• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj

February 7, 2023 by s p

Salla “At Gjergj Fishta “pranë kishës së Shën Palit në Rochester, Michigan – 29 Janar, 2023

Paraqitur nga: Dr.Gjeka Gjelaj,Ph.D.

 Fort të nderuar meshtarë, i nderuari dhe i dashuri Zotëri autor Fran Gjeloshaj, të nderuar intelektual, aktivistë, përfaqësues të shoqatave bamirëse dhe patriotike nga të gjitha trojet shqiptare, in absentia përshëndes dhe përgëzoj përkëthuesën Dorontina Berishaj, vëllezër dhe motra të dashur,

Në fillim të prezantimit tim të shkurtër, dëshiroj të shprehi falenderimet dhe mirnjohjet më të sinqerta autorit të ndershëm dhe mikut tim të hershëm Zotëri Fran Mirashit Gjeloshaj, për nderimin e veçantë që ai, zëmergjërësisht,  më  bëri, duke më nderuar me  redaktimin si  dhe me “dy fjalë lexuesit” të botimit të parë të kësaj vepre të rëndësishme dhe themelore mbi të kaluarën dhe të tashmen e Kojës kreshnike. Franit, së bashkut me lulen  dhe krenarinë e jetës së tijë Viktorin, tashmë në amshim, jam përgjithmonë mirënjohës!

Gjithashtu, dëshiroj të falenderoj komisionin përgatitor dhe shoqatën “Koja” për angazhimin, përkushtimin dhe kujdesin e tyre të pandarë duke bërë përpjekje të gjithanshme që kjo vepër të shohin dritën e botimit e tashti edhe të përkthimit në gjuhën angleze. Siç thonë në Malësi “U kjoftë ndera dhe faqja e bardhë!”

Qëllimisht dhe me arsyetim, nuk do të shprehem as nuk do të lëshohem në tematikën e vlerës, metodës, stilit apo cilësisë së përkthimit të kësaj vepre, të bërë, në mendimin tim, me kompetencë nga e nderuara përkthyesja Dorontina Berishaj. Lidhur me përkthimin e veprës në gjuhën angleze dua tua lë gjykimin dhe mendimin e fundit ekspertëve të  semantikës, filologjisë dhe studiuesëve të shquar të gjuhës shqipe dhe angleze. Jam i bindur se me kohë dhe duresë, sigurisht ky përkthim, me ndonjë përmirësim të  vogël dhe të duhur, do të gjejnë pëlqimin dhe mirëkuptimin e ekspertëve në fushën e përkatshme, pra të përkthimeve të veprave historike.

Për hirë të pasqyrimit të lëndës mund të them se përkthimi dhe të përkthyerit nga një gjuhë në tjetrën, këtu në gjuhën angleze, janë koncepte me përkufizime të ndryshme. Dua vetëm të theksoj se, për ne si publik, në përgjithësi, përkthimi është një akt i ndryshimit prej një gjuhe në një tjetër. Kjo mund të ndodhë fjalë për fjalë apo kuptimisht. 

Në anën tjetër për gjuhëtarët, filologët, dhe glotologët, përkthimi shikjohet dhe cilësohet si një shkencë përmes së cilës ata tregojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre semantike dhe gjuhësore. Dhe më në fund, për të tjerët studiues, përkthimi mund të vlerësohet si një lloj arti i veçantë ku përkthyesi ushtron fuqitë e krijimtarisë personale. Kjo mënyrë është e njohur si përkthim literal.

Me thënë me ekspertët:

 “Kjo do të thotë se përkthyesit shpesh duhet të bëhen krijues në mënyrë që të mund të rikrijojnë të njëjtin efekt që ka pasur teksti origjinal te lexuesit e tij. Sfida të tjera përfshijnë nuancat, të tilla si ndjeshmëritë kulturore, konotacionet dhe emocionet, së bashku me kontekstin social, historik dhe politik të tekstit. Këto nuanca janë veçanërisht të vështira për t’u përcjellë dhe gjithashtu mund të konsiderohen të papërkthyeshme.”

Libri” Koja në rrjedhë e kohëve” në mendimin tim, nuk badhafaqohet me  këto problematika semantike.

Duke lexuar me vëmendje dhe përkushtim këtë vepër në gjuhën angleze, unë konkludoj se përkthyesja Dorontina Berishaj, i ka përmbushur të gjitha kushtet e një përkthimit të kujdesshëm dhe cilësor. Është mirë që të kemi duresë dhe rrespekt ndaj përkthyeses Berishaj dhe këtij përktimi  dhe të mos ngutemi në gjykime negative! Çdo vepër apo veprim duhet mirëpritur përmirësimet! 

Pikërisht në fillim bëhet pyetja logjike dhe e nevojshme: A është, dhe pse është përkthimi i veprës së autorit Gjeloshaj në gjuhën angleze me rëndësi?

Mendoj unë, se një ndër qëllimet kryesore që ky përkthim synon është që të bëhet nje urë dy-gjuhësore dhe bikulturore midis shqipfolësit dhe folësit të gjuhës angleze që sot është pothuajse një gjuhë globale dhe shumë e fuqishme. Kjo gjuhë është një gjuhë dominuese, mbizotëruese, në të gjitha sferat e jetës moderne. Është gjuha e tregtisë, gjuha e akademisë, e shkencës dhe e diplomacisë. Gati ¼ e botës sot përdor gjuhën angleze. Pra, libri me përmbajtjen e tij historiko-kulturorë dhe shoqërore iu ofrohet miliona lexuesve si potencial, apo mundësi, studimi në format libri apo formë elektronike. 

Kjo ëshë një arritje tejet e rëndëshishme si për autorin Gjeloshaj ashtu edhe për Kojen dhe Malësinë tonë të dashur. Dituria mbi njeriun e Kojës, mbi triumfet dhe sfidat e tija të shumta, mbi thesarin e pasur kulturorë, shpirtërorë dhe shoqërorë, përmes këtij përkthimi, do të shëndrisë dhe depërtojë në skajet më të largëta të botës duke përdorur si mjet gjuhën angleze. Koja dhe kojasit, përmes këtij përkthimi, do të dalin në logjet dhe në festivalet e diturisë  botërore.Vlerësimi rreth njohurisë së Kojës dhe kojasve dhe malsorëve në përgjithësi, me këtë përkthim vetëm se do të zgjerohet!

1) Më së pari, mendoj unë, përkthimi i veprës “Koja në rrjedhën e  kohëve” doemos, ka për të zgjuar, herët apo vonë, kureshtje në botën e gjuhës angleze dhe mundësisht ka për të nxitur hulumtues dhe studiues të mendojnë, të argumentojnë, të  shkruajnë  për Kojën, për banorët e saj si dhe për mënyren e jetës kulturo -shoqërore të këtij vendit malorë. Ata kanë për ta kritikuar, krahasuar  dhe vlerësuar, duke e pranuar apo duke e refuzuar atë, dhe kështu ka për të arrijtur  një ndër  qëllimet e përkthimit.

2) Ky përkthim, si shumë përkthime tjera të rëndësishme në  letërsinë shqipe, e sidomos të Malësisë, mendoj unë, do t’ju bëjë të mundshme studjuesve që nuk flasin gjuhën shqipe, takimin dhe shijen si dhe njohjen mbi jetën, kulturën, pasuritë shpirtërore e sidomos të së kaluarës të një vendit të vogël shqiptar siç është Koja.  Ky njeri i veçantë dhe fisnik i Kojës ka qenë dhe mbetet prototip i njeriut shqiptar me të gjitha karakteristikat që fatbardhësisht e stolisen atë gjatë shekujve. Në këtë mënyrë të rritet interesimi për njeriun e veçantë dhe enigmatik malësorë.

3) Ky libër i përkthyer mund, dhe shpresojmë se, do të bëhet  burim, subjekt apo temë i takimeve shkencore dhe i shkëmbimeve të mendimeve të dijetarëve shqiptar dhe ndërkombëtar, të cilët kanë etje dhe uri për njohuri të vërteta mbi Malësinë dhe malësorët. Besoj se edukatorët shqiptar, të mirëfillët dhe të lirë nga paragjykimet e ndryshme ideologjiko-politike, në vëndlindje dhe në diasporë, do t’ia rekomandojnë nxënsëve të tyre si mundësi pasurimit dhe zgjerimit  të horizonteve të tyre rreth diturisë dhe çështjeve historiko-shoqërore lidhur me  Kojën, Malësinë dhe malësorin. Është pra, dhe do të mbetet, në mendimin tim, një reference e rëndësishme shkollore, edukative dhe  shkencore lidhur me Kojen në veçanti, dhe me Malësinë në përgjithësi. Ky përkthim është dhe do të mbetet, shpresojmë, një pikë qendrore e miërkuptimit dhe shkëmbimeve  të  njohurive historiko-kulturore nga folësit e gjuhës angleze lidhur me  një krahine shqiptare  të vogël si Koja.

4) Përkthimi në gjuhën angleze e bën të mundshme që të përhapet në faqet e internetit, pra, lidhja dhe mundësitë sidomos për të rinjtë që në menyrë elektronike dhe instante të shfletojnë librin dhe të mësojnë nga përmbajtja shumë e pasur. Kuptohet se jetojmë në kohën digjitale dhe ky përkthim përmbush nevojat e duhura të kohës duke ofruar mundësi begatimi lidhur me jetën dhe veprat e një vendit të veçantë të Malsisë.

5) Kjo vepër, mendoj unë, do të luaj rolin e një agjenti unifikues të çështjes kulturo-shoqërore mes popullit shqip folës dhe atij të gjuhës angleze, veçanërisht mbi krahinën e Kojës që ende nuk është shumë e njohur në historinë botërore. Duke lexuar këtë vepër në gjuhën angleze lexuesi do të hapin horizonte te reja duke fituar një njohuri të saktë mbi jetën dhe të kaluarën e vërtetë veçanarishtë malësore dhe shqiptare në përgjithësi.

6) Nuk ka dyshim, në bindjen time, se ky përkthim ka një rëndësi dhe një vlerë të jashtëzakonshme, dhe kisha me thënë të paçmuar, për gjeneratat e shqiptarve të lindur dhe të rritur në diasporë, kudo në botë e sidomos në Amerikë . Arsyeja është se një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë nuk zotrojnë gjuhën shqipe në nivelin e duhur gjuhësorë i cili e bën të mundshme leximin dhe kuptimin e një libri historik. Dua të jem i qartë: nuk e fajësoj rininë shqiptare sepse ambjenti dhe rrethanat ekzistenciale e bëjnë gati të pamundshme arritjen e këtij qëllimit shenjtë. Rinia jonë shqiptare është dhe do të mbetet  më e dashura, më e mira, më krenarja, më atdhedashuruesja, dhe me e bukura në mozaikun e kopshteve të luleve pranverore të  rinisë botërore. Jam i bindur dhe besoj se rinia jonë në përgjithësi, e në veçanti ajo malsore, do të shfrytzojnë mundësitë, sado të kufizuara, që ky përkthim t’iu ofrojnë, dhe t’iu rrisin interesimin dhe dashurinë për të njohur dhe përvetësuar bukurinë dhe rëndësinë e të së kaluarës malësore, pra shqiptare. Arrijtja e këtij qëllimit kishte me qenë gëzimi dhe lumturia më e madhe e autorit Gjeloshaj.

7) Përkthimi do të mundësojnë depërtimin dhe njohjen e të vërtetave historike të shënuara në këtë botim përmes studimit nga studjusit e institucioneve me prestigjin më të madh botëror sikurse  janë universiteti i Oxford, i Kembridge, i Harvard, i Romës, Londres, MIT-së, dhe të tjerave. Pra, në këtë mënyrë autori Gjeloshaj do tia mbërrijë qëllimit që të përdorin fjalën e shkruar jo vetëm edukative por edhe si armën më të fuqishme për mbrojtjen nga sulmuesit demagogë  serbo-sllavë dhe shtrëmbërues të historisë së vërtetë shqiptare, demogogët të cilët kanë një të vetmin qëllim diabolik: mohimin dhe grabitjen e të vërtetës mbi popullin krenar shqiptar. Malsori dhe shqiptari e don dhe e vlerson bashkëjetesën por grabitjen dhe falsifikimet kurrë nuk i pranon!

Tashti, me këtë përkthim, armiqtë e historisë shqiptare do ta kenë shumë më të vështirë të dalin në treg të rrejshëm me gënjeshtrat dhe demagogjitë e tyre anti shqiptare, anti malësore.Në ballafaqim me të vërtetat historike të shënuara në ketë libër, pohimet dhe pretendimet mashtruese të spastruesve etnik dhe sharllatanve,  që pretendojnë se janë historianë, do të shkrihen porsi vesa e mëngjesit para rrezatimit dhe shkëlqimit të diellit.

8) Dhe më në fund, jam i bindur se me kohë ky përkthim do të gëzojë rëndësi kombëtare, kulturore dhe ndërkombëtare. Sikurse e theksume edhe më parë, do të bëhet, mendoj une, veçanerisht një korsë komunikimi mes botës malsore-shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Është mirë  dhe e drejtë,mendoj une, që ta theksoj se institucionet vetëqeverisëse të komunës fatbardhe të Tuzit, që sot gëzojnë një mënyrë lirie mendimi dhe veprimit, në krahasim me të kaluarën që ishte diktatoriale dhe diskriminuese ndaj shqiptarve, duhet patjetër, të sigurojë dhe të angazhohet në mbështetjen e plotë të krijimtarisë historiko-letrare të trevave të Malësisë dhe të diasporës kudo në botë. Ata, në bashkëpunim të ngushtë me inteligjencën shqiptare, mendoj unë, kanë një obligim moral dhe të shenjtë që të përkrahin, me të gjitha fuqitë e tyre, iniciativat të cilat kanë synim ruatjen dhe trashigiminë e gjuhës dhe të identitetit tonë kombëtar shqiptar në Malësi dhe në diasporë.

Përkthimet e veprave letrare apo historike, sikurse është vepra e autorit Gjeloshaj, edhe pse modeste, në gjuhët botërore vetëm se e ndihmojnë dhe e rrisin prestigjin, autoritetin e lartë dhe renomenë e popullit shqiptarë, të komunës së Tuzit  dhe ndihmojnë përhapjen globale të etnosit shqiptarë dhe ngritjen e njohurise së kulturës shumë dimencionale malësore dhe shqiptare në  përgjithësi. Kjo vepër pra dhe ky përkthim le të bëhet faktor shkakëtues  për një angazhim më të përkushtuar ndaj ruajtjes dhe trashigimit të identitetit tonë shqiptarë.

Për të vulosur rëndesinë e punimeve apo veprave të shkruara thotë një vjershë anonime në gjuhën shqipe të cilën e shoh të arsyshme ta citoj:

E kemi borxh ta zëmë at’ çka  mund t’zëmë,

e pasardhësve  tanë me shkrim t’ua lëmë.

                  E kështu, t’i mësojmë edhe ata t’vazhdojnë,

                   që paraardhësit e tyre kurrë mos t’i harrojnë.

T’ vazhdojnë, duke i kujtuar brez pas brezit,

ku pritën në mbrëmje e ku i çeli mëngjesi.

                      E çka do  të leni me shkrim s’harrohet kurrë,

                     do të ketë jetë  të gjatë sa kështjella në gurë.

Sa e vërtetë është se edhe fjalët e Fran Gjeloshaj janë të shkruara jo vetëm në libër por edhe në gurët e Kojës!

Të dashurit Kojas dhe miq të çmuar të Kojës, në ditët tona, kur kojasit, njerëz të dalluar për tiparet autoktone shqiptare, gjinden të shpërndarë në të  katër anët e botës, dhe kur Koja mbetet front kufitarë i pathyeshëm në mbrojtjen e depërtimit të sllavizimit në trojet shqiptare, përkthimi i veprës së autorit Gjeloshaj në një  gjuhë botërore siç është anglishtja, jo vetëm se bën të mundshme njohjen e këtij njeriut të dalluar të Kojës shqiptare nga miliona lexuesit anglofon, në shekujt me rrallë, por, në veçanti, mbetet edhe si testament i ruajtjes dhe i trashigimisë  së këtij gjaku kaq të çmuar. Të jeni të bindur, vëllezër të dashur, se me kalimin e kohës ky libër si origjinali në gjuhën shqipe, ashtu përkthimi në gjuhën angleze, pra “Koja në rrjedhën e kohëve” ka për të fituar vendin e duhur dhe të merituar në historiografinë e Malësisë fatbardhe. Kjo vepër,origjinale apo e përkthyer, është si një farë e çmuar në arën  frytdhënëse, që me durim pret diellin e ngrohtë të pranverës për të dhënë frytet e veta. Për këto fryte të çmuara dhe të shumta të lidhura me njohuritë  dhe dituritë e begatshme  mbi Kojën dhe kojasit, merita është e autorit  Fran Gjeloshaj i cili do të kujtohet  në historinë e Malesisë si një shqiptar i veçantë, i stolisur me nderë,besë, erzë dhe burrëri, ëmri i të cilit kurrë nuk do të harrohet. 

Në fund, me lejoni që ta vendosi nji kokërr qershie në tortë duke pohuar, me gjithë mendje dhe zemrën time se: 

autori Fran Gjeloshaj është mishërimi më i vërtetë  i vlerave tradicionale shqiptare: ky njeri i përvujtur i cili përmes vështirësirave dhe ndodhjeve tragjike të jetës, është kulluar porsi ari që kullohet në zjarr, dhe kështu mbetet personifikim dhe simbol i ndershmërisë, i qëndrueshmërisë, i përvujtërisë, i altruizmit, i sinqeritetit, i maturisë, i kuriozitetit historik, i urtisë, e mbi të gjitha simboli i nderës dhe burrërisë malsore apo shqiptare. Për jetën dhe veprën e tij të veçantë dhe shembullore, ne, sëbashkut me ju kojas bujarë, dhe me brezat e ri, jemi dhe do të mbetemi mirënjohës përgjithmonë!

Për vëmendje, kujdesin dhe duresën tuaj jam shumë mirënjohës!

Ju faleminderit!

Filed Under: Kulture Tagged With: gjeka gjelaj

Një cikël poetik antologjik me autorë të së njëjtës gjenealogji

February 6, 2023 by s p

Nga Lefter, Aristidh, Kristo, Polo, Aleksandër, Ladi, Orest, Akri – ÇIPA.

Lefter Çipa

( Përjetësisht në Pilur)

O shokë vdeksha nga kënga

(Poemë)

I

O shokë vdeksha nga kënga,

Në një ditë prilli a maji,

Kur derdhet mbi maja hëna,

Në këngë të kthehet vaji.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Aty në brigjet, thëllëza,

Ligjëroftë mëngjes a darkë,

I thëntë këngët të tëra,

I thëntë me bilbilat bashkë.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Zogjtë e bukur krahëlehtë,

Ia thënçin me gjuhë të ëmbël,

Shokët e mi, Bilbilenjtë,

Mos paçin plagë në zemër.

Midis lisave të gjatë,

Kurorë ngritur në qiell,

Në çdo festë e në çdo dasmë,

Rëntë e më zgjoftë një fyell.

Kur të fryjë erë e beharit,

Nga deti, a nga Kalbaqi,

Do t’i them “hapu pak varrit!”

Se do shkoj të rri tek Rrapi.*

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

II

Mbrëma, mbrëma kur del hëna,

Kur çdo gjë bie për gjumë,

Lehtë e pa u dëgjuar këmba,

Do t’i puth të gjithë në buzë.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Kur dielli do hapë dritë,

Përkarshi Vanovës sime,

Edhe unë do të jem ngritë,

Të pi ujë në Toçile*,

Aty, të më lahet shpirti,

Dhe të marr penën të shkruaj,

Më ardhtë mbi supe bilbili,

Nga gjumi i rëndë të më zgjuaj.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Pas zgjimit të ndez cingarë,

Duke parë malet përpjetë,

Pak nga pak të shuaj mallë,

Zjarri im ndezur do të jetë.

Të dëgjoj vajzat e këngës,

Për ato këngë nga varri dalsha!

T’u shpie gjethe të tëndës,

Zërin t’u ruaj nga vapa.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

III

Pastaj avazet e Bejkës,

Do t’i rrëmbejë brenda dheu,

Çobani nga koha e drekës,

Do më thotë:” O Lefter ngrehu!”

Kënga e Ninës me zjarre,

Kur të ngrihet kulme-kulme,

Dhe i tretur të jem fare,

Do bëhem bilbil në Lugje*,

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Ermioni kur t’i derdhë,

Elegjitë në grykë të saja,

Do marr të pi një gotë verë,

Që të më largohet sevdaja.

Dhe pastaj kodër më kodër,

Do kaloj ditët e gjata,

Aty, çdo nënë dhe motër,

Do t’i marr me mall nga qafa.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Pa përtuar në çdo derë,

Do të shkoj e do tund djepe.

Fëmijët që kanë bërë,

T’i bëj poet e poete.

Dhe me ëmbëlsinë e gjuhës,

T’u them këngë arbërore.

T’u mbijnë përsipër buzës,

Si pendë në krahë shqiponje.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

III

Të gjitha këngët e mia,

Qofshin ilaç për të gjallët,

Se m’i deshi Shqipëria,

Kombi im, gjithë shqipëtarët.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Me * Janë emra vendesh dhe emrat e këngëtareve të famshme të Grupit Polifonik të Pilurit.

(Botuar së pari në vitin 1983 ne nje cikel te plote tek gazeta “Drita”. Më vonë në librat “Dheun tim përsipër mbaj” 1992, “Kënga që tret lotin” 2002. Dhe “Princi i dashurisë” 2009 Lefter Çipa

Aristidh Çipa

( Vlorë)

Vdekja e poetit

Poeti vdiq,

I nderuar (si burrë shteti),

Pa peng në zemër.

Librezën e kursimit nuk e njohu kurrë.

Njohu vetëm metastazat e skamjes;

Por jetoi me kokën lart,

si pishë rrënjëthellë

Dhe u shua

si një horizont me këngë.

Përsipër i hodhën dekoratat:

Të gjitha të merituara.

Disa i mori vitet e fundit,

kur lypte punë.

Gjithë jetën e shkoi me cigare në buzë

(I ndizte tek njëra-tjetra,

I përtypte me dhembë).

Dhe me gotën e dhimbjes para.

I kamur sa më s’bëhet,

Qeraste majtas dhe djathtas.

Jetë e kafshuar gjer në kockë,

Ku e gjete atë nerv të na falësh forcë?!

Kish kohë që vdekja i qe bërë hije,

Por ai lozte me të si me hijen e vet,

Edhe pse ajo i ngulte dhëmbët thellë e më thellë.

(I thatë, por i thantë! – e lëvdonin dikur.)

Një zë i thosh: perëndoi ylli yt.

Një tjetër vendosmërisht kundërshtonte.

Për një çast ëndërronte: sikur bota

Ta hidhte edhe një herë “hopa” mbi shuplaka të duarve!

Ah, miqtë e vjetër, ç`kujtime, ç`zjarre!

Kujtesa dhemb kudo që ta prekësh

Sikur kohën ta tërhiqte zvarrë!…

Kollitej, pështynte gjak dhe vazhdimisht murmuriste,

Në një vetmi vrasëse, një këngë për nagantin.

Vitet e fundit,

Përmes qiellit të shtatë

Kishte shkëmbyer mesazhe të fshehta me Migjenin.

Askush nuk e mori vesh të vërtetën.

Me gjasa Milloshi

Do t’i gdhendë portretin…

Fjalë thuhen shumë, por ç`duhen ato,

Kur ai u ndie i lumtur? S`duhen shumë gjëra

Për t`u ndjerë i lumtur…

Jetoi botën e vet, krejt ndryshe nga kjo jona,

Plot shkëndijime zjarresh dhe dritë kateklizmash.

Po të mos marrim parasysh një farë humbje të kujtesës,

(Herë-herë harronte në shtëpi protezat e dhëmbëve),

Disa beteja misterioze me mullinjtë e erës,

(Rrallë, kur pihej,- zakon ky i vjetër i poetëve)

Dhe një mllef gati instiktiv ndaj gjithë farës së Uliksit,

(Rudiment psikologjik i kohës së diktaturës)

U mbajt mirë, madje shumë mirë dhe e gëzoi jetën

plotësisht.

Rrallë poetët e vërtetë humbasin fillin…

Por nëqoftëse në botë çdo gjë është e përkufizuar,

Poeti ynë ish’ rebel. Nuk njohu kufij.

Ai kishte lindur poet dhe kalorës njëherësh.

Ëndërr e guxim?! Ç’tundim i epërm!

Qielli pa gjëmime është i vdekur.

Përherë, pra, do gjenden burra që e venë me vdekjen,

Të tillë, që me zell i marrin përsipër të gjitha.

Ç’verdikt zgjodhi heroi ynë?

Në shtegun e rrufeve e ngriti ai llogoren,

Në Malet e Vetëtimës… Atje mblodhi barutin.

Atje i priti shovenët…

Me kohë u bë ikonë

Dhe kur bëhesh i tillë,

njerëzit nxitojnë

Të të veshin aureolën…

Nëse një ditë u prit e u përcoll si një i zgjedhur,

Kjo ndodhi se u rrënjëzua në mushkëritë e dheut-amë.

Falemiderit, poet, për të vërtetat dhe trillet!

Faleminderit, poet, për shërbimet!

Në re, mbi dete, ç’mund të ëndërrosh vallë?

Të çash qiejt si skifter,

Kjo është dëshira më tunduese.

Nëse qiejt s’kanë themele,

Poeti ynë gjeti nga t’u ngjitej.

Për Atdheun, pra! Për flamurin mbi të gjitha!

Aty, pra, gërmo poet, ku është trualli më i fortë!

Aty ndërto, hidh themele këngësh e poemash!

Prej aty sulmo, nis ushtarët në luftë!

Zhvarros, qep e shqep tipa, prototipa,

Shkundu dheun, jepu frymë, i lato

Me durimin e ustait që gdhend gurin!

Në emër të Atdheut, pra, shpall luftë në duhet shpallur

Dhe vdekjen në duhet ta marrësh, në emër të tij prapë.

Kështjellën, pra, ngrihe në mënyrë të tillë

Që, ndërsa ke ikur, luftën ta vazhdosh.

Malet – ikona e fundit që mbeti mbi retinë

U gërrye së brendshmi dalëngadalë dhe ra

Si uragan polifonik që këputet papritur.

Fillimi i ri… rishtresim lavdie …dekorata të reja.

Jetoi aq sa të mos pendohej.

Kredua qytetare: përkushtim e virtyt.

Nuk u përkul kurrë,

-palcë kurrizore e atdhedashurisë.

Sa herë dëgjonte himnin kombëtar,

Çohej në këmbë.

Doni vërtet ta nderoni: mos e qani!

Vini këngët e tij – dritë në dhembje.

Në kini humbur rrugën për një çast, ju siguroj:

do ta gjeni.

Le të jetë ajo lamtumira e fundit.

Bard?!

Një shtrat i vetëm nuk mund ta mbajë.

Guxoi të gërvishte me pendën e bardit qiejt poetikë.

Vdekja me një cironkë në xhep, si De Rada,

është pjesë e fatit të poetit.

Ishte një copë shkëmb, ngarkuar me lule,

Rozmarinë e egër, mbirë vetiu,

midis gurëve të sertë.

08.05.2005

1Seferis, nobelist grek, poezia “Kujtesa”.

KRISTO ÇIPA

( Pilur)

TRETJA E FSHATIT

Nata përtoi, ra e rënduar dheut pa gojë,

Matanë përoit, qeni i vetmuar gjuhën kafshoi.

Zogjtë e hutuar i lidhën krahët e zgjidhën dritën,

Pemët ngarkuar e mbartin natën, të zbresin ditën.

Unë si hije e qeparistë,

Mbështjell lëmshin e qetësisë.

Harruan gurët të përqafojnë këmbët e jetës,

Përtuan drurët të jeshilojnë lëngun e fletës.

Këngë-gremisur shpohen në vesë thëllëzat malit,

Me shpirt të grisur përtyp haresë bilbil i hallit.

Ashtu si reve u lutet Hëna,

Edhe unë heshtjes i kërkoj zëra.

Ujku çartos, shkon i mërzitur xhades së fshatit,

Hënën kanos fytyrë ligur gjatë monopatit.

Godet me bisht yjet krenarë, nata të zgjohet.

Jo! Pa armiq, qen guximtar, jeta s’kalohet!

Rrapi i braktisur vret madhështinë,

Unë kokëkrisur shes historinë.

Zile e këmborë tingujt i hanë! Narkozë kopeja,

Behari-borë, qëron lastarë vetull kafeja.

Gomar i lodhur kërkon kurban t’i bëhet erës,

Pa ngrënë i ngopur, veten e qan tek gjëmbi i ferës.

Kallëz kërkoj zallit me gurë,

Lulet qortoj që s’fjetën kurrë.

Dritat e ftohta! Dyer memece! Qielli i ngrirë.

Rrahjet e forta era kasnece i ka vetëfshirë.

Janë arratisur zërat e tokës. Azile hëna…

Duke zvarritur rrathët e kokës, shtrëngoi gjëma.

Kur frymë jap, marr drithërimë,

Zjarri në vatër, më thotë:- Mbërdhimë!

Kolla e zemrës e grisi heshtjen. Qielli shkriu.

Në gji të nënës e mpiksi qeshjen sot çilimiu.

Zile, këmborë, tingujt i vollën. Qeni ringjalli.

Majat kurorë supet mblodhën, të derdhej halli.

Zërat po vijnë, guri po flet,

Unë zmadhoj sytë. Qerpikët shqep.

Troket bastuni! Godet kambana! Kryqi habitet!

Dërgon katundi nëpër mëhalla tapitë e fiset…

Dhëmbjet e moshës si portë e vjetër në tru trokasin,

Si pendë kaposhi në lëkurë tjetër, gjunjët kërcasin.

Eshtrat e jetës i mbledh në duar,

Pikat e djersës janë ngurtësuar.

Brenga në koma me frymë njeriu. Parmakët ngrihen.

Si vet glukoza era e malit. Rrapi rivishet.

Rrugët u tundën. Avllitë shikuan. Shtëpitë flasin.

Qiejt u shkundën. Yjet nxituan duart t’i zgjasin.

Një kupë shpirt ngrihet më thotë:

-Ikët të gjithë, por prapë jam plot!

Marrë nga libri “ Vesha mjegullën e hollë”

Polo Çipa

( Patra-Greqi)

BALADË PËR NËNËN TIME

Ajo iku një mbrëmje korriku,

kur qielli kish ndezur cep më cep yjtë,

Atje, sipër në qiellin e artë,

e priste një yll i larë, i florinjtë.

-Këtu,-më tha,-më zhurriti dhembja,

një plagë e rëndë që zemra s’ma mban.

Se dhimbja për djalin po ma tret shpirtin,

dhe zemrën më dysh im bir po ma çan.

Kur bëhej gati të ngjitej në qiell,

ma shtrëngoi dorën, me ankth e me mall,

Atë shtrëngim të dorës sate të fishkur,

O nënë e shtrenjtë, unë e ndiej çdo çast.

Një këngë vajtimi i mbeti tek buzët,

Një këngë piluriote e derdhur në vaj.

Ndaj iku nxituar, në heshtje u shua,

me plagën e hapur, pas birit të saj.

I iku shpirti si një dallandyshe,

I lehteëë, i bukur si shpirti i një nëne.

Jeta jote nënë, qe një baladë,

me nota brenge në tingujt e një kënge.

Tani kam kujtimin tënd të bukur,

Kujtimin tënd, më të shtrenjtin në botë,

Po prapë, ndihem si nata pa hënë,

dhe jetën e shkoj me mall e me lotë.

Marrë nga libri me të njëjtin titull

Aleksandër Çipa

( Tiranë)

Dyshoj si i verbër

Bota është një, e re dhe e vjetër/

(Fetë iluzivisht na përshkruajnë një tjetër).

Fetarisht po ta shpreh dyshimin e egër:

Të besoj verbërisht, por dyshoj si i verbër.

( Nga libri “Deti nuk ka portë”, Botimet “Dritero” )

Ladi Çipa

( Paris )

Ka një rrugë në këtë mister

Pak bukë, pak kripë nga e shkuara

Në breg të oqeanit…

I kuq gjaku i të parëve

Të kuq dhe lotët e mallit

Kur fryn era e detit

Pas shkëmbi ku rreh dallga

Rikthehuni dhe pse të ikur …

Në kujtimet e zjarrta!

Kthehuni,

Kundër k’tij shkëmbi

E Lëreni, dallgën t’iu mbulojë

Mbi trup pak kripë do mbetet

Dhe jod që t’iu shërojë

Se vitet, lanë shumë plagë

Po sot ? në të vetmisë

Kujtoni sa lot u derdhën

Të nderit e lavdisë !

Nga pluhuri,

Ngritëm kopshte

I dhamë emër fisit

Ndërtuam fshatrat tona

Me varret përbri lisit

Çfarë më të bukur !?

Ka një rrugë në këtë mister

Prelud… pret ndryshimin

Fatet vijnë për guximtarin

E rizbulojmë agimin

Pak ujë,

Pak zemër nga e shkuara

Në breg të oqeanit

I kuq gjaku i të parëve

Të kuq dhe lotët e mallit

Dhe eci…në breg, i vetëm

Ku varkat përplasen molit

Nën këmbët e zbathura, rëra

Më ngjitet si balta e gjolit.

Orest Çipa

( New York)

Në vjeshtë,

Zemër lektisur është perëdimi i diellit,

I kuqërremtë deri në rënkim.

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

E ka pasur një brengë,

Njësoj si hallin tim!

Në vjeshtë

Gjethet bien si lotë lamtumire …

Foletë braktisen nga një tjetër fluturim.

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

E njeh atë shi ..

Dhe të plogështin mallëngjim!

Në vjeshtë

Një tështimë melankolie klith thatë,

Se ndoshta nis të puhi ndopak,

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

E kupton në ka shpirt..

Se i ndizet flakë !

Në vjeshtë,

Dhe deti nis të gufojë,

Lumi rrëmbehet e vërshon me furi.

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

Nese nuk e di …

T’i verbojë ata sy !

Akri Çipa

( New York)

Nxito Helios në kupë të qiellit

Nxito Helios në kupë të qiellit,

Se pa ty dritë dielli nuk ka,

Ta ndjejmë nevojën, pa njohur meritën,

Mbi ty pesha e rëndë e shërbimit ra.

Nxito Helios në kupë të qiellit,

Më shpejt harboi kuajt-pishtarë,

Se drita e diellit është dhe e njohurisë,

Pa të injoranca na lidh me litarë.

Nxito Helios në kupolën qiellore,

(Ta kërkon detyra këtë nxitim)

Së bashku me kuajt e tu të flaktë,

Ndriçimi ynë është për ty një burgim.

Nga libri ” Në modernitet humbëm”,

Botimet OMBRA GVG, Tiranë

Filed Under: Kulture Tagged With: Akri Cipa, aleksander Cipa, Orest Cipa

Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb

February 4, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Artistët e Rilindjes dhe të famshmit si pronari i parë Albertinelli, Michelangelo, Dante Aligieri, Andrea del Sarto, Benvenuto Cellini frekuentonin restorantin tonë thotë me krenari Iberi.

Histori suksesi nga më interesantet

Ashtu si kompozimet në art të artistit të famshëm Albertinelli, miq të Mikelanxhelos dhe figurave më të ndritura të Florences, që sjellin kontrastin e fortë të dritës dhe errësirës, ashtu më është ngjasuar historia e dy pronarëve të suksesshëm piktorit botëror Albertinelli dhe Iber Kelmendit nga Kosova.  

Çfarë historie magjepsëse.  Verën e vitit 2022 me bijën tone Valbona dhe dy vajzat e saj shkuam një turne në Itali në vendet më historike të përzgjedhura plot sqimë nga Valbona.  E pamundur të sjellësh artin, kulturën, historinë, pikturat, skulpturat, shkencën, epokat në këtë shkrim.  Unë do të ndalem në historinë e djalit që i iku zjarreve përzhitëse dhe flakëve përpirëse të genocidit serb.  Ai u dëbua nga policia dhe ushtria dhunuese serbe.

Pasi ishim rehatuar në hotel shumë afër me qendrën e famshme “Duomo” pyesim hotelieren italiae nëse na rekomandonte për ndonjë restorant?  Rekomandimi i parë i zonjës simpatike italiane ishte restoranti “Tratoria Dell Penello”.  

Kur ne u ulëm në një nga restorantet më historike dhe më të vjetra të qytetit Florence i cili ishte restoranti ngjitur me hotelin tonë dhe që i ndante vetëm një mur antik, përpara nesh u shfaq një fytyrë djali ëngjëllor, zeshkan dhe me sy të thellë dhe të zgjuar.  Ndërsa përballë nesh ishte piktura e famshme me Mikelanxhelon, Mariotto Albertinelli njerëz me shumë fuqi në qytet.  Kurse përbri dhe kudo ishte piktura e Dante Aligierit.  Fillova t’i shpjegoja Deas dhe Emmës rreth Dante Aligierit, babai i gjuhës italiane i cili kishte lindur pikëisht këtu në Firence në këtë rrugë që mban emrin e tij.  Ja do ta vizitojmë shtëpinë muze të Dantes tha Valbona pasi të drekojmë këtu, është vetëm një minutë. 

Dantja është autori i Komedisë Hyjnore (Divina Commedia), e cila merret si kryevepër, e letërsisë e të gjitha kohrave.  E shihja Danten në pikturë këtë autor të jashtëzakonshem të të gjitha kohrave dhe në mendje më vinte poezia e famshme e tij për gruan përkthyer nga shkrimtari disident, Arshi Pipa si: Aq fisnike tregohet zonja ime/ Aq e hijshme kur botës i përfalet/ Sa gjuha dridhet, belbëzon e ndalet/ Dhe sytë thue nuk guxojn me i hjedhë shikime/ E stolisun me hire përvujtnie/ Kalon ajo prej lavdesh e përcjellun/ Dhe ngjan diçka prej qiellit vetë e sjellun/ Te bota jonë për shembull mrekullie/ Aq e këndshme ajo e pamjes i fanitet/ sa sytë dikojnë te zemra nji gazmend/qi kush s’e ndien nuk mund t’a marrë me mend/ Dhe duket se nga buza e saj pa pra/ Ambël nji frymë dashurie rrezitet/ qi shpirtit shkon tu’i pëshpëritun: Fshaj!

Dante Alighieri vinte tek kjo dhomë drekonte dhe shkruante këtu tha djaloshi në shqip veshur me kostumin e kamarierit. Në fakt, legjenda thotë, se një pjesë e restorantit tonë i përkiste familjes së poetit të madh.  Çfarë gezimi dhe kënaqësie patëm të gjithë, kur ai foli shqip!  Një dritëz dhe më e qartë pushtoi zemrat tona nga ato dritëzat e piktorëve më të mëdhenj që ka nxjerrë koha në këtë qytet si Florence që dikur quhej kryeqyteti ose kryeqendra e Europës për artin.  

Natyrshëm kurioziteti ynë ishte i madh.  Pas pyetjeve rreth pikturave në mur, lugët e argjendta, shishet e verës, ibriket, kupat e verës të gjitha të ruajtura perfekt që nga shekulli i pesëmbedhjetë marrim vesh se djali ishte pronar i këtij restoranti.  Çfarë suksesi thashë!  

Unë vazhdoi Iberi kam ardhur djalë i ri këtu në Itali, ika nga bombat, përdhunimet, vrasjet, tmerret nga ushtria naziste serbe.  Une vi nga Drenica, nga komuna e Skënderajt.  Çfarë koicidence i thashë, ne me Qemalin sapo kemi ardhur nga vizita në Kompleksin “Adem Jashari”, Kosovë.  Dhe ja tani kemi një bir të Drenicës heroike që ka pushtuar Firencen dhe ka në pronësi një nga restorantet më historike, më antike me pronar të pare piktorin e famshëm italian Mariotto Albertinelli.  

Shumë emocione u krijuan midis nesh.  Ju solli Zoti tha Iberi pranë nesh dhe të bisedojmë si vëllezër dhe motra së bashku.  Nuk ka qenë e lehtë vazhdoi Iberi, por po punojmë që ta mbajmë në atë lartësi të emrit që ka ky restorant.   Kam shumë djem dhe vajza shqiptare në ekipin tim të cilët klientët tanë i respetkojnë dhe i çmojnë.  Pronësia dhe jeta aktive në Firence me siguri i sjellë Iberit të Drenicës një karrierë të shpejtë dhe të suksesshme.

Dy dhomat e ngushta të ngrënies të “Trattoria del Pennello” janë të ndritshme dhe të gëzueshme me mure të bardha të theksuara me artin modern nga piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli.  Asnjë gjë nuk ndryshojmë vazhdoi Iberi, gjithçka duhet të ruhet me kujdes, kulturë ashtu sic kanë qenë shekuj më parë.  Sa shumë po mësojnë këta djem mendoja me vehte nga kultura e Firenzes që është një pasuri botërore.  Dy te tretat e pasurisë botëore që ruhen nga UNESCO ndodhen ne Itali, ngase ky shtet në art, kulturë, letërsi, histori i ka dhënë shumë njerëzimit.

Këta piktorë jetuan gjatë Rilindjes Evropiane, e cila lindi titanë të vërtetë botëror.

Restoranti kishte dritare të mëdha me fotografi që lejonin fasha drite. Ka gjithashtu një oborr me arkitekturë spanjolle të bukur në natyrë. Menutë ofrojnë të gjitha një përzgjedhje te shijshme te ushqimeve klasike fiorentine si spageti carrettiera, një e preferuar shumëvjeçare me domate të skuqura dhe spec djegës. Ose baccalà alla livornese (merluci klasik i kripës i zier në salcën e domates, biftek me fileto me feta të veshur me djathë parmixhano, pak balsamic janë po aq të kënaqshme.

Pikturat kryesore të Albertinellit janë në Firence, veçanërisht kryevepra e tij, “Vizita e Virgjëreshës” (1503; Uffizi). Stili i tij, i ngjashëm me atë të Fra Bartolommeo, karakterizohet nga dinjiteti dhe monumentaliteti i thjeshtë dhe tregon veçanërisht ndikimin e Leonardo Da Vinçit në figurat e tij aristokratike, të buzëqeshura, kompozimet intime dhe kontrastin e fortë të dritës dhe errësirës. 

Artistët e Rilindjes dhe të famshëm si Michelangelo, Andrea del Sarto, Benvenuto Cellini frekuentonin restorantin tone thotë me krenari Iberi.

Piktura e shekullit të nëntëmbëdhjetë që mbahet në muret tona është bërë nga Egizio Sarri dhe përfaqëson Mariotto Albertinelli, pronari i parë i restorantit, pikërisht brenda dhomës ku ekspozohet piktura.

Ne takuam shumë shqiptarë, pronarë biznesesh në Firence.  

Ishte krenari që shqiptarët kishin ”pushtuar” qendrën e Firenzes” me bizneset e tyre dhe për ne ishte një përvojë jo e zakonshme, në “Trattoria del Pennello” që do të mbetet e paharrueshme dhe frymëzuese.

Nuk jam e sigurtë se çfarë pikture do të realizonte Mariotto Albertinelli në se do të kishte takuar Iberin e Drenicës së Kosovës në këto kohra, por jam me se e sigurtë se do të frymëzohej nga historia e dhimbshme e Iberit. Në mendjen time imagjinoja se pikturën që do të realizonte për djalin e dëbuar nga bisha serbe do të trondiste kancelaritë e botës dhe ligjërisht lufta naziste e serbëve kundër popullit autokton të Kosovës do të shpallej genocid. 

Për ne ishte nje dite shumë frymezuese, një përvojë jo e zakonshme, të ulur në një tryezë në “Trattoria del Pennello”, në atë vend që dikur sipas legjendës ishte “Casa di Dante autentike”, që tani e zotëronte djali i Drenicës dhe e frekuentonin shumë shqiptarë.

2 Shkurt, 2023

New York, USA

Filed Under: Kulture

ULLMAR QVICK DHE HAMDI ORUÇI  KUNDËRSHTAR NË MENDIME DHE MIQ TË  NGUSHTË

February 1, 2023 by s p

Idriz Lamaj/

Vitin e kaluar u festua me pompozitet 50 Vjetori i Gjuhës Njësuar. Sjellja e një shkrimi të shkurtë nga Jozef Radi në rrjetin e shkrimeve Radi and Radi, të shkruar nga Ullmar Qvick me titull: “Gjuha e njësuar nuk është tempull”, më këtheu në kujtesën e një korrespondence të vjetër midis tij dhe të ndjerit Dr. Hamdi Oruçi. Thjeshtësia në shkrim dhe modestia në sjellje e këtij albanologu të njohur Suedez, shifet që në paragrafin e parë të shkrimit të tij mbi gjuhën e njësuar: 

“Me ndrojtje po shkruaj këtë tekst, së pari jam i huaj dhe vetëm sherbtor modest i gjuhës shqipe, së dyti është koha e festës së paqes, së treti është temë delikate. Dua të kontestoj disa norma gjuhësore, të cilat duhet të diskutohen deri te ndryshimi.” Dhe në disa fjali të tjera tregohet modestia e tij, si psh: “…tani disa i kanë shkruar kryeministrit se gjuha e njësuar është Kushtetutë. Kjo me duket qëndrim regresiv, sikur shtëpia pas 50 vitesh nuk do të kishte nevojë për riparim…”, etj. Urtësia i këtij studiuesi me provoj të gjatë e njohuri të gjëra në fushën e sutdimeve albanologjike, shihet edhe në korrespondencën e tij me Dr. Hamdi Oruçin, shkruar afër 50-të vjet më parë. 

  Ullmar Qvick, dy-tre dakadatë e funditë, është figurë e njohur në Shqipëri e në Kosovë, si në qarqet e studiuesve poashtu edhe në masat e gjera të lexuesëve. Ai është vlerësuar lartë për kontributin e tij në fushën e albanologjisë, dhe për ndikimin e dukshëm në lidhjen e miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij suedez. Me qenë se lexuesitë e gazetës “Dielli”, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shumë pak të njohur me këtë përsonalitet të shquar dhe mik të sinqertë të shqiptarëve, sjellim një përmbledhje të shkurtë biografike të tij. Suedezi Ullmar Qvick, albanolog dhe mik i respektuar i shqiptarëve, për mëse gjashtë dekada i kushtoi miqësisë suedezo-shqiptare një dedikim të veçantë dhe u bë lidhës i hekurtë midis dy kombeve. Ai lindi me 13 qershor 1934 në Kristinehamn, qytet i njohur në perendim të Stokholmit. Rrjedh nga një familje e thjeshtë puntore. Studimet e larta i mbaroi në Karlstad, dhe në Universitetin e Uppsalës në Fakultetin mbi Njohuritë e Shteteve Lindore. Mbaroi shkollën e lartë pedagogjike për anglisht në Vasteras, dhe është njohës i shkelqyer i gjuhëve anglisht, frengjisht, gjermanisht dhe shqip. Është përkthyes, gjuhëtar, redaktues, shkrimtar, muzikolog, antropolog, dhe albanolog i respektuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas korrespndencës së tij me Dr. Hamdi Oruçin, Qvick merret me çështjet e gjuhës dhe kulturës shqiptare, që në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Në letërkembimin e tyre (një dosje 72 faqesh), duket se korrespondenca midis tij dhe Dr. Oruçi ka filluar në janar të vitit 1970-të. Në një letër  tre faqesh (12 korrik, 1973) Qvick i shkruan Oruçit gjersishtë mbi familjen e tij, dhe ndikimin e tij dhe të  familjes të thjeshtë, në  një lloj komunizmi të butë të kuptimit suedez. Ai shkruan si është dashuruar me Shqipërinë e shqiptarët duke dëgjuar këngë shkodrane në Radio Tiranën, në dialektin e gegërisht, dhe se si, nga ato këngë, i është ngulitur dashuria për dialektin e gegërishtes. Në tre letra të vitit 1973, Qvick i shkruan Oruçit në hollësi për krijimin e Shoqatës të Miqësisë Shqipëri-Suedi. Siç dihet, gjatë sundimit komunist, disa vende “asnjanëse demokratike” krijuan shoqata miqësie me shtetet komuniste Europiano-lindore, ku përfshihej edhe Shqipëria megjithëse sundohej nga një regjim i egër stalinist. Natyrishtë, ato shoqata duhej te vepronin sipas interesave politike të shteti komunist shqiptar. Lidhur me këtë çështje, Ullmar Qvick duket shumë i sinqert ndaj mikut tij nacionalist në mërgim. Ai i shkruan Dr. Oruçit me 12 maj, 1974: 

       “… Në Shqipëri kemi të bëjmë me një rreth të ngushtë partiak që ka në duar jetën e vendit. Zhvillimi është vendosur sipas ideologjisë komuniste, më mirë t’a cilësojmë si leniniste-staliniste, sepse në Bashkimin Sovjetik është lindur dhe rritur degjenerimi i pushtetit partiak, anti-popullor, prapa maskës së “diktaturës së proletariatit”, me të ashtuquajturit “përfaqësues të kalsës puntore” në krye! Klasa punëtore paska nevoj për “përfaqësues”. Borgjezia, nga e cila buron Enver Hoxha, s’ka një nevoj të tillë. Këto janë mendimet e mija si socialist demokratik, anti doktrinar…” , etj. 

Në të njëjtën letër Ullmar shkruan: “…mund të pohojmë se zakonet e prapambetura duhet të luftohen, po, por shumica e zakoneve sipas Kanunit të Maleve, kanë qenë kurrizi i shqiptarit: burrnia, besa, nderi. Si mund të luftohen sot këto dhe të cilësohen si  zakone të prapambetura”.  Ullmar, në të njëjtën letër shkruan: “… gjendja e letërsisë shqipe është një vërtetim se si ia mungon lirinë e fajës shkrimtarit shqiptar. Për këtë kam shkruar me pseudonimin Ujk Mali në botimin e fundit të revistës Koha e Jonë...”. Në letër kuptohet se Dr. Oruçi e kishte e inkurajuar dhe këshilluar me kohë të shkruante vetëm me pseudonim në shtypin e mërgatës nacionaliste shqiptare, dhe të ishte vigjilent gjatë vizitave të tij në Shqipëri. Sipas një letre tjetër (16 mars, 1973), Ullmar Qvick vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1970-të. Në këtë letër 6 faqesh ai i shkruan Oruçit:  

“…Herën tjetër do t’ju tregoj diçka edhe më gjërsishtë mbi vizitën  që bëra në Shqipëri në vitin 1970-të. Përshtypjet janë të shumta, ju lutëm të më shkruani çfarë doni të dini. Kam biseduar me njerëz nga të gjitha shtresat e popullësisë, nga ana tjetër s’kam kërkuar të dhëna “të koklavitura”. Kam vizituar qytetet Durrës, Tiranë, Berat, Fier e Elbasan, të gjitha në grup., dhe Kavajen në mënyrë klandestine! Kam vallëzuar mbi gjuhën e ujkut… Mora një përvojë të vlefshme, interesante. Vetëm më tregoni çfarë hollësirash kërkoni të dini...”. 

      Me 19 maj 1974, Hamdi Oruçi i dërgon një letër katër faqesh dhe  vlerëson lartë shkrimin e gjuhës shqipe nga ana e tij:  

“… Mbeta i habitun me shprehjet e bukura të gjuhës shqipe që Ju përdorni. Unë kam le në Shkodër dhe të gjithë shkollat i kam  mbarue në Tiranë ku si profesor të shqipes kam pas Aleksandër Xhuvanin, Henrik Lacaj, Eqrem Çabej, etj., dhe jamë i bindun se Ju e njihni gjuhën shqipe ma mirë se unë. E u a kam zili, por Ju përgëzoj me gjithë zermër. Me duket se disa vjet ma parë kam lexue nji letër të Juej dërgue gazetës “Liria” e Bostonit, ku tregojshe edhe atje se gjuhën shqipe e keni mësue tue ndigjue Radio Tiranën e natyrisht tue lexue libra shqip. E shtoi unë, edhe tue u shoqnue me miqë shqiptarë. Njohja e gjuhës shqipe dhe dashnia që ushqeni për Shqipnin e për Kombin Shqiptar, me ban krenar dhe përsëri u a them  në veshët se ua kam zili…”. Dhe vazhdon më tej:

“ Kam pasë fatin e mirë të njoh si Fishtën dhe Koliqin: Të dytin e kam pas edhe mik se ai bashkë me të ndjerët prof. Karl Gurakuqin dhe prof. Rosolin Petrotten, qenë shkaktarë të dhanjes së bursës së vazhdimit studimeve të mija që i pata fillue në Vjenë ti kryejshe në Palermë, ku mora larin akademnik të doktorit, që sot me vlen të mbaj familjen e të baj nji jetë të qetë. Të parin, Fishten e madh, e njohta në Shkodër se ai shkonte shpesh te nji kushëri i im, Caf Kërniqi, tregtar në rrugën 28 Nanduer, dhe shpesh më ka dhanë nga nji gjysëm Korone e e mbaj mend se më dha vetëm nji herë nji Koronë për të ble dordullma (gelato). Në ato kohna deri me 1940 Korona të Austro – Hungarisë dhe Paret e Groshët e Turqis Osmane si pare sermi qarkullojshin ligjshëm në Shkodër, qytet ku unë linda. Fishta bisedonte me mue në serbo-kroatishte, se unë gjysmën e shkollës fillore e kam krye në Cetinje të Malit të Zi, se atje banonte im atë si tregëtar e si i arratisun e kundërshtar i Zogut. Na të gjithë u këthyem në Tiranë, familjarisht, me 1931 dhe unë mbarova edhe filloren dhe Liceun e Shtetit  në Tiranë me 1942 dhe si mësues të shqipes pata Aleksandër Xhuvanin, Frano Alkaj, Henrik Lacaj dhe Eqrem Çabej e Namik Resulin, etj.”. Edhe Ullmar i shkruan Hamdiut në detaje për prindët, femininë, shkollimin, familjen dhe punën e tij të pandërprerë në Suedi.

Këta dy miq të ngushtë me mendime të ndryshme ideologjike, të shprehura qartë në këtë korespondencë, e bëjnë lexuesin të mendohet thellë mbi njohurit e tyre të gjithanëshme studiuese dhe karakterin dhe  e tyre të lartë njërzorë.  Me 6 dhjetor, 1974 Ullmar i shkruan Hamdiut: “…Unë si socialist me pikëpamje demokratike antidoktrinare, demokracia amerikane nuk me pëlqen, me duket një lloj demokracie kapitaliste që ka nevoj për një revolucion në Amerikë.” Ndërkaq, Hamdiu i përgjegjet shpjetë dhe ashpër në letrën që vijon: 

“Ndalu o qytetar  Qvick, mos u nxito.  Nxitimi nuk ka zgjidhë asnji mosmarrëveshtje, e problem të kohës.  Lufta e çdo ane nuk ka zgjidhë  asnji mosmarrëveshtje, e kundërta e saj  asht e vërtetë.  Revolucioni posë se ka mbytë vehten në gjak, dhe posë librave të hisstorisë, nuk  ka plotësue asgja. Revolucioni asht ai që përmbush shumë sende. Lufta civile në USA nuk përmbushi asgja. Revolucioni në Shqipni nuk përmbushi asgja përveç i tha nji klase ulu dhe u ngritë nji tjetër klasë.  Ja Suedia e Juej, nuk bani asnji luftë tash sa shekuj dhe nuk ngjau asnji rovolucijon, por asht në forfront të përparimit, ashtu siç asht Norvegjia e Danimarka, ani se në Danimarkë vetëvrasja asht kronike e patalogjike, por në të tre shtetet me popull të shendosh sundohen nga nji mbret që mbretnon dhe drejtohen nga nji qeveri që zgjidhet nga populli. Çfarë fitimi pati populli rus i shkretë? Ose ai kinez? Çfarë solli lufta e Koresë Veriut e asjo e Vietnamit? Asgj, humbje jete nga të dy anët. Pra, qytetar Ullmar ndaloje çapin, hec ma ngadalë e mos akuzo  menjiherë njerzit, mos akuzo Amerikën, e qeverinë e saj e popullin e sajë.” (Letër e Dr. Oruçit, 22 dhjetor, 1974). 

Me 11 janar, 1975, Qvick  i shkruan Oruçit një letër pesë faqesh  lidhur me përshtypjet e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Në letër shihet edhe reagimi ndaj letërs që i kishte dërguar Oruçi, për qendrimin e tij ndaj demokracisë kapitaliste amerikane. Ullmar shkruan ndër të tjera: 

“…Kam përshtypje të bukura nga Shqipëria, krahasimet  me vizitën e parë dhe me vizitën në Kosovë janë të favorshme. Por s’do të shkruaj për këtë, sepse si anti-komunist i bindur do të mërzitesh, dhe më mirë të kemi harmoni në letërkembimin tonë, apo jo? Kush ka një botëkuptim ose një   mendim, atë e mbron, dhe ti je për sistemin e Amerikës, ndërsa unë kam një mendim tjetër.” 

Në letrën e 16 gushtit, 1978, Ullmar i shkruan mikut të tij se i kishte sjell dhuratën e kërkuar nga Shqipëria. Hamdiu i kishte kërkaur Ullmarit ti sjellte nga vendlindja një NJË GURSHT DHE DHE DY-TRE GURË, që, kur të mbyllte sytë në mërgim, dheun dhe gurët e vendlindjes të hidheshin mbi trupin e tij. Suedezi, mik besnik i shkruan shqiptarit të mërguar:

“…Gurishte e Dhe nga rrethi i Shkodrës e nga Tirana i kam sjellur dhe ti dërgoj me pako. Mbledha edhe disa lule por ato u prishen gjatë udhtimit. Jam përsëri në Suedi, por në zemër kam mall për Shqipërinë…” Ai e mbyll letrën me përshtypjen e tij për atdheun e Hamdi Oruçit: “…Kujtoj fytyratë e qeshura, optimiste, këngët që kenduam së bashku, bisedime me njerëz që takova gjatë ekzkursioneve dhe rastësisht, natyrën e bukur me fushat plot gjelbrim dhe malet madhështore. Këto nuk harrohen. Me përshendetje miqësore, Ullmar !…”.  

Tani sjellim për lexuesit e Diellit një shenim të shkurtë biografik për studiuesin e veçantë të mërgatës politike shqiptare, i cili për më shumë se tre dekada mbuloi faqet e shtypit nacionalist shqiptar me shkrime profesionale të degëve më të ndryshme. Po të mblidhen shkrimet e Hamdi Oruçit të botuara në revistatë Shejzat dhe Koha e Jonë, dhe në gazetat Shqiptari i lirë dhe Dielli, do të përbënin disa vëllime voluminoze.  

Dr. Hamdi H. Oruçi lindi në Shkodër me 1 mars, 1923. Mbaroj Lyceun e Shtetit në Tiranë me 1942. Vazhdoi mësimet mjekësore në Vjenë e në Graz të Austrisë dhe mbaroi doktoratën e mjekësisë në Itali me 1953.  Sherbeu në Institutin  “Farlanin” të Romës dhe u diplomua në sëmundjet e mushkërive me 1955. Erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1955 dhe menjëherë u antarësua në Federatën “Vatra”, në vitin 1956. Ishte kryetar i kremtimeve vatrane për 60 Vjetorin e  gazetës “Dielli” dhe kryetar i Seminarit Ndërkombëtar që u mbajt në New York me 27-29 Nëntor 1969. Me 1970 botoi librin me kumtesa shkencore: “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare Vatra”, në dy gjuhë. Ishte një prej përsonaliteteve më të shquara në përpjekjet kulturore shqiptaaro -amerikane, antar i shumë akademive mjekësore e kulturore në SHBA dhe në Europë, themelues dhe kryetar i “Klubit Republikan Shqiptaro-Amerikan”. Ai ishte ftuar disa herë në Kongesin Amerikan, në Shtëpi të Bardhë dhe në ministrinë e Jashtme amerikane  në Washington, për çështje shqiptare. Ushtroi profesionin e mjekësisë në Long Island të New Yorkut. Ishte i martuar me zonjen Lumto Oruçi, lindur Kokalari, dhe la tre fëmijë, Dianën, Eduardin dhe Shpresën. Hamdi Oruçi ndrroi jetë 10 dhjetor, 2001. Familja dhe miqët e ngushtë hodhën në varrin e tij dheun dhe gurët e Shqipërisë. 

Miqësia e ngushtë dhe ndryshimi i bindjeve ideologjike midis Ullmar Qvick dhe Hamdi Oruçit shihet qartë në letrat e tyre. Ato letra kanë vlerë për studiuesit e historisë, letërsisë, folklorit, gjuhësisë, muzikës dhe artit. Sa i përket gjuhës  njërsuar, Ullmar mban qendrim të urtë me bindje se gjatë dekadave, Gjuha e Sotme e Njësuar do të gëlltitet nga dialekti i gegërishtes, për të cilin dialekt ai shpreh një dashuri të veçantë. Ndërkaq, Hamdiu mbi këtë çështje mban qendrim të ashpër, duke e cilësuar gjuhën e njësuar si fushatë brutale ndaj gegërishtes nga rregjimit komunist dhe studiuesitë e Shqipërisë jugut. Ai në atë fushatë përjashton vetëm Prof. Eqrem Çabejn. 

Ullmar Qvick dhe Dr. Hamdi Oruçi mund të kenë këmbyer letra para dhe pas viteve 70-të.  Në letratë që kam shfletuar, 72 faqe të viteve 1972-1979, nuk shihet nëse kanë këmbyer letra në përiudha tjera, ose janë takuar me njëri-tjetrin. 

Shenim i redaksisë: 

Para dy vitesh, zonja Lumto Oruçi, i dhuroi z. Idriz Lamaj, mikut të ngushtë të Hamdi Oruçit, korrespondencën e pasur të bashkëshortit të saj. Në këtë korrespondencë shihet se Dr. Oruçi kishte letërkembim të shpeshtë me përsonalitete të njohura si: Mustafa Kruja, Ernest Koliqn, Martin Camaj, Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Dom. Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Nexhat Peshkëpia, Vasil Gërmenji, Dom. Vinçenc Malaj, Zef Nekaj, Safete Juka, Anesti Andrea, Lec Shllaku, Adalbert Fekeçi, tij. Zonja Oruçi i ka dhuruar Bibliotekës të Vatrës një pjesë të bibliotekës të Dr. Oruçit. Ndërkaq, katër-pes vitet e fundit,  z. Lamaj, përveç shumë dokumentave, revistave dhe gazetave me vlerë të rrallë, i dhuroi Bibliotekës të Vatrës mijëra kopje lbrash të bibliotekës së tij. I ndjeri Dapip Greca ka shenuar në gazetën  Dielli për këto dhurata tepër të vlefshme. Vitin e kaluar z. Lamaj i dhuroi Bibliotekës të Vatrës edhe 15 kutia tjera me libra.

Filed Under: Kulture Tagged With: Idriz Lamaj

Poezi nga Arjana Fetahu Gaba, Nju Xhersi

January 31, 2023 by s p

S’DO TË ZGJASË SHUMË, TË PREMTOJ

Diç të mundon e kërkon ta fshehësh,

Por, sytë disi të tradhëtojnë,

Ata përpëliten në lotët e nxehtë,

E s’mund të durojnë.

Në ke vështirë të më tregosh,

Dhe frikë nga një e qarë,

Unë të tregoj që pas një reje,

Gjithmonë ylberin e kam parë.

S’do të zgjasë shumë të premtoj,

As ky trishtim s’e ka të gjatë,

Të shohësh diellin kur lind si dritë,

Do të thotë vërtetë të jesh me fat.

Unë të tregoj që gjithmonë dimri,

S’ka vend të rrijë, ndaj nis e shkon,

Pranvera nis e fillon ca puthje,

Ku vetëm shpirti t’i kupton.

Pastaj flladet që shpërndan prilli,

Trupin ta kthejnë të lehtë në gjeth,

Plot trille i ka dhe përkëdheljet,

Sa gati gati të rrënqeth.

Unë të tregoj që asaj udhe të blertë,

Ka vetëm ëngjëj nëpër erë,

Ata rrinë fshehur midis trungjesh,

Por janë aty, me ty përherë.

Arjana Fetahu Gaba,

January, 2023

Nuk jam më si më parë,

Nuk jam më si më parë,

Kur t’kërkoja ku nuk ishe,

Nuk jam më si më parë,

Kur nuk dija që s’me kishe.

Nuk jam më si më parë,

Tani marr frymë për veten time,

Dikur humbur errësirash,

Dhe nuk shihja gabime.

Nuk jam më si më parë,

Kur mbytesha pa ty,

Kur vdisja e marrosur,

Për ata dy sy.

O Zot të falem me shpirt

Tash veten e kam gjetur,

S’do isha zgjuar kurrë,

Do t’isha shpirt i vdekur.

Arjana Fetahu Gaba,

January 2023

A ka, a s’ka perëndi?!

Ti moj qeveri pa anë,

As ke din as ke iman,

Plot me shpresë të brohoritëm ,

Sikur Zot ashtu të pritëm,

Me dy gishta sytë i qitëm.

Kishim mbetur të paparë,

Gjysma gjallë gjysma të vrarë,

Prap në krye vumë zuzarë.

Qetë të djallit ustallarë.

Kusarë përmbi kusarë.

Keni marrë ashtu më kot,

E na milni sikur lopë,

Badihava shitët këtë tokë,

Ne për ty bëmë gjoksin gropë,

Na dridhet buza nëpër lotë.

Ti moj qeveri pa anë,

As ke din as ke iman,

Këmbën ngjeshur na mban në fyt,

Nga zgavrat po na dalin sytë,

Dhe godet kush kokën nxjerr,

Plaga dhëmb sa shpirti therr.

Parlamentit rri gozhduar,

Gjuhën zbërthen si e tërbuar,

Me shtatë kokë e me shtatë duar,

Si kuçedra që rri zgjuar.

Dhe ne prap të dëshpëruar,

Mbetur si kandil i shuar.

Qaj nga “Shqipëria tjetër”,

S’vlej për ty as sa një letër,

Të gjithë ktyher nëpër mbretër,

Jam harruar si ka i vjetër,

Dru e plisa kam për shtretër.

Sa e vogël bëhet bota,

Kur të duhen të gjesh vota,

Më të pyetur ma gjen shtëpinë,

Më premton: “Të ngre çatinë”,

Dhe prap zhdukesh fundërrinë.

E, unë s’kam as forcë as zë,

Veshi fjalët nuk t’i nxë,

Më harron, gjithmonë më lë,

Fat këputur sikur pë,

Hallet ngjeshur një mbi një.

Gjithmonë kemi qenë të ndarë,

Ti je korbi hipur mbi trarë,

Unë purtek hedhur mbi zjarrë,

Poshtë më pret hapur një varrë,

Je një lum që më merr zvarrë.

Në shtëpizën pa çati,

Veç në mur një kryq i zi,

Bosh e nxira kusi,

Qan nën zë një fëmijë.

A ka, a s’ka perëndi?!

Filed Under: Kulture Tagged With: ARJANA FETAHU GABA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT