• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KALENDAR – KOSOVA SHTET, PARA 14 VITEVE HYRI NË FUQI KUSHTETUTA

June 16, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Qershor 2022/ Në Kosovë para 14 viteve, pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik, pas më pak se katër muajve – në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta  që përcakton që në Nenin 1 se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht,  citojmë të plota  dy nenet e para:


“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit] 

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 

2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e 
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve 
brenda kufijve të saj. 

3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë 
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. 


Neni 2 [Sovraniteti] 

1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në 
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në 
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute. 

2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i 
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë 
Kushtetutë dhe me ligj. 

3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, 
mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare.”

Kushtetuta, akti më i lartë  juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit 2008.

Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  Presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 14 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 14 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 33 vitesh, në 28 Mars 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

 Para katër vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë Presidenti  Hashim Thaçi.

Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa,  si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes).

Katrëmbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës po shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare festohet 23 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

Kosova për lirinë dhe pavarësinë është përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike

Filed Under: Kronike

“Zadeja, fenomeni muzikor shqiptar”

June 3, 2022 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Ky libër i kushtohet Ҫesk Zadejës, kompozitorit dhe personalitetit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, pa rolin, veprimtarinë dhe krijimtarinë e të cilit nuk mund të kuptohet muzika profesioniste shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, e më pas.

Deri më sot studimet e fushës i janë kushtuar kryesisht eksplorimit të muzikës shqiptare në qasjen historike, të etapave të saj, deri diku të analizave të ngushta të veprave muzikore të kompozitorëve, e fare pak përmes shqyrtimit dhe konsiderimit të rolit vendimtar që ka në krijimtarinë muzikore të një vendi, modeli krijues i një kompozitori të caktuar ose i një grupi syresh. Muzika shqiptare erdhi deri në zhvillimet profesioniste të saj të periudhës pas Luftës II Botërore në mënyrë jolineare. Me rrënjë që zënë fill në fund të shekullit XIX, menjëherë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kohë kur Palok Kurti shkroi të parën pjesë të kultivuar të muzikës sonë, autorët pas tij, si: Martin Gjoka, Thoma Nasi, Lec Kurti, Fan S. Noli, Kristo Kono e ndonjë tjetër u përpoqën të mbillnin sadopak muzikë në terrenin deri diku djerrë të saj.

Rëndësia e rolit të kompozitorit në kulturën tonë muzikore është marrë në konsideratë, deri diku, kur janë theksuar rëndësia e veprave të para të mëdha të muzikës sonë profesioniste, si: “Simfonia” e Zadejës (1956), opera “Mrika” e Jakovës (1958) dhe baleti “Halili dhe Hajria” i Daisë (1963) etj., ku krahas veprës është folur edhe për krijuesin e saj, dhe vetëm kaq. Më pas, historia vazhdon rrugën e saj pa kthim. Në rend kronologjik, veprat dhe krijuesit i zënë vendin njëri-tjetrit dhe gradualisht zërat e përveçëm, ata që kanë bërë realisht dhe cilësisht ndryshimin, fillojnë e shuhen brenda sasisë së konsiderueshme të veprave muzikore që u shkruan në Shqipëri për gati 50 vite.

Në fakt, nuk është, dhe nuk duhet të jetë, vetëm kështu.

Muzika, ashtu si edhe artet e tjera, nuk mund të bëjë dot pa hierarkinë e autorëve. Edhe në muzikën botërore, nga dhjetëra e qindra emra kompozitorësh, janë disa që i japin frymën epokës së tyre, përmes veprave dhe gjenisë që mbartin. Të tillë ishin Bahu, Mozarti, Hajdeni, Bethoveni, Brahmsi, Wagneri, Ҫajkovski, Shopeni, Raveli, Skriabini, Stravinski, Bartoku, Prokofievi, Shostakoviçi etj. Një i tillë për muzikën tonë ishte Zadeja. Ai nuk ishte thjesht një ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë të shek. XX, por figura qendrore e muzikës së kultivuar shqiptare për atë shekull, e jo vetëm. Duhet theksuar se kështu nuk minimizohen apo zhvendosen emrat e tjerë të rëndësishëm të muzikës sonë, përkundrazi. Ashtu si vargmalet që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ashtu edhe Zadeja qëndron bashkë me ta si maja më e lartë e vargmalit tonë muzikor, i krahasueshëm me të tjera male të larta në peizazhin e kulturës evropiane e botërore. Zadeja ёshtё unik edhe sa i pёrket trashёgimisё qё la pas. Thuhet se fati i njё personaliteti krijues kalon nё tri faza: lavdia, mohimi dhe vlerësimi! Vepra e Zadejёs qëndron mes njё lavdie pa kohё dhe vlerёsimit tё vazhdueshёm tё saj, kjo, nisur prej kohёs kur ai jetoi e mё pas, nё brezat pasardhёs. Rrjedhimisht, menduam që ta trajtonim figurën dhe veprën e Tij të jashtëzakonshme në këtë libër, i cili duke u fokusuar te personaliteti dhe vepra që la pas, do të na bëjë të kuptojmë më mirë edhe muzikën shqiptare, para dhe pas kohës së Tij.

Në muzikë, ashtu si në traditën kishtare, ekziston një kod nderimi e bashkimi. Çdo student njeh mësuesin e çdo mësues njeh profesorin, dhe çdo profesor njeh të parin e tij e i pari i njeh të gjithë kompozitorët, në çdo vend e pa kohë. Ky është një unitet besimi dhe adhurimi, një unitet harmonik e polifonik tërësor. Çdo njëri nga ne merr pjesë për të ndihmuar forcimin e këtij uniteti. Ky është një kod mistik. Prandaj, më vjen natyrshëm të perifrazoj fjalët e Nolit, me një ndryshim, duke zëvendësuar emrin e Konicës, me atë të Zadejës: “…. të gjithë ata që vijnë pas Zadejës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve.”

Filed Under: Kronike Tagged With: Vasil Tole

Shteti qe nuk merret asnjehere seriozisht

June 3, 2022 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Sikurse të gjithë e dinim, nuk do të ketë asnjë surprizë dhe asnjë shpresë për naltësimin e institucionit të Kreut të ri të Shtetit dhe krijimin e premisave për modelim të ri të formateve udhëheqëse të Shqipnisë.

Një ditë para se makinat elektronike të kryejnë veprimet formale në sallën e mbushur me të bindur, të verbër, të përkulur dhe të varur nga Forcat Udhëheqëse të Organizatave, publiku në Shqipëri nuk ka një profil mbi Garantin e Ardhshëm të Unitetit të Kombit, Laicitetit dhe Drejtesise Ndershqiptare.

Në Fletoren Themeltare të kthyer në një dokument të lënë mënjanë dhe harruar, thuhet se jemi Republikë Parlamentare me spikatje të asambleare, por ky është shembulli ma kuptimplotë se Republika jonë e ngratë nuk është aspak e tillë. Jo vetëm sovrani është i pakonsultuar dhe i painformuar, por edhe Parlamenti, Këshilli i Ministrave, Kabineti i ngushtë kryeministror, Grupet Parlamentare, nuk kanë asgjë të regjistruar në proces-verbalet e mbledhjeve, siç e kërkon rregulli i një shteti serioz. Fletorja është leckosur aq shumë sa nuk pengon zaptuesit e zyrës kryesore ekzekutive të bëjnë çfarë t’u teket. Shkelja e saj me dy kembe nuk i ben pershtypje me askujt.

Ky është shteti informal i kryeministrave të kthyer në sovranë pa kunorë, që prej dekadash nxjerrin nga hiçi dhe vendosin në maje, pothuajse çdo herë noterin e tyre dekorativ.

Ky është pra shteti që nuk merret asnjëherë seriozisht nga askush, edhe kur i vjen radha të drejtojë OSBE ose Këshillin e Sigurimit. Ekstravangantët e tij mund t’i vendosin sa të duan këmbët mbi tavolinat ndërkombëtare, por mbetën përherë thjeshtë batutaxhinj, që enden nepër kancelari pa asnjë plan rimëkembjeje nga e mbara për vendin e tyre, asnjë reformë demokratizuese dhe qytetnuese.

Të gjithë presin sot me ankth mbërritjen e avjonit nga New Yorku që do sjellë Diktatorin e Ndritur që përhap kaos, liri dhe tallava, Ndërtuesin e Stadiumeve me Kulla në qendrat e mbrojtuna historike, Rrënuesin e Teatrove Antike, Groposësin e Porteve Romake, Betonuesin e Mureve Helenistike, Shfarosësin e Parqeve dhe Plazheve, Tower Builder-in Skenderbegian, të shpalosë andrrën e tij të fundit, gjykimin e tij të epërm, të realizuem naten e madhe me shkreptima rrëze Dajtit.

Si fillim ai ka urdhnuar again e Grupit Parlamentar të hedhë ca emra pronaresh liçencash hidrocentalesh malore dhe prokurorësh të diktaturës, ndërkohë që mendjen e ka tek modeli i lënë prapa hekurave, që e end përherë në gjetjen e surprizave në Verilindje, mbasi në asnjë rast këta individe, ose nuk njohin prapaskenën e Shqipnisë, ose nuk do t’i nxjerrin asnjë telashe në vijimësinë e tij zaptuese të Tiranës shtetnore, ose do jenë zgjatime manikin-e lehtësisht të komandueshëm dhe përjetësisht të nderuem në ceremonialin shtetëror.

Ndërkohë, Opozita e tregoi qartë se është pa një plan, e përçarë, e pandriçuar, dritëshkurtër, me frekuencë të cunguar, me dozim meskiniteti dhe egërsie, përherë në gjysmakëri dhe larg pritshmërive publike për rikthim në binarët e një Shtëpie të Mirëfilltë të Lirisë dhe Tradicionalizmit.

A po losin të gjithë të Mëdhenjtë një lojë të tyren personale për ruajtjen e status quo-së së kënetës politike dhe institucionale të krijueme? Prova nuk ka dhe nuk ka për të patur kurrë, por analiza e rezultateve finale këtu të shpie: tek një lojë shahu mes kontrollorëve të Shqipnisë, politikisht, institucionalisht, financiarisht dhe territorialisht.

Filed Under: Kronike

I GJITHË MJERIMI I NJË BOTE…

May 31, 2022 by s p

Zysha Lia Ha-Ha. Më elegantja ndër zyshat e gjimnazit. Fine. Me naze. Me poza. Me zë të përkëdhelur. E martuar me një burrë me biografi e punë të mirë.Edhe me një të dashur. Thuhej se ishte thjesht flirt. Kështu e quante i dashuri. Një mësues tjetër nga ata që e thërrisnin presor. Fliste,(sipas nesh, nxënësve), rrjedhshëm anglisht. Natyrisht pa qenë kurrë në Angli a Amerikë. E kujt i shkonte mendja, a edhe ëndrra, të shkelte ndonjëherë në ato vende të përbindshme…Ajo zysha na dukej, a na sillej, sikur të ish lindur diku në Paris a Romë. Kish, sē paku në pamje, edhe në vendet komuniste, njerëz të tillë. Si punë mbetje “ të botës së egër të reklamës”. Ku ta dish ç’gen trashëgonin së largu në kohë.Ishte edhe disi përbuzëse a poshtëruese ndaj të dobtëveSi i tha motrës për mua kur e takuam rastësisht rrugës:“Pse kaq i verdhë, pa mish, pse nuk e shëndoshni pak?” Motrën e kish nxënëse. Unë isha ende çerr i vogël në fillore. Vërtet i dobët e i zbehtë. Motra u mek. Ky yni, ish Gjimnazi më i vjetër a më i vetëm i qytetit. Kështu quhej. Mbante emrin e qytetit, si i vetmi i tij. Më vonë i vunë emrin e një heroi që nën zë thuhej se e kish vrarë Tarrasi. A se ish më i ditur se komandanti, a se dhe ky dashuronte po atë çupë. Atë që mori Tarrasi, më vonê,për gruaGjithsesi kujt dyshonte, i thuhej nën zë: “E pse nuk i shkon kurrë Tarrasi vizitë familjes së krye-heroit, ndërkohë që viziton të tjerë e të tjerë çdo vit”. Disa nga këta që flisnin nën zë, hynë e nuk dolën më nga burgjet pak më vonë……”Bota e re e së ardhmes së ndritur” i mbante në survejim tipat si zysha, dashnori a edhe burri i saj. Ju dukeshin a edhe aty lart në parti, i quanin si biçim “borgjezësh”. Ky i shoqi, mes nesh qurrashëve të vegjël të shkollës, thuhej se kish parë botën. Sepse kur fliste me shokë u rrëfente për mrekulli qytetesh si Buenos Aires( ah Buenos Aires…!, Oh, Ajri i mirë i mëngjesit…ç’qytet)…Rio de Janeiro, (ky lumë janari), e deri për Antibe që përzjehej edhe me Antile, Romë, a Paris a Nice. Në fakt lexonte shumë e përfytyrimin e kish të ndezur. Kish qenë veç një herë në Prishtinë, me pedagogë të tjerë…Më vonë na rezultoi që gjithçka “borgjeze” e që dukej klas, rridhte ngaqë i jati i burrit, anëtar partie i orëve të para, ish një lloj nëpunës i lartë i partisë në qeveri. Çoç ishte…Veç kësaj, ish kapur, thuhej, një herë tek luante bixhoz me “ borgjezē” të tjerë… Nuk di a bëri pak burg a e hoqën nga partia e dashur……30 vjet më vonë, në demokraturë, kur sapo u hap edhe për ne të lënët pas dynjaje, bota, rastisi të udhëtonim në një avion me çiftin e fisēm të së shkuarës. Zysha më pa po nuk më njohu. A ndofta nuk e lidhi dot pamjen time prej meso burri me kostum, me atë djalin e vogël anemik, vëllanë e njerës prej nxënësve të trembura të dikurit……Ndaluam në Romē, prej nga unë tranzit drejt Strasburgut e ata nuk di për ku. Tek bëheshim gati të zbrisnim nga avioni, ajo pat mbetur ulur, me rryp sigurie mbërthyer e s’po dinte ta hapte e nuk po i shqitej dot. E i shoqi që përpiqej ta ndihmonte e nuk mundej dot as ai( si ish “ćliruar”, vallë vetë?)…Pastaj e kuptova… Ai po i thoshte të kalonte rrëshqanthi, poshtë rrypit të sigurisë, se ndofta ish mbërthyer keq ajo kapësja e nuk hapej. A thua të kish kaluar vetë ashtu ai burrë, e nuk e pata vënë re. Kish gjasë se pat qenë gjithmonë mashkull i shkathët e i zoti…E vijonte të mbetej. Se dukej të ish dhe udhëtimi i tyre i parë me avion……I kisha sërish përpara tek kalonin kontrollin e bagazheve të dorës e atë trupor. Po prisja rradhën pas tyre e po shihja tek u “fusnin” duart kontrolluesit, e ata për tu treguar sa më të bindur, (a ashtu mendonin se duhej),i ngritën duart jo anash, por lart…Sikur po “dorëzoheshin”. Sikur luteshin, kërkonin falje: “ Kontrolloni, kontrolloni ju lutem…Na bëni ç’të doni”. Ishin aq të bindur e të përkorë……E ashtu vazhduan me duart lart edhe pas kontrollit e nuk po i ulnin duart as kur mbaruan kontrollin, e vazhduan ashtu më tej, derisa kontrollorët zunë e qeshën( ndofta edhe i morën për aktorë komikë), e u thanë: “Qetësohuni zonjë…zotëri….në rregull…ulini duart…”…I gjithë mjerimi i një bote izolimi, mpiksur në një çift njerëz …Prof.dr Ylli Pango

Filed Under: Kronike Tagged With: Ylli Pango

Diskutimi më frymë kombëtare për Kosovën, e detyroi konsullin e Serbisë të lëshojë sallën

May 29, 2022 by s p

Skënder Karaçica/

Në organizim të SHSHA-së dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikë-Israel,në vitin 2016 ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani vizitoi Çikagon dhe me udhëheqjen e këtij institucioni ekonomiko-financiar dhe të botës së biznesit,pati biseduar për shumë çështje nga fusha ekonomike,të bashkëpunimit dhe për mundësitë e investimeve në ekonominë e Shqipërisë.Në sallën solemne të këtij institucioni në Çikago,ku,sipas protokolit zyrtar ishte stolisur me flamurin e shtetit shqiptar,të Amerikës dhe të Israelit,presidenti Bujar Nishani shpaloj historinë e popullit shqiptar ndër shekuj deri në ditët e sotme dhe,vuri në dukje ndihmën që afroi populli i tij për praninë dhe shpëtimin e popullit hebrenjë nga regjimi shfarosës i Nazizimit të Hitlerit dhe të shërbëtarëve të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore(1940-1945).Në sallën solemne të Odës Ekonomike Amerikë-Israel,kishte ardhur i ,,ftuar,,edhe konsulli i Serbisë me seli në Çikago,i cili qendronte në një rresht i padukshëm për të pranishmit,sidomos të SHSHA-së të shqiptarëve në shtetin e Illinoisit dhe,nga afër përcillte diskutimet e miqëve hebrejë dhe të presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani.Më të dëgjuar se në takimin e tij në Çikago,gjëndej edhe konsulli i Serbisë,presidenti Bujar Nishani,në diskutimin e tij foli gjerësisht për historinë e lavdishme të Kosovës dhe të popullit shqiptar,që,tash e një shekull u ka përballuar kohës së përgjakur të regjimit serrb në kërkim të lirisë dhe pavarësië të shtetit më të ri në Evropë dhe botë.Duke folur për pavarësinë e Kosovës dhe,sipas presidentit Bujar Nishani,statusi i saj i pranuar nga vendet më të fuqishme të botës,është i pakthyeshëm sot e gjithmonë,atëherë konsulli serb në heshtje dhe pa bër zë sipas rregullave diplomatike të kunsujve e  lëshoi sallën e takimit në Çikago.Miqtë habrenjë në takimin me Bujar Nishani në Çikago folën përmes shpalimeve të historisë,ku populli shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë,u dolën në ndihmë për praninë dhe shpetimin e tyre nga Nazi-fashizmi dhe hyzmetqarët e tij në Evropë,për shtrirë interesimin e tyre nga fusha ekonomike dhe të politikave të investimeve në të dyja vendet tona.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT