• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTIVALI KOMBETAR I GJIROKASTRES, NISIN TAKIMET PERGATITORE

January 20, 2015 by dgreca

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të gjithë vendin, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.
Grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e fazës së parë të përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përmbylljen e fazës së dytë që lidhet me përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëve folklorike më të mira.
“Faza e parë përgatitore ka gjetur vlerësimin maksimal nga administrata e qarqeve, qendrat kulturore të komunave dhe bashkive, grupet folklorike dhe shoqatat kulturore. Gjatë kësaj faze, krahas ngritjes së grupeve të punës në strukturat e qeverisjes vendore, komunë, bashki dhe qark me specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë dhe etnomuzikologë, janë bërë ekspedita përzgjedhëse të repertorit të mundshëm muzikor, poetik, koreografik dhe ritualeve dhe në shumë zona kanë nisur provat dhe koncertet e para selektuese”, është shprehur Meri Kumbe, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.
Sidomos muajt e fundit të vitit 2014 dhe javët e para të vitit 2015 janë shoqëruar me një varg veprimtarish folklorike të iniciuara nga vetë strukturat e qeverisjes vendore, qendrat kulturore dhe shoqatat kulturore artistike, veprimtari të cilat kanë nxitur interesin e bartësve të folklorit dhe i kanë vënë ato në lëvizje për një përgatitje dinjitoze për të shkuar me gjetje të reja në ngjarjen më të madhe të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.
Në këtë kuadër janë zhvilluar me shumë sukses disa festivale tipologjike dhe burimore si Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Fëmijëve në Tiranë, Takimi i Polifonisë në Vranisht të Vlorës, Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare në Elbasan, Festivali Folklorik “Sofra Tironse”, Festivali Folklorik Ballkanik në Gjirokastër, festivali “Oda Dibrane” në Peshkopi, Festivali i Këngës Epike në Burrel, etj.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi, thotë se përgatitjet kanë qenë të gjithanshme dhe tre grupe pune me ekspertë të njohur të folklorit në Has, Tropojë dhe Kukës kanë përzgjedhur grupet më të mira dhe pas koncerteve prezantuese në shkallë rrethi me grupet më të mira dhe të përzgjedhura do të organizohet një koncert i përbashkët, ku ekspertët do të vazhdojnë përzgjedhjen sipas kritereve shkencore për të përcaktuar përfundimisht grupin e përfaqësimit.
Puna përgatitore në fazën e parë të saj nxori në pah shumë vlera folklorike të thesarit të trashëgimisë kulturore të përcjellë me dashuri e respekt nga njëri brez te tjetri, vlera të cilat ekspertët e folklorit i mbajnë sekret për të befasuar dhe për të konkurruar fort në skenën e madhe të kalasë së Gjirokastrës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali i Gjirokastres, Nisin përgatitjet

NDAL KORRUPSIONIT DHE GRABITJES SE PRONES

January 19, 2015 by dgreca

Nga Petro Luarasi/
Nga nje mik u informova dhe u pohua nga Marie Gusho, vajza e Poetit Kombetar , Nderit të Kombit, Lasgush Poradeci, se poetit i është grabitur prona!!! Prona eshte truall buze liqenit te Pogradecit , me siperfaqe 462m2. ne perendim te hotelit 1Maji, 3 m larg nderteses. dhe perdoret si mjedis sherbimi. Te bijat Kostandina dhe Maria ndonëse kane nje urdher ekzekutimi, ai nuk zbatohet per shkak te korrupsionit! Madje nje burokrat ne Ministrinë e Drejtësisë guxoi t’iu thotë: – E kush jeni ju që t’ju kthej pronën!! – Ne jemi vajzat e Lasgush Poradecit, Nder i Kombit’. – Punë e madhe! Unë jam… Dhe unë si qytetar pyes: Kush e qysh e ka përzgjedhur këtë të na mbrojë drejtësinë e ligjin!!! Kush e ushqen korrupsionin ne Shqiperi dhe grabitjen e pronave???!!!
Ftoj qytetaret e ndergjegjshem, mediat dhe zyrtaret e shtetit qe ta perhapin lajmin, te ndihmojne te zbatohet ligji dhe te luftohet korrupsioni
Kontaktoni vajzat e Llazar Gushos (Lasgush Poradecit) Kostandina e Marie Gusho Tel 0682271911

Filed Under: Kulture Tagged With: DHE GRABITJES, NDAL KORRUPSIONIT, Petro Luarasi, SE PRONES

Një dhuratë për “Charlie Hebdo”, nga Helidon Haliti

January 16, 2015 by dgreca

Figura e një gjeli i cili simbolizon krenari, bishti i të cilit është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit francez dhe lapsa mbi të të cilat simbolizojnë lirinë e fjalës, është dhurata që piktori shqiptar Helidon Haliti do t’i bëjë kolegëve të tij të revistës “Charlie Hebdos” në shenjë solidarizimi ndaj sulmit terrorist të ndodhur disa ditë më parë:
Ideja për pikturën i ka ardhur teksa dëgjontë edicionet informative, të cilën ditën e hënë do ia dhurojë ambasadës franceze në Tiranë.
Piktura “Gjeli” është fryëmzuar në studio gjatë kohës që ai përgatitet për një ekspozitë të madhe, që mendon ta çelë në vitin 2016.
Ndërkohë që në vitin 2012 ai çeli një ekspozitë të përmasave të mëdha në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e cila u prit me admirim, jo vetëm nga vizitorët, por edhe nga mediat dhe kritikët e artit.

Filed Under: Kulture Tagged With: nga Helidon Haliti, Një dhuratë, për “Charlie Hebdo”

SULEJMAN PRRENJASI, ANETARI I AKADEMISE EUROPIANE TE PIKTURES

January 16, 2015 by dgreca

-Sulejman Prrenjasi, piktori që hapi mbi 20 ekspozita në gjithë Italinë/
-Ibrahim Kodra duke shpërthyer në një bravo për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria thotë: Ja ku e keni Shqipërinë/
-Marrja e kartës së Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri/
Nga Albert Z. ZHOLI/
“Një jetë me dashuri për pikturën” një film dokumentar për piktorin Sulejman Prrenjasi, realizuar nga regjizori Kristaq Janushi,as.regjizor Lulzim Sula,Monrtazhi Alda Sula,Teksti Petrit Ruka dhe lexim teksti nga Agim Xheka me rastin e 80 vjetorit të Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës. Fshati Lubonjë është fshati ku e rrit piktori, ku u edukua dhe formoi talentin e tij për pikturën.Tirana është vendi ku jetoi dhe punoi dhe vazhdon jetën piktori dhe Italia vendi ku me ndihmën e të birit hapi studion e tij. Njohja me piktorin e madh Ibrahim Kodra dhe hapja e mbi 20 ekspozitave në gjithë Italinë, përbën kulmin e krijimtarisë së tij.
Drejt vendlindjes
Sa më shume plaket njeriu, aq më shumë mendja dhe këmbët e çojnë drejt fëminisë. Artisti shkon e takohet edhe njëherë me shumë shok të fëmijërisë në rrënjët e fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës. Megjithëse ka lindur në një fshat të Skraparit ku ka ikur 5 vjeç që andej dhe fëminia e tij është e tëra këtu. Imazhet e para plot ngjyra i ka marë në këto anë dhe në këto peisazhe që janë të shtrenjta për të. Këtu pa për herë të parë ngjyrat rrëzëllitëse të pranverës dhe të luleve, të ujrave dhe të qiellit që nuk do ti harrojë kurrë dhe po kështu botën e pikturës që e pa e e zbuloi në kishën e fshatit që u bë shkolla e parë e vizatimit të tij. Një takim magjik me pikturën që nuk e tradhëtoi kurrë në jetë.

Lubonja me bukuritë e saj
Lubonja me bukuritë e saj, me afresket e kishës së saj mbeti e para dhe fundit shkollë e ngjyrave për piktorin e ardhshëm, i cili nuk do të bëjë shkollim akademik. Këtu ai filloi vizatimet e para duke shkuar çdo ditë pas mësimit në tre kishat e Lubonjës. Muret e tyre plot afreske dhe piktura u bënë e para dhe e fundit akademi artesh në zemrën e tij. Aty zbuloi linjat e pafundësisë së ngjyrave. Këtu zemra e tij bëri magji me këtë art të mrekullushëm dhe kjo magji e ndoqi tërë jetën,duke i hapur hap pas hapi rrugën drejt suksesit.

Piktori naivist
Fati nuk e deshi që të mbaronte as liceun e as Akademinë e Arteve, por kjo nuk e pengoi të ndjekë pasionin e tij të madh, botën e ngjyrave. Dështimi në një konkurs, ku fati luan trillet e rastit dhe të rrethanave nuk e trishton, nuk e thyen nuk e brengos. Eshtë një njeri i thjeshtë dhe pasi ka punuar gjithandej pas ushtrisë vendoset në Tiranë.Punon si në ndërmarje të zakoneshme ndërtimi dhe më vonë si elektricist dhe duke bërë një jetë të varfër dhe plot mundime, por sapo mbaron punën e tij këmbët i hanë të dal nga Liqeni i Tiranës, të pikturojë dhe të ndjehet i lumtur. Ekspozita e tij e parë është hapur në vitin 1997,e cila korr një sukses te merituar. Të gjithë janë të emocionuar nga kjo pikturë naiviste, plot gjetje dhe ngjyra. Piktori nuk vjen nga bota akademike, nga bota e studiove, përkundrazi është rropatur me një jetë plot varfëri, dhe kushte për tu marë me art që së paku kërkon një jetë normale. Por nëqoftëse jeta e tij është zakoneshme arti i tij flet për dhunti dhe talent të jashtëzakonshëm.

Emigracioni i të birit dhe fati
Ikja edjalit në emigracion dhe brengat janë derdhur në disa nga pikturat që vizitorët i shikojnë për herë të parë. Madje shumë kush nga ata nuk e di që disa nga telajot kanë vizat e dyshekut të djalit që i ka ikur në emigracion dhe babai i ka kthyer në telajo për të derdhur shpirtin e tij të madh. Më në fund duket sikur rruga e suksesit është hapur dhe Sulejman Prenjasi i vijnë ftesa për të hapur ekspozita të tjera me punët e tij në Itali. Fati e ka bërë të vetën. Piktori takon në Milano të famshem Ibrahim Kodra dhe piktori me famë botërore entuziazmohet nga piktura e tij duke shpërthyer ne një bravo të madhe për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria. Ja ku e keni Shqipërinë thotë Maestro Kodra duke drejtuar dorën nga punimet e tij. Dhe me ndihmën e tij i vijnë ftesat me radhë për të hapur ekspozita ngado në gjithë Italinë. Sulejmani tani gjendet tashmë në faqet e shtypit italian dhe atij shqiptar,duke shijuar pas kaqe vjetesh sakrifice dhe vullneti kenaqesine qe jep flaka e pasionit qe nuk u shua kurrë. Marja e kartës së Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri
Admirimi për piktorin e madh Ibrahim Kodra
Admirimi që kishte (dhe ka) për piktorin e madh Ibrahim Kodra e çoi ti bënte një dhuratë (kur ishte gjallë) mjeshtrit shqiptar me famë botërore, duke e vendosur midis trungut të një lisi shekullor që duket sikur ka mbirë në mes të sheshit Skënderbej në mes të Tiranës. Ndërsa në veprat e reja e në ekspozitat e tjera shfaqet gjithmonë e më shume drama e Kosovës që aso kohe ëprjetoi tragjedinë e saj të fundit në luftën çlirimtare. E kuqja e flamurit shqiptar ndihet dhe përflak kudo në tabllotë e tij të kesaj kohe. Eshtë ngjyra e bukur që vjen qysh prej fëminisë, nga tjegullat dhe zjarri i dimrave të tij, prej Lubonjës së Korçës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Z. Zholi, në gjithë Italinë, piktori që hapi mbi 20 ekspozita, Sulejman Prrenjasi

NGJITJA MITIKE NË ALPET SHQIPTARE

January 14, 2015 by dgreca

Nga Xheladin MJEKU*/
Prologu i një portreti krijues/
Brahim Avdyli (1960), vjen në botën e letërsisë në çerekun e tretë të shekullit të kaluar, për të mbetur emër që premton dhe synon drejt vlerave të krijimtarisë letrare në përmasat kombëtare, duke sjellur shumë vepra në poezi e prozë, dramë, publicistikë dhe politikë, për çka ka vend meritor në panteonin krijues të kësaj periudhe kohore. Që në fillimet e krijimtarisë së tij kishte kuptuar se burimi i pashterrshëm i frymëzimit të muzës së tij krijuese është dhe mbetet vendlindja e tij. Që me përmbledhjen e parë të poezive “Në hijen e Alpeve”, (1983), ai kishte vënë vulën e besimit se frymëzimet e jetës vijnë nga trualli i të parëve të tij, atje ku u lind, ku kaloi fëmijërinë dhe vazhdoi ta kuptoj jetën me të gjitha vlerat e saj. Me kohë parapëlqeu spontanisht, por qëndrueshëm, të marr temën e frymëzimeve krijuese nga gurra autoktone dhe ta shtrij mendimin në traditën dhe urtitë e njerëzve të tij. Falë kësaj dashurie për artin e fjalës, Brahimi nuk u ndal për asnjë çast edhe në aktivitetet e tij për lirinë e atdheut dhe bashkimin kombëtar, si çështje madhore dhe të domosdoshme të kohës.
Pas këtij botimi, vijnë njëri pas tjetrit shumë tituj tjerë në poezi, prozë, dramë, publicistikë, etj. si: “Buka e kuqe”, “Kur zgjohet Dodona”, “Pasqyrë e përgjakur”, “Klithje nga fundi i ferrit”, “Gjuha e dheut tim”, “Baraspesha e humbur”, “Vrragat e një kohe”, “Lëvozhga e vdekjes”, etj. Është prezantuar edhe në shumë libra e antologji dhe, poahtu është fitues i shumë çmimeve letrare në vend dhe në aktivitetet letrare në mërgatë. Nuk duhet harruar për asnjë çast edhe prezantimin e krijimtarisë së tij të përkthyer edhe në italisht, gjermanisht, rumanisht dhe anglisht.
I lindur dhe i rritur në një vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Që në dy këto rrafshe shtroi aktivitetin e tij për të dhënë kontributin prej krijuesi dhe veprimtari të kauzës sonë.
Në frymën e këtyre veprimtarive të pandara vazhdoi gjithnjë e më me ngulm të krijoj opusin e tij letrar, edhepse “Çuditërisht/ më është vrarë koha/diku”, si do të kujtohet autori në një rast. Por, pavarësisht asaj ngulitje kohe, shkrimtari edhe më tutje vazhdon veprimtarinë e tij krijuese, edhepse kjo “vrarje kohe” sikur i ka paralajmëruar diçka që përfundimisht i ka mbetur peng. Domosdoshmërisht, po ai peng i mbetur në atdheun e tij e mban stoikisht në fuqinë krijuese dhe në përballjen e erërave të kohës, duke hapur shtigje të reja krijuese me tehun e mprehtë të shpatës së tij prej vargjeve shpëthyese dhe plot mesazh.

Fryma e atdheut si pikëpjekje

Edhepse me një bagazh të ngarkuar krijimtarie prej më shumë se tri dekada, Brahim Avdyli nuk pushon për asnjë çast të shpurpurisë në palët e kujtesës dhe t’i përgjigjet zërit të muzës së tij krijuese, duke gërmuar kujdesshëm, por me mjeshtrinë e tij në këtë zeje të rryer tashmë, duke hedhur dritë mbi tema e ngjarje të reja e duke latuar vargje plot ndiesi, deri në rrezikun e thyerjes, sa nga bukuria, aq edhe nga sensualiteti dhe kristalizimi i pamjes. Në frymën e kësaj gatishmërie të përhershme vjen edhe me përmbledhjen e re poetike, “Shtegtimi i lirisë”, të organizuar me përkushtim, ku i paraprinë “Prologu im”, me poezinë programatike “Në vend të dashurisë”, për të vazhduar pastaj me ciklet: “Ujëvarat e mallit”, “Flatrat e qiellit tim”, “Krahët e hapsirës” dhe “Lejleku i ëndrrave të mia”. Si mbyllje e kësaj kurore poetike me plot befasi të reja, Brahim Avdyli nuk harron t’ia vë edhe kupolën me “Frymën e fundit” në “Në vend të epilogut”. Që në nismë të këtyre mbresave të pakta nga leximi i këtij libri poetik, në asnjë mënyrë nuk mund ta anashkalojmë pa mos e vënë në spikamë, qoftë për trajtimin tematik, qoftë për pjekurinë e autorit në rrahjen e temave dhe ngjarjeve, të brumosura me petkun e atdheut, gjithandej nga vendi ku vepron e jeton përkohësisht. Një lidhje diametralisht mes Alpeve të Zvicrës dhe Alpeve shqiptare, si rrallëkund vjen këtu e sforcuar me elementin e patjetërsuar-atdhe:

“Jam në Zvicër
por kujtoj se jam në Morinë
dhe e shoh veten fëmijë
nëpër arat me misër”

(”Kam zbritur nga yjet”, – fq. 13)

Por, autori nuk ndalet vetëm me kaq, kur është në pyetje kjo lidhje motivore me atdheun. Ai flet përmes njerëzve të tij të kudondodhur, përmes dëshmorëve poetëve, nipërve, mbesave, etj. dhe për asnjë moment nuk harron që ngjarjen ta lidh me atdheun, me mallin, me elemente jetësore atje, me traditën, me trimëritë, etj.
Pikëtakimi i vargut poetik të Brahim Avdylit ka atdheun dhe vlerat e dëshmuara autoktone në çdo kohë. Trajtimet e këtyre temave nga ky rrafsh vijnë të gdhendura me përkushtim dhe të shtruara mbi bazamentin e ngjarjeve dhe pamjeve të veçanta, duke sjellur imazhin e vendlindjes së tij tek lexuesi, si një ekspozitë prej qëndistari të talentuar, ku edhe zogu, edhe gjethet në erë, edhe fije bari e guri i palëkundur nga vendi i vet, kanë fuqinë transponuese të një pamje të bukur dhe plot jetë. Të këtilla janë poezitë: “Ujëvarat e mallit”, “Trandje”, “Teatër i dhimbjes së pafund”, “Zogj të pikëlluar”, “Kthimi i pëllumbave”, “Lejlekët e dhimbjes sime”, e ndonjë tjetër.
Poezia “Shtegtar i lirisë” paraqet shumë kjartë rrugëtimin nga kohërat e lashta pellazxhike e këtej, siç shprehet autori me vargjet: “ne jemi lelekët e parë/ prej emrit të Karianëve/ pellazgëve parahelenë/ dhe paralajmëtarëve/të ditëve më të mira”, duke i përmbyllur me vargjet: “Bëhemi së bashku/ me lejlekët e sotshëm/ e dalim kudo/ nëpër botën e dhimbjeve/ për ta mundur dimrin/ nëpër Evropë/ dhe dëshirojmë Lirinë” dhe krejt në fund duke shpjeguar qëllimin e kësaj enigme mes lelegëve dhe lejlekëve, shton: “lelegë apo lejlekë/ duke ikur nga vuajtjet/ me flatrat e lirisë”, (fq. 78).
Autori e trajton edhe më tej këtë tematikë duke gjurmuar në gjenealogjinë tonë, nëpër arkivat e botës dhe e sjell këtu të realizuar poetikisht: “Nga kaosi e ndau jetën/ siç shpjegojnë shqiptarët/ apo pellazgët mitikë/ nëpër qindra mitet/ që na kthehen nga bota”, (“Shpejtësi e ndritshme”, fq. 12). Këto gjetje poetike Brahim Avdyli i sforcon edhe më, në poezinë tjetër “Koka e luanit”, (fq. 58), duke dëshmuar gjithnjë e më shumë se ai ka prirje për gjurmime të reja për rrënjën e Ilirisë: “Leu trim/ Llavë e ujqërve/ Luan/ tre emra pellazgë/ përpëliten/ nëpër Alpet tona”. Falë kësaj, mund të besojmë se poeti synon ta lidh autoktoninë tonë me Alpet shqiptare, qoftë edhe përmes miteve e legjendave. Kjo ngritje poetike e bën edhe më të dëshiruar këtë përmbledhje, që mund të konsiderohet nga më të arriturat, pa e lënë në harresë gjithë opusin e tij të deritashëm.

Ambientimi me jetën, traditat dhe kulturën nga vendlindja – shtytje e pakapërcyeshme

Mbi parimin e ambientimit sa më të përafërt me jetën, traditat dhe kulturën e vendlindjes, që reflekton dëshirën, synimin dhe dashurinë për njerëzit dhe për jetën e bukur atje, autori sjell mjaft poezi të ndërtuara mbi këto elemente. Ai e sjell vendlindjen e tij tek lexuesi ashtu të virgjër, me shumë ambientim jetësor nga e kaluara e tij e hershme e fëmijërisë në frymën e këtyre kujtimeve. Autori nuk ngurron të krijoi ambiente familjare edhe në kurbet, duke ua përkujtuar nipërve dhe mbesave të tij me mjete e forma tjera nga vendlindja. Sa herë që kthehet nga vendlindja e tij, sjell diçka të bukur dhe autoktone, që të ngrisë dashurinë e brezave të rinjë për atdheun, për traditat, zakonet dhe kulturën shekullore. Këtë mall të vendlindjes e përcepton edhe me vargjet e poezisë “Tradita në miniaturë”, (fq.16), ku siç shprehet autori:

“Sa herë u ktheva nga vendlindja
i solla nga një pjesë të Atdheut

herë tirqit e xhamadanin
topin plisin e shqiponjën
herë çiftelinë e vogël

shpirt i zbritur nga yjet
Zog ndër shtigje të dhimbjes…”

Kështu, e rrumbullakson në poezinë e tij mallin dhe dashurinë për atdheun, duke dëshmuar se bukuritë e tij janë të pazëvendësuara, falë natyrës, traditave dhe kulturës. Ai gjithmonë ia ka drojën një fenomeni, që tashmë ka zënë të lëshoj rrënjë gjithandej kah është shprishur etniteti ynë, nëpër botë, duke u mishëruar me elemente të reja të vendeve ku jetojnë e veprojnë, duke lënë anash këto bukuri natyrore dhe shpirtërore, të cilat e rritën, e frymëzuan dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë edhe autorin dhe intuitën e tij krijuese. Tematika të këtilla takojmë edhe në poezi të tjera, duke sjellur tek lexuesi bindshëm dhe me korrektësi lidhjet e tij të patjetërsuara me atdheun dhe njeriun e tij fisnik dhe liridashës.

“Nëpër botë
u desh të ikja
me dhimbjet e vetminë
pesha e jetës qe e rëndë”

(“Gjaku i shenjtë”, fq.22)

Këtu autori flet në përkujtim të babait dhe lidh dy polet e jetës së tij; të kaluarën e dhimbshme me njerëzit e tij që ka në vendlindje dhe për jetën në mërgim, që e mban të lidhur ngushtë edhe përmes vargjeve të këtilla; me fuqinë e mallit dhe dashurisë së pashuar. Këtë mall e shpreh edhe në kujtimet për nënën, për bashkëvendësit, për të rënët për liri dhe shumë ngjarje që e përshkojnë këtë poezi kaq sensitive dhe plot dhimbje, që nuk i shpëton as vet poeti, i cili i tronditur nga ngjarje të këtilla shkund penën e tij me gjithë forcën e shprehjes, deri në çmallje.
Në poezinë “Gjurmë kohe”, (fq.29), poeti shpreh mllefin e tij për dashurinë e humbur, për mosbesimin e askujt dhe synon daljen nga kjo katrahurë jete, gjithnjë duke ftuar arsyen:

“Unë vetëm pyes a është kjo bota në të cilën pështillem
askush nuk më vëren se jam gjallë edhe pse njëlloj marr frymë
a u dashka të jem shumë më pak njeri dhe kjo qenka e vërteta
e të zbres poshtë në tokë sikur të tjerët dhe të luaj pa ndenja”

Ai këtë gjendje jetësore dhe shpirtërore e përmbyll me vargun e tij të fuqishëm dhe shumë domethënës për rrethanat që trajton këtu: “jeta ime është luftë me të keqen e vetme e pa dashuri…”, (po aty .
Poezitë me tematikë përditshmërinë, jetën urbane, transformimet e shumta politike, edhe te Brahim Avdyli hetohet dukshëm, falë jetës dhe qëndrimit jashtë vendlindjes që kalon ai prej dekadash. I detyruar të bëj jetë mërgimtari, patjetër që i është dashur të integrohet në vendin, kulturën dhe traditat ku jeton dhe vepron. Kjo ia bën edhe më të qëndrueshme dhe i sjell freski poezisë së tij, që e ndërlidhur me botën imagjinative, me elemente të qëndrueshme letrare, filozofike dhe sociale, të trajtuara me vigjilencë prej kurreshtari që nuk ka të ndalur.
Ndërkaq, poezitë “Qyqja e maleve tona”, “Loti i qyqes” dhe “Lulja e qyqes”, vijnë në këtu me motivin e besës, dhimbjes dhe dashurisë që shpreh motra për nëntë vëllezërit e saj, deri në transponimin e variantit të ri të kësaj tematike nga baladat e hershme shqiptare, ku qyqja vjen si: ”lule e bukur dhe e mjerë/ prore e vetmuar/ lulja e qyqes…”, (fq. 85).

Epilog i papërmbyllur

Brahim Avdyli këtë përmbledhje poetike e filloi me poezinë “Në vend të dashurisë“, ku paralajmëronte: “Fusha e ndjenjave/ Shtrihet/ pranë lumit të gjakut”, për ta përmbyllur me vargjet: “këngën e zjarrtë të lirisë…”, (“Fryma e fundit”, fq. 93), që për asnjë çast nuk do të pushoj së dëgjuari edhe në krijimet tjera të reja, edhe në librat e ardhshëm, ku pikësynimi i autorit është vetë liria, në çdo aspekt të jetës, jo vetëm asaj të daljes nga thundra e okupatorit. Një ngritje e këtillë është e pranishme në të gjitha librat e Brahim Avdylit, pavarësisht në çfarë rrethana e krijon dhe përballet me këtë tematikë, nga më sublimet në gjithë opusin e tij krijues.
Gjithçka u tha në këtë vështrim për librin poetik “Shtegtimi i lirisë” vjen si një shtegtim i kujdesshëm në gjithë atë lëndë poetike, ku edhe mund të lind mendimi ndryshe dhe e bën të hutohet lexuesi. E them këtë nga fakti se poezia e Brahim Avdylit ka reputacion të qëndrueshëm te një shtresë lexuesish të formuar, që për pasojë mund të degradojnë vlerat e pakontestuara, pa dashje, por në mungesë përqëndrimi dhe shqyrtimi të vëmendshëm.
Si epilog i këtij vështrimi mbetet fakti se, falë aftësive krijuese dhe përkushtimit të vazhdueshëm në krijimtari, duke i njohur mirë teknikat e krijimit letraro-poetik, me elemente përcjellëse gjuhësore, me një figuracion të pasur, me metafora e toponime nga vendlindja e tij, me rrjedhshmëri gjuhësore, etj. i sigurojnë jetëgjatësi dhe receptor të qëndrueshëm kësaj krijimtarie poetike të këtij eruditi të letrave tona.
*Rreth librit te Brahim AVDYLIT: “SHTEGTIMI I LIRISË”, poezi, “Faik Konica” – Prishtinë, 2014)
Ne Foto:Xheladin Mjeku

Filed Under: Kulture Tagged With: Brahim Avdyli, NGJITJA MITIKE NË ALPET SHQIPTARE, Xheladin Mjeku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 285
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT