S’DO TË ZGJASË SHUMË, TË PREMTOJ
Diç të mundon e kërkon ta fshehësh,
Por, sytë disi të tradhëtojnë,
Ata përpëliten në lotët e nxehtë,
E s’mund të durojnë.
Në ke vështirë të më tregosh,
Dhe frikë nga një e qarë,
Unë të tregoj që pas një reje,
Gjithmonë ylberin e kam parë.
S’do të zgjasë shumë të premtoj,
As ky trishtim s’e ka të gjatë,
Të shohësh diellin kur lind si dritë,
Do të thotë vërtetë të jesh me fat.
Unë të tregoj që gjithmonë dimri,
S’ka vend të rrijë, ndaj nis e shkon,
Pranvera nis e fillon ca puthje,
Ku vetëm shpirti t’i kupton.
Pastaj flladet që shpërndan prilli,
Trupin ta kthejnë të lehtë në gjeth,
Plot trille i ka dhe përkëdheljet,
Sa gati gati të rrënqeth.
Unë të tregoj që asaj udhe të blertë,
Ka vetëm ëngjëj nëpër erë,
Ata rrinë fshehur midis trungjesh,
Por janë aty, me ty përherë.
Arjana Fetahu Gaba,
January, 2023
Nuk jam më si më parë,
Nuk jam më si më parë,
Kur t’kërkoja ku nuk ishe,
Nuk jam më si më parë,
Kur nuk dija që s’me kishe.
Nuk jam më si më parë,
Tani marr frymë për veten time,
Dikur humbur errësirash,
Dhe nuk shihja gabime.
Nuk jam më si më parë,
Kur mbytesha pa ty,
Kur vdisja e marrosur,
Për ata dy sy.
O Zot të falem me shpirt
Tash veten e kam gjetur,
S’do isha zgjuar kurrë,
Do t’isha shpirt i vdekur.
Arjana Fetahu Gaba,
January 2023
A ka, a s’ka perëndi?!
Ti moj qeveri pa anë,
As ke din as ke iman,
Plot me shpresë të brohoritëm ,
Sikur Zot ashtu të pritëm,
Me dy gishta sytë i qitëm.
Kishim mbetur të paparë,
Gjysma gjallë gjysma të vrarë,
Prap në krye vumë zuzarë.
Qetë të djallit ustallarë.
Kusarë përmbi kusarë.
Keni marrë ashtu më kot,
E na milni sikur lopë,
Badihava shitët këtë tokë,
Ne për ty bëmë gjoksin gropë,
Na dridhet buza nëpër lotë.
Ti moj qeveri pa anë,
As ke din as ke iman,
Këmbën ngjeshur na mban në fyt,
Nga zgavrat po na dalin sytë,
Dhe godet kush kokën nxjerr,
Plaga dhëmb sa shpirti therr.
Parlamentit rri gozhduar,
Gjuhën zbërthen si e tërbuar,
Me shtatë kokë e me shtatë duar,
Si kuçedra që rri zgjuar.
Dhe ne prap të dëshpëruar,
Mbetur si kandil i shuar.
Qaj nga “Shqipëria tjetër”,
S’vlej për ty as sa një letër,
Të gjithë ktyher nëpër mbretër,
Jam harruar si ka i vjetër,
Dru e plisa kam për shtretër.
Sa e vogël bëhet bota,
Kur të duhen të gjesh vota,
Më të pyetur ma gjen shtëpinë,
Më premton: “Të ngre çatinë”,
Dhe prap zhdukesh fundërrinë.
E, unë s’kam as forcë as zë,
Veshi fjalët nuk t’i nxë,
Më harron, gjithmonë më lë,
Fat këputur sikur pë,
Hallet ngjeshur një mbi një.
Gjithmonë kemi qenë të ndarë,
Ti je korbi hipur mbi trarë,
Unë purtek hedhur mbi zjarrë,
Poshtë më pret hapur një varrë,
Je një lum që më merr zvarrë.
Në shtëpizën pa çati,
Veç në mur një kryq i zi,
Bosh e nxira kusi,
Qan nën zë një fëmijë.
A ka, a s’ka perëndi?!