• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flora Brovina, ikona që na pamundëson kornizën

October 12, 2026 by s p

Aleksandër Çipa/

Në javën e parë të janarit të vitit 2001 mbërrita në Prishtinë prej Tirane, për të nisur një përvojë të re në jetën time, si kryeredaktor I një së përditshmeje të njohur, por më së shumti, për të fituar me vonesë, një njohje dhe dijeni për gjysmën e atdheut tim, Kosovën.

Ishte dimër i ftohtë. Temperaturat shënonin përditshmërisht nga minus 10, deri në minus 20 gradë celcius. Si mesdhetar i mbërritur në Prishtinën kontinentale, kjo ishte një përvojë e re dhe me mungesën e prakticitetit tim, për të jetuar në ngrica dhe sidomos në një qytet si Prishtina e asaj kohe, ku çlirimi i vendit kishte ardhur mbi godina të vjetëruara, me gjurmë breshërish të armëve dhe tankeve, goditjesh, me rrugë të përbaltura, njerëz të gëzuar, por me fytyra të mbushura me shprehje hallesh e dhimbjesh, me mungesë rryme elektrike dhe zhurmnaja të tmerrshme gjeneratorësh.

Redaksia ku do të punoja përditshmëriht ishte në të quajturin “Pallati i shtypit”, aktualisht një shumëkatësh i administratës së lartë shtetërore të Kosovës.

Hotel Grandi, i mbetur si monument arkitekture i ish Jugosllavisë, gjendej si i vetmi hotel i rëndësishëm, por në gjendjen e tranzicionit administrues. Në atë gjendjen e objekteve të ish Jugosllavisë që përjetojnë ndërmjetësinë e papërcaktueshme të së ardhmes për pronësim dhe administrim. Në kafen e shumënjohur të Grandit, preferonim të pinim kafen dhe kapuçinon e përditshme në mëngjes dhe në mbrëmje.

Aty takoheshim përditshëm me një çift zonje dhe zotëri të shumënjohur, jo vetëm në Prishtinë, por në krejt Kosovën, e madje në hapësirën shqiptare.

Zonjën e njihnim prej shtypit, prej poezisë dhe sidomos prej historisë së jetës së saj. Bashkëshortin, i cili ishte i veshur me një qetësi intelektuale dhe që zotëronte shikim inteligjent kurdoherë, e njihnim më pak. Por qysh në ditët e para të qëndrimit në Prishtinë e zotëruam njohjen.

Ajri Begu ishte ekonomist me prejardhje nga Dibra. Ishte Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Ishte shkrimtar. Njeri shumë i lexuar dhe sidomos një intelektual pa protagonizëm, por shprehës i një elegance qytetse që të tërhiqte në simpatizim.

Zonja e thinjur ishte e famshmja Flora Brovina. Jeta e saj është pjesë e historisë së qëndresës femërore shqiptare në Kosovën e okupuar nga Serbia.

Në momentet më dramatike të okupimit serb të Kosovës, bija e Skënderajt, Flora Brovina, pasi kishte kaluar nëpër kalvare të ndryshme përndjekjesh, dhunimesh dhe keqtrajtimesh psikologjike e trupore, ishte përgatitur për të qenë mjeke, duke parë përherë matanë persekutimeve dhe rrethanave të mundimshme politike. Kishte lënë aq shumë gjurmë nëpër jetët e dhjetra njerëzve dhe sidomos në aq përballje me brutalitetin e militarëve dhe regjimit të diktatorit Millosheviç, sa gjithëherë më sillte në mendje imazhin real të poetes së famshme algjeriane Anna Greki, njëherësh mësuese, veprimtare algjeriane që në vitet 1950-1960, ishte burgosur e torturuar, por që shkroi poezi dhe triumfoi me shpirtin e vet për çlirim kombëtar.

Flora ishte mjeke pediatre, gazetare, aktiviste, poete dhe e tillë mbeti edhe në kohën e postçlirimit, në Prishtinë. Kujtimet e saj familjare të burgosjeve në burgun e Pejës, rradhët e familjarëve për të takuar të afërmit e tyre, ishin dhe mbetën rrëfimet spikatëse të poetes e cila e konsideroi rrëfimin dhe kulturën shkrimore të ndodhive nën Serbinë e atëkohshme, si një detyrim për memorien dhe mos’harresën kombëtare të shqiptarëve nëpër brezat e ardhshëm. Flora Brovina la gjurmë nëntë vjeçare në redaksinë e më së famshmes së atëhershme “Rilindja”, të cilën ne të Shqipërisë e theksonim si “Rilindja” e Prishtinës.

Në kryeqytetin e Kosovës, në ditët e vitit 2001, poeten, shumica e banorëve e thirrnin “Doktoreshë”, pasi për shumë vite shërbeu në repartin e Pediatrisë së spitalit.

Në pasionin e vet shkrimor dhe atë të mjekes, Flora Brovina ishte një zonjë çehoviane, tek e cila bashkëjetonin organikisht edhe mjekja edhe shkrimtaria-poete.

Ndërsa ritakoheshim në kafen e zakonshme, kishim fituar dhe krijuar tashmë edhe dijeninë për rrethin dhe rrethanat familjare të njeri-tjetrit. Unë ju kallëzoja për Vlorën, Gjirokastrën, Labërinë dhe polifoninë e gazetarinë e Shqipërisë. Guvernatori Begu, shpesh më rikujtonte se më konsideronte të vetin krahinarisht, pasi “ ishim të Shqipnisë”. Ndërsa ime shoqe-Klara, si përmetare e pati më të shpejtë miqësimin me Florën për shkak edhe të natyrës së njëjtë në karakterin komunikues.

Mjekja-poete fliste zëultë, shtruar, me sy të thellë dhe sidomos e vëmendshme ndaj çdo bashkëbisedimi.

Ishte një zonjë e dëgjimit dhe po aq e mendimit.

Kurreshtja jonë për historinë e saj nuk shterrte, pasi sa më shpesh ritakoheshim, aq më tepër ndodhi të tjera na rrëfente. Flora Brovina mbartte në shtatin e vet: edhe legjendën, edhe historinë unike të një gruaje; të një luftëtareje, të një intelektualeje, të një veprimtareje dhe sidomos të një qytetareje të Botës që nuk njohu lodhje dhe sidomos ndalje për të qenë pjesëmarrëse në takime, forume, konferenca, tubime, festivale dhe manifestime e ligjërimë publike shumëkombëshe e kombëtare e rajonale. Flora Brovina është shqiptarja e urtësishme për krejt hapësirën dhe ekspresionin femëror shqiptar.

Si gazetare dhe shkrimtare, Flora Brovina shkroi në luftë dhe në paqe, duke mjekuar në luftë shpirtrat dhe shpresën që shpesh mbulohej nga drama dhe tragjedi jetësh të personave në mosha të ndryshme, por fatkeqësisht aq shpesh fëmijë. Ndërsa në paqe, mjekoi plagë dhe lëndime të mbartura nga koha e luftës dhe periudha e pushtimit. Forca dhe sidomos cilësitë njeridashëse të Flora Brovinës, janë gjurmë të shenjuara në kujtesa dhe ndërgjegje njerëzish të shumtë nëpër të gjithë Kosovën, janë shenja të paheqshme nga kujtesa e miqve dhe mikeshave të saj kudo nëpër troje.

Kapitujt e jetës së saj, përbëjnë sagën e pashëmbëllt të një zonje-legjendë. Në shkurt të vitit 2023, së bashku me kolegë gazetarë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe shkrimtarë e poetë të ardhur nga vise të ndryshme europiane të emigracionit shqiptar, u gjendëm në një mbrëmje poetike në Bari. Kishim vizituar së bashku fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut.

Flora Brovina u ngrit dhe përshëndeti, mirëpo një pjesë e gazetarëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nuk po i jepnin qetësinë që meritonte fjala në atë tryezë të bollshme dhe me heterogjenitet njerëzor. Shto edhe faktin që Zonja e shtrenjtë që fliste si zakonisht, e pakzëshme nga pikëpamja vokale, por e urtë në brendinë dhe mesazhin e saj.

Heshta disi i skuqur prej kësaj zhurme kolegësh. Pasi përfundoi, kërkova fjalën dhe u mbërtheva nga urdhëri i ndërgjegjes sime, për të artikuluar në vëmendje të gati 100 kolegëve dhe shkrimtarëve një ligjëratë për madhështinë e jetës dhe historisë së saj si hise imponuese për krenim gjithëkombëtar.

Jeta kalvarike e Flora Brovinës, produkti krijues e mendor dhe aktivizmi qytetar i saj në shumë dekada, janë një pasuri dhe gjurmë europianiste e zonjës unike shqiptare në kohën tonë me disa kohë dhe disa shoqëri. Historia e saj është e denjë për gjithë çmimet e një kontributi femëror që rrallë e mbart aktualisht dhe ndoshta edhe më parë vetë Europa. Ajo zonjë, kishte përjetuar vuajtjet dhe torturimin më të egër në vitin vendimtar të luftës për çlirimin e Kosovës. Në vitin 1999, ajo u mbyll egërsisht në burgjet e Serbisë. Fati i diskutueshëm i jetës së saj saj, shqetësoi dhjetra organizata dhe forume botërore e kryesisht europiane të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe kryesisht të grave…

Për të mbërritur në atë ligjërim, unë kisha mbartur mbi 22 vite njohje nga afër me Flora Brovinën, kisha lexuar e dëgjuar dhjetra intervista, diskutime dhe librat e saj si dhe të të tjerëve për Atë. Kishim qenë së bashku në shumë takime letrare në Prishtinë, Gjakovë, në Prizren, Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë, Prishtinë, Pejë, Strugë etj.etj. Në sytë e saj atë mbrëmje, pas fjalës sime, ishte drita e falenderimit, por unë ndieja borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes që i kemi dhe duhet t’ia mbartim nëpër të ardhmen e brezave tanë, asaj zonje anafrankiste të kombit.

Në katër-pesë takimet, në kohë të ndryshme gjatë tri viteve të fundit, shkëmbenim me zonjën Flora, dijen për krahinat dhe zonat tona. Ajo më kallëzonte për Skënderaj dhe unë për Bregdetin e Himarës. Kishte mësuar shumë më tepër për polifoninë dhe Labërinë, për raportet e mia familjare me këto dy njësi identitare të hapësirës sonë kombëtare dhe priste me kurreshtje dhe kënaqësi të shihte të realizuar sipërmarrjen time familjare për Muzeun e Fjalës “Lefter Çipa” në Pilur.

Mbetëm përsëritshëm në dakordësinë e të mosmunguarve në takime dhe sidomos në pritje të reja nga Prishtina- në Bregdet e Gjirokastër. Por, papritur…. Flora Brovina në atë ditë të shtatorit më 15 të 2026 në Prishtinë, e ndau shpirtin nga shtati dhe u strehua nën dheun e Kosovës, të cilës i blatoi si Ajo, një jetë sakrificash, përkushtimesh adhurimi dhe sidomos shërbimi, prej heroine dhe zonje.

Në qindra e mijëra ndërgjegje shqiptarësh imazhi i saj do të mbetet dhe mbartet me ndikimin dhe efektin e një gjurmëlënieje ikonike. Do të kujtohet dhe imponohet pambarimisht, si një ikonë e fetarisë kombëtare e qytetare, të cilën nuk ka kornizë që e gjithëpërfshin shterrueshëm.

Filed Under: Kronike

Një mbrëmje madhështore e Shoqatës Illyria të Policisë së Nju Jorkut (NYPD Illyrian Society)

October 11, 2026 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Mbrëmja Gala e 8 Tetorit 2026 do të mbetet gjatë në mendjen e të gjithë pjesëmarrësve si një nga netët atdhetre, emocionuese të organizuara nga komuniteti shqiptar në Amerikë. Mbrëmja e 3-të Vjetore Gala e Shoqatës Illyria të Policisë së Nju Jorkut (NYPD Illyrian Society), nën udhëheqjen e presidentit të saj, Detektivit Mikeljan Agolli, nuk ishte thjesht një ndarje çmimesh, por një dëshmi e gjallë e bashkimit, traditës dhe vlerave tona familjare e kombëtare. Në këtë ngjarje të madhe të pranishëm ishin zyrtarë të lartë, oficerë policie për komunitetin shqiptaro-amerikan të zbatimit të ligjit në Nju Jork si dhe media e mirënjohur “Alba Life”, që pasqyroi nga afër këtë festë të madhe të suksesit dhe kulturës sonë.

Që në hyrje të sallës në Bronx, atmosfera festive nisi magjishëm ku Banda Muzikore e Policisë së NYPD-së na mirëpriste me këngë dhe melodi, duke krijuar një mjedis dinjitoz e solemn. Mbrëmja u hap zyrtarisht me ekzekutimin e ndjerë të hymneve kombëtare, shqiptar dhe amerikan, duke nderuar dy shtetet që formësojnë identitetin e këtyre oficerëve të guximshëm.

Bekimi i Mbrëmjes nga Kapelani i NYPD-së, Dr. Tahir Kukaj

Përpara se të niste darka dhe programi zyrtar, mbrëmja u bekua nga Imam Dr. Tahir Kukaj.

Dr. Tahir Kukaj gëzon një pozicion shumë të respektuar dhe të lartë: ai shërben zyrtarisht si Kapelan Mysliman i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD Chaplain). Ai është i vetmi kapelan që përfaqëson komunitetin shqiptar dhe atë mysliman në këtë njësi elitë të departamentit. Prania e tij mbartte një peshë të madhe institucionale dhe shpirtërore. Imam Kukaj foli si gjithmonë me elekuence dhe bukur. Fjalët e tij të vyera dhe lutja e tij e ngrohtë sollën një ndjesi paqeje, harmonie dhe mbarësie në tërë sallën, duke u kujtuar të pranishmëve rëndësinë e besimit, bashkimit dhe mbrojtjes.

Elegancë në sallë: Veshjet e grave police si për ballo dhe tere hijeshi

Përtej solemnitetit të uniformave, ajo që tërhiqte vëmendjen dhe i shtonte një shkëlqim të jashtëzakonshëm sallës ishin gratë police të pranishme. Larg petkut të përditshëm të punës dhe rreptësisë së detyrës, veshjet e grave police ishin tejet elegante, të kuruara me një stil të hollë si për ballo aristokratike. Ky shpërthim i hijeshisë dhe klasit u dha një dritë të veçantë festimeve, duke treguar një anë tjetër, po aq të admirueshme, të zonjave tona shqiptare në uniformë.

Fjalimi Prekës i Presidentit Mikeljan Agolli

Zoti Agolli nder te tjera tha: Të nderuar kolegë, miq dhe pjesëmarrës, sot festojmë jo vetëm arritjet tona profesionale në uniformë, por edhe lidhjen tonë të pathyeshme me rrënjët. Jam jashtëzakonisht krenar për secilin prej anëtarëve tanë që me nder dhe sakrificë lartësojnë emrin e shqiptarit në zbatimin e ligjit në SHBA. Kjo shoqatë do të vazhdojë të jetë një urë e fuqishme mbështetjeje për oficerët tanë dhe një zë i lartë i vlerave tona kombëtare në Amerikë. Faleminderit për shërbimin tuaj dhe përkushtimin ndaj komunitetit!

Në fjalën e tij, Presidenti i Shoqatës, Z. Mikeljan Agolli, veç arritjeve profesionale, zgjodhi të vendoste në qendër të vëmendjes shtyllën më të rëndësishme: familjen. Me fjalë të ndjera dhe plot mirënjohje, Mikeljani falënderoi atin e tij Nevzatin, prindërit e mrekullueshem per mirerritjen, bashkëshorten dhe fëmijët e tij, duke theksuar se pas çdo oficeri që shërben me sakrificë në rrugët e Nju Jorkut, qëndron një familje që lutet, mbështet dhe sakrifikon në heshtje.

Nderimi i Oficerëve dhe Personaliteteve të Vitit 2026

Pika kulmore e mbrëmjes ishte ndarja e çmimit kryesor “Person of the Year” (Njeriu i Vitit) për z. Philip Rivera, Shefin e Patrullës së NYPD-së (Chief of Patrol). Ky vlerësim dëshmon urën e fortë të bashkëpunimit, respektit dhe integrimit të shkëlqyer të komunitetit shqiptar brenda strukturave më të larta të Policisë së Nju Jorkut.

Chief Philip Rivera, u shpall “Personi i Vitit 2026” nga NYPD Illyrian Society

Me rastin e nderimit të tij si “Personi i Vitit 2026” nga NYPD Illyrian Society, Chief Philip Rivera përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë vlerësim të veçantë. Në fjalën e tij, ai theksoi se Illyria nuk është thjesht një organizatë për të, por një familje e vërtetë, ku mbizotërojnë miqësia, respekti, solidariteti dhe krenaria për prejardhjen shqiptare.

Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, simbolit të lirisë, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar. Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tij, Chief Rivera u nderua me një bust të Skënderbeut, një dhuratë me domethënie të veçantë historike dhe kombëtare.

Ky moment shënoi jo vetëm një vlerësim për figurën dhe kontributin e Chief Philip Riverës, por edhe një dëshmi të lidhjes së fortë që bashkon anëtarët e NYPD Illyrian Society, duke e kthyer Illyrinë në një familje të bashkuar nga vlerat, traditat dhe krenaria shqiptare.

Krahas këtyre momenteve plot dritë, shoqata ndau çmimet vjetore për heronjtë e saj në uniformë dhe kontribuesit e dalluar të komunitetit, ku u nderuan:

• Çmimi për Arritje gjatë Karrierës (Lifetime Achievement): Detektivi i Gradës së Dytë Faton Alickaj. Z.Alickaj ne fjalen e tij nder te tjera tha: Ky çmim është një nderim për përkushtimin dhe punën ndër vite. Suksesi nuk arrihet vetëm, por falë bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë.

Shërbimi me integritet dhe përgjegjësi është vlera më e madhe e një karriere. Ai vazhdoi se cdo sfidë është një mundësi për të dëshmuar karakterin dhe përkushtimin.

Trashëgimia më e rëndësishme e një karriere është ndikimi që lëmë te të tjerët.

• Çmimi i Lidershipit (Leadership Award): Nënkoloneli (Lieutenant) Silda Kokomeci dhe Rreshteri (Sergeant) Liridon Ahmedi.

• Çmimi i Mirënjohjes (Recognition Award): Detektivja e Gradës së Dytë Merita Hoxha, si dhe Oficerët e Policisë (Police Officer) Burim Djonbalaj, Valmir Nikqi dhe Afërdita Manllio

• Çmimi për Shërbim ndaj Komunitetit (Community Service Award): Imam Tahir Kukaj dhe Louie Suljovic (Louie’s Pizzeria & Restaurant).

Kjo mbrëmje Gala tregoi se distinktivi i NYPD-së dhe dashuria për atdheun e të parëve bashkëjetojnë në mënyrë të përsosur, duke lartësuar emrin shqiptar në majat e zbatimit të ligjit në Amerikë. Faleminderit oficerëve tanë për shërbimin dhe familjeve të tyre për qëndresën!

Shefi Rivera kembekryq me Shqiptarët

Momenti më kulmor dhe më drithërues i natës erdhi me nisjen e këngëve të traditës. Kur jehuan rreshtat e fuqishëm të këngës për Hajredin Pashën dhe ajo për Komandantin Legjendar Adem Jashari, salla përjetoi një emocion të jashtëzakonshëm. Si në kuvendet e dikurshme të burrave, të gjithë u mblodhën së bashku për të kënduar me një zë që zgjonte krenarinë kombëtare.

Në këtë atmosferë unike, i nderuari i mbrëmjes si “Njeriu i Vitit”, Shefi i Patrullës së NYPD-së, Philip P. Rivera, u bë pjesë e këtij rrethi të madh. Pa asnjë distancë zyrtare, Rivera u shkri një me shqiptarët, duke përjetuar e respektuar nga afër forcën, kulturën dhe shpirtin bujar të komunitetit tonë. Përtej vlerësimeve zyrtare, ajo që e ktheu këtë gala në një festë të paharrueshme kombëtare ishte ruajtja e identitetit dhe historisë shqiptare në zemër të Amerikës. Atmosfera u ndez dhe ngriti peshë zemrat e të pranishmëve kur anëtarët e shoqatës interpretuan këngën “Mora fjalë” — himnin që zgjon krenarinë tonë kombëtare dhe nderon sakrificën sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari.

Ishte një moment thellësisht prekës që tregoi se distinktivi i policisë amerikane rrahin fort krahas zemrës dhe gjakut shqiptar.

Nga ana e tij, Presidenti i NYPD Illyrian Society, Z. Mikeljan Agolli, falënderoi të gjithë kolegët dhe pjesëmarrësit për përkushtimin dhe kontributin e tyre të pandalur në shërbim të sigurisë publike dhe lartësimit të emrit të shqiptarëve. Lidershipi juaj, kontributet tuaja të jashtëzakonshme jane krenari kombetare! Faleminderit oficerëve të policisë së Nju Jorkut për shërbimin!

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

Filed Under: Kronike

DITA E BASHKIMIT TË GJERMANISË DHE MIRËNJOHJA SHQIPTARE

October 3, 2026 by s p

Imer Xhemail Lladrovci/

3 Tetori është një ditë e veçantë jo vetëm për popullin gjerman, por edhe për historinë e Evropës.

Bashkimi i Gjermanisë shënoi fundin e një ndarjeje të dhimbshme dhe hapjen e një epoke të re të lirisë, paqes, bashkëpunimit dhe perspektivës evropiane. Pas dekadash ndarjeje, populli gjerman e rifitoi unitetin dhe ndërtoi një Gjermani të bashkuar, demokratike dhe me rol të rëndësishëm në zemër të Evropës.

Si mik i Gjermanisë dhe ish-diplomat, që kam pasur privilegjin ta përfaqësoj Kosovën në këtë vend, e kam përjetuar nga afër mikpritjen e popullit gjerman, kulturën e dialogut dhe përkushtimin e tij ndaj paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve.

Gjermania dhe populli gjerman kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në historinë e Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës, Gjermania mori pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për ndalimin e dhunës dhe, përmes angazhimit të saj ushtarak në kuadër të NATO-s, kontribuoi në përfundimin e luftës. Njëkohësisht, Gjermania u hapi dyert mijëra njerëzve të dëbuar nga Kosova, duke u ofruar strehim dhe siguri në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë të re.

Kontributi gjerman për Kosovën dhe Shqipërinë ka vazhduar edhe pas luftës, përmes mbështetjes politike, ekonomike dhe institucionale, si dhe përkrahjes së rrugës së tyre drejt integrimit evropian.

I gëzohem veçanërisht urave të miqësisë dhe projekteve të bashkëpunimit që kam pasur mundësinë t’i ndërtoj së bashku me miq dhe partnerë gjermanë. Këto ura kanë afruar njerëzit, kanë forcuar miqësinë shqiptaro-gjermane dhe kanë sjellë përfitime konkrete për të dy popujt.

Në këtë ditë historike, me respekt dhe mirënjohje uroj të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët gjermanë, me dëshirën që miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve dhe gjermanëve të vazhdojnë të thellohen edhe më tej.

Uroj që Gjermania e bashkuar të vazhdojë të jetë një forcë e paqes, stabilitetit, demokracisë dhe mirëkuptimit në Evropë.

Gëzuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë!

Filed Under: Kronike

Skandali i radhës i një pushteti pervers

October 2, 2026 by s p

Në zhargonin popullor shpesh përsëritet se çudia më e madhe zgjat tri ditë. Mbase kjo është edhe arsyeja që ata që manipulojnë e shpërdorojnë opinionin publik shqiptar i publikojnë skandalet me radhë, thjesht për interesat e tyre të sundimit, duke u munduar që ta largojnë sa më shumë të jetë e mundur fokusin e publikut nga veprimtaria e tyre kriminale në favor të agjendave të tyre të sundimit.

Për të konfirmuar këtë që thashë, mjafton t’u referoheni dy skandaleve të fundit që u publikuan së fundmi, të cilat realisht nuk janë as të reja dhe as të panjohura. Mjafton t’i referohemi deklaratës së Ylli Rakipit në emisionin “Opinion”, ku thotë se këto i dinin, duke iu referuar “zyrës” së Gysit, por edhe faktit se videot erotike të personave publikë shqiptarë paskan ekzistuar për rreth dy vjet në internet, ndërsa për publikun shqiptar u bënë të ditura vetëm sot.

Po përse ustallarët i nxorën pikërisht tani?

Sigurisht që po mendohej se do të konkretizohej qëllimi dhe misioni i protestës kombëtare, duke u munduar që, me këto skandale, t’i paraqesin publikut shqiptar si një film pa para të një historie rozë apo si shigjetim të grave, që realisht asnjëra nuk janë të tilla.

Mediat dhe portalet e shitura dhe të blera i trajtojnë skandalet në favor të agjendave të tyre dhe jo si një pasqyrë të një pushteti pervers, që një Zot e di se sa është numri i viktimave të këtyre organizmave perversë e kriminalë.

Shikoni me vëmendje fushën e veprimtarisë së skandaleve të fundit, por që janë shumë më tepër se kaq, që janë bërë publike, e shumë të tjera që presin momentin se kur ustallarët do t’i bëjnë publike.

A ka një fushë të jetës politike e shoqërore sot në Shqipëri që ky pushtet pervers të mos ketë promovuar nga kjo kategori e skandaleve, duke nisur nga kreu i qeverisë, së bashku me të gjithë kabinetin e tij dhe të gjitha agjencitë e strukturat, deri te zgjedhja e “kryetarit” të komunës, që e quajnë president, të cilin e morën nga një person nën hetim dhe e vendosën në krye të shtetit?

Krejt establishmenti, së bashku me mediat e tij të shitura e të blera, nuk thotë asnjë fjalë për viktimat e këtij pushteti e shteti pervers në të gjitha fushat e jetës, duke nisur nga politika e me radhë, kultura, arti, sistemi arsimor e punësimi, e deri te grabitja e pronës, punës e çdo gjëje, duke e shndërruar Shqipërinë në një tokë djerrë për vlerat njerëzore e njeriun e punës së ndershme, duke e shpopulluar e shkombëtarizuar vendin më të bukur e më të pasur të botës për njësi sipërfaqeje.

Përse nuk e zë askush me gojë historinë e suksesit të një vendi si Hong Kongu i sferës perëndimore, pasi stacioni i fundit i këtyre perversëve është burgu?

Shqiptarët janë zgjuar tashmë, brenda e jashtë Atdheut, dhe të gjithë duhet të bashkohemi e të çrrënjosim këtë të keqe të madhe që e ka zënë Shqipërinë, në respekt të dinjitetit njerëzor e krenarisë kombëtare, që mbështetet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë:

Neni 2

  1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
  2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.

Të ngremë një qeveri tranzitore me mandat më së paku njëvjeçar, që të garantojë një Kod të ri Zgjedhor, pjesë integrale e Kushtetutës së re që do të aprovohet me referendum popullor, ku, përveç të tjerave, të garantohet një proces zgjedhor i lirë e i ndershëm, ku në institucione të shkojë vullneti i popullit shqiptar dhe jo rriqnat e interesave antishqiptare që nuk na janë ndarë për më shumë se 100 vjet.

Kjo tashmë nuk është një vullnet apo dëshirë e një grupi të caktuar, por një thirrje emergjente e pjesës dërrmuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë Atdheut, që e kanë kuptuar se veprimtaria e përfaqësuesve e agjendave të antishqiptarizmit, që i kanë lënë e po tentojnë t’i lënë vendin njëri-tjetrit, po e shuajnë kombin shqiptar nga harta gjeopolitike e Europës.

Lirinë dhe demokracinë i gëzojnë ata popuj e kombe që luftojnë që t’i kenë.

Ajet Delaj
New York

Filed Under: Kronike

Koncert Portret Isak Shehu

September 30, 2026 by s p

Nga Julika Prifti/

Në mbrëmjen e 29 shtatorit, 2026, Holli Koncertor i TKOB ishte mbushur si kurrë më parë për Koncert Portret Isak Shehu. Publiku erdhi për të shijuar pjesë të veprave të kompozitorit, dirigjentit dhe instrumentistit të mirënjohur, Isak Shehu. Ai e tejkaloi kapacitenin e sallës e shumë spektatorë qendruan në këmbë në anë të sallës të ulur në shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin. Publiku përbëhej nga miq, shokë, të afërm nga Dibra, qyteti i tij i lindjes dhe artdashës nga anë të ndryshme të atdheut, pa prani ministrash apo autoritetesh zyrtare të larta, çka e bëri mbrëmjen një dëshmi të drejtpërdrejtë të interesit për muzikën shqiptare. Në skenë u ngjitën Orkestra e Harqeve, Ansambli vokal Ndërkombëtar “Bujart” i përgatitur e i drejtuar nga Bujar Alliu si edhe instrumentiste e soliste të njohur.

Xhovana Marku (Obo), Jona Ferrari në violincel e soprano Eriana, Dragoicea, dhe Ardita Meni, tenorët e shquar Josif Gjipali dhe Kastriot Tusha.

Ky koncert solli një ndërlidhje të ndjeshme të tingujve instrumentalë të frymëzuar nga rrënjët e muzikës sonë kombëtare dhe të shkollës shqiptare të kompozicionit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive.

Në “Variacione dibrane”, Shehu nuk sjell vetëm tingujt e vendlindjes, por edhe shpirtin e saj. Përveç një gjuhe të pasur kompozicionale, ai ndërthur motivet tradicionale me një përpunim artistik që pasqyron mentalitetin, kulturën dhe historinë e Dibrës. Prandaj vepra komunikon edhe me ata që nuk janë dibranë: ajo e kthen kujtesën dhe identitetin e një krahine në një përjetim muzikor.

Duartrokitjet e gjata dëshmuan suksesin e saj. Gjatë shfaqjes Shehu foli disa herë jo vetëm për të prezantuar një pjesë a për të sjellë një kujtim apo shpjegim për të apo për të shoqëruar në skenë interpretuesit e saj, por edhe për falenderime të ndryshme. Ai falenderoi TKOB per mundesimin e kesaj nate ne ambientet e tij. Në një rast tjetër falenderoi bashkëshorten e 4 vajzat e tij për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë kësaj rruge të gjatë.

Me humor e shumë dashuri i falenderoi edhe për durimin që kanë treguar ndër vite ndaj jetës së një artisti të përkushtuar ndaj muzikës.

Në një gjest me vlere të veçantë për kulturën dhe edukimin, kompozitori u dhuroi disa shkollave e institucioneve kulturore një paketë me 8 libra, ku përfshihen vepra dhe botime të realizuara në vite. Ishte një mënyrë për të bërë krijimtarinë e tij të arritshme edhe për brezat e rinj edhe për institucione që merren me edukim dhe kulturë. Korri i grave që interpretoi dy këngë te njohura, por me një arranxhim te ri nga Shehu u bë pjesë e momenteve të bukura të mbrëmjes. Isak Shehu i dhuroi secilës një buqete të vogël me lule.

Gjithsesi momenti më i ëmbël i kësaj nate ishte kur mbesa e tij 4-5 vjeçare i dhuroi një buqetë me lule shumëngjyrëshe. Një gjest i thjeshtë, por shumë emocionues.

Ky koncert është dëshmi e lidhjes që publiku mund të krijojë me muzikën dhe autorin e saj. Nga pjesa e parë deri deri tek e fundit, spektatorët e shumtë e ndoqën me vëmendje programin dhe shoqëruan interpretimet me duartrokitje entuziaste. Prania e instrumentistëve, këngëtarëve, korit, krijuan një mozaik artistik, ndërsa repertori i Isak Shehut solli në të njëjtën kohë shumë histori, traditë, kujtesë dhe emocione.

Kjo ishte një mbrëmje e veçantë në Hollin Koncertor të TKOB të mbushur përtej kapacitetit, nga një publik muzikdashēs dhe një kompozitor, që pas një rrugë të gjatë krijuese, ndan me të shumë pjesë të botës së tij artistike të krijuar ndër vite. Do presim me padurim koncertin tjetër të Isak Shehut!

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 613
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Doracaku i një tirani”, kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se populli
  • Koreografi Bekim Murati: “Grupi i valleve “Besa”, kontribut në ruajtjen e rrënjëve shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj në Florida”
  • “Vjeshta Arabe” në Europë dhe Shqipëria
  • 𝗔𝘃𝗼𝗸𝗮𝘁𝗶 𝗶 𝗣𝗼𝗽𝘂𝗹𝗹𝗶𝘁 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗼𝗶 𝘀𝗼𝘁 𝗴𝗷𝗲𝘁𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗺𝗼𝗻𝗶𝘁𝗼𝗿𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗲̈𝘀 𝗻𝗲̈ 𝟮𝟰 𝗼𝗿𝗲̈𝘁 𝗲 𝗳𝘂𝗻𝗱𝗶𝘁
  • Mark Gjonaj: Thirrje Kryeministrit Rama t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të japë dorëheqjen
  • 2500 euro për të ruajtur përbindëshin: Rama, Frankenstein- i dhe shpresa e një populli
  • Qeveritar i tmerrshëm që ka shkatërruar perspektivën dhe ka kriminalizuar çdo qelizë e policisë, qeverisë e parlamentit
  • KUR PËRDHOSET E SHENJTA, TRONDITET SHPIRTI I KOMBIT
  • “The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926”
  • Political Power Is Temporary. The Soul of a Nation Is Not
  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT