• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FADIL KRAJA NË PANTEONIN E SHQIPTARISË

August 3, 2014 by dgreca

Nga ARIAN SUKNIQI/*
Koreograf/
Përpara disa ditësh rastësisht ndoqa një dokumentar të realizuar mjeshtërisht nga skenaristi Ilir Buçpapaj me regji të Osman Mulës. I çoroditur nga pamundësitë e injorancës që na përplasën tanë ditën e Perëndisë përpara fytyrës, ku djallëzia është bërë si sheqeri i kafesë së mëngjesit, ku shpresa është bërë eter, u bëra dëshmitar i një përkushtimi i dy “arkeologëve” të botës reale.
Them kështu, pasi personazhi që trajtohej është në kulmet e krijimtarisë dhe kështu ky dokumentar nuk kish si të fillonte ashtu siç jemi mësuar mjerisht ku sekuenca e parë filmike fillon në një varr të shprishur, ku ca fije bari të shpërndara kuturu të japin simbolikisht idenë e një njeriu të harruar sa ishte gjallë. A thua se bota e përtejme ja shton më shumë vlerat. Por jo! Lavdi zotit këtë herë autorët me përkushtimin e tyre bënë që të harrohej batuta që rëndom belbëzohet si gjetje “Po kërkush su kujtu për së gjalli për Të”.
Një personazh simpatik trajtohej në këto sekuenca, i pa zhurmshëm, pa ceremonitë e trumpetave të kohës, por butësisht i pranuar organikisht nga të tërë. Një Gegë imcak me talent dhe intelekt prej gjigandësh do të kishte fatin të materializonte amanetin e Mjedës, ”Për Shqiptarinë gacen e zjermit të atdhedashurisë kurr njiherë s’duhet me e lan me u fik”. E kështu ky amanet një mot gërsiti mbi pullazin e Krajanëve dhe kjo derë e madhe u hap butë duke i dhanë më shumë dashuri këtij amaneti njërin prej pinjollëve të familjes. Në turr të vrapit pa mëdyshje djaloshi 15 -vjeçar e mbajti frymën në Mjedë aty ku vite më parë dramaturgu i “Toka Jonë” Kolë Jakova kishte hedhur farën e dijes, aty ku Mjeda i madh predikonte bashkimin, aty ku dhe zogjtë këndojnë kangën e trimnisë. Aty do të ishte fillesa e kësaj pene mahnitëse të mbarsur natyrshëm nga legjendat, nga historia e kishës së Shën Mërisë, nga Meshari i Buzukut, nga Fishta e nga Migjeni, por edhe nga kushtetuta e Malësisë ajo e kanunit të Lek Dugagjinit të cilën e zbërtheu në cdo molekulë për ta bërë më vonë si udhërëfyese në krijimtarinë e tij. Pena e tij do të uluriste me i tregu gjithkuj se ne ishim, jemi dhe do të jemi këtu si trashëgimni e shekujve në paqe dhe pa ju përzi kërkuj në konakun e vet. Kjo staturë intelektuale e formatuar natyrshëm në një brishtësi fizike ishte ngjizur nga dy prindër intelektual që kanë mbetur në memorjen historike të një qyteti që menunë kryesore ka kulturën.
Nga një nënë e shkolluar, mësonjësja e parë femër në të gjithë qarkun e Shkodrës e cila studioi në kolegjin Anglez në Stamboll me shumë kurajo solli oksidentin duke i gjetur hapësirë për të qëndruar me dinjitet në influencat dhe korentet e kohës. Eksperimenti i parë i kësaj zonje ishte fëmija e saj që u bë shembull dhe model i qytetarisë një polyglot, një shkencëtar i letrave një sqimatar skrupuloz i volumeve gjigante, por dhe rifiniturave detajore.
Kjo mbarsje e tillë në shpirtin e një gjeniu me koshiencë të plotë artistike hapi siparin e një prodhimtarie marramendëse letrare ku romanet, prozat, skicat, dramat dhe komeditë do të ndiqnin njëra tjetren, dhe këto bashkë bëhen rreth 80 të tilla.
Tronditëse janë “Melodi Malësore”, “Fisheku në Pajë”, “Flamur në Darsëm”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit”, etj, të gjithëve na kujtohen emocionet dhe gulçitjet që këto vepra krijonin në sallë, sigurisht për ata që fati i ledhatonte duke i bërë prezent.
Tek shikoja ato sekuenca një emocion më përshkoi qënien, natyrisht dhe i ngarkuar nga përditshmëria me paudhësitë mjerane që na përplasen çdo ditë si dyer të ndryshkura në fytyrë, nuk më vjen turp ta them se lotët nuk më bindeshin, ndaj dhe gjumi bëri divorc me mua.
Po nuk kish si të ndodhte ndryshe kur ky burrë shpatull ngushtë u ba oksigjen për dhjetra aktorë të mrekullueshëm, në një teatër të mrekullueshëm që në vendin e kulturës mbante emrin e Migjenit të madh. Ky teatër i hapi krahët dramës së Fadil Krajës, dramë e cila i ftoi varzat dhe djelmoshat dhe i rriti ndër vite si aktorë profesionistë ku tash me thinja janë personazhe shumë të dashura të skenës teatrale shqiptare. Dramat e Fadil Krajës i dhanë mundësinë çdo aktori të krijonte personalitetin artistik, konfiguracionet e roleve mbanin kontraste të theksuara, ku epikja dhe lirikja ecnin mbi shtratin e vet të pahallakatur nga trazimet që i impononte mjedisi.
Unë pashë Tinka Kurtin, Bruno Shllakun, Zyliha Milotin, Elez Kadrinë, etj me një sinqeritet fëmije dhe plot mirënjohje dhe me padurim kërkonin të shpreheshin me fjalë zemre për njeriun që me veprat e tij u krijoi mundësinë për t‘u personifikuar me dinjitet si aktorë profesionistë.
Të gjithë transmetonin një ndjesi ku tashmë ata kishin binjakëzuar shpirtrat e tyre për një gjë të madhe me dëshmitarë spektatorin dhe me noter paqen.

Pra sigurisht duke parë sekuencat filmike aspak nuk më duken të rastësishme përqasjet që ky njeri kishte për profesionalizmin e vërtetë. Krijesat e tij, Ai gjithmonë përpiqej t‘ua besonte atyre që shpirti i pulsonte në ritmet e përgjegjshmërisë dhe dashurive të mëdha!!! E ku mund të gjente tjetër kënd që shpirti dhe talenti ti bënin kimi mes vedit ma mirë se me të madhin Serafin Fanko. E filluan bashkë këtë rrugëtim duke marrë dhe dhënë gjak nga gjaku i tyre cdo krijesë që kishin vendosur ta sillnin në jetë. Një bashkëpunim i cili strukte cdo bicimsez që përpiqej me buri kafiqesh të amortizonte britmat e harresës ato që për faj të gjeneratave të pavemendshme në injorance të plotë po mbyllën ndër sundukë e peshtafte duke i trajtuar si antikuare demode per ti zevendesuar me adoptime që identitetin e masakrojnë. Askush nuk i harron dot se çfarë force i dha thjeshtësisë së fjalës apo frazës regjia virtuoze e Serafinit. Dhe kështu me hap të kujdesshëm ecnin ndër majat e madhështisë ndër dekada e kështu vazhduan bashkë deri sa njeri u detyrua të largohej nga ky mission. Por mjeshtri Kraja edhe me vitet e moshës ndër shpatulla thiri rininë për të çuar përpara amanetet e besës që ndër dekada kishin lidh me shoqi shojin. Një bashkëpunim deri në përkryeje artistike ku me ‘brutalitetin e të pakonkurueshmes ” zunë vend në panteonin e dritave të ndezura perjetësisht të Shqiptarisë.
Nuk u çudita aspak kur gjithkush rendëte për me e thanë diçka për profesorin. Jo, jo nuk u çudita kur shumë prej atyne djelmoshave artikulonin qartë dhe plot krenari se jam nxanës i Fadil Krajës.
Dridhërim teksa dëgjoje mesazhe mirësie në çdo cep të SHKODRËS, KRAJËS, MJEDËS tanë atyre ZONAVE QË E QUAJTËN FATLUM VEDIN ku gjithkush donte me marrë nga kjo madhështi e këtij lisi që mbiu në Shkodër e që lulet dhe gjethet e dijes ju shpërndanë në të gjithë Shqiptarinë.
Dikush tha se në momente të caktume ka përjetuar situata që dhe kërkonin me i hup zanin!!
Jo, ky za nuk kish lind me hup se edhe Fishtës, Mjedës, Migjenit, Konicës dhe Nolit u përpoqën në kohë të ndryshme me ja mbyll tefterët, por S’mujtën, se ata erdhen si misionarë në këtë botë për ta majt thëngjillin e shqiptarisë gjithëherë të ndezun.
Shkodrani i urtë Kraja erdhi si misionar NË ATË QYTET QË I AFROI ME BUJARI flladin e aromës së sherebeles së Taraboshit, vrullin rinor të Drinit, qetesinë dhe zotnillekun e liqenit, por edhe ” brutalitetin” e Kirit, dhe misionarë të tillë zoti i shëndron në engjuj që kurdoherë me sperkatë me aromen e mirësisë dhe mos harresës të një ndëgjegjeje kombëtare të formume dhe të trashëgume bash në ato troje prej qindra shekujsh.
Unë pash një intelektuale prej derës së mirë që rrëfente në konakun e Krajanëve me një sinqeritet dhe plot humanizëm një histori shumë vjeçare bashkëshortore. Pash inamorimin e kirurges së parë femër në Shkodër asaj që ndau dhe përjetoi shumë emocione për vite të tëra me njeriun që zoti i kish ngjizur shpirtin misionar. Unë pash një bashkëpunëtore që filtronte dashamirësisht çdo fragment të veprës së bashkëshortit, sigurisht kjo ndodhte sa herë që bisturia ishte në qetësi.
Unë ndjeva, se pash të shkruar! por gjithkund në atë shtëpi fanitej Betimi i Hipokratit, një fole që pareshtur prodhonte mirësinë.
Unë pashë njerëz që kërkonin ta “bënin” të tyren këtë figurë tashmë ikonë të shqiptarisë dhe kuptova shpejt se vërtet ky nuk kish projektuar Brooklyn Bridge, por kish endur me shumë urtësi fillin e mos harresës këtej e andej kufirit, kish mbajt shpresën se gjymtyrët sado gjatë s‘munden me qënë funksional pa trungun e tyre. Dhe tu i kujtu gjithkuj se këtej dhe andej bukës i thonë buk dhe nanës nanë. Askush s’mundet me harru dridhërimat që dramat e tij shkaktuan në Kosovë dhe Maqedoni. Forca e fjalës dhe mjeshtëria regjizoriale e Serafin Fankos improvizuan një log gjigant ku Gjakovari Ndrek Luca me batutat e ujitura me qumësht shqiptarie depertoi në çdo shpirt ku zaptimi i huaj i kish ba zgavër ku melhemi i vetëm qe shpresa dhe korri i logut ku dirigjent pat padurimin ju pergjigj Batutës Së bacës së Gjetajve kur ai i pyet A jeni ju me Bacën !? dhe korri u logut si oshëtima e maleve artikulonte, Po, Po.
Kjo oshëtimë me shpejtësinë e erës përshkoi tana hapësirat Shqiptare duke u shndërruar si një aureole ku të gjithë tash lirshëm e shohim dhe komunikojmë Shqip. Se shqip e kish shkru Fadil Kraja dhe shqip e la amanetin kollozi Ndrek Luca; se në banesën e fundit dua të më çoni me plis të bardhë dhe në vendin ku linda që tash përseri flitet shqip.

Gjithkush mundet me shkrue, por diferencën e bën ai që me fjalën e tij hyn natyrshëm dhe deperton në çdo shpirt njerëzor. Këto krijesa njerëzore vinë me shumë pakicë në një shoqëri, ndaj duhet të respektohen dhe inkurajohen gjatë gjithë jetës si misionarë. Në fakt kur shikon që një shoqëri si e jona respekton me të njëjtin titull edhe një bejtexhi tallavash tronditësh, por ky fenomen është bërë normal, ka kohë që bishti është bërë më i rëndë se sqepari.
Nuk më çudisin as pushtetarë ministra që ishin dhe këta showmenët rishtarë që vrapojnë për të bërë selfie me këto ikona duke vrapuar për t’i nxjerrë nëpër rrjete sociale për të treguar respektin e tyre.
Nëse eshtë kështu ky gjigant tashmë i ka kaluar përmasat e madhështisë të një kombi.
E keni gjallë në krijimtari, keni shansin e madh të mbeteni në histori që për herë të parë një gjeni kombëtar nderohet me titullin NDER I KOMBIT, bëjeni, se një komb i tërë ja ka borxh , ani se tash ju e keni fatin me e nderue në emër të popullit.
Dikur i shpëtoi dënimit në emër të popullit tash nderojeni në emër të popullitNder, për një qytet që skicoi ardhmërinë e kulturës i cili në vështirësitë që po kalon ka nevojë për këtë energji për tu ridimensionuar për vazhdimësi dhe jo per të vazhduar të përmendi në çdo moment mburrjeje të së shkuares.
Fadil Kraja me shokë nuk janë veç të Shkodërloces ata tashmë i përkasin Shqiptarisë.
Ata erdhën si Misionarë dhe u shëndëruan në Engjuj.
* BE dergoi per Diellin- Ramiz Lushaj/

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian Sukniqi, Fadil Kraja, ne Panteon

“Miss dhe Mister Turizmi 2014″, fitojnë vajza nga Gjakova dhe djali nga Shijaku

August 1, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/. – Një vajzë nga Gjakova dhe një djalë nga Shijaku janë kurorëzuar mbrëmjen e kaluar me titujt “Miss dhe Mister Turizmi” 2014. Në përfundim të spektaklit, të organizuar në mjediset e kompleksit tturistik “Tropikal” pranë Durrësit, Artnesha Krasniqi, studente 21-vjecare kosovare dhe Serxho Gjyli, maturant nga Shijaku, kanë fituar konkurimin mes 32 vajzash dhe djemsh, të ardhur nga Durrësi, Tirana, Kavaja, Lushnja, Kruja, Gramshi, Tropoja, Kosova etj.
Organizatorja e kësaj veprimtarie, Myzejen Konduri, tha për ATSH-në se edicioin e nëntë të “Miss e Mister Turizmit” e drejtoi Xheni Konduri, ndërsa konkurentët janë përgatitur nga koreografi Arjan Plaku. Djemtë dhe vajzat sfiluan gjashtë herë përballë shikuesve të shumtë, që ndoqën veprimtarinë për afro dy orë e gjysëm. Sipas të njejtit burim, juria e drejtuar nga Floriana Garo shpalli edhe disa fitues të tjerë, jo vetëm në fushën e imazhit, por edhe në atë të traditës së kulinarisë.

Filed Under: Kulture

SHQIPERIA: KOPSHTI SHKEMBOR I EVROPES JUGLINDORE

July 31, 2014 by dgreca

Nga Naum Prifti/
Vepra e Konicës ku duket më qartë erudicioni dhe personaliteti i tij si njohës i thellë i botës shqiptare, është pa dyshim “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore.”
E shkruar midis viteve 1936-1939, me kërkesën e botuesit Robert MacBridge, për të mbushur sadopak boshllëkun e ndjeshëm në literaturën angleze për këtë vend të panjohur të Evropës, ajo duhet të ishte një histori me karakter popullarizues. Në atë kohë Konica kishte arritur moshën 60-vjeçare dhe fakti se u mendua plot 11 ditë për t’iu ppërgjegjur pozitivisht kërkesës, tregon qartë se ishte i vetëdijshëm për mundin dhe rropatjet që kërkonte një vepër e tillë. Nëse e pranoi këtë barrë, nuk e shtyri as honorari, as lavdia, po vetëm dashuria për t’i shërbyer atdheut.
Nuk mund të thuhet se kjo është vepër historike e mirëfilltë, që nga Ilirët te Mbretëria e Zogut, madje as divulgative, për arsye se autori lë menjanë parimin bazë të historiografisë, kronologjinë. E shkrojtur në formë esesh, me qëllim që të ishte sa më tërheqëse, autori e fokuson vështrimin në një qerthull temash që synojnë të nxjerrin në pah identitetin në çdo fushë, që nga veshjet, gjuha, muzika, deri te vetitë morale dhe karakteri shqiptar, duke i lënë ngjarjet historike vetëm në sfond.
Vepra është një polemikë e hapur, dinjitoze, lojale, e argumentuar me fakte për të hedhur poshtë shpifjet e përhapura me zell shovinist nga “akademikë” dhe nga pseudodijetarë serbë e grekë, të cilët me një fushatë të organizuar qëllimisht prej më se një shekulli, ishin përpjekur ta demonizonin popullin shqiptar duke e paraqitur në sytë e Evropës si një tribu të egër nomade, pa histori, pa kulturë, pa asnjë veti qytetërimi.
Çdo lexues befasohet nga sasia e madhe e informacionit dhe e referencave që gjen në faqet e këtij libri me përmasa modeste. Nëse dikush do të ishte kureshtar të mësonte ç’kanë thënë të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë njëzet shekujve, asgjëkundi nuk mund t’i gjejë në mënyrë më të përmbledhur e më koncize se sa aty dhe do t’i shtohej respekti akoma më tepër për autorin, sapo të mësonte se shumë prej tyre i ka zbuluar ai vetë si hulumtues i palodhur.
Konica ka neveri ndaj pasioneve nacionaliste, prandaj u lutet lexuesve ta falin dhe ta justifikojnë, poqese u krijohet një mbresë e tillë, e cila e ka burimin jo te pikëpamjet e tij, por nga që historia e Shqipërisë është trajtuar duke u mbështetur në dëshmitë subjektive të armiqve të saj. Kjo ndrojtje e shtyn Konicën të kërkojë ndihmën e referencave autoritative të personalitetevve të huaja, qofshin albanologë, historianë, dijetarë e udhëtarë, sepse kësisoj ruante më mirë këndvështrimin e një studiuesi serioz. Për Konicën, nacionalizmi dhe dashuria për atdheun ishin dy nocione krejt të kundërta. Dashuria për kombin, për traditat e vyera duket në çdo faqe.
Bukuria fizike e Shqipërisë me male në formë amfiteatri e me shkrepa ku ndërton folenë shqiponja, me lumenjtë që zbresin drejt detit me një oshëtimë të veçantë, sa atij i duken si persona të gjallë, e entusiazmon Konicën poet. Në shmë faqe hhasim një apoteozë të natyrës shqiptare në prozë, e cila nga bukuria artistike rivalizon me poemën e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”.
Natyrën dhe klimën, sidomos përbërjen malore ai i sheh në një korelacion të pandashëm me jetën, traditat, qëndresën, etikën dhe virtytet e shqiptarit. Ai thekson se malet kanë qenë mbrojtja më e mirë, fortesat natyrale kundër pushtimeve të huaja dhe asimilimit, ashtu sikurse kanë ndikuar edhe për një veçim konservator në organizimin shoqëror.
Madhështia e Konicës duket në trajtimin e pavarur të shumë subjekteve që analizon, duke mbajtur kurdoherë qëndrim realist dhe objektiv. Ai është aq i drejtë si shkencëtar dhe aq i ndershëm si qytetar, sa të mos mbyllë sytë as përpara veseve a të metave të bashkatdhetarëve të vet, shpesh duke gjetur edhe shkaqet burimore të këtyre dobësive, me qëllim që t’i bëjë më të ndërgjegjshëm e më të vetëdijshëm për kërkesat që shtronte koha.
Ndërmjet eseve të “Kopshtit Skëmbor”, Konica na ka mundësuar të shohim pikëpamjet e tij më thelbësore në fushën filozofike, historike, politike e gjuhësore.
Konica është përkrahës i zjarrtë i prejardhjes ilire të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe me një rrjedhë vijimore historike, të turbulluar kohë mbas kohe nga pushtimet e huaja. Studimet e këtij gjysmë shëkulli në disiplina të ndryshme shkencore, arkeologji, toponomi, etimologji, brenda kufijve administrativë dhe ndër trevat etnike kanë ndihmuar që kjo tezë të fitojë gjithmonë e më shumë tërren shkencor. Konica i kundërvihet me ironi tezës sllave të mohimit të trojeve ilire të Kosovës dhe trevave të tjera. Ai shprehet: “Që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe flasin gjuhën e tyre, është pohuar shumë herë. Megjithatë për arsye thjesht politike dhe jo historike, ndonjëherë kjo e vërtetë është mohuar. Këtu nuk është fjala për vendbanimin e ilirëve. Megjithëse edhe kjo çështje është vënë në dyshim ndonjëherë, prapseprapë asnjë “shkencëtar” nuk ka shkuar aq larg sa të shpikë një teori për ndonjë kkataklizëm gjeologjik, që të ketë në det Ilirinë e vjetër dhe të ketë nxjerrë në dritë një tokë të re në vend të saj.” Konica hedh poshtë me argumentin shkencor spekulimet sllave rreth së ashtuquajturës “e drejtë historike” duke zbuluar rrënjët shkencore të shovinizmit sllavo-serb. Ai shprehet: “Fakti që shkencëtarët ishin të mendimit që shqiptarët si pasardhës të ilirëve kanë pasur dikur pjesën më të madhe të Evropës Juglindore, ishte diçka e padurueshme, si kripa në sy, për sllavët. Nëse shqiptarët kishin zënë dikur dhe kishin ende në zotërim toka të banuara sot prej sllavëve, do të thoshte se ata kishin të drejta zotërimi jo vetëm tokat e banuara vetëm nga shqiptarë, por edhe mbi ato toka ku popullsia shqiptare ishte e përzier me sllavët. Prandaj ishte me rëndësi të dorës së parë për sllavët e jugut që të ngjallnin dyshime për mendimin e shkencëtarëve se shqiptarët jannë pasardhësit e ilirëve dhe përpiqeshin ta rrëzonin krejt këtë mendim.” Botëkuptimin agresiv serb, Konica e stigmatizon shkurt e qartë: “Mënyra e të menduarit dhe metodat e veprimit të sllavëve janë një enigmë për popujt e tjerë…Po t’i hapësh derën e shtëpisë një serbi, të nesërmen s’e ka për gjë të të kërkojë gjysmën e saj si një e drejtë që i takon, kurse një ditë më vonë do të përpiqet t’u flakë përjashta dritares si një të huaj.”
Fakti që Konicën nuk mundi ta merrte përpara rryma raciste e supremacisë së racës ariane, e përhapur gjerësisht në vitet 30 nga ideologjia naziste, tregon pjekurinë dhe pavarësinë e tij intelektuale. Ai e kundron me dyshim këtë teori, ndërsa përkrah tezën racionale të dijetarëve seriozë, se në Evropë asnjë shtet nuk mund të pretendojë për pastërti të kulluar raciale, prandaj në vend të fjalës racë sugjeron termin “grup etnik”. Ai ishte i mendimit se shqiptarët formojnë një popullsi kompakte homogjene, që flet të njëjtën gjuhë nga njëri skaj i vendit te tjetri. Konica bën përpjekje t’i kategorizojë shqiptarët në dy tipa, në ezmerin e shkurtër me sy dhe flokë të errët dhe në tipin biond, i gjatë, me sy të çelët dhe flokë gështenjë, por ai me intuitën e dijetarit e ndjen dobësinë e tij në këtë fushë, prandaj pohon me sinqeritet: “ky përshkrim i shkurtër është i një vëzhguesi të kujdesshëm”, pra jo i një antropologu. Duke theksuar nevojën për një studim të gjithanshëm nga një specialist, ai përkrah tezën e antropologut gjerman Dr. Paul Treager se shqiptarët në tërësi janë një grup racial homogjen.
Konica pohon ekzistencën e disa minoriteteve në Shqipëri, duke sjellë të dhëna historike për origjinën e tyre, sado që i çek përkitazi. Për minoritetin grek të Dropullit, Konica thotë tekstualisht: “Ata nuk janë shqiptarë të greqizuar, siç mund të mendojë dikush, por janë grekë të ardhur nga Greqia në vitet e fundit të shekullit XVIII. U sollën aty si krahë pune nga shqiptarët që kishin prona si në Shqipëri të Jugut, ashtu edhe në Veri të Shqipërisë”, ndërsa tezën greke të Vorioepirit e quan një stisje të përçudnueshme të shovinizmit grek. Për minoritetin sllav, ai pohon se përbëhet nga jo më shumë se 2000 vetë, të ardhur nga Mali i Zi, si refugjatë politikë aty nga mesi i shek. XIX. Citojmë një paragraf: “megjithëse ardhja e tyre mbahet mend mirë nga pleqtë që ishin gjallë deri në fillim të shekullit tonë, serbët dhe malazeztë e përdorin pa pikë turpi praninë e tyre në Shkodër, si një pretekst para Fuqive të Mëdha që këto t’u japin jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe gjithë krahinën që përfshihet nën këtë emër”. Pëe vllehët e Pindit, ku përfshihen edhe kucovlehët e Shqipërisë, rreth 20.000 vetë, por nga konteksti i librit nuk del e qartë, nëse kjo shifër përfshin vetëm vllehët nomadë, që jetonin vetëm me blegtori, apo edhe popullatën që ishte kthyer prej kohësh sedentare, sidomos në zonën e Korçës, të Pogradecit, Gramshit, Kavajës, Durrësit, Lushnjës dhe Fierit. Shumica e familjeve sedentare e humbën si gjuhën ashtu edhe zakonet, duke u shkrirë me popullsinë shqiptare sidomos nëpër qytete. Konica përmend edhe ciganët e Shqipërisë, duke sjellë të dhëna interesante, çka tregon se ai i kishte lexuar studimet e botuara për ta nga albanologët anglezë S. Mann dhe M. Hasluck.
Konica është studiuesi i parë që shpreh mendimin se shkrimet shqipe fillojnë së paku dy shekuj para Buzukut. Ai e argumenton këtë pohim me faktin se pa një traditë të gjatë, letërsia shqipe e mëvonshme nuk mund të ishte aq e konsoliduar. Ai përkrah mendimin e Shuflait se Shqipëria në kohën e mesjetës ishte më tepër një zgjatje kulturore dhe tregtare e Italisë, se sa një krahinë nën ndikimin e Bizantit, prandaj në kohën kur në Itali fillon shkrimi i italishtës popullore, në vend të latinishtës, kjo s’kishte si të mos gjente jehonë edhe në Shqipëri. Silogjizmi i Konicës duket bindës.
Pushtimin turk ai e sheh jo vetëm si ndërprerje të lidhjeve natyrore me Evropën dhe me kulturën e saj, por sipas tij e keqja më e madhe ngjau kur familjet fisnike, nga frika e reprezaljeve ose e kompromentimit i zhdukën të gjitha dorëshkrimet e çmuara që mbanin, të cilat do të ishin burime për kulturën dhe historinë.
Në vlerësimin e letërsisë artistike shqiptare, Konica tregohet më i gjerë e më tolerant se Noli, po jo më pak esksigjent, për shkak të etosit të tij artistik, prandaj nuk duhet të habitemi pse disa autorë të dëgjuar të Rilindjes nuk përmenden. Për Konicën, vendin e nderit, shkrimtar i parë i letërsisë së re, e zë Noli, kurse për kontributin e tij në lëvizjen letrare shprehet me modesti se nuk mund të thotë asgjë.
Konica ndofta ka dhënë shpjegimin më bindës dhe më të arsyeshëm për islamizimin e shqiptarëve. Konvertimi nis së pari me familjet feudale dhe aristokrate për t’u pasuar nga masat popullore, ne shek. e XVIII. “Ky kthim në masë, shprehet Konica, mund të shpjegohet me faktin se shqiptarët ishin identiteti më i vogël racial në mes popujsh armiq, sllavët nga njëra anë dhe grekët nga ana tjetër”. Ai e sheh konvertimin si një përpjekje për vetëruajtje dhe si rrugëzgjidhje për t’i shpëtuar trysnisë së dyfishtë, shtypjes politike turke dhe asaj fetare, kryesisht ortodokse sllavo-greke. Duke përqafuar fenë islame shqiptarët mbeteshin zotër në tokat e tyre dhe njëkohësisht fitonin një status më të favorshëm brenda Perandorisë.
Konica vëren se pjesa veriore, ndryshe Malësia, përmbledh vetëm një të dhjetën e popullsisë, prandaj Shqipëria nuk mund të gjykohet vetëm nga dukuritë e kësaj zone. Kjo vërejtje u drejtohej studiuesve të huaj, të cilët arrinin në përgjithësime të gabuara ose jo të sakta, kryesisht në sferën e strukturës shoqërore, duke njohur vetëm një zonë të veçantë.
Edhe pse pinjoll i një familjeje bejlerësh, Konica është i çliruar nga çdo lloj mburrjeje e kryelartësie, prandaj e gjykon dhe e vlerëson klasën e tij me sytë e një intelektuali perëndimor. Në shekujt e parë të pushtimit, vëren ai, shpesh bejlerët shërbyen si rrufepritës kundrejt furisë osmane, kurse në kohët e vona i humbën lidhjet me popullin, humbën burrërinë dhe pavarësinë, u bënë mjeshtër të intrigave dhe të dallavereve, duke shpërdoruar përfundimisht besimin. Zilitë e tmerrshme mes bejlerëve, të cilat inkurajoheshin edhe nga Sulltani, vëren ai, kanë penguar për shumë kohë unitetin kombëtar. Një farë gjallërimi patriotok ata e patën kur Turqia po merrte të tatëpjetën, por ai i quan të paaftë të kryenin drejtimin e shtetit të ri shqiptar. Lufta e tyre kryesore u karakterizua nga përpjekjet për të zënë poste zyrtare menjëherë ppas shpalljes së pavarësisë. Konica nuk mund t’ua falte bejlerëve mungesën e theksuar të horizontit kulturor, të cilën e kishte venë re nga afër në takimet dhe bisedat e zhvilluara.
Askush nuk ka spikatur më mirë se Konica karakteristikat e shqiptarit në të dy kahjet. Ndër vlerat pozitive, ai rendit: trimërinë, guximin, qendresën, energjinë, mikpritjen, dinjitetin, besën, dashurinë për vendin, e cila shtyn në plan të dytë dallimin mes besimeve fetare. “Flamuri etik i shqiptarit është besa e tij:, deklaron në mënyrë lapidare autori. Ndër anët negative ai vë në pah: kryelartësinë boshe, gjaknxetësinë, individualizmin, etjen për para dhe për t’u dukur, vetëbesimin e tepëruar, mungesën e frymës kolektive dhe të idealeve, duke theksuar se në një vend ku njeriu vdes për hiçmosgjë në grindje të kota, nuk ka shembuj të sakrificave për ideale të larta.
Analiza e tij sociologjike për ndryshimet midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë të gadishullit janë sinjifikative. Përklundrejt apatisë turke, ai vë dinamizmin e shqiptarit, kundrejt dinakërisë sllave vendos humanizmin shqiptar. Në mënyrë gjeniale Konica ka vërejtur ndryshimin thelbësor midis botëkuptimit grek dhe shqiptar. “Shqiptarët dallojnë nga grekët, sepse lidhjet e kombësisë i ndjejnë më tepër se lidhjet e fesë. Për grekët mendjelehtë ‘feja ortodokse’ dhe ‘kombësia greke’ kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy terma që nuk dallohen nga njëra-tjetra”.
Këtë ngatërrim po e ndjejmë dhe sot e kësaj dite. Ortodoksët shqiptarë kanë më se një shekull që po u thonë grekëve se janë shqiptarë dhe se feja s’ka pse njësohet me kombësinë, por ata nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh dhe nuk shqitën nga paragjykimet e vjetra, çka duket shkoqur në statistikat e stërsmadhuara të minoritetit grek në Shqipëri, ku futin edhe otodoksët shqiptarë. Po vallë a ka mundësi që ne të jemi minoritet në atdheun tonë?
Arsyen e pushtimeve të shumta nga të huajt Konica e gjen te mungesa e një qendrese të kombinuar dhe te koncepti se ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të krahinës, ose përtej maleve ku banonte.
Së fundi dy fjalë për marrëdhëniet e Konicës me Zogun. Konica e respektonte sovranin si kryetar shteti, po ndërkohë kjo nuk e pengon të ketë vërejtje për politikën e tij, mënyrën si e qeveris vendin dhe për karaktrin. Kontradiktat e kanë burimin tek pikëpamjet e Konicës për modelin e sovranit. Si intelektual i rritur dhe i edukuar në Perëndim, ai do të dëshironte që Zogu t’i përqasej shembëlltyrës së monarkut të demokracive perëndimore. Zogu që e njihte vendin e tij shumë më mirë se Konica kishte plot arsye të vepronte ashtu si veproi. Gjithsesi ata bashkëpunuan gjatë për të mirën e kombit.
Konica meriton respektin tonë dhe të pasardhësve si njeri që i vuri jetën dhe dijenitë e tij në shërbim të atdheut. Me hulumtimet e tij dhe kulturën enciklopedike ai e pasuroi etnografinë dhe kulturën kombëtare duke i kthyer çka i përkiste historikisht, fustanellën dhe xhubletën, këngët polifonike dhe vallen pirrike dhe mbi të gjitha i jemi mirënjohës për simbolin e parë të kombit tonë, për Flamurin e Skenderbeut.(DIELLI-ARKIV)

Musa Vyshka
ODE PËR KONICËN

Kakorës kryeneç i trimërisë,
Përballë malesh fshehe plagën tënde
E ligjërove nëpër dhjetra vende
Që mos ia shuanin diellin Shqipërisë.

Kalorës fjalëplumb i burrërisë,
I bie pash më pash pa gjumë ferrit
E sulesh të ndalosh valën e vrerit
Mos ia helmojë gjakun Shqipërisë.

Kalorës kryeneç i trimërisë.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Kulture Tagged With: : KOPSHTI SHKEMBOR, Faik Konica, I EVROPES JUGLINDORE, Naum Prifti, shqiperia

Çabej mbi Shqipërinë dhe shqiptarët

July 31, 2014 by dgreca

Qëndrimi i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë gjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonne dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike – edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar – Dalmacia e Shqipëria, pastaj Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kuturore të Perëndimit. Lëkundja e Shqipërisë ndërmjet Ballkanit na shfaqet, pothuaj ashtu si në Dalmaci, edhe në pikëpamje politike dhe jo më në fund gjuhësore, në mënyrë që elementet latine kanë pësuar në të dyja këto gjuhë një trajtim të ngjashëm.
* * *
Përçarja e vendit në shumë krahina malësore e të ulëta, të ndara shumë herë thellësisht njëra prej tjetrës, ka lindur në Shqipëri fiset dhe i ka mbajtur gjer më sot. Fisi, forma e zgjeruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë. Shqipëria gjendet tani brenda në një proces shoqëror të padukshëm, në kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët nacionale.
* * *
Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore, siç i përfytyrojmë në mënyrë retrospektive për indogjermanët e vjetër, nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë. Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt i lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha evjetër.
* * *
Mendimi themelor që vihet për kriter në goditjen e banesave është mundësia e mbrojtjes, Përkundrejt këtij mendimi, komoditeti i ndejtjes dhe pikëpamja ekonomike mbeten në rend të dytë. Këtij shpirti i përshtatet shtëpia e fortifikuar, kulla, të cilën e ndeshim më shpesh a më rrallë në gjithë Shqipërinë, dhe në Ballkan kudo atje ku ka ose ka pasur shqiptarë. Është krejt karakteristike për natyrën individualiste të shqiptarit që ky, ashtu si stërgjyshët ilirë dhe të tjerë popuj indogjermanë të moçëm si p. sh. gjermanët, banon një shtëpi të vetme mjaft të izoluar. Kjo me rritjen e familjes së madhe zmadhohet me oborre (Gehofte), bëhet lagje fisi dhe së fundi një katund i tërë fisor. Katundi fisor është katundi i vërtetë shqiptar dhe sot e gjithë ditën katundi i zakonshëm i maleve.
* * *
J. Ph. Fallmerayer Shqipërinë e quan vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. Ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë të mendojë. Karakter dramatik ka dhe historia shqiptare me fytyrat e saj kryesore.
* * *
Thelbi shpirtëror i shqiptarit është rezervimi. Kjo veti e popujve të Veriut duhet të na çuditë disi te një popull i Jugut. Kjo cilësi sidoqoftë e dallon këtë popull mjaft thellë prej popujve të tjerë të Europës Jugore. Spjegimin do ta kërkojmë për këtë si në veti të trashëguara si dhe në natyrën e mbyllur e të ashpër të vendit. Kjo e detyron banorin që jo vetëm kundrejt të huajit, por edhe me të afërmin të sillet në fillim i matur e i rezervuar, edhe i mbyllur. Kështu na spjegohet rezervimi i thellë i shpirtit të popullit shqiptar. . . Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili, për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë. Por ky rezervim nuk përjashton karakterin e hapur, edhe këtë cilësi e gjejmë me të vërtetë te shqiptari. Përbri saj na shfaqet tek ai edhe dhelpëria e lindur e banorit të maleve.
Është një shenjë e individualistit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër kokëfortë. Kjo veçori që rron në gjithë shqiptarët është pasoja e racës, e na kallëzohet edhe për ilirët e moçëm. Edhe kolonitë shqiptare, sado të shkëputura prej shekujsh nga toka-mëmë dhe tani në mes të të huajve, nuk kanë mundur ta fshehin sjelljen kokëfortë të karakterit shqiptar.
* * *
Në lëmën sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithhë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet. Me këtë lidhet malli i tokës që e shquan këtë popull si gjithë popujt malësorë. Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen te karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme. Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim te i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet ndonjëherë në atdhe.
* * *
Tenaciteti në jetë dhe ngjitja pas zakoneve është një veti tjetër e përbashkët e karakterit shqiptar, “Forca e ekzistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit” (A. Meillet). Edhe në qoftë se doket dhe zakonet e sotshme të Shqipërisë nuk paraqesin një fytyrë të njënjëjtë, ruajtja e ngulur e tyre është një fenomen i përbashkët për ta. Përgjithësisht analogjive që shkojnë midis zakoneve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë nuk u është dhënë vëmendja e duhur. Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë e përbashkët në zakonet shqiptare. Shumë zakone të lindjes, dasmës e vdekjes, kalendari i së kremteve të vitit, supërsticionet dhe figurat mitologjike, paprekësia e gruas dhe e të voglit, qëndrimi i posaçëm ndaj mikut e armikut janë disa nga gjurmët dhe aspektet e këtyre zakoneve të përbashkëta shqiptare.

Shënim i editorit. Fragmentet e mësipërme janë nxjerrë nga vepra “Për etnogjenezën e literaturës shqipe”, botuar fillimisht në revistën “Hylli i Dritës”, në vitet 1938-1939, dhe më vonë, në vitin 1994, nën titullin “Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes”, së bashku me veprën “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në vitin 1945.

Filed Under: Kulture Tagged With: Çabej mbi Shqipërinë, dhe shqiptaret

Pasqyrimi i kontributit patriotik të Mons Dr. Zef Oroshit në veprën e Dr. Markus.W.E.Peters

July 31, 2014 by dgreca

“Mireqënia kombëtare, nuk m’varet nga përkatësia fetare e secilit individ shoqnor, por sjellja e shumës së këtyne individëve ndaj Atdheut.”- At Gjergj Fishta/
Shkruan Leonora Laçi*/
Kjo vepër është një memorial tjetër, për kontributin e madh të klerit katolik shqiptarë, që u përsekutua nga regjimi i egër komunist, sepse tek ata shihte armikun e vet më të madh. Rregjimi ateist komunist, mendonte se pa nënshtrimin e klerit katolik, nuk mund të nënshtronte Shkodrën dhe Mirditën.
Ky botim i mirëseardhur, nxjerr në dritë të tjera fakte, ku autori është përqëndruar në burime të dorës së parë, të arkivave shqiptare dhe të huaja. Vepra në fjalë, karakterizohet nga objektivizmi, ftohtësia e argumenti me rrënjë të thella. Në këtë mënyrë, autori Dr. Peters, ndryshon nga të tjerët, sepse në vepër mendon dhe shkruan si shqiptar, që i njeh shqiptarët po aq sa kombin, ku ka lindur në Gjermani.
Studiuesi, albanologu, meshtari gjerman Dr. Markus Peters e përqendron veprën e tij në vitet 1919 e deri në vitet 1996. Në kapitujt e librit të ri, ai përfshinë ngjarjet më të rëndësishme jetësuese të shtetit shqiptar si çorbë e gatuar, në odat e diplomacisë së vjetër europiane, por me orientime të reja, si dhe asaj amerikane, që sapo ishte përfshirë në vendimëmarrjen e kontinentit të vjetër.
Ajo që bie ne sy, në faqet e para të veprës, është udhëtimi i Ipeshkvit Bumçi në Romë, për të takuar Papën Benediktin XV, qysh në ditët e para të janarit të vitit 1920.
Ky takim historik, kishte për qëllim paraqitjen para Papës të problemeve të Shqipërisë dhe për t’i kërkuar shenjtit ndërhymje, për moscoptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën, që po zhvillohej në Paris.
Përgjigjia e Papës, ishte mes të tjerave: “Zoti, ka m’e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kanë qitë jashtë, e aty ku s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kenë.”
Ngjarjet, që po zhvilloheshin me shpejtësi në Shqipëri, autori i përshkruan në trajta të përgjithshme, por dhe të specifikuara kur lind nevoja. Për më shumë, ai vendos theksin tek objektivi kryesor i këtij libri Roli i Klerit Katolik, rëndësia e tij si dhe mbështetja, që i jep Vatikani shtetit të sapo rikrijuar dalë nga Konferenca e Paqës së Parisit.
Vatikani, ishte shteti i pare, që e njohu Shqipërinë, më 12 nëntor 1920, duke emëruar Delegat Apostolik Ernesto Cozzi. Në këtë mënyrë, ripërtërihen lidhjet Shqipëri – Selia e Shenjtë.
Hulumtuesi M.Peters, i kushton një hapsirë të konsiderushme gjëndjes së dioqezave, për të vazhduar me tej në mënyrë të pashkëputshme me jetën politike të vendit, ku klerikët katolik kontribuan me mendjen dhe brumin e tyre perendimorë. Ata u munduan, që t’i japin më të mirën e mundshme kombit të tyre, ku u bën dhe pjesë e Parlamentit në vitet 1921-1924.
Albanologu, bën përshkrime të ngjarjeve më të rëndësishme, ku mundohet të hyj në mentalitetin e Shqiptarëve për këtë i referohet At Gjergj Fishtës: “Mireqënia kombëtare, nuk m’varet nga përkatësia fetare e secilit individ shoqnor, por sjellja e shumës së këtyne individëve ndaj Atdheut.”
Duke u future në thellësi të veprës, shohim se albanologu gjerman, rëndësi dhe kujdes në analizë, i kushton raporteve të Kishës katolike me Monarkinë Shqiptare në vitet 1925-1939, për të vazhduar me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në vijim të pasqyrimit të ngjarjeve, ai me fakte dhe argumente ndalet tek pjesa e errët mesjetare, e periudhës gjakëpirëse të sistemit komunist, që sistematikisht ushtroi dhunë, ndaj klerit në tërësis dhe ajkës së ndritur të saj në veçanti gjatë viteve 1944-1967.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve, filloi një fushatë anti katolike, që përfshiu kryesisht veri-perendimin e Shqipërisë, me kryeqëndër Shkodrën. Kjo nisi pas përpjekjeve dashakeqëse asokohe të Ministrit Sejfulla Malëshova, ku u dërgua në Shkodër, për t’i propozuar Arqipeshkvit Metropolitan Imzot Gaspër Thaçit krijimin e një partie demokristiane, të mbështetur nga klerit, për të marrë pjesë në zgjedhjet e planifikuara, për në fillim të dhjetorit të vitit 1945.
Mirëpo, Arqipeshkvi i zgjuar e kuptoi lojën dinake të propagandës bolshevike dhe nuk ra pjesë e grackës së komunistëve, por me vendosmëri i ndaloi klerit katolik çdo lloj veprimtarie politike.
Viti 1945 solli një valë terrori për katolicizmin Shqiptarë, e cila u përqendrua në disa pika, ku, u mbyllën shkollat kishtare dhe filluan arrestimet e klerikëve.
Në mënyrë konkrete, në terren pranë kishave dhe qelëve të meshtarëve, nisi vala e arrestimeve. Kështu në qërshor të vitit 1945 iu vunë prangat At Anton Harapit O.F.M, Dom Ndre Zadejës etj.
Komunizmi dhe diktatura e saj, hapi valën e arrestimeve të tjera deri në likujdimin total të tyre, si: Etërit Giovanni Fausti, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Dom Ndre Zadeja, Imzot Frano Gjini, Imzot Vinçenc Prenushi, Ciprian Nikaj, Imzot Nikollë Deda e shumë të tjerë.
Përveç goditjes shkatërrimtare, që do i bëhej klerit katolik, duhej të goditej dhe qëndra e saj, që ishte Shkodra e djepit të kulturës, ku këtu gjendeshin Etërit dhe Antona të tjerë.
Lufta kundër klerit, u bë në të gjitha format deri më brutalet. E vetmja rrugë shpëtimi, ishte arratisja nëpër male, për të formuar një qëndresë antikomuniste.
Ndërkohë, shohim në faqet e veprës në fjalë, se në vitin 1950, lufta kundër klerit, vazhdonte më ashpër se në vitin 1946.
Një klerik i dalluar, që patriotizmin e ka treguar në forma të ndryshme në mesimet fetare dhe në vendimin e tij për t’u bashkuar me grupet antikomuniste në malet e Mirditës ishte Monsg. Zef Oroshi.
Në veprën: “Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, studiuesi dhe albanologut bashkëkohorë gjerman Dr. Don Markus.W.E.Peters, shprehet: “Në mars të vitit 1951, në zonën katolike të Mirditës, pati sërisht një përpjekje nga dy kryengritësit Dom Zef Oroshi dhe Jak Përjaku, për të organizuar një përmbysje prej atje. Kjo aventurë ishte e dështuar që nga fillimi, duke pasur parasysh përqëndrimin e organeve të policisë në çdo cep. D. Zef Oroshi arratiset pak kohë më pas, (në drejtim të ish Jugosllavisë ku, vendoset në Kosovë dhe më ndihmën e direkte të Kapidanit të Miridtës Gjon Markagjonit dhe të birit të tij juristit Ndue Gjomarkut, mbërrinë në Itali, shënimi im L.L.) për në Itali e pastaj në SHBA, ku themeloi Kishën e Parë Katolike Shqiptare, që sot mban emrin “Zoja e Shkodrës” dhe shërbeu si udhëheqës shpirtëror shqiptarëve të emigruar atje.”
Autori, me të drejtë arrin në përfundimin se: “Në vitin 1952 bilanci i përndjekjeve të klerit katolik që nga viti 1944 ishte si më poshtë: nga mbi 180 klerikë janë denuar me vdekje ose janë vrarë pa një proces gjyqësor rreth një e pesta, gati gjysma janë të burgosur, torturohen ose bëjnë punë të detyruar, 5% kanë vdekur ndërkohë nga arsye natyrale si dhe një e pesta jeton relativisht e pakufizuar dhe ushtron veprimtarinë e vet për përkujdesjen shpirtërore.”
Ngjarja e D.Zef Oroshin e vitit 1952, tregoi më së miri sa shumë ishte përhapur presioni i Sigurimit ndër klerikë.
Më 20 qershor Ipeshkvi Bernardin Shllaku, i dërgon dioqezës një qarkore, nga e cila mësohet se Kisha Katolike prej kohësh përpiqej të zbulonte vendndodhjen e D. Zef Oroshit, i cili kishte qenë famulltar në Ungrej (Mirditë).
“Përsëri u sillem ju që të informoni rishtas me shkresë gjithë famullitarët e juridikcjonit tuej rreth aktit të pa-mirë, që kreu dhe vazhdon të kryej ky ish-pjestari i klerit tonë. Në të gjithë duhet t’a denojme aktin e tij”, shkruan Shllaku, siç duket nën presionin e Sigurimit të Shtetit. Qarkorja e Shllakut, ka mjaft qëndrime kontraditore pasi nga njëra anë kërkon dorëzimin e Oroshit, por nga ana tjetër vlerëson, se ai nuk ka kryer asnjë vepër anti-pushtet.
Me të drejtë autori aludon, se nëse Dom Zef Oroshi, nuk ka kryer asnjë vepër penale pse kërkohet nga regjimi komunistë pa asnjë arsye!?
Në fakt, Dom Zef Oroshi, në mars të vitit 1951, donte të organizonte një kryengritje në Mirditën katolike, duke u ndihmuar nga familjet mirditore. Në fund të qarkores thuhet: “Ky tue mos iu bindë këti parimi e tue qëndrue në mal me armë në dorë, me anmiqtë e popullit tonë, e ban veten fajtuer, para Kishës e para popullit (…) Përpiquni pra që nga të gjitha anët dhe bani çdo sacrifice, për të shpëtue këtë mështar viktimë të reakcjonit”.
Rasti i Monsg.Oroshit, zë një hapsirë të madhe në vepër, sepse me personalitetin e tij të papërkulur dhe respekti e besimi, që kishin populli tek ky shërbyes i denjë i atdheut e fesë, i kishte bërë komunistët t’a shohin me dyshim dhe si person, që nxiste Veriun në kryengritje antikomuniste.
Kjo vihet re, tek inisiativat e të dërguarve të pushtetit, për t’a arrestuar Oroshin, por as përpjekjet me mision të veçantë të dy xhelatëve të pushtetit D. Ndoc Sahatçija dhe D. Mark Dushit, nuk rezultuan të suksesshme, për të gjetur vendndodhjen e D. Zef Oroshit.
Implikimi i priftërinjëve, për t’i shpëtuar burgut e torturave, bënë që kisha të humbte pikë para popullit, por presioni që ushtrohej mbi kishën, bëri që disa priftërinjë të gjenin një rrugë të mesme “modus vivendi”, duke iu përshtatur realitetit politik e duke dhe argumentuar këtë me ruajtjen minimalisht të aktivitetit kishtar. Kjo ndodhi deri në vitin 1967, me yë ashtëquajturin Revolucionin Kulturore.
Sjelljet e pushtetit në vitet 50,’ justifikohen me faktin, se në këtë kohë vepronin në male çetat antikomuniste si dhe po gëlonte (vlonte) veprimtaria e emigracionit, nën drejtimin anglo-amerikanëve, me petkun e Komitetit të krijuar “Shqipëria e Lirë”, vrasja e Bardhok Bibës, kishte nxitur veprimtarinë kundër Mirditës e Veriut në përgjithësi si vatër zjarri, që ende nuk ishte shuar.
Arratisja e Dom Zef Oroshit, në fillim të viteve 50’ ishte alternative më e drejtë, megjithëse larg atdheut ai e ngriti zërin e Shqiptarëve në arenen e shurdhër ndërkombëtare, ku zëri i Shqiptarëve të robëruar ishte harruar.
Vitet 70’, ishin shumë intensive për klerikun, që nuk e harroi atdheun e robëruar por në Amerikën e largët afroi shqiptarët, duke themeluar dhe Kishën e Parë Katolike Shqiptare, si vatër atdhedashurie, që sillte atdheun më afër, bashkonte zemrat e shqiptarëve dhe flitej gjuha e ëmbël shqipe.
“Me 1 shtator 1973, Misioni Shqiptar pranë OKB-së në Nju Jork informon Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se, shqiptarë të diasporës kishin demonstruar me banderola, para ndërtesës së Misionit dhe kishin shpërndarë një memorandum të “Komitetit për Shqipërinë e Lirë”, për të tërhequr vëmendjen e OKB-së në lidhje me përsekutimin fetar në Shqipëri. Një rol të rëndësishëm në gjithë këto aktivitete kishte luajtur Dom Zef Oroshi”, sikurse shkruan studiuesi Dr Markus Peters.
Me 15 prill 1973, në organin partiak “Zëri i Popullit”, shkruhej, se: “Vatikani po bënte spiunazh dhe sabotazh kundër Shqipërisë. Vatikani, po mblidhte fashistët shqiptarë dhe kriminelë të tjerë, po i merrte në mbrojtje dhe po i nxiste kundër popullit shqiptar. Dom Zef Oroshi, thelbi i vërtetë i relacionit, kishte qënë drejtuesi i këtyre veprimtarive”.
Në fillim të viteve ’70, Mons Oroshi, ishte i përfshirë në mënyrë aktive sëbashku me komunitetin antikomunist shqiptar atje, në protestat para Delegacionit Shqiptar (të kryesuar nga ish Kryeministri Mehmet Shehu, që kishte ardhur për të marrë pjesë në punimet e saj, pranë OKB-së në Nju Jork, shënimi im L.L.), për shkak të persekutimit të klerit katolik në burgjet e Shqipërisë dhe me rastin e pushkatimit të Dom Shtjefen Kurtit, pse ai kishte pagëzuar një fëmijë.
Këto veprime të shpeshta të liderit shpirtëror dhe atdhetar Mons Dr. Zef Oroshit bëheshin për të tërhequr vëmendjen e opinionit amerikanë e atij ndërkombëtar në tërsi.
Viti 1986, ishte koha kur Mons Dr. Zef Oroshi, në moshë tshmë të madhe, doli në pension dhe një ditë të bukur pranvere, më 15 mars 1989 ndërroi jetë në Bronx të Nju Jorkut.
Amerika, atdheu i tij i dytë, aty ku dhe sot i prehet shpirti ja rriti përmasat këtij atdhetari, ku me shërbimet e tij atdhetaro-fetare për 25 vite u bë një bir i denjë i komunitetit Shqiptarë duke shërbyer me devotshmëri rreth 20.000 katolikëve shqiptarë.
Atdhetarizmi, sakrifica e këtij vigani me të drejtë ka tërhequr vëmëndjen e albanologut gjerman. Aty gjen cilësitë e shqiptarit shembullor, të ndershëm, guximtar dhe besnik i idealeve të shenjta, ku Edith Durham i përshkroi e i thuri lavde aq bukur para 100 vjetësh por që i mbijetuan përplasjeve të fatit.
Vepra mbyllet me vitin 1996, por në të vërtetë është viti 1993, viti kulmor, ku ardhja e Papa Gjon Palit II (Karol Vojtila), ishte një ngjarje historike për Shqipërinë ateiste e të izoluar për 45-vite, që kishte humbur rrugën e Zotit.
Por vitet e demokracisë 1990-1993, karakterizohen nga ngritja e shpejtë e institucioneve fetare dhe aktivizimin e Kishës Katolike, në mision për të ndihmuar një popull, në kërkim të vlerave të përgjithshme morale.
* (“Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, të studiuesit dhe albanologut bashkëkohorë gjerman Dr. Don Markus.W.E.Peters botuar nga Shoqata Jezuite, Tiranë 2010)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dr. Markus W. E. Peters, dr. Zef Oroshi, Leonora Laci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 309
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT