një kod kulturor,ai përfaqëson lidhjen e njeriut me ciklin e natyrës, vazhdimësinë e brezave dhe mbrojtjen shpirtërore, të gjitha të ruajtura në xhubletë.

Kjo është një FDC (First Day Cover) një zarf filatelik i veçantë që lëshohet ditën e parë të qarkullimit të një pulle postare. Ai paraqet figurën e Luigj Gurakuqit (1879–1925), një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, atdhetar, intelektual, politikan dhe bashkëpunëtor i afërt i Ismail Qemalit. Pulla është pjesë e një emisioni përkujtimor kushtuar figurave shqiptare. Vula e ditës së parë (First Day Cancel) përmban një siluetë të zezë të Gurakuqit dhe tekstin: “LUIGJ GURAKUQI (1879–1925)”; “СКОПЈЕ 1130, SKOPJE 12.03.2025” Kjo tregon se vula është vendosur në Shkup më 12 mars 2025, ditën e parë të qarkullimit të pullës. Nderkohe tek portreti në të majtë të zarfit kemi te njëjtin imazh si në pullë, por në version të madh me ngjyra. Poshtë tij është nënshkrimi “Luigj Gurakuqi” dhe shënimi në tri gjuhë: ЛУИЃ ГУРАКУЌИ, Luigj Gurakuqi (1879–1925) dhe shënimi në anë të majtë vertikalisht: “ПОШТА / POSTA / POŠT” dhe viti “2025” qe tregon botuesin (Posta e Maqedonisë së Veriut) dhe vitin e emetimit. Ne konkluzion ky zarf përfaqëson një emision përkujtimor filatelik te vendit fqinje me ne dhe qe shperfaq vlera historike. Edhe pse është lëshuar nga Posta e Maqedonisë së Veriut, përmbajtja i kushtohet një figure kombëtare shqiptare, gjë që tregon respekt për kontributin e Gurakuqit në historinë e Ballkanit dhe për lidhjet kulturore shqiptaro-maqedonase.

Zarfi eshte pjesë e një serie figurash shqiptare të nderuara nga posta maqedonase, si pjesë e përpjekjeve për bashkëpunim kulturor e filatelik rajonal. Emetimi nderon një ndër figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare dhe të shtetformimit shqiptar dhe shpreh vlerësim ndërkombëtar për trashëgiminë shqiptare nderkohe eshte shume i kerkuar për koleksionistët e temës filatelike “Personalitete shqiptare në filateli të huaj.”

Shenim: 1)Xhubleta, kjo veshje e lashtë katërmijëvjeçare, u përfshi në Trashëgiminë Botërore Jomateriale në vitin 2022. Republika e Kosoves e nderoi po atë vit me një pullë postare, ndërsa Mali i Zi, në respekt të vlerave që mbart popullsia shqiptare, e emetoi në vitin 2023. Ne te dy rastet emisionet jane te dedikuara per xhubleten. Posta SHqiptare akoma nuk eshte kujtuar per kete event, ndonese me pare ne vitet 1967,2000 dhe 2007 jane emetuar imazhe te xhubletes, por jo si emisione te dedikuara asaj. 2)Posta Shqiptare me 2025 nuk e ka nderuar me nje emision, njeqind vjetorin e vrasjes se Luigj Gurakuqit, qe perfaqeson nje nga personat kryesore te themelimit te shtetit te pavarur shqiptar me 28 nendor 1912.

Fig.3

Per kuriozitet te lexuesit po tregojme nje emetim tjeter qe vjen nga nje vend tjeter fqinje me ne por qe ka nje ndryshim te qenesishem krahasuar me dy shembujt me siper. Le ta analizojme ne disa plane: Kjo pamje paraqet një fletë filatelike jozyrtare (ose “fantazi filatelike”) kushtuar Kombëtares Shqiptare të Futbollit – EURO 2024. Fleta përbëhet nga 4 pulla të ndara dhe disa elementë dekorativë rreth tyre ku ne pjesen e sipërme kemi një foto grupi te kombëtares shqiptare (lojtarët me fanellën kuqezi), ndoshta nga ndeshjet kualifikuese për Euro 2024. Te katër pullat kane secila vlerën 0,7 € dhe vitin 2024, me mbishkrimin “SERBIAN KRAJINA”. Ne pullen e pare tregohet imazhi i trajnerit të kombëtares, Sylvinho (Sylvio Mendes Campos); ne pullen e dyte tregohen dy lojtarë shqiptarë duke festuar realizimin e nje goli; dhe ne pulla e trete e te katert imazhet e lojërave gjatë ndeshjeve, që paraqesin përplasje fizike në ajër me kundërshtarët. Në anën e majtë shfaqet EURO 2024, Group B, logoja e FSHF (Federatës Shqiptare të Futbollit ,1930) dhe mbishkrimi ALBANIA. Eshte e qarte qe këto pulla nuk janë të lëshuara nga një autoritet postar zyrtar. Emri “Serbian Krajina” i referohet një rajoni jashte trojeve tona etnike, që nuk ka ekzistencë shtetërore,por dhe as sherbim postar funksional. Kësisoj, këto pulla janë produkte private, pa vlerë postare reale, që përdoren kryesisht për koleksione tematikë. Në filateli, emetimet e tilla quhen Cinderella stamps (pulla fantazie) ose “Private fantasy issues”, pra, pulla që duken si të vërteta, por nuk janë të miratuara nga asnjë autoritet postar. Megjithate edhe pse jozyrtare, kjo fletë filatelike ka vlerë dokumentare tematike sepse përkujton pjesëmarrjen historike të Shqipërisë në Kampionatin Europian të Futbollit – EURO 2024, ngjarje që shënon një sukses tonin kombëtar. Ajo prezanton kombëtaren shqiptare si element krenarie kombëtare dhe sportive, shfaq figurën e trajnerit Sylvinho, që ka ndikuar ndjeshëm në ngritjen e nivelit të ekipit, dhe se fundi shpreh ngjyrat, logot dhe imazhet qe nxisin ndjenjën e identitetit dhe bashkimit kombëtar përmes sportit. Por duhet te themi, qe në nje mënyrë ndryshe arsyetimi, përdorimi i emrit “Serbian Krajina” mund të sjelle edhe nënkuptime provokuese politike, por nga ana filatelike mbetet thjesht një produkt komercial pa status zyrtar.

Filed Under: Kronike

Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh, duke na kujtuar se Zoti nuk është larg, por aty ku njeriu guxon të falë

October 18, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka njerëz që e kalojnë jetën pa zhurmë, pa kërkuar asgjë për vete, dhe megjithatë, bëhen pishtarë që ndriçojnë errësirën e kohës së tyre. Një prej tyre është Kardinal Ernest Troshani (Simoni), një emër që sot, në 97-vjetorin e lindjes, qëndron si një monument i heshtur i qëndresës shpirtërore, i faljes dhe i dashurisë së pakushtëzuar për Zotin dhe njeriun. I lindur më 18 tetor 1928 në Troshan të Lezhës, ai u rrit në frymën e Urdhrit Françeskan, ku në moshën dhjetëvjeçare nisi udhën e përkushtimit dhe të përulësisë. Ishte fëmija që iu besua Hyjit, për t’u bërë më vonë dëshmia e gjallë se besimi mund të mbijetojë edhe kur bota e mohon, edhe kur njeriu përballet me ferrin e vet.

Jeta e Dom Ernest Troshanit është një rrugëtim i gjatë nëpër vuajtje, burgje, punë të detyruara, tortura dhe humbje. Por është njëkohësisht një himn për jetën, për qëndresën, për fuqinë e shpirtit që nuk dorëzohet. Ai u arrestua në Krishtlindjet e vitit 1963, në moshën 35-vjeçare, vetëm pse kishte kremtuar një meshë për shpirtin e Presidentit amerikan John F. Kennedy, të vrarë pak javë më parë në Dallas. Ishte një meshë lutjeje dhe nderimi, por për regjimin ateist ajo u konsiderua “krim kundër pushtetit popullor”.

Në bankën e të akuzuarve, prifti i ri dëgjoi prokurorin që e quante “armik të popullit”, ndërsa ai vetë heshti, duke e lënë Zotin të flasë për të. U dënua me 18 vite burg dhe punë të detyruar. Kaloi nëpër kampet e Rubikut, Laçit, Elbasanit dhe Spaçit, vende që për shumëkënd ishin fundi i çdo shprese, por për të u kthyen në shkollën e durimit dhe të faljes. “Nuk di si kemi shpëtuar,” kujton ai, “por ishte Zoti që na shpëtoi.”

Kur u lirua në dhjetor të vitit 1981, eci dhjetë orë në këmbë për të arritur në Shkodër. Nuk njihte më as shtëpinë, as njerëzit, as qytetin. Por në shpirt mbante një paqe të thellë. Ai që kishte kaluar gati tri dekada në pranga, nuk mbante asnjë mllef. “Ata që më dënuan, ata që dëshmuan kundër meje, i kam falur të gjithë, pa kërkuar asnjë prej tyre falje. Sepse vetëm falja të çliron.”

Falja për Dom Ernestin nuk ishte gjest, por mënyrë jetese. Ajo ishte rrëfimi më i bukur i një shpirti që kishte njohur urrejtjen dhe kishte zgjedhur dashurinë. Në këtë përballje, ai nuk doli fitimtar si njeri, por si njeri i Zotit. Në vitin 1990, kur Shqipëria nisi të lëkundej nga tronditjet e fundit të diktaturës, ai u thirr sërish në Degën e Punëve të Brendshme. U detyrua të priste për pesë orë, i bindur se do ta arrestonin përsëri. Por fati kishte zgjedhur ndryshe: atje, ku dikur ishte dënuar, mori lajmin se kishat do të hapeshin. “Ishin fjalët më të bukura që kam dëgjuar në jetë,” kujton ai. Më 30 qershor 1990, në Velipojë, mbajti meshën e parë pas dekadash ndalese. “Ajo ditë, – thotë ai, – ishte dita më e lumtur e jetës sime.”

Por madhështia e tij qëndron jo vetëm në përvojën e dhimbjes, por në mënyrën si ai e ktheu dhimbjen në shërbesë. Pas vitit ’90, ai nuk kërkoi as hakmarrje, as njohje, as lavdi. Thjesht vazhdoi të shërbente. Me përulësinë e një bari që e di se lavdia e vetme është dashuria. Në vitin 2016, Papa Françesku e emëroi Kardinal, duke e quajtur “një dëshmitar të gjallë të faljes”. Ishte një akt që tejkalonte hierarkinë e kishës, një nder për një prift që nuk kishte mbajtur poste të larta, por që kishte mbajtur të gjallë vetë shpirtin e Kishës. Ai u bë Kardinali i dytë shqiptar, pas Imzot Mikel Koliqit, dhe një shembull se shenjtëria nuk qëndron në madhështinë e dukshme, por në dritën që buron nga brenda.

Sot, në moshën 97-vjeçare, ai vijon të jetë pranë njerëzve, në famullinë e Shën Prendës në Shkodër, ku kremton Meshë dhe ushtron ritin e lashtë të ekzorcizmit, si një prift i fundit i një bote që beson ende se dashuria mund ta nxjerrë të keqen nga njeriu.

Ai, që dikur u burgos për një meshë, sot lutet për ata që e burgosën; ai, që pa fytyrën e së keqes, sot i jep njerëzve paqe; ai, që u përpoqën ta shuajnë, është bërë dritë që s’shuhet.

97 vite jetë. 97 vite dritë.

Në heshtjen e tij, ka më shumë madhështi se në çdo fjalim. Në përulësinë e tij, më shumë forcë se në çdo pushtet. Në faljen e tij, më shumë liri se në çdo fitore.

Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh, duke na kujtuar se Zoti nuk është larg, por aty ku njeriu guxon të falë. 97 vite bekim, dritë dhe shembull.

Shqipëria përkulet me nderim para këtij burri të vogël në trup, por të pamatshëm në shpirt.

Filed Under: Kronike

Teodor Ipen, diplomati austriak i përkushtuar ndaj çështjes shqiptare

October 17, 2025 by s p

Në shek.XIX konsuj të ndryshëm si përfaqësues të vendeve europiane përveç misionit të tyre profesional kanë shfrytëzuar qëndrimin e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare edhe për të publikuar shënimet dhe përshkrimet e udhëtimeve të tyre, që janë më vlerë shumëdimensionale për botën shqiptare. Cekim më këtë rast Johann Georg von Hanh, konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë, A.Degrand, konsulli francez në Shkodër, H.Hecquard, konsulli francez në Shkodër, F.C.H.L. Pouqueville, konsulli francz në Janinë, L.S.Leake, konsulli anglez në Janinë, L.S.Jastrebov, konsulli rus në Prizren etj. Në plejaden e personalitetëve të tilla bën pjesë edhe Theodor Ippen(1861-1935), ish konsull i Austro-Hungarisë në Shkodër(1897-1904), ku përveç shërbimit diplomatik ka qenë i përkushtuar edhe për çështjen shqiptare.

Nail Draga

Në lidhje mbi jetën dhe veprimtarinë e personalitetëve të ndryshme në mjediset përkatëse janë botuar studime e botime të veçanta, duke vlerësuar angazhimin e tyre shoqëror dhe profesional. Por, jo të gjithë kanë pasur një fat të tillë, sepse ka edhe përjashtime ku i tillë ishte Theodor Ippen, i cili pavarësisht së ishte diplomat me autoritet i perandorisë, pas vdekjës së tij ka munguar interesimi i institucionëve dhe studiuesve të ndryshëm për të trajtuar jetën dhe veprimtarinë e tij.

Por, në këtë aspekt përjashtim bën Annelise Wernicke, e cila 32 vite pas vdekjës së tij, në vitin 1967, botoi monografinë Theodor Anton Ippen, Wiesbaden, 1967, duke qenë e vetmë deri në ditët tona, ndërsa në shqip na vjen me titull Teodor Ipen dhe Shqipëria në Fokusin e Perandorisë Austrohungareze, Plejad, Tiranë, 2012, përkthyer nga gjermanishtja nga Eridan Imami.
Në fillim autorja prezanton biografinë e Ipenit, duke vazhduar me aktivitetin e tij si konsull i përgjithshëm në Shkodër(1897-1904) dhe si këshilltar i Austro-Hungarisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke e përmbyllur me veprimtarinë e tij shkencore.

Diplomacia si mision jetësor

Ipeni ka lindur më 29 nëntor 1861 në Sezmice të Bohemisë e cila atëherë ishte në kuadër të Perandorisë së Austro-Hungarisë. Ndonëse rridhte prej një familje me origjinë hebreje, ai
është pagëzuar si katolik. Pasi ka përfunduar gjimnazin në Pragë, ka ndjekur studimet universitare për orientalistikë në Akademinë e Vjenës, ku u diplomua në vitin 1884.Qysh gjatë kohës së studimeve ai ka filluar përgatitjen e tij ushtarake, duke marrë graden Leitnant në rezervë. Ishte njohës i gjuhëve të huaja si çekisht, rusisht, frengjisht dhe gjermanisht.

Pas përfundimit të studimeve, ai dhame sukses provimin konsullor, duke fituar gradën e ndihmëskonsullit, më 4 shtator 1884, ku më pas u vendos në Shkodër, ku nga viti 1885, ishte i punësuar në konsullatën austro-hungareze. Por këtu nuk qëndroj gjatë sepse në vitin 1887 është transferuar në Plevle, duke zëvëndësuar konsullin austro-hungarez Ritter von Mayer. Gjatë qendrimit në Plevle udhëtoj në brendësi të vendit, ku përshtypjet e udhëtimeve të tilla të cilat kishin të bënin kryesisht me gjeografinë e etnografinë i ka botuar në librin “Novi Pazar und Kosova”(Novipazari dhe Kosova) në vitin 1892.

Në vitin 1891 Ipen transferohet si nenkonsull në Konsullatën e Konstatinopjës, ku si njohës i mirë i marrëdhënieve që kishin të bënin me shqiptarët kreu atje edhe funksionin e këshilltarit për çështjet shqiptare. Me pas në vitin 1894 u emërua nga Ministria e Jashtme, konsull në Jerusalem. Ndërsa nga viti 1897-1904 ka qenë konsull i Perandorisë në Shkodër. Me pas në vitin 1911 punësohet në Ministrinë e Jashtme, ku nga dhjetori 1912-gusht 1913 ka qenë këshilltar politik në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Ipeni është marrë më tepër në frontin jugperëndimor në Itali të Veriut, ndërsa me krijimin e Republikës së parë austriake ishte nder funksionarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, duke luajtur për një periudhë të shkurtër rolin e ministrit gjatë bisedimeve për paqe në vitin 1920. Në vitin 1921 del në pension, por ka vazhduar të jetë aktiv në “Komisionin ndërkombëtar për Danubin”. Vdiq me 31 janar 1935 në Vjenë.

Konsullata në Shkodër me mision të veçantë

Së çështja shqiptare ishte në fokusin e Perandorisë Austro-Hungareze, dëshmohet në vitin 1896, kur Ministria e Jashtme ndermori një aksion energjik lidhur me Shqipërinë, duke nxitur një plejadë studiuesish si historianë, gjeografë, etnografë, gjuhëtarë, arkeologë etj. që të merren me Shqipërinë. Ajo ndikoj që të botohen gramatika e fjalor të gjuhës shqipe, të shkollohen studentë shqiptarë në Vjenë, Grac e Insbruk, të përkrahin deri edhe përcaktimin e alfabetit të shqipës, ose si gjuhë zyrtare të shtetit të ri shqiptar.

Dhe për të realizuar këto objektiva, asaj i nevojitej një konsullatë më përbërje sa më të mirë, me individë qe njihnin mirë rrethanat shqiptare, vendin, popullin e gjuhën shqipe. Pikërisht i tillë ishte Teodor Ipeni i cili nga viti 1897-1904, ishte konsull i Përgjithshëm i Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër. Në këtë rast, ai nuk po niste një detyrë të panjohur, sepse nga viti 1884-1887, kishte qenë i aktivizuar si punonjës i kësaj konsullate. Në këtë veprimtari Ipeni është ballafaquar më vështirësi dhe intriga të pushtetit të kohës, duke dëshmuar përkushtim profesional dhe guximin personal, në favor të politikës së perandorisë qe e përfaqësonte por edhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Këshilltar në Konferencën e Ambasadorëve

Në sajë të angazhimit, përvojës e profesionalizmit të dëshmuar nga nëntori i vitit 1911 punon në Ministrinë e Jashtme në Vjenë. Në këtë kohë, përkatësisht nga tetori i vitit 1912 shpërthyen luftërat ballkanike të cilat si mision kishin pushtimin e aneksimin e viseve të hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa nga 17 dhjetori i këtij viti filloj punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku u vendos fati i Shqipërisë, Ipeni ishte në rolin e këshilltarit ambasadorit austriak kontit Mensdorff, ndërsa ministër i jashtëm ishte z.Berthold. Dhe këtë rol(dhjetor 1912-gusht 1913) ai e ka luajtur më së miri se në sajë të përgatitjes e guximit të dëshmuar duke dhënë informacioone të nevojshme në lidhje mbi shtrirjen e vendbanimeve dhe popullsisë shqiptare ku kishte përgatitur enkas edhe hartat gjeo-demografike.

Ai në veçanti është angazhuar për përfshirjën e Shkodrës brenda shtetit të ri-Shqipërisë, e gjithashtu edhe të Gjakovës e Dibrës, por fatkeqësisht në sajë të intrigave të Fuqive të Mëdha ata mbetën jashtë Shqipërisë. Njihet tashme roli dhe angazhimi i Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë, ku duke iu falenderuar atyre ndonëse e cunguar është kjo hartë politike e shtetit shqiptar. Në këtë konferencë Ipeni ishte i vetmi specialist dhe njohës i çështjes shqiptare, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit tjerë kanë qenë politikanë ose diplomat, që vepronin sipas diktatëve politike.

Veprimtaria shkencore

Gjatë qendrimit si konsull i përgjithshëm i Austro-Hungarisë në Shkodër përveç aktivitetit për të zbatuar politikën austriake, konsulli Ipen nuk ishte statik, por ka udhëtuar veçanërisht në viset veriore të Shqipërisë, udhëtime që ndikuan tek ai për të thelluar njohurit dhe simpatinë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Ne udhëtimet e tilla ai ka mbledhur shënime ku me pas i ka botuar në revista apo botime të veçanta. Në sajë të kontributit të tillë ai me të drejtë cilësohet edhe si albanolog, që dëshmohet përmes botimeve shkencore siç janë: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899); “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900); “Shcypnia : t’gnoftmé dhéshkrimtaré : t’shtumuna e t’nnrécuna” (1902); “Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907); “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907); “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908); “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916); “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927); “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shek. XlX” (1939); “Shqipëria e vjetër : studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) etj.

Ndonëse vepra e tij nuk paraqet ndonjë studim gjithëpërfshirës, kërkimet e tij janë të veçanta, përmbajnë materiale të çmuara për hapësirën etnogjeografike shqiptare si në fushën e historisë, gjeografisë, etnografisë, arkeologjisë, ekonomisë dhe besimit fetar.

Ipenit, vendin që e meriton

Vetëm pasi të lexohet ky libër kushtuar diplomatit dhe studiuesit austriak nuk ka dilemë se ati duhet dhënë vendin që e meriton tek ne shqiptarët, duke bërë pjesë në radhën e albanologëve të njohur austro-hungarezë që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, Karl Hopf, Franz Nopsca, Milan Šufflay, Gustav Weigand, Norbert Jokl etj.

Përveç botimeve të ndryshme në lidhje me shqiptarët dhe hapësirën e tyre etnogjeografike, ai njëherit ishte i vetmi ekspert i çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1912/13) duke dhënë kontributin e veçantë në mbetjen e Shkodrës në kuadër të Shqipërisë.

Në sajë të konsideratës për angazhimin dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare në vitin 1932 Mbreti i Shqiptarëve ZOGU I e dekreton me “Urdhërin e Skënderbeut”.
Por duke marrë parasysh përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare është e pakuptueshme që udhëheqësit shqiptarë mbas vitit 1945 e kanë mbajtur në heshtje një personalitet të tillë por edhe pas shëmbjës së sistemit komunist(1991) nuk kanë treguar interesimin e duhur për ti dhënë vendin qe e meriton, duke marrë parasysh faktin se politika e Perandorisë së Austro-Hungarisë ishte vendimtare në mbeshtetjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në nderim të emrit dhe veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare e në mënyrë të veçantë për Shkodrën mendoj se është në nderin e Bashkisë së Shkodrës që emri i tij të përjetësohet në bust, apo emërtimi i një rruge apo sheshi si dëshmi e vlerësimit të meritokracisë si kudo në vendet demokratike.

Annelise Wernicke, Teodor Ipen dhe Shqipëria në Fokusin e Perandorisë Austrohungareze, Plejad, Tiranë, 2012

(Tetor 2025)

Filed Under: Kronike

Lamtumirë  miku im Nonda Kajno! Lamtumirë Artist- Sfidanti i Triumfit e Frikës!

October 10, 2025 by s p

Requim Homazh për kantautorin, kompozitorin e shquar të serenatave dhe Korçës, piktorin e talentuar, artistin korcar, Nonda Kajno.

Autorët e serenatave të vendlindjes time i njohin anekënd vendit, i njohin e i adhurojnë të gjithë në Korçë, Shqipëri, në internet, gëzimet familjare e në jetën e përditshme. Serenata, kudo e kurdo, që në shekujt e kaluar e deri tashmë. Përjetësisht! 

Dhe sot me dhimbje e trishtim, mora penën t’i jap lamtumirën njërit  prej  nëndetit të mrekullueshëm të serenatave dhe Korçës sime. 

Ky është Artisti i shquar korcar Nonda Kajno…

***

Mbase deri në atë çast askush nuk e mendonte se tingujt që përhapeshin nga magnetofoni, te lokali, “Sofra Voskopojare”, në qendër të Korçës, të krijonin një gjendje emocionale të shumëfishtë , ndjenjën e qetësisë, të serenitetit, të dashurisë, ku çdo varg, cdo fjalë fiton një vlerë, në tërësi, në akordet e ritmin muzikor apo në imazhe, e kishin autorin e tyre aty. Njeriu që po vështronte nga dritarja duke kënduar me vete dhe duke buzëqeshur kohë pas kohe po me vete, sapo shikonte ndonjë fjollë bore, dritat në pemën e Vitit të ri, ndonjë grup vajzash që ecnin duke qeshur apo ndonjë djalosh që i ka shtënë krahun nënës së tij plakë duke e shëtitur nëpër rrugët e gurta të qytetit antik e mondan, “Parisit të vogël”. Modest si bukuria e Korcës ishte autori, Nonda Kajno. Tingujt përhapeshin e Nonda Kajno, i pangacmuar që të ngrihej në këmbë e të buçiste me të madhe, ashtu ishte ai modest e i pabujë,  se “autori i këtyre serenatave”, ky që po i këndon këto serenata që po u magjepsin, jam unë!”, tanimë ka heshtur së kënduari me vete. Ai sapo ka nxjerrë nga xhepi një libërth me poezi dhe është përthithur atje. Janë lirika të ndonjë korçari apo devolleshe që atë po e tërheqin më shumë se sa ngucja për t’u thënë të gjithëve në lokal se “Jam unë!” I ka vetëtitur në mëndje të krijojë një serenatë të re nga poezitë që ka libërthi që po lexon ndërsa lokali përhumbet duke u nanuritur nga serenatat. Mbase autori apo autorja e atij libri pak njihet, por, ja, pas nja dy ditëve, nga Nonda Kajno, poezia e tij apo asaj, ka për të marrë trajtat e një serenate të kënduar nga ai. Ajo ka për të magjepsur korçarë dhe jo-korçarë ngado, fort, papushim, si një puthje përvëluese dashurie, dhe, mbase rrallëkush ka për ta ditur se nga shpirti i kujt ka dalë kjo perlë e re. Nonda Kajno- artisti korçar që beson në aftësinë e arteve;në pikturë e në veçanti në muzikë është përfaqësues tipik i qytetarisë korçare; e këtij qyteti që e tërë raca e shqiptarëve e quan “Parisi i vogël” Ai është edhe piktor, edhe kompozitor, edhe këngëtar dhe preket menjëherë nga bukuria njerëzore dhe nga dhimbja njerëzore, si një adoleshent që bie në dashuri për herën e parë… Nonda rrjedh nga një familje,- më e vjetra aristokrate korçare, fisi-KAJNO-të njohur si tregtarët më të mëdhenj të kohës jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej, në Ballkanin Juglindor. I rritur mes dashamirësve a pasionantëve për artin e muzikën, djaloshi korçar filloi të kompozonte që në vitet e para të shkollës së mesme. Edhe kur familja e Nondës u godit nga regjimi komunist, kjo nuk e zbehu talentin e tij, por ai arriti të ngjitet në majat e suksesit në qytetin e tij të lindjes, që ai e do aq shumë, -Korçës. Nëna e Nondës është quajtur Izmini. Në kohën kur kishte shumë gra që mbylleshin me perçe, që e ngrysnin jetën në shtëpi dhe që u gëzoheshin thashethemeve, ajo ka qenë violinistja e piktorja e talentuar korçare, zotëruese në mënyrë perfekte e tre gjuhëve të huaja, nxënëse në kursin e pikturës të piktorit famos, Vangjush Mio, mike, shoqe e ngushtë banke e në jetë, e mitit të këngës korçare, Tefta Tashko Kocos. Këto dy pasione Nonda i trashëgoi nga nëna e tij. Ndërsa babai përveçse një biznesmen i suksesshëm i kohës, nuk iu nda edhe pasionit për muzikën, e cila zinte një vend kryesor në shpirtin e tij, duke regjistruar në pllaka gramafoni këngët dhe meloditë e sazexhinjve të Korçës, së bashku me këngëtaren e asaj kohe Qerimenë. Ato janë edhe sot e kësaj dite të ruajtura në arkivin e Radio Korçës. Që këtu e kanë zanafillën, rrënjët e krijimtarisë së kantautorit Nonda Kajno. Në vitin 1965, Nonda me talentin, vizionin dhe pasionin për muzikën, së bashku me shokët e tij, djem të rinj plot ëndrra e shpresa, adhuruese të mjaft këngëtarëve italianë që nga Toto Kotunja, Modunjo, Celentan, Mina, Milva, si edhe grupet amerikane të asaj kohe; Bitëllsat, Rrollingstone, arriti të formojë orkestrën e parë ritmike në Shqipëri me tre kitara elektrike e një bateri. Grupim që kishte mes tyre edhe tre vajza korçare të emancipuara, mes tyre këngëtaren e muzikës së lehtë, Fatbardha Hoxha. Ky grupim, do të bëhej shumë shpejt i famshëm, jo vetëm në Korçë, por në tërë Shqipërinë. Kudo sukses. Kudo duartrokitje. Ishte hera e parë që dilte një grup i tillë me përmasa perëndimore. Altoparlantët gjëmonin. Salla, mbushej plot e përplot. Ishte muzika që i përkiste rinisë. Suksesi i grupit, u imitua vite më vonë, nga grupi i disa të rinjve gjimnazistë në Tiranë. Por muzika ritmike e Nondës do të binte në sy të sistemit komunist duke e quajtur atë, muzikë dekadente-borgjeze. Duke qenë edhe me “cen” në biografi, ai regjim nuk do e kursente djaloshin korçar. Goditja e Festivalit të 11’të nga rrëgjimi komunist, do të ndëshkonte edhe artistin korçar, duke pësuar të njëjtin fat të artistëve të njohur. Për një kohë të gjatë ai punon në minierë e bujqësi. Më vonë punon në disa ndërmarrje si drejtues i aktiviteteve kulturore. Grupet që ai drejtonte me profesionalizëm e mjeshtëri, kanë fituar çmime në disa festivale. Me durim e shpresë, pjekuri, urtësi e maturi, pjesë të karakterit të kantautorit korçar, -Nonda-do të ringrihet përsëri. Kësaj radhe ai shpërthen me këngën; Lida, Lida!I dyzuar mes triumfit dhe frikës, Nonda sfidoi. Ai iu dha kënaqësinë e rikthimit në skenë, rinisë korçare që mezi e kishte pritur. Ajo rini, që për vite me radhë kishte kënduar këngët e tij, nën zë, apo në familje, në gëzime familjare, tani e duartrokiste dhe gumëzhinte nga britmat e gëzuara. Mbas viteve ’90 Nonda, filloi të ndjehej më i lirë. Sapo kishin filluar lëvizjet demokratike, ai jep koncertin e parë recital te Teatri;” Andon Zako Cajupi”për gjashtë net me radhë. Në korrik të vitit 1994 jep përsëri Koncert Recital te pishinat e qytetit, ku përsëri të ftuar ishin humoristët Koco Devole, Rita Kati e Met Bega.Mbas dy muajsh jep koncerte në disa qytete të Shqipërisë me grupin amerikan “Ëatch Band”.Në vitin 1996, jep përsëri koncert te Pallati i Sportit “Tamara Nikolla”, ku të ftuar ishin përsëri këngëtarët ;Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, grupi “Ritfolk” e drejtuese e Spektaklit, Miss Albania e atij viti, Monikoa Zguro. Pjesëmarrës në Festivalet e Radio-Televizionit shqiptar dhe “Këngët e stinës”, ku është edhe fitues i disa çmimeve, falë bashkëpunimit të shkëlqyer që pati me grupin “Ritfolk” dhe me këngëtarën Mira Bregu. I vlerësuar me çmim në “Fest Serenata”, me kompozimin “Lermë të të puth”, që u këndua nga këngëtarja e talentuar e serenatave korçare, Ermira Kola, me të cilën Nonda pati një bashkëpunim disavjeçar. Vazhdon të bashkëpunojë me këngëtarë të mirënjohur si brenda e jashtë vendit, si këngëtaren e shquar korçare, ikonën e këngës popullore e serenatave korçare, Eli Fara, Laxarela Deti, me tenorin me famë botërore, Kastriot Tushën, me një; “Serenatë për Qytetin e serenatave”, “Qyteti i ëndrrave”, Manjola Nallbanin, Ardit Gjebrea, Elsa Lila, vëllezërit Endri e Stefi Prifti, e deri te këngëtarja më e re, Anjeza Shahinin. I ftuar në Festivalin Tradicional Europian Rinor që zhvillohet në Torino të Italisë, ku mes 56 konkurrentëve, kënga e kompozuar nga kantautori Nonda Kajno, zë vendin e tetë. Dhe përsëri në nëtor të vitit 2007, kënga e tij “Ëndërroj”, e kënduar nga këngëtarja shqiptare Elsa Dega, me banim në Romë, zuri vendin e parë në të gjitha komponentët e saj. Këngët e kompozuara, kryesisht serenata, nga Nonda Kajno, janë nga më të klikuarat në internet në programet, “Ilike & Youtube”, krahas këngëtarëve me famë botërore; Madona, Celion Dion, Mariah Carey, apo e Anjeza Shahini si fituese e Festivalit Europian.
Sot kantautori korçar Nonda Kajno, përveç punës së tij të palodhshme në kompozimin e serenatave, drejton edhe Agjencinë e “Spektakleve Korca”.Gjithmonë me përkushtimin e kujdesin e tij, për të mos e deformuar serenatën, këtë pjesë qënësore të Korçës. Muzika rrjedh ëmbël! Jeta ecën. Nonda Kajno ecën me vrullet e përditshme të jetës dhe me një brengë në shpirt. Nëna e tij, Izmini nuk rron më. Nuk rron sot. Nonda psherëtin dhe sytë e tij të hirtë përloten. -Të më shihte nëna ime! Sado suksese të arrij, atyre u mungon dora e ëmbël e nënës sime, me të cilën fjalosesha netëve ndërsa bota më godiste… Por gjithsesi e bukura Izmini mundi ta shikonte birin e saj të ngrihej në skenë. Të ringrihej atje. Pas kësaj, ajo dha shpirt. Për t’u prehur e qetë në botën e amshuar. Nonda e do shumë Korcën. Këtë dashuri ai e përjetoi në një himn, që ia ka dedikuar asaj, dhe këndohet ngado, jo vetëm nga rinia korçare, por edhe nga i madhi e i famshmi, Kastriot Tusha: ”O Korçë e dashur, po të këndoj këtë serenatë, mall edhe brengë, kur un’ jam larg e ndiej për ty. O Korça ime, po të këndoj i përmalluar, këngën më të bukur, me sy të përlotur po të këndoj, Korça ime e dashur…” Kjo është një nga këngët më të bukura, krenaria e korçarëve. Nonda Kajno, është krenaria e këtij qyteti. Poetë dhe poetesha të bukuroshes së gëzuar, Korçës sime që ma trishtojnë nganjëherë! Shkruani lirika! Shkruani lirika të bukura, shumë të bukura, që të dalin vetiu nga shpirti sic dalin vetiu lulet e pranverës në livadhe pa pyetur askënd, siç dalin vajzat e Korçës me fustane pranverore nënë blirët e Korçës duke pyetur vetëm pranverën dhe…Ta dini ato do të shkojnë menjëherë drejt e në shpirtin e faunës së papërsëritëshme të nëndetit të Korçës sime; në shpirtin sensibël të Nonda Kajnos.. Ai do të kompozojë gjëra të bukura, serenata të shpejta si rinia dhe magjepsëse si dashuria që ka mbërthyer si një shpend i artë poeteshën apo poetin korçar dhe që po e shëtit nëpër retë e trëndafilta. 

Shkruar nga Raimonda MOISIU-SADE 

Korcë –Shqipëri 

 2011

Filed Under: Kronike

FALËNDERIM! – Për komunitetin shqiptaro-amerikan të New York-ut, New Jersey-it, Connecticut-it dhe shumë shteteve të tjera në Amerikë

October 7, 2025 by s p

Të dashur miq, ju falënderojmë për pjesëmarrjen në festimin e ditëlindjes së legjendave të veprimtarisë lobuese në Washington, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.

Kjo ishte hera e parë që komuniteti ynë i madh, në një mënyrë të bashkuar, bëri diçka për Joe-n dhe Shirley-n, pas 40 vitesh pune të tyre të palodhur dhe historike për çështjen shqiptare në Amerikë.

Për këtë ngjarje të rëndësishme, ftuam shumë udhëheqës të komunitetit, të cilët gjatë katër dekadave kanë punuar me Joe, Shirley dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Ftuam themeluesit, ish-anëtarët e bordit dhe anëtarët e rinj të bordit. Ftuam gjithashtu udhëheqës të shumë organizatave shqiptaro-amerikane të vjetra dhe të reja.

Jemi shumë të lumtur me përgjigjen e ngrohtë, edhe nga ata që nuk mundën të merrnin pjesë. Pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, e bëri këtë ngjarje edhe më të rëndësishme dhe të veçantë. Respekti dhe madje dashuria për Joe, Shirley, Kryeministrin Kurti dhe për njëri-tjetrin ishte mbresëlënëse.

U përpoqëm me gjithë forcën tonë t’ju mirëpresim dhe t’ju akomodojmë secilin prej jush në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse e dimë që të gjithë e meritonit vëmendjen më të madhe. Shpresojmë të kuptoni se kur organizohen ngjarje të mëdha dhe komplekse, mund të ndodhin gabime – veçanërisht kur janë si kjo, në momentin e fundit. Duam t’ju sigurojmë se, nëse ndodhën, ato ishin të paqëllimshme dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.

Në fund të fundit, shpresojmë që të gjithë ta kuptojnë se kjo ishte dita e Joe-t dhe Shirley-t dhe e askujt tjetër. Ne ia dolëm mbanë së bashku, ata ishin jashtëzakonisht të lumtur, gjë që besoj se na bën të gjithëve shumë të lumtur.

Faleminderit edhe një herë,

Agim Aliçkaj

Drejtor Ekzekutiv, LQSHA

THANK YOU! – to the Albanian-American community of New York, New Jersey, Connecticut and many other states in America

Dear friends,

We thank you for attending the birthday celebration of the legends of lobbying activity in Washington, Joe DioGuardi and Shirley Cloyes DioGuardi.

This was the first time that our large community, in a united way, did something for Joe and Shirley, after 40 years of their tireless and historic work on the Albanian issue in America.

For this important event, we invited many community leaders, who over a period of four decades have worked with Joe, Shirley, and the Albanian American Civic League. We invited the founders, former board members, and the new board members. We also invited leaders of many old and new Albanian-American organizations.

We are very happy with the warm response, even from those who could not attend. The participation of the Prime Minister of KosovA, Mr. Albin Kurti, made this event even more important and special. The respect and even love for Joe, Shirley, Prime Minister Kurti, and for one another was impressive.

We tried with all our strength to welcome and accommodate each of you in the best possible way, because we know that you all deserved the greatest attention. We hope you understand that when big and complex events are organized, mistakes can happen – especially when they are last-minute ones like this. We want you to know that, if they did occur, they were

Ultimately, we hope everyone understands that this was Joe and Shirley’s day and no one else’s. We succeeded together, they were extremely happy, which I believe makes us all very happy.

Thank you again,

Agim Aliçkaj

Executive Director, AACL

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 598
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT