“Mireqënia kombëtare, nuk m’varet nga përkatësia fetare e secilit individ shoqnor, por sjellja e shumës së këtyne individëve ndaj Atdheut.”- At Gjergj Fishta/
Shkruan Leonora Laçi*/
Kjo vepër është një memorial tjetër, për kontributin e madh të klerit katolik shqiptarë, që u përsekutua nga regjimi i egër komunist, sepse tek ata shihte armikun e vet më të madh. Rregjimi ateist komunist, mendonte se pa nënshtrimin e klerit katolik, nuk mund të nënshtronte Shkodrën dhe Mirditën.
Ky botim i mirëseardhur, nxjerr në dritë të tjera fakte, ku autori është përqëndruar në burime të dorës së parë, të arkivave shqiptare dhe të huaja. Vepra në fjalë, karakterizohet nga objektivizmi, ftohtësia e argumenti me rrënjë të thella. Në këtë mënyrë, autori Dr. Peters, ndryshon nga të tjerët, sepse në vepër mendon dhe shkruan si shqiptar, që i njeh shqiptarët po aq sa kombin, ku ka lindur në Gjermani.
Studiuesi, albanologu, meshtari gjerman Dr. Markus Peters e përqendron veprën e tij në vitet 1919 e deri në vitet 1996. Në kapitujt e librit të ri, ai përfshinë ngjarjet më të rëndësishme jetësuese të shtetit shqiptar si çorbë e gatuar, në odat e diplomacisë së vjetër europiane, por me orientime të reja, si dhe asaj amerikane, që sapo ishte përfshirë në vendimëmarrjen e kontinentit të vjetër.
Ajo që bie ne sy, në faqet e para të veprës, është udhëtimi i Ipeshkvit Bumçi në Romë, për të takuar Papën Benediktin XV, qysh në ditët e para të janarit të vitit 1920.
Ky takim historik, kishte për qëllim paraqitjen para Papës të problemeve të Shqipërisë dhe për t’i kërkuar shenjtit ndërhymje, për moscoptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën, që po zhvillohej në Paris.
Përgjigjia e Papës, ishte mes të tjerave: “Zoti, ka m’e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kanë qitë jashtë, e aty ku s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kenë.”
Ngjarjet, që po zhvilloheshin me shpejtësi në Shqipëri, autori i përshkruan në trajta të përgjithshme, por dhe të specifikuara kur lind nevoja. Për më shumë, ai vendos theksin tek objektivi kryesor i këtij libri Roli i Klerit Katolik, rëndësia e tij si dhe mbështetja, që i jep Vatikani shtetit të sapo rikrijuar dalë nga Konferenca e Paqës së Parisit.
Vatikani, ishte shteti i pare, që e njohu Shqipërinë, më 12 nëntor 1920, duke emëruar Delegat Apostolik Ernesto Cozzi. Në këtë mënyrë, ripërtërihen lidhjet Shqipëri – Selia e Shenjtë.
Hulumtuesi M.Peters, i kushton një hapsirë të konsiderushme gjëndjes së dioqezave, për të vazhduar me tej në mënyrë të pashkëputshme me jetën politike të vendit, ku klerikët katolik kontribuan me mendjen dhe brumin e tyre perendimorë. Ata u munduan, që t’i japin më të mirën e mundshme kombit të tyre, ku u bën dhe pjesë e Parlamentit në vitet 1921-1924.
Albanologu, bën përshkrime të ngjarjeve më të rëndësishme, ku mundohet të hyj në mentalitetin e Shqiptarëve për këtë i referohet At Gjergj Fishtës: “Mireqënia kombëtare, nuk m’varet nga përkatësia fetare e secilit individ shoqnor, por sjellja e shumës së këtyne individëve ndaj Atdheut.”
Duke u future në thellësi të veprës, shohim se albanologu gjerman, rëndësi dhe kujdes në analizë, i kushton raporteve të Kishës katolike me Monarkinë Shqiptare në vitet 1925-1939, për të vazhduar me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në vijim të pasqyrimit të ngjarjeve, ai me fakte dhe argumente ndalet tek pjesa e errët mesjetare, e periudhës gjakëpirëse të sistemit komunist, që sistematikisht ushtroi dhunë, ndaj klerit në tërësis dhe ajkës së ndritur të saj në veçanti gjatë viteve 1944-1967.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve, filloi një fushatë anti katolike, që përfshiu kryesisht veri-perendimin e Shqipërisë, me kryeqëndër Shkodrën. Kjo nisi pas përpjekjeve dashakeqëse asokohe të Ministrit Sejfulla Malëshova, ku u dërgua në Shkodër, për t’i propozuar Arqipeshkvit Metropolitan Imzot Gaspër Thaçit krijimin e një partie demokristiane, të mbështetur nga klerit, për të marrë pjesë në zgjedhjet e planifikuara, për në fillim të dhjetorit të vitit 1945.
Mirëpo, Arqipeshkvi i zgjuar e kuptoi lojën dinake të propagandës bolshevike dhe nuk ra pjesë e grackës së komunistëve, por me vendosmëri i ndaloi klerit katolik çdo lloj veprimtarie politike.
Viti 1945 solli një valë terrori për katolicizmin Shqiptarë, e cila u përqendrua në disa pika, ku, u mbyllën shkollat kishtare dhe filluan arrestimet e klerikëve.
Në mënyrë konkrete, në terren pranë kishave dhe qelëve të meshtarëve, nisi vala e arrestimeve. Kështu në qërshor të vitit 1945 iu vunë prangat At Anton Harapit O.F.M, Dom Ndre Zadejës etj.
Komunizmi dhe diktatura e saj, hapi valën e arrestimeve të tjera deri në likujdimin total të tyre, si: Etërit Giovanni Fausti, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Dom Ndre Zadeja, Imzot Frano Gjini, Imzot Vinçenc Prenushi, Ciprian Nikaj, Imzot Nikollë Deda e shumë të tjerë.
Përveç goditjes shkatërrimtare, që do i bëhej klerit katolik, duhej të goditej dhe qëndra e saj, që ishte Shkodra e djepit të kulturës, ku këtu gjendeshin Etërit dhe Antona të tjerë.
Lufta kundër klerit, u bë në të gjitha format deri më brutalet. E vetmja rrugë shpëtimi, ishte arratisja nëpër male, për të formuar një qëndresë antikomuniste.
Ndërkohë, shohim në faqet e veprës në fjalë, se në vitin 1950, lufta kundër klerit, vazhdonte më ashpër se në vitin 1946.
Një klerik i dalluar, që patriotizmin e ka treguar në forma të ndryshme në mesimet fetare dhe në vendimin e tij për t’u bashkuar me grupet antikomuniste në malet e Mirditës ishte Monsg. Zef Oroshi.
Në veprën: “Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, studiuesi dhe albanologut bashkëkohorë gjerman Dr. Don Markus.W.E.Peters, shprehet: “Në mars të vitit 1951, në zonën katolike të Mirditës, pati sërisht një përpjekje nga dy kryengritësit Dom Zef Oroshi dhe Jak Përjaku, për të organizuar një përmbysje prej atje. Kjo aventurë ishte e dështuar që nga fillimi, duke pasur parasysh përqëndrimin e organeve të policisë në çdo cep. D. Zef Oroshi arratiset pak kohë më pas, (në drejtim të ish Jugosllavisë ku, vendoset në Kosovë dhe më ndihmën e direkte të Kapidanit të Miridtës Gjon Markagjonit dhe të birit të tij juristit Ndue Gjomarkut, mbërrinë në Itali, shënimi im L.L.) për në Itali e pastaj në SHBA, ku themeloi Kishën e Parë Katolike Shqiptare, që sot mban emrin “Zoja e Shkodrës” dhe shërbeu si udhëheqës shpirtëror shqiptarëve të emigruar atje.”
Autori, me të drejtë arrin në përfundimin se: “Në vitin 1952 bilanci i përndjekjeve të klerit katolik që nga viti 1944 ishte si më poshtë: nga mbi 180 klerikë janë denuar me vdekje ose janë vrarë pa një proces gjyqësor rreth një e pesta, gati gjysma janë të burgosur, torturohen ose bëjnë punë të detyruar, 5% kanë vdekur ndërkohë nga arsye natyrale si dhe një e pesta jeton relativisht e pakufizuar dhe ushtron veprimtarinë e vet për përkujdesjen shpirtërore.”
Ngjarja e D.Zef Oroshin e vitit 1952, tregoi më së miri sa shumë ishte përhapur presioni i Sigurimit ndër klerikë.
Më 20 qershor Ipeshkvi Bernardin Shllaku, i dërgon dioqezës një qarkore, nga e cila mësohet se Kisha Katolike prej kohësh përpiqej të zbulonte vendndodhjen e D. Zef Oroshit, i cili kishte qenë famulltar në Ungrej (Mirditë).
“Përsëri u sillem ju që të informoni rishtas me shkresë gjithë famullitarët e juridikcjonit tuej rreth aktit të pa-mirë, që kreu dhe vazhdon të kryej ky ish-pjestari i klerit tonë. Në të gjithë duhet t’a denojme aktin e tij”, shkruan Shllaku, siç duket nën presionin e Sigurimit të Shtetit. Qarkorja e Shllakut, ka mjaft qëndrime kontraditore pasi nga njëra anë kërkon dorëzimin e Oroshit, por nga ana tjetër vlerëson, se ai nuk ka kryer asnjë vepër anti-pushtet.
Me të drejtë autori aludon, se nëse Dom Zef Oroshi, nuk ka kryer asnjë vepër penale pse kërkohet nga regjimi komunistë pa asnjë arsye!?
Në fakt, Dom Zef Oroshi, në mars të vitit 1951, donte të organizonte një kryengritje në Mirditën katolike, duke u ndihmuar nga familjet mirditore. Në fund të qarkores thuhet: “Ky tue mos iu bindë këti parimi e tue qëndrue në mal me armë në dorë, me anmiqtë e popullit tonë, e ban veten fajtuer, para Kishës e para popullit (…) Përpiquni pra që nga të gjitha anët dhe bani çdo sacrifice, për të shpëtue këtë mështar viktimë të reakcjonit”.
Rasti i Monsg.Oroshit, zë një hapsirë të madhe në vepër, sepse me personalitetin e tij të papërkulur dhe respekti e besimi, që kishin populli tek ky shërbyes i denjë i atdheut e fesë, i kishte bërë komunistët t’a shohin me dyshim dhe si person, që nxiste Veriun në kryengritje antikomuniste.
Kjo vihet re, tek inisiativat e të dërguarve të pushtetit, për t’a arrestuar Oroshin, por as përpjekjet me mision të veçantë të dy xhelatëve të pushtetit D. Ndoc Sahatçija dhe D. Mark Dushit, nuk rezultuan të suksesshme, për të gjetur vendndodhjen e D. Zef Oroshit.
Implikimi i priftërinjëve, për t’i shpëtuar burgut e torturave, bënë që kisha të humbte pikë para popullit, por presioni që ushtrohej mbi kishën, bëri që disa priftërinjë të gjenin një rrugë të mesme “modus vivendi”, duke iu përshtatur realitetit politik e duke dhe argumentuar këtë me ruajtjen minimalisht të aktivitetit kishtar. Kjo ndodhi deri në vitin 1967, me yë ashtëquajturin Revolucionin Kulturore.
Sjelljet e pushtetit në vitet 50,’ justifikohen me faktin, se në këtë kohë vepronin në male çetat antikomuniste si dhe po gëlonte (vlonte) veprimtaria e emigracionit, nën drejtimin anglo-amerikanëve, me petkun e Komitetit të krijuar “Shqipëria e Lirë”, vrasja e Bardhok Bibës, kishte nxitur veprimtarinë kundër Mirditës e Veriut në përgjithësi si vatër zjarri, që ende nuk ishte shuar.
Arratisja e Dom Zef Oroshit, në fillim të viteve 50’ ishte alternative më e drejtë, megjithëse larg atdheut ai e ngriti zërin e Shqiptarëve në arenen e shurdhër ndërkombëtare, ku zëri i Shqiptarëve të robëruar ishte harruar.
Vitet 70’, ishin shumë intensive për klerikun, që nuk e harroi atdheun e robëruar por në Amerikën e largët afroi shqiptarët, duke themeluar dhe Kishën e Parë Katolike Shqiptare, si vatër atdhedashurie, që sillte atdheun më afër, bashkonte zemrat e shqiptarëve dhe flitej gjuha e ëmbël shqipe.
“Me 1 shtator 1973, Misioni Shqiptar pranë OKB-së në Nju Jork informon Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se, shqiptarë të diasporës kishin demonstruar me banderola, para ndërtesës së Misionit dhe kishin shpërndarë një memorandum të “Komitetit për Shqipërinë e Lirë”, për të tërhequr vëmendjen e OKB-së në lidhje me përsekutimin fetar në Shqipëri. Një rol të rëndësishëm në gjithë këto aktivitete kishte luajtur Dom Zef Oroshi”, sikurse shkruan studiuesi Dr Markus Peters.
Me 15 prill 1973, në organin partiak “Zëri i Popullit”, shkruhej, se: “Vatikani po bënte spiunazh dhe sabotazh kundër Shqipërisë. Vatikani, po mblidhte fashistët shqiptarë dhe kriminelë të tjerë, po i merrte në mbrojtje dhe po i nxiste kundër popullit shqiptar. Dom Zef Oroshi, thelbi i vërtetë i relacionit, kishte qënë drejtuesi i këtyre veprimtarive”.
Në fillim të viteve ’70, Mons Oroshi, ishte i përfshirë në mënyrë aktive sëbashku me komunitetin antikomunist shqiptar atje, në protestat para Delegacionit Shqiptar (të kryesuar nga ish Kryeministri Mehmet Shehu, që kishte ardhur për të marrë pjesë në punimet e saj, pranë OKB-së në Nju Jork, shënimi im L.L.), për shkak të persekutimit të klerit katolik në burgjet e Shqipërisë dhe me rastin e pushkatimit të Dom Shtjefen Kurtit, pse ai kishte pagëzuar një fëmijë.
Këto veprime të shpeshta të liderit shpirtëror dhe atdhetar Mons Dr. Zef Oroshit bëheshin për të tërhequr vëmendjen e opinionit amerikanë e atij ndërkombëtar në tërsi.
Viti 1986, ishte koha kur Mons Dr. Zef Oroshi, në moshë tshmë të madhe, doli në pension dhe një ditë të bukur pranvere, më 15 mars 1989 ndërroi jetë në Bronx të Nju Jorkut.
Amerika, atdheu i tij i dytë, aty ku dhe sot i prehet shpirti ja rriti përmasat këtij atdhetari, ku me shërbimet e tij atdhetaro-fetare për 25 vite u bë një bir i denjë i komunitetit Shqiptarë duke shërbyer me devotshmëri rreth 20.000 katolikëve shqiptarë.
Atdhetarizmi, sakrifica e këtij vigani me të drejtë ka tërhequr vëmëndjen e albanologut gjerman. Aty gjen cilësitë e shqiptarit shembullor, të ndershëm, guximtar dhe besnik i idealeve të shenjta, ku Edith Durham i përshkroi e i thuri lavde aq bukur para 100 vjetësh por që i mbijetuan përplasjeve të fatit.
Vepra mbyllet me vitin 1996, por në të vërtetë është viti 1993, viti kulmor, ku ardhja e Papa Gjon Palit II (Karol Vojtila), ishte një ngjarje historike për Shqipërinë ateiste e të izoluar për 45-vite, që kishte humbur rrugën e Zotit.
Por vitet e demokracisë 1990-1993, karakterizohen nga ngritja e shpejtë e institucioneve fetare dhe aktivizimin e Kishës Katolike, në mision për të ndihmuar një popull, në kërkim të vlerave të përgjithshme morale.
* (“Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, të studiuesit dhe albanologut bashkëkohorë gjerman Dr. Don Markus.W.E.Peters botuar nga Shoqata Jezuite, Tiranë 2010)