Nga Miranda Sadiku/ – Rajoni i Elbasanit si zonë e ndërmjetme folklorike, numëron rreth 37 kostume popullore autentike, me mbi 10 varjante. Etnologu Thanas Meksi thotë për ATSH se “nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në disa njësi etnografike, Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës”.
Dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire. Ajo i përket shekullit të II- III, dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë.
Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshje duke u përdorur në kostumet e grave të Krrabës, Funarit, si edhe Godoleshit. “Elemente të tjera të veshjes popullore të dokumentuara në zbulimet arkeologjike, janë edhe vargonjtë e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe në atë të Shpatit”, vijon Meksi.
Më vonë shfaqen opinga, xhoka, bruca, që vazhdojnë të përdoren në veshjet e Elbasanit. Opinga përdoret në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Krrabës së Tiranës, si dhe në Peqin. Tipike në Peqin, është veshja me jakuce e burrave të qytetit, të cilën e përdorte edhe Isuf Myzyri (kompozitor, Artist i Popullit).
-Në shekujt XVI – XVII, merr hov kostumi popullor i grave-
Në shekujt XVI – XVII me zhvillimin e zejtarisë, një zhvillim të madh mori përpunimi dhe tregëtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit.
Ndaj kostumi shqiptarçe i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues i grave të Shqipërisë së Mesme.
Ai vazhdon të vishet nga gratë e kësaj zone të Shqipërisë dhe është kryesor në graderobën e ansambleve artistike dhe folklorike. Jehonë ky kostum ka bërë edhe në festivalet ndërkombëtare.
Shumëllojshëmria e kostumeve popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian.
Etnologu Thanas Meksi thekson se “Elbasani është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njënjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore. Në këtë trevë çdo 11 mijë banorë përfaqesohen me kostumin e tyre popullor. Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore bazuar në krijuesit korifenj të kësaj muzike si, Isuf Myzyri, Leks Vini , Mustafa Bodini etj.
Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet e jetës së tyre.
Nënë Tereza – Portret, Janar 2015
Kush thotë që ne burrat s’dimë të qepim…?
Në fakt kam frikë mund të jetë e vërtetë, nuk them që në realitet nuk ia dalë as një kopsë ta ujdis në vendin e vet… hahh, por kështu me “gjilpërat” digjitale ndjehem më i sigurt, ia them pakëz më shumë – këtij portreti ia kam qepur madje dhe firmën, tamam si ndonjë artist… ndoshta si Picasso, ai secilën gjë e firmoste, flitet se dhe skicat që i zhubraviste pë’r t’i hedhur, hooop kujtohej, e shpaloste rishtas, e vënte firmën me gjithë datën dhe tek pastaj i gjuante në shportë(S Guraziu)
Shpëtimi i qytetërimi arbëror i Komanit
Një përfaqësi e Forumit për Trashëgiminë Kulturore u mboldh sot në ambjentet e Akademisë së Shkencave për të kundërshtuar kalimin e linjave të tensionit të lartë mbi Koman, mbi këtë vend qe cilësohet si një nga vendbanimet e hershme ilire.
Gjergji Bojaxhiu, Arben Biçoku, Etleva Nallbani, Erjon Tase, Anila Basha dhe Rojs Petrela, ishin edhe pjesa e panelit të cilët unanimisht u shprehën se me ndërtimin e linjës 500 kilovolt dhe 4 shtyllave të tensionit të lartë, rrezikohet që “Qytërimi i Komanit” me vlerë historike, kulturore, i cili përfaqëson Mesjetën Shqiptare, të shktërrohet.
“Ekipe shkencore e arkeologjike nga institucione të rëndësishme në vend dhe jo vetëm, kanë realizuar zbulime, restaurime objektesh, kanë zbuluar rreth 12 kisha, banesa me tarraca të stilit të Beratit, punishte hekuri metali e qelqi dhe 500 varre dhe këto të fundit janë një dëshmi e qartë densitetit të jetës në këtë qëndër Peshkopale”, u shpreh Bojaxhiu në fjalën e tij.
“Kjo pasuri multimediale, vijoi Bojaxhiu, është një aset kombëtar dhe ne sot jemi mbledhur këtu për ta bërë publike kauzën tonë, e cila është mbrojtja e këtij sajti kulturor”.
“Ministria e duhet të korigjojë trasenë e linjës dhe të mbrojë vlerat kulturore të zonës, të këtij Parku Arkeologjik Natyror Kombëtar”, ishte dhe kryefjala e Bojaxhiut, i cili vijoi duk shtuar se “nuk zhvendoset dhe shpronësohet kultura dhe historia”.
“Imagjinoni sikur mbi Apolloni të ndërtohet një linjë 400 kilovolt, në aspektin turistik e arkeologjik zona shktërrohet”, ishte dhe krahasimi përmbyllës i Bojaxhiut, i cili e mbylli konferencën me pyetjen: A vlen të shpëtohet qytetërimi arbëror i Komanit”?.
Gazeta suedeze e cilëson Ismail Kadarenë si “Kafka shqiptar”
Gazeta suedeze “Helsingborgs Dagblad”, në numrin e saj të marten, botoi një shkrimi me titull “Kafka shqiptar” – ‘En albansk Kafka’, duke vënë në qëndër të analizës tre romane të shkrimtarit Ismail Kadare.
“Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Dimri i madh”, janë botuar së fundmi nga shtëpia botuese “Modernista” në shtetin skandinav.
“Kronikë në gur” është një prej romaneve më të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deri atëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh – partizanë e pushtues – ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.
Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e “Kronikës në gur”, ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me “pafajësinë” e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës.
Së fundmi, shkrimtari i njohur shqiptar dhe ndërkombëtar, Ismail Kadare, fitoi çmimin e Jeruzalemit për vitin 2015, lajmi i cili u bë i ditur pak ditë më parë, nga mediat izraelite. Ky çmim do t’i dorëzohet Kadaresë në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin në datën 8 Shkurt 2015. Librat e përkthyer në hebraisht të autorit janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj.
Ismail Kadare, anëtar i Legjionit francez tё Nderit, ka fituar disa çmime prestigjioze të letërsisë në botë, si Man Booker International Prize, Britani, 2005, Princi Asturias në Spanjë, 2009, etj. Kadare prej vitesh është edhe kandidat i çmimit Nobel.(Kortezi: Almarina Gegvataj)
Muzeu Historik Kombëtar, ekspozitë me rastin e 95-vjetorit të Kongresit të Lushnjes
Tiranë, 21 Janar/Muzeu Historik Kombëtar çeli sot, në kuadër të 95-vjetorit të Kongresit të Lushnjes, ekspozitën fotografike dhe paraqitjen e disa prej objekteve më të rëndësishme nga ngjarja dhe personalitet e asaj kohe.
Aktivitetin e çeli nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili u shpreh se, “kjo është një prej ngjarjeve të shënuara të historisë kombëtare të shqiptarëve. 95 vjet më parë patriotë të shquar u bënë nismëtarë të thirrjes së këtij kongresi, i cili shënon ngjarjen e tretë më të rëndësishëm në themelet për formimin e shtetit kombëtar pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912”.
Më tej ai shtoi se “Vendimet e Kongresit të Lushnjes patën një rëndësi të madhe për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë Kongres u përsërit me zë të lartë programi politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si dhe u hodhën themelet e shtetit modern kombëtar shqiptar”.
Të ftuar nga specialistet e programeve edukative të muzeut, në kuadër të kësaj dite ishin edhe nxënësit e shkollës “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, të cilët kishin përgatitur disa postera dhe vjersha patriotike në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 23 janar në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 284
- 285
- 286
- 287
- 288
- …
- 544
- Next Page »