• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”

December 12, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”, që u promovua të enjten (11 dhjetor 2025) në një nga sallat e ‘Hotel Internacional” në Tiranë, shkaktoi një tronditje emocionale tek spektatorët. Në këtë produksion të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, realizuar me mbështetjen e dhe përkujdesin e veçantë të z. Alket Veliu, për herë të parë u zbulua profili i plotë i Profesor Shaban Muratit, një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist.

Filmi i regjisorit të mirënjohur Ylli Pepo (Artist i Merituar) përshkruan me mjeshtëri, çast pas çasti, me një teknikë narrative, gjithë kronologjinë e jetës dhe të aktivitetit të prof. Shaban Muratit. Skenaristi Ben Andoni, pas një hulumtimi të gjatë, na sjell një biografi të kompletuar të Muratit , duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe veprës së tij, duke u bazuar në regjistrimin autentik të ngjarjeve të vërteta, si dhe në deklaratat e drejtpërdrejta të protagonistit dhe të ish bashkëpunëtorëve të tij, përmes intervistave të parapërgatitura, që nga raportet e tij me qytetin e lindjes, Durrësin, aktivitetin si gazetar e diplomat, marrëdhëniet me miqtë, familjen dhe shoqërinë. Filmi paraqet informacion dhe përmban dëshmi bindëse, duke përdorur kuadro të inskenuara për të ilustruar informacionin e paraqitur, si dhe për të formuar pamjen e përgjithshme.

Shaban Murati jetoi 79 vjet dhe përjetoi ngjarje të mëdha gjatë gjithë karrierës së tij, si gazetar dhe diplomat, në rrethana të ndryshme politike e diplomatike. Gjatë kalimit nga diktatura në demokraci, ai nuk është soditës, as një vëzhgues, por një veprimtar i zellshëm në fushën e kërkimeve sfilitëse dhe simboleve ekzistenciale të kombit shqiptar. Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane.

Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.

Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim.

Shaban Murati përfaqëson një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare, duke e nxitur atë të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik.

Lajtmotivi kryesor i mbi 20 librave të tij është Shqipëria dhe Kosova, të cilat duhet të ecin me këmbët e veta, të bëhen shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre.

Një këndvështrim mjaft interesant paraqesin analizat e diplomatit Murati për marrëdhëniet strategjike me Turqinë, për marrëdhëniet me Maqedoninë apo Kroacinë dhe është thelluar në analizimin e problemve që qëndrojnë pezull me Greqinë. Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë, siç tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria, Alket Veliu. Sh. Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan, si një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë, e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”. Ajo kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Shaban Murati do të ketë gjithmonë ringjalljet e tij të mëdha. Këtë është përpjekur të thotë, në realizimin e tij, regjisori i Ylli Pepo. “Shaban Murati ka thënë gjithçka për popullin, vendin, duke skalitur testamentin e përjetshëm të kombit”, u shpreh me dy fjalë regjisori në fund të shfaqjes.

Ringjalljet e Shaban Muratit nuk kanë të bëjnë vetëm me aktualizimet, apo rivlerësimet e mesazheve antitabu. Në këto ringjallje sqarohet koha, ndiçohet e ardhmja. Analizat e tij janë sinoptike, sinteza të shkurtra e polivalente. Ato dallohen për erudicionin e pazakontë, për sensin e drejtë dhe forcën e arsyes, si dhe për frymën emancipuese të tyre.

I gjithë etosi i filmit e ushqen këtë lexim, sipas një estetike që kërkon të jetë post-moderne, përmes imazheve të pastra me një konsistencë pothuajse prej kartoline, fotove dhe pamjeve filmike me ngjyra të mrekullueshme, si në rrallë filma shqiptarë, që ka sjellë kamera virtuoze e Xhemal Reçit.

Filed Under: Kulture

Historia e Postës Shqiptare, ura e komunikimit mes shqiptarëve

December 11, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Më 5 Dhjetor 1912, qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, një javë pas shpalljes së pavarësisë, ngriti një ministri të veçantë, atë te Post Telegrafës, ministër i së cilës ishte eruditi Lef Nosi. Historia e Postës është, në një farë mënyre, historia e vetë shtetit shqiptar, një histori e përshkuar nga thyerje, ringritje, hapa të ngadaltë e këmbëngulës, por gjithnjë e udhëhequr nga dëshira për t’i dhënë këtij vendi një zë që të dëgjohej, të udhëtonte dhe të mos kthehej mbrapsht. Në thelb, ajo nuk është thjesht rrëfim për një institucion, por një tregim i thellë njerëzor dhe kulturor, ku fjala e shkruar merr trajtën e urës që lidh njerëzit dhe i lidh ata me botën.Shqiptarët, si çdo popull tjetër, kanë pasur gjithmonë nevojë për t’u treguar njëri-tjetrit ato që shihen, ato që mendohen, ato që shpresohen. Përpara se të ekzistonte një administratë kombëtare,ne pushtimet gjate shekujve, lajmi udhëtonte nëpër duart e tregtarëve, nëpër hanet që shërbenin si pika të vogla takimi dhe komunikimi. Ishte një lloj “poste spontane”, një mënyrë praktike dhe njerëzore për të mbajtur gjallë lidhjet në një vend ku distancat mateshin me ditë udhëtimi.              Në qytetet e mëdha, nën administratën osmane, nisën të funksiononin zyrat e para postare të organizuara. Konsullatat e huaja, sidomos ato austro-hungareze, hapën pika poste që do të bëheshin një nga shembujt e parë të një komunikimi të rregullt. Këto zyra të huaja, së bashku me pullat dhe vulat e tyre, janë sot një pasuri e çmuar e filatelisë sonë, dëshmi e periudhës para-shtetërore të komunikimit shqiptar.Me shpalljen e Pavarësisë në nëntor 1912, Shqipëria nuk fitoi vetëm një flamur e një qeveri. Ajo fitoi edhe nevojën urgjente për të komunikuar. Një shtet i ri ka nevojë për njohje, për urdhra, për njoftime, për lidhje. Për këtë arsye, në 5 dhjetorin e 1912-s, në Vlorë, u hodhën hapat e parë për krijimin e Shërbimit Postë-Telegraf-Telefon të shtetit shqiptar,duke krijuar te paren ministri te qeverise, ate te Poste Telegrafave.

                                                                                             

Pulla e pare kombetare shqiptare u emetua me 5 maj 1913, pak me shume se 5 muaj nga data e shpalljes pavaresise.

Me 1913 perjetoheshin ditë të vështira,kur mjetet dhe njerëz mungonin, rrethana politike e veshtire, dhe per me teper kishte mungesa financiare. Por vullneti ishte i pranishëm,atdhedashuria ishte evidente. U prodhuan edhe pullat e para shqiptare,me 5 maj 1913, të thjeshta, modeste. Pulla jone e pare ishte nje vule qe ne qender te saj kishte simbolin tone,shqiponjen dhe ne konturet anesore shkruhej “Ministeria e Poste Telegraf Telefoneve”. Ato qenë më shumë se një taksë postare, ishin akti i parë i identitetit të shkruar të shtetit të ri.   

          

Emisioni pare modern i pulles shqiptare emetuar me 1 dhjetor 1913

Shumë shpejt Shqipëria e re u gjend në një realitet kompleks. Luftërat Ballkanike, pastaj Lufta e Parë Botërore, e ndanë territorin shqiptar në zona me administrata të ndryshme. Çdo zonë solli vulat dhe pullat e veta, Korça kishte emetimet e administratës franceze, Shkodra nën ndikim austro-hungarez, kishte të tjera, te tjera kishte Shqiperia e Mesme, qe kontrollohej nga Esat Toptani etj. Shpesh, mbi pullat osmane apo greke vendoseshin shenja të reja, duke krijuar një mozaik të çuditshëm, por shumë të çmuara për studiuesit e sotëm. Kjo periudhë kaotike është ndoshta periudha më interesante e filatelisë shqiptare. Vetëm pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së qeverisë në Tiranë, në vitin 1920, posta shqiptare nisi të marrë formën e saj të vërtetë. Rrjeti postar u riorganizua nga e para, u hapën zyrat e reja dhe u hartuan linja të rregullta komunikimi midis qyteteve. Por ngjarja më domethënëse e kësaj periudhe ndodhi më 1922, kur Shqipëria u pranua zyrtarisht në Unionin Postar Universal (UPU). Ky vit ishte një lloj “drite e gjelbër” ndërkombëtare, që nga ai moment, Shqipëria u bë pjesë e familjes globale të komunikimit dhe pullat shqiptare fituan vlefshmëri të plotë në mbarë botën. Në një kohë kur shteti shqiptar ishte ende në rrënjëzim, ky pranim ishte një garanci e fuqishme e legjitimitetit të tij.

                

Emision i pullave ajrore me 1928

Periudha e Mbretërisë së Zogut shënoi një fazë të qëndrueshme për postën shqiptare. Pas pranimit në UPU Shqipëria synoi të forconte institucione që të shprehnin një shtet funksional dhe të hapur ndaj botës. Gjatë viteve 1928–1939 u riorganizuan shërbimet postare, u hapën zyra të reja edhe në zona të largëta dhe u vendosën rregulla më të qarta për shpërndarjen e korrespondencës. Kjo periudhë solli një lulëzim të veçantë të artit të pullës shqiptare ku mbizoteronin emisione me portretin e Mbretit Zog I, dhe rralle ose pothuajse fare me motive te tjera,te cilat të shtypura kryesisht në tipografitë italiane, që garantuan cilësi dhe standarde të reja. Paralelisht, u zgjeruan shërbimet e telegrafit e telefonisë, duke e lidhur postën me rrjetin kombëtar të komunikimit. Megjithëse vendi përballej me mungesa infrastrukturore dhe terren të vështirë, shërbimi postar fitoi qartësi, rregull dhe ambicie per zhvillim te metejshem. Kjo fazë e konsolidimit u ndërpre në prill 1939, me pushtimin italian dhe humbjen e pavarësisë institucionale.

           

Emetim gjate pushtimit gjerman me 1944                                                                           

Lufta e Dytë Botërore e gjeti postën shqiptare në një gjendje të brishtë, të ndarë mes pushtimeve të njëpasnjëshme dhe përpjekjeve të shtetit për të ruajtur funksionimin bazë të komunikimit. Pas prillit 1939, shërbimet postare shqiptare kaluan nën kontrollin e administratës italiane, duke u integruar pjesërisht në sistemin postar të Mbretërisë së Italisë. Kjo solli standardizimin e disa rregullave postare, por edhe humbjen e pavarësisë në organizimin e emisioneve dhe tarifave. Gjatë viteve të luftës, qarkullimi postar u fragmentua, disa zona mbaheshin nga forcat italiane, të tjera u shkëputën gjatë operacioneve partizane, ndërsa pas vitit 1943 filloi një periudhë edhe më e turbullt me hyrjen e administratës gjermane. Në këtë etapë, posta funksiononte pjesërisht, me ndalesa të shpeshta, me mungesa mjetesh dhe me censurë të rreptë ushtarake. Megjithatë, edhe në kushtet e luftës, komunikimi nuk u ndërpre plotësisht. U krijuan rrugë alternative dërgese, u lëshuan pulla të reja me karakter administrativ, dhe aparati postar u mbajt gjallë falë nëpunësve lokalë që shpesh punonin në kushte të rrezikshme për të ruajtur lidhjet ndërmjet qyteteve e zonave të izoluara. Kur lufta përfundoi dhe u vendos pushteti i ri, rrjeti postar u rindërtua pothuajse nga e para, duke u bërë një nga institucionet e para që u rikthyen në funksion të plotë në Shqipërinë e pasluftës. 

  Emetim ne vitin 1945

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria hyri në periudhën e administratës socialiste. Posta u shndërrua në një ndërmarrje të madhe shtetërore, Posta-Telegraf-Telefoni (PTT). Rrjeti i saj u shtri në çdo zonë rurale, duke lidhur fshatra që më parë ishin të izoluar nga qendrat urbane. Në ato vite, ardhja e postierit ishte një rit i përditshëm. Ai sillte lajme, ndonjëherë gëzim e ndonjëherë trishtim, por mbi të gjitha sillte lidhje. Pullat e kësaj periudhe mbajnë një stil të caktuar ideologjik, por janë një dokument i vlefshëm për të kuptuar kulturën politike të kohës. Me rënien e komunizmit, PTT u nda në Postën Shqiptare dhe Telekom. Posta filloi një proces të gjatë modernizimi,dhe pas vitit 2000  u digjitalizuan shërbimet, u modernizuan zyrat, u krijuan shërbime të reja ndërkombëtare dhe u përshtatën standardet me tregun e hapur.

                             

Emetim me rastin e 100vjetorit te shpalljes pavaresise (1912-2012)

Megjithatë, pavarësisht teknologjisë së re, zyrat postare ruajnë ende një atmosferë te tradites. Pavaresisht presionit te risive teknologjike ato mbeten vende ku letërkëmbimi i shkruar nuk ka humbur ende vlerën e tij njerëzore. Çdo pullë, çdo vulë, çdo zarf është një dëshmi e rrugëtimit të shtetit shqiptar drejt organizimit, identitetit dhe komunikimit.

                                                                         

Emetim me rastin e 100 vjetorit te krijimit te Ministrise se Poste-Telegrafes (1913-2013)

Posta ka qenë dhe vazhdon të mbetet ura më e gjatë dhe më e qëndrueshme mes njerëzve; dhe për sa kohë të ekzistojë fjala e shkruar, ajo do të ruajë këtë rol të çmuar. E në këtë traditë, Posta Shqiptare ka pasqyruar përmes emisioneve postare evolucionin historik, politik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

LAHUTA NE UNESCO FITORJA SHQIPTARE PERBALLE PRETENDIMEVE SERBE

December 10, 2025 by s p

Albert Vataj/

Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi i eposit të Kreshnikëve, ngjitet sot në altarin e thesareve të botë.

Pas Xhubletës dhe Këngës së Kcimit të Tropojës, është Lahuta, ky instrument arkaik, kjo dëshmi e pazëvendësueshme e ADN-së sonë shpirtërore, që hyn me dinjitet në UNESCO, në altarin ku njerëzimi vendos thesaret e tij më të rralla, dëshmitë më të thella të kujtesës dhe shpirtit. Lahuta, kjo vegël e gdhendur nga koha dhe e mbartur si flakadan brezash, ngjitet tashmë në panteonin botëror duke nderuar kulturën, etnografinë dhe eposin tonë heroik.

Ajo nuk është vetëm instrumenti muzikor më emblematic i kulturës veriore shqiptare. Ajo është zëri i malit, gjaku i kujtesës, epitafi i qëndresës dhe kanga e një populli që ka ditur ta kthejë dhimbjen në art, burrninë në mit dhe besën në kod. Në tingujt e saj rreh historia jonë.

Lajmin e këtij triumfi e ka shpallur Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili shkruan:

“Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën për nevojë urgjente mbrojtjeje.”

E vërteta është se arti i lahutës është shumë më tepër se një praktikë muzikore. Ai është një univers simbolik që përfshin Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Malësinë e Gjakovës, Rugovën, Drenicën, Plavën e Gucinë, gjithë hapësirën ku lahutari, me një instrument të vetëm dhe me një zë të vetëm, mban gjallë një epos që ka udhëtuar shekujve. Aty jetojnë trimëria, qëndresa, besa, nderi dhe mikpritja; aty janë rrënjët e eposit të kreshnikëve, baladat që përshkojnë historinë tonë si rryma të padukshme drite.

Ky arritje është fryt i një pune titanike. Studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, bashkë me komunitetet, lahutarët dhe hulumtimet e imëta në terren, kanë përgatitur një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, të dorëzuar në mars 2024. Mbështetja institucionale e Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë qenë vendimtare në këtë proces model.

Lahuta hyn në UNESCO – dhe me të hyn një pjesë e pavdekshme e shpirtit shqiptar.

Ky nuk është vetëm një titull nderi. Ky është një akt ringjalljeje, një thirrje për ruajtjen, kultivimin dhe fuqizimin e një tradite që na definon si popull. Shqipëria deklaron angazhimin e saj për ta mbrojtur këtë trashëgimi të rrallë, duke e hapur rrugën e bashkëpunimit të ardhshëm me Kosovën, sepse lahuta nuk njeh kufij: ajo njeh vetëm kujtesën dhe frymën.

Dhe sot, kur tingulli i saj përfshihet në listën e pasurive që bota i konsideron të pazëvendësueshme, ne dëshmojmë se kultura shqiptare, me thellësinë e saj arkaike dhe hijeshinë e saj të egër, është pjesë përbërëse e mozaikut të qytetërimit njerëzor.

As në këtë të drejtë legjitime nuk na u hoqën qafe plaçkitësit serb, por si në çdo betejë të dinjitetshme, shqiptarët e përkushtuar, specialistët dhe akademikët e vendosur arritën të lënë synimet serbe në pretendime. Ndoshta pikërisht kjo e bëri këtë fitore një triumf.

Duhet të kujtojmë se në vitin 2018, Serbia paraqiti në UNESCO elementin “këngët me gusle”, duke e shpallur si trashëgimi të saj kombëtare. Kjo shkaktoi reagime të forta në Shqipëri dhe Kosovë, sepse lahuta/gusla është traditë shumëkombëshe, me qendër të fuqishme pikërisht në hapësirat shqiptare – Malësi, Dukagjin, Tropojë, Rugovë, Malësia e Madhe e Gjakovës.

Institucionet shqiptare sqaruan se UNESCO nuk e kishte njohur instrumentin si ekskluzivisht serb, por vetëm specifikimin “praktika e këndimit me gusle në Serbi”.

Pas viteve të debatit, Shqipëria realizoi një proces të veçantë dokumentimi dhe prezantimi, duke e paraqitur lahutën si element identitar shqiptar.

Lahuta është sot në UNESCO.

Por, në të vërtetë, ajo ka qenë gjithmonë në zemër të popullit tonë.

Tani thjesht është dëgjuar nga bota.

Lahuta, ky instrument që kumbon si një damar i gjallë i kujtesës sonë kolektive, mendohet të jetë pjellë e kohëve të lashta, një jehonë e epokave të hershme indo-evropiane. Ajo nuk është thjesht vegël muzikore; është një altar i bartur ndër shekuj, mbi të cilin malësori shqiptar ka kënduar historinë, besën, burrninë, tragjeditë dhe fitoret. Aty ku lind kënga epike, aty ngrihet lahuta. Aty ku ligjërohet gojëdhëna, aty merr frymë gjuha e saj. Jo më kot, veprat e mëdha të epikës shqiptare, si “Eposi i Kreshnikëve” apo “Lahuta e Malcis”, kanë gjetur në lahutë instrumentin më të denjë për t’u jetësuar në tingull e frymë.

Lahuta përbëhet nga një kasë druri vezake, e zgavruar mjeshtërisht përbrenda, si barku i një krijese që mban në brendësi misterin e tingullit. Kjo kasë mbulohet me lëkurë të regjur, e quajtur çapër në Malësinë e Madhe, një membranë e gjallë që i jep instrumentit dridhjen e veçantë të zërit të tij. Trupi mund të jetë punuar edhe prej kungulli apo guaskës së breshkës, duke dëshmuar një elasticitet të jashtëzakonshëm kulturor e teknik.

Në skajin e kasës ngrihet kambaleci, ura ku mbështetet e vetmja kordhë, e njohur si kamanec në Dukagjin apo magjar në Verilindje. Kjo kordhë mbahet në tension nga një çelës druri, kunji, tezgjahu, krek-u a gres-i, që ndryshon sipas krahinave, por ruan të njëjtën logjikë të lashtë të instrumenteve monokorde indo-europiane.

Harku, i quajtur agrec, budat, ras apo drocak, është një gjysmëhënë druri, zakonisht thanë a arre, i mbështjellë me fijet e bishtit të kalit të zi, të lyer me rrëshirë pishe. Kjo përbërje i jep lahutës një tingull të përthyer, të mprehtë, që i ngjan frymës së tokës së thatë, ajrit malor dhe zjarrit të oxhakut. Tingulli i saj nuk përcaktohet thjesht nga druri, por nga cilësia e lëkurës, përpunimi i qimeve dhe balanca e tensioneve.

Maja e bishtit mban shpesh të gdhendur kokën e dhisë, një simbol i interpretimit ritual të së shenjtës. Sipas Ramadan Sokolit, kjo figurë mund të ketë qenë pjesë e një kulti të lashtë pagan, që lidhej me mbrojtjen, fuqinë dhe pjellorinë. Në lahutat e tjera hasim gjarpërinj të gdhendur, simbol i orës mbrojtëse dhe i kultit të pyllit, ose përkrenaren e Skënderbeut, ku simbolika e heroit kombëtar ngrihet si emblemë e identitetit.

Në këtë bashkim drurësh të zgjedhur (panjë, gështenjë, arra, lis, krekëz), lëkure të përpunuar, gdhendjesh me simbolikë mitike dhe teknikash të rafinuara, lahuta merr trajtën e një objekti sakral, ku dora e mjeshtrit është njëkohësisht artizan, ikonograf dhe historiograf.

Masat e saj, pothuaj të pandryshuara prej shekujsh, janë një standard i traditës:

Gjatësia e përgjithshme: 70 cm

Bishti: 40 cm

Koka: 30 cm

Gjerësia e kohës: 20 cm

Harku (argeci): 40 cm

Qimet e harkut: 17 cm

Këto përmasa nuk janë rastësore; ato i shërbejnë një fizike të veçantë të tingullit, të ndërtuar mbi parimin e flaxholet-it, që e veçon lahutën nga çdo instrument tjetër harkor i Ballkanit.

Përhapja e lahutës shtrihet kudo ku frymon epika; Krujë, Malësia e Madhe, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Rranxat e Shkodrës, Dukagjini, Postrriba, Shllaku, Nikaj-Merturi, Malësia e Gjakovës, e deri në hapësira që kapërcejnë kufijtë etnikë shqiptarë. Ajo është vegla e rapsodëve, e kuvendeve burrërore, e oxhaqeve në dimër, e dasmave dhe riteve të gëzimit.

Mënyra e mbajtjes ndryshon sipas zonave, këmbëkryq pranë vatrës, ulur me instrumentin mbështetur në këmbë, apo në pozicion solemn përpara kuvendit, secili prej këtyre qëndrimeve është pjesë e një koreografie të trashëguar.

Lahuta i përfton tingujt nga një teknikë krejt e saj, e bazuar te flaxholet-et natyrore, duke ndalur gishtat anash bishtit, jo mbi tastierë, dhe duke përdorur tensionin e harkut si faktor kryesor shprehës. Regjistri i saj akordohet zakonisht rreth notës do të oktavës së parë.

Roli shoqërues i lahutës është i kufizuar në gamë, por i pakufizuar në nuanca. Ajo krijon hyrje të shkurtra, dy ose tre nota, por që mbartin peshën emocionale të gjithë këngës. Gjatë ligjërimit të rapsodit, lahuta lëviz në linja heterofonike, ku ngjitja krijon tension epik-elegjiak, ndërsa zbritja e shkallëzuar sjell qetësinë e mbylljes.

Rapsodi është njëkohësisht, interpretues, rrëfimtar, improvizues, dhe krijues i këngës.

Me lahutë në dorë, ai ngre peshë historinë e një fisi, të një krahine ose të tërë kombit. Ai i këndon heronjve, nderit, besës, dëshmorëve, betejave dhe tragjedive. Prandaj lahuta është instrument i burrave, jo nga përjashtim, por nga funksioni i saj ritual në jetën malësore. Rastet kur femrat e përdornin lahutën nuk janë të huaja, por lidhen kryesisht me role më të pazakonta, të panjohura publikisht.

Në çdo element të saj: në drurin e zgavruar, në kokën e dhisë, në figurën e gjarprit, në fijet e bishtit të kalit, në këngën që buron prej saj, lahuta mbart një kozmos kulturor, një kod të lashtë identitar, një brumë mitik që nuk gjendet askund tjetër.

Ajo është personifikimi muzikor i shpirtit malësor, bashkëudhëtarja e Eposit të Kreshnikëve, dhe sot, me të drejtë, një pasuri e çmuar e njerëzimit, pjesë e panteonit të trashëgimisë jomateriale botërore.

Filed Under: Kulture

Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror

December 6, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në një botë që lëviz gjithnjë e më shpejt drejt skajeve të pabarazisë, ku pasuria grumbullohet si fortesë dhe varfëria shtohet si plagë, zërat që thërrasin për drejtësi shpesh humbasin nën zhurmën e ambicieve të mëdha dhe etjes së pangopur për pushtet. Ne jetojmë në një kohë ku raketat e miliarderëve ngrihen drejt qiellit, ndërsa miliona fëmijë nuk ngrihen dot nga shtrati për shkak të urisë. Një epokë ku teknologjia shpërthen si dritë, por zemrat e njerëzve mpaken në hije. Dhe pastaj, në këtë heshtje universale ku askush nuk guxon t’ia thotë të vërtetën të pasurit në sy, u ngrit një zë, një zë i bërë jo nga muskuj, por nga frymë. Zëri i Andrea Bocellit.

Ai nuk foli si yll. Ai foli si ndërgjegje. Si njeri që kujton botës se arti nuk është dekor i luksit, por frymë që i jep kuptim ekzistencës. Si kujtesë se muzika nuk është arratisje, por thirrje për t’u kthyer tek thelbi i njeriut.

Kjo është historia e një artisti që nuk u gudulis nga duartrokitjet, por u udhëhoq nga e vërteta; një kujtim se ndonjëherë mjafton një zë për të tronditur themelet e indiferencës globale.

I nominuari pesë herë për çmimin Grammy, Andrea Bocelli, sapo ka kaluar pragun e mrekullueshëm të 30 viteve të famës, që nga ajo mbrëmje e largët e vitit 1994 kur, me këngën “Il mare calmo della sera”, doli nga skena e Sanremos dhe hyri përgjithmonë në zemrat e njerëzve. Që atëherë, zëri i tij – një përzierje drite dhe heshtjeje, dhembjeje dhe shprese – është bërë jo vetëm një instrument artistik, por një thirrje e ndërgjegjes universale.

Bocelli nuk ka ulëritur kurrë. Ai nuk ka pasur nevojë. Sepse nga thellësia e tij vjen një qetësi që përplaset si valë kundër një bote që gumëzhin nga trazira, padrejtësi dhe cinizëm. Zëri i tij ka qenë gjithnjë një kundërvënie e butë ndaj një realiteti të pamëshirshëm, ku të pasurit garojnë të bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit luftojnë çdo ditë për të mbijetuar në thërrimet e një bote që nuk është ndarë kurrë drejtësisht. Ai e ka kënduar dhimbjen pa britmë, e ka shpërndarë shpresën pa pompozitet, dhe ka ngritur moralin e të pambrojturve pa kërkuar asgjë në këmbim.

Dhe pastaj erdhi ajo mbrëmje në Manhattan.

Në një gala luksoze, nën dritat e arta që pasqyroheshin mbi kristale shampanjeje, Bocelli u nderua si filantrop, por ai vendosi të bëhej shumë më tepër se kaq. Përballë njerëzve më të pasur të planetit, Mark Zuckerberg, Elon Musk dhe dhjetëra miliarderë të tjerë, ai bëri atë që shumë e ndiejnë, por pak guxojnë: u tha të vërtetën në sy.

Me qetësinë e dikujt që flet nga drita e ndërgjegjes, jo nga rehatia e luksit, ai tha:

“Nëse mund të shpenzoni miliarda për raketa dhe hiperhapësirë, mund të shpenzoni miliona për të ushqyer fëmijë. Nëse e quani veten vizionarë, provoni – jo me para, por me mirësi.”

Mbi sallë ra një heshtje e rëndë, thuajse ceremoniale. Kamera kapi Zuckerberg duke shikuar poshtë, si t’i ishte rrëshqitur papritur një botë e tërë nga duart. Elon Musk u mpiks në një buzëqeshje të ngrirë. Disa të pranishëm u drodhën në karriget e tyre, sikur dikush u kishte shkundur zemrën.

Por Bocelli nuk erdhi për të trembur, ai erdhi për të zgjuar. Ai njoftoi aty, pa bujë, se do të dhuronte 8 milionë dollarë nga të ardhurat e tij për programe strehimi dhe mbështetje psikosociale për familjet në krizë në Los Angeles dhe në mbarë vendin.

“Lakmia nuk është pushtet,” shtoi ai. “Dhembshuria është.”

Kaq. Thjeshtë. Shumëfish më e fuqishme se çdo fjalim politik, më rrënqethëse se çdo ulërimë proteste.

Në pak minuta, interneti shpërtheu. Videot e fjalimit të Bocellit u përhapën rrufeshëm. Kritika, adhurim, reflektim… bota po diskutonte diçka të pazakontë: guximin moral të një artisti që nuk u përkul para arit, por ngriti fjalën e shpirtit.

Mediet e përshkruan fjalimin si “i përmbajtur, i pjekur, i domosdoshëm”. Kritikët e quajtën “një manifest të humanizmit modern”. Aktivistët e drejtësisë sociale e cilësuan “momentin kur muzika flaku harqet dhe u bë shpata e dhembshurisë”. Por mbi të gjitha, ajo natë tregoi një të vërtetë të pashmangshme: Arti ka forcën të gudulisë ndërgjegjen atje ku kapitali dështon. Muzika mund të trazojë zemrat që paratë nuk i lëvizin dot.

Në fund të mbrëmjes, Bocelli nuk thjesht u largua me një çmim. Ai u largua duke lënë pas një sfidë, një thirrje, një urdhëresë morale: “Ripërcaktoni pasurinë. Bëjeni mjet shërbimi, jo froni të pushtetit.” Dhe ndoshta, pikërisht atë natë, në heshtjen e çuditshme që mbeti varur mbi sallën e pasur të Manhattanit, bota e kuptoi se ndonjëherë, një tenori i mjafton një fjali për të hapur një epokë të re të ndërgjegjes.

Në fund, ajo që ndodhi në atë sallë luksoze të Manhattanit nuk ishte thjesht një fjalim. Ishte një thyerje. Një çarje në fasadën e një bote që ka harruar të turpërohet. Ishte rikujtimi se pasuria pa dhembshuri është vetëm fuqi e zbrazët, dhe se një civilizim që lejon fëmijët të flenë të uritur, ndërsa idhujt e teknologjisë luajnë me galaktikat, nuk është civilizim – është humbje. Andrea Bocelli nuk u ngrit kundër të pasurve. Ai u ngrit për të varfrit. Ai nuk kërkoi t’i poshtëronte miliarderët; ai kërkoi t’u kujtonte se njerëzimi nuk matet me bilance, por me zemra. Dhe se nuk ka asnjë vlerë të ngrihesh deri në yje, nëse ke harruar si të shohësh një njeri në sy.

Kjo botë nuk ka nevojë për më shumë raketa – ka nevojë për më shumë shpirtra që guxojnë. Nuk ka nevojë për më shumë gara – ka nevojë për më shumë duar që shtrihen. Dhe mes gjithë këtij zhurmimi të së nesërmes, zëri i Bocellit mbetet si një dritë e qetë që thotë: “Bëjeni botën shtëpi, jo privilegj. Mundësi, jo pronë. Dhembshuri, jo lakmi.” Sepse vetëm atëherë kur të kuptojmë se pasuria e vërtetë është ajo që shpërndahet, jo ajo që mblidhet, do mund të themi se kemi nisur vërtet të ngjitemi, jo drejt yjeve, por drejt njëri-tjetrit.

Filed Under: Kulture

𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐯𝐞𝐩𝐫𝐞̈𝐧 𝐢𝐭𝐚𝐥𝐢𝐚𝐧𝐞 “𝐊𝐫𝐲𝐪𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢”, 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐢𝐭𝐢𝐭 𝟏𝟓𝟎𝟏

December 3, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

Kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona (1470-1544) e cila gjendet në muzeun Pinacoteca di Brera në Milano, ka një rëndësi të veçantë artistike por edhe historike mbi shqiptarinë.

Vepra është e bazuar mbi ngjarjen e kryqëzimit të Krishtit siç përshkruhet në Bibël, por, në të djathtë të Krishtit të kryqëzuar valëvitet flamuri kuq e zi i Gjergj Kastriotit, me shqiponjën dykrenore.

Siç dihet ndër dy mijëvjeçarë ngjarja ndodhi në Golgotë (hebraisht për Kafkë), në dalje të Jeruzalemit, ku Krishti u kryqëzua me dy vjedhës në krahë të tij, dhe flamuri i Kastriotit nuk ishte formësuar ende, kësisoj përfshirja e flamurit kuq e zi me shqipen dykrenare është element simbolik e jo historik, pavarësisht spekullimeve që është simbol pagan para erës së re, e për më tepër dallohet lehtësisht që peizazhi ose sfondi i veprës përbëhet nga kodrat e Veronës e jo Jeruzalemit. Ndaj shtrohet pyetja përse ky homazh i artistit për Arbërinë?

Mjeshtri Michele di Verona e pikturoi flamurin arbëror si homazh për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj ushtrisë otomane, figurës madhështore të Gjergj Kastriotit, të cilin Evropa e konsideronte Kalorës të Krishtërimit, dhe në veçanti të ngjarjes së 25 prillit 1479, të martirizimit të banorëve të Shkodrës gjatë rrethimit të qytetit nga ushtria otomane.

Beteja për pushtimin e Shkodrës rezultoi në barbarizëm pasi shumë njerëz u vranë e u sakatuan në mënyrë çnjerëzore. Ata u torturuan e iu pre koka njësoj siç kish ndodhur më parë me luftëtarët arbër dhe njerëzit e thjeshtë në Krujë, Lezhë, Drisht dhe në afërsi të Durrësit.

Ata banorë të Shkodrës të cilët arritën të mbijetonin u shpërngulën Venedik ku rrëfyen tragjedinë që kishin përjetuar, duke prekur kështu zemrat e banorëve venedikas, ndër ta edhe shumë prej artistëve, përfshirë edhe Michele da Verona i cili në atë kohë ishte fëmijë nëntë a dhjetë vjeçar, por ajo histori tragjike e shoqëroi gjatë të gjithë jetës duke e përjetësuar kështu në kryeveprat që do krijonte më vonë.

Siç shihet në tablo, flamuri i Kastriotit zë vend të rëndësishëm në kompozim, dhe e kuqja flakëron në sytë e shikuesit duke simbolizuar edhe vetë gjakun e Krishtit.

Por pozicionimi i flamurit përbri njërit prej vjedhësve që u kryqëzuan bashkë me Krishtin është tejet domethënës pasi ndodhet te vjedhësi në të djathtë të Krishtit, ai i cili u pendua në kryq, i njohur si Vjedhësi i Mirë.

Te Ungjilli Sipas Lukës 23:43 thuhet: Atëherë Jezusi i tha (vjedhësit) “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Si në traditën e krishterë katolike romake ashtu edhe atë orthodokse, Vjedhësi i Mirë është konsideruar si shenjtor, për këtë arsye, në kontekstin e veprës ajo që artisti po shprehte ishte se martirët shkodranë e arbërorë ishin në parajsë me Krishtin, ata kishin arritur shenjtërimin, ndaj edhe fytyra e Jezusit të kryqëzuar është e drejtuar djathtas për nga flamuri i arbërit dhe shenjtori.

Qarkullojnë shumë teza mbi origjinën e flamurit me shqiponjën dykrenore. Është fakt historik që ky simbol daton që nga qytetërimi sumer, perandoria romake dhe bizantine, etj, por duhet theksuar që stilistika e formës dhe siluetës së shqiponjës së Gjergj Kastriotit, dhe ngjyra e kuqe e flaktë e fushës së flamurit janë tërësisht shqiptare, e sado të përafërta me emblemat e disa vendeve të tjera, si në mesjetë ashtu edhe gjer më sot, janë unike shqiptare.

Vepra madhështore “Kryqëzimi”, nga artisti i Rilindjes italiane, Michele da Verona, do të mbetet një homazh dhe ilustrim pamor i një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë, e nëse shihet së bashku me të gjitha kryeveprat botërore që përmbajnë elementë shqiptarë ne do kemi një panoramë më të qartë të vlerave dhe pasurisë sonë të çmuar historike e kombëtare.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 552
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT