• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Osman Kazazi, simbol i qëndresës historike

July 31, 2026 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Në udhëtimin tim si Sekretare e Përgjithshme e Ish-të Persekutuarve Politikë për Degën e Tiranës, dhe gazetare e kësaj dege, kam pasur privilegjin e madh të njoh nga afër njerëz që mbartnin mbi shpatulla historinë më të dhimbshme, por edhe më krenare të kombit tonë. Mes tyre, figura e Osman Kazazit mbetet e gdhendur pashlyeshëm në kujtesën time. Osman Kazazi është një nga figurat më emblematike të qëndresës antikomuniste dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Osman Kazazi nuk ishte vetëm një njeri që kishte kaluar dekada në burgjet dhe kampet e internimit të regjimit komunist, ai ishte vetë mishërimi i qëndresës stoike, dinjitetit njerëzor dhe shpirtit të patrembur shqiptar. Biseda dhe bashkëpunimi me Osman Kazazin ishte një histori e gjallë, ishte një iniciativë shpirtërore dhe me shumë vlerë historike.

Në çdo takim pune, konferenca të ndryshme për shtresën ish të persekutuar politike, fjala e Osman Kazazit përcillte fisnikëri të rrallë. Megjithëse kishte vuajtur një nga kalvaret më të gjata të dënimit politik në Shqipëri, tek ai nuk shihej kurrë mllef apo urrejtje, por vetëm dëshira për të vënë në vend drejtësinë, për të nderuar kujtimin e atyre që nuk ia dolën dhe për t’i lënë brezave të ardhshëm të vërtetën e pamohueshme të historisë.

Puna pranë tij dhe bashkëvuajtësve të tjerë ishte një shkollë më vete patriotizmi dhe humanizmi. Çdo bisedë me të ishte një leksion i gjallë se si liria nuk falet, por fitohet dhe mbrohet me çmimin më të lartë. Në foto të ndryshme të veprimtarisë sime pranë të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë, mes disa ish-të persekutuarve politikë, ndodhet edhe figura Simbol i Qëndresës Historike – Osman Kazazi, gjë për të cilën ndiej krenari dhe përgjegjësi.

Ato foto nuk janë thjesht imazhe të kapura në letër, janë dëshmi e gjallë e një epoke solidariteti, ku njerëz që përballuan stuhinë më të egër të historisë u bënë bashkë për të kërkuar dinjitetin e humbur. Aty shihet qartë forca e atij brezi që nuk u përkul kurrë, dhe për mua mbetet një nga kujtimet më të shtrenjta të angazhimit tim shoqëror e njerëzor.

Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri në fillim të viteve ’90, Kazazi nuk zgjodhi urrejtjen apo hakmarrjen. Ai u bë Kryetari i parë i Shoqatës së Ish të Dënuarve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë (1991-1993), duke u kthyer në zërin kryesor të institucionalizimit të diktaturës dhe integrimit të viktimave të regjimit në shoqëri. Qëndresa e tij është vlerësuar lart si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për sakrificat dhe vlerat e tij njerëzore është vlerësuar edhe nga Vatikani me “Dekoratën e Artë”.

Ndërkohë që në anën tjetër e të kundërt të historisë kemi kryeministrin shqiptar Edi Rama, që akoma nuk ka shlyer kompesimin financiar për vujatjet e shtresës së ish të burgosurve dhe ish të persekutuarve politikë të Shqipërisë. Dëmshpërblim njerëzor që i detyrohet si qeveri kësaj shtrese dhe trashëgimtarëve të tyre. Premtim ky i mbajtur (dhe i parealizuar) nga ana tij në New York përpara diasporën shqiptare.

Osman Kazazi iku nga kjo jetë duke lënë pas testamentin e madh të qëndresës. Për mua, njohja dhe bashkëpunimi me të mbetet një nder i madh jetësor. Historia e tij dhe e gjithë të persekutuarve politikë duhet të mbetet e gjallë, sepse vetëm duke nderuar sakrificën e tyre mund të ndërtojmë një të ardhme me të vërtetë të lirë dhe demokratike.

Filed Under: Kronike

Shoqata Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia ju fton në Festivalin e Dytë të Ushqimit Shqiptar

July 23, 2026 by s p

Second Albanian Food Festival

Të nderuar bashkatdhetarë, motra dhe vëllezër,

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” ka kënaqësinë t’ju ftojë ju, familjet tuaja, miqtë dhe të gjithë komunitetin shqiptar, si edhe bizneset që operojnë në fushën e gastronomisë, ushqimit dhe tregtisë ushqimore, të bëheni pjesë e Festivalit të Dytë të Ushqimit Shqiptar.

📅 Data: E Diel, 27 Shtator 2026

🕚 Ora: 11:00 AM – 6:00 PM

📍 Vendi: Qendra e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”

3322 Willits Rd, Philadelphia, PA 19136

Ky festival është një festë e kulturës, traditës dhe mikpritjes shqiptare. Ai synon të promovojë kuzhinën tonë të pasur, të mbështesë bizneset shqiptare dhe të forcojë lidhjet brenda komunitetit tonë.

Bizneset pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të prezantojnë produktet dhe specialitetet e tyre përpara një publiku të gjerë, ndërsa vizitorët do të shijojnë gatime tradicionale shqiptare, muzikë, atmosferë festive dhe një ditë të bukur në shoqërinë e familjes dhe miqve.

Ky është festivali i komunitetit tonë. Le ta bëjmë së bashku një ditë të paharrueshme, plot shije, traditë, kulturë dhe frymë shqiptare!

Regjistrimi i pjesëmarrësve

Çdo biznes ose individ që dëshiron të marrë pjesë në Festivalin e Ushqimit duhet të regjistrohet paraprakisht.

Tarifa e pjesëmarrjes: $100.00 për çdo vend (booth).

Mundësi Sponsorizimi

Për të mbështetur organizimin e këtij aktiviteti, janë krijuar katër kategori sponsorizimi. Emrat e sponsorëve do të vendosen në banderolën zyrtare të festivalit, si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, si dhe do të promovohen në faqen zyrtare të Shoqatës në Facebook.

Kategoritë e Sponsorizimit:

🥇 Platinum Sponsor – $1,000

🥈 Gold Sponsor – $500

🥉 Silver Sponsor – $250

⭐ Personal Sponsor – $150

Për regjistrim ose informacion, kontaktoni anëtarët e Këshillit Drejtues:

Mexhit Koboç – 267-307-7201

Bujar Gjoka – 267-344-5779

Devis Gjuzi – 215-869-2522

Rudina Bani – 215-600-6346

Milot Rukiqi – 215-593-8101

Dritan Matraku – 267-255-9114

Bujar Çela – 215-715-0556

Llazar Vero – 267-334-4827

Sami Zeka – 267-237-8339

Arti Ismailanji – 267-918-1638

Edi Papaj – 267-918-4706

Eldion Pajollari – 267-258-7336

Elda Janji – 267-592-8028

Afërdita Muzhaqi – 267-776-1492

Senada Prifti – 251-410-0080

Mirush Cenaj – 267-745-4405

Hyrja është e lirë dhe e hapur për të gjithë!

Ju ftojmë të merrni pjesë së bashku me familjen dhe miqtë tuaj për të festuar kulturën, traditën dhe shijet autentike shqiptare.

“Një ditë, një komunitet, një traditë – të gjithë bashkë në Festivalin e Dytë të Ushqimit Shqiptar!”

Mirë se vini! Ju mirëpresim me kënaqësi!

Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia

Filed Under: Kronike

GJURMËT E SHQIPËRISË ETNIKE NË SHTYPIN EUROPIAN

July 20, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

​Një analizë e hollësishme gjeopolitike e hartës gjermane të Dhjetorit 1912 gjatë Luftërave Ballkanike.

​Dokumenti historik i shfaqur në faqen e gazetës paraqet një dëshmi të jashtëzakonshme hartografike dhe arkivore të shkëputur nga shtypi periodik gjermanofon i muajit dhjetor të vitit 1912. Nën titullin kryesor me shkronja gotike “Der Balkankrieg” (Lufta e Ballkanit), ky artikull shoqërohet me një hartë që pasqyron në mënyrë të qartë dhe të hollësishme shtrirjen e plotë të territoreve shqiptare në prag të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike që do të ridizenjonin hartën e Europës Juglindore.

​1. Konteksti kronologjik dhe rëndësia e burimit.

​Artikulli mban datat eksplicite 5 dhe 8 dhjetor të vitit 1912, një moment historik me rëndësi kritike për kombin shqiptar. Ky botim vjen vetëm pak ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe po ashtu bashkëudhëton me zhvillimet dramatike të Luftës së Parë Ballkanike. Në këtë periudhë, Aleanca Ballkanike po thërrmonte sundimin shekullor të Perandorisë Osmane, ndërsa Fuqitë e Mëdha po përgatiteshin për Konferencën e Londrës, ku do të vendosej fati i shtetit të ri shqiptar.

​Prania e kësaj harte në një gazetë të rëndësishme gjermane apo austro – hungareze dëshmon interesin jetik të bllokut të Fuqive Qendrore për çështjen shqiptare. Austro – Hungaria, në veçanti, synonte me ngulm krijimin e një Shqipërie kompakte në kufijtë e saj etnikë, me qëllim parandalimin e daljes së Serbisë në Detin Adriatik, çka do të kërcënonte ekuilibrat strategjikë në rajon.

​2. Analiza gjeografike dhe shtrirja territoriale.

​Harta e vizatuar me një linjë të qartë me pika paraqet hapësirën unike gjeografike të katër Vilajeteve Shqiptare (Kosovës, Shkodrës, Monastirit dhe Janinës), duke përfshirë nyjat kryesore urbane të banuara historikisht nga popullsia shqiptare:

​- Veriu dhe Verilindja (Kosova dhe Shkodra): Në skajin më verior të vijës kufitare është shënuar qartë qyteti i Mitrovitza (Mitrovica), i ndjekur nga Prishtina dhe Podujeva. Më në perëndim, brenda këtij territori gjenden qendra të rëndësishme si Ipek (Peja), Diakova (Gjakova) dhe kryeqendra historike e Lidhjes Shqiptare, Prixrend (Prizreni). Gjithashtu, Scutari (Shkodra) me liqenin e saj dëshmohet si pikë ankorimi në veriperëndim.

​- Lindja (Lugina e Vardarit dhe Maqedonia e sotme): Vija e shtetit shqiptar zhvendoset thellë në lindje, duke përfshirë Uskub (Shkupin) si një qendër nevralgjike, e shoqëruar nga Kumanovo (Kumanova) dhe Kiprulu (Velesi). Më në jug, harta integron rajonin e Ochrida (Ohrit) dhe Monastir (Manastirin ose Bitolën e sotme), duke u shtrirë deri pranë portit të madh të Salonique (Selanikut).

​- Bregdeti Adriatik dhe Jugu (Epiri): Në vijën bregdetare listohen qytetet porte si Medua (Shëngjini), Alessio (Lezha), Durazzo (Durrësi) dhe Avlona (Vlora). Në skajin jugor, kufiri zbret thellë në Epirin historik përballë shtetit grek (Grece), duke përfshirë brenda hapësirës shqiptare Janina (Janinën), kryeqendrën e vilajetit homonim, si dhe qytete si Metzovo (Mecova) dhe Parga.

​Harta dëshmon se përpara se të ndodhte copëtimi zyrtar në tryezat diplomatike të vitit 1913, bota perëndimore e njihte dhe e dokumentonte gjeografikisht hapësirën shqiptare si një tërësi territoriale unike nga Mitrovica e Shkupi e deri në Janinë.

​3. Leximi gjeopolitik: Drejt tragjedisë së copëtimit.

​Kjo hartë shërben si një pasqyrë e hidhur për të kuptuar kontrastin e madh midis Shqipërisë Etnike të njohur në vitin 1912 dhe asaj që mbeti pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Projekti gjeopolitik që shfaqet në këtë gazetë, i cili përkonte me kërkesat e delegacionit shqiptar dhe mbështetjen austro – hungareze, u flijua për shkak të kompromiseve mes Fuqive të Mëdha dhe presioneve të Rusisë Cariste në favor të Aleancës Ballkanike.

​Si pasojë, qendra të mëdha urbane dhe rajone të tëra të pasura që shihen këtu brenda vijës shqiptare (si Kosova e plotë, Shkupi, Manastiri e Janina) iu dhuruan shteteve fqinje, duke lënë jashtë kufijve të shtetit të ri të cunguar më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare. Ky dokument mbetet një dëshmi monumentale e asaj çka Shqipëria mund dhe duhej të ishte sipas parimit të kombësive, përpara se të shndërrohej në viktimën kryesore të diplomacisë europiane të kohës.

Filed Under: Kronike

80 vite nga vrasja e profesor Ymer Berishës 1912-1946

July 17, 2026 by s p

Lush Culaj/

              Ymer (Shaban) Berisha, lindi në fshatin Gjurgjevik i Madh, të Klinës  më 1912. Pas kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë, për shkak të represionit, iku bashkë me të atin në Shqipëri. Shkollën fillore e filloi në Krumë dhe e përfundoi në Fushë Krujë. Shkollimin e vazhdoi në Normalen e Elbasanit. Me shkrimët e nivelit të lartë të botuara në revistën Normalisti, kishte tërhequr vemendjën edhe te Homerit shqiptar Gjergj Fishtës.  Me mbështetjën e Fishtës siguroi bursën nga shteti shqiptar dhe vazhdoi studimët në Itali. Aty përfundoi Akademinë Ushtarake dhe Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Pas kthimit punoi si mësimdhënës në disa shkolla të Shqipërisë. Ishte ndër intelektualët më të shquar nga Kosova në Shqipëri.

Në vitin 1941 pas okupimit të Jugosllavisë nga nazi-fashizmi prof. Berisha u kthye në Kosovë ku filloi punën si mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.  Në rezistencën e Drenicës, ishte pjesë e Shtabit të Shaban Polluzhës në fillim-vitin e vitit 1945 dhe një ndër njerëzit më të respektuar të tij. 

Pas shuarjës të rezistencës të Drenicës, Berisha mbeti njëri nga prijësit e dalluar të Rezistencës së Kosovës. Konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë. Ai  dhe organizata e tij “Besa Kombetare” ishin përcaktuar për luftë të armatosur. 

Kuvendi i Dobërdolit i gushtit 1945  e zgjodhi  udhëheqës politik. Në Kuvend prezantimi i problemeve që kërkonin zgjidhje nga prof. Berisha ishte shumë përbajtësor.

Mbante lidhje  me forcat anglo-amerikane e në veçanti me gjeneralin Hadgson. Në një raport me 22 tetor 1945 prof. Berisha e informonte atë për situatën e rëndë politike në Kosovë. Ai i ofronte Britanisë së Madhe  pasqyrë reale mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. 

Më 11 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, profesori u vra ku ishte se bashku me liderin e Lugut te Drinit Ndue Përlleshin alias Besnik Kombëtarin. Këtë nofkë ia kishte dhenë pikërisht profesor Berisha. E kishte ndier besnikërinë e Përlleshit dhe ishin të pa ndashëm deri sa dha shpirt në prehërin e tij. 

Shtrohët pyetja si duhët të kujtohët profesori?

          Përmbledhurazi ai duhët të kujtohët: 

  • Si trashëgimtar i një familje me traditë atdhetare; 
  • Si një ndër Normalistët e parë të diplomuar në Elbasan nga Kosova;
  • Si shkrimtar i dalluar që në bankat e shkollës Normale dhe shok i Sterjo Spases,
  • Si një ndër profesorët dhe ushtarakët e parë të diplomuar nga Kosova me bursën e shtetit shqiptar;
  • Si mësimdhënës i dalluar në shkollat e Shqipërisë ku punoi;
  • Si një ndër të parët që u rikthye në Kosovë në vitin 1941 me krijimin e rrethanave të reja;
  • Si një ndër profesorët e parë e të dalluar të Gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës” i cili për kohën mund të quhej Universitet. 
  • Si një ndër intelektualët e parë që tregoi rezerva ndaj jetësimeve të vëndimeve të Bujanit; 
  • Si një ndër ata i cili la detyrën e profesorit për ta kundërshtuar ripushtimin; 
  • Si një ndër të parët që iu bashkua Shaban Polluzhës duke u bërë anëtar i Shtabit të tij;
  • Si themelues të organizatës “Besa Kombëtare” dhe udhëheqës i saj; 
  • Si një ndër intelektualët më vizionarë më pikëpamje dhjathtiste, me qartësi politike antifashiste dhe antikomuniste;
  • Si strateg që orientoi interesat shqiptare kah aleatët anglo-amerikanë;
  • Si mesazh që vlen edhe sot që duhët ruajtur aleancat anglo-amerikane
  • Si intelektual që bashkëpunoi ngushtë me ajkën nacionaliste të kohës si Halim Spahinë, Bedri Pejanin, Ferat Dragën, Marie Shllakun, Gjon Serreçin, Sylejman Vuçiternën, Muharrem Bajraktarin, At Bernard Llupin, Pashuk Bibë Mirakajn, Ajet Gergurin, Adem Gllavicën, etj.;
  •  Si bashkëluftëtarë i afërt i Ukë Sadikut, Ndue Përlleshit, Zef Gjidodës, Feriz Bojës, Ndrecë Nikollës, Malë Bashotës, Mulla Iljaz Brojës, Dom Pjetër Berishës, Ndrecë Lleshit, Mehmet Agë Rashkocit, Zeqir Lutanit, Bardhec Roganit, Demë Ali Pozharit, Alush Smajlit, Qazim Bajraktarit etj.
  • Si lider të shumë Kuvendeve Kombëtare të asaj periudhe dhe si unifikues dhe përafrues të të gjitha grupeve dhe çetave shqiptare;
  • Si hartues të promemorjes dërguar gjeneralit anglez Hadgson.
  • Si shkrues i ditarit të luftës i cili u gjend në kohën e fundit në arkivat e Beogradit.
  • Si shpirti, forca dhe truri i rezistencës nacionaliste në Kosovë i cilësuar nga raporti i CIAS-amerikane i 7 janarit 1953.
  • Si i zgjedhur (në mungesë) udhëheqës i mbarë Lëvizjes Çlirimtare për të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, nga Kongresi i Lipovicës (Blinajës) më 25 korrikut 1946, pa dijeninë se ishte vrarë;
  • Si i përndekur dhe i vrarë në pritë më 11 korrik 1946, në Hereç të Gjakovës, nga forcat jugosllave në bashkëpunim me komunistët e Shqipërisë. 
  • Si i ri idealist që priste të krijonte familje pas çlirimit të Kosovës.
  • Si i ri  që kishte kaq shumë aktivitet arsimor, atdhetar dhe luftarak për vetëm 34 vjet jetë.
  • Si me urdhër të Gjon Serreqit u dënua me pushkatim spiuni i tij dhe u ekzekutua në Blinajë.
  • Si i varrosur e zhvarrosur dy herë nga komunistët deri sa ia humbën varrin;
  • Si nderi dhe përsonaliteti më i dalluar i komunës të Klinës i të gjitha periudhave;
  • Si përsonaliteti që i takon përmasave gjithëkombëtare;
  • Si përsonaliteti më thelbësor më të cilin duhët të identifikohët Klina në arealin kombëtar;
  • Si i dekoruar hero i Kosovës 
  • Si i dekoruar nga komuna e Klinës me dekoratën nderi i Klinës.
  • Si personalitet që do ta nderonte Klinën me lapidarin e tij.
  • Si udhërrëfim për brezat të mësojnë veprimtarinë e Komandantit të maleve Dardane,  Durim Vullnetit, alias Ymer Berishës, historian, gjeograf, politikan, ushtarak, shkrimtar e humanist.

  Këtë kumtesë do ta përmbyll me fjalët Haki Balshit shok i Normalës të Elbasanit të Ymer Berishës i cili kur mësoi për vrasjën e tij  ndër të tjera i shkroi edhe këto vargje:

                    Fli i qetë o i urti burrë

                    O i vdekuri  që s’vdes kurrë.

Kumtesë e mbajtur në Akademi në përkujtimore në Klinë më 11. 07. 2026

Filed Under: Kronike

JEHONA QË ZGJOI NJË QYTET

July 16, 2026 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Ku ka këngë, ka shpresë dhe jetë.

Kudo ku këndohet, aty rreh zemra e një komuniteti; aty përjetimi shndërrohet në jehonë, tradita bëhet identitet dhe jeta merr frymë me ritmin e brezave.

Pikërisht këtë të vërtetë e dëshmoi edhe edicioni i tretë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, i zhvilluar më 26 dhe 27 qershor, kur Memaliaj u kthye në një skenë të madhe të kulturës shqiptare.

Dy net me radhë, qyteti jetoi ndryshe. Rrugët, sheshet dhe mjediset e tij u mbushën me këngë, valle, kostume shumëngjyrëshe dhe tinguj instrumentesh që vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Banorët dhe vizitorët u bënë pjesë e një parade të jashtëzakonshme festive, ku arti popullor shpërtheu me tërë madhështinë e tij.

Memaliaj dukej sikur po përjetonte një rilindje të vërtetë. Zërat e artistëve, hapat e valltarëve dhe duartrokitjet e publikut rindezën atmosferën e një qyteti që për dy ditë e net rifitoi gjallërinë e dikurshme. Për një çast, koha dukej sikur kishte ndalur. Kënga nuk solli vetëm emocione; ajo riktheu ndjenjën e përkatësisë, krenarinë dhe besimin se kultura mbetet një nga forcat më jetëdhënëse të një shoqërie.

Por çdo nismë që lë gjurmë në jetën e një komuniteti ka historinë e saj. Asnjë ngjarje e rëndësishme nuk lind rastësisht. Fillimisht ajo është një mendim i heshtur, më pas një ëndërr që piqet me kalimin e viteve, derisa gjen njerëzit që besojnë se ëndrrat duhen kthyer në realitet. Edhe “Jehona e Vjosës” nisi pikërisht kështu. Ajo nuk lindi nga një projekt administrativ i hartuar në tavolinat e institucioneve, por nga dashuria e pastër për kulturën dhe traditën.

Për vite me radhë, kjo ëndërr jetoi në mendjen dhe zemrën e Viktor Aliut. Ishte një dëshirë e heshtur, por e pandalshme: krijimi i një festivali që do të bashkonte artistët nga të gjitha trojet shqiptare dhe do ta kthente Memaliajn në një vatër të rëndësishme të jetës folklorike kombëtare.

Ky moment erdhi me zgjedhjen e Albert Malajt në krye të Bashkisë së Memaliajt, çka ndryshoi edhe mënyrën e konceptimit të rolit që kultura mund të kishte në jetën e qytetit. Kryebashkiaku jo vetëm dëgjoi me vëmendje projektin e ish-profesorit të tij, por pa tek ai një mundësi të shkëlqyer për të ndërtuar një identitet më të fuqishëm kulturor për Memaliajn.

Nga takimi i një ëndrre personale me një vizion institucional lindi bashkëpunimi që i dha jetë festivalit. Pikërisht kjo ndërthurje mes përkushtimit njerëzor dhe mbështetjes institucionale u bë themeli mbi të cilin u ngrit “Jehona e Vjosës”.

Edhe emri i festivalit mbart një simbolikë të veçantë. Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës, rrjedh e lirë ndër shekuj duke ruajtur natyrshmërinë dhe dinjitetin e saj. Ajo është simbol i qëndrueshmërisë, lirisë dhe vazhdimësisë. Ashtu si lumi që nuk ndalet së rrjedhuri, edhe folklori shqiptar ka vazhduar të jetojë përmes kohës. Ai ka mbijetuar në odat e burrave, në sofrat familjare, në dasma e festa, duke kaluar nga një brez te tjetri pa humbur autenticitetin.

Prandaj “Jehona e Vjosës” nuk është vetëm emri i një festivali. Ajo është metafora e një zëri që buron nga brigjet e lumit dhe përhapet në të gjitha trojet shqiptare, duke na kujtuar se tradita nuk është një relike e së kaluarës, burim i harruar, por një organizëm i gjallë që jeton përmes nesh.

Qëllimi i kësaj nisme është i qartë dhe fisnik: promovimi, motivimi dhe ruajtja e trashëgimisë sonë shpirtërore. Mbi të gjitha, ai synon të edukojë brezin e ri me dashurinë për këngën, vallen, kostumin popullor dhe zakonet tradicionale. Në këtë mision qëndron edhe forca më e madhe e “Jehonës së Vjosës”. Më shumë se një festival folklorik, ajo është një urë që bashkon të kaluarën me të ardhmen, mjeshtrit me artistët e rinj, rrënjët me shpresën.

KUR TË GJITHA TROJET SHQIPTARE U TAKUAN NË MEMALIAJ

Dy edicionet e para hodhën themelet, fituan besimin e artistëve dhe zgjuan interesin e publikut, ndërsa ky edicion i tretë e vulosi përfundimisht identitetin e festivalit në hartën kombëtare të folklorit.

Madhështia e këtij suksesi matet me numrin e artistëve, shtrirjen gjeografike të pjesëtarëve dhe, mbi të gjitha, me besimin e madh te kjo skenë.

Gjatë tri edicioneve, mbi 900 artistë popullorë kanë sjellë në Memaliaj këngët, vallet, kostumet dhe traditat e krahinave të tyre, duke e kthyer qytetin në një mozaik të jashtëzakonshëm kulturor.

Nga Drenica heroike, vendlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, nga Deçani, Klina, Ferizaj dhe Ansambli “Shote Galica” i Drenasit, nga Medvegja, Struga dhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqiptarëve në Shkup, e deri tek Ulqini, çdo trevë solli në Memaliaj zërin, ngjyrat dhe shpirtin e saj. Jehona e festivalit kapërceu edhe kufijtë e Ballkanit, duke sjellë në skenë artistë të diasporës shqiptare, si grupi “Malli i Mërgimtarit” nga Greqia, si dëshmi se largësia nuk e zbeh lidhjen me rrënjët.

Në ato dy ditë e net, Memaliaj u bë shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Në skenën e tij u ngjitën grupet polifonike të Tepelenës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Himarës, Pilurit, Vlorës, Selenicës dhe Mallakastrës, duke sjellë madhështinë e polifonisë labe, një prej pasurive më të rralla të trashëgimisë sonë shpirtërore. Skena u ndez nga ritmet magjepsëse të Kcimit të Tropojës, kryeveprës sonë që sot mbrohet nga UNESCO, duke sjellë gjithë forcën dhe dritën e traditës së veriut. Ritmi dhe harmonia u plotësuan magjishëm me këngën me lahutë dhe çifteli të Dukagjinit, që përmes grupit “Tre tinguj, një melodi”, shkrihej në një melodi të vetme, duke dëshmuar forcën e trashëgimisë sonë epike. Vallet e Matit e të Dibrës, si dhe meloditë e Tiranës, Kamzës, Librazhdit, Gramshit, Përmetit e Kolonjës, të gjitha së bashku krijuan një panoramë etnografike të gjerë, nga Alpet deri në brigjet e Jonit.

Në edicionon e tretë, skena e “Jehonës së Vjosës” mirëpriti 24 grupe artistike, ansamble folklorike, shoqëri kulturore, rapsodë, instrumentistë dhe valltarë, të cilët sollën para publikut thesaret më autentike të trevave të tyre. Çdo interpretim mbante vulën e origjinalitetit; këngët buronin nga odat e vjetra, vallet kishin udhëtuar brez pas brezi, ndërsa kostumet popullore ruanin ende aromën e historisë dhe punës së palodhur të dorës.

Publiku që mbushi për dy mbrëmje radhazi Sheshin “Minatori” përjetoi një lartësim të vërtetë shpirtëror. Në atë skenë u bënë bashkë madhështia e polifonisë labe me epikën e këngëve të veriut. Isoja jehonte si oshëtima e maleve të Kurveleshit, ndërsa lahuta dhe çiftelia kumbonin me forcën e Alpeve, të Sharrit dhe të Karadakut. Ritmet plot gjallëri të valleve të Kosovës u ndërthurën natyrshëm me elegancën e Shqipërisë së Mesme dhe finesën e Devollit.

Por ajo që preku më shumë zemrat e të pranishmëve ishte simbolika: në atë skenë u përqafuan plisi me qylafin, fustanella me xhubletën, jeleku i Labërisë me xhamadanin e Kosovës. U dëgjuan shumë dialekte, por vetëm një gjuhë zemre. Nga brigjet e Bistricës dhe Vjosës, përgjatë Semanit e Shkumbinit, deri në luginat e Drinit, Valbonës e Bunës, rrjedhat shpirtërore të kombit u derdhën simbolikisht në Memaliaj. Vetëm arti popullor ka fuqinë të bashkojë troje që historia i ndau dhe të afrojë njerëz që gjeografia i largoi.

ATJE KU ARTI BËHET RRËNJË

Një festival konkurrues vlerësohet për emocionin që përcjell dhe për gjurmën që lë në kohë. Për këtë arsye, detyra e jurisë në këtë edicion të tretë ishte sa e bukur, aq edhe e vështirë.

Siç u shpreh edhe kryetari i jurisë, Xheladin Beqiri, festivali dëshmoi një nivel të admirueshëm artistik, me formacione cilësore, vokale të fuqishme, melodi autentike dhe interpretime që ruanin me besnikëri karakterin burimor të folklorit tonë.

Në përfundim, juria ndau 22 çmime dhe vlerësime. Megjithatë, pothuajse çdo grup u largua me dinjitetin e fituesit, pasi fitoi duartrokitjet e ngrohta dhe respektin e publikut, që jetojnë shumë më gjatë se çdo trofe.

Në fund të fundit, juria jep çmime, vlerësime dhe kupa, por koha jep pavdekësinë. Prandaj, fituesi i vërtetë i këtij edicioni ishte vetë folklori shqiptar, këngët që u kanë mbijetuar shekujve, vallet që rrëfejnë historinë tonë dhe zërat që bashkojnë shqiptarët kudo ku ata jetojnë.

EPILOG – JEHONA QË NUK SHUHET

Kur u fikën dritat e skenës dhe tingujt e fundit u tretën në ajrin e mbrëmjes, Memaliaj nuk mbeti më i njëjti qytet. Diçka e bukur mbeti pezull mbi shesh, mbi rrugët e qytetit dhe mbi brigjet e Vjosës. Ishte jehona e trashëgimisë së një kombi.

Në një kohë ku globalizimi rrezikon të zbehë veçantitë tona kulturore, festivale të tilla bëhen mburoja të vyera. Ato na kujtojnë se një popull mbetet i fortë jo vetëm nga zhvillimi ekonomik, por mbi të gjitha nga aftësia për të ruajtur rrënjët e veta. E shpirti i shqiptarëve ka kënduar gjithmonë, në gëzime e mes lotësh në mall, në dasma e në kurbet, për lirinë, besën dhe vendlindjen.

Prandaj, sa herë që në brigjet e Vjosës do të ngrihet kjo skenë, nuk do të festohet vetëm një festival, burim i ri kulturor, por vazhdimësia e shpirtit shqiptar. Sepse lumenjtë rrjedhin drejt detit, ndërsa këngët e një populli rrjedhin drejt përjetësisë. Dhe për sa kohë do të ketë zëra që këndojnë e këmbë që vallëzojnë mbi këtë tokë, do të ketë edhe jetë.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT