• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Creativity Between Two Worlds”

November 20, 2025 by s p

Join us for Creativity Between Two Worlds, a special panel featuring two distinguished artists whose creative journeys span Kosova and the United States. From books to film, stage to screen, they will share insights from their work across continents and the ways storytelling transforms when lived between cultures. Organized by the Harvard Albanian Students Association.

📍 Harvard University — Boylston Hall, Fong Auditorium

📅 Saturday, November 22, 2025

⏰ 2:00 PM EST

🎤 Moderator: Jonanda Shukarasi, Harvard Albanian Students Association

🔓 Open to the Public

Filed Under: Kulture

Të gjitha rrugët të çojnë në ART…

November 19, 2025 by s p

Lulzime Malaj/

U përurua ekspozita e dytë kolektive, e organizuar nga Shoqata “Laskarina Bubulina,” GDSH-Vlorë, ku pata kënaqësinë të marr pjesë me disa prej krijimeve të mia artistike. Krijimtaria ime figurative është ndërtuar mbi dy shtylla: imagjinatën si burim lirshmërie artistike, dhe frymëzimin që vjen nga natyra reale shqiptare, sidomos peizazhet e qytetit tim sa të bukur dhe historik, Vlora. Tablotë përfshijnë interpretime personale, ku ndjeshmëria estetike dhe kërkimi vizual shpalosen përmes dritës, ngjyrës dhe kompozicionit të peizazhit.

Në procesin krijues, ndërthur eksperiencën personale, kujtesën dhe meditimin vizual për të sjellë harmoni ngjyrash, ritëm sezonal dhe emocione të mbështetura mbi realitetin e natyrës. Peizazhet që ndërtoj janë dritare drejt botës së përjetuar dhe asaj të përfytyruar, kurse punimet nga Vlora përpiqem t’ju përçoj ndjesinë autentike që ofron ky qytet.

Detajet, marrëdhënia mes elementëve të veprës dhe pasuria kromatike ftojnë shikuesin në një udhëtim vizual, ku interpretimi mbetet gjithnjë i hapur. Në artin tim dominon dialogu mes thjeshtësisë natyrore dhe qartësisë teknike, ku çdo vepër është akt reflektimi dhe përjetimi.

Aktualisht jam duke punuar mbi një seri peizazhesh nga Vlora, me synimin për të reflektuar atmosferën, dritën dhe identitetin e këtij qyteti të magjishëm. Gjatë muajit nëntor, do të marr pjesë në dy aktivitete artistike kolektive, si dhe kam në plan projekte të reja për vitin 2026, që përfshijnë pjesëmarrje në iniciativa të reja, realizimin e cikleve të reja pikturash dhe bashkëpunime me artistë dhe institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto iniciativa i dedikohen thellimit të dialogut profesional dhe pasurimit të skenës artistike shqiptare.

Në përfundim, piktura për mua është një medium reflektimi dhe komunikimi, ku mesazhet dhe emocionet marrin kuptim të plotë në kontakt me perceptimin e kritikës dhe reagimet e publikut. Vlera e vërtetë e veprës qëndron në dialogun e saj me shikuesin dhe ndikimin që krijon në përvojën estetike të tij.

Filed Under: Kulture

Biblioteka Kombëtare e Rumanisë prezantoi veprat grafike të artistit shqiptar Gentian Zekës

November 16, 2025 by s p

Biblioteka Kombëtare e Rumanisë, në bashkëpunim me Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, zhvilloi të enjten, më 13 nëntor 2025, në orën 18:00, çeljen e ekspozitës së grafikës dhe vizatimit “Amprente și semne / Gjurmë dhe shenja”, të artistit të njohur shqiptar Gentian Zeka. Ekspozita u hap në sallën “Dealu Spirii” dhe u prit me interes të madh nga komuniteti kulturor, studiues, artistë dhe dashamirës të artit.

Në hapjen e aktivitetit përshëndeti parlamentari rumun dhe përfaqësuesi i pakicës së shqiptarëve të Rumanisë, Bogdan Alin Stoica, si dhe Dr. Radu Săvulescu, kryetar i ALAR-it, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit kulturor rumuno-shqiptar dhe mbështetjen e vazhdueshme për promovimin e krijuesve shqiptarë në Rumani. Gentian Zeka, i lindur në vitin 1957 në Pogradec, është një nga artistët më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Ekspozitat e tij janë paraqitur në Austri, Gjermani, Rumani, Maqedoninë e Veriut, Suedi, Shqipëri e gjetkë, ndërsa veprat e tij gjenden në koleksione private në SHBA, Angli, Francë, Australi, Itali, Rumani dhe shumë vende të tjera. Ai është vlerësuar me çmimet “Vangjush Mio” – Çmimi II (2006) dhe Çmimi I (2008), në kuadër të Konkursit Kombëtar të Arteve Pamore në Shqipëri.

Grafikat e Zekës janë bizhuteri formash, linjash, aluzionesh dhe sugjerimesh, të frymëzuara nga format e pasura të natyrës dhe të realizuara me një finesë, elegancë dhe hijeshi të veçantë. Në ekspozitën „Amprente și semne”, artisti eksploron shprehësinë e vijës dhe të formës, duke ofruar një udhëtim delikat e poetik në memorien vizuale dhe shpirtërore të njeriut bashkëkohor. Kritika e cilëson artin e tij si një “poezi të dritës”, ku estetika ndërthuret në mënyrë organike me reflektimin filozofik dhe dimensionin e brendshëm shpirtëror.

Në hapjen e ekspozitës morën fjalën edhe Luiza Emilia Persu, piktore, në emër të Unionit të Artistëve vizualë të Rumanisë, si dhe piktori Nicolae Ionescu, i cili ishte dhe kuratori i ekspozitës si dhe kritiku i artit Luan Topçiu, të cilët vlerësuan thellësinë konceptuale dhe origjinalitetin e shprehjes artistike të Zekës. Folësit vlerësuan piktorin dhe grafistin Gentian Zeka, si një mjeshtër i rrallë për rafinamentin, sqimën, elegancën, thellësinë e mesazhit, forcën krijuese, duke e quajtur një artist të madh bashkëkohor. Ekspozita u zhvillua në kuadër të edicionit të VII-të të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rumani, një program kulturor i organizuar nga Shoqata “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” (ALAR), që synon të forcojë dhe pasurojë dialogun kulturor mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Filed Under: Kulture

Yllësia e Musine Kokalarit në dritën e Uran Butkës

November 8, 2025 by s p

Nga Meliza Krasniqi

Instituti Albanologjik – Prishtinë/

Botimi më i ri i Uran Butkës, “Musine Kokalari – Një yllësi” (Vëllimi I, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2025), është vepër që tejkalon kufijtë e biografisë klasike dhe ndërtohet si monument i kujtesës dhe i vetëdijes kulturore shqiptare. Në këtë libër, Butka ndërthur metodën e historianit, intuitën narrative të biografit dhe reflektimin eseistik për të rindërtuar në mënyrë të plotë jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e Musine Kokalarit, njëherëit zëri i parë femëror që artikuloi me vetëdije kulturore e estetike përvojën e gruas shqiptare në letërsi. Libri nuk është monografi e rëndomtë por është përkujtim, apo më saktë, rikthim i ndërmarrë me rigorozitet shkencor dhe me sensibilitet të matur, që shenjon dhe përjetëson një fenomen të rëndësishëm kulturor e politik. Butka e sheh jetën e Musinesë si tekst që kërkon interpretim dhe arrin të artikuloj portretin e saj si grua, intelektuale dhe shkrimtare, si simbol i një kohe kur të menduarit ndryshe përbënte rrezik, por gjithashtu si projektim i asaj çka vetëdija shoqërore shqiptare mund të ishte.

Në planin e burimeve, vepra mbështetet te dokumenti arkivor, kujtesa familjare, letrat dhe dëshmitë, të cilat Butka nuk i trajton si fakte të thjeshta, por si elemente kuptimore që aktivizojnë një vështrim hermeneutik të Musinesë. Metoda e tij është empirike dhe interpretative. Faktet verifikohen me përpikëri, ndërsa interpretimi ruan tonin njerëzor që i jetëson dokumentet. Kështu, monografia qëndron në traditën e historiografisë narrative, ku fakti dhe rrëfimi krijojnë tërësi organike. Qëllimi i veprës nuk është debati teorik për hir të debatesh, por ndërtimi i një “arkivi të dytë” që i ofron lexuesit një panoramë të plotë të mjedisit familjar, kulturor dhe intelektual që formoi Musinenë. Butka e shtrin rrëfimin nga rrënjët e familjes Kokalari në Gjirokastër e deri te përndjekjet pasluftës, duke e paraqitur heroinën e tij si nyje lidhëse midis qytetërimit gjirokastrit dhe përpjekjeve për modernitet. Jeta e saj nuk lexohet vetëm si biografemë, por si shembull qëndrese dhe dinjitet i një vetëdijeje etike që refuzoi t’i nënshtrohej imponimit ideologjik.

Struktura e librit është kronologjike dhe sinkretike, e pa ndarë në kapituj të veçantë. Ngjarjet e jetës ndiqen në vijimësi, por shoqërohen nga një shtresë interpretimesh që lidhin pikat e nyjës. Kjo e bën tekstin të shumëzëshëm dhe të pasur në ton. Ritmi narrativ alternon mes dokumentit dhe reflektimit. Në disa segmente, Butka mban ton elegjiak dhe përkujtues, në të tjera shndërrohet në analist të formimit intelektual dhe të mjedisit kulturor të Gjirokastrës së viteve ’20–’30, duke e parë atë si vend ku Musineja ushqeu kureshtjen, përgjegjësinë qytetare dhe etikën e punës. Në këtë formim ndikuan shkollimi i gjyshit dhe i babait, prania e vëllezërve intelektualë dhe rrëfimet e dëgjuara që në fëmijëri nga nënoja plakë, një trashëgimi e gjallë kujtese dhe dijeje që më vonë e sprovoi në shkrim. Gjuha e autorit është e kujdesshme dhe e përmbajtur, me një stil që ngërthen saktësinë shkencore me lirizmin e matur. Përdorimi i kujtimeve, i letrave dhe i ditarit të saj të shkruar italisht gjatë studimeve, “Jeta ime universitare” i jep veprës dimension polifonik. Zëri i së kaluarës dialogon me vështrimin objektivizues të studiuesit bashkëkohor, duke e bërë rrëfimin autentik dhe të veçantë.

Ndërtimi i figurës së Musine Kokalarit nuk ndjek modelin e jetëshkrimit linear, por atë të prosedeut, ku kujtesa dhe reflektimi kulturor krijojnë profil të shumëfishtë. Ajo vendoset në qendër të një rrjeti marrëdhëniesh familjare, qytetare e shoqërore, që dëshmojnë formimin e saj në një traditë dijesh e përkushtimi ndaj kulturës. Butka vë në pah unitetin midis jetës dhe veprës, midis gruas që shkroi dhe asaj që veproi. Musineja del si figurë që e jeton shkrimin. Letërsia për të është mënyrë e të menduarit dhe mbijetesës shpirtërore. Që në kapitujt e parë, ajo shfaqet si shkrimtare moderne dhe si zë i vetëdijes qytetare. Ajo komunikonte dhe ndante ide me figura të kohës si Sotir Kolea, që për të ishte sikur babai i ideve dhe formimit kulturor, si edhe me Lasgush Poradecin, Mithat Frashërin e Ernest Koliqin, që ndanë me të të njëjtin ideal për kulturën dhe lirinë. Në këtë frymë ajo edhe shkroi temën e diplomës për Naim Frashërin, duke u lidhur me traditën e rilindasve dhe me idealin e humanizmit që e udhëhoqi gjithë jetën. Një profil që mungonte deri atëherë në kulturën shqiptare dhe që kërkoi guxim për t’u artikuluar.

Në këtë vijë, Butka ndalet te krijimtaria letrare e Musinesë, duke e lexuar atë si themelim të shkrimit femëror në Shqipëri. Formimi i saj në familjen Kokalari ku librat, arsimi dhe pavarësia shpirtërore ishin pjesë e përditshme e jetës, përkthehet në ndjeshmëri estetike që shfaqet qartë në tekstet e hershme. “Siç më thotë nënua plakë” (1939), “Rreth vatrës” (1944) dhe “…sa u tunt jeta” (1944) vendosen nga autori në një aks krijues që lëviz nga kujtesa familjare dhe rrëfimi gojor drejt diskursit modern, ku përvoja e gruas shqiptare zhvendoset nga margjina në qendër. Në këto libra, personazhet gra janë të ndjeshme por aktive. Ato flasin, mendojnë, marrin vendime, përballen me rregullat dhe i rishkruajnë përmes një etike të brendshme që kërkon drejtësi dhe dinjitet. Gjuha ruan autenticitetin e të folurit popullor, por fiton edhe elasticitet estetik që e afron me prozën evropiane të fillimshekullit XX. Butka i lexon të tria veprat si shprehje të vetëdijes estetike të Musinesë.

Në interpretimin e Butkës, kjo praktikë e të shkruarit përbën një formë të hershme të “feminizmit kulturor” shqiptar, jo të shprehur përmes retorikës ideologjike, por përmes natyrshmërisë së rrëfimit, thjeshtësisë së figurave dhe intensitetit etik të situatave. Autori vëren ndikimet e klasikëve evropianë, atë të Dikensit, De Amiçit, Balzakut, të pranishëm si horizonte leximi dhe si shprehje e një letërsie që synon ndërgjegjësim moral dhe rregullim shoqëror. Musineja, pa e humbur kurrë rrënjën lokale, e përthithi këtë frymë evropiane dhe e përktheu në diskurs që, edhe kur flet për vatrën, dasmën, nënën dhe vajzën, ngre pyetje universale mbi kuptimin e jetës së gruas, marrëdhëniet ndër njerëzorë dhe ndryshimet shpirtërore.

Një aspekt thelbësor i librit qëndron në faktin se ai nuk kufizohet te Musineja si shkrimtare, por e ndjek edhe si aktere të jetës publike. Butka shtron pyetjen esenciale: çfarë e shtyu shkrimtaren të bëhet politikane? Përgjigjja vjen nga plani historik dhe nga natyra e personalitetit të saj. Pushtimi italian, përçarjet ideologjike, frakturat e shoqërisë shqiptare dhe besimi i saj i palëkundur se liria politike është e pandarë nga liria shpirtërore e shtyjnë Musinenë të përfshihet në rezistencën antifashiste. Ajo boton revistën “Gruaja shqiptare” dhe editorialin “Dy fjalë” nën pseudonimin “Tacita” ku bën thirrje për bashkim, “për lirinë e vendit dhe për lirinë e tyre”. Butka e ndjek më tej themelimin e Partisë Socialdemokrate (1944), të konceptuar nga Musineja si “rrugë e mesme” midis ekstremizmave, me synim drejtësinë shoqërore dhe pluralizmin. Shkrimet e saj te “Zëri i Lirisë” dhe “Gruaja shqiptare” dëshmojnë një vetëdije subjektivizuese dhe qytetare: mbrojtjen e individit, besimin te arsimi, respektin për ligjin dhe debatin si themel të kontratës shoqërore. Në pjesët më dramatike të librit, Musineja përshkruhet si figurë tragjike, e cila nga themeluese partie u bë e burgosur politike, nga intelektuale e lirë, u shndërrua, përmes heshtjes së imponuar, në zë të vetëdijes. Ajo refuzoi autokritikën, ruajti dinjitetin dhe, përmes qëndresës, u bë shenjë e moralit të pandryshueshëm. Letërkëmbimi i saj me familjarët dhe miqtë, të sjellë në libër, e përforcon këtë profil: “Njeriu jeton përmes idealeve, jo përmes frikës.” Këtu, Butka është i kujdesshëm të mos e estetizojë vuajtjen. Dhe në këtë pikë ajo trajtohet si kosto e lirisë, e jo si retorikë. Si sprovë etike, jo si spektakël emocional.

Libri ka edhe një funksion memorial sepse e rikthen figurën e Musinesë në kujtesën kulturore shqiptare, dhe kjo behët jo me ton apologjetik por si rivendosje, duke i dhënë lexuesit një imazh të plotë të saj si shkrimtare dhe si njeri që e përjetëson historinë si mision moral. Në këtë rrafsh, “Një yllësi” është libër për Musinenë dhe vetëdijen e saj, gjë që në kulturat e vogla shpesh mbetet e brishtë, por fiton qëndrueshmëri kur figurat e së kaluarës rishkruhen me kujdes dhe me integritet.

Kontributi i monografisë së Butkës është i trefishtë. Së pari, pasuria e burimeve dokumentare, sidomos atyre të pabotuara, që ndihmojnë në rindërtimin e biografisë së saktë të Musinesë dhe të mjedisit kulturor të kohës së saj. Së dyti, qartësia narrative dhe aftësia për ta shndërruar dokumentin në narracion, pa e humbur normën e objektivitetit dhe pa e rënduar me zbukurime stilistike. Së treti, shtrirja e materialit, e cila e bën veprën referencë të domosdoshme për studimet mbi Musine Kokalarin dhe letërsinë e grave shqiptare. Kufiri i vetëm që vihet re, dhe që autori duket se e pranon si zgjedhje, është diskutimi mbi konceptin e autores ose të letrarësisë së saj. Butka, fokusin e mban te dimensioni historik dhe social i figurës, duke lënë të hapur shtegun për studime të tjera estetike që mund të hetojnë, poetikën e shkrimit të Musinesë.

Në përfundim, “Musine Kokalari – Një yllësi” ndërton portretin e dyfishtë të Musinesë si shkrimtare e lirisë dhe si dëshmitare e vetëdijes politike. Në planin estetik, ajo shfaqet si pararendëse e letërsisë së grave shqiptare, me sensibilitet që ndërthur traditën me modernitetin. Ndërsa në aspektin moral e politik, si figurë që guxoi të mendonte ndryshe dhe të qëndronte e lirë përballë dhunës së ideologjisë. Për Uran Butkën, Musineja nuk është subjekt historie, por simbol i kapërcimit të kufijve midis artit dhe veprimit, midis fjalës dhe sakrificës. Ajo qe krijuese që e mbrojti lirinë përmes shkrimit dhe qytetare që pagoi me jetën e saj publike çmimin e bindjes demokratike. Monografia, dëshmon se fjala është më e fortë se burgu dhe se liria e mendimit mbijeton përmes kujtesës së artikuluar. Në këtë kuptim, “Një yllësi” dëfton se fjala e lirë është vetëdija më e lartë e njeriut.

Filed Under: Kulture

Kush ishte Juliette Drouet, gruaja që sakrifikoi gjithçka për një burrë të madh si Victor Hugo

November 6, 2025 by s p

Ajo nuk ishte e denjë ndoshta për një burrë të madh si Victor Hugo, por ishte një nga gratë më të rëndësishme të jetës dhe veprës së shkrimtarit të madh. Vinte nga një fëmijëri e vështirë dhe një rini e shpenguar, me historia dashurie dhe lidhje pasiononte që e përgojuan. Tipike e kurtizaneve pariziene, por që gjithçka e saj që mbeti ishte gati 5 dekada në jetë me Hugo-n. Edhe pse e shkuara ju vu nga pas si një hije e zezë, ajo vezullim në misionin e shërbestares së një gjigandi që erdhi si i tillë, ndoshta edhe përmes, zemrës, duarve dhe vullnetit të saj, për t’i shërbyer plot devocion dhe përkushtim. Hugo mbase nuk do të mund të vinte tek ne me gjithë madhështinë e penës dhe shpirtit të tij pa këtë grua, pa ndohmën dhe ofrimin sakrifikues të saj.

Juliette Drouet u lind më 10 prill 1806 për t’u shuar më 11 maj 1883. Ishte një aktore franceze. Ajo e braktisi karrierën e saj në skenë, pasi u bë e dashura e Victor Hugo, të cilit i shërbente si sekretare dhe shoqëruese në udhëtim. Juliette shoqëroi Hugo për gati pesëdhjetë vjet dhe i shkroi 22 mijëra letra gjatë gjithë jetës së saj.

Jetime nga nëna disa muaj pas lindjes së saj, nga babai vitin e ardhshëm, Juliette Drouet me vëllain dhe dy motrat e saj si infermiere në një manastir në Fougères, përpara se të rritej nga xhaxhai, René-Henry Drouet, i cili u vendos në Paris. Atje ajo studioi në shkollën fetare të konviktit të kanuneve të Saint-Augustin në Saint-Mandé nga viti 1816 deri Më 1821.

Rreth vitit 1825, u bë zonja e skulptorit James Pradier, i cili ndoshta e përfaqësonte atë në statujën që simbolizon Strasburgun, place de la Concorde në Paris midis 1836 dhe 1846. Juliette Drouet ka një fëmijë me të, Claire, një vajzë që do ta njohë dy vjet më vonë.

Ajo filloi një karrierë si aktore në Théâtre du Parc në Bruksel, më pas në Paris. Në atë kohë mori emrin e xhaxhait të saj. Aktore pa ndonjë talent të spikatur, u fishkëllye nga publiku në premierën e Marie Tudor, 6 nëntor 1833 dhe e pa performancën e saj të dobët tre ditë më vonë, “të kryqëzuar” nga kritika, në Courrier des Theâtres. Megjithatë, ajo është një bukuroshe e hedhur që josh shumë burra, përfshirë edhe kontin Anatole Demidoff, me të cilin kaloi në Itali një idil të zjarrtë pasioni.

E cilësuar nga ata që e njihnin, si e pavarur, impulsive dhe gjaknxehtë, ajo konsiderohej gjithashtu nga shoqëria pariziane si një kurtizane tipike që vishej shkëlqyeshëm, shpenzonte para pamëshirshëm dhe ishte jashtëzakonisht e bukur. Drouet kishte sy të shndritshëm, një hundë e imët, një gojë e vogël dhe buzë të kuqe flakë. Gjithë këto tipare të vendosura në një fytyrë ovale, të përshtatur nga një masë flokësh blu në të zi.

Në vitin 1833, ndërsa luante rolin e Princeshës Négroni në produksionin skenik Lucrezia Borgia, ajo u takua me Victor Hugo, gruaja e të cilit Adèle kishte një lidhje me kritikun Sainte-Beuve. Roli i saj i fundit në skenë ishte i Lady Jane Grey në Marie Tudor, të Hugo më 1833, pas së cilës ajo braktisi karrierën e saj teatrale dhe ia kushtoi pjesën e mbetur të jetës të dashurit të saj. Ajo u bë sekretare dhe shoqëruese e Hugos. Për shumë vite ajo e detyrua të bënte një jetë të mbyllur, duke e lënë shtëpinë vetëm në shoqërinë e tij. Më 1852, ajo e shoqëroi Hugon në mërgimin e tij në Jersey, dhe më pas në vitin 1855 në Guernsey. Ajo i shkroi atij mijëra letra gjatë gjithë jetës, të cilat dëshmojnë për talentin në të shkruar, sipas Henri Troyat, e cila shkroi biografinë e saj në vitin 1997. Çdo vit, nga 16 shkurt 1834 deri më 1883, ata festonin përvjetorin e natës së parë që kishin kaluar së bashku. Victor Hugo madje e futi këtë anekdotë personale në “Të mjerët”, te nata e dasmës së Marjus dhe Kozeta, që jo rastësisht zhvillohet në të njëjtën datë.

Juliette Drouet vdiq në Paris më 11 maj 1883 në moshën 77-vjeçare. Familja dhe të afërmit, i’a privuan Victor Hugo-s të merrte pjesë në funeralin e Juliette nga shqetësimi për atë që mund të thoshin njerëzit. Në fund të fundit kjo ishte Parisi i asaj kohe, ky ishte mentaliteti, kësisoj vinte rregullat dhe kanunet morali puritan. Ndoshta Hugo, megjithëse në moshë të thyer, u tregua i pazoti të ndeshej me botën e paragjykimeve, të i ishte mirënjohës asaj që sakrifikoi gjithçka për të dhe ai pranoi të mos i lejohej të ishte prezent në lamtumirën e fundit.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 552
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT