• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HARALLAMB KOTA PËRURON NJË LIBËR PËR “PENDAT SHQIPTARE…”

November 8, 2014 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
Në mjediset e Ministrisë së Kulturës, në kryeqytetin Tiranë, u organizua përurimi i librit publicistik, shkruar nga Harallamb Kota, “Pendat shqiptare dhe shkundja e harresës”. Redaktor është Albert Zholi dhe hyrjen e ka bërë vetë autori. Pjesëmarrës ishin poetë, shkrimtarë e publicistë, kolegë e miq të autorit etj.
Veprimtarinë e hapi moderatori A.Zholi, i cili nënvizoi disa nga vlerat kryesore të këtij libri të ri. Pastaj e mori fjalën historiani, prof. Hysen Kordha, i cili nënvizoi që, me këtë libër, autori na sjell në kujtesë, për mos harresë, ngjarje të rëndësshme dhe figura të ndritura të historisë sonë kombëtare, me mesazhin aktual për t’i njohur sa më mirë dhe për t’i përcjellur brez pas brezi.
Ndërsa folësit shprehnin mendimet e yre rreth këtij botimi, në ekran jepeshin pamje filmike, sidomos nga udhëtimet e autorit H.Kota nëpër vende e pranë simboleve përkujtimore, me rëndësi të veçantë historike kombëtare. Kështu, të tilla ishin: pamjet nga Vendvarrimi i Skëndërbeut, në Lezhë: monumentet e Bajram Currit (Tropojë) e Isa Boletinit (Shkodër), bustet e Vëllezërve Frashëri, Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë etj.
Në vazhdim, e morën fjalën, poeti e publicisti Çelik Petriti dhe studiuesi Memush Habilaj. Ndër të tjera, siç dëshmohet në këtë libër, ata treguan se edhe gjyshi i autorit, Llambi N.Kota zhvilloi veprimtari të çmuar atdhetare, si ndihmës në punimet e Kongresit I të Manastirit dhe delegat në Kongresin e Dibrës etj. Më parë, H.Kota kishte botuar dhe përmbledhjen poetike, po me këtë tematikë, “Im atë”(Tiranë, maj 2014).
Po kështu, folësit Kastriot Bezati e Bashkim Qeli nënvizuan se autori na e jep të dokumentuar bukur, veprimtarinë atdhetare të familjes së tij, nga Kalaja e Baratit, në vazhdimësinë e katër brezave. Rreth këtij libri u shrehën edhe pjesëmarrës të tjerë, në këtë perurim.
Në mbyllje, autori Harallamb Kota i falënderoi përzemërsisht, si folësit e pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbrësëlënëse dhe nënshkroi mjaft libra, që ua dhuroi atyre me dashamirësi. Po kështu, së bashku morën pjesë dhe i vijuan bisedat në koktejin, që ai kishte shtruar, me këtë rast.
Tiranë, 08.11.2014

Filed Under: Kulture Tagged With: “PENDAT SHQIPTARE…”, Harallamb Kota, PËRURON NJË LIBËR PËR

DITET E LETERSISE, 13 VITE NE MICHIGAN

November 7, 2014 by dgreca

Ditëve të Letërsisë – 2014 u bashkangjitet edhe “Dita e Librit, piktures dhe fotografisë”/
Nga Pjeter Jaku/
Ditëve te Letersisë Shqipe në Michigan për vitin 2014, iu shtua edhe një ditë me tepër, “ Dita e librit, piktures dhe fotografisë”, e cila u realizua për herë të parë në Diasporen Shqiptare të Amerikës. Ishin promovuar libra, por jo panaire si ky, ishin ekspozuar tek-tuk piktura, por jo ekspozita si ajo e Muamer Malos , Bora Balaj, Mark Gjokaj, Vasel Ujkaj e Engjell Mene. Edhe më parë ishin shitur libra, por jo ekpsozuar,dhe vec për t’u dhuruar siç bëri aktivistja e njohur Rita Saliu, Iliriana Sulkuqi, Qendresa Halili e ndonje tjeter.
Fillimi ka filluar para 13 vjetesh
Ditëtë e Letersise Shqipe ne Michigan u festuan këtë vit për të trembëdhjetin vit radhazi, duke u rikthyer në një Institucion letrar ne emigrim. Organizimet e ketyre diteve fillojne , së paku 6 muaj më parë dhe pothuajse çdo vit bëhën në javen e fundit të tetorit,çka përkon me Ditëlindjen e Fsihtës dhe disa autorëve të tjerë shqiptarë, që linden ne këtë muaj. Çdo vit sillet diçka e re, diçka ndryshe për ta ndryshuar sado pak formatin e kësaj feste, e prapë se prapë mbeten për t’u bërë disa ndryshime, sidomos në drejtim të cilësisë së aktivitetit, vlerësimit të punimeve vjetore të publikuara në Revisten Kuvendi, të printuar ose online. Të gjitha publikimet e një viti, si dhe ato të dërguara enkas për konkurs i dorzohen një jurie, e cila duhet ta përmirësoj shumë punën e saj në vlerësimet objektive dhe dallimin e gjinive, që janë të përafërta, për të mos renë pre e vlerësimeve, në ndonjë rast të pamenduar mirë.
E gjithë kjo veprimtari kulmon me mbrëmjen finale të këtyre ditëve, e cila lihet për në fund të aktivitetit, por këtë vit fundi qe ndryshe. Dita e librit, piktures dhe fotografisë, qe një gjetje vërtet e bukur për të mbyllur këtë vit me dhurimin e librave si dhe ekspozimin e shumë punimeve artistike ; si piktura, fotografi dhe veshje popullore, çka në vitet në vijim mendohet të jetë shumë më efikase edhe me paraqitjen e punimeve të dorës, si veshje popullore, qendistari të ndryshme, punime në dru dhe mjete të tjera, që do ta kthej në të verëtë në një festival të këndshëm të punës së secilit që e ka dhunti artin. Poashtu mendohet t’u bëhët thirrje dhe botuesve shqiptar, kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë të paraqiten në këtë panair, i cili është edhe në ndihmë të shqiptarëve, duke u ofruar libra dhe punime arti, të cilat u duhte kohë ti sigurojnë nga atdheu.
Diskutimet cilësore në takimin e parë të këti viti
Që në mbrëmjën e parë të takimit pritës, me 31 Tetor 2014, në një ambient të këndshëm dhe poetik u diskuatua për ndryshimin e formatit të këtij aktiviteti. Të ardhurit, Naum Prifti, Rita Saliu, Rafaela Kondi, Bora Balaj, Qendrese Halili, Piere- Pandeli Simsia e të tjerë e drejtuan diskutimin, të cilin e filloi Pjetër Jaku drejtë përmirësimit, sidomos të vlerave krijuese, por edhe duke parë me objektivitet punën e secilit që paraqitet në publik, dmth publikohet. Subjektiviteti në disa raste e dëmton krijuesin, por edhe fikson shije jo të mira të letërsisë tek të rinjët. Nëse nuk kemi krijimtari për vlerësim, pse duhet të japim cmime,- vijoj në diskutimin e tij, Jaku.
Poetja Rita Saliu, e cila merrte pjesë për herë të parë në këtë aktivitet, vlerësoj punën e bërë më parë duke thëksuar se, edhe pse s’kishte pasë mundësi të ishte e pranishme në vitet e shkuara, ajo e kishte ndjekur dhe vlerësuar këtë veprimtari që në fillimin e saj.
Poetja dhe etnologja Bora Balaj, e ardhur për këtë aktivitet nga Kosova, pas falenderimit për këtë organizim, tregoi edhe eksperiencen e saj në lidhje me festën e poezisë, që për prej vitesh bëhët në Gajkovë. Prozatorja e re Qendrese Halili, veç falenderimit theksoi edhe nevojen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave krijuese në të mirë të letërsisë. Naum Prifti, Alfons Grishaj, Piere-Pandeli Simsia, Nexhip Ejupi dhe Kujtim Qafa u ndalen tek nevoja e të menduarit për aktivitetin në fillim të çdo viti, pasi interesi për të sa vjen e rritet. Një nga ndihmuesit e vazhduesehm të këti aktiviteti, i riu Mondi Rakaj, theksoi se projekti i këtij aktiviteti duhet bërë që në Janar, për të ardhur me njëfarë buxheti në Tetor, pasi shpenzimet janë të kosniderueshme.
E shtuna e vlerësimeve dhe përgaditjeve për të nesërmen
E shtuna e datës 01 Nendor 2014 startoi me mengjesin në “L’Gorges”, resorant i aktivitstit të njohur në komunitetin shqiptar të Amerikes Kujtim Qafa, dashamirës i letërsisë dhe sportit, i artit në përgjithësi, i cili si përherë bujar, nuk u kursye as në këtë rast. Pas mengjesit, me Boren dhe Qendresen shkuam të interesohemi për të nesërmen, edhe pse ende s’kishte përfunduar mbrëmja finalizuese. Bora do konkretizonte mundësinë e ekspozimit të albumit të saj, titulluar “ Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë” , një punim luksoz i përgaditur nga puna e saj disavjecare dhe ndihmesa botuese e redaktorit Engjell I. Berishaj, koordinatorit të projektit Binak Balaj dhe entit botues Klubi letrar “ Gjon Nikolle Kazazi” në Gjakovë.
Veç kësaj, në një mjedis krejt të ngushtë, në apartamentin e tij, piktori i talentuar Muamer Malo po përgaditej për ekspoziten e nesërme, ashtu siç po bënte edhe Mark Prelë Gjokaj e Vasel Ujkaj.
Në pritje të mbrëmjes, do saktësonte pjesëmarrjen e tij edhe aktori i talentuar Agim Agalliu, i cili jetonte disi larg qendres ku bëhëj aktiviteti, ndërsa Kryetari Komisionit të Festës, poeti Gëzim Basha, edhe pse u nis nuk mundi të mbërrinte për arsye defekti të paparashikuar në makinën e tij. Ne kete aktivitet qe e pranishme edhe intelektualja Diana Gellci, e cila eshte edhe autore. Veçojmë librin me tregime “ E hene ne Detroit”, nje nder librat me te bukur shkruar ne proze – shqip ne Michigan. Moderatorët, aktori i njohur Arben Dervishi dhe të rejat e talentuara Alba Xifaj dhe Enita Hajdari po bënin përgaditjet e fundit me improvizimet e tyre. Aktori Ndue Gjekaj, i njohur ne komunitetin kulturor të Detroitit, i kishte marrë pjesët një javë më parë. Muzijkanti Gentjan Cakorja po zgjidhte pjeset me të cilat do shoqëronte poezitë e përgaditura për këtë natë.
Mbrëmja fillon si përherë , aty rreth orës 8:00 pm. Një hyrje e shkurtër prezantuese e krijuesve pjesëmarrës dhe të ftuarve nga moderatorët, ngjitur një historik i shkurtër dhe fjala përshendëtëse, në emër të Komisionit Organizativ e poetës Elinda Marku. Para se të shkohej të çmimet, përshendesin Don Fran Kola, duke vlerësuar aktivitetin, Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë, Ekrem Bardha, shkrimtari i njohur Naum Prifti, Bora Balaj, Rita Saliu, Qendrese Saliu, Kujtim Qafa dhe Asqeri Guri. Fjala poetike kishte pushtetin suprem të kësaj nate!
Pas punës vlerësuese të jurisë, ne emër të saj dhe i autorizuar nga kryetari Nexhip Ejupi, shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia njoftoi fituesit dhe çmimet përkatëse, të cilat u priten me duartrokitje nga të pranishmit:
POEZI
Çmimi i parë: Reshida Çoba
Çmimi “Gjergj Fishta”: Rafael Floqi
Çmimi “Migjeni”: Bora Balaj

PUBLISTIKë
Çmimi i parë: Nevrus P. Nazarko
Çmimi “Anton Pashku” Valentin Lumaj
Çmime “Petro Marko”: Brunilda Liço

PROZË
Çmimi i parë: Dr. Ermira Ymeraj
Çmimi “Faik Konica” Agim Dëshnica
Pas dorëzimit të çmimevem atyre që ishin të pranishëm dhe falenderimeve të rastit, Botuesi i Kuvendit, Pjetër Jaku, në emër të Këshillit Botues njoftoi tri mirënjohje për; Shkrimtarin e njohur Naum Prifti, i cili prej vitesh ndihmonte me pjesëmarrjen e tij dhe keshillat për organizimin, Konsullit të nderit, Ekrem Bardha, që vazhdimisht e ka ndihmuar këtë aktivitet dhe projekte të tjera kulturore të Kuvendit dhe Dom Anton Kçires, i cili ka dhënë ndihmesën e tij për revisten Kuvendi si dhe Ditet e Letersisë.

Dita librit, pikturës dhe fotografisë

Siç ishin njoftuar më parë, të dielën me 02 Nendor 2014, në Sallën “ Gjergj Fishta” të Qendres së Shën Palit, nga ora 9:00am deri në 5:00 pm u realizua ekspozita e librit, piktures dhe fotografisë, ku moren pjesë piktori i njohur Muamer Malo, etnologia Bora Balaj, artistet e fotografise, dhe modelimit Mark Prelë Gjokaj dhe Engjell Mene, shkrimtaret Rita Saliu, Iliriana Sulkuqi, Qendrese Halili, Elinda Marku, Pjeter Jaku, Vasel Ujkaj, Lulash Palushaj, Mensur Spahiu, Gjon Kaçaj dhe Pal Rakaj. Naum Prifti dhe Pierre Simsia u larguan drejt New Yorkut, në mëngjes, për arsyet e tyre familjare, Gjatë gjithë ditës, edhe pse ishin njoftuar në mediat e komunitetit dhe në të gjitha rrjetet sociale, si përherë interesimi për librin, pikturen dhe artin në përgjithësi, nuk qe në nivelin e pritur, edhe pse kaluan plotë vizitorë.
Nga ora 2:30 deri në 5:00 u bënë promovimet e librave të autorëve Qendrese Halili, Pal Rakaj dhe Gjon Kaçaj si dhe ekspozita e etnologes nga Gjakova, Bora Balaj dhe piktorit Muamer Malo.
Në diskutimet e tyre Lulash Palushaj, Dr. Gjeke Gejlaj dhe Rita Gjelaj, Valentin Lumaj, Bora Balaj, Qendrese Halili dhe Muamer Malo, vlerësuan punimet e paraqitura dhe, tërësi Diten e Librit, piktures dhe fotografisë e cila bëhëj për të parën herë në Diasporë.
Autorët që u promovuan treguan për të parnishmit për punën e tyre në realizimin e veprave dhe vështirësitë e paraqitura deri në finalizimin e tyre.
Me këto promovime përfunduan Ditët e Letërsisë Shqipe për vitin 2014, duke menduar realizimin më të mirë në vitin që vjen.
Rita Saliu do më shkruante nga Bosotni përshtypjet e saj nga mbërritja deri në përcjelljen nga krijuesja e Michiganit, Vera Vuçaj!

Detroit,05 Nendor 2014
***
Pershendetje ne Mbremjen finalizuese te Diteve te Letersise Shqipe ne Michigan
Nga Elinda Marku
Une, Elinda Marku, anetare e Komisionit te kesaj fetse, po u pershendes edhe si redaktore e Kuvendit por, ne radhe te pare edhe ne emer te kryetarit te ketij konisioni, poetit dhe krijuesit te njohur Gezim Basha, i cili edhe pse kishte deshiren nuk mundi te vinte ne kohe per arsye defekti ne makinen e tij.
Revista “Kuvendi” u publikua per here te pare na Maj 2001 dhe u nderpre perkohesisht ne janar 2013.
Se shpejti, ne mos keto dite, pasi eshte ne shtyp, Kuvendi do te vij me nje rrregullsi tjeter
ndoshta njehere ne tre muaj, pasi publikohet edhe ne ëebin e saj cdo dite.

Vec botimit te saj, Kuvendi me stafin jane te njohur edhe per aktivitete te tjera ne dndihme t e komunitetit, sidomos te komunitetit krijues ne Amerike.
Me te kane bashkepunuar personalitet te letersise dhe historise shqiptare. t’i permendesh gjithe emrat eshte teper e veshtire.
Fill pas botimit te revistes u realizuan edhe Ditet e Letersise Shqipe ne Michigan, ku qe ne fillim e deri me sot ka qene aktivitet i hapur per te gjithe krijuesit dhe dashamiresit e librit.
Ne kete aktivitet kane marre pjese krijues te njohur, si Naum Prifti, pothuajse cdo vit, Fatos Kongoli disa vite, Poeti i njohur Agim Shehu etj.
Aritstet e fjales dhe kenges: Justina Aliaj, Aleksander Ruci, Pandi Syku, Agim Agalliu, poete e prozator te njohur te komunitetit shqiptar ne Amerike, personalitete diplomatike te Kosoves e Shqiperise etj etj
Ditet e Letersise Shqipe vit pas viti krijuan portretin e tyre, duke u kthye ne nje Institucion tashme te njohur jo vetem ne Diaspore, por edhe ne gjitha trojet shqiptare.
Per te gjitha keto Revista Kuvendi u eshte mirenjohes te gjithe krijuesve dhe miqeve te tyre dhe vecanerisht atyre qe e ndihmuan ne vite kete veprimtari, te cilet edhe jane nderuar por edhe do te nderohen.
Por, a kemi ne krijues per te bere festa letersie? Edhe brenda kesaj salle edhe jashte saj ( ata qe nuk erdhen, per arsyet qe vetem ata i dine) nuk shkojne as te gishtat e njeres dore!
Edhe pse keshtu, ata qe na ndihmonje ne jane njerez te nderuar e Revista Kuvendi do i nderoi vazhdimisht.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: 13 VITE NE MICHIGAN, Ditet e Letersise, Pjeter Jaku

“Të ëndërrosh si amerikan” shfaqet ne TRIBEKA

November 7, 2014 by dgreca

Në Tribeca – Nju Jork u shfaq premiera e filmit “Dreaming American” – “Të ëndërrosh si amerikan”.
Praq Rado : “Kjo nuk është vetëm historia ime, por dhe historia e miliona emigrantë të tjerë”/
Nga Beqir SINA – New York City/
TRIBECA – MANHATTAN NYC : Mbrëmë filmi “Dreaming American” – “Të ëndërrosh si amerikan”. është prezantuar në “Tribeca Theater”, në një nga ambientet ku zhvillohen aktivitete të rëndësishme kulturore të New York-ut. Filmi i metrazhit të shkurtër 24-minutësh – “Dreaming American” me regji të Lee Percy dhe me protagonistin aktorin emigrant shqiptaro-amerikan Praq Rado, kishte mbrëm premierën e tij në Tribeca Performing Arts Center, “më parë se ai të marrë përmasa botërore përmes kompanive “Indie Flex” dhe “Short fi lm tv”,” tha duke shpresuar editori i saj Lee Percy, në fillim të shfaqjes.
Filmi u prezantua para dhjetra shikuseve, dhe studentëve të kolegjit shtetor – “The Borough Manhattan Community College” – BMCC, i cili është një nga shtatë kolegjet dyvjeçare, në Nju Jork, dhe funsksionon në kuadër të Universitetit të sistemit të New York City. Shfaqja e filmi shoqëruar me një debat të gjatë pyetje përgjigje, ndërkohë që u sponsorizua nga SGA (Student Association Goverment), duke patur një shfaqje të lirë të filmit në Tribeca Performancë Qendra e Arteve.
Filmin e ndoqë dhe kolegët, shqiptarë e amerikan të aktorit Rado, gazetarë dhe aktivist amerikan dhe të komunitetit shqiptarë, studentët shqiptarë dhe të huaj nga kolegji BMCC e të tjerë. Në këtë premier mori pjesë edhe aktorja dhe producentja e njohur Amina Zhaman, me origjinë Çerkeze, nga Kaukazi Verior, e cila së bashku me aktorin Shpend Xani- kan luajtur në filmin “E drejta për të dashuruar” me regji të Paul Kurti – duke fituar vitin e kaluar çmimin e publikut për filmin më të mirë në Festivalin e Javës së Filmit Shqiptar 2013- (Një vajzë myslimane jo shqiptare që dashuron një djalë katolik shqiptar, është fabula e filmit “E drejta për të dashuruar”.Filmi ka një grup aktorësh ku spikasin emra të rinj e të mëdhenj të kinemasë si Luan Bexheti, Theodore Bouloukos, Amina Zhaman që është edhe skenariste e filmit, në film luan edhe Praq Rado etj.)
Filmi i metrazhit të shkurtër “Dreaming American”, është me regji dhe shkruar nga fituesi i çmimit Emmy- fituar nga ai si editor. Artisti amerikan Lee Percy, i cili është i njohur mirë për punën e tij në redaktimin e filmit të William Hurt në filimin” Kiss of the Spider Woman”, duke fituar çmimin Oskar, dhe disa filma të tjerë, të nderuar edhe ata me çmime si ai: i Jeremy Irons në filmin “Reversal of Fortune” dhe ai i Hilary Swank në filmin “Boys Don’t Cry”, filmat” Single White Female”, “Murder By Numbers, Carrie” (2013), si dhe filma të mëdha dhe shumë filma të tjerë.
Kështuqë i frymëzuar nga historia e vërtetë e jetës së aktorit kryesor Praq Rado, Dreaming American simbas kritikëve thuhet se është një histori me humor, i trishtuar dhe bindëse e guximit dhe sfidat e jetesës nga dikushi – i cili ka “lajthitë” i themi në shqiptarët, vetëm për të gjetur atë në ëndrrën Amerikane.Filmi hedh dritë mbi debatin pikëllues amerikan, që ka “shpërthyer” me ligjet të imigracionit. Duke marrë me këtë rast si “provë” jetën e dy vëllezërve shqiptarë në mërgim, të cilët i vuri përballë kundër njëri-tjetrit, ndërsa ata luftojnë në qytetin e New York për të mbijetuar. Pra, e thënë pak më shqip – historia e filmit është mbijetesa e cila është e vetmja pengesë e parë – e cila e futë Zefin (Praq Radoni)në kurthe pune nga më të vështirët, siç është edhe ajo për të kërcyer si striper në një klub homesekluaësh (Guy).
Por, këmbëngulja e protagonistit Zef Noja (luajtur nga Rado) manifeston një mundësi të artë, për t’u ndal në gjurmët e tij nga burokracia fuqishme dhe të pakujdesshëm të imigracionit në SHBA, se ku mund t’ çojë emigrantë në raste të tilla – kaq të trishta.
Në rolin dytësor në këtë film luan aktori i mirënjohur Giancarlo Esposito, të cilin e njohim nga roli i bosit të drogës, Gus Fring, në serinë e suksesshme “Breaking Bad”. “Aktualisht, Lee, tha se kërkon që me anë të këtij filmi të sjellë në vëmendje debatin e mprehtë e emigracionit, në SHBA – si regjisor dhe skenarist, nëpërmjet filmit të tij të shkurtër “Dreaming American”.
Më pasë ai tregojë se :“Në një mbrëmje në Nju Jork, një kamerier me emrin Praq Rado nga Shqipëria, bisedoi me mua për idenë e realizimit të filmit ‘Dreaming American’, në të cilin do të trajtohej jeta e tij”. Fillimisht, shtoi ai kam qenë skeptik, kur ai më pyeti për realizimin e një filmi, por kur Praq Rado nisi të më tregonte, ideja për filmin u shpalos brenda meje. Mbasi ajo ishte nj histori prekëse, vuajtjet e këtij të riu më kanë frymëzuar shumë”, ka thënë Percy.
Filmi brenda 24 minutave flet për jetën e Zef Ndojës nga Shqipëria, duke u bazuar në historinë e vërtetë të jetës së aktorit kryesor Praq Rado. “Dreaming American” është një histori plot humor, e trishtuar, por edhe bindëse, sepse tregon për luftën për mbijetesë, por edhe për lajthitjen e një të riu që do të jetë pjesë e Amerikës, teksa ka pasur guximin për të zgjedhur një punë (striper) në një klub të njohur homesekualësh në Nju Jork “QUO”, e cila natyrishtë që është një jetë e vështirë në mentalitetin shqiptarë.
Në film tregohet se ai pasi largohet nga Shqipëria, me emrin e rolit Zef Ndoja (Praq Rado) qysh në moshën e re lufton për të mbajtur gjallë veten, dinjitetin e tij, por mbi të gjitha ëndrrat e tij, që mendon t’i realizojë për në Nju Jork, së bashku me vëllanë e tij. Për performancën në filmin “Dreaming American”, aktori shqiptaro-amerikan thuhet se ka marrë komente, të dyfishta negative – pozitive nga ata që kan pasur mundësinë ta shikojn filmin dhe kritikët e filmave në festivalet të ndryshme nëpër Amerikë.
Praq Rado me interpretimin e tij “Dreaming American” thuhet se na ofron një pamje reale e përvojës emigrantit në shekullin e 21-të, të emigrantëve që vijnë, tani për të gjetur “Eldoradon” dhe realizuar këtu ëndrrën Amerikane.
Për këtë ai tha se “Kjo nuk është vetëm historia ime, por dhe historia e miliona emigrantëve të tjerëve në SHBA”
Duke shtuar se “Historia ime është më shumë se puna e dashurisë”, duke shtuar se: “ Kjo histori nxjerr në pah, atë se çfarë po ndodh me shumë njerëz anë e mbarë botës. Unë ndihem krenar që ky film është përzgjedhur nga ‘11 CUNY’ dhe do të prezantohet para studentëve, që mund edhe të frymëzohen nga vuajtjet e mia”, ka thënë protogonisti i filmit Prek Radoni – Praq Rado.
Filmi thuhet se gradualisht është duke prekur audiencën nëpër botë, por njëkohësisht fton edhe shikuesit që të ndajnë historitë e tyre të emigrimit, në faqen zyrtare të internetit: www. dreamingamerican.com
Filmi është vlerësuar në festivale të ndryshme
Praq Rado (33 vjeç) ka lindur në Theth të Dukagjinit. Në moshën 16-vjeçare ka ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të realizuar ëndrrën e tij në fushës së kinematografisë. Një ditë fati bëri, që ai të takohej me regjisorin Lee Percy dhe të realizonte filmin me metrazh të shkurtër për jetën e tij. Aktualisht vazhdon studimet e larta për “Marketing dhe Piar”. Filmi me metrazh të shkurtër, “Dreaming American” është bazuar në historinë e jetës së tij. Drejtor filmi Lee Percy, fitues i çmimit “Emmy Award” dhe producent ekzekutiv, Barbet Schroeder, i nominuar për çmimin Oscar. Filmi është vlerësuar në festivale të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Praq Rado interpreton personazhin e Zef Ndojit. Ai është në rolin e një të riu, i cili mes shumë sakrificash i duhet që të mbajë gjallë dinjitetin dhe ëndrrën e tij.
Pas këtij bashkëpunimi të suksesshëm, producentët e filmit kanë vendosur që historinë e Praq Rados ta shndërrojnë në një film artistik, ku do të interpretojnë emra të njohur të Hollywood-it. Emri i shqiptarit është përzgjedhur nga shumë regjisorë si protagonist kryesor, në disa prodhime kinematografike me metrazh të shkurtër apo në role episodike si ai në filmin “An englishman in New York”.
Ajo që mund të thuhet tani është se ndoshta ai kurrë nuk e kishte imagjinuar se Hollyëoodi do të ishte destinacioni i tij. I lindur në Theth, në moshën 16-vjeçare, për shkak të vështirësive ekonomike, detyrohet të largohet nga Shqipëria.
Fillimisht në Greqi, e më pas drejt tokës së premtuar… në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mes shumë vështirësive, i riu nga Shqipëria nuk dorëzohet dhe vazhdon shkollën e mesme me dëshirën për t’u bërë mjek, e për të ndihmuar ekonomikisht familjen e tij.
Sikur të mos mjaftonin kushtet e vështira në Amerikë, brenda një kohë të shkurtër, Praq Rado humbet të dy prindërit, e duke qenë emigrant i paligjshëm ai nuk erdhi dot në Shqipëri as për t’iu dhënë lamtumirën e fundit.
Por, fati kishte rezervuar diçka të mirë edhe për të. Një takim i rastësishëm me regjisorin Lee Percy do të ishte fillimi i një karriere si aktor.
Historia e jetës së Praq Rados joshi regjisorin fitues të çmimit “Emmy”, i cili realizoi filmin me metrazh të shkurtër “Dreaming American” (Të ëndërrosh si amerikan). Por, kur mendonte se çdo gjë po shkëlqente në jetën e të riut, sërish del një pengesë.
Si për ironi të fatit, ai ndalohet dy vjetë më parë nga policia amerikane pikërisht kur po shkonte për të ndjekur filmin e tij në “Humpston Film Festival” në Nju Jork. Një agjent federal e nxori nga treni për shkak se nuk kishte dokumente, ironikisht e njëjta histori e filmit të tij, ku tregohet historia e një emigranti të paligjshëm.
Mediat atëhere menjëherë raportuan për arrestimin e tij dhe, ndihmesa e dhënë nga regjisori Percy bën që ai pas tetë ditësh të lirohej nga burgu. Tashmë Praq Rado është pajisur me dokumente dhe ëndrra e tij amerikane po realizohet……..

Filed Under: Kulture Tagged With: "Të ëndërrosh si amerikan", Beqir Sina, Praq Rado, Tribeka

NAXHI BAKALLI – ARTIST I NJOHUR UNIKAL ME FRYMË SHQIPTARE E VIZION EVROPIAN

November 5, 2014 by dgreca

…Nëse cdo luftë ka korrespondentët e vet të luftës, Naxhi Bakalli ka të drejtën të mburret se është korrespondenti i luftrave epike të bashkëpatriotëve të tij shqiptarë kundër osmanllinjve. Çdo përsonalitet i madh historik ka pasur “këngëtarin” e vet: Agamemnoni – Homerin; Aleksandri i Madh – Lisipin; Justiniani – autorin e mozaikut të Ravenës, dhe Gergj Kastrioti Skenderbeu, pati Naxhi Bakallin…
Nga Blerim LUZHA/Prishtinë/
Naxhi Bakalli veprimtarinë e vet artistike e ka krijuar duke i dhënë kuptimin e “identitetit vizuel” artit shqiptar të dy dekadave të fundit, për tu shkëputur tërësisht e për tu liruar nga nënshtrimi skllavëror i artit të realizmit socialist, pra “… erdhi në historinë e artit tonë si një substancë e prirur prej kohësh dhe si një zgjim plotë shëndet nga përgjumja letargjike e shekullit XX, në Shqipëri”… (Dr.Lulëzim Mema, studius, piktor). Andaj ky artist, në artin figurativ e krijon një botë origjinale, duke arrijtur vlera estetike, për të zënë vend të rëndësishëm në pikturën bashkëkohre shqiptare.
“Bakalli është piktor i jashtëzakonshëm, i pajisur me prirje dhe aftësi teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme. Ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor, duke shqyer kufijtë… është artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar dhe ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e pikturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror”. (Prof. Ramadan Sokoli, muziktar, etnolog, estet, kulturolog).
Piktori, skulptori,esteti dhe filozofi Naxhi Bakali lindi në Tiranë, më 4 Gusht 1937. Më 1953 në qytetin e lindjes regjistrohet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku tregoi që në fillim se ishte i talentuar. Ai si nxënës i kësaj shkolle shkëlqeu,madje arrijti që për herë të parë në moshën shtatëmbëdhjetvjeçe t’i paraqitet publikut me veprat “Autoportreti”edhe “ Portreti i Motrës”, në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, në vitin 1955. Me sukses e kryen Liceun Artistik me 1957.
Në vitin 1958 Bakalli i ri e merr “Shpërblimin e Parë” në pikturë, me portretin e “Kajo Karafilit” në Konkursin Kombëtar për Ushtrinë.
Më 1961 fiton konkursin për tu pranuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), ku diplomon për pikturë murale te profesori Ksenofon Dilo më 1965. Po në këte vit emrohet si profesor i pikturës, vizatimit edhe arteve të aplikuara në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ka punuar si profesor i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1989-1992). Ndërkaq më vonë ishte profesionist i lirë i atashuar në Galerinë e Arteve.
Vepra “Kur yjet mbushin qiellin”, të cilën autori e kishte realizuar (1969) si reaksion kur në Shqipëri u rrënuan kishat dhe xhamiat, nga pushteti komunist për të asgjësuar botëkuptimin fetar. Kjo vepër, do të konsiderohet nga kritika zyrtare si e papranueshme, ndërkaq autorit të saj do ti rrezikohet liria.
Pas një periudhe të gjatë (prej afro dy dekadash) heshtjeje dhe bojkoti, Bakalli me l978 merr pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve, që u organizua me rastin e kremtimit të 100- vjetorit të Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit, ku paraqiti vepren “Luftëtarët e lirisë”. Një vit më vonë do ekspozoi tablon “Vajza tiranase” në Ekspozitën vjetore Kombëtare të Arteve Figurative.
Ekspozitën e parë përsonale e ka realizuar në vitin 1991, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, (pas ndryshimeve social- politike në Shqipëri), ku ka ekspozuar 170 vepra në gjininë e pikturës, grafikës dhe skulpturës. Në këte kohë me veprat e veta, do të merr pjesë në shumë ekspozita të përbashkëta, poashtu do te realizoj edhe disa ekspozita vetjake, si janë: Më 1994, Ekspozitë personale në Galerinë “Te&xhi”- Tiranë, ku ekspozoi 97 vepra;Në vitin 1996, Ekspozitë personale në Hotel “Rogner” – Tiranë, ku ekspozoi 55 tablo; Më 2008, Ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve – Tiranë, ku kishte 92 vepra në gjininë e piktures dhe skulptures;Në vitin 2010, realizon një Ekspozitë përsonale në Galerinë Kombëtare të Arteve – Prishtinë, ekspozitë kjo që bëri jehonë të madhe dhe u vlerësua nga publiku dhe kritika.
Nga viti 1971 merret me ilustrime. Është autor i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdëekur” të Ismail Kadares, “Nënë Shqipëri” dhe ”Përse mendohen këto male” të Dritëro Agollit. Pastaj më vonë do të ilustron librin e Ramadan Sokolit “Organografia shqipëtare” (1973); vëllimet mbi “Vallet popullore shqiptare” të koreograafit Ramazan Bogdanit; Monografinë e Ferid Hudhrit “Shqipëria dhe shqipëtarët në artin botëror”(l988), etj.
Artisti Bakalli ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i revistes ”Shqipëria e Re” që botohej në tetë gjuhë dhe shpërndahej në botë. Në këte revistë ai realizoi një galeri vizatimesh maestrale, që paraqitnin tema dhe ngjarje nga më të ndryshme, si dhe përsonazhe të rëndësishme të historisë e kulturës kombëtare. Për tu përmendur janë portretet e shkrimtarëve dhe artistëve si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Fan Noli, Janaq Paço, Lazar Nikolla, Kel Kodheli etj. Mjaft me interes janë edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat tona, si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alin”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Spiragu”, “Sopoti” e të tjera. Vizatimet për vallet shqiptare piktori i ka realizuar me ndjeshmëri e në mënyrë ekspresive, si janë ajo e Tiranës, Kosovës, Devollit, Kuksit, Dropullit etj.
U botuan libra me vizatime të Naxhi Bakallit, që paraqesin Shqipërinë dhe traditën e pashterëshme të saj kulturore, në Suedi (l980), Norvegji e Francë (1981), ku janë mirëpritur.
Naxhi Bakalli është vizatues maestral. Kur i kam parë vizatimet e tij për herë të parë, në vitet e shtatëdhjeta jam magjepsur dhe kam mbetur gojëhapur. Mu pat kujtuar piktori klasicist Jean Dominique Ingres (1780-1867), që thoshte se: “piktor i mirë ëshë ai që mund të vizatoj njeriun duke kërcy nga kati i katërtë”. Andaj mendoj se kjo vlen për artistin tonë, sepse vizatimet e tij janë realizime të shpejta, krokizime te theksuara, sintezë vijash te shkeputura, e me ndjenja të fuqishme lirike. Këto vepra janë me vizion dhe lirikë të interpretuara me elegancë dhe butësi. Ato njekohesisht kan edhe dramatikën shprehimore, ku vërejmë syrin jashtëzakoisht të sigurtë, sikurse edhe dorën e artistit.
Afresku “Përballimi” është një kryevepër e artit mural që gjindet në Muzeun Kombëtar Gergj Kastrioti Skenderbeu në Krujë. Artisti e fiton shpërblimin e parë (“çmimin e Republikës”), në konkursin e vitit 1980, kushtuar heroit kmbëtar Skenderbeut. Këte vepër me dimensione të mëdha, (në sipërfaqe prej 108 metra katror), në sallën rrethore të qendrës së Muzeut, Bakalli e realizon brenda dhjetë muajsh, në dhjetor të vitin 1982. Vepra paraqet një skenë monumentale të luftës dhe qëndresës së popullit me përmbajtje dramatike e lirike, ajo njëkohësisht transmeton edhe porosi patriotike dhe estetike. “…Në morinë e figurave të tablosë ai ruan në njëfarë mase po ato tipare artistike, që njiheshin në paletën e tij me sens figurativ. Pa kontraste të forta dritëhijesh kjo ndeshje shpalos gati një infinit lëvizjesh të cilat kërkojnë një kohë të gjatë për t’u deshifruar…” (Ksenofon Dilo, piktor, studius arti).
Kryetari i Akadermisë së Arteve të Turqisë Sabri Fetahu, kur e pa këtë kryevepër me 1982 pat thënë:”Mos e kërkoni Mikelanxhelon diku tjetër. Ate e paskeni këtu në Shqipëri. Muralja në Muzeun e Krujës ka një frymë të vertetë mikelanxheleske dhe më intereresantja është se autori i saj Naxhi Bakalli, është një artist i dalë nga shkolla shqiptare e artit”.
Në vitin 1983, piktorit Naxhi Bakalli i jipet titulli “Artist i Merituar”për rezultatet e arrijtura në krijimtari.
Me 2004 fiton çmimin e parë në Konkursin “Artistët mesdhetarë” në Athinë.
Artisti ka realizuar me sukses edhe muralet “Kuvendi i Dukagjinit të Matit” l986, (në sipërfaqe prej 20 metrash katrorë) për Muzeun e Burrelit, si dhe muralin “Legjenda e Ylberit” 1990, (në sipërfaqe pre 44 matrash katrorë) për Lokalin Turistik në Tiranë.
Piktori Naxhi Bakalli është marrë edhe me disejnimin e pullave postare. Ai me shumë sukses e ka pasuruar fondin e filatelisë shqipëtare, duke dhënë kontribut të madh në këte shkencë mbi pullat postare. Artisti ynë vlerësohet për këte krijimtari, që është jo vetëm shqiptare por edhe universale, si nga studiues të vendit po ashtu dhe nga studiues e filatelistë të huaj. Nga viti 1977 e deri sot Ai është autor i më shumë se 50 serive pullash, të cilat janë të koleksionuara dhe në qarkullim në tërë botën. Këto seri janë me 2 e më shumë pamje, madje deri në 12.
Në këte gjini të arteve aplikative artisti ynë ka trajtuar tema nga më të ndryshme, të historisë e kultures tradicionale shqiptare. Ai paraqet rrëfimet e tij origjinale me porosi simbolike dhe kuptimplote si p.sh. figurat e shquara të ilirëve si Gencin e Teutën; mbi artin tonë mesjetar; kompozitorin dhe këngëtarin Jan Kukuzeli; festialet kombëtare; legjendat shqiptare (“Konstandini dhe Dorontina”,“Rozafa”,”Legjenda e Liqenit të Pogradecit”,”Legjenda e Beratit)”; mb
i ngjarjet historike (“Ngritja e flamurit” dhe “Beteja e Shtimjes”); maskat shqiptare; seritë mbi vallet; kostumet; instrumentet; dhe mjetet e lundrimit të popullit shqipëtar. Duhet përmendur edhe realizimet për figurat e njohura botërore të kulturës, artit dhe shkencës si Einsten, Curie, Eloir, Verdi, Belini, Esenini, Goja, Cook, Andersen, Strauss, Mahler, Bethoven, Lorka etj.
Artisti Baikalli për realizime të suksesëshme në fushen e filatelisë, ka fituar 25 çmime të para gjatë viteve 1980-2oo8.
Piktori Naxhi Bakalli e braktis formën duke e reduktuar në masë të madhe, gjë që ate e bënë ndër krijuesit më autentik të pikturës bashkëkohore shqiptare, andaj e krijon një stil piktural të të shprehurit tingllues e simbolik. Kjo kthesë e modernizimit nga arti tradicional dhe folklorit të pashtershëm, merr kuptimin e përmbajtjeve plastike, që janë ndër frymëzimet kryesore të artistit.
Sementika themelore e pikturës së Bakallit, lëviz me linjat magjike dhe mistike e nga një herë edhe me forma të njohura të autorit. Ato janë të realizuara me shprehje të elementeve karakteristike, si janë konturat grafike, forma të reduktuara gjeometrike dhe plastike, me skena pikturale të së kaluarës, e të realizuara me ngjyra të pastërta-themelore.
“Ngjyra e pastër, por e interpretuar konceptualisht, e përcjell formën në çdo situatë dukurie të saj”… shprehet artisti ynë dhe vazhdon:
”Kur shfaqet apo mugëtohet…, e zhytet…, e përsëri rishfaqet – kjo është çeshtje e të kuptuarit të ngjyrës si dukuri dhe atribut i pambarimësisë. Ngjra është një energji fenomenologjike, e cila materializohet si dukuri. Por që përthithet nga vet ajo, dhe njëherësh rikonfirmohet”.
Këte vështrim e përfundoj me mendimin e filozofit, sociologut, estetit dhe të kritikut të artit Prof. Jorgos Jakumi:“Nëse cdo luftë ka korrespondentët e vet të luftës, Naxhi Bakalli ka të drejtën të mburret se është korrespondenti i luftrave epike të bashkëpatriotëve të tij shqiptarë kundër osmanllinjve. Çdo përsonalitet i madh historik ka pasur “këngëtarin” e vet: Agamemnoni – Homerin; Aleksandri i Madh – Lisipin; Justiniani – autorin e mozaikut të Ravenës, dhe Gergj Kastrioti Skenderbeu, pati Naxhi Bakallin… Ai është rrëfyestari pamor i luftës së lavdishme të Kastriotit, është intelektuali miqësor, artisti madhështor… është një shpirt i shkëlqyer dhe një personalitet fisnik me frymë shqiptare e vizion evropian, është një mendimtar antropocentrik me arsyetim universal, është shtrat i ndërgjegjës kombëtare dhe dimension me perceptim universal është një frymëmarrje e thellë e krenarisë kombëtare”…(Botoi Dielli ne Print, Tetor 2014)

Filed Under: ESSE, Kulture Tagged With: artist, E VIZION EVROPIAN, I NJOHUR UNIKAL, ME FRYMË SHQIPTARE, NAXHI BAKALLI

“Mrekullitë e një qyteti”, në Qendrën e Informimit të BE-së në Tiranë

November 5, 2014 by dgreca

Në Qendrën e Informimit të BE-së u organizua një ekspozitë fotografike me në qendër të saj arkitekturën e një qyteti specifik.
Projekti bashkon fotografë, arkitektë dhe dizenjues nga e gjithë bota në një aktivitet kushtuar fotografisë, organizuar nën kujdesin e veçantë të Zonjës së Parë, znj. Odeta Nishani.
Tema e ekspozitës rrotullohet rreth lidhjes së arkitekturës me fotografinë, me qëllimin për të kapur madhështinë dhe bukurinë e arkitekturës së një qyteti. Projekti u prezantua në 12 maj dhe organizatorët ftuan në Tiranë një sërë artistësh ndërkombëtarë të paraqitin punët e tyre rreth një qyteti të veçantë.
Ekspozita përbëhet nga 13 punë të fotografëve të ndryshëm nga e gjithë bota si p.sh. Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Zvicra, Greqia dhe Shqipëria. Disa nga artistët pjesëmarrës janë: Eric de Broche, Elena Kuznetsova, Phillip Schaerer, Emi Toska, Simona Rota, David Galjaard, Ëaërzek Kolbusz dhe Rodolfo Felici.
Fotot e ekspozuara janë përzgjedhur nga një juri e përbërë nga artistë e fotografë të njohur si: Mark Sink (president), Kristen Hatgi Sink, Jean-Jacques Terrin, Milva Giacomelli, dhe Pascal Hamon. Faza përfundimtare e projektit do të jetë një ekspozitë në Laboratoire de la Creation Gallery në Paris më 15 prill 2015.
Aktiviteti organizohet nga Dream City Fest (DCF), një organizatë jo-fitimprurëse shqiptare, misioni i së cilës është të testojë kufjtë e arkitekturës/artit dhe ta përballë atë me disiplina të ndryshme. DCF shërben gjithashtu edhe si një platformë diskutimesh ndërmjet artistësh, arkitektësh, kuratorësh, kritikësh arti dhe ekspertësh të fushave të ndryshme.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Mrekullitë e një qyteti”, në Qendrën e Informimit, të BE-së në Tiranë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT