• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Meditim pas një takimi me Papa Leone XIV

July 1, 2026 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Shenjtërisë së tij Papa Leone XIV me nderim të thellë i përcollem përshëndetjet e përzemërta të popullit shqiptar dhe të katolikëve të Shqipërisë.

Ky takim në Vatikan ishte për ne një moment i veçantë mirënjohjeje, frymëzimi dhe besimi në vijimësinë e një lidhjeje të hershme, të fortë e të qëndrueshme.

Më pas, kjo fjalë bëhet një reflektim mbi këtë marrëdhënie që ka përshkuar shekuj historie, një lidhje shpirtërore, etike, morale, kulturore e njerëzore ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Në fillesat e saj qëndron edhe mbështetja që Papët e kohës i dhanë Gjergj Kastriotit Skënderbeut, duke e pritur dhe duke e njohur si mbrojtës të krishterimit dhe të qytetërimit europian, një moment që shënoi ngjizjen e kësaj marrëdhënieje dhe rikthimin e pakthyeshëm të shqiptarëve në gjirin e kontinentit europian.

Kjo lidhje u kurorëzua edhe me figura të mëdha si Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, dhe Shën Jeronimi, që i dhanë një dimension universal kulturës së krishterë, duke dëshmuar rrënjët e hershme europiane të shqiptarëve.

Nga kjo pikënisje historike, ky raport u forcua ndër shekuj përmes rolit të Kishës Katolike në ruajtjen e identitetit, gjuhës, vlerave dhe qëndresës shqiptare. Që nga koha e Skënderbeut e deri te trashëgimia kulturore e përfaqësuar nga Pal Ëngjëlli, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi e shumë të tjerë, kjo marrëdhënie ka qenë një burim i vazhdueshëm drite dhe vetëdijeje kombëtare. Këta etër e prelatë savantë, i vunë supet një bote që po shembej dhe që rrezikonte të zinte nën vete kujtimin ilirik, jetën arbërore dhe të ardhmen shqiptare, duke e mbajtur gjallë frymën e një kombi në kohë rreziku e mjegullimi historik.

Nuk është aspak rastësore që dokumenti i parë në gjuhën shqipe është pikërisht “Formula e pagëzimit”. Pastaj, me “Mesharin”, gjuha shqipe mori një bekim themelor dhe u bë boshti rreth të cilit u ngjiz dhe u konsolidua vetëdija kombëtare.

Krahas kësaj, shkollat e hershme shqipe, revistat, librat dhe veprimtaria e shkrimtarëve të klerit katolik krijuan një traditë të fortë arsimore dhe kulturore, duke përgatitur Shqipërinë për përballjen e saj me modernitetin. Kjo punë, herë e heshtur e herë e larë me gjakun e kryengritjeve antiosmane, ndërtoi themelet e një shoqërie që mund të dialogonte me Europën dhe të afirmonte identitetin e saj në kohë ndryshimesh epokale.

Në Rilindjen Kombëtare dhe në fillimet e shtetformimit, kleri katolik u bë një ndër shtyllat e ndërgjegjes kombëtare. Figura themelore si poeti kombëtar At’ Gjergj Fishta, së bashku me Dom Ndre Mjedën dhe të tjerë, forcuan idenë e një kombi që qëndron mbi dallimet fetare.

Shekulli XX solli një nga sprovat më të mëdha: persekutimin e egër të fesë gjatë regjimit komunist. Shumë klerikë u vranë dhe 38 prej tyre u shpallën martirë të lumnuar nga Selia e Shenjtë, ndërsa të tjerë përjetuan dekada burgimi dhe persekutimi, me thirrjen historike si amanet i fundit “Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnia!”.

Ndër ta, frati i lirisë kundër tiranisë At’ Zef Pllumi, i burgosur për 26 vite, mbetet autori i dëshmisë monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, një nga rrëfimet më të fuqishme të qëndresës shpirtërore dhe të kujtesës historike.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria përjetoi një ringritje shpirtërore dhe një model të rrallë harmonie fetare.

Në këtë meditim modest, produkt i këtij takimi me Papa Leonin, shkëlqejnë mbi të gjithë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, dy simbole universale të kombit shqiptar.

Skënderbeu mbetet spiranca e kujtesës sonë historike, muza dhe figura, kujtimi i të cilës mbajti gjallë ëndrrën e shqiptarëve për Europën, por edhe heroi i Europës, që ajo e njohu gjithmonë si të vetin: ndër shqiptarë e përtej tyre, në mijëra libra, opera, portrete, skena teatrore dhe monumente mermeri, por më shumë si frymë, si shpirt, si model, sidomos kur horizonti mvrenjtet!

Ndërsa Nënë Tereza është simboli i sakrificës, besimit dhe dashurisë së pakufijshme, që e vuri veten në shërbim të më të vegjëlve, më të dobëtve, më të varfërve dhe të pamundurve, duke u ngritur kështu në piedestalet më të larta të nderimit njerëzor dhe duke dëshmuar disa vlera themelore, jo gjithëherë të njohura, të popullit shqiptar: solidaritetin, bamirësinë, përkujdesjen dhe përkushtimin ndaj tjetrit deri në vetëmohim.

Filed Under: Kronike

Këndofsh në Parajsë o Nënë! 

June 30, 2026 by s p

Nga Merita B. McCormack*/

Nëna jonë , e bukura , e përulura, e durueshmja dhe  artistja në shpirt e jetë,  kaloi në Përjetësi.

Ajo e la këtë botë të enjten në mëngjes, më datën 25 Qershor 2026, pas disa orëve të shkurtra vuajtjeje fizike, ndërsa shpirti i saj u nda paqësisht nga trupi. 

Familjarët  dhe personeli mjekësor ishin pranë saj.

Hamide “Artemi” Bajraktari lindi 90 vjet më parë në Zëmblak, Korçë, Shqipëri. Ajo ishte vajza e dytë në një familje ku djemtë ishin më të shumtë. 

U rrit në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë përjetoi realitetin e ashpër të jetës si vajza e një Kulaku nën diktaturën komuniste në Shqipëri.

Ajo përjetoi persekutim politik mizor.

Shtëpia e familjes  u konfiskua nga shteti komunist, kur ajo ishte adoleshente, duke i lënë pa strehë ose mbështetje ekonomike. 

Mes urisë dhe vështirësive, nëna jonë mbeti jashtëzakonisht e bukur,  e papërkulur dhe e fortë. Ajo mësoi të qepte rroba dhe zhvilloi një dashuri të thellë për artin. Këmbëngulja e durueshme e babait tim në punët e zemrës dha frut, dhe ata u martuan më 26 nëntor 1959.

Prej martesës së tyre lindëm ne , fëmijët e tyre, dhe lidhja e prindërve  mbeti e thellë dhe e qëndrueshme për 66 vite, deri në ndarjen nga jeta të babait në vitin 2025.. 

Nëna  e donte vërtet babain tonë dhe secilin prej nesh me gjithë zemrën e saj. 

Ajo vuajti shumë kur persekutimi politik u shtri edhe tek ne, fëmijët e saj. Megjithatë, pavarësisht se kishte çdo arsye për tu hidhëruar e shprehur hidhërimin, ajo kurrë nuk na ngarkoi  ne me dhimbjen e saj. Gjithçka që ne mbajmë mend e kujtojmë janë ditë e net të gëzueshme familjare,  të mbushura me dashuri, humor, këngë e valle në raste të gëzueshme dhe  lutje e respekt të thellë në kohë zie.

Nëna ishte një zonjë shembullore, elegante — një rrobaqepëse e talentuar që përgatiti shumë paja për vajzat që bëheshin nuse, një kuzhiniere e shkëlqyer dhe një artiste e talentuar që krijonte bukuri nga letra të thjeshta me ngjyra deri në kultivim  kopshtesh  të bukura me lule. Ajo respektonte të moshuarit dhe mësonte të rinjtë me mençuri e durim . Ajo e kuptonte thellësisht se çfarë do të thoshte të jesh njëherësh edhe nuse dhe vjehërr. Mbi të gjitha, ajo e dinte se ishte një vajzë e dashur e prindërve të saj dhe një fëmijë i dashur i Zotit, në të cilin ajo besonte me besnikëri.

Ajo e la këtë jetë e rrethuar nga dashuria, duke dhënë vazhdimisht dashuri për të tjerët, deri në fund. Ndërsa trupi i saj tani pushon në një varr pranë babait tim, ne, fëmijët e saj, nuk mundëm të mos thoshim teksa largoheshim nga shërbesa në varrezat shqiptare në Toronto:

“Këndofsh përjetë në Parajsë  Mami!”

Pusho në paqe, o Nënë e shtrenjtë !

Filed Under: Kronike

250-vjetori i Pavarësisë: Pse Shtetet e Bashkuara mbeten bastioni i demokracisë

June 26, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Më 4 korrik 2026, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 250-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, një jubile që nuk përkujton vetëm lindjen e një shteti të ri, por triumfin e një ideje që ndryshoi historinë e njerëzimit. Pak vende kanë ndikuar kaq thellë në zhvillimin politik të botës moderne sa Shtetet e Bashkuara. Për dy shekuj e gjysmë, ato kanë qenë simbol i lirisë, i qeverisjes kushtetuese dhe i besimit se pushteti duhet t’i përkasë qytetarëve dhe jo monarkëve apo elitave. Ndryshe nga shumica e kombeve të kohës, Amerika nuk u ndërtua mbi një identitet etnik, gjuhësor apo fetar, por mbi parime universale. Kjo është arsyeja pse 250-vjetori i saj nuk është vetëm një festë kombëtare amerikane, por një moment reflektimi për të gjithë ata që besojnë tek demokracia dhe liria.

Deklarata e Pavarësisë e vitit 1776 përmbante një nga pohimet më revolucionare të historisë politike: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se qeveritë marrin legjitimitetin e tyre nga pëlqimi i të qeverisurve. Thomas Jefferson formuloi një filozofi që do të frymëzonte më vonë revolucione demokratike në mbarë botën.

Në një epokë kur Evropa dominohej nga monarkitë absolute dhe privilegjet e lindjes, kolonët amerikanë shpallën se burimi i vetëm i pushtetit ishte populli. Ky ishte fillimi i një eksperimenti politik që vazhdon edhe sot dhe që ka provuar se liria nuk është thjesht një ideal, por një sistem që mund të funksionojë në praktikë.

Megjithatë, baballarët themelues nuk besonin se demokracia mund të mbështetej vetëm mbi vullnetin e shumicës. Ata e njihnin mirë historinë e Athinës, të Republikës Romake dhe të shteteve evropiane dhe e dinin se pushteti, nëse mbetet pa kufij, mund të shndërrohet lehtësisht në tirani. Për këtë arsye ata krijuan një republikë kushtetuese me ndarje të qartë të pushteteve, ku Presidenti, Kongresi dhe Gjykata Supreme kontrollojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. James Madison shkruante me të drejtë se: “Nëse njerëzit do të ishin engjëj, nuk do të kishte nevojë për qeveri.” Pikërisht ky realizëm mbi natyrën njerëzore e bëri Kushtetutën amerikane dokumentin kushtetues më jetëgjatë në botë. Ajo nuk u ndërtua mbi besimin tek njerëzit e përsosur, por mbi bindjen se askush nuk duhet të ketë pushtet të pakufizuar.

Një nga arsyet kryesore pse Amerika mbetet bastion i demokracisë është fakti se institucionet janë gjithmonë më të rëndësishme se individët. Në shumë vende historia lidhet me emrat e liderëve, ndërsa në Shtetet e Bashkuara historia lidhet me forcën e institucioneve. Presidentët zgjidhen dhe largohen, partitë fitojnë dhe humbin zgjedhje, por Kongresi, Gjykata Supreme, shtetet federale, administrata publike dhe media vazhdojnë të funksionojnë sipas Kushtetutës. Ky vazhdimësi institucionale ka bërë që republika amerikane të kalojë luftëra, kriza ekonomike, atentate, polarizime politike dhe konflikte të brendshme pa u shembur kurrë. Besnikëria ndaj ligjit ka qenë gjithmonë më e fortë se besnikëria ndaj çdo lideri.

Një rol vendimtar në këtë sukses ka luajtur federalizmi amerikan. Pesëdhjetë shtetet përbërëse nuk janë thjesht njësi administrative, por kanë kushtetutat, parlamentet, gjykatat dhe guvernatorët e tyre. Kjo shpërndarje e pushtetit e bën pothuajse të pamundur përqendrimin absolut të autoritetit në duart e një qeverie qendrore. Alexis de Tocqueville, studiuesi francez që analizoi demokracinë amerikane në shekullin XIX, vërejti se forca e Amerikës nuk buronte vetëm nga Uashingtoni, por nga komunitetet lokale, bashkitë dhe organizatat qytetare. Pikërisht pjesëmarrja e qytetarëve në jetën publike ka qenë motori që ka mbajtur gjallë demokracinë amerikane për 250 vjet.

Po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja kushtetuese e lirive themelore. Amendamenti i Parë garanton lirinë e fjalës, të shtypit, të fesë, të tubimit dhe të peticionit, duke krijuar një hapësirë ku idetë mund të përplasen lirshëm pa frikën e censurës shtetërore. Thomas Jefferson shprehej se, nëse do t’i duhej të zgjidhte mes një qeverie pa gazeta dhe gazetave pa qeveri, do të zgjidhte pa hezitim të dytën. Pikërisht kjo filozofi ka bërë që media amerikane, universitetet, organizatat qytetare dhe shoqëria civile të luajnë një rol të pazëvendësueshëm në mbikëqyrjen e pushtetit. Demokracia amerikane nuk mbështetet tek heshtja, por tek debati i lirë dhe tek e drejta për të kundërshtuar.

Natyrisht, historia amerikane nuk ka qenë pa gabime. Skllavëria, Lufta Civile, segregacioni racor dhe periudha të ndryshme diskriminimi përbëjnë faqe të dhimbshme të së kaluarës së saj. Por pikërisht aftësia për t’u përballur me këto gabime dhe për t’i korrigjuar ato përmes institucioneve demokratike e ka bërë republikën amerikane më të fortë. Abraham Lincoln ruajti Bashkimin dhe i hapi rrugën shfuqizimit të skllavërisë. Martin Luther King Jr. udhëhoqi një revolucion paqësor për të drejtat civile. Gjykata Supreme rrëzoi ligje diskriminuese, ndërsa Kongresi miratoi reforma që zgjeruan liritë dhe të drejtat qytetare. Amerika nuk është bërë bastion i demokracisë sepse nuk ka gabuar, por sepse ka ditur të mësojë nga gabimet dhe të reformohet pa shkatërruar themelet e republikës.

Një tjetër shtyllë e suksesit amerikan është lidhja e ngushtë midis lirisë politike dhe lirisë ekonomike. Shtetet e Bashkuara ndërtuan ekonominë më të madhe të tregut të lirë në histori, duke u dhënë mundësi miliona emigrantëve që, përmes punës dhe talentit, të ndërtonin një jetë më të mirë. Nga laboratorët universitarë deri tek Silicon Valley, nga industria e aviacionit deri tek revolucioni digjital dhe inteligjenca artificiale, Amerika ka treguar se inovacioni lulëzon aty ku individi është i lirë të krijojë, të konkurrojë dhe të ndërmarrë rreziqe. Demokracia dhe ekonomia e lirë kanë ecur krah për krah, duke e bërë vendin një magnet për talentet nga e gjithë bota.

Në politikën ndërkombëtare, ndikimi amerikan ka qenë po aq vendimtar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën rindërtimin e Evropës përmes Planit Marshall, krijuan NATO-n dhe u shndërruan në mbrojtësen kryesore të botës së lirë gjatë Luftës së Ftohtë. Ronald Reagan paralajmëronte se “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes.” Ky mesazh mbetet aktual edhe sot, sepse demokracia nuk është një gjendje e përhershme; ajo duhet mbrojtur vazhdimisht nga autoritarizmi, ekstremizmi dhe indiferenca qytetare.

Për shqiptarët, historia e Amerikës ka një domethënie të veçantë. Presidenti Woodrow Wilson mbrojti të drejtën e Shqipërisë për të ekzistuar si shtet në Konferencën e Paqes në Paris, ndërsa Presidenti Bill Clinton udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s që çoi në çlirimin e Kosovës. Mijëra shqiptaro-amerikanë kanë kontribuar në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të Shteteve të Bashkuara, ndërsa organizata si Federata Panshqiptare “Vatra” ndërtuan urat e para të miqësisë shqiptaro-amerikane. Për diasporën shqiptare, Amerika ka qenë gjithmonë më shumë se një vend mundësish ekonomike; ajo ka qenë simbol i lirisë, meritokracisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor.

Edhe sot demokracia amerikane përballet me sfida të mëdha: polarizimin politik, përhapjen e dezinformimit, ndikimin e rrjeteve sociale dhe uljen e besimit tek institucionet.

Megjithatë, historia e saj tregon se republika amerikane ka kaluar sprova shumë më të rënda, nga Lufta Civile te Depresioni i Madh, nga dy luftërat botërore te sulmet terroriste dhe krizat ekonomike globale. Çdo herë ajo ka dalë më e fortë, sepse themeli i saj nuk është një njeri, një parti apo një ideologji, por Kushtetuta dhe sundimi i ligjit.

Në 250-vjetorin e Pavarësisë, mesazhi që Amerika i jep botës mbetet po aq aktual sa në vitin 1776: liria nuk trashëgohet automatikisht, por fitohet dhe mbrohet çdo ditë. Demokracia nuk është thjesht e drejta për të votuar; ajo është respekti për ligjin, mbrojtja e pakicës, ndarja e pushteteve, liria e mendimit dhe përgjegjësia qytetare. Pikërisht këto parime e kanë bërë republikën amerikane modelin më të suksesshëm të qeverisjes kushtetuese në historinë moderne. Pas 250 vitesh, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten jo vetëm një superfuqi globale, por edhe bastioni më i fuqishëm i demokracisë, një frymëzim për kombet që besojnë se liria dhe drejtësia janë vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e qëndrueshme.

Filed Under: Kronike

10 mitet që ka thyer protesta

June 22, 2026 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Që nga 31 maji kur nisi, pothuajse çdo ditë unë e kam trajtuar protestën në emisionin tim DEKALOG në DRITARE TV, por edhe me opinione dhe mendime si i ftuar në emisione të tjera në A2 CNN, EuroNews Albania dhe Top Channel. Përpos qendrimeve që kam mbajtur, ajo që mendoj se ka arritur kjo protestë është thyerja e disa miteve qw më parë as që imagjinoheshin. Unë kam zgjedhur 10 prej tyre, një shifër përmes të cilës i organizoj shkrimet e mia që prej gati 3 dekadash si gazetar. Kjo është edhe arsyeja pse emisionin DEKALOG e kam quajtur keshtu. Kjo, pavarësisht se ndonjë këmbëngul ta huazojë këtë stil me “10-tëshet” e tij edhe pse matematika na mëson se numrat janë pa limit. Gjithsesi, për mendimin tim këto janë 10 mitet që ka thyer kjo protestë.

1. Protesta theu mitin se në Shqipëri vetëm partitë politike mund tw realizojnw tubime që ndikojnë në jetën politike dhe shoqërore.

2. Protesta theu mitin se protestën më të madhe dhe më me ndikim mund ta realizojnë vetëm partitë politike dhe askush tjetër.

3. Protesta theu mitin se shqiptarët nuk reagojnë ndaj padrejtësive.

4. Protesta theu mitin se ajo mund të realizohet në përmasa të mëdha vetëm nëse organziohet paraprakisht me struktura të veçantë, kundrejt edhe pagesave, autobusëve që i sjellin nga qytete të tjera dhe me synime të veçanta.

5. Protesta theu mitin se protestë e fortë dhe me ndikim është vetëm ajo në të cilën hidhen molotovë dhe sulmohen godinat e qeverisë, ndërkohë që kjo është protesta më e madhe por edhe më paqësore.

6. Protesta theu mitin se banorët e kryeqytetit bezdisen nga bllokimi i rrugëve. Pamjet ku qytetarët duatrokasin protestuesit edhe pse janë në trafik, nuk ishin parë kurre më parë.

7. Protesta theu mitin se një forcë politike që fiton zgjedhjet më një shumicë absolute është e sigurtë në pushtet. Vetëm një vit pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, PS ndodhet në situatën më të veshtire qw nga viti 2013 kur erdhi në pushtet.

8. Protesta theu mitin se disa biznesmenë janë të paprekshëm dhe se ata dhe vetëm ata mund të dirigjojnë ekonominë shqiptare.

9. Protesta theu mitin se vetëm dy forca politike në Shqipëri mund ta dominojnë skenën. Madje edhe partitë e vogla kanë dalë jashtë ndikimit politik.

10. Protesta theu mitin se diaspora nuk është vetëm një pjesë e popullsisë që sjell para për “mamin dhe babin”, por që mund të marrë në dorë fatet e vendit.

Filed Under: Kronike

Shqiptarët e Amerikës kujtojnë Don Kelmendin

June 22, 2026 by s p

Adrian Kamberi

Foto: Dritan Haxhia/

“Prifti që me kambanat e kishës lajmëronte iftarin”

Nju Jork – Shqiptarët e Amerikës organizuan një akademi përkujtimore kushtuar jetës, veprës dhe kontributit të Don Kelmendit, klerikut që gjatë periudhave më të vështira të Kosovës u shërbeu qytetarëve pa dallim feje, krahine apo përkatësie.

Në këtë takim morën pjesë figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfaqësues të institucioneve shqiptare, veprimtarë, klerikë, profesorë dhe përfaqësues të jetës publike.

Akademia përkujtimore u mbajt në Qendrën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork.

Të pranishmit vlerësuan lart jetën dhe veprën e Don Kelmendit, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të rezistencës dhe qëndresës shqiptare, si dhe një model të rrallë të humanizmit, guximit dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Në fjalën e tij, gazetari dhe biznesmeni Adrian Kamberi, i cili ishte dëshmitar i disa prej ngjarjeve të luftës në Gllogjan të Pejës, kujtoi momentet kur Don Kelmendi u doli në mbrojtje mijëra qytetarëve të strehuar në këtë fshat.

“Në fshatin tim, në Gllogjan të Pejës, ishin strehuar mijëra shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës: gra, fëmijë, të moshuar, ushtarë të plagosur dhe njerëz të uritur. Ishte Don Kelmendi ai që i priti dhe i strehoi, së bashku me motrat e nderit dhe banorët e Gllogjanit”, rrëfeu Kamberi.

Ai kujtoi edhe një prej përballjeve më të rënda të Don Kelmendit me forcat serbe.

“Nuk kaluan shumë ditë dhe forcat serbe e pushtuan Gllogjanin. Ato e ndërprenë meshën e shenjtë dhe kërkuan nga Don Kelmendi të dilte jashtë. Kërkonin t’i ndanin burrat nga pjesa tjetër e popullsisë, me qëllim që të pushkatonin çdo mashkull që ndodhej aty. Don Kelmendi nuk e lejoi këtë dhe u tha: ‘Së pari më vrisni mua, pastaj motrat e nderit dhe më pas të gjithë të tjerët’”, tregoi Kamberi.

Sipas tij, kjo nuk ishte hera e vetme kur Don Kelmendi tregoi guxim dhe solidaritet të jashtëzakonshëm.

“Vetëm pak muaj më vonë, në Gllogjan do të strehoheshin rreth 20 mijë persona. Ishte koha e muajit të Ramazanit dhe Don Kelmendi, përveçse kujdesej për strehimin dhe ushqimin e tyre, vendosi që kambanat e kishës të binin për të lajmëruar kohën e syfyrit dhe të iftarit”, shtoi Kamberi.

Për figurën dhe veprën e Don Kelmendit foli edhe hoxhë Tahir Kukaj, i cili e cilësoi atë si një prej modeleve më të mira të një prijësi fetar në shërbim të popullit.

“Don Kelmendi është një vlerë e madhe e historisë shqiptare. Ai është një udhërrëfyes dhe një model se si duhet të jetë një prijës fetar”, tha ndër të tjera hoxhë Kukaj.

Ish-zëvendëskryeministri, prof. dr. Engelbert Zefaj, foli për takimet dhe bashkëpunimin e tij me Don Kelmendin, duke e përshkruar atë si një njeri të thjeshtë, të dashur dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve të të gjitha besimeve.

“Don Kelmendi ishte një njeri shumë i dashur dhe i thjeshtë, me të cilin ishte shumë e lehtë të komunikoje. Ai ishte jashtëzakonisht i angazhuar për t’i ndihmuar të gjitha fshatrat, katolike dhe myslimane, në Lugun e Baranit. Për çdo projekt që diskutonim me përfaqësuesit ndërkombëtarë, ai ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës që ndihma të arrinte në ato zona”, tha Zefaj.

Edhe biznesmeni dhe veprimtari i njohur Harry Bajraktari e vlerësoi lart figurën e Don Kelmendit, duke kujtuar takimet që kishte zhvilluar me të në Gllogjan pas përfundimit të luftës.

“Kam pasur nderin që pas luftës ta takoja Don Kelmendin dhe që nga ajo kohë ruaj kujtimet më të mira për të. Ai ishte një veprimtar dhe një njeri me vlera të mëdha, gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim dhe një personalitet për të cilin të gjithë kishin respekt”, tha Bajraktari.

Gjatë akademisë përkujtimore folën edhe kandidati për Kongres në Nju Jork, Diamand Hysenaj, profesori Mhill Velaj, kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Elmi Berisha, si dhe personalitete të tjera të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit theksuan se trashëgimia e Don Kelmendit duhet të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm, si dëshmi e sakrificës, guximit, humanizmit dhe solidaritetit ndërfetar të shqiptarëve në periudhat më të vështira të historisë së tyre.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT