• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VLERA KULTURORE NË NJË FESTIVAL INTERKULTURAL NE ITALI

May 17, 2017 by dgreca

1 Ok Lazri-Nga festivali i 3-të interkultural në Riva del Garda/2 ok LazriNga Ndue LAZRI/1 Lazri okNëse tre vjet më parë Festivali Interkultural nisi si një spektakël eksperimental i shoqatës “Rinia” me president Erio Korani, dhe pati një sukses e jehonë jo të vogël tek artdashësit dhe tek mediat, me dy edicionet e mëvonshme mund të themi që është kthyer në një traditë që nuk mund t’i mungojë më jo vetëm zonës së Trentinos, por gjithë komunitetit shqiptar në Itali. 3 LazriSivjet ky festival u bë më herët se vitet e tjera, por interesimi dhe pjesëmarrja ishin mjaft të gjera, duke kaluar mjaft tej zonës ku zhvillohet. Dhe kjo flet qartë që jo vetëm emigrantët shqiptarë, por edhe komunitetet e etnive të tjera dhe vetë publiku italian i zonës ndihen jo vetëm të interesuar, por edhe pjesëmarrës në këtë eveniment që nga viti në vit i rrit përmasat dhe pretendimet e tij. Është një sipërmarrje jo e lehtë, që kërkon një makinë të vërtetë organizative. E në përfundim të tij mund të thuhet që organizatorët ia dolën mbanë mjaft mirë, duke u përballur edhe me vështirësi e të papritura që nganjëherë nuk mungojnë në spektakle të tilla me përmasa të mëdha.1 Ok LazriPërgjithësisht dita e zhvillimit të Festivalit kthehet në një ditë feste për qytetin piktoresk Riva del Garda buzë liqenit të kaltër në prehërin e maleve të thepisur që e rrethojnë. Shtohet numuri i turistëve të huaj, madje edhe i emigrantëve shqiptarë që ia lejojnë vetes një fundjavë turistike për hir të festivalit. E kjo është një vlerë jo e vogël, se përveç gjallërimit të jetës kulturore, në mënyrë indirekte ndikon edhe në ekonominë e qytetit. Madje, këtë radhë, edhe pse maji ka mbajtur i freskët e thuajse përditë me shira, këtë ditë u lejoi jo pak turistëve edhe një banjë dielli apo zhytje në ujrat e liqenit.

Festivali nisi që në orët e para të pasdites, me sfilatën e kostumeve popullore e karakteristike të grupeve pjesëmarrëse, që tërhoqën vëmendjen e publikut. Parakalimi i lodërtarëve me tingujt e fuqishëm të daulleve e tambureve, sikur e shkundi qytetin në prag të koncertit të madh. Në këtë kuadër ishin futur edhe konkursi i pikturës për fëmijë dhe jehona nga bota në një tingull të vetëm me muzikë nga nxënësit e shkollës së muzikës Alto Garda. Edhe këtë do ta cilësoja si një vlerë më vete, se u jepet hapësirë brezave të rinj të krijuesve, artistëve e interpretuesve, të cilët garantojnë vazhdimësinë dhe pasurimin e mëtejshëm të traditës së këtij festivali.

Gjithashtu, në kuadrin e Festivalit ishin futur edhe promovimi i krijimtarisë artistike të poetëve Lumturi Plaku e Skënder Lazaj, duke dëshmuar një realitet që në emigracion në Itali ka një numër të madh krijuesish letrarë e të arteve të tjera, anëtarë të dy shoqatave të krijuesve që bëjnë pjesë në gjirin e Federatës FNAI. Edhe këta krijues i japin një pasuri më vete jetës kulturore qoftë të qyteteve ku ata jetojnë, qoftë të shoqatave të emigrantëve.
Konferenca e shtypit, që zhvillohet pak orë para koncertit, ka një synim të caktuar. Aty, autoritetet lokale të komunave trentine, organizatorët e festivalit dhe të ftuar të tjerë diskutojnë bashkërisht rreth këtij evenimenti, duke treguar atë bashkëpunim të ngushtë midis tyre për një realizim sa më të suksesshëm të festivalit, çka reflekton qartë atë integrim të shëndoshë, real e të natyrshëm të emigrantëve në jetën shoqërore, kulturore e ekonomike të zonës. Kryetarët e bashkive, assesorët e komunave e nëpunës të tjerë komunalë, prej tre vitesh ndihmojnë e i shikojmë gjithnjë prezentë e me fjalë vlerësuese për aktivitetin, për organizatorët dhe për rëndësinë e këtij festivali në jetën kulturore të zonës.
Koncerti i madh, që zgjati mbi 5 orë, këtë vit ishte më i pasur e më i larmishëm, me një pjesëmarrje të gjerë të etnive të ndryshme. E do të thoja që kjo ishte një nga vlerat më të veçanta të Festivalit. Bashkëjetesa, vlerësimi reciprok, njohja, gërshetimi dhe ekspozimi i kulturave të 8 kombeve të ndryshme në të njëjtën skenë e nën një regji të vetme është një sipërmarrje me të vërtetë e vështirë e arritja e saj në mënyrë harmonike dëshmoi për një punë serioze, profesionale e të kualifikuar të të gjithë stafit, por në mënyrë të veçantë të regjisorit Aleksandër Kolshi, që jeton e punon në Rovereto e bën një punë të madhe për kulturën shqiptare në zonë. Kërkesat e grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në festival kanë qenë të mëdha e nga shumë rajone të Italisë, kështuqë është dashur të bëhej edhe një punë e kujdesshme seleksionuese për të sjellë një gamë sa më të gjerë përfaqësuese vlerash të muzikës, valleve, kostumeve. E të mendosh se tërë ajo pasuri kostumesh, tërë ajo punë përgatitore për interpretime dinjitoze, bëhet krejtësisht mbi baza vullnetare, e bazuar mbi pasionin e vete emigrantëve që i realizojnë ato me shpenzimet e tyre. Tek bisedoja me zëvendëskonsullen e konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Milano, Gjylymsere Kundja (e vetmja përfaqësuese diplomatike në këtë eveniment), ajo theksonte që është e nevojshme që edhe vetë shteti të jetë më tepër i pranishëm në ngjarje të tilla, sepse përfaqësohet kultura shqiptare me vlerat e saj të mëdha përballë publikut të një vendi të madh europian që është në avagardën e kulturës botërore.
I mendoja sakrificat e pasionin e emigrantëve tek shikoja jo vetëm sfilatën e kostumeve nëpër rrugët e qytetit, por edhe interpretimin e grupeve në skenën e festivalit. Grupi “Shtojzovallet”, i shoqatës “Vatra” në Ala, prej vitesh sjell në skenë jo vetëm bukurinë e kostumeve të krahinave të ndryshme shqiptare, por edhe elegancën, dinamikën e mesazhin tipik shqiptar të valleve tona. Ndërsa grupet “Dance emotion” i Riva del Garda, përgatitur nga Elisa Versini, “Artisti” i Roveretos, përgatitur nga Aleksandër Kolshi, “Scuola musicale Alto Garda” në Arco e Riva dhe “Studio danza Annalisa” në Arco dëshmuan për punën me pasion që bëhet me fëmijët e të rinjtë në fushën e baletit klasik e modern. Të shikosh në skenë fëmijë tre apo pesëvjeçarë të kërcejnë aq bukur në një grup të madh e të përgatitur mirë artistikisht, është pa dyshim diçka emocionuese dhe entuziazmuese në të njëjtën kohë.
Grupi “Ura e Bashkimit”, ardhur që nga Legnano në afërsi të Milanos, solli kostumet tradicionale të burrave dhe epikën e muzikës së çiftelive të veriut.Po kështu edhe grupi “Skënderbeg” i ardhur nga një shoqatë me tradita shumë të mira në Parma, solli emocione me vallet e kostumet dibrane. Ndërsa këngëtaret e mirënjohura Mariza Ikonomi e Ani Myzeqarja, që kishin ardhur nga Shqipëria, sollën në skenë këngë të bukura të vendit tonë, që përfaqësojnë atë trashëgimi të çmuar kulturore.
Kishte emocionet e veta paraqitja në skenë e dy grave të ardhura posaçërisht nga Kalabria, nga toka e arbëreshëve. Hera e parë që ato ngjiten deri buzë Alpeve. Por ishte normale që të mos mungonin edhe arbëreshët në këtë festival. Edhe ata janë pjesë e historisë, kulturës e traditave shqiptare. Lucia Martino (Mjeshtër i Madh), presidente e shoqatës “Vorea” në Frascineto, solli për festivalin mesazhin e arbëreshëve për të punuar sëbashku për gjuhën e kulturën tonë kombëtare edhe në dhe të huaj. Ndërsa këngëtarja energjike Francesca Prestia nga Catanzaro këndoi në gjuhën arbëreshe këngën “O e bukura More” dhe një këngë që evokon luftrat e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Mendoj se prezenca e arbëreshëve ishte një vlerë e shtuar në këtë festival.
I një gjinie krejt të veçantë, por me mjaft interes ishte interpretimi i grupit “Vertik&Dance”, përgatitur nga Ervin Picalli. Një lidhje e bukur harmonike e akrobacisë me vallëzimin në lartësi, realizuar me mjeshtëri artistike.
Shoqata “Polacchi in Trentino” e Trentos u paraqit me “Gruppo Jawor”. Janë të njohura në gjithë botën vlerat e padiskutueshme të kulturës e muzikës polake në shekuj, ndaj ndoqëm me kureshtje e interesim interpretimin e tyre. Dhe në fakt, kostumet befasuese me ngjyrat e tyre, delikatesa e valleve, mjeshtëria koreografike, bënin që këta amatorë të pasionuar të ishin afër profesionistëve të vërtetë të skenës. Impresionues në interpretimin e tij grupi i komunitetit indian “Bhangra”. Një vullkan ngjyrash, lëvizjesh e energjishë në valle tipike indiane, që e bënë për vete publikun dhe merituan duartrokitjet e tij.
Edhe grupi “Arcobaleno” i moldavëve në Trento, grupi Folk i rumunëve të Veronës, grupi “Son 4” i venezuelanëve të Arcos apo grupet “Zampognaro” dhe “La Lëm” të shoqatave kulturale në Lagaro e Tremosine, i sollën vlera të veçanta festivalit me larminë e kostumeve, instrumenteve muzikore dhe mënyrat shumë origjinale të interpretimit.
Drejtimi i një programi 5 orësh nuk ishte i lehtë edhe për prezantuesit e tij Anila Kaja e Riccardo Cis, të cilët vinin në skenë pas edicionit të vitit të kaluar. Por mendoj se përgatitja profesionale dhe sidomos spontaneiteti i tyre, i dhanë spektaklit ritmin dhe dinamikën e duhur.
Mendoj se ky festival vlerash të 8 etnive të ndryshme, që u paraqitën denjësisht përpara publikut, nuk do të humbiste asgjë, po të mënjanohej repertori i këngëtarit Sinan Hoxha. Nuk kam asgjë kundër aftësive interpretuese të këtij këngëtari, që është e natyrshme të ketë fansat e vet të cilëve u pëlqen muzika e tallavave, por në kontekstin e festivalit repertori i tij ishte krejtësisht i papërshtatshëm. Siç e theksova më lart secili grup, apo edhe dy këngëtaret e ardhura nga Shqipëria, sollën vlerat përfaqësuese me nivel e shije artistike. Kurse këngë si “Sexy mama bom, bom bom”, apo “Fustani me kuklla”, jo vetëm që nuk paraqesin vlera, por janë antivlera dhe huazime vulgare që nuk kanë të bëjnë aspak me muzikën e vërtetë shqiptare.
Festivali i sivjetëm interkultural në Riva del Garda ishte një eveniment i suksesshëm, që e rrit më shunë përgjegjësinë e organizatorëve për vitet e ardhshme, si për të sjellë risi në organizim, në seleksionimin e grupeve, në anën regjisoriale etj. Sepse edhe pjesëmarrja e kërkesat e vetë publikut do të jenë më të mëdha. Bashkëpunimi i shoqatës “Rinia” me Federatën FNAI, ku ajo bën pjesë dhe ka bashkëpunuar në dy edicionet e fundit, do të bëjë që ky eveniment të tërheqë grupe edhe të shoqatave të tjera në rajone të ndryshme të Italisë, të ketë një mundësi më të madhe zgjedhjeje dhe të sjellë ne skenë një konkurs të vërtetë vlerash të mirëfillta. Madje, në të ardhmen, mund të mendohet që të jepen edhe çmime për tre grupet më të mira, çka do e bënte edhe më të fortë garën midis grupeve pjesëmarrëse.
Ndue Lazri

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali, Ndue Lazri, në Riva del Garda

Petrit Halilaj – artisti shqiptar impresionoi Venecian

May 16, 2017 by dgreca

1 petrit2 Petrit Bien2 bannerfinal1 Petrit HaliliNjë artist nga Kosova në Venecia. Petrit Halilaj nderohet nga juria e Bienales./

Nga Lindita ARAPI/Deutsche Wellen/

Artisti i arteve pamore Petrit Halilaj, i lindur në Kosovë në vitin 1986 u nderua në Bienalen e Venecias (14.Maj) nga një juri ndërkombëtare me “përmendje të veçantë” për kontributin e tij si artist. Halilaj, ka lindur në Kostërc, dhe në moshën 13 vjeçare në kohën e luftës në Kosovë i është dashur të jetojë në kampin e Kukësit. Këtu filloi edhe rruga e jetës si artist. Halilaj rrëfen për Deutsche Wellen hapat e parë ishin vizatimet në disa fletë të bardha që ia kishte ofruar psikologu italian në kamp, Giacomo Poli. Kështu këto skica shenjuan kështu njëkohësisht edhe rrugën e së ardhmes për artistin.

Sot kujtimet e vendlindjes janë ushqim për artin e Petrit Halilajt. I kam ende të gjalla kujtimet nga fshati Kostërc, jeta atje, natyra, oborret, pulat”. Por ai di të ndjekë edhe ritmin e jetës së madhe në lëvizje, “ku ti si njeri je i hapur për kultura të reja, për ide të reja.”

Artisti jeton në Bozzolo, Prishtinë dhe Berlin. Por kujtimet nga vendlindja dhe atmoferë kozmopolite nuk përbëjnë kundërshti, madje janë frymëzuese, thotë ai. Lidhja me vendlindjen është e fortë. Halilaj thotë se shkon shpesh në vendlindje. ”

Në vitin 2015, Galeria Federale e Artit në Bonn hapi dyert për një ekspozitë të plotë me artistin e ri, nga data 6 mars deri më 15 tetor 2015 me një titull poetik e të pazakontë si vetë rruga e artistit: “She, fully turning around, became terrestrial” – “Ajo, me një rrotullim të plotë, u bë tokësore.” Instalacionet e Petrit Halilajt janë një korpus ku vendlindja, identiteti e trashëgimia historike kalojnë në sitën e imët të artit.

*DW

Filed Under: Kulture Tagged With: Bienale, fitues, Petrit Halilaj

Kosovë-Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania)

May 15, 2017 by dgreca

1 Muzeu2 Kulture pa kufij

 -Kampi Rajonal i Restaurimit nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri” (CHwB Albania), me temë “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale”, me 20 profesionistë të rinj dhe 8 ligjerues e konservues nga Ballkani dhe Europa/
 PRISHTINË, 15 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Në Muzeun e Kosovës, ka filluar sot Kampi Rajonal i Restaurimit nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri” (CHwB Albania), me temë “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale”, me 20 profesionistë të rinj dhe 8 ligjerues e konservues nga Ballkani dhe Europa.
Pjesëmarrësit do të fokusohen në konservimin e objekteve dhe interpretim në Muzeun e Kosovës. Ligjëratat dhe ushtrimet që do të mbahen përgjatë Kampit do të mbulojnë tema si: konservimi dhe rijetëzimi i objekteve muzeale, principet dhe metodat e dokumentimit, si dhe teori dhe ushtrime të interpretimit të trashëgimisë. Pjesëmarrësit do të punojnë nën drejtimin e një ekipi restauratorësh ndërkombëtarë dhe stafit të Muzeut të Kosovës. Objektet e punës variojnë nga ato të gurit, qeramikës, metalit, tekstilit, si dhe objekte të bëra nga materiale të përzier. Ky Kamp Rajonal i Restaurimit organizohet në partneritet me Muzeun e Kosovës, si dhe mbështetet financiarisht nga Shteti i Suedisë.
Kampi do të zgjatë deri më 26 Maj 2017 (ora 09:00-18-00).
 *** 
Sot, në ditën e tretë ka filluar të marr formë murali “Ne jemi trashëgimia”, i cili prezanton kreativitetin e nxënësve të inspiruar nga thesari muzeor duke e pasqyruar atë në kontekstin artistik. Ky mural, është pjesë e programit edukativ mes Muzeut të Kosovës dhe Shkollës Teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë. Murali në fjalë, pritet të përfundojë me 18 Maj 2017, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: (CHwB Albania), Behlul Jashari, Kosovë-Trashëgimia Kulturore pa Kufij - Shqipëri

Fituesit e Panairit Kombëtar të Librit “Fieri 2017”

May 14, 2017 by dgreca

Mbyllet me sukses Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2017”. Këtë vit pati më shumë interes nga lexuesi, më shumë aktivitete. Fitues të cmimeve letrare, tre ish-gazetar.

3 apnairi

Ka ulur siparin Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2017”. Pas një axhende maratonë aktivitetesh, konferencash shkencore, simpoziume, takime letrare, tryeza diskutimi, festa te përbashkëta, është zhvilluar edhe ceremonia e ndarjes së cmimeve të këtij eventi të kthyer në madhështor, tanimë.

1 Fieri

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, presidentja e Fondacionit Harpa, njëkohësisht drejtoreshë e Panairit të Librit ,Majlinda Rama, pasi përshëndeti të pranishmit, u shpreh se Fieri ka marrë këto ditë të gjitha tiparet e një qyteti që zien kulturë, letërsi dhe dije, duke e kthyer kryeqender dhe qytet të privilegjuar. “Është në nderin tonë që qytetin e  Fierit ta kthejmë, disa ditë në vit, në qytet që i gjallërohen rrugët nga mysafirët e ardhur prej të gjitha trevave shqipfolëse. Këto ditë, Fieri ka marrë të gjitha ngjyrat e një qyteti që dëshmon kulturë, letërsi dhe dije. Personalisht, falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe protagonistët e këtij aktiviteti me përmasa”, – ka vijuar Rama.

2 Fieri

Edhe drejtori i Artit dhe Kulturës, Agron Xoxa, u shpreh se Bashkia Fier do të vazhdojë ta mbështesë këtë aktivitet, që i kthen qytetarët drejt librit.

“Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë panair e do të shohim të gjitha mundësitë për ta zgjeruar edhe më shumë atë”, ka thënë ndër të tjera Xoxa.

Panairi Kombëtar i Librit organizohet për të katërtin vit rresht nga Fondacioni Kulturor “Harpa” dhe mbështetet nga Bashkia e qytetit dhe Ministria e Kulturës.

Më herët, akademiku Ali Aliu u shpreh se  panairi i librit të Fierit është kthyer në pelegrinazh të autorëve nga mbarë trevat shqipfolëse.

“Unë e kam vlerësuar këtë panair si më të mirin që bëhet në Shqipëri, por edhe matanë kufijve. Është mbreslënës, gjithëpërfshirës, i larmishëm, befasues, serioz, me standarde, prandaj Majlindës meriton t’i thuhet faleminderit që po bën atë që s’po e bëjmë dot të gjitha ne institucionet shkencore apo edhe të tjera institucione të fushës së librit. Ky panair është kthyer në pelegrinazh të ne, autorëve e njerëzve të letrave”, është shprehur gjatë ditëve të panairit Aliu.

Juria e përbërë nga profesionistë të fushës studimore e letrare, si Klara Kodra -kryetare, Aliu Aliu – anëtar, Sadik Bejko – anëtar, Maku Pone- anëtar dhe Bujar Rama- anëtar, pas përshëndetjes së organizatores Rama dhe drejtorit të kulturës, Xoxa, zbuluan edhe emrat e fituesve të këtij edicioni të 4 të panairit.

Klara Kodra, në cilësinë e kryetares së jurisë u shpreh se në shumë kërkesa ishte e vëhstirë përzgjedhja, por juria u mundua të zgjedh sa më profesionalisht.

“Ishin paraqitur 148 libra për konkurrim. Ishin romane, vëllime poetike, studime, libra për fëmijë, publicistikë, e lloje të tjera krijimi, cka na obligoi të kemi një punë impenjative këto kohë. Pas selektimit kemi dalë në përfundimin se do të japim 4 cmime për fituesit dhe një cmim të vecantë”, ka thënë studiuesja Kodra.

Më poshtë po japim cmimet:

Vladimir Marku – Për romanin më të mirë, me motivacion: “Për romanin ‘Gladis’, i cili sjell një spektër të tërë ngjyrimesh emocionale dhe karaktere që nisin nga e veçanta për të prekur universalitetin”.
Erenestina Halili – Për librin poetik më të mirë, me motivacion: “Për vëllimin ‘Gjâma e erës’, i cili na çon nëpër kohë, duke na zbuluar gjurmët entografike të një të folmeje, gati të harruar e duke na sjellë një ritëm dhe muzikalitet të brendshëm. Rrëfim lirik që qëndron estetikisht mirë në këtë qasje”.
Monika Stafa – Për librin publicistikë/studimor më të mirë, me motivacion: “Për librin ‘Kod’, i cili vërtitet rreth një boshti që kërkon në hapësirat e vetvetes, ndikon në reflektimin drejt përsosjes individuale të qenies njerëzore”.

Shkëlzen Zalli – Libri më i mirë për fëmijë, me motivacion: “Për librin ‘Ditari i maces’, një libër me gjetje nga më interesantet, ku mishërohet fabula, loja dhe mendimi”.

Çmim i veçantë

Odise Plaku – me motivacion: “Për librin ‘Tri ndodhitë e Orikut’, i cili sjell me vete magjinë joshëse te fëmijët dhe gjallëron mendimet dhe përfytyrimin e lexuesit të vogël”.

Panairi i Librit “Fieri 2017”, organizohet nga Fondacioni “Harpa’’ dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Fier, Drejtoria Arsimore Rajonale, Fier, Biblioteka “Dritëro Agolli”, etj.  Në këtë ngjarje mbarëkombëtare morën pjesë rreth 100 shtëpi botuese, të cilat paraqitën botime të larmishme nga letërsia artistike shqipe dhe e huaj, historia, enciklopedia, letërsia për fëmijë, fjalorë, albume, udhëzues, harta etj.

Në këtë Panair u mbajtën disa konferenca të rëndësishme shkencore, si:  “110 vjet nga lindja e Mitrush Kutelit” ; “Libri i përkthyer, problematikat aktuale” ; “Azem Shkreli, poeti i mendimit të thellë” ; Tryeza mbi shkrimtarin Jakov Xoxa, si dhe u përkujtuan autorët: Miguel de Servantes , Johan Gëte , Henri Hajne, Viktor Hygo, Sharl Bodler , Pashko Vasa , Ndre Mjeda , Fan S. Noli, Lasgush Poradeci , Martin Camaj,  Idriz Ajeti, At Zef Pllumi, Nazim Hikmet, Alberto Moravia, Musine Kokalari , etj., u lexuan poezi e vargje nga autorë, si: Ilirjan Zhupa, Hasan Qyqalla etj.

Filed Under: Kulture Tagged With: ”- Fituesit, Fieri 2017, Panairi

Dalin në dritë fakte të reja për shqiptarët përmes mbishkrimeve osmane

May 13, 2017 by dgreca

Rreth 132 mbishkrime, që janë gjetur në mure, dru dhe gurë sjellin të dhëna për jetën shqiptare  dhe përbëjnë një kontribut për fushën studimore, veçanërisht për studimin dhe vlerësimin e ndërtimeve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane./

1 Turku

Nga Jolanda LILA/Me praninë e personaliteteve të rëndësishme të kulturës e shkencës në Tiranë u promovua libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” (“Korpusi i mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”), i studiuesit dr. Mehmet Tytynxhu, publikuar së fundi në anglisht dhe që së shpejti, pritet të publikohet edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), institut i cili organizoi edhe veprimtarinë promovuese në mjediset e Hotel Imperial, ditën e premte, në Tiranë/

2 Turku

Në fjalën e hapjes së veprimtarisë, drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj theksoi rëndësinë e këtij botimi për kulturën e shkencën shqiptare dhe nxori në pah disa nga vlerat kryesore dokumentare që bartin këto mbishkrime.  Sipas tij, “Mbishkrimet që gjenden në monumentet e kulturës islame në trojet shqiptare janë një aspekt i veçantë, që ka ardhur si trashëgimi e kulturës islame shqiptare deri në ditët e sotme. Ato rrokin një hark të gjerë kohor gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1466 dhe përfundojnë në vitin 1942 dhe hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare. Nëpërmjet tyre njihemi edhe me jetën dhe veprën e disa personaliteteve shqiptarë si vezirë të mëdhenj, pashallarë, udhëheqës, kryengritës që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Në shumë mbishkrime të tjera jepen informacione mbi kohën kur kanë filluar dhe ushtruar veprimtarinë e tyre personalitete të rëndësishëm dhe misionarë të besimit islam si: myftinj, imamë, hatibë, myezinë, dervishë, baballarë, vaisë dhe teologë. Njëkohësisht në këto mbishkrime gjenden të dhëna edhe për protagonistë të rangjeve e natyrave të ndryshme, përmenden emra mirëbërësish që një pjesë të pasurisë së tyre e përkushtuan në vepra bamirësie, përmenden emra dijetarësh islamë dhe mësuesish që në kohën kur jetuan rrezatuan kulturën dhe dijet islame, përmenden emra vjershëtorësh, vizatuesish kaligrafë, kronikanësh dhe mjeshtërish të mirënjohur, që ndër vite derdhën talentin e tyre në to”. Dr. Ramiz Zekaj, në fund të fjalës së tij, njoftoi të pranishmit që libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” do të jetë së shpejti në duart e lexuesve shqiptarë, sepse ka nisur puna për përkthimin në shqip nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), institut i cili prej 2 dekadash promovon zhvillimet më të rëndësishme në sferën e kulturës dhe të qytetërimit islam.

Libri më i ri i studiuesit Mehmet Tytynxhu zbulon dëshmi të reja mbi botën shqiptare përmes qëmtimit të të dhënave të mbishkrimeve osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri. Libri me 311 faqe botuar në anglisht, përmban 132 mbishkrime, shumica të zbuluara në terren, por edhe në arkiva dhe është konceptuar në tre pjesë kryesore, ku dy të parat i dedikohen Shqipërisë dhe një Malit të Zi. Pjesa e parë – “Periudha e parë e sundimit osman”  përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670; Pjesa e dytë – “Mbishkrime nga qytetet”  paraqet  90 mbishkrime nga vitet 1732-1913 dhe Pjesa e tretë -“Mbishkrime nga Mali i Zi”  ka 18 mbishkrime, si dhe 4 nga Koleksioni Marubi. Veç tyre Korpusi paraprihet nga një hyrje që tregon objektin dhe kriteret e studimit dhe paraqitjes së mbishkrimeve, si dhe ka në fund Bibliografinë e literaturës së përdorur dhe abstrakte të shkurtra në gjuhët shqipe, serbo-kroate e turqisht.

Vetë autori i librit, gjatë fjalës së tij, rrëfeu përvojën hulumtuese dhe theksoi disa nga zbulimet kryesore që kishte përftuar me punën e vet. Ai prezantoi fakte interesante rreth historisë së themelimit të disa qyteteve shqiptare dhe kalave të ndërtuara në to, qysh në kohën e Skënderbeut, por edhe në periudhat e mëvonshme. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e angazhimit të autoriteteve shkencore shqiptare për gjetjen e disa mbishkrimeve të humbura, si për shembull mbishkrimi i xhamisë Hasan Balizade në Elbasan etj. Njëherësh, ai përmendi faktin se një pjesë e madhe e mbishkrimeve të gjetura u dedikohen femrave. Sipas tij, është koha që t’u jepet fund debateve mbi rolin e Perandorisë Osmane dhe të mos identifikohet kjo Perandori vetëm me kombin turk, por të shihet roli i të gjitha kombeve që kanë qenë pjesë e saj, sidomos shqiptarëve. Këta të fundit duhet ta shohin veten si pjesë integrale të Perandorisë Osmane, përderisa kanë kontribuuar në zhvillimin e jetës politike, kulturore e më gjerë të kësaj Perandorie. Kujtojmë se shumë shqiptarë kanë shërbyer si vezirë dhe kanë pasur ofiqe të larta drejtuese në këtë Perandori. Gjithashtu, shumë autorë shqiptarë, ku përmendim Sami Frashërin e kanë përndritur kulturën turke e më gjerë.

Në fund të fjalës së vet, ai falënderoi të pranishmit dhe u zotua se do të vijojë hulumtimet për zbulimin e mbishkrimeve të tjera osmane në Shqipëri.

Më tej, fjalën e mori, studiuesi Aleksandër Meksi, i cili vlerësoi punën skrupuloze të Mehmet Tytynxhu, duke e konsideruar librin e tij si një skedë të plotë shkencore. Sipas tij, ky libër është një kontribut i madh për njohjen e jetës dhe të shoqërisë shqiptare. Për nga funksioni i tyre, autori dallon në qenien e tyre të ndryshme dy grupe: mbishkrimet ndërtimore dhe ato të gurvarreve (gjithsej 52, nga të cilat 11 në Muzeun arkeologjik të Tiranës dhe 15 nga qyteti i Shkodrës). Duhen përmendur për vlerën dhe rëndësinë e tyre historike 6 mbishkrime sulltanore (dy të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe tri të Sulltan Sulejmanit). Kështu mbishkrimet ndërtimore janë dokumente me rëndësi të dorës së parë për vendosjen në kohë të ndërtesave. Ato lidhen me data, personalitete e deri dhe me shkruesit e tyre. Disa prej tyre janë dëshmi e ndërtimeve të zhdukura ndërkohë.

Autori ka qëmtuar me këmbëngulje  në terren dhe në literaturën shkencore dhe sot studiuesit shqiptarë dhe kushdo që është i interesuar për historinë e vendit ka në dorë një Korpus që ofron të dhëna të pakundërshtueshme e autentike për krijime, ndodhi, persona e ndërtime deri dje në harresë, ose të shpjeguara me vështirësi për shkak të mangësive për të dhëna të sakta.

Në fund të aktivitetet pati shumë diskutime ndër të pranishmit, ekspertë të fushës, të cilët përgëzuan studiuesin Mehmet Tytyxhu për punën hulumtuese të trashëgimisë Kulturore Osmane në Ballkan, ku njëherësh ai është dhe kryetar i Qendrës Kërkimore për Botën Turke dhe Arabe në Holandë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dalin në dritë fakte të reja për shqiptarët përmes mbishkrimeve osmane, Jolanda Lila

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT