• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sotir Kolea, dijetari dhe shërbestari i përjetshëm i kombit shqiptar

September 16, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Sotir Kolea lindi më 4 shtator 1872 në lagjen karakteristike të Goricës në qytetin e Beratit, një trevë e lashtë e kulturës dhe qytetarisë shqiptare. Ai u rrit në një familje me tradita të pasura qytetare, ku vlerat e arsimit, punës, ndershmërisë dhe dashurisë për atdheun ishin pjesë e edukatës së përditshme. Fëmijëria në një qytet si Berati, i njohur për bibliotekat e vjetra, për shkollat dhe për frymën e gjallë kombëtare, e ushqeu shpirtin e tij me ndjenja të thella atdhedashurie. Shkollimin fillestar e kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vijoi studimet në gjimnazin grek të Manastirit, ku u dallua për zgjuarsi e etje për dije. Në ato vite të hershme, ai e kuptoi qartë se rruga e tij do të lidhej me shërbimin ndaj kombit dhe se dijeja ishte arma më e fortë në duart e shqiptarëve për t’u përballur me padrejtësitë historike.

Në vitin 1896, i pajisur me njohuri të thella dhe me vendosmërinë e një rilindësi të ri, filloi punë si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Kavallës. Ky ishte një akt i guximshëm, sepse arsimi shqip atë kohë ishte i ndaluar nga pushteti osman. Përmes mësimdhënies, Kolea jo vetëm që u jepte dijeni nxënësve të tij, por edhe i ushqente me dashurinë për gjuhën dhe kulturën kombëtare, duke mbjellë te ta frymën e lirisë. Angazhimi i tij në fushën e arsimit u bë baza mbi të cilën do të ndërtohej gjithë veprimtaria e mëvonshme.

Pas disa vitesh, rruga e jetës e çoi në Egjipt, ku jetonte një koloni e madhe shqiptarësh, sidomos në qytetet Kajro e Aleksandri. Aty ai u përfshi me gjithë energjinë e tij në lëvizjen kombëtare të diasporës. Në vitin 1911 u zgjodh sekretar i shoqërisë patriotike “Bashkimi”, një organizatë që u bë vatër e gjallë e përhapjes së arsimit shqip dhe e mbrojtjes së çështjes kombëtare. Përmes kësaj shoqërie, Kolea kontribuoi në hapjen e shkollave shqipe, në botimin e librave dhe teksteve mësimore dhe në organizimin e tubimeve ku rrihej çështja shqiptare. Ai ishte një publicist aktiv, shkrimet e të cilit pasqyronin jo vetëm idealet e lëvizjes kombëtare, por edhe një vizion të qartë për të ardhmen e Shqipërisë. Ishte përkrahës i vendosur i vendimeve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, duke besuar se alfabeti i njësuar ishte themeli për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.

Në vitin 1913, pas shpalljes së Pavarësisë, Kolea mori pjesë në Kongresin e Triestes, ku bashkë me Faik Konicën dhe intelektualë të tjerë iu drejtuan Fuqive të Mëdha për njohjen e shtetit shqiptar dhe për garantimin e tërësisë tokësore të tij. Në këtë kongres, ai u dallua si një nga mbrojtësit më të palodhur të çështjes shqiptare, duke e ngritur zërin me argumente të fuqishme kundër planeve të copëtimit të Shqipërisë. Në vitet pasuese, Kolea u shndërrua në një lloj diplomati të paemëruar, i cili me shkrimet dhe veprimtarinë e tij i bënte të njohura në Perëndim të drejtat legjitime të kombit shqiptar.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ai u vendos në Lozanë të Zvicrës, ku nga viti 1915 deri në vitin 1919 drejtoi gazetën L’Albanie, e botuar në gjuhën frënge. Ky organ shtypi u bë tribuna më e fuqishme e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Përmes tij, Kolea dhe bashkëpunëtorët e tij – si Mihal Turtulli dhe Hilmi Këlcyra – artikuluan me qartësi kërkesat e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe tërësi tokësore. “L’Albanie” ishte një zë i fortë në mbrojtje të kombit, duke demaskuar planet e fqinjëve dhe duke bërë thirrje për mbështetjen e Shqipërisë në opinionin publik ndërkombëtar. Pas mbarimit të luftës, Kolea mori pjesë në delegacionet shqiptare në Konferencën e Londrës dhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920), ku mbrojti me vendosmëri interesat e Shqipërisë dhe kundërshtoi pretendimet territoriale të fqinjëve.

Pas kthimit në atdhe, veprimtaria e tij u përqendrua në fushën e kulturës dhe arsimit. Në janar të vitit 1928 ai u emërua drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, detyrë të cilën e ushtroi deri në janar të vitit 1937. Në këtë funksion ai u shqua për vizionin e tij të qartë dhe përkushtimin e palodhur. Gjatë drejtimit të tij, fondi i librave u rrit nga katër mijë në mbi pesëmbëdhjetë mijë tituj. Ai sistemoi dhe katalogoi librat, duke botuar bibliografi të rregullta dhe duke i hapur dyert e bibliotekës për studiuesit e vendit. Përpjekjet e tij për të pasuruar koleksionin me dorëshkrime dhe libra të rrallë – ndër ta dorëshkrimet e Jani Vruhos dhe të Filip Shirokës – ishin dëshmi e vizionit të tij për të ruajtur trashëgiminë kombëtare. Për këto arritje, ai konsiderohet sot me të drejtë “babai i bibliotekonomisë shqiptare”.

Në fushën e krijimtarisë, Sotir Kolea la një trashëgimi të pasur. Vepra Shqipëria dhe shqiptarët është një analizë e gjerë mbi historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar. Në vitin 1944 ai botoi Një tufë proverba, një përmbledhje me urtësi popullore që përbën një thesar të çmuar të folklorit shqiptar. Kolea la pas dorëshkrime të shumta, ndër të cilat një fjalor të gjuhës shqipe, një koleksion me mbi dymbëdhjetë mijë proverba, shënime për Kanunin, për Çamërinë, për botanikën dhe për letërsinë shqiptare e të huaj. Përkthimet e tij nga letërsia botërore sollën tek lexuesit shqiptarë frymën e kulturave të huaja dhe e pasuruan letërsinë kombëtare. Ai ishte gjithashtu anëtar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, ku punoi përkrah figurave të mëdha si Aleksandër Xhuvani dhe Eqrem Çabej, duke dhënë kontribut të vyer në fushën e gjuhësisë dhe historisë.

Përveçse dijetar, Kolea mbeti një qytetar i ndershëm, i cili nuk hezitonte të kritikonte dukuritë negative të kohës. Ai denoncoi hapur korrupsionin dhe padrejtësitë në administratë, gjë që i kushtoi edhe largimin nga detyra e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në vitin 1937. Pas kësaj, ai u vendos në Elbasan, ku vazhdoi të merrej me punë shkencore e kulturore deri në fund të jetës.

Më 3 korrik 1945, në moshën 73-vjeçare, Sotir Kolea u nda nga jeta në Elbasan. Vdekja e tij la një boshllëk të madh, por veprat dhe kujtimi i tij mbetën të pavdekshme. Në vitin 2002, ai u dekorua pas vdekjes nga Presidenti i Shqipërisë me urdhrin “Naim Frashëri” në kategorinë e artë, si njohje e kontributeve të tij të jashtëzakonshme në arsim, kulturë dhe shkencë.

Jeta dhe vepra e Sotir Koleas janë një shembull i shkëlqyer i rilindasit të vonë që i kushtoi gjithë jetën e tij kombit. Ai ishte një publicist i guximshëm, një dijetar i palodhur, një organizator i shquar dhe një patriot i përkushtuar. Figura e tij na mëson se dashuria për atdheun nuk është fjalë e zbrazët, por sakrificë, përkushtim dhe punë e përditshme. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë, ndërsa trashëgimia e tij kulturore e shkencore do të shërbejë si frymëzim për brezat që vijnë.

Photo by: https://m.wikidata.org/wiki/Q3301756

Filed Under: Kulture

“Zëri krijues i gruas intelektuale që përcjell artin dhe bukurinë çame në Shqipëri dhe diasporë”

September 11, 2025 by s p

Anila Kadija/

Në sallën qendrore të konferencave të Akademisë së Shkencave u zhvillua një ngjarje me peshë të veçantë kulturore, artistike dhe historike, e titulluar “Zëri krijues i gruas intelektuale që përcjell artin dhe bukurinë çame në Shqipëri dhe diasporë”.

Ky aktivitet u bë i mundur falë nismës dhe organizimit së shkrimtares me banim në Angli, znj. Nexhmije Hasani, në bashkëpunim me 21 krijuese femra me origjinë çame, të cilat jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri dhe në diasporë (Angli, Amerikë, Itali, Greqi, Gjermani). Moderatore dhe bashkorganizatore e aktivitetit ishte znj. Anila Kadija.

Eventi u shndërrua në një tribunë të pasurisë shpirtërore dhe krijuese, ku u ndërthurën vargjet, fjala artistike, dashuria për rrënjët, kujtesa e dhimbshme historike dhe krenaria për origjinën. Një mozaik i gjallë që u pasqyrua edhe në larmishmërinë e kostumeve popullore çame, duke krijuar një atmosferë të veçantë emocionale dhe artistike.

Në këtë aktivitet dhanë kontributin e tyre krijueset:

Lumturi Plaku, Arjana Fetahu Gaba, Nurie Maliqi Baduni, Ildije Xhemali, Arbana Sheme, Mimoza Eliona Osmani, Matilda Omeri, Nezi Plaku Velaj, Rakela Yzeiri, Shqiponja Panajoti Sulejmani, Silva Xhemo, Neviana Shehi, Alma Mehmeti, Luela Myftari, Estela Balo, Lulëzime Goburi, Pranvera Belba Fusha, Enkeileda Arifi, Luljeta Gjyzeli Gjeli.

Të pranishëm ishin familjarë, miq dhe dashamirës të artit e letërsisë çame. Për imazhin dhe dokumentimin fotografik u kujdes fotografi Kristaq Janushi.

Programi u pasurua nga performanca e studentëve me origjinë çame në recitim, balet dhe një paradë me tabela sensibilizuese mbi çështjen çame, që shtoi vlerën ndërgjegjësuese të këtij aktiviteti. Atmosferën e gjallëruan edhe zërat e njohur të këngës popullore çame, Hysni Alushi dhe Enkelejda Arifi, ndërsa përfaqësueset e veshura me kostume tradicionale u përfshinë në një valle të përbashkët. Me një interpretim të fuqishëm, aktiviteti u hap nga regjizori Bajram Torba, duke i dhënë veprimtarisë një hyrje mbresëlënëse.

Ky event u cilësua si hapi i parë i një rruge të gjatë të bashkëpunimeve të ardhshme mes krijueseve çame në Shqipëri dhe në diasporë. Vetë pjesëmarrëset u shprehën:

“Duam që ajo dega e bukur e tokës sonë t’i bashkohet trungut. Tani le të bashkojmë krijimtarinë kudo që ndodhemi!”

Një falënderim i veçantë u drejtua për kryetarin e Akademisë së Shkencave, z. Skënder Gjinushi, për mbështetjen dhe hapjen e dyerve të institucionit, duke e bërë të mundur zhvillimin e këtij aktiviteti dinjitoz në një mjedis akademik, si dhe për kontributin e tij në promovimin e vlerave të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Ky takim krijues është dëshmi se arti, fjala dhe kujtesa historike mbeten ura të fuqishme që lidhin shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, duke i dhënë zë një prej pjesëve më të ndjeshme e të vyera të identitetit tonë: Çamërinë.

Filed Under: Kulture

SOCIAL-DEMOKRATEN (1921) / AKTORI MË I FAMSHËM GJERMAN FLET PËR KOMUNIZMIN, ARTIN DHE PUNËTORËT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ALEKSANDËR MOISIUN NË HOTEL BRISTOL (OSLO)

September 9, 2025 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) – Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) – Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shtator 2025

“Social-Demokraten” ka botuar, të premten e 1 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Hotel Bristol (Oslo), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Tek Aleksandër Moisiu – Aktori më i famshëm gjerman flet për komunizmin, artin dhe punëtorët

Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4
Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4

Me trenin e Kopenhagës në orën 4 e 10 të pasdites së djeshme, Moisiu mbërriti me gruan e tij në Kristiania (Oslo). Moisiu, siç dihet, është ftuar nga regjisori Rudolf Rasmussen në një shfaqje treditore në “Mayol”, ku do të recitojë poezi të Gëtes, Heine-s dhe Verhaeren-it dhe do të interpretojë një skenë monologu nga “Faust-i”.

Ne patëm shumë fat që edhe para ardhjes së aktorit të madh ta bindnim të bënte një intervistë të vogël — të cilën ai me dashamirësi dhe dëshirë na premtoi se po atë mbrëmje do ta jepte në dhomën e tij në hotel “Bristol”.

Me shumë entuziazëm dhe shumë nervozizëm, në kohën e caktuar, ne hymë në labirintin e korridoreve prej mermeri të Hotel Bristol, derisa më në fund gjetëm dhomën ku i ftuari i nderuar dhe gruaja e tij kishin ngritur çadrat e tyre.

Moisiu, ndonëse ishte ende i lodhur nga udhëtimi, na priti shumë ngrohtësisht, na ofroi një nga cigaret e tij më të mira dhe u deklarua menjëherë gati për të biseduar e llafosur për të gjitha gjërat e çuditshme që mund t’i shkonte nëpër mendje një gazetari.

— Ju vini nga Kopenhaga ? e pyetëm për diçka për të filluar.

— Po, kam 8 ditë atje, kam lexuar poezi të Gëtes, Verhaerenit dhe Heines dhe kam interpretuar skenën monologe “Faust i studerkammeret” — sigurisht një nga skenat monologe më të mira në të gjithë “Faust-in”.

— Dhe sa kohë do të qëndroni në Kristiania ?

— Tre, katër ditë. Në “Mayol” do të performoj në thelb të njëjtin program me atë që kisha në Kopenhagë. Kur të mbaroj këtu, unë dhe gruaja ime do të udhëtojmë menjëherë për në Stokholm, ku do të kem disa mbrëmje leximi (recitimi), ndoshta edhe një udhëtim të shkurtër në Goteborg.

— Cilët autorë dhe çfarë lloj pjesësh preferoni të luani ?

—  Më pëlqen Tolstoi më i miri nga të gjithë shkrimtarët e vjetër të botës, — më pëlqen shumë të aktroj në tragjeditë e vjetra klasike greke, por përndryshe më pëlqen të aktroj në të gjitha llojet e shfaqjeve.

Dhe modernët — Themistokliu si Shekspiri, Tolstoi, Ibsen dhe Bjørnson. Ti kupton gjithçka. Për sa kohë që është art origjinal, i mirë dhe autentik. Ndër shfaqjet norvegjeze kam luajtur Osvaldin në “Gjengangere” dhe Hjalmar Ekdalin në “Vildanden”. Unë gjithashtu nuk kam qenë në gjendje të performoj Hamsun. Unë e mbaj atë me respekt të lartë. Libri i tij “Sult” është madhështor dhe renditet ndër më të mirët në letërsinë europiane.

— Nga deklaratat e tua në gazetat e Kopenhagës dhe edhe nëpër gazetat gjermane kemi krijuar përshtypjen se ju jeni komunist. A besoni në revolucionin botëror proletar ? Dhe a mendoni se do të sjellë lumturi njerëzore për miliona që e emërtojnë atë sot ?

— Unë nuk jam politikan. Është gabim kur gazetat e Kopenhagës duan të më atribuojnë ndonjë deklaratë të madhe politike për çështjet e ndezura të ditës. Unë nuk e kuptoj shumë mirë politikën. Si artist, duhet të përqendrohem në punën time dhe t’i kushtoj gjithë kohën dhe interesin tim artit që dua dhe respektoj. Që unë, si njeri me ndjenja, jam i indinjuar nga padrejtësia e përgjakshme e shoqërisë klasore, bollëku i të pasurve dhe mjerimi i të varfërve, është tjetër çështje. Unë simpatizoj ata që janë në nevojë dhe dhimbje — vuaj me ta dhe shpresoj me ta që ditë më të ndritshme dhe lumturia më e madhe do ta bekojnë së shpejti njeriun e madh dhe të vuajtur.

Unë nuk marr pjesë në politikë, por zemra ime është me ata që duan të mirën. Zemra ime është me komunistët sepse mësimet e tyre janë të rrënjosura në krishterim siç duket në formën e tij origjinale. Unë jam komunist sepse besoj se është e drejtë dhe e duhur që një njeri t’i japë një të varfëri në acar një pallto kur ai vetë ka dy …

Nëse nuk kam besim se mund të përmirësohet bota dhe njerëzit në të me mjete të dhunshme, unë ende shikoj tek të gjithë ata që, me vetëmohim dhe plot idealizëm, marrin drejtimin për çlirimin e të varfërve. Lenini kishte të drejtë në Rusi. Atje, para revolucionit, kishte 30 mijë pronarë tokash të ushqyer mirë dhe 100 milionë të varfër. Pastaj erdhi revolucioni dhe nxorri jashtë loje 30 mijë pronarët e tokave dhe ia dha tokën 100 milionë të varfërve, të cilët tani po bëhen njerëz të vërtetë — sepse po përballen me ditë më të ndritshme.

— A i vlerësoni punëtorët si audiencë teatri dhe a besoni se punëtorët e kuptojnë se si të shijojnë dhe përdorin artin e mirë dhe të mirëfilltë ?

— Punëtorët janë audienca ime më e mirë. Unë kurrë nuk luaj me gëzim më të madh se kur luaj për punëtorët. Sepse e di sa mirë punëtorët kanë nevojë për teatrin, muzikën dhe gjithçka që është e bukur. Sepse e di që bota e tyre është e ftohtë dhe gri dhe se për këtë arsye ata kanë nevojë dëshpërimisht për një rreze të ngrohtë dielli herë pas here. Në Berlin, kam mbajtur një numër recitimesh të dielave pasdite me çmime të ulëta për klasën punëtore. Kam lexuar poezi nga klasikët tanë më të mëdhenj — dhe ndjej se punëtorët e kuptojnë dhe e shijojnë artin e mirë. Sa më mirë është që punëtorët të mblidhen në sallat e koncerteve dhe teatrove sesa të shkatërrojnë shpirtrat dhe trupat e tyre në lokalet e birrës dhe shfaqjet e estradës së minutës së fundit ?

“Arti për hir të artit” është një slogan i mirë. Por kjo nuk e mbulon plotësisht. Arti nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një qëllim në vetvete — ai duhet të jetë një mjet në shërbim të edukimit publik dhe formimit të zemrës. Dhe ai art është më i madhi dhe më i vërteti, në të cilin çdo shpirt njerëzor dhe çdo zemër njerëzore gjen vendin dhe e njeh veten. E gjithë bota qesh dhe qan për të njëjtat gjëra. Në çdo gjoks njeriu ka tokë pjellore për të mirën dhe të bukurën — çdo zemër është si një kopsht i bukur, por duhet ujitur dhe kujdesur për të — dhe dielli duhet të vijë me bollëk me dritën dhe ngrohtësinë e tij

Arti dhe artistët janë rojet e së bukurës. Prandaj, ata që punojnë me artin kanë një përgjegjësi të madhe. Dhe prandaj është detyrë e tyre të bëjnë art në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë, që të gjithë të përfitojnë prej tij — dhe askush të mos largohet pa u pasuruar në shpirt dhe mendje. Dhe vetëm ajo që vjen natyrshëm është e bukur, vetëm ajo që çdo njeri i vetëm në tokë mund të kuptojë është art i vërtetë dhe origjinal.

Njerëzit duhet të mësojnë të shohin bukurinë në një pasqyrë deti të qetë, në lindjen e diellit dhe në muzg në një mbrëmje të hershme pranvere. Ata duhet të mësojnë të kuptojnë se jeta është e pasur dhe e bukur dhe ia vlen të jetohet — dhe se do të ishte edhe më e bukur nëse njerëzit do të bëheshin më të mirë. Arti është një nga mjetet që do të edukojë racën njerëzore dhe do ta bëjë çdo individ më të mirë, duke hapur sytë nga e bukura, sepse atëherë ata do të mendojnë bukur, do të kuptojnë se çfarë është e mira dhe e keqja dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat.

***

Ndërsa disa gazetarë presin jashtë derës për të hyrë në shenjtëroren e të shenjtëve, ne e shohim si kolegjiale për ta dhe sjellje ndaj aktorit të madh t’i themi lamtumirë.

Aleksandër Moisiu ishte i lodhur kur mbërritëm dhe nuk kishte gjasa të gjallërohej nga shumëllojshmëria e gjermanishtes për të cilën e pyetëm.

Megjithatë, u bashkuam pak sa i përket gjuhës dhe shqiptimit të saj kur i dhamë lamtumirën e fundit. Në gjermanishten më të patëmetë i thamë : Auf Wiedersehen, Aleksandër Moisi !

Por nuk e dimë sa i kishte mbetur kur u përgjigj : Auf Wiedersehen, mein Herr !

A.   P. Aa.

Filed Under: Kulture

Aktiviteti më i madh kulturor në Amerikë

September 8, 2025 by s p

Me kënaqësi të madhe ju ftojmë të bashkoheni me ne në festivalin i 33-të shqiptar – 𝐴𝑘𝑡𝑖𝑣𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖 𝑚ë 𝑖 𝑚𝑎𝑑ℎ 𝑘𝑢𝑙𝑡𝑢𝑟𝑜𝑟 𝑠ℎ𝑞𝑖𝑝𝑡𝑎𝑟 𝑛ë 𝐴𝑚𝑒𝑟𝑖𝑘ë!✨🇦🇱

𝐒𝐡𝐢𝐭𝐣𝐚 𝐞 𝐛𝐢𝐥𝐞𝐭𝐚𝐯𝐞 filloi më 𝟑𝟏 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭.

Mirë se vini në këtë mbrëmje të paharrueshme plot pasion për kulturën dhe traditat tona.

𝐉𝐮 𝐦𝐢𝐫ë𝐩𝐫𝐞𝐬𝐢𝐦 𝐦𝐞 𝐳𝐞𝐦ë𝐫!

🇦🇱
♥️
🇦🇱

Për Bileta Kontaktoni:

Ndreke Tonaj – (646) 261-3536,

Mark Berishaj – (914) 557-5010,

Lumi Rudaj – (914) 830-1019,

Petrit Grishaj – (347) 736-7099,

Gjergj Paloka – (646) 226-1457,

Tony Boga – (917) 807-0290

Filed Under: Kulture

LA TRIBUNA (1915) / ANGAZHIMI I AKTORIT TË FAMSHËM NË USHTRINË GJERMANE — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ALEKSANDËR MOISIUN NË BERLIN

September 6, 2025 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935)
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Shtator 2025

“La Tribuna” ka botuar, të dielën e 7 shkurtit 1915, në faqen n°3, intervistën ekskluzive me Aleksandër Moisiun në Berlin rreth angazhimit të tij asokohe në ushtrinë gjermane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë me Moisiun, aktor dhe ushtar

Burimi : La Tribuna, e diel, 7 shkurt 1915, faqe n°3
Burimi : La Tribuna, e diel, 7 shkurt 1915, faqe n°3

Në një nga shumë kafenetë e modës, të cilat, pavarësisht luftës, janë shumë të mbushura me njerëz, një ushtar këmbësorie bisedon me dy të rinj. Sa ushtarë ka rreth nesh që flasin me miqtë e tyre ? Megjithatë, rreth këtij ushtari shumë modest mblidhet gradualisht një rreth i vogël njerëzish ; ushtari flet italisht dhe flet me përsosmëri në formë dhe theks dhe me diçka të përzemërt dhe nostalgjike që duket si jehona e zbehtë e një kënge lagune. Ushtari duket se nuk e vëren kureshtjen që ngjall ; një e re më e guximshme i ofron një kartolinë me fotografi dhe një stilolaps ; ushtari buzëqesh dhe firmos, e reja falenderon dhe biseda italiane vazhdon. Por shpejt ndërpritet ; këtë herë nga dy zotërinj :

— “Ist es wahr, dass Sie an die Front gehen?” (A është e vërtetë që do të shkoni në front ?)

— “Ja, morgen oder übermorgen”. (Po, nesër ose pasnesër).

E reja që nuk u largua, ka një moment emocioni ; përgjigjia e ushtarit përhapet nëpër kafenenë dhe së shpejti një turmë formohet rreth nesh. Pse kaq shumë emocion për këtë ushtar që po largohet ndërkohë që çdo ditë qindra ushtarë nisen për në front, ndërkohë që shumë prej po atyre të rinjve që janë të gëzuar këtë mbrëmje këtu në “Caffè des Westens” do të jenë në rreziqet dhe ashpërsinë e llogoreve brenda një jave ? Sepse ky ushtar është Aleksandër Moisiu, aktori i madh që publiku gjerman idhullon nga Kronprinz-i (Princi trashëgimtar) deri te qytetari më modest ; ai është aktori i madh që pasi luajti në tragjeditë e mëdha ritmike, nuk mundi të dorëzohej për të qenë vetëm spektator i kësaj tragjedie të madhe njerëzore.

Turma përreth tij tani është e madhe dhe zhurmuese : biseda është e vështirë.

— Ejani nesër në shtëpinë time, tha Moisiu, të cilin e kam njohur në Itali.

Ja ku jam në shtëpinë e Moisiut : nga dritarja e hapur në diellin e ndrojtur të Berlinit mund të shohim Spraa-në. Moisiu, i cili ka veshur një uniformë gri lufte, rrëfehet :

— Ju jeni habitur kur më gjetët një ushtar gjerman ? Kur shpërtheu lufta, kërkova të bashkohesha me ushtrinë gjermane, jo vetëm nga mirënjohja ndaj këtyre njerëzve që kanë qenë gjithmonë shumë dashamirës ndaj artit tim, por nga një konsensus admirimi aktiv për shembullin e admirueshëm të entuziazmit dhe harmonisë kombëtare që gjermanët po i jepnin botës. Kam performuar në Paris, në Londër, në Petersburg, në Bruksel dhe kudo që kam pasur një mirëseardhje shumë dashamirëse ; detyra ime e mirënjohjes si artist shtrihet edhe në kombet e tjera, por duke u regjistruar në ushtrinë gjermane, nuk kam përmbushur një detyrë mirënjohjeje si artist, por një akt të vetëdijshëm pëlqimi. Tregojuni në Itali dhe thuajuni gjithashtu se nuk kam hequr dorë nga dashuria për Italinë për asnjë moment. Unë e dua Italinë, që është atdheu im, por ashtu siç kishte italianë që besonin se po përmbushnin një detyrë duke u bashkuar me ushtrinë franceze, kështu besoja se po përmbushja një detyrë duke u bashkuar me ushtrinë gjermane.

— Dhe nuk keni hasur ndonjë vështirësi ?

— Jo, iu drejtova Kronprinz-it (Princit trashëgimtar) që më ka nderuar gjithmonë me dashamirësinë e tij. Kronprinz-i m’u përgjigj me një telegram të përzemërt falënderimi dhe në pesëmbëdhjetë minuta u bëra një këmbësor gjerman. Unë e kam kryer gjithmonë detyrën time si ushtar, duke shkuar çdo ditë në kazermë për të kryer udhëzimet dhe duke mos kërkuar ndonjë trajtim të veçantë. Në të vërtetë, do t’ju them se që kur u bëra ushtar nuk kam recituar më, edhe sepse të gjitha tragjeditë zbehen në krahasim me këtë tragjedi të madhe që trondit Evropën, dhe sepse nuk doja që askush të mendonte as nga larg se doja të përdorja uniformën time të ushtarit për të fituar një favor edhe më të madh me publikun e Berlinit.

Moisiu flet qetë, thjesht, me emocion ;  zëri i aktorit të madh ka një butësi bindëse, të përtypur. Edhe nga biseda e tij ne mund të shohim fuqinë e artit të tij përfaqësues. Ai më tregon për “Kronprinz-in” :

— Kronprinz-i (Princi trashëgimtar) e do Italinë ; Unë kam kaluar shumë orë me të në pallatin e tij, vetëm unë me të dhe qenin e tij të besueshëm dhe shpesh flisnim për Italinë, shpesh edhe në italisht. Unë kurrë nuk kam gjetur një person me karakter kaq të thjeshtë si Kronprinz-i ; ai shpesh skuqet kur flet… Dhe ai nuk është në gjendje t’i thotë askujt asgjë më pak se të këndshme. Princesha trashëgimtare është një engjëll ; Unë drekova me të dhe mund t’ju them se ajo e adhuron burrin e saj dhe se është gruaja më e mirë dhe nëna më e dashur.

Moisiu u takua gjithashtu me Mbretëreshën e Belgjikës dhe ka një kujtim mirënjohës dhe të mirë për të ; është e çuditshme të dëgjosh këtë ushtar gjerman të flasë italisht dhe të këndojë lavdërimet e Mbretëreshës së Belgjikës. Por historia e kësaj ore ka shumë konflikte tragjike ; dhe cilat do të jenë konfliktet e së nesërmes ? Mendja e njeriut humbet duke menduar për to.

Do të doja që Moisiu të më fliste për artin dhe projektet e tij ; më thotë se, derisa të mbarojë lufta, arti duhet të heshtë ; ai tani ndjen gjithë kotësinë (vanitetin) e asaj që nuk është veprim i drejtpërdrejtë. Vetëm muzika e ngushëllon dhe dehet nga ajo. Vitin e kaluar, më thotë, kishte planifikuar një “tur” për në Itali me Duse-n ;  do të luanim “Fantazmat”. Për gjashtë javë, Moisiu dhe Duse jetuan në Venecia në lodhjen e vazhdueshme të provave ; më pas një vështirësi përtej kontrollit të tyre kaloi rrugën dhe më pas, papritmas, Duse u zhduk.

“Por projekti — shton Moisiu — nuk ka vdekur, thjesht është pezulluar… Dhe unë do të përfaqësoj edhe veprat e Benellit, e kam premtuar dhe kam ndërmend ta mbaj premtimin.”

Tashmë biseda është për Italinë, për artin e saj, për shpresat e saj ; duke veshur uniformën e një ushtari gjerman, Moisiu nuk e ka pakësuar dashurinë për tokën e tij të ëmbël të Adriatikut… Aktori i njohur reciton disa vargje veneciane.

Pastaj papritmas shikon orën e tij :

— Ora është katër e një çerek, duhet të shkoj në kazermë.

ANGELO RAGGHIANTI

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 555
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT