• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPIRTI ÇLIRIMTAR I NJË INTELEKTUALI

January 14, 2023 by s p

Shkruan: NUHI BYTYÇI/

Lajmin për vdekjen e intelektualit, profesorit universitar dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ana Drini Prof. Dr. Sabahajdin Cena, ishte ndër lajmet më të dhëmbshme, jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij në mbarë Kosovën dhe më gjerë. Që në fillim të këtij shkrimi në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, mund të them me plot gojë se të rrallë janë intelektualët, sikur ishte Profesor Sabahajdin Cena, i cili përherë ishte në mesin e popullit dhe në shërbim të popullit.                                                                                                                                Fati ka deshtë që ta njoh nga vitet 70-ta. Fillimisht mbaj mend shkrimet e tij në revistat e kulturës së kohës, veçmas në atë “Fjala” dhe në botimin shkencor të Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike” për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Ana Drini, Llapushë e Drenicë, për mbledhjen e folklorit shqiptar, për Ninullat në Ana Drini, Llapushë dhe në rajone tjera. Mbaj mend në veçanti hulumtimin e Prof. Sabahajdinit botuar në “Gjurmime albanologjike” me titull “Disa elemente të gjuhës shqipe në të folmen e popullsisë së Rahovecit”, “Analiza e Këngës për Halil Hamzën” dhe shumë shkrime tjera me rëndësi të posaçme për letërsinë popullore, folklorin shqiptar në përgjithësi. Ndërkaq, në vitet 80-ta kam pasë nderin që ta takoj disa herë në Prishtinë dhe Rahovec edhe fizikisht dhe të këmbej mendime për pozitën tejet të vështirë të popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ai përherë kishte guxim që të shprehte opinionin e tij për të dhe rolin e intelektualëve shqiptarë për çlirim e bashkim kombëtar.

Prof. Sebahajdini iu jepte kurajo luftëtarëve të lirisë

Pas shpërthimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe në Drenicë, Profesor Sabahajdini ishte ndër intelektualët e parë që iu bashkangjit radhëve të UÇK-së në Ana Drini. Si Udhëheqës i Drejtorisë për Marrëdhënie Civile dhe publike në Zonën Operative të Pashtrikut, Prof. Sabahajdini arriti të kontribuojë shumë në ngritjen e moralit te luftëtarët e lirisë. Duke marrë pjesë edhe vet në shumë beteja frontale me forcat serbe në Ana Drini, ai me guximin dhe vlerat e larta prej intelektuali, përmes vargjeve të rilindasëve shqiptarë iu ka dhënë kurajo edhe më të madhe luftëtarëve të rinj e të reja të UÇK-së që të luftojnë me tërë fuqinë kundër atyre që mundoheshin që ta thyejnë vullnetin e popullit tonë për liri e pavarësi. Vërtetë ai ka prezantuar me dinjitet tfigurën shembullore të një intelektuali dhe luftëtari-eprori të UÇK-së.                              Profesor dhe Komandant Sabahajdin Cenën e kam takuar disa here edhe gjatë periudhës së luftës. Në vjeshtë të vitit 1998 në malet e Kleçkës legjendare më kujtohet fytyra e tij e buzëqeshur dhe optimiste, i bindur se UÇK-ja do ta fitojë luftën. Ai këtë e argumentonte me faktin se asaj iu kishin bashkangjitur të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora, si dhe që e mbështetnin intelektualët dhe mbarë populli ynë liridashës. Madje, kur më pa mua dhe kameramanin Abaz Zeka duke xhiruar imazhe të luftëtarëve të lirisë nuk e la pa u shprehur me këtë fjali: “Nuhi, kur të pash ty dhe Abazin, po e shoh edhe civilizimin, sepse si intelektualë dhe gazetarë e keni lënë Prishtinën dhe me punën tuaj profesionale po e prezantoni para botës luftën e UÇK-së. Kjo të gjithë neve na inkurajon, na jep zemër se liria është e pashmangshme!” Edhe unë ia kthej: Prof. Faleminderit për këtë vlerësim të çmuar tëndin. Ne jemi pjesë e këtij populli dhe e kemi obligim që ta jemi pranë luftëtarëve të lirisë. Mirëpo, edhe angazhimi yt, si profesor dhe intelektual i jep imazhin e një ushtrie gjithëpopullore dhe që ka mbështetjen e plotë edhe të intelektualëve tanë.”                                                                     Fjalët e Profesorit Sabahajdin edhe mua e Abazit na impresionuan dhe na kanë shërbyer si udhërrëfim deri në fund të luftës që me emisionet tona ta mbajmë gjallë shpirtin liridashës dhe çlirimtar të të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare. Dhe vërtetë, në qershor të vitit 1999 Kosova përfundimisht u çlirua dhe nga ajo u larguan të gjitha forcat pushtuese dhe administrata serbe. 

Kronikani i heronjve të UÇK-së

Pas luftës Profresor Sabahajdinin e kam takuar në Rahovec e Malishevë, duke drejtuar tubimet gjithëpopullore në përkujtim të përvjetorit të betejës së UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec dhe në tubimet përkujtimore për nder të dëshmorëve të Ana Drinisë. Prof. Sebahajdini ishte në krye të protestave gjithëpopullore të qytetarëve të Rahovecit kundër vendosjes së forcave të ushtrisë ruse në kuadër të Misionit të KFOR-it në Rahovec. Ai në një intervistë që e kisha zhvilluar lidhur me këtë protestë dhe barrikadat në mallet afër Rahovecit deklaronte: “Për shkak se në Rahovec dhe rrethinë ende ka kriminelë serbë, të cilët kanë bërë masakra mbi popullartën civile shqiptare në këtë qytet, forcat ruse janë të padëshirueshme. Ne jemi të vendosur që pa dhunë, por në mënyrë civilizuese të kundërshtojmë dhe pengojmë vendosjen e forcave ruse në Rahovec. Rusia ka interesa strategjike për të vendosur ushtarët e vet në Rahovec dhe për të bashkëvepruar me kriminelët serbë, duke e destabilizuar Rahovecin dhe Kosovën.”                                                                                                                Me që fshati im i lindjes – Shkoza është afër Rahovecit dhe Prof. Sebahajdini gjatë luftës  kishte bashkëpunuar edhe me Njësitin e UÇK-së në Shkozë dhe me familjarët e mi, pas luftës ai mori pjesë edhe në tubimet përkujtimore për dëshmorët e këtushëm, që u mbajtnin në Shkozë çdo 2 prill. Madje, disa herë ka qenë edhe në odën e babait tim – Malushit dhe kishin një respekt të ndërsjellë.                                                                                                                                        Kur realizoja një seri dokumentarësh për Radiotelevizionin publik të Kosovës kushtuar heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam pasë nderin që të bashkëpunoj edhe me Prof. Sebahajdin Cenën, duke e intervistuar lidhur me kujtimet e tij si bashkëluftëtar për figurat qëndrore të luftës në Ana Drini, Llapushë, Dukagjin e Drenicë. Ai gjithmonë ishte i gatshëm që me mburrje të rrëfente për heroizmin e Komandant Tonit e Micit, të Agim Çelës, Sadik Shalës, Hamdi Berishës, Avdullah Bugarit, Sheh Myhedinit, Feim e Bedrush Gashit, Mensur Zyberajt, Brahim Morinës, Salih Bytyçit, Muharrem Hoxhës dhe dëshmorëve tjerë. Herën e fundit Prof. Sabahajdinin e kam takuar bashkë me djalin e tij shumë të edukuar Samedinin (avokat) në prill të vitit 2021, kur në Lugun e Gjeraqinës me kameramanin Bekim Qyqallën në prani të birit të dëshmorit Brahim Morina – Islamit, e kam intervistuar atë lidhur me kujtimet e tij për kontributin dhe sakrificën sublime të dëshmorit Brahim Morina nga Drenoci i Malishevës.                            Si rëndom, modest dhe i drejtpërdrejtë Prof. Cena rrëfente me pietet edhe për shumë detaje për këtë figure të ndritshme të luftës për liri.                                                                                   Prof. Sabahajdin Cena ishte autor i mëse 20 veprave të ndryshme, ku dominojnë monografitë kushtuar atdhetarëve shqiptarët të të gjitha kohërave. Pra, Profesor Sabahajdini vërtetë ishte njeri i penës dhe i pushkës për liri e pavarësi.                    Ai kurrë nuk u ndal së punuari, duke u bërë kronikan i palodhur i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, si dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë veriore, veçmas duke pasqyruar sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ai ishte edhe autor i biografive të shumë dëshmorëve  që ranë për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare botuar në “Feniksët e lirisë”.                                                                                                             Vepra e Prof. Sabahajdinit është e pavdekshme, sepse ai përherë si intelektual ishte në shërbim të plotë të interesave të popullit. Emri i tij padyshim do të shkruhet  në historinë më të re kombëtare. Shkrimet e Prof. Sabahajdin Cenës  për UÇK-në do të vazhdojnë të jehojnë edhe më fuqishëm dhe do ta kompletojnë historinë e lavdishme të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë.                                                                                        Lavdi e përjetshme bashkëvendasi dhe miku im Profesor Sabahajdin Cena!

Filed Under: Kronike

Partneritet historik dhe i pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës

January 12, 2023 by s p

PRISHTINË, 11 Janar 2023 -Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Një delegacion i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, udhëhequr nga zyrtari i lartë Derek Chollet, sot në Kosovë është pritur në takime të veçanta nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.

Komunikatat e plota dërguar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës:

Presidentja Osmani priti në takim zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Derek Chollet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë z. Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.

Presidentja Osmani dhe z. Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Në takim me z. Chollet, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve.

Kryeministri Kurti priti në takim Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Prishtinë, 11 janar 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti ​sot në ndërtesën e Qeverisë, Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili sot po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.

Përgjatë takimit, kryeministri Kurti e njoftoi z.Chollet me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas. Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.

U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

Në takim z. Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.

Kurse Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Filed Under: Kronike

Në Ängelholm mbahet Akademi shkencore kushtuar 500 vjetorit të pavarësisë së Mbretërisë suedeze dhe të 15 vjetorit të Shpalljes së mvetësisë së Republikës së Kosovës

January 10, 2023 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa Klementi i XI Albani”, më 17 shkurt të këtij viti në Ängelholm të Suedisë do të organizoj Akademi Shkencore kushtuar 500 vjetorit të pavarësisë së Mbretësisë Suedeze dhe të 15 vjetorit të shpalljes së m’vetësisë së Republikës së Kosovës. Sipas Kryetarit të kësaj shoqate z. Hysen Ibrahimi ky event po organizohet, në rend të parë, për shkak të angazhimit tejet miqësor, human, diplomatik e politik që zhvilloj ky shtet skandinav para e pas luftës ndaj Kosovës. Ç’është e vërteta, duke gërmuar në arkivat e këtij vendi skandinav dëshmohet sipas dokumentacionit historik, kulturor e fetar se miqësia suedeze – shqiptare i ka rrënjët diku rreth 300 vite më parë. Dhe për për të argumentuar në vepër miqësinë e sinqert në fillim të viteve të nëntëdhjeta Mbretëria Suedeze ishte njëra ndër shtetet që më së shumti pranoj refugjatë shqiptarë nga Kosova për t’i shpëtuar nga ndjekjet e përditshme që policia e sigurimi i pushtetit fashist serb bënte ndaj shqiptarëve etnik. Tash në këtë vend të largët qëndrim të përhershëm kanë mbi 50 mijë shqiptarë nga Kosova. Po ashtu, para fillimit të luftës diplomacia suedeze ishte shumë aktive për të gjetur një zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës. Ndërkaq, me fillimin e luftës ky shtet dënoj ashpër të gjitha ato tmerre që i shkaktoj makineria vrastare serbe, duke kërkuar me ngulm që të gjithë përgjegjësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë. Pas luftës Qeveria e këtij vendi ndihmoi shumë në rimekëmbjen e ekonomisë, mbështeti pavarësinë e Kosovës, ndau mjete të konsiderueshme për rindërtimit të shtëpive të shkatërruara në tërë hapësirën kosovare, ofroi ndihmën profesionale për ngritjen e kapaciteteve në sektor të ndryshëm të ndërtimit të shtetit ligjor e demokratik e shumë kontribute tjera me interes për qytetarët.Poezia është e fuqishme me mesazhet e saj / Nga: Xhavit ÇITAKU | ATUNIS  GALAXY POETRY

Në këtë Akadmei Shkencore do të flitet edhe për 15 vjetorin e shpalljes së mvetësisë së Repblikës së Kosovës. Ndërkaq, me punimet e tyre do të paraqitën: Hysen Ibrahimi: Historiku i Suedisë, Albert Jashari: Mbështetja e institucioneve sudeze për bizneset shqiptare, Saranda Iseni: Miqësia suedeze- shqiptare i ka rrënjet 300 vjet më parë, nga Papa Klementi i XI dhe mbretëresha Kristina, Prof, Fetah Bahtiri: Integrimi i të rinjve shqiptarë në shoqërinë suedeze, Osman Ahmetgjekaj: Arsimi shqip në Suedi, mbështetja e Suedisë në këtë fushë, Sadulla Zendeli- Daja: Fjalorët dhe mbështetja suedeze për botimin e tyre, Avdyl Uka: 

Mbështetja e Suedisë ndaj atyre që mbrojtën pragun e shtëpisë në Kosovë, Bedri Paci: Mbështetja e institucioneve suedeze në botimin e teksteve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për nxënësit e komunitetit shqiptar, Rrahman Rrahmani: Shoqatat kulturore shqiptare dhe mbështetja e tyre nga institucionet komunale, Xhavit Çitaku: Mediat suedeze për dhe rreth Kosovës. Elhame Gjyrevci: Shqiptarët në Danimarkë të angazhuar në shoqata shqiptare në Suedi, Mona Juniku: Sakrifica e Ana Lindh, ish- Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë për pavarësinë e Kosovës, që i kushtoi me jetë pasi ajo u vra nga krimineli serb Mihail Mihajloviq, Idriz Gashi: Protestat shqiptare për të drejtat e tyre dhe mbështetja nga organet qeveritare,  Isuf Bajraktari: Fondet shqiptare për të ndihmuar Kosovën që vepruan pa asnjë pengesë nga organet suedeze, Dr.Sadik Vrajolli: Shëndetësia, integrimi i mjekëve shqiptar në institucionet shendetësore suedeze, Emine Hoti: Shqiptarët në Norvegji të angazhuar në shoqata shqiptare në Suedi, si dhe do të shpaloset një historik i shkurtër i aktivitetit të pasur e me përmbajtje gati 16 vjeçar të SHSHASH “Papa Klementi i XI Albani”. Pos anëtarëve të rregullt e të nderit të kësaj shoqate, në këtë manifestim do të jenë prezent përfaqësuesit  e Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë, pastaj nga Ilirida, personalitete të botës së biznesit shqiptar në mërgatë dhe trojet tjera etnike shqiptare si dhe të interesuar të tjerë nga komuniteti shqiptar që jetojnë e punojnë në Suedi dhe vendet skandinave.

Të gjitha shpenzimet e Sesionit Shkencor do t’i heq Rrjeti i Biznesit të Diasporës Shqiptare, Dega në Suedi, Kryetar i të cilit është Albert Jashari. Udhëheqësi i këtij asosacioni biznesor nuk është hera e parë që ndihmon materialisht këtë Shoqatë të vyer krijuese e atdhetare, përkundrazi ai i doli krah edhe shumëherë të tjera, sidomos në botimin e librit “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, vepër kjo që është vlerësuar si një “ Enciklopedi” e Mërgatës Shqiptare. Për të vajtur punët siç është më së miri, Rrjeti i Biznesit dhe SHSHASH “Papa Klementi i XI Albani” lidhën një marrëveshje bashkëpunimi enkas për këtë event, në bazë të së cilës u përcaktuan detyrat dhe obligimet që duhet të kryhen me këtë rast. Rrjeti  i Biznesit, pra, do të derdhë mjetet në xhirollogarinë e Shoqatës, ndërkaq Shoqata e Krijuesve Shqiptar do të kryen punët e domosdoshme teknike për mbarvajtjen e këtij tubimi shkencor. 

Filed Under: Kronike

ALMA VELAJ ZËRI BRILANT I KËNGËVE SHKODRANE

January 7, 2023 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një personazh shumë i veçantë ku mund të veçoj pak nga historiku dhe kontributi që ka dhënë për këngën popullore shkodrane.

   Alma Velaj që në moshë fare të re u bë pjesë e këngëve dhe ahengut shkodran, duke u bërë që atëherë edhe një interpretuese që shpejt do të premtonte një të ardhme të suksesshme, që do ta përçonte atë jo vetëm në dasma e gëzime familjare, por edhe në aktivitete prestigjioze të skenës dhe ekranit. Kjo ka bërë që karriera e saj artistike të njohë vetëm suksese. 

   Alma Velaj është një ndër këngëtaret më të mira të këngës popullore shkodrane, të cilën e ka pjesë të pa ndarë në jeten e saj artistike, duke u bërë jo vetëm gëzimi dhe dëfrimi i tyre, por edhe frymëzimi i jetës së përditshme. 

   Për të krijuar sa më qartë identitetin e saj artistik, Alma Velaj 26 vite më parë formoi grupin e saj muzikor, të njohur me emrin “Oriental”.

   Ajo ka një simpati të jashtëzakonshme për televizionin “Blue Skye” dhe një bashkëpunim me intensitet të lartë, ku ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e “Hiteve Verore” të organizuara nga ky televizion dhe është vlerësuar me një sërë çmimesh. 

   Kjo këngëtare ka qenë pjesë e pandarë e “Sofrës së Shqipes” të organizuara në New York, në Kosovë, por dhe si e ftuar speciale në Londër, po në këtë sofër. 

   Ajo vazhdimisht është e angazhuar në koncerte të ndryshme që organizohen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Angli, Iltali, Gjermani, Belgjikë, Austri, Zvicer, Kosovë, Maqedoni, Greqi etj, pra kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Ajo ka ftesë nga Albania entertainment LLC për koncerte në USA.

   Ajo ndihet mirë dhe krenare që këndon me pasion dhe shpirt këngët popullore shkodrane, për të cilën publiku i ka dhënë shumë emocione dhe ajo është përpjekur me të gjitha forcat e saja që gjithçka ta përballoj me sukses, duke iu ofruar këngë të bukura, gjë të cilën dëshiron që ta trashëgoj.

   Janar 2023

Filed Under: Kronike Tagged With: alma velaj, Ramazan Ceka

FRIKË NGA POEZIA

January 5, 2023 by s p

– nga Umberto Eco -/

Para këtij volumi doli në italisht më 1998 Shkrimtarë nga burgu (Feltrineli), përkthim i This Prison Where I Live (Ky burg ku unë jetoj), botuar dy vjet më parë për tipin Cassell, Londër, për të celebruar 75-vjetorin e Pen Club-it dhe për të përkujtuar “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë që janë dënuar padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetepesë viteve”. Tani ja kjo përmbledhje e dytë që, edhe pse e titulluar me një si apel lirie, është shkruar përsëri nga persona, të cilët gati të gjithë e kanë humbur lirinë për periudha pak a shumë të gjata, kanë pësuar burgun, torturën, arrestin apo ekzilin.

Pen-i nuk merret ekskluzivisht me shkrimtarët e burgosur, por dhe me ata që i kanë këmbët të lira; megjithatë duket gati i detyruar t’i kushtojë jo vetëm një libër kësaj teme që, në një botë më pak të çmendur, duhet të jetë e jashtëzakonshme – por nuk është. Ne që jetojmë në vende demokratike nuk e kuptojmë mbase se si një lloj forcë perverse manjetike vendos në një gjendje të ndërsjelltë tërheqjeje burgun dhe letërsinë.

Nga ana tjetër, nuk është histori e re. Duke filluar nga Zenoni i Eleasit që burgoset dhe torturohet nga tirani dhe, duke u shtirur se do t’i zbulonte nën zë emrat e bashkëpunëtorëve të tij, i këput me një të kafshuar një vesh. Për të mos thënë për Sokratin që, mes Critonit e Fedonit, na thotë gjërat më të paharrueshme për respektimin e ligjit dhe pavdekshmërinë e shpirtit, ndërsa në burg pret e pastaj përballon vdekjen. Për të vazhduar me Silvio Pellico-n e me Gramscin – por jo se me ta mbyllet seria.

Çfarë i bën kaq solidarë qelinë dhe të shkruarit? Ajo që u gabua në parathënien e volumit të mëparshëm, duke thënë se përkujtonte “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë që janë burgosur padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetepesë vjetëve”. Përse “padrejtësisht”? Drejtësisht, do të thosha, të paktën nga këndvështrimi i regjimeve që i kanë arrestuar e dënuar me heqje të lirisë. Për të përligjur kërkesën e dënimit me burg nuk është e nevojshme që një shkrimtar të lëvizë dhe ose fuqishëm si subjekt politik e si Zenoni të komplotojë aktivisht kundër tiranit.

Shihet qartë në këtë libër ngjarja e Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese “të trishtuara dhe hermetike” e pra, kundër regjimit. Pastaj, praktika i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë shqiptare e Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Puna është se, poezia i shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, për trëndafila.

Ishte tepër kërkues e puritan Brehti, që në vitet ’50 i futi të gjithë në krizë, duke lajmëruar që në kohëra si të tijat (e tonat) edhe të folurit për pemët do të kishte qenë një krim, sepse do të ishte e barazvlershme me heshtjen mbi vuajtjen dhe krimet që na rrethojnë. Jo, fatmirësisht letërsia flet kundër krimeve edhe kur flet vetëm për pemët.

Përse deri dhe pemët e poetëve dhe tregimtarëve i shkaktojnë kaq frikë tiranit? Sepse, sidoqoftë shkrimtari flet dhe për faktin e vetëm, që të fiksojë vëmendjen tonë në lëvizjen ndryshe të tyre, në atë mënyrë që kurrë s’ishte bërë më parë, se kush shkruan, ashtu siç sugjeron në këtë libër Abdellatif Laàbi, refuzon “uniformën prej majmuni, qëndrimin gatitu, himnin hakmarrës, zhurmimin e çizmeve, marshimet e detyruara, telat me gjemba të atdheut, marrëzinë e konsenseve, murtajën e krenarisë, burgun e një gjuhe e të një feje vetëm, folklorin e flashkët me shenjat dalluese: mënyrën e të krehurit, kapën, mjekrrat, trukun, medalionet, stolitë, unazat, rozaret, hajmalitë e gjithë kinkaleritë që prej kohësh janë servirur për të mashtruar popullin”. Sa napa të parapara qysh nga djepi për ne, letërsia shqyen e hedh mbi fytyrën e tmerrshme të molokëve-përbindësha që do të donin të na varrosnin të gjallë…

Sigurisht, si qenie njerëzore duhet vetëm të qahemi që shumë persona kanë humbur lirinë e vuajtur në mënyrë të papërshkrueshme, vetëm sepse kanë folur apo kanë refuzuar të flasin. Dhe Pen-i, si shumë organizata të tjera, ekziston pikërisht për të kërkuar të nxjerrë shumë shkrimtarë nga terri i një dënimi pa fund. Por, me një lloj cinizmi fetar, qoftë e lejuar të themi se vetë ekzistenca e këtyre shkrimtarëve të burgut na përforcon e sqaron për shumë që nuk kuptojnë, përse shërben letërsia: të thotë gjithnjë diçka që nuk ngushëllon kë praktikon, si një fe, pabesinë.

Nga dëshmitë e këtij libri spikat se gjithmonë, pas vuajtjeve e përungjieve të tilla që ligështojnë çdo energji, të gjithë këta të dënuar ia kanë dalë mbanë të gjejnë entuziazmin e krijimit letrar, pasi dolën nga burgu, e disa prej tyre e kanë ruajtur edhe gjatë burgosjes, duke shkruar në burg, duke shkruar për burgun, ndonjëherë, duke i bërë vjershat e tyre me mend, kur nuk kishin as letër ku të ruhej një shenjëz. Si të thuash, prapë duke përdorur cinizmin, veçimi i bën mirë letërsisë. Nga ana tjetër e thoshte me fjale të tjera Josif Brodskij në parathënien e Shkrimtarë nga burgu: kufizimi i hapësirës, kompesuar nga tepria e kohës, e ka bërë burgosjen si “mamí të letërsisë”, si “mjet transporti epifanik”, Tepër? Ia lëmë përgjegjësinë e këtij mistifikimi të burgut dikujt si Brodskij, që ishte vetë atje poshtë. Nga ana tjetër dihet që dhimbja shpesh, në format e saj të ndryshme, nuk e ligështon, por e mpreh spiritualitetin dhe vuajtja bëhet burim kreativiteti.

Nuk jam duke bërë letërsi vuajtjeje të tjetërkujt. Nuk hidhen në qeli shkrimtarët nga që tmerri i bën më perceptues, ashtu si tridhnin djelmoshat që të bëheshin këngëtare të mirë për Cappella Sistina, ose comprachicos-ët deformonin tiparet e Njeriut që Qesh. Vetë ky libër është një apel që asnjë të mos privohet nga liria për shkak të asaj që ka shkruajtur. Dhe apeli vjen nga ata që kanë mprehur aftësitë e tyre për të paraqitur tmerrin dhe marrëzinë (banalitetin e së keqes) pikërisht, duke përdorur si armë ndëshkimin që u ishte ushtruar.

Prej kësaj, kundërshtimi i tiranëve, që duke hedhur shkrimtarët në humbella, që t’i heshtojnë, bëhet bashkëpunim për të përforcuar zërin.

————————————

Parathënia “Qelia dhe shkrimi” për librin “Fjalë të lirisë” –

Përktheu nga origjinali: Eda Agaj Zhiti

Filed Under: Kronike Tagged With: Eda Agaj Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT