• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA E BASHKIMIT TË GJERMANISË DHE MIRËNJOHJA SHQIPTARE

October 3, 2026 by s p

Imer Xhemail Lladrovci/

3 Tetori është një ditë e veçantë jo vetëm për popullin gjerman, por edhe për historinë e Evropës.

Bashkimi i Gjermanisë shënoi fundin e një ndarjeje të dhimbshme dhe hapjen e një epoke të re të lirisë, paqes, bashkëpunimit dhe perspektivës evropiane. Pas dekadash ndarjeje, populli gjerman e rifitoi unitetin dhe ndërtoi një Gjermani të bashkuar, demokratike dhe me rol të rëndësishëm në zemër të Evropës.

Si mik i Gjermanisë dhe ish-diplomat, që kam pasur privilegjin ta përfaqësoj Kosovën në këtë vend, e kam përjetuar nga afër mikpritjen e popullit gjerman, kulturën e dialogut dhe përkushtimin e tij ndaj paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve.

Gjermania dhe populli gjerman kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në historinë e Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës, Gjermania mori pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për ndalimin e dhunës dhe, përmes angazhimit të saj ushtarak në kuadër të NATO-s, kontribuoi në përfundimin e luftës. Njëkohësisht, Gjermania u hapi dyert mijëra njerëzve të dëbuar nga Kosova, duke u ofruar strehim dhe siguri në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë të re.

Kontributi gjerman për Kosovën dhe Shqipërinë ka vazhduar edhe pas luftës, përmes mbështetjes politike, ekonomike dhe institucionale, si dhe përkrahjes së rrugës së tyre drejt integrimit evropian.

I gëzohem veçanërisht urave të miqësisë dhe projekteve të bashkëpunimit që kam pasur mundësinë t’i ndërtoj së bashku me miq dhe partnerë gjermanë. Këto ura kanë afruar njerëzit, kanë forcuar miqësinë shqiptaro-gjermane dhe kanë sjellë përfitime konkrete për të dy popujt.

Në këtë ditë historike, me respekt dhe mirënjohje uroj të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët gjermanë, me dëshirën që miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve dhe gjermanëve të vazhdojnë të thellohen edhe më tej.

Uroj që Gjermania e bashkuar të vazhdojë të jetë një forcë e paqes, stabilitetit, demokracisë dhe mirëkuptimit në Evropë.

Gëzuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë!

Filed Under: Kronike

Skandali i radhës i një pushteti pervers

October 2, 2026 by s p

Në zhargonin popullor shpesh përsëritet se çudia më e madhe zgjat tri ditë. Mbase kjo është edhe arsyeja që ata që manipulojnë e shpërdorojnë opinionin publik shqiptar i publikojnë skandalet me radhë, thjesht për interesat e tyre të sundimit, duke u munduar që ta largojnë sa më shumë të jetë e mundur fokusin e publikut nga veprimtaria e tyre kriminale në favor të agjendave të tyre të sundimit.

Për të konfirmuar këtë që thashë, mjafton t’u referoheni dy skandaleve të fundit që u publikuan së fundmi, të cilat realisht nuk janë as të reja dhe as të panjohura. Mjafton t’i referohemi deklaratës së Ylli Rakipit në emisionin “Opinion”, ku thotë se këto i dinin, duke iu referuar “zyrës” së Gysit, por edhe faktit se videot erotike të personave publikë shqiptarë paskan ekzistuar për rreth dy vjet në internet, ndërsa për publikun shqiptar u bënë të ditura vetëm sot.

Po përse ustallarët i nxorën pikërisht tani?

Sigurisht që po mendohej se do të konkretizohej qëllimi dhe misioni i protestës kombëtare, duke u munduar që, me këto skandale, t’i paraqesin publikut shqiptar si një film pa para të një historie rozë apo si shigjetim të grave, që realisht asnjëra nuk janë të tilla.

Mediat dhe portalet e shitura dhe të blera i trajtojnë skandalet në favor të agjendave të tyre dhe jo si një pasqyrë të një pushteti pervers, që një Zot e di se sa është numri i viktimave të këtyre organizmave perversë e kriminalë.

Shikoni me vëmendje fushën e veprimtarisë së skandaleve të fundit, por që janë shumë më tepër se kaq, që janë bërë publike, e shumë të tjera që presin momentin se kur ustallarët do t’i bëjnë publike.

A ka një fushë të jetës politike e shoqërore sot në Shqipëri që ky pushtet pervers të mos ketë promovuar nga kjo kategori e skandaleve, duke nisur nga kreu i qeverisë, së bashku me të gjithë kabinetin e tij dhe të gjitha agjencitë e strukturat, deri te zgjedhja e “kryetarit” të komunës, që e quajnë president, të cilin e morën nga një person nën hetim dhe e vendosën në krye të shtetit?

Krejt establishmenti, së bashku me mediat e tij të shitura e të blera, nuk thotë asnjë fjalë për viktimat e këtij pushteti e shteti pervers në të gjitha fushat e jetës, duke nisur nga politika e me radhë, kultura, arti, sistemi arsimor e punësimi, e deri te grabitja e pronës, punës e çdo gjëje, duke e shndërruar Shqipërinë në një tokë djerrë për vlerat njerëzore e njeriun e punës së ndershme, duke e shpopulluar e shkombëtarizuar vendin më të bukur e më të pasur të botës për njësi sipërfaqeje.

Përse nuk e zë askush me gojë historinë e suksesit të një vendi si Hong Kongu i sferës perëndimore, pasi stacioni i fundit i këtyre perversëve është burgu?

Shqiptarët janë zgjuar tashmë, brenda e jashtë Atdheut, dhe të gjithë duhet të bashkohemi e të çrrënjosim këtë të keqe të madhe që e ka zënë Shqipërinë, në respekt të dinjitetit njerëzor e krenarisë kombëtare, që mbështetet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë:

Neni 2

  1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
  2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.

Të ngremë një qeveri tranzitore me mandat më së paku njëvjeçar, që të garantojë një Kod të ri Zgjedhor, pjesë integrale e Kushtetutës së re që do të aprovohet me referendum popullor, ku, përveç të tjerave, të garantohet një proces zgjedhor i lirë e i ndershëm, ku në institucione të shkojë vullneti i popullit shqiptar dhe jo rriqnat e interesave antishqiptare që nuk na janë ndarë për më shumë se 100 vjet.

Kjo tashmë nuk është një vullnet apo dëshirë e një grupi të caktuar, por një thirrje emergjente e pjesës dërrmuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë Atdheut, që e kanë kuptuar se veprimtaria e përfaqësuesve e agjendave të antishqiptarizmit, që i kanë lënë e po tentojnë t’i lënë vendin njëri-tjetrit, po e shuajnë kombin shqiptar nga harta gjeopolitike e Europës.

Lirinë dhe demokracinë i gëzojnë ata popuj e kombe që luftojnë që t’i kenë.

Ajet Delaj
New York

Filed Under: Kronike

Koncert Portret Isak Shehu

September 30, 2026 by s p

Nga Julika Prifti/

Në mbrëmjen e 29 shtatorit, 2026, Holli Koncertor i TKOB ishte mbushur si kurrë më parë për Koncert Portret Isak Shehu. Publiku erdhi për të shijuar pjesë të veprave të kompozitorit, dirigjentit dhe instrumentistit të mirënjohur, Isak Shehu. Ai e tejkaloi kapacitenin e sallës e shumë spektatorë qendruan në këmbë në anë të sallës të ulur në shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin. Publiku përbëhej nga miq, shokë, të afërm nga Dibra, qyteti i tij i lindjes dhe artdashës nga anë të ndryshme të atdheut, pa prani ministrash apo autoritetesh zyrtare të larta, çka e bëri mbrëmjen një dëshmi të drejtpërdrejtë të interesit për muzikën shqiptare. Në skenë u ngjitën Orkestra e Harqeve, Ansambli vokal Ndërkombëtar “Bujart” i përgatitur e i drejtuar nga Bujar Alliu si edhe instrumentiste e soliste të njohur.

Xhovana Marku (Obo), Jona Ferrari në violincel e soprano Eriana, Dragoicea, dhe Ardita Meni, tenorët e shquar Josif Gjipali dhe Kastriot Tusha.

Ky koncert solli një ndërlidhje të ndjeshme të tingujve instrumentalë të frymëzuar nga rrënjët e muzikës sonë kombëtare dhe të shkollës shqiptare të kompozicionit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive.

Në “Variacione dibrane”, Shehu nuk sjell vetëm tingujt e vendlindjes, por edhe shpirtin e saj. Përveç një gjuhe të pasur kompozicionale, ai ndërthur motivet tradicionale me një përpunim artistik që pasqyron mentalitetin, kulturën dhe historinë e Dibrës. Prandaj vepra komunikon edhe me ata që nuk janë dibranë: ajo e kthen kujtesën dhe identitetin e një krahine në një përjetim muzikor.

Duartrokitjet e gjata dëshmuan suksesin e saj. Gjatë shfaqjes Shehu foli disa herë jo vetëm për të prezantuar një pjesë a për të sjellë një kujtim apo shpjegim për të apo për të shoqëruar në skenë interpretuesit e saj, por edhe për falenderime të ndryshme. Ai falenderoi TKOB per mundesimin e kesaj nate ne ambientet e tij. Në një rast tjetër falenderoi bashkëshorten e 4 vajzat e tij për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë kësaj rruge të gjatë.

Me humor e shumë dashuri i falenderoi edhe për durimin që kanë treguar ndër vite ndaj jetës së një artisti të përkushtuar ndaj muzikës.

Në një gjest me vlere të veçantë për kulturën dhe edukimin, kompozitori u dhuroi disa shkollave e institucioneve kulturore një paketë me 8 libra, ku përfshihen vepra dhe botime të realizuara në vite. Ishte një mënyrë për të bërë krijimtarinë e tij të arritshme edhe për brezat e rinj edhe për institucione që merren me edukim dhe kulturë. Korri i grave që interpretoi dy këngë te njohura, por me një arranxhim te ri nga Shehu u bë pjesë e momenteve të bukura të mbrëmjes. Isak Shehu i dhuroi secilës një buqete të vogël me lule.

Gjithsesi momenti më i ëmbël i kësaj nate ishte kur mbesa e tij 4-5 vjeçare i dhuroi një buqetë me lule shumëngjyrëshe. Një gjest i thjeshtë, por shumë emocionues.

Ky koncert është dëshmi e lidhjes që publiku mund të krijojë me muzikën dhe autorin e saj. Nga pjesa e parë deri deri tek e fundit, spektatorët e shumtë e ndoqën me vëmendje programin dhe shoqëruan interpretimet me duartrokitje entuziaste. Prania e instrumentistëve, këngëtarëve, korit, krijuan një mozaik artistik, ndërsa repertori i Isak Shehut solli në të njëjtën kohë shumë histori, traditë, kujtesë dhe emocione.

Kjo ishte një mbrëmje e veçantë në Hollin Koncertor të TKOB të mbushur përtej kapacitetit, nga një publik muzikdashēs dhe një kompozitor, që pas një rrugë të gjatë krijuese, ndan me të shumë pjesë të botës së tij artistike të krijuar ndër vite. Do presim me padurim koncertin tjetër të Isak Shehut!

Filed Under: Kronike

VDEKJA E EMPATISË DHE RRËSHQITJA E QYTETËRIMIT DREJT BARBARIZMIT

September 29, 2026 by s p

Në historinë e mendimit politik dhe filozofik të shekullit XX, Hannah Arendt zë një vend të veçantë për mënyrën se si analizoi marrëdhënien ndërmjet individit, shoqërisë, pushtetit, përgjegjësisë morale dhe totalitarizmit. Një nga shqetësimet themelore që përshkon veprën e saj është pyetja se si mund të ndodhë që njerëz të zakonshëm të përfshihen në sisteme që prodhojnë padrejtësi, përjashtim dhe dhunë.

Në këtë kuptim, ideja e humbjes së empatisë njerëzore mund të lexohet si një paralajmërim i fuqishëm për çdo shoqëri: barbarizmi nuk shfaqet gjithmonë menjëherë në formën e dhunës së hapur. Ai mund të fillojë shumë më herët, me një ndryshim të ngadaltë në mënyrën se si njerëzit e shohin njëri-tjetrin. Fillon atëherë kur vuajtja e tjetrit nuk na shqetëson më, kur padrejtësia ndaj dikujt tjetër na duket e parëndësishme dhe kur njeriu reduktohet në një numër, statistikë, etiketë politike, kategori shoqërore apo pengesë për interesat tona.

Empatia, në këtë kuptim, nuk është thjesht një emocion sentimental. Ajo është një mekanizëm moral dhe qytetar që e pengon njeriun të shohë tjetrin si objekt.

1. Empatia si themel i bashkëjetesës njerëzore.

Asnjë shoqëri nuk mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e ligjeve, institucioneve dhe mekanizmave administrativë. Përtej tyre ekziston një dimension më i thellë: aftësia e njerëzve për ta njohur tjetrin si qenie njerëzore me dinjitet, të drejta, vuajtje, shpresa dhe frikëra.

Empatia është pikërisht aftësia për të kuptuar se pas çdo statistikë ekziston një njeri; pas çdo shifre të papunësisë ekziston një familje; pas çdo emigranti ekziston një histori; pas çdo viktimë të dhunës ekziston një jetë e ndërprerë ose e plagosur.

Kur kjo aftësi dobësohet, shoqëria fillon të humbasë një nga mekanizmat e saj më të rëndësishëm vetërregullues.

Njeriu fillon të pyesë më pak: “Çfarë po i ndodh tjetrit?” dhe gjithnjë e më shumë: “Çfarë përfitoj unë?” Ky ndryshim i vogël në mënyrën e të menduarit mund të ketë pasoja të mëdha shoqërore.

Një shoqëri ku suksesi personal bëhet kriteri pothuajse i vetëm i vlerësimit të jetës rrezikon të humbasë ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit. Në një mjedis të tillë, dobësia interpretohet si faj, varfëria si paaftësi, dështimi si përgjegjësi individuale dhe vuajtja e tjetrit si problem që nuk na përket.

Kjo është pika ku fillon erozioni moral.

2. Hannah Arendt dhe “rëndomësia e së keqes”.

Një nga konceptet më të njohura të Arendt-it është “banaliteti i së keqes”, i zhvilluar veçanërisht në librin Eichmann in Jerusalem.

Koncepti nuk do të thotë se e keqja është e parëndësishme. Përkundrazi, Arendt tërhoqi vëmendjen te një paradoks shumë shqetësues: veprime me pasoja të jashtëzakonshme mund të kryhen nga njerëz që nuk duken domosdoshmërisht si përbindësha.

Rreziku që ajo evidenton lidhet me paaftësinë ose refuzimin për të menduar mbi pasojat njerëzore të veprimeve tona.

Kur individi pushon së gjykuari vetë dhe zëvendëson ndërgjegjen me urdhrin, procedurën, rregulloren, interesin e institucionit ose bindjen ndaj autoritetit, përgjegjësia morale fillon të shpërbëhet.

Kështu krijohet një mekanizëm i rrezikshëm: urdhri, zbatimi, justifikimi dhe indiferenca.

Në fund, askush nuk e konsideron më veten përgjegjës për pasojën. “Unë vetëm zbatova rregullin.” “Unë vetëm bëra detyrën.” “Unë vetëm firmosa dokumentin.” “Unë nuk vendosa.” “Unë nuk kisha çfarë të bëja.” Këto formula mund të shërbejnë si mënyra për t’iu shmangur përgjegjësisë morale.

Prandaj, mendimi kritik dhe aftësia për të gjykuar individualisht janë mburoja të rëndësishme kundër normalizimit të së keqes.

3. Nga njeriu te numri: procesi i tjetërsimit.

Një nga shenjat më të rrezikshme të humbjes së empatisë është dehumanizimi.

Kur një njeri nuk shihet më si individ, por vetëm si pjesëtar i një kategorie, bëhet më e lehtë që atij t’i mohohet dinjiteti.

Në vend të “njeriut” shfaqen etiketa: i varfri; emigranti; kundërshtari; i huaji; i padëshiruari; i padituri; “armiku”; “problemi”; “numri”.

Gjuha nuk është neutrale. Ajo ndikon në mënyrën se si shoqëria mendon. Kur një grup përshkruhet vazhdimisht me gjuhë përçmuese, distanca psikologjike midis “nesh” dhe “atyre” rritet. Në këtë mënyrë, ajo që fillimisht dukej e papranueshme mund të bëhet gradualisht e tolerueshme.

Dehumanizimi është ura ndërmjet indiferencës dhe dhunës.

Jo çdo gjuhë e ashpër çon domosdoshmërisht në dhunë, por historia tregon se sistemet që kanë ushtruar përjashtim dhe dhunë shpesh janë paraprirë nga procese të fuqishme të kategorizimit dhe dehumanizimit.

4. Shoqëria moderne dhe lodhja nga vuajtja.

Në epokën digjitale, problemi merr një dimension të ri.

Njeriu bashkëkohor përballet çdo ditë me një sasi të jashtëzakonshme informacioni. Luftëra, katastrofa, aksidente, varfëri, emigracion, sëmundje, konflikte politike dhe tragjedi personale shfaqen në ekranet tona brenda pak sekondash.

Në fillim reagojmë. Pastaj reagojmë më pak. Më pas kalojmë te lajmi tjetër. Vuajtja e tjetrit mund të kthehet në një përmbajtje mediatike që konsumohet dhe harrohet. Këtu shfaqet fenomeni që në literaturën psikologjike dhe mediatike shpesh lidhet me termin “compassion fatigue”, ose lodhje nga përballja e vazhdueshme me vuajtjen.

Problemi nuk është teknologjia në vetvete. Teknologjia mund të informojë, të edukojë dhe të mobilizojë solidaritetin. Problemi shfaqet kur informacioni i pafund e shndërron vuajtjen njerëzore në një seri imazhesh të konsumueshme.

Një tragjedi zëvendësohet nga një tjetër. Një viktimë zëvendësohet nga një tjetër. Një krizë zhvendos një krizë tjetër. Dhe në fund ekziston rreziku që e jashtëzakonshmja të bëhet e zakonshme.

5. Rrjetet sociale dhe humbja e tjetrit real.

Ekziston edhe një paradoks i epokës digjitale: njerëzit janë më të lidhur teknikisht, por jo domosdoshmërisht më të afërt njerëzisht.

Në rrjetet sociale, tjetri shpesh reduktohet në një profil, fotografi, koment ose qëndrim politik.

Kjo krijon një distancë që në komunikimin ballë për ballë do të ishte më e vështirë të ruhej.

Është më e lehtë të fyen një person që nuk e sheh në sy.

Është më e lehtë të përçmosh dikë që e njeh vetëm përmes një fotografie.

Është më e lehtë të etiketosh një kundërshtar politik kur nuk njeh familjen e tij, historinë e tij, frikërat dhe problemet e tij.

Kështu, komunikimi mund të shndërrohet nga dialog në përplasje.

Tjetri nuk është më bashkëbisedues; bëhet kundërshtar për t’u mposhtur.

6. Nga indiferenca individuale te barbarizmi shoqëror.

Barbarizmi nuk ka nevojë gjithmonë të fillojë me një akt të madh. Ai mund të ndërtohet nga mijëra indiferenca të vogla. Një padrejtësi që nuk kundërshtohet. Një poshtërim që justifikohet. Një korrupsion që pranohet si “normal”. Një viktimë që fajësohet. Një i dobët që përqeshet. Një intelektual që hesht. Një institucion që nuk reagon. Një shoqëri që thotë: “Kështu ka qenë gjithmonë.” Kjo fjali është veçanërisht e rrezikshme. Sepse e shndërron anormalen në normale. Dhe kur një padrejtësi përsëritet mjaftueshëm, ajo mund të mos perceptohet më si padrejtësi. Kështu krijohet normalizimi i së keqes.

7. Heshtja nuk është gjithmonë neutralitet

Një shoqëri demokratike nuk mbrohet vetëm nga ligjet. Ajo mbrohet edhe nga reagimi moral i qytetarëve. Kur dikush poshtërohet publikisht dhe të tjerët heshtin, poshtërimi fiton hapësirë. Kur padrejtësia bëhet e zakonshme dhe askush nuk reagon, ajo fiton legjitimitet shoqëror. Kur gënjeshtra përsëritet vazhdimisht dhe shoqëria lodhet së kundërshtuari, ajo mund të fillojë të trajtohet si një variant i pranueshëm i së vërtetës. Prandaj, empatia nuk duhet kuptuar vetëm si ndjenjë. Ajo është edhe gatishmëri për të mos qëndruar indiferent përballë vuajtjes dhe padrejtësisë.

8. Arsimi si mburojë kundër barbarizmit.

Një nga mënyrat më të rëndësishme për të parandaluar erozionin moral është arsimi. Por arsimi nuk duhet të reduktohet në marrjen e një diplome. Një shoqëri mund të prodhojë shumë diploma dhe, megjithatë, të ketë pak mendim kritik. Arsimi i vërtetë duhet t’i mësojë individit të mendojë në mënyrë kritike, të dallojë faktin nga propaganda, të dëgjojë argumentin e tjetrit, të kuptojë pasojat e veprimeve, të respektojë kundërshtarin, të mbrojë dinjitetin njerëzor, të dyshojë ndaj absolutizimit të pushtetit dhe të mos e zëvendësojë ndërgjegjen me bindjen mekanike.

Një shoqëri që edukon vetëm specialistë, por nuk edukon qytetarë, mund të jetë teknikisht e zhvilluar dhe moralisht e brishtë.

9. Empatia nuk do të thotë të heqësh dorë nga drejtësia.

Ekziston edhe një keqkuptim i rëndësishëm. Të jesh empatik nuk do të thotë të justifikosh çdo veprim të tjetrit. Empatia nuk është mungesë e drejtësisë. Mund ta kuptosh një person pa e miratuar veprimin e tij. Mund të dëgjosh kundërshtarin pa pranuar argumentin e tij. Mund të respektosh dinjitetin e një individi ndërkohë që kërkon përgjegjësi ligjore për veprimet e tij. Kjo është pikërisht arsyeja pse empatia është më shumë se mëshirë. Ajo na ndihmon të ruajmë dallimin ndërmjet njeriut dhe veprimit të tij, kundërshtarit dhe armikut, kritikës dhe urrejtjes dhe drejtësisë dhe hakmarrjes. Një shoqëri demokratike ka nevojë për këtë dallim.

10. Barbarizmi fillon kur tjetri pushon së qeni “njeri”.

Në fund të fundit, pyetja më e thellë nuk është nëse një shoqëri ka teknologji të avancuar, ndërtesa moderne, ekonomi të zhvilluar apo institucione të shumta. Pyetja është: Si sillet ajo me njeriun që nuk ka pushtet, me të varfrin, me të moshuarin, me fëmijën, me emigrantin, me të sëmurin, me të papunin, me kundërshtarin dhe me njeriun që nuk mund t’i kthejë asgjë në këmbim? Aty matet niveli i vërtetë moral i një shoqërie. Sepse qytetërimi nuk provohet vetëm nga mënyra se si trajtohen të fuqishmit. Ai provohet sidomos nga mënyra se si trajtohen të pambrojturit.

11. Rindërtimi i empatisë si akt qytetërues.

Nëse humbja e empatisë është një nga shenjat e erozionit moral, atëherë rikthimi i saj është një nga format më të rëndësishme të rezistencës qytetare.

Kjo kërkon më shumë sesa fjalime. Kërkon arsim që kultivon mendimin, institucione që mbrojnë dinjitetin, media që nuk e shndërrojnë vuajtjen në spektakël, politikë publike që nuk i redukton njerëzit në statistika dhe qytetarë që refuzojnë të mësohen me padrejtësinë.

Duhet të rikthehet aftësia për të dëgjuar, për të mos rënë dakord pa urryer, për të kritikuar pa poshtëruar, për të kundërshtuar pa dehumanizuar, për të kërkuar drejtësi pa kërkuar hakmarrje dhe, mbi të gjitha, për të mos harruar se pas çdo numri qëndron një njeri.

Kjo është ndoshta një nga mësimet më të rëndësishme që mund të nxirren nga mendimi i Arendt-it: rreziku më i madh për qytetërimin nuk vjen vetëm nga njerëzit që bëjnë të keqen, por edhe nga shoqëritë që gradualisht humbasin aftësinë për ta dalluar, për ta kundërshtuar dhe për të ndier përgjegjësi ndaj pasojave të saj.

Barbarizmi, pra, nuk fillon domosdoshmërisht kur njeriu ngre dorën kundër tjetrit. Ai mund të fillojë shumë më herët: në çastin kur dhimbja e tjetrit nuk na prek më.

Dhe qytetërimi nuk mbrohet vetëm me ligje, institucione dhe teknologji. Ai mbrohet çdo ditë nga aftësia jonë për ta parë tjetrin si njeri.

Prof. Dr. Pal Nikolli

Filed Under: Kronike

VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA, CANI E KIRKPATRICK

September 28, 2026 by s p

Një tragjedi që preku zemrat e të gjithëve!

Shkumbin Tetaj

Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjën e jetës së Florin Hoxhes, Florida Hoxhes , Eris Canit dhe Ian Kirkpatrick, në Athinë. Ka lajme që nuk mund të shpjegohen me fjalë, ngase përballë një humbje kaq të madhe, çdo fjafë apo fjali duket e vogël. Katër jetë (dhe e pesta në pritje) u ndërprenë shumë herët, duke lënë pas familje të shkatërruara shpirtërisht, miq dhe shokë të tronditur, dhe një hapësirë boshe në bregoret e krahërorit që nuk mund të mbushën kurrë.

Flori, Eris, Florida dhe Ian nuk janë thjesht emra në një lajm të hidhur. Ata ishin njerëz me ëndrra, me shpresë, me dashuri për familjet e tyre dhe me plane për të ardhmen. Sot, kujtimi i tyre mbetët i gjallë në zemrat e të gjithëve që i njohën, i deshën dhe ndanë momente të çmuara me ta. Në këto çaste të errëta, dhimbja e familjeve të tyre, bëhet dhimbja e çdo njeriu që beson të jeta dhe vlera humane dhe shpirtërore. Nuk ka ngushëllim që mund ta largojë këtë peshë të rëndë pikëllimi, por duhet të ketë mbështeje emocionale, lutje dhe përkrahje duke u qëndruar pranë atyrë që sot kanë nevojë më shumë se kurrë.

Me Florin u njohëm rreth 15 vite me parë kur unë ndaja zyrën me babain e tij, Mediun, në Arthur ave. Edhepse, kishim dallim në moshë, ai me pjekurinë e tij djaloshare të lente përshtypje të veçantë. Pas perfundimit të studimeve të larta në (Emory University), Flori u bë pjesë e zyrës sonë dhe për disa vite kemi punuar së bashku. Ai me njohuritë e tij të përgjithëshme ishte pothuajse katalizatori kryesor i të gjitha proceseve dhe njekohësisht ndihmonte edhe shumë shokë dhe afaristë të tjerë. Ai nuk ishte thjesht një shok, por një njeri i mirë, i sinqertë dhe me zemër të madhe. Prania e tij sillte cdo herë ngrohtësi, buzëqeshje dhe respekt. Do të na mungojnë fjalët e tij, humori i tij dhe cdo moment tjetër që sot duket kaq i çmuar.Ndonjëherë, nuk e kuptojmë sa shumë vlerë kanë njerëzit pranë nesh derisa ata largohën, por ti do mbetësh i gjallë në kujtimet tona.

Eris (e fejuara e Florit), një vajzë e mirë që reflektonte një nivel të lartë edukativ dhe njerëzor. Shtatzënë dhe priste lindjën e frytit të dashurisë së tyre. Ida (Florida), motra e Florit, e sjellshme dhe plot sharm, u martua me Ian dhe dasma e 30 Gushtit ishte një ndër ditët më të gëzuara të jetës së tyre, dhe ashtu të gëzuar dhe plot lumturi pas kurorëzimit të tyre në altarin a dashurisë, për më pak se një muaj, vdekja tinëzare i futi në shtegun e vetmisë e ua ndali gurrat e jetës.

Flori, Eris, Ida dhe Ian ikën pa e thënë lamtumirën e fundit, ikën duke na lënë të zhytur thellë në detin e pikëllimit. Por, prapa lanë respketin dhe shëmbullin e mirë të njerëzve me zemër të madhe e dashuri pakufi.

Prehuni ne paqen e përjetshme engjuj!

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 615
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 25 nëntor 2005, polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”
  • Një jetë luftëtar për ngritjen e flamurit kombëtar në Çamëri
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR Z. DRITON GERBESHI DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR KOLEC DHE RICHARD NDOJA DHURUAN 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • Noli, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia…
  • 40 emra, 1 flamur: Kush e shpalli Pavarësinë më 28 Nëntor 1912
  • Pse Shqipëria e shpalli e fundit pavarësinë nga Perandoria Osmane?
  • GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU, PJETËR BOGDANI DHE ADEM JASHARI TRI SHTYLLA TË KUJTESËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR
  • OKB në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
  • JETA SHQIPTARE PËRTEJ KUFIJVE TË NJË HISTORIE INDIVIDUALE
  • BRUNO SELIMAJ, NJË HISTORI SUKSESI NË AMERIKË DHE LETRA NGA Z. JAKUP KRASNIQI, 1999!
  • TRAGJEDIA E TRANZICIONIT SHQIPTAR: KUR PADREJTËSIA U BË NORMË DHE DINJITETI PËRJASHTIM
  • Si u trajtua çështja e kufijve të Çamërisë nga Qeveria e Vlorës në vitet 1912–1914
  • Peter Prifti In Memoriam – Dedikimi për Fan Nolin, Peteri dhe Naum Prifti
  • Pesë revolucione. Një jetë që vazhdon të frymëzojë botën

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT