• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KORI SIPARANTUM I PEJËS PËRFAQËSON KOSOVËN NË BELGJIKË

September 17, 2019 by dgreca

-Kori Siparantum i qytetit të Pejës përfaqëson Kosovën në garat e koreve evropiane, fton shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Belgjikë ta përcjellin nga afër. Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival/

PEJË- Gazeta DIELLI/  Kori Siparantum i qytetit të Pejës përfaqëson Kosovën në garat e koreve evropiane.

Siparantum Choir njoftoi dje me 16 Shtator se është selektuar për herë të parë në garat internacionale të koreve evropiane  The 15th edition of the biennial International Choir Contest Flanders që organizohet nga VZW International Choir Contest Flanders në Belgjikë.  Duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij festivali prestigjioz dhe përzgjedhjen e shtetit tonë në mesin e shumë shteteve nga mbarë Evropa të cilët kanë traditë korale qindëra vjeçare, Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival.

“Në këtë festival garues ne paraqitemi me shumë shtete të përzgjedhura si Belgjika, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria etj.  Kori Siparantum do të paraqitet në kategorinë e koreve miks me program të kompozitorëve të njohur botëror dhe shqiptarë. Siparantum në programin e vet  paraqitet në festival poashtu me vepren e kompozitorit të njohur fllaman Jan Van Der Roost, kompozitor i cili sot konsiderhet njeri prej më të rëndësishëm në skenën muzikore në vend (vepër premierë e shkruar për festivalin)”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Festivali do t’i paraprijë hapja me ansamblin e njohur vokal në botë “The Kings Singers”.

Këtë vit festivali mbahet në qendren kulturore C-Mine nga data 4-6 tetor në Genk lokacion i përsosur për akustikën korale.

“Jemi në vazhdën e punës intenzive me koristët. Sigurisht ky është programi më i vështirë me të cilin në jemi ballafaquar ndonjëherë. Të gjithë e kemi motivimin e përfaqësimit të shtetit. Selektimi ynë në këtë festival është sukses padyshim që do të bëjmë më të mirën e mundshmë. Dua t’i ftoj të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Belgjikë, të vijnë dhe të na përcjellin nga afër”, u shpreh Fatmir Bajraktari, kryetar i korit.

Ndërsa, me datën 7 tetor në ora 20:00 në Bruksel Siparantum Choir paraqitet me koncertin e radhës organizohet nga Les Grandes Heures de la Cambre. Koncerti do të mbahet në Church of the Abbey of Notre Dame de la Cambre at Brussel.  Në këtë koncert kori Siparantum paraqitet me vepra të kompozitorëve të njohur botëror Bennet, Josquin Des Prez, Rheinberger, Whitacre, Gjeilo etj. dhe kompozitorë të njohur shqiptarë, Kasapolli, Rudi, Kelmendi etj./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Kori Siparantum-Peje-Belgjike-Behlul Jashari

Violinisti (Fiddler) Amsterdam, Hollandë

August 20, 2019 by dgreca

Teatri Kombëtar Shqiptar dhe Opera Kombëtare Hollandeze /

Nga Keze Kozeta Zylo/

Kjo statuje bronzi per violinistin ndodhet ne shtepine e operas dhe baletit kombetar te Amsterdamit ne Hollande në hollin e teatrit muzikor. Statuja e bronzit e quajtur “Fiddler (ose Violinisti)” është një shprehje e bashkësisë ku komuniteti ka qenë i përqendruar në këtë rreth para Luftës së Dytë Botërore. Punëtorët duhej të bënin mjaft përpjekje për të thyer dhe hapur dyshemenë e mermerit për të vendosur këtu statujën.

Kjo statuje u krijua nga skulptori italian Matteo Pugliese dhe u vendos në Shtëpinë e Operës së qytetit, më 1991.

Opera Kombetare u krijua menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore si një kompani repertori me një ansambël të përhershëm.

E themeluar, më 1946, Opera Kombëtare Hollandeze do të bëhej vendi i begate për regjisorë me ndikim artistik dhe të përgjithshëm, në radhët e të cilave përfshiheshin Maurice Huisman (1964), Hans De Roo (1971), Truze Lodder (1987) dhe Pierre Audi (1988).

Duke inskenuar shfaqje që përmbajnë elemente të arteve pamore, si skena historike klasike, edhe shpikëse, si dhe solistë dhe kompani të shquara të miqve, këta vizionarë kanë shtuar diçka unike për secilën prodhim.

Duke eksploruar një liri artistike që shihet rrallë në botën e operës, Opera Kombëtare Hollandeze tani është e admiruar ndërkombëtarisht për punën e tyre origjinale, duke u përqëndruar në zhvillimin e talenteve dhe stilet e performancës jo konvencionale.

Stopera ndodhet në qendër të Amsterdamit në një kthesë të lumit Amstel midis Sheshit Waterlooplein dhe Kanalit Zwanenburgwal, në një komplot të tokës të quajtur Vlooienburg, e cila u rikthye në shekullin e 16-të. Ndërtesa e shtëpisë së operës është në formë si një bllok i madh, masiv, me një front të lakuar përballë qytetit. Fasada e saj është e mbuluar në një tullë të kuqe-portokalli dhe panele metalike të valëzuara. Fytyra e lakuar e teatrit është me mermer të bardhë të pikturuar nga dritare të mëdha që ofrojnë pamje panoramike të lumit nga dhomat e brendshme të lakuara dhe tarracat me shumë nivele.

Pranë Stopera është Joods Verzetsmonument, një monument i vitit 1988 për viktimat hebreje të Luftës së Dytë Botërore. Një kujtim i Kristallnacht mbahet në monument çdo vit.

Ndertesa e operes kombetare ka nje brendësi të bukur te elementeve të tij klasike. Vetë Amsterdam gjithashtu strehon një institut më dekadent të ndërtuar posaçërisht për vënien në skenë të operave, baleteve dhe formave të tjera të teatrit muzikor. Opera dhe Baleti Kombëtar gjithmonë nis sezonin e saj të ri në shtator me gala e tyre të shkëlqyeshme. Ata kane një liri artistike që shihet rrallë në botën e operës, Opera Kombëtare Hollandeze tani është e admiruar ndërkombëtarisht për punën e tyre origjinale, duke u përqëndruar në zhvillimin e talenteve dhe stilet e performancës jo konvencionale.

Nën drejtimin e talenteve si Sonia Gaskell, Rudi van Dantzig, Wayne Eagling dhe Hans van Manen, Baleti Kombëtar Hollandez u ngrit në një renditje ndërkombëtare në vitet ’70 dhe ’80 për skenimin e pavarur të dy baleteve unike dhe tërheqëse nga gjithe bota.

Opera Kombetare e Hollandes eshte shume e njohur ne boten, dhe ruhet me ligj dhe dashuri nga i gjithe Kombi.  

Ndonëse ështëkrijuar disa vite mëvonëse Teatri Kombëtar i Shqipërisë, e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, projekt i nisur në fillimjanarin e 1938 dhe që përfundoi në shtator të 1939, mjerisht godina e Teatrit tonëqëberi histori dhe nxori aktorë kalibri tëpaktën ndër artdashësit shqiptarëështëvene nëshënjestër nga kryeministri Rama nëbashkëpunim me grabitqarët e qeverisëdhe grabitësit e huaj tëpronës sonëtëpërbashkët, mbrujtur me aq gjak dhe sakrifica…

Mos i vini kazmën Teatrit Kombëtar kjo pasuri e patundshme e shpirtit tëpopullit!

Ps: Për shkrimin janë shfrytëzuar materiale nga Wikipedia.

Manhattan, gusht, 2019

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Kozeta Zylo- Teatri Kombetar Hollandez-Teatri Shqiptar

…asgjë

August 20, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Të blesh libra është gjë e mirë vetëm nëse është e mundur të blihet edhe koha për t’i lexuar. Por si rregull, blerja e librave nënkupton leximin e tyre. Kështu snobët fryhen e flasin dhe të tjerët dëgjojnë e shqyejnë sytë.
Në histori, një shekull është kohë e gjatë, njerëzit janë gjithmonë në ndryshim, lëvizin dhe diçka gjithmonë ndodh.
Nga ana tjetër, në historinë e letërsisë, 30 vite tregojnë se asgjë nuk ka ndodhur, gjërat janë siç kanë qenë 60-70 vite të shkuara; ata që krijuan me zell në vitet e tiranisë, paçka se vënë në gjoks atdheun, janë nga brumi i diktaturës; dhe sot vazhdojnë të krenohen e shesin krijimet dhe librat me helme të atyre vite.
Por edhe kur papritur ndryshimi vjen, shpesh një gabim ndodh dhe ngjarjet marrin drejtimin e kundërt; rikrijimi në libra i kësaj gjendjeje do të ishte material vërtetë shpjegues i historisë së letërsisë gjatë dekadave të fundit.
Çmimi Nobel u jepet personave të gjallë që dallohen për arritjet e tyre. Por një ditë, ndoshta do të dalë dikush për të ndarë a caktuar një çmim tragjik të letërsisë ose për të shkruar një histori letërsie për të treguar aty sesi një vend i ka trajtuar me përçmim, përbuzje e neveri, personalitetet e kësaj fushe kur ishin gjallë, dhe me të cilët sot krenohet. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi-...asgjë

Lahim Kola …diapazoni i një instrumentisti

August 19, 2019 by dgreca

Nga Marjana Bulku/*

Nuk ishin heronjtë e skenës e mbase emrat e tyre as nuk citoheshin kur sallat e mbushura plot duatrokitnin protagonistët por natyrisht që skena nuk do të mund të quhej e tillë pa ata që vetëm me 7 nota dhurojnë miliona tinguj muzikorë duke krijuar emocione të bukura të cilat ua mbushnin sado pak shpirtin qytetarëve duke i bërë të ndihen edhe më shumë qytetarë.

Lahim Kola vjen si protagonist në këtë rrëfim  jo vetëm për vete ,  diapazoni i tij  shkon përtej vetvetes , tek miqtë dhe bashkëpunëtorët ,dikur në kohën kur lindi, atje në zonën (Gryka e Madhe Sopot)e cila i ka dhuruar Dibrës sistematikisht vlera, nëpër hapat e para drejt artit të cilat nuk mund të ishin nëpër korridore sallonesh apo kolegjesh me zë e emër por nëpër gryka ku nuk shteron vullneti  dhe pasioni e kur ndodh që njeriu takon njerëzit e duhur , ata që dijnë ta dallojnë shkëndijën e bukur të talentit të cilin munden ta shndërrojnë në produksion artistik me vlera për çdo kohë .

I tillë do të ishte i mirënjohuri Tonin Rrota i cili drejtonte në atë kohë Estradën Profesioniste Peshkopi në vitet 1960 , kohë kjo që përkon me angazhimin profesional të një artisti që kujton me dashuri çdo akt që e lidhi aq shumë me muzikën e cila frymonte edhe nëpër livadhet ku bariu i binte fyellit.

Por asgjë  nuk mundet ta plotësojë zanafillën e pasionit të tij për muzikën sesa ky rrëfim i Lahimit  që unë dua ta citoj fjalë për fjalë …

“    Ne fillim te viteve ’50 nisi të kremtohej data e clirimit të Zerqanit me 3 gushtnë  livadhet e allushjet. Një lugine e bukur e gjelberuar me lisa të medhenj që me hijet e tyre ia shtonin hijeshine ketyre livadheve të sapo kositura,që  pershkoheshin nga vijat plot me uje të ftohte të Gurrave te Tushjet. Në  kete feste vinin, jo vetem fshatrat e Grykes së Madhe, por edhe nga fshatrat e Gollobordes, të Maqellares e Bulqizes. Gjemonin lodrat e cylat nga të kater anet. Bukuri të papare krijonin veshjet popullore të grave, nuseve e vajzavetë  krahines së Zerqanit. Shamitë e jepekut, qashat e shajakut, të zeza për nuset e të  kuqe për vajzat, si dhe jeleket me pafte e bakoret me lara. Por bukurine më të madhe ja shtonin grupet artistike të ardhura  nga Tirana e Shkodra. Këta grupe me kengetar popullor si Xhevdet Hafizi, File Gjeloshi, Lucije Miloti e tj. të shoqeruar nga orkestra të mrekullueshme, që jepnin shfaqje sapo mbaronte festa, na kenaqnin shpirtin. Por ç’e do se ishte vetem një dite në vit. Mua mbi gjithcka më pelqente fizarmonika dhe thoja me mend e mija: “ah sikur të arrija te kisha një të tille”.Me një fjalë u “dashurova” me këtë instrument. Ishte interesante se po thuajse të gjitha kenget që kendoheshin aty, pas disa ditesh mesoheshin dhe kendoheshin nga të rinjte. Kjo tregonte etjen e madhe që kishin njerzit e vecanrisht të  rinjte dhe femijet për keto kenge, por që s’kishin ku t’i degjonin…”

  Disa vjetë më vonë por pa u shkëputur kurrë nga ajo andërr fëminore vjen edhe ai momenti i duhur pranë njerëzve të duhur që kanë të përbashkët vullnetin e mirë.

Mjaftoi një firzamonikë dhe një partiturë dhe interpretimi edhe pse me emocion e me  duar që i dridheshin mbi instrumentin të cilin Lahimi  e kishte dashuruar në fëmijëri dhe kish mësuar ta ushtronte gjatë shërbimit ushtarak dhe dyert drejt profesionit do t’ia çelte një profesionist me emër dhe që i dha emër artistave , trupës dibrane duke ditur ta spikasë talentin dhe ta zhvillojë atë  nëpërmjet  punës  . Dhjetori i vitit 1960 do ti çelte rrugën e gjatë si instrumentist profesionist pranë Estradës Profesioniste  Peshkopi. Dhe nuk ishte aspak e lehtë -shprehet Lahimi , -e përmëtepër kur do të zëvendësoje një artist të mirfilltë si Ahmet Balliu i cili u largua për studime.

Të punoje me emra si Tefë Krroqi , regjizor i Estradës, i rrethuar nga kujdesi i Selim Alliut i cili i krijoi mundesi për arsimim komod çdo njërit që e dëshironte atë në një mjedis i cili duhet të edukonte shije muzikore mund të duket si luks  por është përgjegjësi gjithashtu pasi kërkon aftësi , punë dhe  përkushtim të vazhdueshëm .

Arti edukon ndjesi të bukura , modestie , solidariteti e disipline , pikërisht kështu mendoj teksa ndjek rrugëtimin artistik të Lahim Kolës( xhaxhi Lahimit siç jemi mësuar ta thërrasim në familje) .

Rrugëtimi i tij kalon nëpër udhë pasioni dhe përkushtimi, pa planifikuar kurrë madhështi por veçse dëshirë dhe sakrifica për atë çka shpirti don të bëjë : muzikën që sjell dhe ndjell aq shumë gëzim .Ai ka ruajtur me dashuri çdo kujtim, regjistrime , fotografi , audio ,vizive orkestrale duke pasuruar atë fond që mjerisht ka mbetur në harresë për shkak të teknologjisë së kufizuar të kohës . Teksa i ndjek me rradhë regjistrimet e hershme pohoj me një ndjesi krenarie se sa bukur këta artistë i kanë bërë jehonë trimërisë, bukurisë së natyrës dhe asaj njerëzore. Artistëve dibranë lindur e rrethuar me aq shumë bukuri natyrore ju kishte hije admirimi për natyrën , malet, kuvendet burrërore por edhe hijes jetëgjatë të bukurisë çka mbetet madhështore prej mjeshtërisë interpretuese të  Melita Shehut. 

“Të fala nga Korabi ” e vitit 1961 në një tur kombëtar përshkruhet me shumë dashuri nga Lahimi i cili në çdo akt përmend emra që për ne mbase janë të harruar por për të kurrsesi jo; Skënder Cala e Melita Shehu, Muharrem Zajmi, Haziz Ndreu, Adil Shehu, Hiqmet Elezi ,Haxhi Mata,Stefan Roçi, e pasuar nga Inajet Shehu, Agim Skara,Behar Mera,Flora Toska, Abdyl Sturçe,Liri Rasha,Arif Vladi, Saje Poleshi, etj…janë emra që e bënë të përjetshëm këtë udhëtim muzikor dhe artistik  nga Korabi i lartë nëpër gjithë Shqipërinë e kohës.

Ne vërtet ishim të privuar dhe nuk i pamë skenat e botës në atë kohë , por sot kur ato nuk na mungojnë ndjejmë se sa gjallë e paskan mbajtur kulturën tonë këto akte artistësh , se sa peshë historike dhe sociale mbartnin ato skena të thjeshta ku e bukura duartrokitej me shpirt. Dhe sa më shumë artistët shtohen akoma më të vlefshme bëhen  këto rrënjë identiteti të cilat e kanë zanafillën pikërisht nëpër  këto rrëfime që nuk u ikën asnjëherë vlera dhe rëndësia.

Në kujtesën njerëzore dhe artistike të Lahimit një vend të veçantë zë Agim Krajka, një nxitës dhe frymëzues permanent me ndihmën e të cilit ai do tē luante në skenë solo  pjesët :” Speranza Perdita, Vallja e shpatave, Fantazi për firzamonikë dhe madje me ndihmën e mjeshtrit Tonin Rrota , Lahimi arrin të krijojë këngë me motive popullore të cilat kanë mbetur në fondin e repertorit dibran si; Aksionistja e malit,Çobani e çobanesha,Aksioni na bashkoi , përpunimi i Shkurte Hoklit (me të cilën prezantohet për herë të parë Liri Rasha) , e shumë të tjera. 

Prezenca e Zef Çobës , Përparim Tomçinit , Edmond Zhulalit do të linin gjurmë të paharrueshme në zhvillimin e mëtejshëm të muzikës së kultivuar dibrane.

 Nuk ka gjë më të bukur se sa të duartokasësh artistët, përtej bukurisë skenike ata përcjellin njē diapazon të tërë përpjekjesh, përjetimesh , kufizimesh, sakrificash që në skenë nuk duken, por që kujtesa e tyre i ruan si një pasuri arkivore. Teksa futem një këtë lloj arkivi që Lahimi e ka ruajtur mjeshtërisht ndjek se si luan orkestra muzikore me dy tre instrumentistë, sa i pastër është tingulli nën atë interpretim live, sa i kthjellët është deri i kulluar zëri i Melita Shehut, sa i thellë është interpretimi i Skënder Calës , sa epik Arif Vladi , sa e ngrohtë Vera Laçi ,Liri Rasha e Flora Toska ,sa modern dhe klas Arjan Toçi, sa madhështor Edmond Zhulali i cili nuk reshti kurrë ti dhurojë art dhe artistë skenës , Dibrës , Shqipërisë.

Teksa ndjek rrëfimin arkivor plot me foto, shkrime e audio edhe vizive të Lahim Kolës pohoj dy gjëra : oda dibrane nuk është aspak rastësi dhe as një ngjarje gjeografike e eventeve folkloristike por një buqetë arti kultivuar historikisht në atë trevë ku i këndohet trimërisë e burrnisë, maleve e natyrës dhe  se Agim Kola dhe Artur Kola dy trashëgimtarët e Lahimit , përveç edukatës kanë të përçuar gene të mrekullueshme artistike të cilat bëhen të dukshme në vendet ku ato jetojnë dhe duke na bërë të kuptojmë se talenti lind, edhe pse jo në qytete që gjallojnë nga teatro a skena të mëdha , ato bëhen të tilla kur takojnë njerëz dhe vullnete nxitëse , frymëzuese e dashamirëse.

Diapazoni i një njeriu si Lahim Kola shkon tej e përtej kohës, nëpër rrënjët e familjes, bukuritë e trevës ku është rritur , traditat e zonës me kostumet më të bukura në Shqipëri dhe kapërcen kufinjtë e Dibrës për ti dhuruar përjetësisht asaj tinguj , zëra e melodi që vijnë e shkojnë për të ushtuar grykave të thella të maleve ku ruhet e freskët dhe e harruar e shkuara jonë , diapazon.

  • Per me shume fotografi shihni ne facebook dielli vatra

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Marjana Bulku- Lahim Kola- Diapazioni

DUKE PIKTURUAR FILMIN

August 3, 2019 by dgreca

EkspozitaSHYQYRI SAKO DUKE PIKTURUAR FILMIN/

 Kjo ekspozite ishte hapur në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog) në Kryeministri dhe do të shfaqë rreth 80 punime të përzgjedhura nga krijimtaria mbi 50-vjeçare e artistit Shyqyri Sako“Artist i merituar“.

Ekspozita fokusohet thuajse ekskluzivisht në krijimitarinë e Shyqyri Sakos si Piktor filmi, duke ekspozuar pllakate origjinale filmi, skica, vizatime ,eksteriere,interiere dhe piktura.

Këto të fundit, skicat, vizatimet dhe pikturat, o janë frymëzime direkte nga filmat, o janë reflektime të mëpasme mbi to, dhe rrallë janë parë nga publiku më parë.  Seria e fundit e pllakateve (posterave) të ripikturuar nga Sako është krijuar në vitet 2018 – 2019 dhe reflekton një rivizitim nostalgjik të të gjithë karrierës së tij si piktor filmi dhe ekspozohet për herë të parë për publikun në këtë ekspozitë. 

Kjo ekspozitë e një lloji të veçantë është prodhuar nga COD (Qendra për Hapje dhe Dialog) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shqiptar të Filmit (AQSHF) dhe studion e artistit, duke hedhur dritë mbi punën e piktorit të parë profesionial të filmit shqiptar.

Me një karrierë të gjatë, mbi gjysmëshekullore, që daton në fundin e viteve 1950-të, Shyqyri Sako ishte pjesë e gjeneratës të artistëve që punuan në ish Kinostudion “Shqipëria e Re”, si piktor kostumesh dhe me pas si Piktor filmi I mirefillte duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare. Sako, një ndër artistët që ka vënë themelet dhe që krijoi fizionominë e dekorit në filmin shqiptar, ka qenë piktor i rreth 40 filmave artistikë shqiptarë dhe ka punuar me disa nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare që nga fillimi i viteve 1960-të si Kristaq Dhamo, Hysen Hakani, , Viktor Gjika, Muharrem Fejzo, Xhanfise Keko, Ibrahim Muça e Kristaq Mitro, Rikard Ljarja, dhe, nga vitet 1990-të, me më të rinjtë si Eduart Makria e Artan Minarolli.Gjergj Xhuvani etj. 

Sako shquhet për një interpretim personal dhe talent të mirëfilltë në zbërthimin e karaktereve psikologjike, portetreve personale, dhe skenave dramatike që më pas, në diskutime dhe sugjerime me regjisorin dhe me operatorin ktheheshin në pllakatin (posterin) e filmit. Për të trupi, fiziku, fytyra, janë instrumente shprehëse të një ideje. Sidomos portetret e tij janë të mbushur gjithë emocion, gjithë dramë dhe individualitet, duke kapur një spektër të gjërë ndjenjash, nga frika, urrejtja dhe obsesioni, tek triumfi, patosi dhe dashuria e pastër. 

Sako citon si influlenca të rëndësishme në jetën e tij figura madhore si Rodeni ,Renuar,Levitan,Van Gogh,Renato Gutuzo, Pikaso etj, rryma si post-impresionizmi, dhe shkolla grafike si shkolla polake e dizajnit grafik gjatë viteve 1950-60, dhe stilin e pllakatit kubanez. Sako ka një stil të veçantë që është mbrujtur dhe latuar në hapësirën liminale midis dy kulturave të mëdha: Lindjes dhe Perëndimit. Vepra e tij në të vërtetë shfaqet si një përzierje e këtyre dy kulturave me synimin dhe dëshirën për të arritur një balancë mes tyre, duke sfumuar kundërtitë dhe përzier organikisht prurjet e të dyjave (mision thuajse i pamundur për kohën). 

Kur e pyet se si ndërtohej një pllakat artisti shprehet se: “ Frymezimi me vinte nga skenari, e lexoja dhe më pas fillonte studimi per ta perfundur. Pllakati zakonisht lihej per ne fund por une filloja skicat qe me leximin e skenarit. Skenat me krijoheshin ne koke. Kisha nje ide, e ruaja, e vizatoja. Më pas merreshin foto nga filmi qe mendoheshin se mund te perfaqesonin pllakatin ose duheshin pershtatur me pllakatin sipas edhe idese se regjisorit. Vendimin final (para rënies së komunizmit) e merrte drejtoria në Kinostudio. Në shtypshkronjë, pas miratimit final, procesin e shtypit e ndiqja vetë. Shtypi kerkonte me gjate. Edhe pse rrija gjithe kohes ne shtypshkronje, nga shtypi, askush, as unë as piktorë të tjerë filmi e as regjisorët, nuk mbeteshin të impresionuar sepse ngjyrat ishin shpesh te deformuara. Boceti ishte ndryshe por koloriti devijonte ne shtyshkronje, te gjithe thoshin se shtypi devijonte. Letra ishte e holle dhe e thithte ngjyren, e deformonte vizionin e artistit. Figura mbetej, ideja mbetej, por devijonte ngjyra, thellësia, koncepti…. Më pas pllakati original  humbiste nëpër labirinthet e shtypshkronjës, a diku tjetër. Për mua rikrijimi i këtyre pllakateve për këtë ekspozitë është një rivizitim i gjithë jetës time, për ti dhënë gjithë jetën, dritën, ngjyrën dhe kohën që asohere o nuk e kishim, o s’na e jipnin.”

Ksenofon Dilo, një nga emrat e rëndësishëm të artit dhe kinematografisë shqiptare gjatë shek.20, si dhe për shumë vite drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, është shprehur kështu për punën e sakos: “Në punimet e piktorit Shyqyri Sako ndihet kujdesi, dashuria dhe ajo gjuhë specifike profesionale, që mbështetet kryesisht në zbërthimin ideoemocional të skenarit të filmit përkatës, në krijimin e mizanskenave regjisoriale, në ligjet optike të filmit, të episodeve të veçanta të tij. Fillimisht si piktor kostumesh e më pas si Piktor filmi Shyqyri Sako ka dhënë një kontribut të madh në përcaktimin e sfondit të atmosferës së përgjithshme të filmave, në mjediset, arkitekturën, ngrohtësinë dhe karakterin e secilit.” 

Shyqyri Sako lindi në Mars 1937 në Kolonjë, Shqipëri. Mori mësimet e para për vizatim në shtëpinë e pionerit në Korçë nga piktori Guri Madhi dhe në shtëpinë e kulturës nga piktori Vangjush Mio. Kreu liceun Artistik “Jordan Misja” (1951-1955), nën drejtimin e pedagogëve Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Odhise Paskali dhe Janaq Paço. Në vitin 1958 nisi studimet e larta në Institutin e Kinematografisë “VGIK” në Moskë, ku studio tre vite me radhë me njërin prej piktorëve më të mëdhenj rusë të filmit, Iosif Shpinel nga i cili përfitoi shumë (Shpinel kish qenë, mes të tjerash, edhe piktor i filmit “Skënderbeu”). Pas ndërprerjes dramatike të marrdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Sako kthehet në Tiranë në 1961 dhe përfundon diplomimin si piktor filmi në vitin 1962 me diplomë nga Instituti i Lartë i Arteve. Gjatë periudhës 1962-1997 punoi në Kinostudion “Shqipëria e Re” duke realizuar skenografi, kostume dhe pllakate të filmave shqiptarë. 

Ekspozitën e shoqëron një kolazh me pjesët nga filmat në të cilët Sako ka punuar si piktor filmi që janë disa prej filmave më të njohur të kinematografisë shqiptare gjatë viteve të Kinostudios si dhe disa nga me te susesshmit ne krijimtarine e tij si

 1DETYRE E POSACME     REGJIA K.DHAMO        P.KOST 1963

 2TOKA E JONE                  REGJIA H.HAKANI       P.KOST 1964

 3 HORIZONTE TE HAPURA    REGJIA V.GJIKA      P.FILMI 1968

 4 NJESITI GUERIL               REGJIA H.HAKANI      P.FILMI 1969

 5 KAPEDANI REGJIA       F.HOSHAFI M FEJZO      P.FILMI   (1972)  

6 RRUGE TE BARDHA          REGJIA V.GJIKA                   P.FILMI    (1974)  

7 DIMRI I FUNDIT          REGJIA I.MUCA K.MITRO    P.FILMI  (1976) 

8 TOMKA DHE SHOKET E TIJ    REGJIA XH.KEKO     P.FILMI  (1977)   

9MESONJETORJA                  REGJIA M.FEJZO       P.FILMI  (1979)  

10 FUNDI I NJE GJAKMARJEJE      REGJIA R.LJARJA    P.FILMI  (1983)  

11 SHPELLA E PIRATEVE       REGJIA E.MAKRIA    P.FILMI  (1990)    

10 PERDHUNUESIT                         REGJIA S.PECANI      P.FILMI  (1994)  

 Per te permendur vetem disa prej tyre ketu.

Filed Under: Kulture Tagged With: Shyqyri Sako-Duke pikyuruar Filmin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT